Shkroi: Skënder Luarasi/
Shekulli XV është shekulli i Arbërit, shekulli i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Shqipëria në atë kohë u bë fushë betejash titanike dhe Kruja çerdhe e lirisë për njëqind vjet me radhë. Në historinë e njerëzimit rrallë gjen shembuj të tillë heroizmi dhe vetëmohimi si në historinë e popullit shqiptar të epokës së Skënderbeut. Mijra volume historike dhe qindra vepra letrare artistike kanë përjetësuar me shkronja të arta timëritë e stërgjyshërve tanë dhe emri i Skënderbeut është bërë sinonim i virtuteve morale dhe i therorisë eprore, kur është puna për të mbrojtur gjer në fund vlerat më të shtrenjta të njerëzimit: njerinë dhe nderin e lirinë e tij, atdhenë, pavarësinë e tij dhe qytetërimin evropian.
Edhe në gjuhën e Shekspirit janë hartuar poema, novela, romane, drama për Skënderbenë, emri i heroit tonë kombëtar është përmendur me zërin e lëvdatës prej njerëzve nga më të shquarit që nxori historia e Anglisë. Figura e Skënderbeut ka zënë një vend të dukur e të merituar në historinë dhe letërsinë angleze. Në hyrjen e veprës së tij për Skënderbeun dramaturgu Tomas Uinkop (Th. Whincop) shkruan: ‘’Turqit erdhën në kontakt armiqësor me shqiptarët në fund të shek.XIV. Tre çerekë shekulli ata luftuan për të ruajtur indipendencën e tyre: njëzet e pesë vjet të tjerë të kësaj lufte nën Skënderbenë bëjnë apogjenë e heroizmit të tyre për pavarësi kombëtare’’.
Skënderbeu është mysafir i vonuar në gostinë e letrave angleze për heronjtë e botës. Ç’e ka shkaktuar këtë vonesë? Gjeografikisht ishujt britanikë shtrihen në pika krejt të kundërta me Evropën Juglindore . Por nuk është vetëm udha fort e gjatë nga Kruja gjer në Londër që e mënoi ardhjen me kohë të heroit arbër në qytetin anës Tamesit. Gjer më 1453, lufta 100 vjeçare vazhdoi me tërbim në kontinentin evropian. Atë vit kur Eduardi III u nis me ekspeditën e tij rjepacake për në Francë, për të grabitur një kurorë mbretërore, populli shqiptar hyri në luftë të pabarabartë, për jetë a vdekje, me otomanët që të mbronte atdhenë dhe pavarësinë e tij. Kostandinopoja, kryeqyteti i Perandorisë Bizantine, ra më 1453 në duart e Sulltan Mehmetit II. Ushtritë turke patën vënë nën thundër Ballkanin dhe i kërcënoheshin Evropës gjatë Danubit. Papa po bëhej gati ta braktiste kryeqytetin e krishterimit. Evropa po nënshtrohej. Dy vjet pas mbarimit të luftës 100 vjeçare në Angli filluan luftrat e Trëndafilave. Për shkak të këtyre luftrave të pandërprera popullit anglez i patën rënë shumë andralla mbi krye në shtëpi të vet e nuk pati nge të interesohej për atë që po ndodhte atje tutje në malet e Shqipërisë. Megjithatë, pikërisht gjatë këtyre ditëve të vështira, si për Anglinë, si për Shqipërinë, figura e Skënderbeut u bë e njohur për publikun anglez.
Cilat qenë rrugët nëpër të cilat u njohën në Angli me figurën e heroit tonë dhe me luftat e tij fitimtare kundër otomanëve?
Në lidhje me betejën e përgjakshme të Albulenës, ku nga të 80.000 ushtarët turq 30.000 u vranë a ranë rob, lexojmë në një letër të kardinalit Pikolomini, që më vonë u bë Papa Pius II, këtë shënim:
‘’Në këto beteja kundër turqve, në verë dhe në vjeshtë të motit 1457, një kalorës anglez Xhon of Njuport (John of Newport) mori pjesë duke komanduar një togë shigjetarësh. Në shoqëri të një ambasadori të Skënderbeut, duke u kthyer nga Napoli, erdhi në Romë për të kërkuar ndihmë për prijsin shqiptar, që ende është në rrezik prej turqve’’ 1)
Xhon of Njuport si dëshmitar i epokës së madhe heroike të shqiptarëve, i bëri asaj një vlerësim shumë të lartë duke u shprehur kështu: ‘’Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse nuk ka fuqi tjetër që mund t’i bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare. 2)
S’ka dyshim se bashkë me vullnetarët që erdhën në Shqipëri në atë kohë, edhe publiku anglez mësoi për heroin tonë kombëtar që e habiti botën me heroizmin dhe burrërinë e tij.
Me sa duket, burim tjetër që u shërbeu anglezëve për t’u njohur me luanin e Krujës qe vepra e historianit frëng Zh. Lavardenit (J.Lavardin) ‘’Historia e Gjergj Kastriotit, mbiemëruar Skenderbej’’ përkthyer anglisht më 1596 prej Z.J., inicialet duket ishin të Zachary Jones.
Pas kësaj kohe shohim që figura e Sënderbeut të tërheqë vëmendjen e mjeft historianëve, burrave të shtetit, publicistëve dhe filologëve anglezë.
Prej veprave që u botuan më vonë dhe që bëjnë fjalë për heroin tonë kombëtar, përmendim ‘’Historinë e Turqve’’ prej Knolles ( 1603) dhe veprën anonime ‘’Scanderbeg redivivus’’( Skënderbeu i ringjallur), botuar më 1684. Kjo e fundit ka rëndësi për rethanat në të cilat u shkruajt. Tmerri që shkaktoi rrethimi i parë i Vjenës më 1529 i lemerisi popujt e Evropës Qendrore më 1693 kur turqit e rrethuan këtë qytet për të dytën herë. Njerëzit liridashës kujtuan kohën epike të Gjergj Kastriotit dhe i zuri malli për një kryetrim si Skënderbeu.
Ushtritë gjermano-poloneze e ruso-veneciane, të bashkuara prej rrezikut, i erdhë në ndihmë Austrisë. Forcat e Jan Sobieskit nuk e lanë Vjenën të bjerë në duart e rrethonjësve. Në fakt, vepra letrare-historike ‘’Scanderbeg redivivus’’ (‘’Skënderbeu i ringjallur’’) bën fjalë për Janin III të Polonisë dhe ka brendinë ‘’në ç’mënyrë t’i zbojmë turqit prej Evropës brenda tre vjetëve’’
Në shekujt XVII dhe XVIII burrat e shtetit dhe ushtarakë të njohur , si U.Tempëll (W.Temple) dhe Xh. Ullf (J.Wolfe) studjojnë artin që Skënderbeu zbatoi në luftrat e tij kundër pushtuesve otomanë. Sipas Ullfit, ‘’Skënderbeu i tejkaloi gjithë oficerët, të moçmit e të soçmit, nën udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse. 3)
S.Artur Bollduin (A.Balldwin), në sprovën e tij për Skënderbenë, me titull ‘’Mbret i pakurorëzuar’’, përmblodhi mendimin e të gjithë mendimtarëve , kritikëve, burrave të shtetit dhe shkrimtarëve anglezë, që vlerësuan Skënderbenë, kur shkroi: ‘’Skënderbeu luftoi jo vetëm për populli e tij, por për gjithë Evropën’’. 4)
Krahas veprave me karakter historik e politik në Angli pati edhe vepra letrare-artistike kushtuar Skënderbeut, ose ku përmendet emri i tij. Por përpara se të hidhemi e të shikojmë se si u shpreh figura e heroit shqiptar në letërsinë angleze, po themi dy fjalë si forca e tij fizike, guximi e burrëria e shqiptarëve hynë në gjuhën angleze dhe u bënë proverbiale. Ose nga bashkëluftëtarët e Xhon of Njuport që ktheheshin gjallë në atdhe të veshur me petkun shqiptar të asaj kohe, ose nga vetë kalorësit e Skënderbeut, që më vonë lanë atdhenë e robëruar dhe i ofruan shërbimet e tyre ushtarake mbretëreshës Elizabeta, poeti Edmund Spencer ( 1552-1599) u njoh me kostumin kombëtar të arbëreshëve e kështu shkroi në poemën e tij alegorike ‘’Mbretëresha e Zanave (1590) për ‘’mëngë që varen në mënyrë arbërore’’.
Në gjuhën angleze, për një veprim që nuk kishte rezultatin e dëshëruar, sepse i mungonte forca e brendëshme, ishte bërë zakon të thuhej : ‘’Scanderbeg’s sworth must have Scanderbeg’s arm’’. Kështu duke komentuar në veprën e vet ’’Jeta e poetëve’’ replikën e fuqishme që i bën shkrimtari Kongriv (Congreve) kritikës së ashpër të Kollierit Collier) një kritik i njohur i kohës, Samuel Xhonson (Samuel Johnson) thotë për Kongrivin: ‘’He has the sworth without the arm of Scanderbeg. (E ka shpatën, por nuk ka edhe krahun e Skënderbeut). 5)
Veprat e para letrare të autorëve anglezë për Skënderbeun i gjejmë qysh herët.
Poeti i madh i Rilindjes angleze, Edmund Spencer(*), për të cilin folëm më sipër, shkruan një sonet mbi Skënderbenë, me të cilin përcolli botimin e veprës së Lavardenit në gjuhën angleze.
Pse mburret kot e Lashta kaqë fort
Me monumentet e moçëm burrash trima,
Heronj që përmes veprave pa mort
Mahnitën botën, dhe në prallë e rima
Çdo foshnjë i nxën? Njerzim’ i admiron
Statujat e tyre, kolose të larta
E beret triumfore q’i përshkon
E bukura me madhështit’ e narta.
Ja Një, që koha von’e nxor në dritë,
Ndër të mëdhenjtë krah më të madhit shkon:
I madh në zë, pushtet e në vetitë,
Triumfe të vërtetë meriton.
Kamzhik për turqit, për armiqtë rrufe-
Ky libër flet për Ty, o Skënderbe!
————
(*) Edmund Spenser (1552-1599) shquhet nder më te madhenjte poete epike te Rilindjes Angleze.Ai cilësohet ”poeti më i madh anglez i eres Elisabetiane. .(The world book encyclopedy,1993)
Ky sonet u permend më 1596 nga Zachary Jones kur botoi anglisht përkthimin e historianit frëng J.Lavardin’’Historia e Gjergj Kastriotit, të mbiemëruar Skënderbe’’.Botimin anglisht të këtij libri , Jones e përcolli me një sonet për Skënderbenë prej Edmund Spenser i cili edhe në kryeveprën e tij’’Faerie Queene’’(Mbretëresha e zanave), në këngën e tretë, kreu XII, vargu i 10-të, e vesh mbretëreshën Elisabeta me fustan ‘’që mëngët i varen në mënyrë arbëreshe (Sleeves dependant albanese iyse).
Këtë sonet të vyer mbi Heroin Kombetar S.Luarasi e ka bërë të njohur për here të pare ne studimin e tij ”Skenderbeu ne letersine angleze” ndërsa përkthimin e publikoi më 16 janar 1977 (Gazeta Drita, f.12)
Njohja e këtij soneti paraqet një rëndësi të veçantë për lidhjet kulturore anglo-shqiptare, ndaj po e japim edhe origjinalin anglisht:
Iherefore doth vain Antiquity so vaunt
Her ancient monuments of mighty peers
And hold heroes, ihich their iorld did daunt
Iith their great deeds and filled their children’s cares.
Iho rapt iith ionder of their famous praise
Admire their statues and Collossoes great
Their triumphal arcs ihich they did raise,
Their huge pyramids, iho do heaven threat.
Lo One, ihom later age hath brought to light,
Matchable to the greatest of those great:
Great both by name and great in poier and might
And meriting a mere triumphal feat.
The scourge of Turks and plague of infidels,
Thy acts, o Scanderbeg, this volume tells
(Vijon)
Skënder Luarasi
Skënderbeu në letërsinë angleze.
Për Kristofor Marloun ( Christofor Marlowe, 1564-1593), dramaturgun e njohur anglez, paraardhësin e Shekspirit, thuhet se qe autori i dramës ‘’Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit’’, e cila u luajt në teatrin e Londrës më 3 korrik 1601. Humbja e dorëshkrimit të dramës është një fatkeqësi për letërsinë rreth heroit shqiptar. Porse, në qoftë e vërtetë sa thuhet prej kritikëve, se Marlou cilësitë e Skënderbeut ia veshi Tamurlanit në dramën e tij të parë që pati shumë sukses ‘’Tamurlani i madh’’ (rreth vitit 1587), atëherë mund të themi se autori i ‘’Doktor Faustit’’ dhe i ‘’Jahudiut të Maltës’’ do të kishte pasë krijuar në figurën e Skënderbeut shëmbëlltyrën e mbinjeriut.
Vetë Shekspiri vetëm sa e përmend Shqipërinë me emrin e saj të lashtë Iliria në komendinë ‘’Nata e Dymbëdhjetë‘’ dhe Durrësin me emrin Durrachium në ‘’ Komendinë e gabimeve’’.
Në shek. XVIII në letërsinë angleze shtohet interesi për figurën dhe epokën e Skënderbeut. Prej kësaj periudhe kemi tri tragjedi. Njëra me titull ‘’Scanderbeg’’ u shkrua prej U.Havardit (W.Haward) dhe u shfaq më parë se të tjerat më 1733 në teatrin Gudmes Fieds.
Havardi e nis dramën përpara luftës së Nishit. Kur Skënderbeu ishte thirrur nga patriotët dhe bëri përgatitje për t’u kthyer në atdhe, ai bie në konflikt me Muratin dhe nis luftën kundër tij në afërsitë midis Edrenesë dhe Kostantinopojës. Skënderbeu që posa është kthyer nga Azia jep urdhër të lirohen skllevërit të cilët i solli nga lufta ngadhnjimtare:
Jo; do të rrojnë! I lajmëroi se janë
Të falur e të lirë; vojtën tepër
Në burgje e në vargonj. Po vetëdija
Munduar prej së keqes që kanë bërë
Është dënim i mjaftë. Të lirohen!
Lirimin e robërve të luftës, Skënderbeu e arrin me një fjalë, por jo edhe lirimin e princeshës së tyre, Deamirës. Atë do ta shpëtojë prej kthetrave të sulltanit pas një lufte të rreptë. Sulltani me cmir të madh bërtet:
Skënderbeu lindi për ngadhnjim të botës:
Burrat i mund dhe gratë atij i binden.
Në aktin e dytë, skena XV, gjejmë krahasimin e fortë midis Muratit që qërton Skënderbenë se ka ambicje të duket i madh sa sulltani dhe Skënderbeu i përgjigjet:
Sa për meritën të jem një si ti
Nga kjo heq dorë – e s’mund ta quaj mburrje
Që të mendoj se unë jam më lart
Nga më i madhi burrë i lik i botës.
Në skenën e tretë të aktit të pestë, Skënderbeu, duke folur me adjutantin e tij, para luftës shpreh mendimin e vet mbi vdekjen:
Vërtet, pasojë e jetës është vdekja:
E rëndësishme s’është që do vdesim.
E rëndësishme është si do vdesim.
Në fund , kur sulltani vdes i çmëndur, drama mbaron me fjalët e Skënderbeut:
Le të vendoset trashëgimtar i tij
Me çfarëdo pushtet; kurora jonë
Qoftë e virtutit dhe e dashurisë.
Dhe me këtë medim autori na le të mendojmë se Skënderbeu niset për Shqipëri.
Siç del, kjo dramë ishte tepër sentimentale dhe pak historike.
Nga data e botimit e dyta tragjedi për Skënderbenë është ‘’Heroi i krishterë‘’ prej Xh.Llillos (George Lillo). Kjo vepër, që është më e forta për Skënderbenë, u shfaq herën e parë më 1734 në teatrin Druri Lane.
Ky djalosh argjendpunues nuk është ndonjë shkrimtar i ndormë dhe i rëndomtë. Me të katër dramat në prozë e me temë nga shtresa qytetare, ai solli element të ri në dramën e asaj kohe dhe ndikoi në krijimtarinë e disa talenteve të fortë si encilkopedisti frëng Didero dhe shkrimtari e kritiku gjerman Lesing. Në veprën e tij të pestë me temë shqiptare, Lillo kthehet në tragjedinë konvencionale: shegerti londinez bëhet heroi fetar, mbreti – patriot e Londra bëhet Krujë.
Llillo që në prolog shënon: ‘’Sonte këndojmë për Gjergj Kastriotin, heroin besnik e mbretin atdhetar; natyra atë e lindi të dënojë ambicjen dhe të mbrojë njerëzimin’’
Në epilog, duke frushkulluar ata oborrtarë që kur flasin për të mirën e popullit kanë ndër mend të mirën e vet, poeti pyet: ‘’Po a ka të atillë që i shërbejnë atdheut dhe të mos e bëjnë këtë gjë për fitim të vetin?’’ Dhe i përgjigjet pyetjes: ‘’Posi jo! Gjergj Kastrioti qe një burrë I tillë!’’
Helena, e bija e sulltanit që e dashuron Skënderbenë, pasi përshkruan vetijat e princit arbër të pashoq në burrëri, në bukuri, në mençuri, në ëmbëlsi, i tmerrshëm e i rreptë në luftë por dhe i drejtë në gjykime, i mëshirshëm dhe i përmbajtur, thotë për Skënderbenë:
Kush të njeh ty, dhe nuk të don, tregon
Se është cmirëzi dhe e përçmon virtutin.
Në aktin e katërt vdes e bija e Muratit në krahët e Skënderbeut, të cilin e ka lajmëruar të ruhet prej tradhëtarit Hamzë. Duke vdekur i lutet Skënderbeut të mos ia vrasë tanë, po ta zërë rob. Dhe vërtet në aktin e pestë hyn Skënderbeu bashkë me Arianitin dhe të bijën etij të liruar. Sjellin edhe sulltanin rob të lidhur me hekura. Skënderbeu urdhëron ta zgjidhin dhe ta lenë të lirë. ‘’Helena, e bija plot virtute, e denjë për një mbarim më të mirë, ma shpëtoi jetën mua’’. Në këtë skenë vdes sulltan Murati me porosi për të birin që t’ia marrë hakun.
Fjalët e fundit janë të Skënderbeut: ‘’Që jeni të gëzuar e të lirë, kjo më bën të gëzuar mua. Ndë e kreva drejt detyrën jam shpërblyer’’. Dhe populli i përgjigjet:
Ju duam si duhet: si polem i lirë
Duhet të dojë mbretin patriot.
Në tragjedinë e Llillos gjejmë Arianitin dhe të bijën Althea të zënë rob. Qndrimi i Arianitit përballë sulltanit, edhe në Llillon, është i një burri të fortë. I thotë sulltani Arianitit: ‘’Po të mendonin mbretrit e krishterë kështu si ti dhe Kastrioti, vallë a do t’ju linin të lëftonit vetëm?’ I përgjigjet Arianiti:
O poshtërsi! o turp që s’lahet kurrë!
Po të bashkoheshin, Evropa e gjorë
Nuk do t’rënkonte nën zgjedhën tënde,
Dhe të vajtonte humbjen e lirisë.
Tragjedia e tretë ‘’Skënderbeu ose Liri dhe Dashuri’’ (Scanderbeg or Love and Liberty), prej Tomas Uinkop (Thomas Wincop), u shkrua më herët, përpara motit 1730, por u botua më 1747.
Emrin e Uinkopit, i cili shkroi për heroin tonë kombëtar këtë vepër entuziaste, nuk e përmendin as Enciklopedia britanike dhe as tekstet e historiesë së letërsisë angleze.
Tomas Uinkopi jetoi në një epokë kalimtare.(*)
Xhon Drajden, përfaqësuesi i letërsisë së restauracionit që e ka përmendur emrin e Skënderbeut në letrën që u dërgoi Uigëve, vdiq më 1700.
Epoka u pagëzua prej kritikëve me aq emra sa pati edhe tendenca letrare; shekulli Augustian, i Ndriçimit, i Arsyes, i Artë. Në këtë shekull jetuan dhe shkruan veprat e tyre të pavdekshme Daniel Defo, Xhonatan Svift (Jonatan Suift) Xhozef Edison (Josef Adison) i cili e ka vlerësuar Skënderbenë në ‘’De Koverli Pepers’’; dhe më i riu ndër gjigantët Samuel Xhonson. Me këtë të fundit që lindi më 1709, Tomas Uinkopi do të ketë qenë vërsnik.
Uinkopi, si mik e shok më i ri i shkrimtarit të përmendur klasik Aleksandër Pope (A.Poup), e shkroi veprën nën ndikimin e asaj rryme letrare që kritikët e quajnë neoklaciste . Dhe si i ri që ishte, hartoi një dramë lirike, ku ndjenja e dashurisë së Skënderbeut del në pah disi e tepruar; por heroi shquan nga ndjenjat e larta të patriotizmit dhe nga ndjenjat e bukura të humanizmit të Rilindjes. Ndër personat e tjerë të dramës është Arianiti dhe e bija e tij Arianisa. Në gjuhën e zjarrtë të iluministit autori e vesh Arianitin me virtutet e popullit arbër, me besë, nder e burrëri dhe Arianisa, e dashura e Skënderbeut, është personifikimi i vetë Shqipërisë në qëndresën e saj të patundur kundër turqve.
Drama përcillet me një përshkrim historik shtatëmbëdhjetë faqesh të Shqipërisë së Skënderbeut të bazuar në historinë e Barletit. Për dramën autori zgjodhi një çast të rëndësishëm, rrethimin e Krujës më 1451 prej sultan Muratit, i cili sipas versionit të disa historianëve vdiq në afërsit eë Krujës dhe jo në Edrene. Këtë mot ndodhi edhe martesa e eSkënderbeut me Donikën, të cilën autori, për licencë poetike e quan Arianisa, sikundër po ashtu e quan edhe Mamicën me emrin Amisa, e cila qe martuar me Topinë që më 1445.
Uinkopi e nxjerr Skënderbenë si hero që e mbuloi veten me famën e luftëtarit të patrembur dhe guximtar për çlirimin e atdheut të vet. Fjalët që thotë autori për Skënderbenë përmes Arianit janë të denja të qëndrojnë në faqen kryesore të monumentit të Skënderbeut:
Sa kohë të përmendet Arbëria
Në faqe t’Historis’ e ndër shekuj
Atdheu ynë q’e shpëtove ti,
Ka për të ngritur shtyllë triumfale
Me lavd që s’do njohin vdekje kurrë,
Në emrin tënd, o Skënderbe, që mposhte
Krenin’ e vrazhdë të fuqis otomane.
(Vijon)
Skënder Luarasi
Skënderbeu në letërsinë angleze.
Në dramën ‘’Skënderbeu’’, T.Uinkopi u ngre një përmendore të bukur edhe dy shokëve të Skënderbeut, plakut Uran dhe djaloshit Topia, të cilët njeri pas tjetrit qëndruan të patundur në tre rrethimet e Krujës, i pari duke e mbrojtur kundër sulltan Muratit dhe i dyti kundër sulltan Mehmetit.(*)
——————-
(Shtesë)
Thomas Whincop (1709 ? -1730) poet e dramaturg anglez.
Drama Skënderbeu ,eshte me e mira veper e Uinkopit ku,siç shkruan një miku i tij:’’Muzën poetit ia frymëzoi liria/Mendimet më të flakta –dashuria.
Ajo u botua më 1747, pas vdekjes ,në moshë të re, të poetit.
Kjo vepër e vyer për shqiptarët u shqipërua nga S.Luarasi që më 1920 kur studjonte në Sh.B.A (shih Revista Studenti,janar 1920 dhe u botua më 1967 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar
Kjo dramë në vargje, për kohën kur u shkrua paraqet vlera të madhe.
(Fragment)
Tomas Uinkop
Skënderbeu: Dashuri dhe liri (*)
Skënderbeu
Këtu qëndroni trima t’Arbërit,
Të lindur n’Atmen e luftarit Piro:
Miq, vëllezër,shokë lufte të pandarë,
Një grimë vetëm ndalnit’ju them shkakun,
Të rëndësishmin, që ju grish në luftë.
Ja fusha e armikut guximtar
I cili nga vonesa jonë e paqa,
Si tepër gjatë po vazhdon të mburret,
Po na krekoset e kërkon të dalë
Ngadhnjimtar mbi trimërinë tuaj.
Pret çastin e volitshëm të na bjerë.
Atdheu juaj, gratë, kalamajt
Ju luten të përdorni armët sot,
Të mbroni jetën dhe lirinë e tyre.
Në daltë fitimtar sulltani turk,
Në daltë zot armiku gjakatar,
Dhe ta fitojë luftën egërsira
Mendoni, miq, se ç’fat e pret atdhenë:
C’zezonë e dëshpërim e pret polemin!
Në fushë e mal mbizotërojnë flakët;
Pallate e tempuj bëhen shkrumb e hi;
Cdo gjë e bukur kthehet në gërmadhë.
Nga prush’i tyre ka për t’avulluar
Gjaku i qytetarëve të therur.
Ja baba plak që kot po lyp të falur,
Shih vajzën e rrëmbyer e të vrarë
Përpara sysh të prindërve të saj.
Dhe foshnjë e gjirit që në qesh pa faj,
Edhe ajo s’do gjejë dhimsuri.
O pamje e zezë! Që mos ngjaftë kurrë!
Me trimërinë tuaj do ta ndalni.
Miq, ja qyteti i Krujës prapa nesh;
Përbrenda ledheve të tij qëndron
Cdo gjë që ju e quani të shtrenjtë;
Kaluam jashtë portave të tij:
I mbyllën-ja, u kyçën-hyrja prapë
Lejohet vetëm për ngadhënjimtarin.
Dhe kush do t’jetë ngadhënjimtari sot-
Do ta vendosin këto shpatat tona!
Shqipëroi Skënder Luarasi
(Shtesë nga Petro Luarasi)
———————————–
Edhe në veprën e Bajronit, për të cilën Shqipëria qe një temë e dashur, shohim të flitet për Skënderbenë. Në poemë e tij ‘’Çajlld Harold’’ poeti i madh anglez e përshëndet atdheun tonë me këto vargje:
O Shqipëri, ku lindi Iskanderi –
Këngë e rinisë, fanar i t’urtëve! –
Dhe Iskënderi tjetër, që i dërrmoi
Përherë armiqt me pallën e tij kreshnike;
Sipas autoriteteve që përdori historiani anglez Knolles ‘’Skënderbeu gjithmonë luftonte kundër turqve me krahun llërëpërveshur dhe qëllonte me aq forcë sa shpesh i pëlciste gjaku nga buzët. 6)
Në djalërinë e tij, Bajronit, sikundër Samuel Xhonsonit, i pëlqente shumë të lexonte ’’Historinë e Turqve’’ prej Knolles, dhe romantiku i famshëm do të ketë patur këtë pikturë të Skënderbeut në mendje kur përshkroi Alpin në ‘’Rrethimin e Korinthit’’:
Krahun e ka çveshur.
Kështu është edhe tehu i shpatës së tij;
Përveshur llërën gjer në bryl, valvit
Acarin hekur në të katër anët;
Kështu në luftë e njohin kurdoherë.
Kudo që duket ai krah i fuqishëm,
Edhe më trimat shtangen para atij.
Henri U. Longfellou (Henry W. Longfelow) pasi lexoi ‘’Kronikat Turke’’ të shkruara hebraisht prej Joshua Ben Joshua Ben Merit, botoi më 1873 në ‘’Tregime te një han afër udhës’’ poemën ‘’Skënderbe’’ e cila e shqipëruar në mënyrë mjeshtërore prej Fan SNolit, ndihmoi shumë në edukimin patriotik të rinisë sonë.
Poema nis me luftën e Nishit dhe përshkruan kthimin e heroit shqiptar në Krujë. Ç’mall atdhetar vloi në atë zemër të madhe:
Kur u gdhi, e n’agullim
Pa kështjellën Ak Hisar,
Krujën, ah atë qytet,
Rreth me mur e me hendek
Tek u lind e tek u rrit,
Yll i mëngjezit mbi të ndrit.
Ajo mbaron me vargjet:
Ja kështu Skënderbeu trim
Mori Krujën me rrëmbim:
Edhe lajmi u përhap
Sin jë flakë e sin jë zjarr
Kur fryn era në behar.
Dhe qytetet afër e larg –
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në qitap të tij fakiri –
Binin me aqë lehtësi
Sa zë burri veshn’ e tij.
Xhejms M.Lludllou (James M.Ludlow) shkroi më 1887 romanin ‘’Kapedani i Jeniçerëve’’. Nga sa dihet, është i dyti roman për Skënderbenë, pas atij të Bentlejt. Qysh në kapitullin e parë të ‘’Kapedanit të Jeniçerëve’’, që kur Heroi është ende në Bruse, në kryeqytetin e vjetër të osmanëve, njihemi edhe me figurën e madhërishme të tij edhe me mendimet e ndjenjat që i vlojnë përbrenda. Ushtarët atje pranë po tallen me një memec. Kur afrohet, ushtarët për respekt largohen dhe kapedani dhe memeci mbeten vetëm. Këtij i çelet goja: ‘’Po të sjell lajm nga Moisi Golemi, nga gjithë viset e Shqipërisë, nga çdo luginë e nga çdo zemër.’’
‘’O fol, se kam mall edhe për gurët e drurët e Shqipërisë së dashur’’. Dhe Skënderbeu dëgjoi i tronditur, tragjedinë e shtëpisë së tij, tragjedinë e popullit të tij
‘’Jepi të falat e mia Moisi Golemit dhe thuaji se Gjergj Kastrioti do t’ia nderojë besimin më mirë me punë se me fjalë…Thuaji se Kastrioti betohet për mjekrën e Moisiut që do të vijnë ditë më të ndritura për Shqipërinë edhe nd’u dashtë ta shkrepin atë shkëlqim nga shpatat tona. Lamtumirë!’’
Me gjithë të metat që mund të ketë aty-këtu, në përgjithësi romani na jep një panoramë interesante të trembëdhjetë vjetëve që pushton, dhe ka përshkrime vende-vende që janë të mrekullueshme. ‘’Për mjekrën e Moisiut!’’ u bë parrullë e kryengritësve kundër turqve; vetë Moisiu u bë një nga figurat më të shquara, por tok me atë të Hamzës edhe më patetikja. Skënderbeu shkëlqen si njeri shembullor dhe hero i vërtetë.
Mendimtarët anglezë e kuptuan fare mirë rëndësinë e luftrave të Skënderbeut. Ndërsa princat anglezë në kohën e Skënderbeut po hanin kokën e njëri-tjetrit në luftrat e Trëndafilave, populli shqiptar nën udhëheqjen e heroit kombëtar luftoi për të mbrojtur edhe atdhenë, por tërthorazi edhe djepin e Renesancës, siç quhej Italia e atëhershme, ku shkollarët anglezë erdhën të pajiseshin me kulturë e të lindnin gjeninj si Shekspiri dhe Marlou. Me admirimin dhe mirënjohjen e tyre ata frymëzuan gjeneratat e reja të Anglisë për Skënderbenë, ‘’se pak luftëtarë’’, thotë historiani Torez, ‘’ kanë lënë prapa tyre një fjalë aq të përjetshme dhe një admirim aq entuziast sa atë me të cilin ky hero ende përfillet prej bashkatdhetarëve të tij’’
Skënderbeu jetoi dhe veproi në pragun e dy botëve: të asaj së mirës që shpinte drejt agimit të rilindjes evropiane dhe të asaj së keqes që shpinte drejt shekujve më të zes të mesjetës. Në këto dy botë të kundërta në ndeshje për të shembur njëra-tjetrën Skënderbeu ndihmoi që të triumfonte e mbara mbi të praptën.(*)
1) C. Marinesco, Alphons V, e l’Albania de Scanderbeg, Paris, 1923, f.130
2) Historia e Shqipërisë
3) F.S.Noli, Georg Castrioti, Scanderbeg, New York, 1945
4) Yll’ I mëngjezit, volI, Nr.7, f.1
5) J.M.Manly, English Prose and Poetry, f.302
6) Edward Creesy, History of the Turks
(*)S.Luarasi, Skënderbeu në letërsinë angleze, Studime filologjike, Nr.4, 1967, f.121-128)
(Studim i botuar me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.)
———————–
Korespondencë
Shoqëria anglo-shqiptare The Albanian society’’
7 gusht 1968
I dashur z.Luarasi
Ju falem nderit që më dërguat përkthimin tuaj të vargjeve të Spenderit.
Unë mendoj se do të jeni i interesuar të dëgjoni se artikulli juaj në ‘’Studime filologjike’’, ’’Skënderbeu në literaturën angleze’’, është përdorur në Londër si bazë për mbrëmje letrare dhe si pjesë e programit të aktiviteteve përkujtimor të organizuara nga shoqëria Skënderbeg, me poema e pjesë të lexuara nga anëtarët dhe punonjësit e teatrit të Londrës.
U provua se kjo ishte e suksesshme.
Referencat tuaja për Xhon Njuport ngjallin një interes të madh dhe unë jam përpjekur të zbuloj më shumë rreth kësaj figure. Kjo gjë nuk ka qenë e lehtë, meqë ai nuk ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Anglisë dhe të dhënat tona nga shekulli XV janë të mangëta. Megjithatë unë kam zbuluar në arkivat e shtetit këtu disa dokumenta mbi John Newport të cilat mendoj se për ju do të kenë interes të veçantë. Unë do të kryej fotografimin e tyre dhe përshtatjen në gjuhën moderne dhe do t’ua dëgoj së shpejti. Këtë javë do të udhëtoj në qendrën e familjes Newport të marr disa foto dhe ndonjë regjistrim.
Me këtë rast, kam patur vështirësi në dy pika:
1. Letra e Kardinalit Piccolomini referuar Newport;
Unë kam lexuar koleksionin e letrave të Piccolominit dy herë dhe nuk kam mundut të gjej referencën
2. Burimi i atributeve shtetërore të Newportit në paragrafin 4 të faqes 122 të artikullit tuaj në invazionin e Evropës.
Në rast se do të keni mirësinë të më dërgoni këto dy referenca do t’ju jem shumë mirënjohës.
Me përshëndetjet më të mira
Juaj sinqerisht
W.B.Bland
Sekretar
(Dërguar Skënder Luarasit,
Instituti i Historisë dhe i Letërsisë, Tiranë)