Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe kryeministri i Britanisë, David Cameron, kanë thënë se janë “tejet të shqetësuar” dhe se janë duke shqyrtuar përgjigjen ndaj akuzave se Qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike në një sulm që ka vrarë qindra civilë.
Të shtunën, Obama ka takuar këshilltarët e tij të lartë dhe ka folur në telefon me Cameronin.
Në deklaratën që ka lëshuar zyra e kryeministrit britanik thuhet se Obama dhe Cameron janë shumë të shqetësuar për “shenjat në rritje” që tregojnë se forcat e regjimit sirian janë përgjegjëse për sulmin kimik, që ka ndodhur të mërkurën e kaluar.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se hetimet e tyre për incidentin janë duke vazhduar.
Qeveria e Sirisë ka mohuar se ka kryer sulmin me gaz toksik në periferinë lindore të Damaskut. Ajo ka fajësuar forcat rebele, duke thënë se kryengritësit kanë për qëllim të nxisin ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit në konfliktin e Sirisë.
Në një tjetër zhvillim, një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se sekretari John Kerry ka folur të enjten në telefon me ministrin e Jashtëm sirian, Walid al-Moualem.
Sipas këtij zyrtari, Kerry i ka thënë al-Moualemit se Qeveria siriane, nëse nuk është përgjegjëse për sulmin, duhet të lejojë qasjen e menjëhershme të inspektorëve të Kombeve të Bashkuara në lokacionin ku ka ndodhur sulmi.
Kerry ka diskutuar situatën në Siri edhe me homologët e tij në Arabinë Saudite, Jordani dhe Turqi.
Organizata bamirëse “Mjekët pa Kufij” ka thënë se spitalet pranë Damaskut kanë raportuar 355 vdekje dhe rreth 3,600 pacientë me simptoma neurotoksikë.
Mego Terzian i ka thënë agjencisë Reuters se është i bindur se agjenti neurotoksik është përdorur ndaj civilëve, por nuk ka mundur të thotë se kush është përgjegjës.
“Ajo që mund të themi është se një numër i madh i pacientëve kanë ardhur në spitale brenda tre orësh, me simptoma neurotoksike. Kjo nuk është normale. Jemi të sigurt, madje 100 për qind, se agjenti neurotoksik është përdorur. Se çfarë lloj agjenti, nuk mund të konfirmojmë. Se kush e ka bërë këtë, rebelët apo forcat qeveritare, nuk mund të konfirmojmë, nuk e dimë”, ka thënë Terzian.
Burimet e opozitës siriane kanë thënë se numri i të vrarëve në këtë sulm mund të jetë nga 500 deri në 1,000.
Zhvillimet e fundit kanë ndodhur derisa ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ripozicionuar anijet detare dhe asetet e tjera, në përgatitje për aksion të mundshëm ushtarak.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë të dielën se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të zbatuar opsionet ushtarake në lidhje me Sirinë, nëse presidenti Obama konstaton se ato janë të nevojshme.
“Presidenti Obama ka kërkuar nga Departamenti i Mbrojtjes që të përgatitë opsionet për të gjitha të papriturat. Ne kemi bërë një gjë të tillë. Jemi të gatshëm të zbatojmë cilindo opsion nëse ai vendos për ndonjërin prej tyre”, ka thënë Hagel.
SHBA-ja ka tashmë qindra trupa, aeroplanë luftarakë F-16 dhe bateri për mbrojtje raketore, të vendosura në Jordani – shtet fqinj i Sirisë.
Qeveria e Sirisë ka paralajmëruar Uashingtonin kundër veprimit ushtarak. Ministri i Informacionit, Omran al-Zoubi, ka thënë se çdo sulm i forcave amerikane mund të çojë në më shumë dhunë në Lindjen e Mesme.
Irani, aleat i Sirisë, ka paralajmëruar po ashtu kundër ndërhyrjes ushtarake të Amerikës, duke thënë se veprimi i tillë vetëm mund të përkeqësojë situatën.
Presidenti Hasan Rohani ka thënë se Irani beson se armët kimike kanë vrarë njerëz në Siri, por nuk ka thënë se kush mund të qëndrojë prapa sulmeve.
Ministria e Jashtme iraniane ka mbështetur Qeverinë siriane, duke thënë se forcat rebele janë përgjegjëse.(v tela Radio Evropa e Lire)