
Anila Berberi
Sonila Otobashi
Pranvera Jazoj/
Përpara fillimit të çdo viti shkollor, edhe pse nuk bëhet fjalë për një shkollë klasike me të gjitha komponentët e saj, ne mësueset e shkollës shqipe “Scanderbeg” Parma, e mbështetur tek Shoqata me të njëjtin emër, “Scanderbeg”, e kemi në program që bëjmë analizën e ecurisë vjetore të procesit didaktik, të zhvillimit në përgjithësi dhe në veçanti të fëmijëve, duke u përqëndruar jo vetëm tek rezultatet e arritura për të cilat sidoqoftë jemi krenarë, por duke u munduar të evidentojmë problematikat e hasura, vështirësitë e lidhura si me punën e mësuesit, ashtu edhe me të nxënit e fëmijëve. Madje, përqëndrohemi më shumë tek këto të fundit, në mënyrë që një vit më pas të kemi rezultate edhe më të mira.
Në kuadër të kësaj analize, vendosëm që të përveshim mëngët duke punuar në disa drejtime.
Për këtë na u desh të punonim me komunitetin, me familjet, me nënat në veçanti, që të rrisnim ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e gjuhës si një faktor në rritjen e fëmijëve, në krijimin e identitetit të tyre, që shërben për t’i identifikuar ata si pjesëtarë të vetë komunitetit, por duke i integruar dhe duke i bërë pjesë e shoqërisë së vendit ku ata rriten.
Na u desh të punonim me veten, studiuam, komunikuam me kolegë të tjerë, rrahëm mendime dhe ide, eksperimentuam, gjetëm metoda më të përshtatshme sipas tematikave që fëmijët të motivoheshin e të nxinin sa më shumë, hartuam programe që në një mënyrë apo në një tjetër të përfshinin të gjithë fëmijët pavarësisht moshave dhe niveleve të ndryshme të zotërimit të shqipes.
Na u desh të punonim me vetë fëmijët, t’i njihnim më nga pranë cilësitë e tyre individuale dhe aftësitë e tyre gjuhësore, të krijonim një marrëdhënie të sinqertë, t’i shoqëronim ata në rritjen e tyre pasi ne besojmë tek forca e edukimit dhe arsimimit afatgjatë për një zhvillim të natyrshëm të fëmijëvë. Le të themi një të vërtetë, edhe ne u rritëm bashkë me ta.
E megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe risive metodike, konstatuam që problemi kryesor i shkollave shqipe, të paktën në Itali është mospjesëmarrja e rregullt në mësim e fëmijëve.
Kurset e gjuhës shqipe normalisht zhvillohen pas orareve të shkollës dhe në pjesën më të madhe në fundjavë. Shpesh herë oraret e kurseve mbivendosen me aktivitete të tjera jashtëshkollore (aktivitete sportive, kurse muzike, teatri, etj), pa folur për studimin dhe detyrat e shtëpisë. Kësaj i shtohen edhe problemet logjistike, mbingarkesa e punës e prindërve, që jo gjithmonë arrijnë të organizohen për të shoqëruar fëmijët.
A duhej të dëshpëroheshim? JOOOO! Edhe pse nuk e fshehim që ndonjëherë jemi dëshpëruar.
A duhej të demoralizoheshim! Absolutisht, absolutisht jo. Kur zgjodhëm këtë mision, nuk e bëmë thjesht për patriotizëm dhe nacionalizëm, as për të bërë fotografi për të treguar se sa shumë atdhetarë jemi! E bëmë me SHPIRT dhe me DASHURI. A mund ta lëmë në mëshirë të fatit dashurinë? Kurrsesi jo! Epo nuk mund të tradhëtonim as shpirtin, gjuhën mëmë që për ne mërgimtarët është flamuri ynë.
Prandaj duke u nisur edhe nga përvoja e konsoliduar në mësimdhënie e grupit të mësuesve të shkollës sonë, për vitin shkollor 2022-2023, si çdo vit, zgjodhëm si moto “Kush flet GJUHËN E NËNËS, BOTËN ka”, duke vënë theksin tek fjala “BOTË” që për çdo fëmijë fillon tek familja dhe përfundon në univers dhe tek fjala “NËNË” që përfaqëson shtyllën e familjes, hallkën parësore të ruajtjes dhe transmetimit të gjuhës dhe të traditave kulturore.
Në këtë këndvështrim, e pamë të nevojshme që të krijojmë një aleancë të veçantë mes shkollës dhe familjes si dy shtylla mbartëse me objektiva edukuese të rëndësishme edhe pse të ndryshme. Për të arritur këtë të gjithë ne menduam të zhvillojmë rolin tonë me frymën e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit, në kërkimin, njohjen dhe promovimin e një tërësie vlerash, nismash dhe synimesh të përbashkëta, të nevojshme për arritjen e një qëllimi të vetëm: formimi i fëmijëve të vetëdijshëm për rrënjët e tyre, për historinë e tyre kolektive, ajo që është në të mirë dhe në të keq, formimi i qytetarëve të ardhshëm plotësisht të integruar dhe jo të mimetizuar, të aftë të kenë një mendim të pavarur fryt i ndërveprimit të dy kulturave.
Ne mësuesëve nuk duhet të na mungojë guximi e kureshtja, as nuk duhet të trembemi të eksperimentojmë risi në mësimdhënie, duhet të jemi edhe të zotë që të fantazojmë, të shpikim, të krijojmë, të gjenerojmë ide, të improvizojmë e tu përshtatemi rrethanave dhe kushteve, duke mbajtur gjithmonë në mendje dhe në zemër që objektivi parësor i mësuesit është që t’i motivojë fëmijët për të ecur përpara në rrugën e bukur të dijes dhe detyrimisht edhe në rrugën e shpresës për të ardhmen, edhe pse ata mund të kenë nevoja dhe interesa shumë të ndryshme mes tyre.
Nga pikpamja didaktike, në një proces mësimor, aktorët kryesorë janë identifikuar gjithmonë në trekëndëshin “mësues – nxënës – prindër”, me role të veçanta dhe detyra specifike. Ndërsa ne këtë vit shkollor, menduam që të eksperimentonim, të ndryshonim këtë koncept duke e konsideruar klasën si “familje të madhe” ku të zbehej ajo vijë ndarëse mes mësuesit dhe prindit, ku mësuesi bëhet pjesë e familjes dhe prindi pjesë e shkollës.
Prandaj menduam të praktikojmë disa tema të veçanta mësimore, një temë në muaj, tema që konceptohen nga mësuesi, përpunohen me prindërit dhe parashikojnë pjesëmarrjen me rol aktiv të vetë prindit “si mësues”, ndërsa mësuesi merr rolin e drejtuesit dhe rregullatorit duke u fokusuar në objektiva të qarta didaktike. Këtë konceptin e përfshirjes së prindërve nuk e kemi konsideruar si të rastësishëm, por si një proces pune të qëndrueshëm që fillon në shtëpi, aplikohet në klasë, vazhdon sërish në shtëpi. Dhe mund të them pa ndroje, se ka qenë kënaqësi që kemi ndarë përgjegjësinë tonë me figurat më të rëndësishme në jetën e fëmijëve, me prindërit.
Cilat ishin objektivat që na shtynë të fokalizojmë ndërhyrjen tek familja, prindërit?
1. Të rrisim komunikimin dhe bashkëveprimin mes mësuesve dhe prindërve, në shërbim të mirëqenies së vetë fëmijëve, për të lehtësuar dhe thjeshtuar të nxënit në një klimë harmonie. Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, në qendër të vëmendjes sonë janë fëmijët si përfitues finalë.
2. Të përmirësojmë përfshirjen e prindërve duke u dhënë një rol aktiv në mësimdhënie, përfshirë ndihmën për detyrat në shtëpi, gjë që do të përmirësojë rezultatet e fëmijëve në përgjithësi.
3. Të respektojmë dhe t’i japim vlerë trashëgimisë sonë kulturore që fëmija e merr në familje për ta bërë më konkrete atë aleancën edukuese nëpërmjet një dialogu, njohjeje dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm me prindërit.
PRITSHMËRITË:
1. Pjesëmarrje më e shpeshtë dhe më aktive e fëmijëve në orët e mësimit (që natyrisht sjell edhe mundësi për mësimnxënie më të madhe)
2. Përmirësim në të shprehur dhe në të folur të gjuhës shqipe nga vetë fëmijët (që është edhe objektivi parësor i të gjitha shkollave tona)
Për këto arsye, gjatë këtij viti shkollor ne kemi zhvilluar disa praktikave specifike në mësimdhënien e gjuhës shqipe me tematika të zgjedhura për arritjen e objektivave:
1) “NINULLAT E ZEMRËS”
– Ky ishte titulli i projektit didaktik, i frymëzuar nga libri me vjersha i mësuese Anila Kadija, ideatorja dhe themeluesja e shkollës sonë që në vitin 2009. Natyrisht që në kuadër të këtij projekti, kemi përdorur edhe materiale të tjera nga folklori, nga gojëdhënat, nga autorët bashkëkohorë.
Projekti u konceptua i ndarë në dy orë mësimi.
Ora e parë e mësimit e “Ninullave të Zemrës” përkoi edhe me hapjen e vitit shkollor ku kishim të ftuar edhe poetë nga Parma. Kjo zgjedhje nuk ishte as e rastësishme, as e paqëllimshme. Është pjesë e filozofisë së përgjithshme të shkollës sonë. Ne duam t’i shikojmë fëmijët tanë pjesë e shoqërisë ku ata jetojnë edhe rriten. Në orën e mësimit, vjershat e mësuese Anilës u lexuan dhe u recituan në shqip përpara një publiku italian dhe shqiptar. Mos harrojmë asnjëherë që vjershat janë thelbësore për t’i mësuar fëmijët se si të shkruajnë, lexojnë dhe kuptojnë çdo tekst. Janë të thjeshta për tu kuptuar, por ofrojnë një qasje të shëndetshme për emocione në rritje. Vjershat dhe poezitë janë si një dritare ku fëmijët shikojnë botën përreth.
Ndërsa orën e dytë të mësimit, që u zhvillua disa muaj më vonë, ne folëm për ninullat, këngët e djepit.
Po pse ninullat?
Të gjithë e dimë që ninullat burojnë nga shpirti. Me fjalët e tyre, nënat thurrin ëndrrat për të ardhmen e fëmijës së tyre. Ato janë shprehja më e jashtëzakonshme e thellësisë së dashurisë dhe shpresës, prandaj edhe fuqia e ninullës është dhe mbetet e përjetshme. Si ai kordoni i kërthizës që ka mbajtur nënën të lidhur me fëmijën për nëntë muaj, ashtu edhe ninullat janë një fill dashurie që lidh zemrën e nënës me të fëmijës gjatë gjithë jetës.
Me ninullat fëmijët fillojnë njohin strukturat e para gjuhësore dhe muzikore, përdorimin e fjalëve dhe mënyrat e shprehjes, njohin personazhe dhe zakone, traditat e mjedisit të vet familiar dhe kulturor. Është ky univers që do t’i rrethojë edhe si të rritur.
Pikërisht për këtë arsye, në këtë orë mësimi ju kërkua të gjithë nënave që të nxirrnin nga kujtesa e tyre tekste, këngë ninullash, melodi të ndryshme, fjalët e së cilave transmetojnë traditat tona dhe përfaqësojnë kulturën tonë.
Ora fillon me rrëfimin e dy nënave, Valentinës dhe Aleksias, të cilat u ftuan të ndanin me ne përvojat e tyre vetjake. Ishte shumë e dukshme përcjellja e emocioneve në këtë rrëfim nga një brez në tjetrin, të dy botëve kaq të largëta nga disa këndvështrime, por shumë të afërta për disa të tjera. Pyetjet e fëmijëve nuk rreshtnin dhe rrëfimi mori formën e një bashkëbisedimi të këndshëm që nuk do të donim të mbaronte kurrë.
“Fli, shpirti im pusho nën dritën e hënës fli,
engjëll fli lundro nën ngjyrat e ëndrrës.”
Mësimi u bë edhe më tepër interesant me shpjegimin e ninullave, formën e tyre lirike, duke shpjeguar forcën e formave metaforike të të shprehurit, figurat letrare që perdoren zakonisht si krahasimi dhe personifikimi. Nëna e krahason vajzën me gonxhen e trëndafilit, me hënën e diellin, me zanën e malit, kurse djalin e krahason me pëllumbin, yllin, sokolin, shqipen e malit.
“Të më rritesh biro si Korabi o
Porsi shqipe mali të më bëhesh o”
Shumë i bukur është personifikimi i gjumit të cilin nëna e paraqet si pëllumb që vjen dhe e merr fëmijën në krahët e tij. Shjeguam gjithashtu që melodia e të kënduarit dhe figurat letrare të përdorura ndryshojnë nga veriu në jug të Shqipërisë, nga njëra trevë në tjetrën, duke nënvizuar rrënjët e thella të kësaj tradite. Jo pa qëllim kishim zgjedhur dy nëna, njëra me origjinë nga Kukësi dhe tjetra nga Vlora.
Për ta bërë më interesant mësimin, mësueset kishin përgatitur një kolazh me foto dhe u shpjeguan fëmijëve si ishin të organizuara më parë odat shqiptare tradicionale, u folën për djepin si personifikim i vazhdimësisë së jetës dhe traditës familiare, për sofrën ku mblidhej familja për të ngrënë, por edhe ku pleqëroheshin probleme të ndryshme, për çiftelinë si pjesë e kulturës sonë muzikore, për qilimat karakteristikë, për oxhakun apo mangallin.
Pjesa më e bukur e orës së mësimit qe prezantimi i albumeve të përgatitura nga fëmijët në bazë të një flete pune me pyetje konkrete të përgatitura nga mësueset. Kjo fletë punë përmbante të dhënat të thjeshta si datëlindja dhe vendlindja, kur u kishte dalë dhëmbi i parë, kur kishin filluar të ecnin dhe të shqiptonin fjalën e parë etj, etj. Zgjedhja e fotografive dhe renditja e tyre ishte bërë po nga fëmijët, të cilët shpjeguan arsyen pse kishin zgjedhur ato foto dhe pjesën emocionale që iu transmetonin kur i shikonin. Disa kishin zgjedhur foto ku paraqiteshin vetëm, të tjerë me mamin dhe babin, disa me motrën ose vëllain, disa me gjyshërit.
REZULTATI
Nëse pasditen e një të shtune pranvere, pas një jave të lodhshme me aktivite shkollore dhe jashtëshkollore, shikon dritë në sytë e fëmijëve në fundin e orës së mësimit, do të thotë që ke arritur të përkedhelësh thellë botën e tyre kristalore dhe të ngjallësh interes të hapur drejt një bote që vërtet u përket, edhe pse duket si e re dhe e pafundme.
2) “GATUAJMË KULAÇ ME MAMI VERËN” –
Ky është një mësim i zhvilluar duke aplikuar metodën laboratorike, një nga strategjitë didaktike më aktive dhe frytdhënëse. Koncepti që qëndron në bazë të këtij mësimi është i thjeshtë, por i rëndësishëm: Le të krijojmë një skuadër për të punuar më mirë dhe për tu rritur të gjithë bashkë.
OBJEKTIVAT:
Kjo metodë synon të nxitë fëmijët që të dominojnë aftësitë vetjake, t’i eksperimentojnë dijet, të zhvillojnë anën praktike sepse prodhojnë, punojnë konkretisht, e dinë ku do të arrijnë dhe përse.
Gjithashtu ky organizim ndihmon fëmijët për tu futur në botën e kërkimit dhe zbulimit, falë punës së tyre edhe përvojës me të cilën do të vihen në kontakt.
Në këtë aktivitet:
I është kushtuar vëmendje një manipulimi praktik, pra nuk mjaftojnë vetëm shpjegimet gjuhësore verbale. Fëmijët u njohën konkretisht me mjetet e punës, pajisjet e kuzhinës dhe me përbërësit që nevojiteshin për realizimin e produktit të tyre të dëshiruar.
Fëmijëve u janë shpjeguar hapat kryesore ose veprimet që duhet të ndërmerreshin, por fëmijëve ju shpjegua që të mos harrojnë asnjëherë që procedurat duhen respektuar, por fantazia dhe imagjinata mund të na çojnë ngado.
Nuk duhet të kishte një zgjidhje të vetme. Për këtë fëmijëve ju dha mundësia të zgjedhin dhe të vendosin vetë për disa aspekte, psh. për sasinë e përbërësve, për format e biskotave, për pajisjet që do të zgjidhnin të përdornin;
Si rrjedhojë u shfaqën nivele të ndryshme interpretimi. Bota e fëmijëve është pa fund, po aq sa edhe këndvështrimet dhe propozimet e tyre.
Ju kushtua rëndësi edhe vlerave metaforike duke sjellë në kujtesë tradita familjare. Zgjodhëm kulaçin me një monedhë brenda, pikërisht për të respektuar traditën e shumë zonave të Shqipërisë, por edhe për të argëtuar dhe suprizuar fëmijët.
MJEDISI DHE ORGANIZIMI I AKTIVITETIT
Mësimi u zhvillua në mjediset e një kuzhine të përshtatshme dhe të pajisur mirë, ku fëmijët të ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Nuk qe fare e vështirë të nxisnim pjesëmarrjen aktive të nxënësve, të ndiznim dritën e kureshtjes tek ta, të favorizonim mësimnxënien, nëpërmjet zbulimit dhe ndërveprimit mes tyre duke i ndarë në disa grupe të vogla sipas detyrave që u ngarkonte mami Vera dhe mësuese Sonila.
Fillimisht, ky aktivitet parashikoi një mësim frontal që zgjati pak minuta ku mami Vera shpjegoi përbërësit që do të përdornim për “produktet e duarve të tyre”, veglat dhe pajisjet e kuzhinës, duke i parë dhe duke i prekur me dorë. Pastaj fëmijët u ndanë në grupe, një pjesë merreshe me përgatitjen e kulaçit nën drejtimin e mami Verës dhe pjesa tjetër me përgatitjen e biskotave nën drejtimin e mësuese Sonilës.
REZULTATET
Nga këndvështrimi i mësimnxënies, fëmijët mësuan që të diskutojnë duke ballafaquar mendime të ndryshme, duke ndihmuar njëri tjetrin, por mbi të gjitha u argëtuan.
Nga këndvështrimi i përfshirjes dhe pjesëmarrjes së prindit, u vu re një bashkëpunim dhe bashkëveprim i përsosur me të gjithë prindërit. Komunikimi i mësueseve me ta kishte lidhje me pjesën logjistike dhe materiale, dhe më pas prindërit ndanë detyrat mes vetit.
3) BABI IM ËSHTË MURATOR”
– është një orë mësimi e organizuar me pjesëmarrjen e një prindi, konkretisht babi Shpendit, sipërmarrës në fushën e ndërtimit që i veshur me tesha pune tregoi me thjeshtësi se si ndërtohet një godinë/shtëpi. Në qendër të kësaj ore mësimi është ndërtimi i njohurive bashkë me fëmijët për të zhvilluar procese të ndryshme dhe më autonome të dijes duke lidhur konceptin e figurës me sendin.
OBJEKTIVAT
Kjo orë mësimi parashikon:
Të ndërgjegjësojë fëmijët për respektin ndaj punës si mjet që i ndihmon të rriten shëndetshëm duke u bazuar tek vlerat. Që në krye të herës, filozofia e shkollës sonë ka qenë një thënie e Albert Einstein: Përpiqu të bëhesh jo një njeri i suksesshëm, por një njeri me vlera.
Të forcojë raportin e fëmijës me prindin, duke mos harruar asnjëherë që prindi është figura thelbësore në jetën e fëmijës dhe një shembull prindi punëtor e i përkushtuar ndaj punës e profesionit, i ndihmon edhe vetë fëmijët të rrisin vetëvlerësimin e tyre.
Të forcojë raportin e fëmijës me dijen pasi dija është njohuri në veprim.
Të mbjellim farën e pasioneve, pasi janë pasionet ato që vënë në lëvizje botën dhe e bëjnë jetën më të bukur. Një proverb kinez thotë: në të gjitha farat që do të mbjellim sot, do të rriten lulet e të nesërmes. Edhe pasionet janë si bimët: rriten nga fara të vogla. Le të ushqejmë filizat e pasionit tek fëmijët tanë, një ditë do të rriten duke e ditur që ka shumë zeje e mjeshtëri, ka shumë profesione dhe një botë të pafundme mundësish,
ZHVILLIMI I ORËS SË MËSIMIT
Kjo orë mësimi kishte në qendër babi Shpendin i cili u shpjegoi fëmijëve:
Fazat e ndërtimit të një godine, duke filluar nga projekti, nga hedhja e themeleve dhe deri tek çatia, tek punimet e brendshme dhe rifiniturat.
Figurat kryesore që marrin pjesë në të gjitha fazat e ndërtimit të një godine, rëndësinë e rolit dhe funksionit të secilit prej tyre
Veshjet e punës dhe pajisjet mbrojtëse individuale.
Rëndësinë e përqëndrimit në punë dhe respektimit të rregullave të sigurisë, si thelbësore për të mbrojtur veten dhe shokun.
Parashikimi i mjediseve të gjelbërta dhe rëndësia e mbrojtjes së mjedisit.
MJETET E PUNËS
Për të realizuar në mënyrë sa më efikase këtë orë mësimi mësueset kishin përgatitur:
Një skedë pune me figura për të identifikuar veglat kryesore të përdorura më shpesh nga një murator.
Skeda përmbante edhe hapësirat e dritareve përbri figurave të cilat duhet të plotësoheshin nga fëmijët me fjalët përkatëse në shqip, duke realizuar lidhjen figurë – send. Në këtë mënyrë, fëmijët arrinin të formonin edhe një fjalorth ndihmës.
PËRFSHIRJA AKTIVE E FËMIJËVE
Mësueset duke koordinuar mësimin bënë të mundur që:
Fëmijët të shkruanin me rradhë emrat e figurave në tabelën e klasës, ku herë pas here, kur lindte nevoja, mësuesja ndërhynte dhe bashkë me fëmijët e tjerë ripërsëritin çështje gramatikore të lidhura me shkrimin dhe shqiptimin në veçanti të disa gërmave, si ç, ë, sh, etj.
Ndërsa njihnin veglat, në klasë fëmijët bashkë me mësuesen dhe babi Shpendin diskutuan se ku dhe si përdoren ato, për format e tyre dhe përmirësimet që janë bërë ndër vite, për zhvillimin dhe futjen e teknologjisë edhe në fushën e ndërtimit.
Një temë e ndjeshme të cilës i kushtuam shumë rëndësi në këtë orë mësimi ishte e lidhur me marrëdhënien tonë me mjedisin që na rrethon, rëndësinë e krijimit të mjediseve të gjelbërta dhe të kujdesit që duhet të tregojmë për të ruajtur dhe mbajtur pastër mjedisin.
Së fundi, të gjithë bashkë dëgjuam dhe kënduam këngën “Duart e vogla”.
REZULTATET
Fëmijët kuptuan se pas një sendi apo objekti të bukur, qëdron një punë e madhe. Çdo punë realizohet me bashkëpunimin e shumë profesionistëve dhe vetëm një bashkëpunim i mirë sjell rezultate të kënaqshme.
Kjo është një përmbledhje e shkurtër e disa prej aktiviteteve që u organizuan gjatë këtij viti shkollor. Jemi të kënaqur për rezultatet e arritura. Mjafton të përmendim një nga “sukseses” e fundit që ka lidhje me konkursin e organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën “Një letër gjyshes”. Edhe fëmijët tanë përgatitën një letër për gjyshen/gjyshin, ose më saktë: të gjithë fëmijët kishin shkruar një letër për gjyshen, por ne konstatuam që vetëm 2 prej fëmijëve e kishin shkruar vetë, ndërsa në letrat e tjera lexuam me shumë dëshirë, por edhe kënaqësi që prindërit ishin impenjuar fort t’i shkruanin ata vetë një letër prindërve të tyre. A mund të mos e quajmë arritje?!!!!
Prandaj këtë verë, të gjithë prindërve bashkë me fëmijët, u kemi caktuar detyrën të përgatisin pemën familjare, që do të jetë edhe pjesë e programit didaktik për vitin 2023-2024.