• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kombi është akt besimi

February 11, 2013 by dgreca

Nga Ndue Ukaj/

Çfarë do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi? E në këtë aspekt, çfarë do të thotë të jesh shqiptar? Një shpjegim domethënës, për pyetjet e më sipërme, gjithmonë sfiduese për personin, por edhe për bashkësinë njerëzore, e jep shkrimtari erudit, Jorge Luis Borgesi, te tregimi Ulrika në formën e një dialogu konciz.

Ajo më pyeti e menduar: Ç’do të thotë të jesh kolumbian?

-Nuk e di, -iu përgjigj. –Është një akt besimi.

Kombi është një akt besimi. Asgjë ma shumë e as më pak. Pjesëtarët e një kombi, bashkohen rreth idealeve të kombit, duke krijuar kulturën e përbashkët dhe kështu duke e shndërruar kombin në një akt besimi, rreth së cilit rrinë të bashkuar të gjithë pjesëtarët e tij. Vetëm duke besuar te e kaluare e tij, (që është traditë e përbashkët), pastaj te ambiciet e tij, e sidomos te gjuha dhe kultura, pjesëtarët e një shoqërie e ndjejnë kombin si një akt besimi dhe krijojnë kohezion e harmoni të brendshme. Pikërisht për këto arsye, shumë njohës të çështjeve shoqërore, mbrojnë idenë se kombet janë ma shumë unitet gjuhësore dhe kulturore, sesa unitet racore.

Nga kjo që thamë, del se kombin e ushqejnë marrëdhëniet e brendshme strukturore, që janë të fuqizuara sidomos nga kultura dhe gjuha, si shtyllat fundamentale mbi të cilat ngrihet dhe mbahet kombi. Këto elemente fundamentale, krijojnë heronjtë e një kombi, figurat eminente dhe etërit e tij, tek të cilat besojnë pjesëtarët e kombit, sidomos në çaste të vështira. Në këtë mënyrë, krijohet ndjenja e besimit dhe kështu kombi bëhet një akt besimi që vetvetiu i shuan dallimet e mundshme brenda vetes.

Për shqiptarët, kombi a është akt besimi? Çfarë do të thotë të jesh shqiptar, sot, në këto realitet të reja gjeopolitike që janë krijuar sidomos në dy dekadat e fundit? A kanë shqiptarët përgjigje unike për këto pyetje esenciale?

Po ta kërkonim një përgjigje në këtë pyetje, ajo do të varionte dhe do të varej nga kategorizimet që ekzistojnë brenda kombit. Kohezioni i brendshëm, te ne është prekur pikërisht në kohën kur shqiptarët jetojnë më të lirë se kurrë më parë. Në këtë kontekst, përgjigjen sigurisht s’e jep të njëjtë ai që e ndjen veten brenda identitetit europian të shqiptarëve, në raport me atë që s’e ndjen. Për më tepër, kjo përgjigje vjen e komplikohet, nëse merren për bazë figurat kryesore kombëtare, etërit e kombit, rreth të cilëve kohëve të fundit janë shfaqur jo pak dallime. Këto dallesa, shpeshherë ngrehin pikëpyetje sfiduese para shqiptarëve. E një nga ato sigurisht është edhe pyetja, nëse është kombi ynë, një akt besimi, rreth të cilit ne ushqejmë ndjenjat e përbashkëta të përkatësisë apo kombi është një arenë ku ne vringëllojmë shpatat e ndarjeve?

Këto pyetje të shumta, natyrisht kërkojnë analiza dhe interpretime të shumta e nga dije të ndryshme. Një gjë është më se e sigurt. Në këto pyetje, shqiptarët s’kanë qëndrime unike dhe kjo duhet ta shqetësoj çdo kënd që merret me çështje të kombit. Kjo sidomos duhet t’i shqetësoj elitat (nëse kanë mbet të tilla) dhe edukatorët e këtij kombi. Këto dilema, vazhdojnë ta rëndojnë jetën tonë kombëtare, sidomos viteve të fundit, prej kur brenda nesh kanë filluar të rihapen debate për identitetin kombëtar shqiptar dhe dilemat nëse ai është unik apo i fragmentuar. Ndërkaq, këto debate, kanë marrë kahe më dëshpëruese, sidomos pas shfaqjes së një fryme çoroditëse neootomane në jetën tonë kombëtar. Kjo frymë, e cila së pari është stimuluar nga qarqe turke, me kohë zuri vend te disa pseudo intelektualë shqiptarë, të përkrahur po ashtu nga disa pseudo historianë dhe në këtë mënyrë është ngritur mjerisht deri në nivelet e larta qeveritare.

Debatet për identitetin kombëtar dhe përkatësinë civilizuese të shqiptarëve, kanë rishfaqur prirje dhe orientime të ndryshme brenda jetës sonë kombëtare. Pikërisht këto debate, kanë stimuluar një klub të strehesave, siç i quan Ismail Kadare, ta çmitizojnë figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotin e Nënë Terezës. E sulmet s’mbarojnë këtu, por vazhdojnë me teoritë për kombin kosovar e gjepura tjera, se gjoja perandoria osmane s’na paska qenë pushtuese, por administruese.

Rihapja e këtyre temave, edhe njëherë e ka parashtruar nevojën e qartësimit të raporteve tona me vetveten. Pikërisht për këtë, shkrimtari ynë më i afirmuar dhe një nga mendjet më të mbrehta, Ismail Kadare ka shkruar një libër testamentar,“Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ku me një analizë të shkëlqyeshme e ve shqiptarin para përgjegjësisë kombëtare, që të qartësojë veten dhe ndërgjegjen e tij në raport me të shkuarën dhe kështu të hap shtigje për të ardhmen.

Derisa të krijojmë një kohezion të brendshëm dhe një harmoni kombëtare, që pyetjeve dhe dilemave idetintare t’iu japim zgjedhje përfundimtare, ne s’do të qetësojmë ndërgjegjen e trazuar kombëtare. Këtë sigurisht s’mund ta bëjmë pa e respektuar traditën e përbashkët, kulturën e përbashkët me shenjat e tiparet dalluese identitare. Kjo është mënyra e domosdoshme për t’i kultivuar ndjenjat e përkatësisë unike kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë, krijojmë ndjenjën e përkatësisë së përbashkët për kombin tonë dhe flakim dallimet që janë rrit dukshëm viteve të fundit, por që janë artificiale.

Historia s’duhet lejuar të bëhet barrierë për të ndërtuar të sotmen tonë kombëtare. Atë duhet ta marrim si një pikënisje për rrugëtimet e ardhshme.

Andaj, është në ndërgjegjen e klasës intelektuale, t’ju jap përgjigje të qartë këtyre dilemave që për nga rëndësia, tejkalojnë gjitha debatet e pakuptimta që bëhen ndër ne për politikën dhe degradimet që ka pësuar ajo, për paaftësinë e klasës sonë politike me çua vendin përpara, ngase këto degradime e çoroditje, vijnë nga fakti se kombi ende s’është bërë akt besimi për gjithë shqiptarët.

Realitet e reja që janë krijuar nder shqiptar, çuditërisht s’na kanë unifikuar në pyetjet e lartështruara. Përkundrazi, sot më shumë se kurrë sulmohet heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, humanistja dhe nderi i shqiptarëve në botë, Nënë Tereza, e kështu me radhë. Pikërisht këtu ka filluar çarja e rrezikshme brenda nesh.

Do te ishte skajshmërisht e trishtueshme dhe fatalisht katastrofale, psh. të mendohet, se kombi kosovar është zgjidhja ma e mire për të tashmen e shqiptareve qe jetojnë në këtë pjesë të gjeografisë politike shqiptare. Kjo nëse s’është punë miopie politike e kulturore, është veprim qëllimkeq që shqiptarëve ju vë edhe një digë të rënd në rrugën e konsolidimit dhe avancimit.

Nga këto përsiatje, e shohim sa e domosdoshme është nevoja për një ripërtëritje shpirtërore, duke ju kthyer etërve të kombit, atyre që na formësuan dhe jetësuan idenë kombëtare. Krizat e shpërfaqura identitare, janë një sinjifikativ i qartë se ndër ne duhet një rilindje, që t’ju japim përgjigje përfundimtare këtyre dilemave të makthshme. Vetëm kësisoj mund t’i tejkalojmë barrierat e rënda të së sotmes, që shpeshherë ju detyrohen të kaluarës sonë dhe pastaj të hapim shtigje të reja, për t’u integruar brenda familjes perëndimore, me dinjitet dhe respekt.

Ma shumë se për këndellje politike, kemi nevojë për këndellje shpirtërore, që përgjumja jonë përballë këtyre dilemave të na zgjojë dhe ta shohim realitetin në sy.

Empiria na ka dëshmuar faktin se popujt që s’marrin mësim nga e kaluara e tyre, janë të destinuara të ripërsërisin gabimet e njëjta.

Faik Konica, eruditi i pashembullt dhe kritiku më i madh shqiptar, që fishkëllente pa kompromis plagët dhe cenet e karakterit shqiptar, thoshte se “…është nevoja t’i japin shpirt kombit shqiptar. Ky është problemi me i madh i Shqipërisë”. Pas kaq dekadash, qyshkur Konica pikasi me pedanteri prej eruditi këtë nevojë, që shkonte në drejtim të bërjes së shqiptarëve, pas bamjes se Shqipërisë, ne e shohim sesa aktuale është kërkesa e tij sot. Shqiptarëve ju duhet një ide e qartë për të ardhmen, një ideal i shëndoshë, për te triumfuar kundruall kësaj gjendje dhe mendësie jondërtuese. Për ta zhdukur te keqen, duhet krijojmë idealin e te mirës e këtë ideal duhet ta ndjejnë gjitha shtresat e kombit. E, që të ndodh kjo, duhet një shkollë e re kombëtare, që do të motivohej nga qëllime sublime dhe ideale të larta kombëtare. Kjo shkollë në viteve të indipedencës ka ekzistuar dhe dha fryte të dobishme. Tash duhet ta rifunksionalizojmë. Etërit e kombit, duhet t’i bëjmë pararojë për të sotmen dhe udhërrëfim për të ardhmen, ndërkaq filozofinë e pastër oksidentale, që e promovuan pa ekuivokë gjithë mendimtarët shqiptarë, në kohën kur u bë Shqipëria, duhet ta rikthejmë dhe ta vejmë në punë, në funksion të interesit të përgjithshëm kombëtar. Asnjë rruge tjetër, s’është e sigurt, veçse e shton agoninë tone te gjatë.

Përcaktimi kulturor dhe civilizues i shqiptareve vjen natyrshëm nga shtrati kulturor dhe gjuhësor perëndimor, ku bën pjesë edhe kultura jonë që nga fillesat e saj e gjer me sot. Devijimet neper kohë kanë qenë të shtrënguara here nga pushtuesit e here nga ideologjitë shtrembëruese, por shqiptaret asnjëherë s’janë shkëput kulturalisht nga perëndimi, prandaj gjitha ato ide që vijnë si barriera për të sotmen dhe përpiqen ta fragmentojnë të kaluarën, shqiptarët e ndershëm e kanë për detyrë t’i braktisin dhe t’i hedhin në koshin e mbeturinave kundërmuese. Në këtë mënyrë, kombi bëhet një akt besimi rreth së cilës rrimë gjithë të bashkuar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: akt besimi, Kombi eshte, Ndue Ukaj

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT