Nga Enver Bytyçi/
Baton Haxhiu nuk mund t’i mungonte mbreme opinionit te Blendi Fevziut. Ai kishte ardhur nga Prishtina, i bindur se alibitë e tij të reja në mbrojtje të idesë së ndarjes së Kosovës, do ta nxirrnin fitimtar. Dhe falë shumicës së panelistëve ia arriti qëllimit. Ai shtroi para shikuesve disa alibi: 1. Së pari tha se ideja për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi dështoi nisma e Berlinit për Ballkanin Perendimor. Sipas tij, meqenëse “dështoi” Gjermania në përpjekjet e saj për arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, çeshtja kaloi në duart e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt kaloi në duart e Moskës dhe Beogradit. Por Amerika përdoret për të kamufluar shërbimin që Thaçi, Rama dhe Batoni ia bëjnë Serbisë dhe Rusisë. Kjo ishte gënjeshtra e parë e radhës, të cilën Batoni e solli nga Beogradi në ekranin e vogël të TV Klanit, përmes Blendi Fevziut. Ishte një gënjeshtër, sepse ideja dhe procesi i ndarjes së Kosovës ka qenë gjithmonë aty dhe është riaktivizuar me forcë pas takimit në Nish në vjeshtën e vitit 2016 të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucciq. Të dy këta, sipas Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Serbi, në atë takim kanë folur dhe kanë vendosur që të punojnë së bashku për një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, me opsion ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë. Aso kohe projekti I Berlinit nuk kishte dështuar, përkundrazi ishte në kulmin e suksesit të vet. Por Rama dhe Vucciq ishin kundër atij projekti, pavarësisht premtimit që i kishin dhënë zonjës Merkel për të punuar për zbatimin e tij. Ata që ishin thirr në panel nuk e dinin ose nuk deshën ta ballafaqojnë këtë argument me Baton Haxhiun. Batoni u duk se e fitoi betejën me alibinë serbe të “dështimit” të Berlinit dhe hyrjes në lojë të SHBA-ve. 2. Alibia e dytë e Batonit dhe përkrahësve të ndarjes së Kosovës kishte të bënte me faktin se “veriu i Kosovës nuk administrohet nga qeveria e Kosovës”, për pasojë “nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm se t’i bashkohet Serbisë. Ndërkaq vihet re lehtë se veriun e Kosovës qëllimisht e kanë lënë në mëshirën e fatit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq. Them qëllimisht, sepse ata mesa duket ata në kulisa kanë projektuar shumë vite më parë që ta çojnë zgjidhjen te ndarja e Kosovës. Dhe gjithçka ka ndodhur në fshehtësi, kur të dy kanë qenë aktorët kryesorë politikë në të dy vendet e tyre. Jam i sigurt se në këtë lojë antishqiptare ka rolin e vet Baton Haxhiu, i cili mbrëmë hiqej se nuk di se kush është ideatori dhe iniciatori i projektit të ndarjes së Kosovës. Kishte frikën e dekonspirimit po ta pranonte atë që Batoni e di më mirë se kushdo, se Vuçiq dhe Daçiq janë kreatorë të kësaj ideje. Në panel askush nuk solli argumentin e tillë, ku t’i thuhej Batonit se ai që në vitin 2015 ka anonçuar në televizionin e tij Klan Kosova lajmin se Daçiq deklaron: “Mua nuk më intereson në sa shtete jetojnë shqiptarët. Interesi i Serbisë është që serbët në Ballkan të bashkohen e të jetojnë në shtetin e tyre të përbashkët”. Kjo deklaratë nuk i drejtohej vetëm veriut të Kosovës, por edhe Republikës Srpska. 3. Alibia e tretë e Batonit lidhet me thënien e tij se “Mua nuk më intereson se destabilizohet Ballkani, mjafton të ketë një marrëveshje midis Prishtinës e Beogradit”, dmth mjafton që Kosova t’ia japë Serbisë pjesën më vitale të territorit të saj. E vërteta është se me këtë alibi Baton Haxhiu dhe kreatorët e tij në Tiranë, Beograd e Prishtinë janë vënë në shërbim të skenarit ruso-serb për krijimin e Serbisë së Madhe dhe operojnë me “gjetjen patriotike”, sipas së cilës “u dhemb shpirti për Kosovën”, me territoret e së cilës duan të kënaqin orekset nacionaliste të Serbisë. Ky truk i shkollës sllave ishte ndoshta suksesi më i madh i Batonit në opinionin e mbrëmshëm. Dhe përsëri suksesi i tij kaloi nga paaftësia ose papërgjegjshmëria e panelistëve të përzgjedhur nga Fevziu. Përveç argumenteve të Bejtjes, asgjë nuk tingëlloi bindëse për të kundërshtuar alibitë e Batonit. Së katërti, Batoni dhe Fevziu, por edhe Preçi e Muçi, u nbërthyen në alibinë e vendimmarrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket arritjes së marrëveshjes Prishtinë-Beograd. Por asnjëri prej tyre nuk tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është angazhuar si askush tjetër në historinë e shteteve të botës, që të punojë me lobin serb në Amerikë, me lobin antishqiptar, për të fituar mbështetje për idenë dhe nismën e tij për ndarjen e Kosovës. Aleati më i ngushtë i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës është gjithashtu aleati më i ngushtë i Aleksandër Vuçiq dhe Ivaca Daçiq. Ai quhet John Bolton. Në SHBA ka një lob të fuqishëm proshqiptar. Janë ata që kanë çliruar Kosovën dhe kanë bekuar pavarësinë e saj. Por Hashim Thaçi nuk bashkëpunon me këta amerikanë vullnetmirë në dobi të kombit shqiptar. Ai punon dhe bashkëpunon me kundërshtarin e pavarësisë së Kosovës, Bolton. Megjithatë, askush nuk e përmendi këtë fakt në atë debat, sepse i duhej hapë rruga idesë se “Të kundërshtosh Thaçin, Ramën e Batonin je kundër Amerikës”! Pra Batoni ia arriti ta përccojë këtë mesazh te shqiptarët falë angazhimit të Blendi Fevziut dhe kontributit të Preçit e të tjerëve, përveç Andi Bejtjes, i cili theksoi se nuk është momënti i duhur që Kosova të kërkojë marrëveshje me Serbinë. Dhe e fundit, Btoni shpalli alibinë beogradase, sipas së cilës “Edhe Sali Berisha paska qenë për ndarjen e Kosovës, si zgjidhje”! Prisni të enjten që vjen, kur Edi Rama të bëjë në parlament shoun e radhës me këtë alibi serbe të Baton Haxhiut! Të gjitha këto alibi kanë vetëm një burim – Beogradin. Por kjo nuk do të thotë se ato nuk përpunohen rrugës nga Prishtina deri në Tiranë. Të gjithë proserbët janë vënë në shërbim të projektit të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Ndaj dhe Artur Zheji nuk ka të drejtë kur thotë se ky projekt nuk zbatohet dhe se Tirana duhet të heshtë! Tiranë, më 05.02.2019