nga” Bota me nje sy”(2019) – (Episodi Rrefimi i nenes)/
Nga Albana M. Lifschin/
Lajmi që im vella u vra si tradhëtar më ra në kokë si bombë. Isha e rrethuar nga komunistë e nuk guxoja të pyesja askënd për më gjatë. Qaja çdo kohë, sa herë mbetesha vetëm. Lotët e mia ishin bërë një liqen me rrathë e sikur do të më përpinin në fund të tij. Im shoq më ndiqte me sy në çdo lëvizje. M’u duk vetja jetime. Ndjeja nevojën e një vetëpërmbajtje e fortë dhe e vendosur për të qëndruar mbi ujë. S’më ndahej nga mendja endëra që kisha parë ato ditë. Sikur më qe këputur krahu i djathtë e unë përpiqesha ta ngjisja me pe.
-Lëre , o Marie , sikur më tha dikush- nuk ngjitet krahu me pe.
Im vella që krahu im i djathtë që e humba përgjithmonë.
* * *
Ditët kalonin njëra më e zezë se tjetra. Midis meje dhe bashkëshortit qe hapur një hon i madh në mes.
Ai përpiqej të hante heshtjen me dhëmbë, por të vetëpërmbajturit ishte shumë i vështirë për të. Kur dallga e mërzisë dhe helmit u bë mal, ai u zbraz:
-Ma nxive jetën, ma nxive! E ke të gjithë rrethin familjar të përlyer me armikun!
Unë nuk flisja. Ndryshe nga ai, njerëzit e tij ishin bërë si mure mbrojtëse për mua.
Ata më donin dhe kjo më mbante gjallë. Asnjëherë nuk ma zinin në gojë familjen vetëm që të mos më lëndonin. Një ditë i vëllai, Hamiti, i tha:
-Ti nuk e meriton Marien! Ajo është fisnike dhe shumë po të duron. Lëre rehat, se e ke tepëruar!
Ai e pa të vëllanë me inat dhe iu kthye:
-Punët e mia i di vetë!
-Pa më thuaj një çikë, ç’të ka bërë?
-Asgjë! Por është reaksionare! Çfarë tjetër, duhet të më bëjë?
Unë mësova të hesht. Më qe coptuar zëmra.
* * *
Ai i ndiqte me vëmendje ngjarjet dhe ndihej i pasigurtë. Martesa me mua i kishte lëkundur pozitën në Parti dhe në shoqëri. Filloi të ankohej se ishte i sëmurë, por unë e kuptoja që nuk ishte ajo arsyeja. Ai vinte i lodhur dhe i mërzitur nuk hapej në bisedë dhe unë nuk e pyesja se ç’kishte, por nga sa dëgjoja nga të afërmit e tij, atë vazhdonin ta kritikonin se përse kishte marrë për grua një vajzë nga një derë e reaksionarëve më të mëdhenj të vendit. Këto kritika nuk ia ndanin në parti dhe në shoqëri, madje kishte edhe disa nga ata të fisit të tij. Në organizatën e partisë i bënin presion se do ta përjashtonin nga Partia. Ai filloi të lëkundej.
I pata thënë që në fillim, që ne nuk përputheshim në asnjë drejtim. Por nuk më dëgjoi.
Më pisk se aq, e kisha unë jetën. Me përjashtim të nënës sime dhe vëllezërve, i gjithë trungu familjar me farë e me fis , më kishin marrë inat. Isha e braktisur nga të gjithë. Së pari, sepse kisha vajtur në hekurudhë, dhe së dyti sepse u martova me një komunist dhe mysliman. Por sa e sa vajza kishin vepruar si unë, në të katër anët e Shqipërisë. “Por jo, thoshte opinjoni injorant,-ato për ne janë të përdala”. Si e si të njollosnin vajzat e pafajshme. Këto epitete silleshin vërdallë nëpër Mirditë.
Triskat e bukës
Krizën e bukës, mos e provofshi kurrë!
Im shoq kishte një çantë dore që ia mbaja mënd që kur punonte në komitetin e rinisë në Mirditë. Në këtë çantë me shumë xhepa mbante dokumentat e ditës dhe triskat e bukës
që u jepeshin familjeve të qytetit për dy, katër deri 6 muaj. Ato duhet të ruheshin me shumë kujdes se shteti nuk jepte dublikatë, pra mbeteshe pa bukë. Muka duke e marrë poshtë e lart çantën diku kishte lënë triskat. Kur erdhi në fshat për të më marrë mua se isha në prag të lindjes të fëmijës, më thotë:
-Ku i ke lënë triskat e bukës?
Unë hapa sytë.
-Ato i mban ti, -i thashë.
-Kam kaq ditë që i kërkoj.
-Mendohu, se ku i ke vënë.
Ai m’u kthye dhe në prezencën e së ëmës më tha:
-Ato triska do t’i gjesh ti! Gjallë a vdekur, nëqoftëse nuk i ke zhdukur me qëllim!
-Çfarë thua, more! Iu ktheva unë,- janë buka jonë, ato janë të përbashkëta. Pa ato s’jetojmë dot asnjë ditë.
-Ti je reaksionare! Ato triska vetëm ti e di se ç’ke bërë me to. Si reaksionare që je, kaq ke në dorë të bësh kundra një komunisti!
Ishte mbushur kaq keq sa kishte humbur arsyen. Kishte filluar ashpërsisht lufta e klasave në familjen tonë. Unë me barkun tek goja, përpiqesha të mbaja veten. Isha tmerrësisht e dëshpëruar.
-Kjo që thua ti, nuk ka llogjikë, që të vdes veten për bukë. Ndërsa që jam bijë e reaksionarit, duke jetuar dy vjet me ty, dashje pa dashje jam bërë komuniste!
* * *
Horizonti për mua kish dy drejtime
Jeta po më shkonte e hidhur si duhani. Dolëm nga shtëpia dhe u ngjitëm në xhade, pranë shkollës. Aty ndaluam se duhet të prisnim për ndonjë makinë të rastit. U duk një kamjon. Ai u ngjit shpejt e shpejt dhe zuri vend. Shoferi po priste të hipja edhe unë. Muka s’e zgjati dorën të më tërhiqte, pa pyetur fare që unë isha në muajin e fundit dhe s’më linte barku të ngjitesha në atë karroceri aq të lartë. Shoferi po çuditej. Atëhere ai nxorri kokën nga kabina dhe tha:
-Ore, ose zbrit dhe ti, ose ndihmoje këtë nuse që ngjitet, nëqoftëse e ke tënden. Dhe u fut në kabinë pa e ndezur makinën. Muka gjithë inat më thirri:
-Hip lart, moj!
U përpoqa pak dhe ai shtriu dorën e më tërhoqi rrëshqanthi tek tehu i makinës. Aty pashë jo burrin, por djallin! Çudi si lindi fëmija pa cen.
Kur hymë në Kotë, “ Zbrit! më tha, -e më prit këtu se kam një punë te zyrat”.
U kthye pas një gjysmë ore.
-Tani, makina e parë që do të vijë, unë do të iki dhe ti do të rrish këtu. Dy drejtime ke, zgjidh e merr : ose shko drejt në Vlorë, por jo me mua, ose ktheu prapa në Tepelenë.
Atëhere iu ktheva:
-Unë vetëm nuk shkoj asgjëkundi! Nuk më ke marrë nga rruga! Ti, që do vrisje veten, po te mos me merrje mua!
Erdhën e shkuan disa makina. Asnjëri nga ne nuk lëvizi nga vendi. Më në fund i erdhi truri. Hipëm në një makinë dhe shkuam në Vlorë.
* * *
Motra e madhe e tij, Faria, që më donte si fëmijët e saj, banonte në një shtëpi ngjitur me tonën. Sa zbritëm nga makina u futa në shtëpinë e saj. Tek ajo gjeja ngushëllim, me atë qaja hallet që m’i shkaktonte i vëllai. Ajo si më e madhe që ish, i fliste: “Mos e mërzit Marien, se është njeri pa njeri. Vetëm ne na ka”.
Faria na jepte hua çdo tre ditë një triskë buke. Vjehrra na dërgoi një thes me miell gruri, por në kohën që e shmangëm urinë. Se fundi triskat u gjeten. Siç tha, ishin ” futur” në astarin e çantës. Dhe as që më kërkoi falje për tronditjen që më shkaktoi. “Me fal” nuk ishte në fjalorin e tij.
Pas këtyre ngjarjeve, në fund të dhjetorit më lindi Albana. Ky fëmijë erdhi në jetë si për të më larguar trishtimin dhe për të m’u bërë shoqe. Ditët e para qante shumë, por pastaj u shëndosh dhe vetëm qeshte. Duke bërë punët e shtëpisë e duke u marrë më vajzën e kaloja ditën më e qetë dhe më e gëzuar. Ishte fëmijë e bukur dhe e pastër. Para se t’i mbushte ditët erdhi dhe më mori me vete nëna e një shoqes sime. Quhej Lale Koka. Asaj i kishte rënë vajza në luftë , quhej Qeriba Koka. Lale-ja ishte tipike labe, e fortë, trime dhe e gojës. Ajo më mbajti dy javë në shtëpinë e saj, si për të më zëvëndësuar nënën që më mungonte. Lale-ja , gjithashtu ishte e motra e Lutfi Shehut, ish kuestorit të Elbasanit, që u burgos nga partia komuniste dhe vuante dënimin në burgun famëkeq të Burrelit. Laleja ishte nga ato gra që nuk pyeste për luftë klase. Ajo, pasi u njoh me mua, mori guximin të shkonte të njihte nënën time në internim në kampin e Tepelenës duke i çuar ushqime e shumë gjëra të tjera.
Nana jonë kishte një natyrë që nuk kërkonte kurrë ndihma. Ajo mbahej me dinjitet. “ Ky është fati im”- thosh gjithnjë.
Pak drite ne jeten time
—….
Një ditë, një polic i quajtur Medin, nja 40 vjeç, tek kisha dalë me Albanën në oborr më pyeti:
-Nga të kemi moj nuse?
-Jam nga veriu, thashë.
-Po, nga ç’vend?
-Nga Mirdita, u përgjigja.
-Po, si e ke llagapin?
-Melyshi.
-Po, një Nikoll Melyshi që ka punuar në këto anë, e ke gjë ti?
-Jam e bija,- i thashë.
Ai m’u afrua duke më përqafuar.
-E të keqen Çeçua! Ta dish ti moj bijë, çfarë babai ke! Ai ishte zotëri burrë. E kishte ngritur shtabin në fshatin Mazhar, aty më tutje Sevasterit. Po Nikolla megjithëse kishte ardhur me batalionin e major Dod Nikollës për punë të tjera, i dha një ndihmë të madhe njerëzve të kësaj krahine.
-Po, si?- e pyeta unë me kureshtje. Sa kohë kisha pa e parë babanë!
Medini që dukej kishte nostalgji, nxorri kutinë e duhanit dhe u ul në një gur që të vazhdonte bisedën më mua.
-Po, si ishte ngritur ky shtab?
-Ky shtab, filloi ai, drejtonte punët e mercenarëve. Babai yt, ishte njeri i ndershëm e nuk pajtohej me plaçkitjet e reprezaljet që bënin ata në jug. Orientimet i jepte major Dod Nikolla, vetë. Ai vetë vendoste me karta biankë për të vrarë shumë njerëz të komunistëve dhe për t’iu internuar familjet komunistëve. “Çudi, thashë me vete . Edhe këta si partizanët! A thua të ketë kryer veprime të tilla edhe babai im?” dhe e pyeta Medinin:
-Po babai im, a merrte pjesë në këto operacione?
-Jo, përkundrazi. Ai shkonte keq me majorin, e nuk i zbatonte urdhërat e tij. Nga sjelljet e tij mizore, majorit ju vranë shumë mercenarë dhe plani i dështoi dhe ai vetë u çmend. Kurse babai yt që unë dhe shumë sevasteras dhe shkozjotë kemi mall për të, ai kur merrte urdhëra nga ato që lëshonte Doda, bënte të kundërtën. Për tërë natën u çonte njoftim familjarëve që do të dënoheshin, që të mos i gjente mëngjezi në shtëpi. Sa familje ka shpëtuar ai! Unë vetë kam qënë dëshmitar i këtyre ngjarjeve , prandaj Nikoll Melyshi ka lënë emër të mirë në këto anë. Kështu moj bija e mikut tonë. Pastaj ai hodhi pushkën në krah dhe iku.
M’u ngroh zemra. Babai m’u shfaq në dritë, e m’u bë se më erdhi pranë.
(Albana M Lifschin , shkeputur nga libri ” Bota me nje sy”, Rrefim i nenes, 2019. Charlotte, NC. )