Ambasadori Arvizu zbulon lajmin: Vizat në SHBA për shqiptarët do të bëhen 3-vjeçare/
Gjatë një interviste televizive në mbrëmjen e se enjtes në Top Channel, pak ditë para largimit pas mbarimit të mandatit diplomatik nga Shqipëria, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka dhënë intervistën e tij të fundit.
Ai ka zbuluar një lajm të mirë për shqiptarët, atë të zgjatjes së afatit të vizave për shqiptarët që duan të shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas kryediplomatit amerikan në Tiranë, vizat 1-vjeçare që jepeshin nga SHBA-të, tashmë do të bëhen 3-vjeçare.
“Duke nisur nga nesër, do të kemi një politikë të re që do të zbatohet, – tha Arvizu. – Deri më sot, shqiptarët janë kualifikuar, B1, B2, vizat turistike, vizat e studentëve për një vit, por në ambasadë, ne kemi punuar me Byronë e Çështjeve Konsullore në Departamentin e Shtetit, që të lehtësonim kushtet e lehtësimit të vizave. Jam shumë i kënaqur, që duket nisur që nesër, për të gjithë ata shqiptarë që kualifikohen për vizë studentore apo vizë vizitori, vlefshmëria e tyre do të jetë 3 vjet dhe jo 1. Kjo do të kursejë para, sepse njerëzit nuk janë të detyruar të aplikojnë çdo vit. Në këtë rast, nuk do të ketë ndryshime sa i takon kërkesave për numrin e vizave”.
Lidhur me liberalizimin e vizave me SHBA-të, Arvizu u shpreh se kjo gjë është praktikisht e pamundur: “Do të ketë një rrugë të gjatë që Shqipëria të bëjë pjesë në vendet të cilët hyjnë pa viza në SHBA”, – pranoi Arvizu. (Shqiptarja.com)