NGA EUGJEN MERLIKA/Festimet e njëqindvjetorit të Pavarësisë kombëtare të Shqipërisë vazhdojnë të kenë jehonën e tyre në shtypin e huaj. Arsyeja qëndron në pohimin me zë të lartë të çështjes kombëtare nga përfaqësues të ndryshëm të politikës, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në trevat e tjera shqipfolëse, jashtë kufijve të saj. Shprehje, si ajo e kryeministrit Berisha nga Shkupi, “ U bëj thirrje shqiptarëve të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”, apo ajo e Xhavit Halilit : “Ne kemi një gjak, një gjuhë dhe një flamur” nuk kanë asgjë të jashtzakonshme apo “eksplozive”, por bëjnë bujë sepse, prej 70 vjetësh, nuk dëgjoheshin nga goja e autoriteteve zyrtare të politikës shqiptare dhe për opinionin publik të huaj quheshin koncepte t’atrofizuara e të papërfillëshme.
Befasimi kapi dhe një firmë të njohur për publikun shqiptar, Oliver Jens Schmitt, një profesor i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës, autor i vëllimit “Skënderbeu”, botuar në shqip para pesë vjetësh. Profesori, në artikullin e tij “Një vetëbesim i ri i shqiptarëve në Ballkan”, ve në tehun e kritikës së tij pothuaj të gjithë klasën politike shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, veçanërisht deklaratat e disa prej përfaqësuesve të saj në atë përvjetor. Madje ai e shton dozën e kritikës, duke rrjeshtuar dhe kundërveprimet e diplomacive të huaja, në rradhë të parë të fqinjëve, e duke pohuar se “dëmet në politikën e jashtme janë të mëdha”.
Në të gjithë këtë paraqitje nuk ka asgjë të re, është një vazhdim i interpretimit të çështjes shqiptare në një vështrim kundërshtar të saj. Ajo që më duket se mungon në analizën e profesorit, apo të pikave të tij të riferimit në publiçistikën shqiptare, është fakti se prirja kombëtariste e shqiptarëve, dëshira e tyre për të jetuar së bashku në një shtet, interpretohet në versionet më të mundëshme të një logjike që funksionon në dritën e nevojave imediate të politikës, e jo në një kërkesë të brëndëshme individuale e kolektive të vetë qytetarëve. Pohimet e ndryshme të politikanëve interpretohen si shpalosje e një strategjie zgjedhore në kërkim të votave, e jo si paraqitje e një problemi që lindi në çastin historik të gjymtimit të shtetit shqiptar në dobi të fqinjëve. Madje Schmitt bën të vetin një arsyetim të Ben Blushit, që e quan “…nacionalizmin si një opozitë sistemi, ku armiku merr fytyra të ndryshme….” si një vlerë e ndryshueshme, e cila shfaqet në çaste të caktuara e në forma të ndryshme, duke synuar objektiva gjithashtu të ndryshme.
Nacionalizmi shqiptar nuk është e nuk duhet të jetë një krijesë e tillë e shtirur, e lindur rastësisht në vartësi të rrethanave e të interesave të klasave drejtuese e përfaqësuesve të tyre. Ai përbën një strategji të një kombi që, në çastin e themelimit të shtetit të tij, është ndjerë i dënuar pa të drejtë, i ndarë për gjysmë pa asnjë motiv të vlefshëm historik apo moral. Autori i shkrimit përmend shprehjen “mit i viktimës”. Që Shqipëria u nda dysh në konferencën e Londrës 1913 nuk është një mit, një përrallë e shpikur nga shqiptarët, por është një fakt historik me pasoja të pallogaritëshme humbjesh shqiptare në jetë njerëzore, në pasuri e në shpërngulje të detyruara të qindra mijra qytetarëve të Kosovës e të Çamërisë.
Nacionalizmi shqiptar qe më i riu në Evropën e shekullit të njëzetë, nuk pati bazën e tij në madhështinë e perandorive apo mbretërive të fuqishme, nuk pati kurrë shfaqje agresiviteti ndaj të tjerëve, por mbrojtjeje të vetvetes. Nuk ka nevojë që këtë të vërtetë t’a pohojë me forcë kryeministri, ajo është në vetë logjikën e ngjarjeve të një shekulli, të cilën, profesori i nderuar i historisë së Evropës Juglindore, duhet t’a dijë më mirë se kushdo tjetër. Aspirata e shqiptarëve për të jetuar në një shtet të përbashkët është një kërkesë sa e drejtë aq edhe e ligjëshme, ajo nuk është një variabël e humoreve të politikës ndërkombëtare, por një e drejtë e patjetërsueshme e tyre, një kostante e qënies së tyre si komb e si shtet.
Habit fakti që kjo dëshirë demonizohet në forma të ndryshme, duke i ngjitur dhe etiketat më t’urryera, duke i veshur dhe atë të komunizmit, me të cilin vetëm një verbëri e theksuar politike e historike mund t’a njëjtësojë. Komunizmi qe armiku më i egër i nacionalizmit shqiptar, qe ai që e varrosi termin dhe idenë pwr gjysëm shekulli, si për arsye ideologjike, ashtu dhe për interesa partiake e varësi nga P.K.jugosllave. Nëse tirania komuniste në çaste të caktuara, u mundua të japë idenë se i shërbente interesave të Atdheut, ajo kurrë nuk mbështeti një strategji të bashkimit kombëtar, të cilin e bëri pluhur e hi sapo mori pushtetin, n’emër të internacionalizmit proletar e të “vëllazërimit” me grekët dhe jugosllavët. Përvoja e trajtimit të çamëve e kosovarëve në Shqipërinë enveristeështë një dëshmi e pakundërshtueshme e politikws komuniste në lidhje me shqiptarët e mbetur jashtë kufijvet dhe interesat e tyre.
Cilido që ka lexuar në gazetën Shqiptarja.com “Përshpagimet shqiptare” është në gjëndje të bëjë dallimin ndërmjet qeverive nacjonaliste dhe atyre komuniste, përsa i përket qëndrimit ndaj trevave shqiptare, jashtë “shtetit amë” dhe interesave të banorëve të tyre.
Autori i shkrimit na ve një alternativë zgjedhjeje : “ose një Shqipëri më të madhe, ose një Shqipëri më të mirë”. Nuk kuptohet se nga çfarë autoriteti sot ne na shtrohet si komb kjo zgjedhje e mbi ç’bazë morale apo politike mund të motivohet ajo. Shqipëria më e madhe do të jetë dhe Shqipëria më e mirë, sepse bashkimi i energjive dhe forcave të gjithë shqiptarëve, sigurisht, do të prodhojë më shumë të mira për shtetin e tyre. Se si do t’arrihet kjo aspiratë shekullore është e gjitha për t’u vlerësuar e përsiatur. Sigurisht do të arrihet nëpërmjet mjeteve paqësore, në marrëveshje me fqinjët dhe miqtë, në kuadrin e një Evrope që, nëpërmjet bashkimit të saj duhet të shmangë të gjitha padrejtësitë e shekullit të shkuar. Është e vërtetë se diplomacia ndërkombëtare, në njëqind vitet e shkuara, na ka detyruar të pranojmë ndarjen tonë, por nuk ka arritur të na bëjë të heqim dorë vullnetarisht prej bashkimit.
Nëse sot qindra mijra qytetarë të Shqipërisë, Kosovës, Sërbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, festojnë 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë shqiptare, nëse 1,5 milionë qytetarë vizitojnë, në 45 ditë, armët e Skënderbeut, simbole të kombit luftëtar të lirisë, ato diplomaci duhet të binden se dëshira për bashkim mbetet një projekt që kërkon sendërtim, që ruhet në thellësi të vetëdijes së secilit prej shqipfolësve, që nuk është zvetënuar nga koha, që nuk është tharë nga të gjitha stinët e flakëve që e kanë përzhitur prej njëqind vitesh. Ai projekt kapërcen llogaritë e politikanëve fqinj e të miqve të tyre, ashtu sikurse dhe konsideratat e intelektualëve të tipit Schmitt që tremben nga ky “…dimër nacionalisto-shqiptar”.
Si i tillë ai duhet trajtuar me seriozitetin e duhur, pa hipokrizinë e kushtëzimit të pjesëmarrjes në bashkësitë dhe organizmat ndërkombëtare, pa arrogancën e “diplomacisë së kanonierave” e të logjikës së më të fortit, pa idolatrinë e tabuve të mos ndryshimit të kufijve. Ajo duhet të mbajë parasysh vetëm një gjë, respektimin e vullnetit të lirë të popujve për vetëvendosje, që do t’ishte edhe ngadhënjimi i demokracisë së vërtetë në marredhëniet mes shteteve.
Në këtë vështrim, mendoj se hapi i parë do t’ishte një hulumtim i vullnetit të gjithë shqipfolësve, nëpërmjet një referendumi. Hapat e mëtejshme do të ishin rrjedhojë e përfundimit të tij, pra subjekte marrëveshjesh e kompromisesh që nuk do të cënonin as parimet e Evropës demokratike dhe as qëndrueshmërinë e sigurinë e rajonit tonë.
Itali, Shkurt 2013