Albana Vokshi në forumin e grave të PPE: Kemi depozituar pranë OSBE-së fakte e argumenta për blerjen e votave/
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë (LDGSH), deputetja Albana Vokshi e cilësoi të manipuluar dhe të cënuar procesin zgjedhor në 21 Qershor.
Në forumin e grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt në Maltë, zonja Vokshi i bëri me dije kolegeve europarlamentare, deputeteve dhe politikaneve të vendeve të BE-së se ka patur një proces masiv të shitblerjes së votës, klimë shantazhuese të qeverisë dhe mazhorancës mbi vullnetin e lirë të shqiptarëve, angazhim në proces kandidatë me rekorde kriminale, të gjitha të evidentuara edhe në raportin paraprak të OSBE-ODIHR.
“Në një skenar të mirëpregatitur me ndarjen e re territoriale, PS dhe LSI minuan standardet e zgjedhjeve, duke e kthyer votimin, në një proces diktatorial, ku votuesit fotografonin votën në këmbim të parave dhe të vendeve të punës”, tha Vokshi.
Vokshi vuri theksin te klima kërcenuese për të marrë votën e grave dhe të nënave me vendin e punës, tek parregullsitë e shumta që lidheshin me organizimin e infrastrukturës zgjedhore, si kutitë, shpërndarja e fletët e votimit, vulat dhe terma të tjera teknikë, të cilët ndikuan drejtëpërsëdrejti në mbarëvajtjen e procesit.
“Partia Demokratike ka depozituar të dhëna të shumta me fakte dhe argumenta pranë OSBE, ODHIR dhe të gjithë organizmave ndërkombëtare për fenomenin e blerjes se votave, për presionin dhe klimën shantazhuese ndaj administrates dhe biznesit në favor të një rezultati manipulues të mazhorancës në zgjedhjet locale”, tha Vokshi.
Presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore, Dors Pack dhe lideret e vendeve të BE-së në referencë të raportit paraprak të misionit të vëzhguesve OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, shprehën shqetësimin e madh për cënimin e standardeve, manipulimin e zgjedhjeve, te cilat mund te kene ndikim në proceset integruese të vendit.
Demokracia dhe shteti i së drejtës është më në rrezik se kurrë nga qeverisja dhe mazhoranca e inkriminuar, e cila ka sfiduar sistemin dhe me vendosjen e kandidatëve të lidhur me krimin, tha më tej Vokshi. Partia Demokratike, deklaroi deputetja Vokshi, do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore manipuluesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Opozita do të vazhdojë e pa lëkundur në betejën e saj me antiligjin dhe pushtetin e inkriminuar i cili ka kapur çdo institucion dhe strukturë të pavarur.