• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ikje që nuk ndalen

March 1, 2018 by dgreca

1 Alma LIci MirakajNga Alma Liço/

E ulur pranë dritares, po vështroj me kërshëri flokët e dëborës që vallëzojnë në mënyrë kaotike, duke zbardhur gjithë ambientin  rreth e rrotull.  Rrugëtimi i ngadalshëm dhe pa kthim duket sikur i shformon ato, dhe më pas i përplas lehtas në sipërfaqet ku prekin,  për t’ju bashkuar pa asnjë mëdyshje simotrave të tyre. Eshtë një ditë e zakonshme dimri kjo për Gjermaninë, vendin e begatë që u bë streha e qindra e mijëra bashkëkombësave që u arratisën të dëshpëruar e që mbërrijnë çdo ditë për një jetë ku t’u garantohen të drejtat elementare që duhet të gëzojë çdo qënie njerëzore e epokës që jetojmë. Më shumë se trishtuese.

E mësuar me klimën e Tiranës që gjatë stinës së dimrit mbytet në shi, si dhe me shtëpitë e akullta që nuk arrijnë të ngrohen kurrë, ky fenomen është disi i pazakontë për mua. Të shijoj bardhësinë  verbuese të dëborës, ndërkohë që mbaj në trup një veshje verore, është diçka që nuk e kisha imagjinuar asnjëherë ta provoja. Përjetime të tilla ishin produkt filmash emocionues dhe personazhesh romantikë që lundronin ethshëm në oqeanin e fantazisë. Ja pra që ndodhi. Udhët e Zotit janë të pafundme dhe të mistershme në surprizat impresionuese që rezervojnë. Një portë e errët që mbyllet padrejtësisht, dhe një tjetër që hapet e madhërishme në bujarinë që ofron, në një vend të begatë. Pranë saj qëndron me krahë hapur një person shumë i rëndësishëm për mua. Eshtë dashuria e pajetuar e viteve të herëshme të rinisë, e zvarritur mes lotëve dhe privacioneve të internimit. Si në një cirkuit të mahnitshëm e të pabesueshëm, rrugët e jetës bashkohen sërish, larg Shqipërisë, larg politikës bastarde që aq mizorisht plagosi e shkatërroi pa u ndalur ëndrrat tona.

Si për të qartësuar, dhe deri diku ngushëlluar veten për fenomenin e ikjeve masive, mundohem të risjell kronologjikisht në kujtesën time të lënduar, gjithë ato ngjarje që mizorisht kanë shoqëruar ekzistencën dhe mbijetesën në Shqipëri. Ato vite shprese dhe entuziasmi naiv që u zvarritën në hapësirat e mjegulluara të zhgënjimit, ngjasojnë me ato të qindra mijëra bashkëqytetarëve të tjerë që pësuan të njejtat përjetime. Për fat të keq,  episodet e ndërlidhura tragjikisht, kanë në themel të tyre urrejtjen,  flakjen dhe refuzimin. Ato ngjarje drithëruese përcjellin mohimin e asaj të madhërishmës që Zoti e dhuron vetëm një herë, vetë  JETES.

Me sytë e mallëngjyera të kujtesës dhe imagjinatës, arrij të dalloj një vajzë të vogël hipur majë rimorkios së një makine ogurzezë. Shoqëruar nga zhurma e përbindshme e motorit të amortizuar dhe lëkundjet e pamëshirshme të shkaktuara nga rrugët me gropa, së bashku me familjen e saj, atë ditë të nxehtë shtatori, po udhëton drejt fshatit të internimit. Ajo vogëlushe, e trembur, e përhumbur mes drithërimash dhe dhjetra pyetjesh pa përgjigje, isha unë. Nuk kisha si ta dija se familja ime duhej të vuante internimin e përjetshëm, për “fajin” e vetëm se babai i tim eti kishte qenë kundërshtar i ideologjisë komuniste dhe bëmave të saj mizore, duke e paguar këtë “krim” si mijëra të tjerë, me jetën e tij. Në ato vite të tmerrshme të internimit njezët e tre vjeçar, ku u vra e u varros fëmijëria dhe rinia ime, provova vuajtjen e tejskajshme fizike dhe atë shpirtërore, provova dhe përjetova dhimbjen, përbuzjen, përjashtimin, lotët e pafajshëm e pa shpjegim, provova urinë, etjen, denigrimin, persekutimin.

Shpesh kam pyetur vehten, si i rezistuam gjithë asaj mynxyre me përmasa katastrofike???…Si ja dolëm të mbijetojmë? Vallë, ishte shpresa se ndoshta një ditë fatet do të ndryshonin, apo thjesht inercia dhe forca e vazhdimësisë së jetës që triumfonte mbi barbarinë në mënyrë të heshtur dhe të pashpjegueshme? Ndoshta ishin të dyja bashkë….nuk e di…..edhe sot e kësaj dite nuk kam një opinion të qartë për burimin e forcës së qëndresës, në atë skëterrë të përbindshme, në atë sundim gjakatar, në atë genocid të llahtarshëm, që në emër të një ideologjie të çmendur,  shqiptarët ua shkaktuan bashkëqytetarëve  të tyre.

Me një lloj nostalgjie të pezmatuar, refleksionet më rikthejnë në vitet 1990, kur erërat e lirisë dhe ndryshimit filluan të fryjnë në dyert e bunkerizuara të Shqipërisë. Po shembeshin mure ndarës, po shqyheshin gardhet me tela me gjëmba që izoluan vendin për dyzet e pesë vite nga pjesa tjetër e botës. Një ylber enigmatik dhe joshës ishte çfaqur në horizontin e errët të diktaturës. Mijëra shqiptarë kapërcyen kangjellat e Ambasadave të shteteve perëndimore për t’ja mbathur nga varfëria dhe mungesa e lirisë, mijëra të tjerë u kacavirën me litarë drejt anijeve të ankoruara në portet e vendit. Nuk u mor vesh kurrë numri i atyre bijve të dëshpëruar që humbën përgjithmonë në thellësitë e Adriatikut. Qindra mijëra të tjerë marshuan të uritur drejt maleve, për të mbërritur në shtetet fqinje. Ikje dhe vetem ikje, që kalonin përmes lotëve të nënave që ndaheshin ndoshta përjetësisht nga bijtë e bijat e tyre. Shumë syresh e paguan me jetë këtë aventurë të dëshpëruar. Plumbat e rojeve kufitare i prenë në mes shpresat dhe ëndërrat për një jete më të mirë. Dhimbje dhe lot.

Historia përsëritet në mënyrë cinike. Madje shumë më keq. Nuk ka ndodhur asnjë pushtim barbar, që ashtu si pesëqind vite më parë, të detyrojë shqiptarët të arratisen masivisht nga vendi i tyre.  Bashkëatdhetarët e mi  ja mbathin nga dhuna,  padrejtësia  e varfëria, që në emër të një ideologjie vrastare, shqiptarët ua shkaktuan shqiptarëve. Gjëmë e paprecedentë në kohë “paqeje”. Plagë që nuk mbyllen kurrë.

Ehh….sikur kjo tragjedi me përmasa kombëtare të përfundonte me rënien e rregjimit komunist. Shkërmoqja e sistemit u pasua nga një situatë kaotike e pashembullt. Në arrati nga skamja e tejskajshme dhe mungesa e perspektivës së zonave ku jetonin, qindra, mijëra fshatarë e malësorë, por edhe qytetarë të qyteteve të vogla, zbritën drejt qendrave të mëdha, duke zabtuar toka e troje, e ndërtuar në to shtëpitë e tyre. Ato mbinë në mënyrë të pakontrolluar anë e kënd. Një katastrofë e vërtetë urbanistike, shpërfytyrim i lirisë dhe qytetërimit,  grabitje, dhunim i të drejtës së pronarëve të çpronësuar barbarisht nga komunizmi për të poseduar një ditë pronën e trashëguar nga etërit e tyre, të vrarë apo të kalbur burgjeve të komunizmit. Mungesë e frikshme e funksionimit të shtetit, kaos që shkaktoi mijëra viktima në mbrojtje të një gardhi apo toke.

Pas rënies së asaj diktature të tmerrshme që kishte shkatërruar çdo ekuilibër njerëzor, kisha gjykuar se vendosja e rregullave demokratike, nuk mund të realizohej menjëherë. Në vitet e para të posdiktaturës, e përjetova si diçka normale anarshinë e tejskajshme. Izolimi dhe mungesa totale e modeleve të krahasimit, kishin lënë gjurmët e tyre në paqartësinë e funksionimit të një shteti të së drejtës. Me naivitet, kisha menduar se çdokush mund të kontribuonte në përmirësimin dhe deri diku, normalizimin e asaj situate dramatike. Mjaftonte që ta dëshironte këtë gjë. I përkisja asaj kategorie personash që kishin vendosur të jetonin në Shqipëri dhe të preknin me gëzim të ligjshëm të gjitha ndryshimet e shumëpritura. Prisja dënimin e krimeve dhe kriminelëve që terrorizuan, masakruan, varfëruan dhe përçudnuan një popull të tërë. Pretendoja se nuk do ishte e largët dita kur do të bëhej drejtësi për viktimat e pafajshme që vuajtën brez pas brezi mizorinë e diktaturës. Dëshiroja të ndodhte një fashitje e urrejtjes ndërmjet shqiptarëve, fenomen çnjerëzor që e kishte mbjellë dhe ushqyer në dekada “lufta e përbindshme e klasave”.

Asgjë nga këto nuk ndodhi. Transformimet që po konturoheshin, çdo ditë e më tepër po çfaqeshin si një fasadë me gënjeshtra e mashtrime “demokratike”. Pinjollët e familjeve të nomeklaturës komuniste, u ricikuan në të gjitha institucionet e shtetit. Ata, djajtë e kuq, që vendosën dhe zbatuan diktaturën, veshën lëkurën e qengjit dhe filluan të rrahin gjoksin për demokracinë dhe të rrëmbenin gjithë benefitet e saj. Strategu dhe mësuesi i tyre, Ramiz Alia, kishte parashikuar me detaje hapat cinike e mashtruese që  do të realizonin ndryshimin e sistemit, duke ruajtur dhe trashëguar drejtimin dhe posedimin e pushtetit nga të njejtat duar mizore….Sa dilema, sa kundërshti dhe vuajtje për të arritur në konkluzione të tilla, që përmbysën mizorisht të gjitha pritshmëritë që sjell nevoja për ndryshim.

…………Shkëputem për një moment nga refleksionet drithëruese dhe marr në duar albumin e vogël të fotove, vendosur mbi komodinë. Në faqen e parë të tij ndodhet një foto e tim eti. Pamja e tij fisnike përcjell një buzëqeshje të trishtueshme. Tre vite më parë, në një dhomë të ftohtë dhjetë metra katrorë, në qytetin e Tiranës, mbylli sytë babai im. Ati im i mrekullueshëm e i shumëvuajtur, u largua nga kjo jetë me brengën e madhe të vuajtjeve të pashpaguara.  Ai i dha lamtumirën kësaj bote, ndërkohë që askush nuk i kërkoi falje për gjakun e pafajshëm të të atit intelektual, që u vra barbarisht nga qeveria komuniste. Askush nuk kërkoi ndjesë për vuajtjet e pafundme në kampet e internimit familjar. Askush. Im atë ndërroi jetë në një dhomë të vogël, pa mundur të posedojë asnjë nga pronat e trashëguara, të katandisura në disa dosje mjerane e harta të vjetëruara. Ai mbylli sytë, ndërkohë që të ardhurat e pensionit lëmoshë, nuk i mundësonin as blerjen e ilaçeve.  Ai u largua duke mbajtur mbi shpatullat e tij të munduara, gjithë peshën e urrejtjes klasore që nuk rreshti kurrë së qeni e tillë.  Një urrejtje që vinte nga e njejta ideologji, dhe nga të njejtët persona.  Në emër të “luftës së klasave”, në vitet e pseudodemokracisë ai përjetoi flakjet nga puna të fëmijëve të tij. Në zbatim të të njejtit terror, ata, fëmijët e tij, që u rritën internimeve, duhej të riprovonin sërish hedhjen në rrugë, privacionet, padrejtësinë, varfërinë.

……Ehhhhhhhhhhh……sa dhembje të tjera mori me vehte im atë.

Pasi përkëdhel lehtas foton, e vendos sërish albumin mbi komodinë. Në përkujtim të shpirtit të tij, aty pranë,  ndez një qiri. Dy pika lot më rrokullisen në fytyrë. I le të rrjedhin. Kam nevojë të qaj.   Më ndëshkuan sërish për prejardhjen time antikomuniste. Madje, bijtë e etërve mizore, patën paturpësinë cinike edhe të ma deklaronin.  Absurde, çnjerëzore në kufijtë e të pabesueshmes.

Sakaq dëbora ka pushuar së rëni, duke shtruar një tapet të bardhë rreth e rrotull. Dy ketra të murrmë lëvizin me shpejtësi në degët e një peme që ndodhet karshi dritares, duke krijuar re të vogla të bardha lëvizëse. Këto krijesa të vogla të natyrës janë duke shijuar lirinë e tyre, atë që vendi ku linda dhe jetova për më shumë së gjysëm shekulli, ja mohoi krijesës më të madhërishme të Zotit….NJERIUT.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Ikje që nuk ndalen

Këmbana alarmi!!!

November 20, 2017 by dgreca

1-alma-Lico-ok-300x170

NGA ALMA N LIÇO/

Z H G E N J I M…./

….Kombinimi i këtyre shkronjave përcjell një ndjeshmëri të virgjër, një emocion naiv që lidhet me mospërmbushjen e pritshmërive. Ai ngjason me një kockë të mbetur në fyt që akuzon paaftësinë për ta kapërdirë. Ngecet aty,  dhe gati më ze frymën. Pabesisht, më serviret çdo ditë nga politika, në të gjitha mënyrat e imagjinueshme dhe të paimagjinueshme. Reflektimi që lidhet me politikën e mbrapshtë që ka kushtëzuar e komprometuar përditshmërinë, është kthyer në një makth të vërtetë…

Ngjarjet e fundit politike, si: (çadra e opozitës dhe marrëveshja zhgënjyese që e pasoi, zgjedhjet  e bojkotuara në shumicë,  konfigurimi i parlamentit, riaktivizimi i figurave të urryera të diktaturës, dosjet e cunguara të Sigurimit të Shtetit e shantazhimi i fragmentuar me to, trafiku i drogës dhe politikanët e përfshire në të, pandëshkueshmëria e krimit…e shumë e shumë të tjera..) më rikthejnë në shinat e padëshiruara të reflektimit.

Ehhh….më kot, jam përpjekur dëshpërimisht të arratisem prej këtyre ngjarjeve torturuese, duke i izoluar ato në një skutë të fshehur të moskujtesës. Sa do dëshiroja, që si në një rrjete të padepërtueshme të ngeceshin aty, me tërë paudhësinë e tyre ulëritëse. Nëse do të qe e mundur, do të preferoja të mos mendoja fare për to, të mos trishtohesha më për banditizmin primitiv që serviret brutalisht si një çorbë e pështirë që kondicionon çdo detaj të jetës dhe perspektivës së mjegulluar.  Por është e pamundur.

E lodhur deri në cfilitje nga një situatë që nuk ka asnjë gjasë dhe vullnet të ndryshojë, një arsyetim i dhimbshëm më ka diktuar shpërfilljen deri në neveri ndaj rrugaçërisë së atyre individëve apo grupimeve që projektojnë të sotmen dhe të ardhmen. Politika e mbuluar me vellon e makutërisë e të grabitjes, sillet  herë me zhurmë, e herë tinëzisht, vrapon në tymnajen e krijuar prej saj, kthehet e rikthehet si një mallkim që më zë frymën……

Në dhjetëra vite, me një besim disi të verbër u përpoqa deri në kufijtë e absurdit të besoja e mbështesja ata politikanë që erdhën në emër të ndryshimit dhe demokracisë. Fundja, është në natyrën njerëzore të besojë në atë që shpreson. Madje, të bëjë dhe përpjekjet e mundshme brenda hapësirave imagjinare të lirisë.

Ku jemi sot?????….Viktimat e mbijetuara të komunizmit të flakur e riflakur në rrugë, të papunë, në kushtet ekstreme të mbijetesës. Ndodhen sërish para zgjedhjes së dëshpëruar për t’u arratisur nga ky vend. Sigurisht, ata që ende nuk ja kanë mbathur, pasi shumica e ka bërë me kohë. Ndjehen të pashpresë. Të keqpërdorur. Të papërfaqësuar. Të varfër. Pa të ardhme. Me prona të grabitura me ligj e pa ligj nga komunistët e pinjollët e tyre. Me dëmshpërblime të shndërruara në lëmosha selektive të turpshme, që nuk mbërrijnë kurrë në xhepat e tkurrur të dhimbjes. Me sorollatje të pafundme e cinike nëpër zyrat e shtetit arrogant, në kërkim të të drejtave legjitime të zvarritura pafundësisht. Me të moshuar që i japin lamtumirën kësaj bote, në vendet e internimit. Në mungesë totale të vullnetit politik për të siguruar një rehabilitim minimal. E si mund të ndodhë ndryshe, kur institucionet e shtetit përfaqësohen e drejtohen nga xhelatët e diktaturës, apo bijtë e tyre? Si mund të jetë ndryshe, kur nostalgjikët e diktatorit rrahin gjoksin për krimet e kryera në emër të ideologjise së tyre vrastare?

Përpjekjet foshnjarake për bashkim të bashkëvuajtësve, në vazhdimësi janë sabotuar e kanë dështuar që në hapat e tyre të para. Kur bëhet fjalë për të drejtat e ish të përndjekurve politikë, neokomunistët e partive të majta dhe ato të ashtuquajtura të djathta, sa herë ua lyp nevoja e aktrimit të turpshëm për ndarjen nga e kaluara diktatoriale, përfshihen në të njejtën retorikë qaramane e hipokrite. Por, pas atyre lotëve të gënjeshtërt fshihet përbuzja dhe refuzimi që manifestohet në çdo qëndrim të tyre ndaj atyre njerëzve të vuajtur, të cilëve e gjithë shoqëria u detyrohet aq shumë. Fatalisht, ata vazhdojnë ende sot e kësaj dite të jenë të përjashtuar nga institucionet vendimarrëse.

Sa keq. Sa turp. Viktimat e mbijetuara të komunizmit e të afërmit e tyre, nuk bëhen dot bashkë. Nuk i lejojnë. U venë shkopinj nën këmbët e tyre të gjymtuara burgjeve apo vuajtjeve të internimit. Produkt i tentativave të kontrolluara nga politika bllokuese, janë vetëm disa shoqata të përçara që nuk bashkojnë dot dhimbjen dhe shpirtin qëndrestar, fatkeqësisht të trazuar e të lodhur nga zhgënjimet e njëpasnjëshme të postkomunizmit. Nuk arrijnë të imponohen me përfaqësim politik. Janë shpërndarë si zogjtë pa fole e po mbyten në pabesinë dhe hipokrizinë që ka pushtuar çdo qelizë të jetës. Kapitullim pa kushte ndaj atyre që po u vjedhin shpresën….Shpresa…a ka më kuptim kjo fjalë e magjishme që lëviz botën?…

Ehhh….. çfarë po bëj unë??? …Thjesht po konstatoj…e kanë bërë dhe e bëjnë çdo ditë me dhjetra, qindra……gjithkush në mënyrën e tij…Këmbanat e alarmit zhurmojnë deri në çmenduri.  Vallë, do zgjohet ndonjë ditë shpirti i reagimit ndaj atyre krijesave të përbindshme që po varrosin ëndrrën e lirisë???……fundja, askush nuk e meriton drejtësinë nëse nuk lufton për ta pasur atë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Këmbana alarmi!!!

“Dosjet” zhgënjyese të Sigurimit të Shtetit

July 14, 2017 by dgreca

1 Alma-LicoNga Alma LIÇO*/

E vendosur në kodrën pranë liqenit artifiçial të Tiranës, ajo ndërtesë dy katëshe përcjell një pamje joshëse dhe relaksuese. Gjethet e pemëve të larta, krijojnë një  kurorë të blertë, që si aureolë qarkon atë vend. Fëshfërima e lehtë dhe ledhatuese, e shoqëruar me cicërima zogjsh, i ngjason një sinfonie tingujt e së cilës vijnë nga shumë larg. Veçanërisht atë ditë, ajo mrekulli e natyrës përpiqej modestisht të zbuste dilemat dhe pasiguritë e pritshmërive tona, të zvarritura pafundësisht në rrjedhën e viteve të postdiktaturës.1 dosjet-640x340

Në pjesën ballore të asaj ndërtese është vendosur një portë e hekurt, e cila vijon me një rrugë të ngushtë, gjithashtu të gjelbëruar. Institucioni i hapjes dhe bërjes “transparente” të dosjeve të Sigurimit të Shtetit kriminal komunist, i krijuar disa muaj më parë, është vendosur provizorisht aty, në rrëzë të asaj kodre.

Është mesi i qershorit dhe dielli në atë orë të ditës është disi përvëlues. Sakaq, një djalosh i sjellshëm me uniformë afrohet të kangjellat e portës hyrëse. Nëpërmjet një buzëqeshjeje të lehtë e konfidente, duket sikur kujtohet për në dhe vizitën tonë të mëparshme në atë vend. Një muaj e gjysëm më parë, se bashku me tim shoq, ishim paraqitur pranë autoriteteve të atij institucioni, me shtysën e natyrshme të njohjes me dosjet personale dhe ato të etërve tanë, të krijuara nga Sigurimi famëkeq i Shtetit.

Kanë kaluar 27 vite nga koha kur u përmbys regjimi diktatorial. Më shumë se një çerek shekulli, ku viktimat e regjimit, si në një lumë të trazuar, lundrojnë të çoroditur në ujra të turbullta, pa mundur të përballen me të vërtetat e bëmat monstruoze të atij shërbimi kriminal e shërbëtorëve të tyre. Të zhgënjyer, pa asnjë orientim, ata nuk u lejuan kurrë të njihen me intrigat kriminale të inskenuara në laboratorët vrastare të asaj makine të përbindshme. Përveç disa episodeve të shkëputura të një demagogjie qaramane e të pështirë, për asnjë çast të vetëm nuk u çfaq në horizont vullneti politik për të hedhur dritë e bërë drejtësi për atë të kaluar aq makabre, që viktimizoi e copëzoi qindra mijëra familje të pafajshme, të konsideruara kundërshtare të regjimit komunist. Për më tepër, shefat e sigurimit e xhelatët në shërbim të tyre, nuk u gjykuan e ndëshkuan kurrë për krimet e kryera në dhjetëra vite. Ata kriminelë, rrugëtuan e vazhdojnë të ngjiten të çpenguar në majat e piramidës së shtetit postdiktatorial. Fshikullim i pamëshirshëm dhe fyes deri në palcë për viktimat e asaj lufte të padrejtë.  Me tepër se dëshpëruese.

Si për ironi e ogur të mbrapshtë, mëngjesin e asaj dite isha ndeshur rastësisht me njerin prej tyre. I hipur në një makinë luksoze, më kishte hedhur një vështrim të mbushur me qesëndi shpotitëse. Ishte operativi i sigurimit që terrorizoi në internim familjen tonë. Në ato kohëra të tmerrshme, ai çfaqej herë pas here si hijenë që ushqehej me gjak e gulçima të pafajshmish, ashtu siç ishin mësuar të trajtonin të pambrojturit,  ata, monstrat e sojit të tij.

Hëmmm….si të mos mjaftonte pandëshkueshmëria dhe mos bërja e drejtësisë, një rastësi e pakëndshme, por aspak e habitshme, e solli ta kisha epror për disa vite në periudhën postkomuniste………ai mizori, që na kishte ngjallur krupën, ai shërbëtori i pashpirt që na kishte imponuar të duronim në heshtje kërcënimin e shpatës së “Demokleut”, ai kameleoni, ishte ngarkuar nga ish Partia e tij “e reformuar” të “godiste” padrejtësitë e diktaturës dhe të propagandonte vlerën e demokracisë!!!! ……Hipokrizi  ulëritëse!!!!

……Ai i paudhi, dhe përbindshat e llojit të tij, në emër të të njejtit ndëshkim përjashtues të stilit komunist, në pamundësi tashmë për t’i burgosur e internuar viktimat e tyre, hodhën në rrugë të madhe, të papunë, qindra, mijra të mbijetuar të regjimit. Me sa duket, maska e engjëjve është tejet e rëndë për ato qenie diabolike. Shëmbëlltyra  e djallit u shkon për shtat.

…….Disa minuta më pas, teksa ngjisnim shkallët e institucionit, gati po na mbyste dilema dhe padurimi për përgjigjet e pyetjeve që na mundonin prej një jete të tërë.  Vallë do gjenim në ato dosje të vërtetat që kishin shoqëruar persekucionin e familjeve tona? Do arrinim të identifikonim emrat apo pseudonimet e personave që ishin shkaktarë, apo të përfshirë në projektimin e atyre  krimeve makabre?

Tentativat hipokrite të post diktaturës për të zbardhur krimet e komunizmit, prej shumë vitesh na kishin vendosur nën pushtetin bllokues të një skepticizmi e mosbesimi të natyrshëm. Nje zë i brendshëm, i formëzuar nga përvojat e hidhura e të gënjeshtërta, na përsëriste se edhe këtë rradhë, gjithë kjo iniciativë propagandistike për të hedhur dritë mbi faqen më të errët të historisë së diktaturës, do të rezultonte një flluckë sapuni. Kriminelët komunistë kishin patur kohë të mjaftueshme për të pastruar e zhdukur gjithë implikimet e tyre në masakrat  kundra qindra,  mijëra shqiptarëve…….kësisoj krimi komunist nuk do të kishte përmasat e frikshme, të papërsëritshme, të pakrahasueshme me asnjërin prej vendeve që përjetuan ferrin e atij regjimi mizor.

Sakaq, na orientuan të hynim në një zyrë modeste, ku dy nëpunës mjaft të predispozuar e të sjellshëm, ishin të gatshëm të na informonin për kërkimet e kryera në arkiva…….

– Vallë, kush ishin kriminelët e përfshirë në masakrimin, dhe më pas djegijen e trupit të atit  të bashkëshortit  tim, dhe miqve të tij nacionalistë?

-Cilët ishin personat që terrorizuan tim atë, e më pas edhe familjarët e tjerë, ku nëpërmjet kërcënimeve e shantazhit, iu kërkua dhunshëm të shndërroheshin në  bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?

– Kanë një emër të shkruar personat që projektuan degdisjen në internim të familjeve tona, në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, e më pas në kampe të tjera?

….Nga këto pyetje të ethshme, por të heshtura, të bllokuara në kufijtë e një monologu kryengritës, na shkëputi zëri mbështetës i nëpunësit. Me entuziasmin e natyrshëm të një personi që ka nderin të përcjellë një sihariq,  na njoftoi se nuk rezultonte të kishim bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit….. a thua se nuk e njihnim këtë aspekt të jetës sonë. Në atë situatë tragji-komike nuk po e kuptoja dot nëse duhet të qeshja apo të qaja…..

Me tej, me ton dashamirës që nuk përputhej aspak me informacionin e mangët,  na siguroi se në dokumentat arkivore, nuk ekzistonte asnjë implikim për ne dhe etërit tanë…….me pak fjalë, nuk figuronim të ishim survejuar apo favorizuar nga Sigurimi i Shtetit. Dhjetra vite vuajtjesh të pashëmbullta, me përfshirje nga më çnjerëzoret të atyre qënieve monstruoze,  ishin përmbledhur me tre-katër fjalë ……….Nuk po u besonim veshëve.

Teksa dëgjoja këto shtrembërime të turpshme, përpiqesha të përfytyroja atin e tim shoqi, të cilin dashuria për Shqipërinë etnike, të çliruar nga pushtimi kriminal sllavo-komunist, e detyroi të hiqte dorë nga e ardhmja e ndritur, si student i shkëlqyer i inxhinierisë, në një nga universitetet e Italisë. Në një luftë të pabarabartë disa vjeçare kundër bandave terroriste të sigurimit, në mes të acarit dhe urisë, së bashku me miqtë e idealit, dha jetën e tij të re në malet e vendlindjes.

Përfytyroja gjithashtu tim atë të torturuar, të lidhur kokë e këmbë, tërhequr zvarrë për muaj të tërë. Përmes kërcënimeve për jetën e tij, të bashkëshortes dhe tre fëmijëve të mitur, nën peshën e dhunës fizike dhe psikologjike, ai duhej të pranonte të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Im atë duhej të nënshkruante një dokument. Një firmë e vetme që e damkoste me vulën e turpit. Një firmë nën terror, që e detyronte të përdhoste vlerat e familjes, e të pështynte mbi gjakun e të atit dhe qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që u ekzekutuan për të mbrojtur lirinë e të drejtat njerëzore. Disa shkronja të shkruara nga një dorë e dridhur, që do ta obligonin t’u bënte gjëmën miqve të tij më të ngushtë. Ishte si të thuash një pakt i dëshpëruar me djallin, për të helmuar me tej jetët e njerësve që ishin po aq të vuajtur e fatkeqë sa ai……ai, ati im i dashur,  qëndroi….rezistoi…. Refuzimi i tij pasoi me internimin familjar që mori fund vetëm me rënien e diktaturës.

U befasuam. Skepticizmi i atij proçesi farsë, i tejkaloi dhe parashikimet tona më dekurajuese. Pritshmëria modeste për të njohur emrat e xhelatëve të dukshëm e të padukshëm, të njohur e të panjohur, rezultoi mision i pamundur. Funksionarët e Sigurimit të Shtetit i kishin zhdukur të gjitha përfshirjet e tyre në krimet mizore ndaj fateve të qindra, mijra bashkëvuajtësve tanë. Por ndërkohë, ishin të ngazëllyer të zbulonin emrat e viktimave të brishta,  që nën presion ishin thyer, ishin gjunjëzuar, duke pranuar dëshpërimisht bashkëpunimin me djallin.

Të helmuar, zbritëm me përtesë shkallët dhe u larguam nga ai institucion. Sakaq, vapa ishte bërë më përvëluese, dhe gjethet e pemëve kishin ndalur fëshfërimën e tyre. Dukej sikur kishin vendosur të heshtnin për t’u solidarizuar me zhgënjimin tonë. Një tjetër gënjeshtër, një tjetër tymnaje për të mos lejuar kurrë zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit dhe të veglave të tyre gjakatare.

Vallë, ku janë ata kriminelë?  Kanë nevojë të jenë të padukshëm???….Përpiqen vallë të fshihen?… Aspak……..janë aq sfidues e të sigurtë në botën e tyre të mbrapshtë, të larë me lot dhe shuarje jetësh të pafajshme….e si mund të ndodhë ndryshe kur ekzekutimet, burgimet dhe internimet e qindra, mijëra bashkëkombasve, janë katandisur në fraza të thata e copa letrash pavlerë, që fshehin në heshtje dhimbjet e plagët e pakuruara,  që ende pikojnë gjak???

KJO ËSHTË FARSA DEMOKRATIKE E KOHËS QË PO JETOJMË.

 (Në kujtim dhe nderim të etërve tanë qëndrestarë, Ndoc Kol Mirakaj dhe Nevzat Muhamer Liço, si dhe gjithë bashkëatdhetarëve të tjerë që i rezistuan mizorisë dhe terrorit  të bishës komuniste,  ndonëse shumë prej tyre paguan me jetë).

Filed Under: Politike Tagged With: “Dosjet” zhgënjyese, Alma LIÇO, të Sigurimit të Shtetit

Çmimi i dhembshëm i braktisjes

June 24, 2017 by dgreca

1-alma-Lico-ok-300x170

NGA ALMA LIÇO/

E vendosur në dalje të fshatit, në pamjen e parë, ajo dukej një kodrinë si gjithë të tjerat. Ishte qershor, dhe bari i blertë e mbulonte atë anë e kënd. Njëtrajtshmërinë e atij gjelbërimi mahnitës, e ndërprisnin aty këtu pllaka të gurta që dalloheshin prej së largu. Në pjesën fundore të asaj kodrine ishin vendosur varresat e fshatit. Në mënyrë të pashmangshme, ata gurë të heshtur i jepnin asaj mrekullie një pamje të trishtë. Kudo mbretëronte qetësia.  Asnjë blegërimë deleje, asnjë e lehur qeni apo thirrje entuziaste e ndonjë fëmije. Heshtje drithëruese që pasonte lamtumirat që mbeteshin përjetësisht aty. Jetë të ndërprera në mënyrë të natyrshme apo mizore,  ashtu siç ajo përpiqet të rrjedhë me misteret dhe surprizat e paparashikueshme të saj.

Por ajo ditë ishte e pazakontë për atë vend ndarjeje pa rikthim. Ai që po përcillej për në banesën e fundit ishte një fëmijë vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Trupi i pajetë  prehej në një arkivol të vogël, me ngjyrë të bardhë, i cili kishte mbërritur atë mëngjes në aeroportin e Rinasit, nga shumë larg. Fati e solli të isha prezente në atë kortezh të përvajshëm dhe tragjik. Teksa shihja qindra persona të trishtuar, mendoja se të gjitha përjetimet që shënojnë rrugët e jetës, kanë gjuhët e tyre. Por dhimbja e humbjes së një fëmije, flet kurdoherë me gjuhën e lotëve. Ato bulëza të kristalta rrëshqasin mbi fytyra të drobitura e tkurrura nga dëshpërimi, apo tentojnë të gëlltiten mes gulçimave që gati mbyten në pellgun e tyre.

Në mes të qindra të afërmve dhe banorëve të atij fshati, tërhiqnin vëmendjen dy prindërit e djaloshit të pajetë. Ata qëndronin të ngrirë e kërrusur mbi atë arkivol.  Ishin zhytur e ngecur në një botë të akullt, e cila kishte paralizuar çdo qelizë të tyre. Çfarë kishte ndodhur vallë? Në ç’mënyrë ishte ndërprerë jeta e atij fëmije të pafat???

Teksa i shihja të shkatërruar nga dhimbja, mundohesha të kuptoja sa ndikonte ndërgjegjia e vrarë në përjetimin cfilitës të asaj gjëme. Në një farë mënyre, ai fëmijë ishte braktisur prej tyre. Varfëria dhe pasiguria e së nesërmes i kishte orientuar ata prindër drejt atij veprimi ekstremisht të dhimbshëm. Fenomeni që largonte të miturit nga gjiri i familjes, po përhapej si nje epidemi çfarosëse. Në kërkim të një jete më të denjë, një arsimimi dhe të ardhmeje më të sigurt, qindra prindër endeshin rrugëve të Europës, në kërkim të Qendrave sociale të përkujdesjes për fëmijë, duke i braktisur ata pranë mureve rrethuese të tyre.

Kësisoj, pas një udhëtimi të gjatë, ai baba i dëshpëruar, në pamundësi për të ushqyer katër fëmijë, e kishte braktisur atë, të vetëm, si një zog të trembur, në portën hyrëse të një Qendre të tillë. Vogëlushi ishte fëmija i parë i familjes. Në “mënyrë të suksesshme” të njejtin rrugëtim kishin ndjekur qindra bashkëqytetarë. E pse të mos e provonte dhe ai? A nuk ia kishin përplasur derën në fytyrë institucionet shëndetësore, kur kishte kërkuar ndihmë ekonomike për bashkëshorten e sëmurë dhe në pamundësi për të punuar?

Sakaq, strukturat sociale të këtyre Qendrave, i merrnim ata vogëlushë të vetmuar menjëherë në mbrojte, duke iu siguruar atyre çdo nevojë imediate të jetës. Të gjorin fëmijë, prindërit e kishin detyruar të thoshte e përsëriste pothuajse përmendësh, se teksa endej në atë qytet në kërkim të një miku të familjes, pakuptuar ishte shkëputur nga sytë e të atit. Si të thuash, kishte humbur. Në prani të një përkthyesesje, më pas, kishte vijuar të identifikonte veten dhe të afërmit me emra të sajuar. Pesha e gënjeshtrave i rëndonte në qepalla, pa guxuar të shihte askënd në sy.  Kësisoj, mundësia e kontaktimit të familjeve dhe e rikthimit të atij vogëlushi në gjirin e saj, ishte pothuajse e pamundur.

E përfytyroja atë të mitur, të ndrojtur e të ndrydhur nën peshën e braktisjes e të gënjeshtrës, të frikësuar nën trysninë e së panjohurës, të rrethuar nga të huaj, të cilët me gjithë përkujdesjen, mbeteshin persona të panjohur për të. Për më tepër, nuk njihnin aspak gjuhën e tij.

Vallë, si kishin arritur ta detyronin atë fëmijë, se duhej të pranonte të rritej larg dashurisë dhe vëmendjes së prindërve? Një kompromis i dhimbshëm për vogëlushin. As që e kuptonte. Thjesht e kishin mësuar se duhej t’u bindej atyre. Fundja,  ishin ata që vendosnin për të ardhmen e tij.  Ai ishte vetëm një fëmijë dhe nuk mund ta dinte apo perceptonte çfarë ishte e mirë apo e keqe për të.

Ndërsa mendoja me zemër të vrarë për atë braktisje me përmasa tragjike, papritmas m’u kujtua një ngjarje të cilën e kisha lexuar diku. Protagonisti ishte gjithashtu një djalosh, i cili kishte patur fatin që një herë të vetme në jetën e tij, të përjetonte dashurinë dhe vëmendjen e të atit. Në të vertet , ajo kishte qenë një ditë e keqe për vogëlushin, pasi në përpjekje për t’u ngjitur në një peme, ishte rrëzuar e kishte thyer keqas këmbën. Aq shumë e kishte shijuar përkushtimin e të atit, sa pas kësaj ngjarjeje, fëmija i gjorë lutej me gjithë shpirt të thyente sërish ndonjë gjymtyrë…..Ehhhh…..Nuk e di pse më erdhi në mendje kjo histori….ndoshta për peshën e dashurisë prindërore të shqyer e copëzuar.  

Për hir të së vërtetës, nuk kisha asnjë mëdyshje se djaloshi i pafat kishte jetuar gjithë përkujdesjen e nevojshme në atë Qendër, me përjashtim të asaj hyjnores, të pazëvëndësueshmes, asaj ngazëllyeses, dashurisë së familjes. Nuk mund ta dija sa herë ai vogëlush kishte ëndërruar ta zinte gjumi pranë së ëmës, teksa ajo i përkëdhelte flokët. Nuk mund të përfytyroja  sa herë kishte imagjinuar të rendte në lëndinat e fshatit të tij, i ndjekur hareshëm nga vëllezërit më të vegjël. Nuk mund të mendoja sa herë i kishin munguar mësueset që flisnin gjuhën e tij dhe shokët e shkollës.  Por, për fat të keq, ajo që dija ishte se disa muaj pasi kishte mbërritur në atë Qendër, një sëmundje e beftë vdekjeprurëse, e kishte shuar djaloshin fatkeq. I gozhduar në një shtrat spitali, mes aparaturave, ai kishte mbyllur sytë larg familjes dhe personave të tij të dashur.

Nuk kishte qenë aspak e lehtë të gjendej së cilës familje i përkiste vogëlushi. Teksa trupi i pajetë ishte vendosur në morg, proçedura e verifikimit të origjinës, kishte zgjatur rreth tre javë. Njëzet ditë pambarimisht të gjata për të përcaktuar banesën e tij të fundit.

….U shkëputa nga ai refleksion i dhimbshëm, dhe vështrimi im u ndal sërish mbi arkivolin e bardhë dhe dy prindërit e kërrusur mbi të. Sakaq rrezet e diellit ishin pasqyruar në sipërfaqën e tij të shndritshme, duke e ledhatuar lehtas. Ai shkëlqim ngjasonte me një lamtumirë të zbehtë që përpiqej të zbuste trishtimin e humbjes…….Lot….heshtje….dhe…sërish lot….Përmes vajtimit dhe ngashërimave, disa çaste më pas, arkivoli humbi në gropën gllabëruese për t’u prehur përjetësisht në kodrinën e gjelbëruar të fshatit  ku kishte lindur. Disa grushta dheu nga toka e  shkrifët, dhe gjithçka u duk sikur mbaroi…..

Vallë vërtet mbaroi????

Aspak. Peisazhi i dhimbjes dhe lotëve ishte prezent në fytyrat e te gjithë personave të pranishëm në atë ceremoni mortore. Bilanç rrënqethës. Një fëmijë i braktisur në një vend të panjohur. Një jetë e pajetuar, e shuar në një dhomë anonime spitali. Asnjë i afërm pranë, asnjë fjalë e ngrohtë, asnjë përkëdhelje. Dy prindër të dëshpëruar, plagët e të cilëve nuk do të mbyllen kurrë. Varfëri. Mungesë perspektive dhe shprese.  Asnjë përpjekje serioze nga ana e shtetit për të luftuar urinë dhe garantuar minimumin jetik, dhe pasoja…….qindra të dëshpëruar që ndjekin të njejtën rrugë në labirintet e botës….

Deri kur do lejojmë që kjo të ndodhë???

Filed Under: Histori Tagged With: Alma LIÇO, Çmimi i dhembshëm, i braktisjes

“Hirushja” e pafat e kohës sonë

May 16, 2017 by dgreca

1-alma-Lico-ok-300x170

Nga Alma LICO/

E ulur në një karrike, me kokën mes duarve , ajo qëndron e heshtur. Nuk dëshiron të flasë. Madje as të kthjellojë vështrimin e përhumbur në zbrazëtirë. Atë e ka fiksuar në një pikë të pakuptimtë të tavolinës që ndodhet aty pranë. Dukshëm, mendimet e saj rendin kush e di se ku. Nuk e dalloj dot nëse bota e saj imagjinare ka ndonjë pikë të përbashkët me atë realen, me atë brutalen, me atë ciniken, që ka shoqëruar në vite rrugëtimin e kësaj vajze të vetmuar.

Përpos një pamjeje të lodhur, ndën qepallat e zeza, arrij të dalloj sytë e bukur që nuk shprehin asgjë. Ndoshta një refleksion i mjegullt, ndërthurur zbehtë me një pasiguri të flashkur. Flokët e gështenjta i ka gjysëm të lidhura pas kokës. Një dorë e pakujdesshme dhe aspak e vëmendshme, i ka lëshuar ato mbi supe.  Trupi i saj i hijshëm mbulohet nga një bluzë e pambuktë dhe pantallona të çngjyrosura, ndërsa lidhëset e këpucëve sportive prekin dyshemenë.

Ulem pranë saj. Për një moment, ajo ngre shikimin e përhumbur mbi tryezë dhe më vështron ftohtë, për të humbur sërish në botën e asgjësë. Duket si një gonxhe, që në mungesë të dritës, nuk ka arritur të lulëzojë. Përpiqem të tërheq vëmendjen e saj.  Si për të thyer akullin, i ofroj një gotë ujë. Ajo nuk e refuzon, madje më falenderon ftohtë. Sërish heshtje. Hesht dhe unë bashkë me të.

Një ditë më parë jam njohur me historinë e saj të trishtë. Por dëshiroj ta dëgjoj atë, të rrëfyer nga goja e saj. Mbase do i bëjë mirë ta ndajë atë me mua. Por ajo nuk flet. Ndoshta ndjehet e sfilitur nga përballja aspak e këndshme me autoritetet policore të dy shteteve. Ndoshta………

………E lindur në një fshat të largët, ishte fëmija e parë e familjes. Një sëmundje e rëndë i kishte rrëmbyer të ëmën, kur ishte vetëm katër vjeçe.  Përveç disa fotove të dala boje, ajo nuk ruante asnjë kujtim tjetër të saj. Vajza jetime kishte mbetur në përkujdesjen e gjyshes, dhe të atit. Ai ishte katandisur në një burrë mjaft të lodhur e dëshpëruar nga sëmundja dhe humbja e së shoqes. Si të mos mjaftonte kjo, dy vite më pas, pat ndërruar jetë dhe gruaja e moshuar. Kishte mbyllur sytë e ligështuar për fatin e vogëlushes, të mbetur pa kujdesin e duhur, e vetme,  në duart e të atit.  Atij të ngrati i duhej të punonte nga mëngjesi, deri në mbrëmje në punët e fshatit. Kurimi i së shoqes i kishte kushtuar shumë dhe qe mbytur në borxhe. Sistemi i korruptuar shëndetësor e kishte “rrjepur të gjallë”.

I vetëm nuk ja dilte dot. Vogëlushja mbetej tërë ditën në shoqërinë e një qeni që lihte kot së koti, dhe të disa pulave që kakarisnin e vërtiteshin të shkujdesura në oborrin e shtëpisë përdhese, që ndodhej rrëzë një kodre.  Pas një viti,  ai u rimartua. Në jetën e tij dhe të së bijës u shtua prania e një gruaje që nuk arriti dot kurrë të bëhej nënë për të. Ajo nuk mundi të zëvëndësojë aspak dashurinë dhe ngrohtësinë e munguar të së ëmës. Madje, as u përpoq. Në jetën e familjes mbërritën njeri pas tjetrit dy fëmijë të tjerë, dhe jetimja fatkeqe, teksa rritej, po shndërrohej në një “Hirushe” të pafat.  Duart e vogla i gjakoseshin çdo ditë nga punët e rënda, ndërsa shpina e njomë po i harkohej nga kovat me ujë që ishte e detyruar t’i mbushte në një pus, diku në fshat. Duhej gjithashtu të kujdesej për vëllezërit e vegjël dhe të duronte kritikat e herëpashershme të njerkës. Mbrëmjeve, kur nuk kishte më asgjë për të bërë, kridhej në melankoli për panatyrshmërinë e ditëve që nuk kishin aspak lidhje me ato që duhej të jetonte një fëmijë. Ajo mekej për dashurinë e munguar të së ëmës dhe vëmendjen e pamjaftueshme të të atit.

Kështu, mes vuajtjesh e mundimesh të pazakonta për moshën, vajza mbaroi arsimin e  ciklit të ulët.  Tashmë, në horizontin e përhimtë të jetës së saj,  shihte një rreze drite. Të ndiqte shkollën e mesme, që ishte gjysëm ore larg nga fshati. Shpresonte aq shumë në hapësirat e reja që do të sillte ky ndryshim në përditshmërinë prej skllaveje të vogël. Por nuk qe e thënë. Ndonëse me nuanca hezitimi dhe keqardhjeje, i ati ia ndaloi kategorikisht frekuentimin e shkollës. Sipas tij, familja kishte shumë nevojë për kontributin e saj. Varfëria e kishte gjunjëzuar atë burrë, dhe në mënyrë të papërgjegjshme po tërhiqte të bijën në vorbullën e trazuar. Mbi shpatullat e tij rëndonin ende borxhet e pashlyera të parave që kishte shpenzuar për kurimin e gruas së tij të ndjerë. “Hirushja” e vogël ndjehej në faj për këtë barrë që duhej ta mbante e gjithë familja. Mbase i ati kishte të drejtë. Fundja, ajo që kishte futur në borxh familjen, e më pas, për fat të keq kishte ndërruar jetë, ishte nëna e saj. I duhej të pranonte fatin e paracaktuar të një vajze të varfër, që po rritej pa nënë. Ndërkohë që njerka ndihmonte sa mundej të shoqin në punët e bujqësisë, “Hirushja” duhej të kujdesej për vëllezërit, të kulloste lopën aty rrotull, të ushqente pulat e rosat, të mbushte ujë në pusin më të afërt të fshatit……e të tjera……e të tjera……deri sa një ditë….

…….Me krahë të zgjatur nga pesha e kovave, teksa po kalonte në rrugën gjarpërushe të fshatit, u ndesh me zërat e hareshëm të shoqeve të saj, të cilat prej disa muajsh frekuentonin shkollën e mesme. Në shenjë keqardhjeje, ato i ndërprenë të qeshurat, dhe e përshëndetën me dhëmshuri. Sfondi i mëshirës në sjelljen e tyre, zgjoi instiktin e mospranimit dhe të rebelimit. Ishte një ndjenjë e papritur refuzimi që tronditi të gjitha grimcat e shformuara që përbënin jetën e saj. Sakaq, përmes gulçimesh të revoltuara, ajo hodhi tej kovat, dhe ja krisi vrapit në drejtim të kundërt nga ai i shtëpisë.

Iku…. Endrrat e shtypura e shtrënguara si në morsetë, e shtynin pa orientim drejt  kërkimit të diçkaje  ndryshe. Një hap i hedhur kuturu, një vrapim spontan i një vajze të vuajtur, ende të mitur, ishte si të thuash…një reagim.

Iku…. Një orë më pas, po vërtitej në rrugët e qytetit më të afërt.  Nuk njihte askënd. Madje, nuk njihte më as veten e saj. Përmes një pështjellimi që po i zinte frymën, nuk dallonte dot nëse ajo rendje e beftë, pasuar nga ai fluturim i çekuilibruar, ishte e vërtetë, apo vetëm një arratisje imagjinare.

Ashtu, pa kuptuar rrokullisjen e orëve, po afrohej mbrëmja. Ajo filloi të ndjejë frikë. Si nuk e kishte menduar më parë?? Ku do ta kalonte natën?? Më kot ëndërronte se në njërën prej rrugëve që po zbrazeshin gradualisht,  të haste të atin. Më kot priste që t’i ledhatonte flokët, e t’i premtonte se do ta lejonte të shkonte në shkollë, si gjithë shoqet e saj. Më kot…. Asnjë nga burrat që vërtitej në ato rrugë të panjohura, nuk ishte ai.

Ashtu, në gjysëm errësirë, këmbët e çuan pranë një ndërtese të rrënuar, që ndodhej në të dalë të qytetit. E pushtuar nga tmerri i pasigurisë dhe vetmisë, hyri brenda dhe zuri vend mbi disa arka të thyera. Nga dritaret e shqyera pa xhama, përcillej ndriçimi i yjeve, që atë mbrëmje shkëlqenin si asnjëherë. Dukej sikur dëshironin të fashitnin tmerrin e “Hirushes”, dhe t’i bënin asaj pak shoqëri. E zhytur në paqartësi, ndjente t’i zvarriteshin, e më pas t’i bllokoheshin të gjitha mendimet. Ashtu, duke numëruar yjet, e mbledhur kruspull, e mundi gjumi. Bota e ëndrrave e mbështolli në krahët e saj të mahnitshëm……

…me një uniformë shkolle dhe çantë në shpine, nisi të vraponte…..duhej të mbërrinte shoqet që ishin nisur para saj…….ato u ndalën dhe po e prisnin me entuziasëm…….sa shumë e kishin pritur…….teksa nisi të përqafohej përmallshëm me to, magjia mbaroi….

….Ajo hapi sytë dhe ndjeu se po dridhej nga të ftohtit. Më në fund errësira ishte larguar, për t’i lënë vendin mbërritjes së muzgut mëngjesor. Duke lëvizur energjikisht gjymtyrët, doli jashtë godinës dhe filloi të vrapojë për t’u çmpirë sado pak. Kësisoj, arriti të ngrohej disi, dhe u ul mbi trungun e një peme. Mbylli qepallat dhe në luftë me kotësinë, provoi të kuptonte domethënien e arratisë së saj. Ndjehej aq konfuze. Por, për diçka ishte e kthjellët dhe e vendosur. Nuk do kthehej më në jetën e mëparshme prej skllaveje.

Hapja e ditës e riktheu në rrugët e qytetit. Ecte e hutuar ku ta shpinin këmbët. Nuk ishte mësuar të endej mes aq shumë njerëzve. Kishte filluar ta gërryente edhe uria.  Ndaloi para një shitësi ambulant, i cili mesa duket ia kuptoi hallin dhe i ofroi një panine. Pas një hezitimi fëminor, e pranoi, dhe pasi e falenderoi me zë të mekur, u largua duke e gllabëruar atë menjëherë. Herë pas here, ndalej përpara ndonjë vitrine, dhe pastaj sërish nxitonte për të mbërritur askund.

Instikti vetëmbrojtës dhe vëmendja gradualisht e shtuar, e bëri të ndjente se prej mëse dy orësh po e ndiqte një djalë rreth të njëzetave. Ai nuk ngjasonte aspak me princin  që ndoqi e bëri të lumtur Hirushen. Jo, ajo nuk ishte jetimja e vogël e përrallës. Sa herë kthente kokën në krahun e kundërt të rrugës, e shihte atë disa metra larg. Dukej si një gjuetar në kërkim të presë.

Ndonëse ishte një pesëmbëdhjetë vjeçare, e zhvilluar mirë dhe mjaft tërheqëse, ishte e para herë që një djalë i vihej pas. E frikësuar, ajo nisi të vrapojë, me qëllim që t’i humbiste atij nga sytë, madje dhe duke u fshehur pas ndonjë peme, apo pallati. Por, pas disa tentativash foshnjarake, kjo gjë rezultoi e pamundur. Në një rrugë ku lëvizjet ishin më të rralla, ai iu afrua dhe me ton konfident e disi urdhërues, i kërkoi të ndalej……Pas një refuzimi të ndrojtur, ajo qëndroi dhe u kthye në drejtim të tij. E ndjeu se ishte shumë e pafuqishme ta kundërshtonte. Sa do dëshironte që në atë çast të kishte pranë të atin, ose ndonjë të njohur, cilido të qe ai. Por ishte vetëm, në një rrugë pa krye. Djali me pamje prej kokoroshi, me vetësigurinë që të jep përvoja, i shprehu simpatinë për pamjen e saj të bukur….. se ajo meritonte një jetë më të mirë se sorollatja pa kuptim në rrugët e atij qyteti……..me sa dukej bukuroshja ishte në kërkim të një ardhmeje ndryshe…….gjithsesi, e vetme nuk mundej……por ai mund t’ja siguronte atë……

Ndonëse në paqartësi bllokuese për rrugën e panjohur që po i propozohej, pas disa hezitimesh dhe kundërshtish të pafuqishme  “Hirushja” e zënë në çark, u detyrua të pranonte. Me intuitën e saj, ajo kishte kuptuar se nuk mundej të refuzonte. Gjithsesi, ishte mëse e dukshme që ai do ta detyronte atë. Madje dhe me forcë. Arroganca dhe agresiviteti në sjelljen e atij djali ishte i dallueshëm. Atë pasdite e hipi në një makine të mbyllur, dhe ajo ndjeu lëkundjet e një udhëtimi shumë të gjatë. Më pas…..një dhomë në hotel…….persona të panjohur…….sharje dhe fyerje……..veshje ekstravagante…..nxjerrje me detyrim në trotuar…….dhe kontakte të pështira me persona që nuk flisnin shqip………

Kësisoj, “Hirushja” ra viktimë e një skllavërie të re, të cilën as e kishte imagjinuar. Disa përpjekje për t’ja mbathur kishin dështuar, deri sa një ditë, një makinë me fenelina që ndizeshin e fikeshin, e kishte marrë e dërguar në ambientet e një rajoni policie. Vajza e djem me uniformë hynin e dilnin me nxitim. Pyetje, intervista të lodhshme për gjithçka kishte përjetuar në ato tre vite që punonte në rrugë……dhe disa muaj më pas, në shoqërimin e tyre,  rikthim në atdhe…..

……Gjithë këto ngjarje të trishta i kisha mësuar nga relacioni i hedhur në një cep të  tavolinës. Ajo nuk pranon të rrëfejë sërish të njejtën histori rrënqethëse. Gjithçka e shkruar në atë copë letër dhe e firmosur prej saj, shprehte të vërtetat e dhimbshme që  kishte përjetuar.

Vërtet jeta është një mister që lundron mbi valë të papriturash??  Nuk e di. Në rastin e asaj fatkeqeje, gjithçka dukej mizorisht e paracaktuar. Një dhimbje që përplasej e përpëlitej në udhëkryq.  Bashkëudhëtare  fatkeqe me vuajtjen e shfrytëzimin.

Disa orë më pas, ajo u largua nga ato ambiente. Në mungesë totale të mbështetjes psikologjike dhe financiare të institucioneve të shtetit, një krijesë e pafat do të humbiste sërish në labirintet e frikshme të jetës, asaj të padrejtës, asaj gllabërueses, viktimë e së cilës është dhe ajo vajzë e heshtur e zemërvrarë.

Si për ironi, nga salla hotelesh luksoze, mbërrinin çdo ditë mesazhe hipokrite në mbrojtje të “Hirushes”, dhe gjithë vajzave të tjera që kanë patur fatin e saj. Përveç shumave marramendëse që përfundojnë në xhepat e “kukullave të pispillosura të shoqërisë civile”, asnjë ndikim stimulues  nuk kanë të tilla spekullime në jetën e tyre. “Hirushet” ishin dhe mbeten viktimë e varfërisë, injorancës, babëzisë, demagogjisë së pushtetit banditesk, dhe cinizmit të kohës që jetojmë.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Hirushja” e pafat, Alma LIÇO, e kohës sonë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT