Nga Adnan Mehmeti*\ Që nga dita e parë e krijimit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë i ka ngjarë një familje të madhe dhe të gëzuar. Kemi ndier gëzimin e veprave të secilit anëtar dhe shumë herë kemi bërë dhe festa me ditëlindjet e këtyre veprave. Kemi ndjekur sukseset e njëri-tjetrit me emocionin e një familjari. Jemi njohur me veprat e atyre shkrimtarëve që nuk jetojnë më.
Pjesë e kësaj feste të përhershme në të cilën të vë krijimtaria e secilit që i flet brezave, jemi bërë vlerësuas të krijimtarisë së atyre autorëve shqiptarë që kanë kaluar me veprën e tyre kufijtë gjeografikë. Me këtë ndjesi të bukur kemi ndjekur edhe krijimtarinë e shkrimtarit Visar Zhiti. Ai tani jeton në atdheun tonë të dytë, në Amerikë, dhe ndajmë ajrin, krijimtarinë dhe dëshirat me anëtarët e Shoqatës.
Kryesia e Shoqatës e mirëpret dhe e shpall “Anëtar Nderi” poetin disident Visar Zhiti
Ne jemi duke jetuar në këtë pandemi që paralizoi gjithë botën, por si krijues vazhdojmë të krijojmë në mënyrë vetjake. Dëshira për të zhvilluar një ceremoni për këtë nder dhe për atë që ai ka bërë dhe bën për fjalën e bukur dhe të lirë shqipe në mbarë botën për dorëzimin e dekorimit “Anëtar Nderi, është mjaft e madhe. Është obligim i madh, por që nuk mund të realizohet për arsye të pandemisë.
Megjithatë, Visar Zhiti, ky vigan i madh i letrave shqipe, në vend të një takimi të përbashkët do të ndajë dashurinë me secilin anëtar të Shoqatës me krijimtarinë e tij të pasur letrare.
Në pamje të parë quhet nderi i madh për atë që e merr këtë dekoratë mirënjohjeje, por në rastin e këtij shkrimtari tepër të dinjitetshëm, është më se e qartë se është nderi ynë që e kemi mes nesh, që na bën të frymojmë me fjalën e tij të ngrohtë, të bukur, të vërtetë. Si të kishim një diell që mezi e presim që të gdhijë në një agim tjetër. Ai është nga ata poetë që kapërcejnë jo vetëm kufij vendesh, po edhe kufij kontinentesh.
E Amerika ku e shtrin aktivitetin e saj krijues edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është Shtëpia e shkrimtarëve, ku vlerësohet fjala e tij e bukur, e ngrohtë, me një art tepër origjinal të rrëfimit. Ai quhet në kuptimin e plot të fjalës “Poeti i lirisë”, me një shpirt të butë e të gjerë.
E në cilin vend më shumë se në Amerikë që ka kurorën më të ndritshme të lirisë, mund të kuptohet, të besohet e të shpërndahet fjala e tij më mirë?
Për shkrimtarët shqiptaro-amerikanë ai është një zë i fuqishëm, një model i përkryer i artit që ka vetëm të ardhme që shpesh ngrihet mbi sakrificat e së kaluarës.
Nder përjetë penës së shkrimtarit Visar Zhiti!
Mirë se vjen në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, i dashur Visar Zhiti!
Shënime biografike për Visar Zhiti
Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë të letrave në gjuhën shqipe, që lëvron poezinë, prozën, esenë, po kështu edhe gazetarinë dhe përkthimin.
Është biri i një mësuesi, aktori e dramaturgu, Hekuran Zhiti, nga Tomorrica, atje ku lartësohet Olimpi i shqiptarëve. Babai i tij ishte dënuar si nacionalist, duke ia ndërprerë krijimtarinë e tij. Poezitë e tij, satirat, komeditë dhe dramat u botuan postume, mbas rënies së perandorisë komuniste.
Nëna e Visarit, Resmija, vinte nga një familja e madhe kolonjare, Fama ose Shahu, nacionalistësh, që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist në Shqipëri, nga që kishte dhe të ikur në SHBA.
Visar Zhiti lindi dhe u rrit në Durrës, qytet buzë detit Adriatik. Gjimnazin e kreu në qytetin e Lushnjës, vend dhe internimesh, ku kishte dhe shumë familje nga Kosova.
Më pas u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe nisi të botojë poezitë e para në shtypin letrar të kohës dhe dorëzojë për botim përmbledhjen “Rapsodia e jetës së trëndafilave”.
U emërua mësues në fshatrat e Kukësit, jo shumë larg kufirit shtetëror me Kosovën.
Visar Zhiti kritikohet ashpër për poezitë e tij, deri dhe në Komitetin Qendror nga udhëheqja komuniste, arrestohet, në gjyq e akuzojnë për poezitë e tij “të trishta dhe kundër realizmit socialist”. Në akuzën e tij është se ai dëgjonte fshehurazi dhe radiot “Zëri i Amerikës”, “Radio Vatikani” dhe “Radio Prishtina”, etj. E dënojnë me 10 vjet burg, me heqjen e të drejtës së botimit dhe të drejtës elektorale.
Visar Zhiti edhe në burg, ku ishte e ndaluar, krijoi poezi me mend, ndërsa në kampet-burg të Spaçit dhe të Qafë Barit, në kushte të tmerrshme brenda telave me gjemba, teksa punonin si skllevër në miniera, i shkruante fshehurazi nëpër fletoret, që të burgosur të tjerë i ndihmonin t’i fshihte ose i mësonin dhe përmendësh.
Ai ishte në revoltën e të burgosurve politikë në Qafë-Bari, të cilën do ta përshkruajë në një nga veprat e tij të mëvonshme.
Visar Zhiti arriti të nxjerrë të fshehura nga burgu gati të gjithë poezinë e tij.
Pasi lirohet, punon si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnjë, ku kishte dhe familjen.
Ndërkaq në dosjen e Visar Zhitit është dhe dokumenti që ai nuk pranoi të ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete të diktatues, megjithë pasojat e renda që do të kishte, duke pritur dënimin e ri.
Kur nisën protestat dhe lëvizjet për demokratizimin e vendit, rreshtohet me të parët dhe bëhet gazetar në organin e parë të shtypit opozitar, ku artikujt e tij u vlerësuan për forcën, drejtësinë, frymën paqësore dhe dhimbjen.
Ndërkaq në vitet ’90 ai nis të botojë nga krijimtaria e tij, edhe poezi të burgut, tregime, romane dhe ese.
Pas vendosjes së demokracisë në vend, Visar Zhiti ka punuar dhe si drejtor në shëpinë botuese “Naim Frashëri”, atje nga ku i erdhi denimi, në Parlament, ndërkohë është zgjedhur dhe deputet, ka qene Ministër i Kultures, ka punuar në diplomaci, 2 herë në ambasadën e Shqipërisë në Itali, pastaj në Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe së fundmi në Washington, SHBA.
Vepra letrare e Visar Zhitit u vlerësua menjëherë nga lexuesi dhe kritika letrare për befasinë dhe guximin artistik, për të vërtetën që mbart, për gjuhën e gjallë, nivelin e lartë artistik, me metafora e kumbime, për imazhet sa tronditëse, po aq dhe magjepsëse, ku gërshetohen realizmi i ashpër me fantazinë, e përditshmja dhe kohët, tragjizmi dhe grotesku, shpresa dhe besimi tek njeriu, dashuria e pafund, dhembja dhe gëzimi i jetës plot me dritëhije dhe mister, gjithmonë me mesazhe paqeje.
Të gjitha çmimet letrare më të larta që jepen në Shqipëri për poezinë, prozën dhe esenë, etj, iu dhanë veprës së Visar Zhitit, por dhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi. Libra të Visar Zhitit nisën të përkthehen dhe në gjuhë të huaja dhe u vlerësua me çmime letrare dhe jashtë vendit.
Visar Zhiti ka botuar librat:
me poezi:
1. “Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993
2. “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, Tiranë, 1994
3. “Mbjellja e vetëtimave”, Shkup, 1994
4. “Dyert e gjalla”, Tiranë, 1995
5. “Kohë e vrarë në sy”, Prishtinë, 1996
6. “Si shkohet në Kosovë”, Tiranë, 1999
7. “Thesaret e frikës”, Tiranë, 2005
8. “Nënë Tereza mes shqiptarëve”, Album me poezi e foto, Tiranë, 2012
9. “Si është Kosova”, Prishtin”, 2014
10 “Të rritesh nga dashuria”, Tiranë, 2018
prozë:
11. “Këmba e Davidit”, tregime, Tiranë, 1996
12. “Funerali i pafundmë”, roman, Tiranë, 2003
13. “Djali dhe legjenda”, tregim (shqip, maqedonisht, anglisht), Tiranë, 2004
14. “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, roman, Tiranë, 2004
15. “Në emër të a(r)tit”, ese, intervista, Shkup, 2006
16. “V.V. & një vrasje e munguar”, biseda, portret, poezi, Tiranë, 2006
17. “Shekull tjetër”, tregime, Tiranë, 2008
18. “Në kohën e britmës”, roman, (dy botime), Tiranë, 2009
19. “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, sprovë, Tiranë, 2010
20. “Rrugët e ferrit”, roman, ribotim i plotësuar, Tiranë, 2012
21. “Ferri i çarë”, roman, ribotim i plotësuar, 2012
22. “Valixhja e shqyer”, ribotim i plotësuar, tregime, Tiranë, 2016
23. “Si na erdhi ai, i ndaluari…”, Tiranë, 2017
24- “Kartelat e Realizmit të dënuar”, sprovë (në shtyp), Tiranë, 2020
Vepra e Visar Zhitit e përkthyer:
në anglisht:
25. “The condemned apple”, poezi, Los Anxhelos, SHBA, 2005
në italisht:
26. “Croce di carne”, poezi, Oxiana, 1997
27. “Dalla parte dei vinti”, poezi, D’Agostino, 1998
28. “La vita”, poezi, Pulcino Elefante, 1998
29. “Passeggiando all’indietro”, tregime, Oxiana, 1999 30. “Confessione senza altari”, poezi, (shqip dhe italisht), Diana Edizione, 2012
31. “Il visionario alato e la donna proibita”, romanzo, Rubbetinno, 2014 32. “Dov’e’ la vita?” (shqip dhe italisht), Poesie, Pazini, 2016 33. “Il funerale senza fine”, Rubbetinno, 2017 34. “La note é la mia patria”, (shqip dhe italisht) Pazini, 2018
në maqedonisht:
35. “Бoc и лyд”, poezi, Shkup, 2001
në kroatisht:
36. “Izabrane pjesme”, poezi, Zagreb, Kroaci, 2010
në serbisht:
37. “Kisha mog lica”, poezi, Beograd, 2019
në rumanisht:
38. “Psalm”, poezi, Bukuresht, 1997
39. “Funeralii nesfarsite”, roman, Bukuresht, Rumani, 2008
40. “Aripa Franta/ Flatra e mundur”, (shqip dhe rumanisht), Bukuresht 2018 41. “Cortegul fara sfarsit”, roman, ribotim “A” Bukuresh, Rumani, 2020
Ka përkthyer në shqip: 42. Mario Luzi, “Fati i ditës”, poezi
43. Nënë Tereza, “Takohemi nëpër lutje”, poezi
44. Federico Garsia Lorka, “Ballkon i hapur”, poezi
45. Nënë Tereza, “mërmërimë shenjtoreje”, lutje-poezi
46. Isikava Takuboku, “Poezi e shkruar nëpër gurë”, tanka
47. Sebastiano Grasso, “Ti në grackë në qepalla”, poezi
48. Adonis, “Iluzioni i hapave të mi”, poezi, 49. Evgeni Jevtushenko, 33 poezi “Si na erdhi ai, i ndaluari…”
Poezitë e Visar Zhitit janë futur në tekste shkollash, në antologji të huaja dhe në gjuhët frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, serbe, malazeze, boshnjake, kroate, kinezçe, etj.
Çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare:
1. Leopardi d’oro, Milano, 1991
2. Racconta il tuo Dio, Milano, 1992
3. Çmimi Kombëtar – për veprën më të mirë në poezi, Tiranë, 1994
4. Velija – Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë, 1995
5. Gaetano Salveti, Romë, 1997
6. Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998
7. La cultura del mare, San Felice Circeo, 1999
8. Premio alla carriera, Romë, 2000 9. Naim Frashëri, Tetovë, Maqedoni, 2001
10. Kalimerja, Ulqin, Mali i Zi, 2002
11. Çmimi i parë i poezisë, Gjakovë, Kosovë, 2003
12. Penda e argjendtë, për romanin më të mirë të vitit, 2003
13. Asdreni, Korçë, 2005
14. Libri më i mirë i Panairit të Shkupit, 2007
15. Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë, 2007
16. Shkrimtari i vitit, Tiranë, 2008
17. Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Gjilan, Kosovë, 2009
18. Mirënjohje, Rozhajë, Mali i Zi, 2012.
19. Çmimi i Madh i Letërsisë, Tiranë, 2012
20. Çmimi “Kurora e poezisë”, Korçë, 2014
21. Çmimi “Azem Shkreli”, Pejë, Kosovë, 2015
22. Çmimi “Ali Podrimja”, Gjakovë, Kosovë, 2015
23. Linguaggio dell’anima, Roma, 2016
24. Çmimin e Karrierës në poezi, Como, Itali, 2019
25. çmimi “Dega e Ullirit”, Panairi i Librit në Ulqin, Mali i Zi, 2019
Visar Zhiti ka marrë pjesë në shumë takime kombëtare dhe ndërkombëtare kulturore si dhe në festivale botërore poezie, ku ka përfaqësuar vendin si në Itali, Greqi, Francë, Rumani, Maqedoni, Mal të Zi, Austri, etj, si dhe është ftuar nga universitete të ndryshme në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Romë, Napoli, Milano, Paris, Vatikan, etj.
Në SHBA, në vitin 2013, u thirr nga “The Freedom House” në takim e gjerë me diasporën dhe jo vetëm, në veprimtarinë simbolike “Gjyqi i Nju Jorkut”, kundër diktaturës komuniste, ku në qendër kishte veprën e tij për burgjet.
Ka dhënë disa intervista në “Zërin e Amerikës”, ndërsa libra të tij janë dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.
Është anëtar nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës në Maqedoni.
Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali dhe anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, po kështu është anëtar i PEN Klubit në Itali.
Emri i Visar Zhitit është i përfshirë në enciklopedi dhe në Fjalor Enciklopedik në Shqipëri, në Enciklopedinë e njohur Piccolo Treccani-Itali, në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj.
Tani jeton në SHBA, në shtetin Illinois, shkrimtar në liri të plotë.
Me një grup anëtarësh të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë
(Foto nga Beqir Sina, 2013)
Visar Zhiti dhe Adnan Mehmeti (Foto nga Beqir Sina, 2013)