Një medium i financuar nga Zvicra censuron Zvicrën !
Nga Elida Buçpapaj/ Përpara disa ditësh në Gjenevë, APES organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën « Quel avenir pour le journalisme ? » – “Cila është e ardhmja e gazetarisë”. Në këtë debat morën pjesë figura shumë të njohura të gazetarisë zvicerane si Christian Campiche, ish kryeredaktori i La Tribune de Genève Daniel Cornu etj.
“Kur pyes se cila është e ardhmja e gazetarisë”, e nisi fjalën e tij presidenti i APES Jean Musy, “e kam fjalën për gazetarinë e vërtetë, e kam fjalën për ata që krijojnë lajmin, informacionin sipas Nenit.1 të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve, të cilët janë të obliguar ta kërkojnë të vërtetën, për shkak të së drejtës së publikut që duhet ta njohë atë cilatdo që mund të jenë pasojat dhe konseguencat për vetë gazetarin. Dhe këtë detyrim e kanë të të gjithë gazetarët: anëtarët e një redaksie, përkthyesit e pavarur, sipërmarrësit, ata që punojnë freelance apo dhe ata gazetarë që punojnë me kontrata të përkohëshme etj.”, nënvizoi Jean Musy.
Në ndërhyrjen time në këtë debat thashë se kjo pyetje nuk ka vend për gazetarinë në Ballkan, pasi gazetarinë atje e kanë vrarë klientët e politikës, ata që financohen dhe marrin çmime e ndere nga krerët e shteteve të kapura. E kisha fjalën për klientët e politikës në Kosovë dhe Shqipëri, që e kanë transformuar gazetarinë vegël në duart e politikanëve të korruptuar. Këta “klientë -gazetarë” xhepat i kanë plot dhe kanë mbështetje të fortë nga Edi Rama apo Hashim Thaçi, në marrëdhënie krejtësisht perverse dhe antiligjore dhe duke shkelur detyrimet konstitucionale të informimit të pavarur.
Njëri prej këtyre superklientëve të politikës është edhe portali albinfo.ch me qendër në Lozanë, që ka kapërdirë miliona mbështetje dhe subvencione financiare edhe nga Zvicra duke anashkaluar konkurencën e lirë si dhe shkelur Nenin 1 të të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve. Jo vetëm që nuk e ka zbuluar të vërtetën por e ka varrosur atë.
Për shërbimet klienteliste ndaj politikës albinfo.ch ka përfitur mbështetje financiare edhe nga grantet që qeveritë Perëndimore çojnë në Kosovë apo Shqipëri për lancimin e gazetarisë të vërtetë! Për shërbimet klienteliste kryeministri Edi Rama e ka (sh)nderuar albinfo.ch edhe çmimin trofe të diasporës Shqiponja e Artë.
Po ju sjell një ilustrim shumë të freskët dhe eklatant se si albinfo.ch shkon deri atje sa censuron edhe përfaqësuesit e shtetit që e ka mbështetur financiarisht për të bërë gazetari me standart profesional.
Dje në Skënderaj u inagurua një ujësjellës, projekt i qeverisë së Zvicrës me vlerë rreth 1.2 milionë Euro. I pranishëm në këtë aktivitet ishte Ambasadori zviceran në Prishtinë Jean-Hubert Lebet, i cili ishte kritikues dhe i ashpër për keqmenaxhimet e pares publike dhe ndihmave që vinë nga Perëndimi. Ambasadori zviceran në fjalën e tij tha se «Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ka të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2,5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. (…) Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë se, nëse të hollat ruhen dhe nuk financojnë veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit», nënvizoi ambasadori.
I menjëhershëm ishte reagimi kundërvënës i Kadri Veselit, i pranishëm edhe ai në takim i cili, në vend që t’i reflektonte tonet kritike të përfaqësuesit të vendit që ka shpenzuar miliarda ndihma për Kosovën dhe e ushqen Kosoven me oksigjen, pasi 200 mije kosovarët që jetojnë në Zvicër dërgojnë çdo vit 5 miliarde Euro remitanca në vendlindje, përkundrazi iu bëri jehonë luftëtarëve të UÇK-së në Skënderaj prej nga e ka origjinën edhe presidenti kosovar.
Në të njëjtë valë me Kadri Veselin ishte edhe albinfo.ch që ia censuroi tërësisht fjalën Ambasadorit zviceran. (Poshtë keni videon dhe tekstin e botuar nga albinfo.ch)
“Gazetaria censuruese” e stilit të albinfo.ch, shkel mbi të vërtetën dhe manipulon opinionin, ndërkohë që subvencionohet dhe ka carta bianca në shtetet e korruptuara nga kadri veselet, edi ramët apo hashim thaçët.
Kur censurohet përfaqësuesi i Zvicrës, shtetit që kishte financuar projektin dhe që ka financuar edhe albinfo.ch, mendoni se në çfarë degrade ndodhet fjala e lirë dhe gazetaria.
Unë e kuptoj që mediat në Kosovë e Shqipëri iu binden verbërisht regjimeve dhe partive nga marrin financimet, por e shoh skandaloze performancën profesionale të albinfo.ch këtij mediumi që e zhvillon aktivitetin në Zvicër duke përfituar miliona franga mbështetje financiare nga ky vend, përfaqësuesin e të cilit e censuron.
A mund të ketë të ardhme gazetaria kur në vend të informimit të së vërtetës mediume si albinfo.ch përdorin gërshërët e censorit për ta fshehur dhe manipuluar atë ?!
Pyetja ime është retorike!

