Nga Anton Çefa*/
Historikisht në kulturën shqiptare dhe veçanërisht në letërsinë tonë janë përvijuar dy qëndrime ndaj psikologjisë etnike të popullit tonë: përlavdimi deri në mitizim dhe kritika deri në akuzë. Të dy qëndrimet kanë synuar gjithnjë në një hulli të përbashkët: në emancipimin shpirtëror të popullit, në kulturimin dhe përparimin e tij në çdo fushë.
Si një popull i lashtë me një nivel të konsiderueshëm qytetërimi, më tepër të supozuar se të dëshmuar, duke pasë marrëdhënie afrie me popujt grekë e romakë, që arritën shkallë të larta të qytetërisë, dhe duke u ndodhur në një trevë kryqëzimi kulturor të rëndësishëm, tek ai që heret u kristalizua një psikologji e veçantë etnike, dalluese, që u bë në të njëjtën kohë një ndër faktorët përcaktues të dorës së parë të mbijetesës së tij. Kjo strukturë shpirtërore, ashtu siç na dëshmohet në folklorin, historinë, kulturën dhe aspektet e tjera të jetës materiale, shoqërore dhe shpirtërore të popullit, sa e lashtë aq edhe origjinale, erdh e u ruajt nga tjetërsimi, i ndikuar nga faktorë të jashtëm e të brendshëm shpirtërorë e joshpirtërorë deri në ditët tona. Tharmi i saj edhe sot e kësaj dite plazmon jetën e popullit tonë në të gjitha shfaqjet e saj.
Larg mendësh, sot në ditët tona ta mitizojmë e ta shpallim me mburrje, larg mendësh ta absolutizojmë pozitivitetin e saj, po edhe larg mendësh çdo mohim i origjinalitetit dhe rolit të saj në fatet kombëtare të popullit tonë.
Rilindasit u kapën më së forti ndaj këtij faktori për të realizuar qëllimin e tyre, zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, që kishte rënë në një letargji përhumbjeje gjatë shekujve të sundimit otoman dhe prandaj ata edhe e mitizuan, duke ngritur në superlativ cilësitë pozitive të popullit tonë, vlerat morale e shoqërore të tij, virtytet karakterizuese të “racës”, siç i thonin ata, bëmat e tij historike, etj. Në ballë të këtij trajtimi qe Naimi, apostulli.
Po edhe në këtë periudhë nuk mungoi ana tjetër e medaljes, ajo e kritikës që bëhej për të prekur në sedër shqiptarin me qëllimin e aktivizimit të tij në veprimtarinë e gjithanshme kombëtare.
Kronologjikisht, periudha e mitizimit të psikologjisë sonë etnike në kulturë dhe në letërsi vjen deri më 1912 dhe bile deri më 1920, kur në rend të ditës së çështjes shqiptare qëndronte pavarësia dhe formimi i shtetit shqiptar.
Mbas këtij viti, d. m. th., mbas formimit të shtetit shqiptar, për trojet që përfshinte ky, në plan të parë përvijohet formimi i ndërgjegjes së shtetasit, qytetarit.
Qëndrimi i ideologëve, shkrimtarëve, publicistëve, etj, ndaj këtij problemi lidhet natyrisht edhe me faktorë të tjerë, përveç kronologjisë historike. Rol të veçantë në këtë mes, në fushën e letërsisë artistike, lot gjinia, lloji letrar. Destinacioni i veprës letrare përbën gjithashtu një element përcaktues në këtë fushë. Nëse vepra qe sendërtuar për të huajt, atëherë po, vazhdon përlavdimi i shqiptarit, i vlerave të tij shpirtërore, i kulturës, i së kaluarës së tij historike; por ndryshon puna nëse ajo është destinuar për popullin tonë. Në këtë rast, ajo sendërtohet mbi tehun e një kritike të ashpër, shpesh edhe shumë të ashpër.
Veprimtaria letrare e Konicës, e shikuar në këtë prizëm, përbën objektin e trajtesës sonë.
Kjo veprimtari kronologjikisht i takon dy periudhave. Shkrimet e Konicës, të botuara në “Albania”, siç dihet, i takojnë fazës së dytë të Rilindjes, përkatësisht nga viti 1897 deri më 1909. Konica, lidhur me problemin që po trajtojmë, nuk i shmanget qëndrimit të përgjithshëm të rilindasve. Aq më tepër kur shkrimet janë shkruar për të huajt. Kjo është kahja kryesore e tyre. Por nuk përjashtohen rastet në të cilat ai duke iu drejtuar shqiptarëve, i kritikon, bile mjaft ashpër, ashtu siç ka ditur e ashtu siç e ka pasur zakon. Por as që nuk duhet menduar – siç fatkeqësisht është shkruar – që Konica e bën këtë për të diskredituar shqiptarin, për ta përbaltur shpirtin e tij, ose i nisur nga mosbesimi për forcat progresive të popullit tonë; përkundrazi, ai e bën këtë për ta tronditur e zgjuar ndërgjegjen e tij. Pikërisht ashtu siç bënte Vaso Pasha dhe gjithë rilindasit tjerë në raste të tilla.
Veprat kryesore në fushën e letërsisë artistike, Konica i shkroi në vitet ’20: “Një ambasadë e zulluve në Paris” (botuar më 1922), “Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit” (1924), “Shqipëria si m’u duk” (1929). Kjo është periudha kur para kulturës e letërsisë sonë, siç ka vënë në dukje Namik Resuli (në kumtesën “Faik Konitza në qindvjetorin e lindjes”, mbajtur në Seminarin e organizuar nga “Vatra” me rastin e këtij 100-vjetori dhe botuar në librin “Faik Konitza 1876-1976”, në N. Y. nën redaktimin e Eduard Liços), ngrihet e mprehtë detyra e formimit të qytetarit, të nënshtetasit, prandaj, ajo përdori kryesisht armën e kritikës, që parakupton vënien në dukje të të metave me qëllim përmirësimi.
Në veprimtarinë e Konicës, kjo detyrë vjen e kristalizohet në synimet dhe përpjekjet e tij për një oksidentalizim kategorik të shqiptarit, të jetës dhe të kulturës së tij, të organizmave shoqërore e shtetërore. Prandaj ai e mprehu kritikën ndaj të metave, duke përdorë me sukses, falë talentit, inteligjencës dhe kulturës së tij humorin e mprehtë, ironinë tallëse, sarkazmën e pamëshirshme, groteskun asgjësues.
Mbështetur në këtë trajtim kritik të jetës e të kulturës shqiptare, me tendencë mohimi e diskreditimi dhe me një dozë të theksuar dashakeqësie u akuzua Konica se gjoja “paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcat popullore e përparimtare…” (Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Historia e letërsisë shqiptare”, f. 471).
Në të njëjtën mënyrë u damkos edhe Fishta: vargje në të cilat poeti satirizonte shqiptarin për cilësitë e tij negative, sado qesharake që na duket, u trajtuan në rangun e një kredoje poetike, sikur ai i kishte shkruar me qëllim që ta diskreditonte atë. Natyrisht, këto “marifete” komentesh për një lexues të veprave të Konicës e të Fishtës nuk ecnin; por rininë shqiptare nën diktaturën e egër komuniste, që nuk i kishte lexuar veprat e tyre, lehtësisht e lajthisnin.
Tani ju marr leje të hapi një parantezë lidhur me shkakun e vërtetë të mohimit të Konicës. Eshtë thënë që Konica u mohua sepse hodhi baltë mbi kulturën shqiptare, gjë që nuk përbën shkakun e vërtetë, por një argument të stisur. Në diktaturën e kuqe çdo gjë bëhej e diktuar nga lart; në më të shumtën e rasteve, e orientuar nga pozita thjesht personale ose teket, hujet e huqet e diktatorit. Kështu lidhur me Konicën kritikëve zyrtarë iu desh të sajonin vetë “argumentet” për “çkishërimin” e mallkimin e tij, ishin apo nuk ishin të bindur për to.
* * *
Me qëndrimin ndaj etnopsikologjisë dhe psikologjisë së personazhit të veprës letrare lidhet edhe gjinia e lloji letrar. “Një ambasadë e zulluve në Paris” është pa dyshim një vepër alegorike që aludon tek bota shqiptare; në të njëjtën kohë ajo është një vepër satirike, “një satirë par excellence”, siç e emërton shkrimtari e studiuesi Sabri Hamiti. (Sabri Hamiti, “Faik Konica jam unë”, f. 74). A mund të pritet në një vepër satirike t’i thurën himne objektit të shkrimit, përveçse për ta tallur? Zullutë janë në gjendjen shoqërore e psikologjike të turmës. Udhëheqësi intelektual, atdhetari idealist, Plugu, përpiqet të ndikojë dhe t’i udhëheqë drejt vetëdijësimit të etnicitetit dhe të identitetit të tyre, për t’i futur në rrugën e qytetërimit dhe për t’i shndërruar ata në një komb. Në këtë vepër në mënyrë alegorike, Konica ka dënuar mitizimin në ballafaqim me kritikën, vënien në dukje të të metave. Dy metoda të kundërta të procesit të edukimit, kulturimit e vetëdijësimit të masave. Kështu, kur Plugu – mbasi ka mbajtur një fjalim para turmës së zulluve, duke bërë të qartë se për Evropën e qytetëruar, zullutë s’janë asgjë më tepër se negër dhe se evropianët ose i shajnë, ose i përqeshin dhe vetëm disave u vjen keq, por të gjithë i përbuzin – i vënë në ikje, sepse i ndjekur nga turma që donte ta linçonte për këtë “akuzë” të pamëshirshme, fillon të thurë këngë të bluara sipas mides logjike e estetike të turmës, kjo kënaqet. Turma ekzaltohet sidomos për faktin që këngët përfundojnë gjithnjë me glorifikimin e Zululandit: “Rroftë e qoftë Zululandi!”
Dhe këtu hapim një parantezë të dytë. Lavdërimi parapëlqehet dhe ndikon në mënyrë të veçantë tek naivët, njerëzit e pakulturuar dhe fëmijët. Njeriu i rritur, inteligjent dhe me kulturë ka nevojë t’i vihen në dukje të metat. Kështu është edhe për popujt. Na duket se populli ynë pëlqen lavdërimin më tepër se kritikën. Një situatë të tillë psikologjike na e dëshmon folklori ynë, sidomos fjalët e urta. Megjithëse populli thotë edhe: “Mos iu hidhëro pasqyrës, kur turirin e ke të shtrembër”.
“Atij nuk i pëlqejnë lëvdatat,- shkruan Namik Resuli për Konicën – vetëm lëvdatat që i thureshin këtij populli sikur të ishtë më i miri i botës; prandaj nis të nxjerrë në shesh edhe të metat, edhe veset e tij e kundra këtyre turret e lëshon shigjetat plot helm me bushtëri të hollë, pikërisht ashtu siç kishte filluar të bënte në vjershë një tjetër shok dhe mik gjenial, Gjergj Fishta.” (Libri i cituar më llart, f. 10).
Edhe një problem tjetër të rëndësishëm, lidhur me trajtesën tonë, na sugjeron vepra në fjalë. Për triumfin e idesë e të çështjes kombëtare, në përgjithësi, vetëdijësimi kombëtar i turmës kërkon trajtimin e individit e më pas të qytetarit, shtetasit. Lidhur me këtë problem kryesor, në gjithë veprën kullon një dozë e fortë skepticizmi që, për mendimin tonë, nuk duhet interpretuar si mohim i aftësisë dhe i mundësisë së shndërrimit të turmës në një element të ndërgjegjshëm. Një gjë e tillë dëshmohet me faktin se Konica teorikisht nuk ia ka njohur shqiptarëve psikologjinë e turmës, të kopesë. Siç është shprehur ai në veprën “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, karakteristika e parë e shqiptarit është individualizmi. Në Shqipëri nuk ka turmë, shqiptari ka besim në vete, në situata të paqarta merr vendim vetë. Bindjen e vet Komica e ilustron edhe me konkluzionin e dr. Herbart Luis: “Në Shqipëri nuk ka masa indiferente popullore”. Më tej, individualizmin e shqiptarëve dhe mungesën e shpirtit të turmës, autori ynë e trajton si pengesë të dorës së parë për bashkim kombëtar. (Shih, Faik Konica, Vepra, mbledhur e përgatitur nga N. Jorgaqi dhe Xh. Lloshi, Tiranë, 1993, f. ).
Vetvetiu del pyetja: me që në Shqipëri mungon psikologjia e turmës, ç’është gjithë ajo dramë e udhëheqësit intelektual për ta vetëdijësuar atë? Apo shqiptari e humbi individualizmin karakteristik dhe u shndërrua në kope? Shkurt, këtu kemi të bëjmë me një kontradiktë e Konicës.
Vepra tjetër, më e rëndësishmja, “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” është gjithashtu një vepër satirike, por në ndryshim me të parën, kjo nuk është alegorike. Kryesisht në pjesën e dytë, Konica diskuton drejtpërdrejt rreth problemeve shqiptare të kohës.
Në fillim të viteve ’20, populli shqiptar e kishte dëshmuar vitalitetin e tij. Me Kongresin e Lushnjës dhe me Luftën e Vlorës, ai shpallej para botës se është i aftë e i vendosur të marrë në dorë me çdo kusht fatet e tij. Një argument i rëndësishëm ky, për të vënë në dukje tharmin e një psikologjie pozitive. Po pikërisht, ky prag ngjarjesh – formimi i shtetit shqiptar në një pjesë të trojeve të tij – kërkonte një mobilizim të madh, ndërgjegje të lartë patriotike dhe potencë intelektuale për të bërë që ky shtet i porsa formuar të funksiononte si duhej. Ajo që kishte formuluar Fishta më 1921 shumë qartë: “Nuk asht mjaft që të jetë Shqipnija; duhet ta mbajmë!” (“Hylli i Dritës”, 1921, nr.1).
Paraqitja tek “Dr. Gjëlpëra…” e Shqipërisë së kohës me ngjyrat më të zeza, e zhytur në varfëri, iniorancë, fanatizëm, hajni, mashtrim, rushfet, dhe e shqiptarëve “si njerëz të mërzitur nga bota e vetja e tyre…” nuk dëshmon humbjen e shpresave ose mosbesimin e autorit ndaj së ardhmes së vendit. Aq më tepër, ajo nuk plazmon mesazhin e veprës. Në këtë vepër, përballë intelektualëve të tjetërsuar: ministrit Salemboza dhe doktorëve Protagoras Dhalla dhe Emrullahut, vihet figura e intelektualit shqiptar me formim e kulturë perëndimore, i cili si atdhetar idealist do t’i përvishet punës për emancipimin e popullit. Veç përmirësimit të shëndetit, ai do të dritësojë e do të frymëzojë rrugën drejt së ardhmes. Dr. Gjëlpëra, që është mishërimi i ideve, i idealeve dhe kulturës së Konicës, do ta projektojë shpëtimin në emancipimin shpirtëror të kombit. Dhe janë shtresat e popullit që e kanë ruajtur më mirë autenticitetin. Kur dr. Gjëlpëra bie në kontakt me to (E ku? – Në Pazar!), ai bindet për këtë dhe në ndërgjegjen e tij ravijëzohet shpresa e besimi në to.
Vepra e tretë dhe e fundit e viteve ’20 “Shqipëria si m’u duk”përbën një analizë të hollësishme shoqërore e psikologjike të shoqërisë shqiptare, bazuar në udhëtimin e autorit në Shqipëri, më 1928. Nuk kemi të bëjmë këtu me novela e romane satirike e alegorike, por me një vepër dokumentare të argumentuar, ku nuk mungojnë fare të gjitha ngjyrimet e satirës koniciane. Ideja e trajtuar në themel të veprës është se çështja kombëtare pengohet nga vetë shqiptarët e pikërisht nga shtresa të tilla si ekspertët, robotët dhe levantinët. Këta të fundit, më të rrezikshmit, kanë humbur vetitë karakteristike kombëtare, janë çoroditur, nënvlerësojnë e mohojnë çdo vlerë kombëtare dhe mitizojnë si snobë çdo gjë të huaj. Në hullinë e ballafaqimit të psikologjisë etnike të popullit tonë me psikologjinë e tjetërsuar të levantinëve kristalizohet qartë rëndësia e ruajtjes së autenticitetit të çdo gjëje kombëtare, në fushën e psikologjisë, kulturës, zakoneve, etj. Në vitet ’20 dhe më vonë në vitet ’30, në gjirin e kulturës shqiptare, të ideologjisë dhe të letërsisë artistike ka vepruar një rrymë e fuqishme e inteligjencës që mendonte se e ardhmja e kombit tonë, duke synuar qytetërimin perëndimor, duhej të nisej nga përpunimi e zhvillimi i vlerave të larta psikologjike të brumit tonë etnik.
Eshtë pikërisht ky një nga mesazhet më të rëndësishme që i përcjell kohës sonë jeta e veprimtaria e Konicës.
*(ribotim)
“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni
NGA ANTON CEFA/*
Lufta e Parë Botërore përbënte një rrezik evident për pavarësinë e Shqipërisë. Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare”
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.
“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin që politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale, zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve. Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për ndalimin e traktateve të fshehta.
Deklaratat e Wilsonit për të drejtën e vetëvendosjes së kombeve u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta ushtarëve shqiptaro-amerikanë, për t’i bindur që vetëm Amerika mund ta shpëtojë dhe do ta shpëtojë Shqipërinë. Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.”
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan. Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”.
Më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .”
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.”
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”
“Në janar 1920, tha Noli në fjalimin e tij, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për Wlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923, shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: ‘Regere parvos, debellare superbas’ (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.”
Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.
* * *
Dy fjalë për vokacionin fetar dhe atë atdhetar të Nolit
Eshtë folur shumë për kontradiktat e Nolit, aq sa është thënë që ekzistojnë shumë Nolër, në kundërshtim me njëri-tjetrin. Janë quajtur ato kundërthenie, inkoerenca, kontradikta dhe paradokse. Eshtë më se e vërtetë që Noli të jep mundësi e argumente që ta trajtosh atë kontradiktor në disa hulli. Në vorbullën e kontradiktave noliane, ato më ngacmueset janë dy: a ka qenë Peshkopi ynë i shquar besimtar i bindur apo skeptik ndaj besimit, a u bë prift se ishte ideali i tij apo thjesht se kështu kishte mundësi t’i shërbente më mirë atdheut? Dhe, në zgjidhjen e problemeve të mëdha shoqërore e politike, a ka qenë për përdorimin e dhunës a kundra saj, a ka qenë revolucionar a kundërrevolucionar”.
Me pak fjalë kështu është trajtuar vendimi i Nolit për t’u bërë prift dhe misioni i tij fetar nga mendimi i shkencës shqiptare nën trysninë e diktaturës: Noli u bë prift pa pasë një thirrje të brendshme, sepse përkundrazi ai ishte “skeptik” në qëndrimin ndaj fesë; por u vetëflijua tragjikisht për “nevojat e politikës kombëtare”. Bile – bile, edhe sot e kësaj dite ka studiues që i qëndrojnë besnnikë këtij trajtimi tejet të gabuar.
Nga të gjitha vokacionet e Nolit, dy janë më të fuqishmet dhe më ndikueset në veprimtaritë e tij: ai fetar dhe ai atdhetar, vokacioni qiellor dhe një nga “tokësorët”. Është një gjykim tepër i sipërfaqshëm mohimi i thirrjes së mbrendshme, vokacionit fetar, që e drejtoi Nolin në rrugën e priftërisë.
Shfaqja dhe jetëgjatësia e vokacioneve kanë kronologjinë e tyre në jetën e njeriut, gjë që del më në pah tek njerëzit e mëdhenj. Pa u zgjatur në këtë çështje duhet të pranojmë se është vokacioni fetar, ndoshta për vetë natyrën e tij ekskluzivisht shpirtërore, që u shfaq tek Noli shumë heret, që në moshë të njomë, dhe që e shoqëroi atë tërë jetën. (Eshtë për t’u shënuar se në hullinë e religjionit, vokacioni është një thirrje e brendshme që Hyu i bën një shpirti për t’ju kushtuar i tëri Atij; ndërsa në vokacionet e tjera, “tokësoret”, motivacioni është krejtësisht në hullitë njerëzore dhe shfaqet tek aftësitë dhe talenti i njeriut.).
Vetë Noli na tregon në “Autobiografinë” e tij se ai ishte i vetmi prej pjesëtarëve të familjes që e shoqëronte gjyshe Sumbën në agjërimet e saj; bile edhe ndër ato më të vështirat, siç ishte të qëndruarit, dy herë në vit, tri ditë rresht, pa ngrënë e pa pirë; megjithëse gjyshja, “përherë rropatej ta bindte që të mos agjëronte, sepse ishte shëndetlig”. Si mund të shpjegohet ndryshe ky veprim fëminor, përveçse me një impuls të brendshëm shpirtëror? Ky predispozicion shpirtëror i fuqishëm e shoqëroi Nolin tërë jetën. Dhe më vonë në një moshë të pjekur, duke iu nënshtruar këtij vokacioni hyjnor dhe duke synuar në sendërtimin e idealeve të tij të larta qiellore e tokësore, fetare e atdhetare, Noli nuk flijoi kurrëfarë lirie të vetëvetes; nuk bëri ndonjë vetëflijim, përkundrazi ai krijoi mundësinë që të pajtonte dy vokacionet e tij më të fuqishme, duke u vënë plotësisht në shërbim të tyre dhe për hir të këtyre vokacioneve ai solidarësoi bashkësinë shqiptare ortodokse të Amerikës, duke e shkëputur atë nga ndikimi, intrigat dhe politika antishqiptare e Patrikanës dhe themeloi Kishën Shqiptare, u mor me politikë, duke u bërë një luftëtar i flaktë për ndërtimin e një shoqërie shqiptare sa më të çliruar shpirtërisht dhe lavëroi në tërë ato fusha të kulturës, artit, shkencës, aftësitë e tij të rralla.
Eshtë tepër e çuditshme, flagrante të pranojmë se personaliteti i Nolit në tërë madhështinë e gjenialitetit të tij t’ia kishte nevojën maskave dhe maskaradave.
Jeta dhe veprimtaria e Nolit nuk lënë në dyshim vokacionin dhe bindjen fetare të tijen. Noli e hapi dhe e mbylli jetën si besimtar i zellshëm. Në frymëzimin e tij shpirtëror, në prirjen dhe misionin jetësor dhe, jo e parëndësishme, në trashëgiminë instinktive dhe edukatën që mori që heret në familje, ai na dëshmohet katërcipërisht fetar. Fetar në ideal, fetar në bindje, fetar në veprim. Fetar në fëmijëri, fetar në rini, fetar në moshë të pjekur dhe në pleqëri; fetar në jetë, fetar në vdekje.
Më shumë se çdo gjë dëshmon vepritaria e tij jetësore. Nën ndikimin e edukatës familjare, që në fëmijëri, ai mendonte të bëhej “kalorës i Skendërbeut” dhe “misionar i Krishtit”, dhe përpara marrjes së çdo vendimi ai pyeste veten: “Si do të kishte vepruar Krishti, në një rast të tillë?” Dhe përgjigjej: “Krishti do t’i besonte Zotit dhe do të shkonte përpara”.
Gjatë gjithë jetës, ai jo vetëm ushtroi detyrën si prift, por kohën më të madhe ia kushtoi propagandës fetare. Që më 22 mars 1908, në moshën 26-vjeçare, vetëm 14 ditë mbasi u dorëzua prift, celebroi Liturgjinë e Parë Hyjnore në gjuhën shqipe dhe po këtë vit botoi “Shërbesat e Javës së Madhe”, duke filluar me botimet e materialeve fetare, që vazhduan gjatë gjithë jetës. Me që lista e tyre është shumë e gjatë, po shënojmë këtu vetëm vitet e botimeve fetare: 1908, 1909, 1913, 1914, 1916, 1936, 1941, 1948, 1949, 1950, 1952, 1954, 1955, 1956, 1957, 1961, 1962 dhe vetëm një vit para se të vdiste botoi Psalmet e përkthyera nga hebraishtja. Sqarojmë që në disa prej viteve të përmendura më lart, ai realizoi dy e më tepër botime. A mund të bëhëj e gjithë kjo punë e vëllimshme dhe e shtrirë në krejt hapësirën jetësore pa një predispozicion të fuqishëm shpirtëror dhe vetëm e diktuar nga nevojat e politikës kombëtare?
Noli ka shkruar: “Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha”; ndërsa përkthimin dhe kompilimin e Kremtores (Menoion) – një libër shërbese që përmban psalmet, odet dhe troparia të vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur “sodisfaksionin e tij më të madh” dhe “veprën, në të cilën janë përqëndruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale” .
Në tryezën e punës, ditën që vdiq, iu gjetën: një vëllim i vogël poezish franceze, disa fletë me përkthime nga ky vëllim, (dëshmi e gjallë e hapësirës kohore dhe fuqisë së vokacionit për artin poetik), si dhe një dorëshkrim, në të cilin qe shkruar kjo lutje drejtuar Zotit: “Kur ju të vini në tokë, Mbret i Qiejve, me pushtet dhe shkëlqim, e gjithë bota do të dridhet nga frika, lumenjtë e zjarrit do të rrjedhin para fronit të gjyqit tënd të tmerrshëm, librat do të hapen dy kapakësh, do të zbulohem mëkatet më të fshehta. Më kurse mua prej zjarrit të pashuar e të amshuar dhe më vendos në krahun e djathtë në Parajsë, Gjykatës i drejtë dhe mëshirëplotë!”. Sa larg skepticizmit fetar dhe sa kuptimplote për vokacionin fetar të Nolit është kjo lutje !
I qenësishëm për t’u theksuar, lidhur me çështjen që po trajtojmë, është fakti që vokacioni fetar dhe ai atdhetar tek Noli ishin shumë të fuqishëm dhe kjo përmasë dyfishohej, kur ato viheshin në shërbim të njëri-tjetrit. Dhe ai i vuri mjeshtërisht jo vetëm në pajtim, por edhe në funksion të njëri-tjetrit. Dukuri e padiskutueshme e veprimtarisë së tij.
***
Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimmeve botërore, të lashta e bashkëkohore, perëndimore e lindore, të cilat ai ia shtroi popullit tonë aq mjeshtërisht në sofrën e dijes; i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist, ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashembullt në energjinë e tij; ai u bë një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës së tij, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën, ai qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.
Noli qe një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës sonë në kulturën evropiane e botërore. Në fushën e kulturës, ai qe i madh si shqiptar dhe po aq i madh si evropian. Noli qe një Mojsi që u përpoq me të gjitha forcat për ta çuar popullin tonë në tokën e premtuar të demokracisë, por nuk ia arriti. Ai ia arriti ta drejtojë atë në tokën e dëshiruar të kulturës e të qytetërimit.
* Kumtesë e mbajtur në Seminarin përkujtimor kushtuar Fan S. Nolit me rastin e 50 Vjetorit të ndarjes nga jeta, Organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA (Variant i shkurtuar dhe pa referenca)
Analiza dhe hipoteza origjinale për strukturën etike të së drejtës zakonore të popullit tonë
Mbi veprën “The Ethical Structure of Kanun and Cultural Implications” “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore” botuar në SHBA, mars 2005/
NGA ANTON ÇEFA/
Një mori e madhe studiuesish shqiptarë e të huaj janë marrë me studimin e së drejtës zakonore të popullit tonë, duke u mbështetur në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, vepër e kodifikuar nga Atë Shtjefen Gjeçovi dhe botuar në v. 1933, pas vdekjes së tij. Janë shqyrtuar e analizuar aspektet më të ndryshme të tij, kryesisht në dy rrafshe: në atë juridik dhe etik. Kanuni e ka sugjeruar një gjë të tillë, si rrjedhim i faktit që çdo ligj, drejtpërdrejt apo tërthorazi, është i lidhur me një normë morale dhe për faktin se në kohën kur është ngjizur Kanuni nuk mund të pretendohet të ketë pasur ndarje të prerë mes së drejtës dhe etikës. Mendësia njerëzore ka qenë në stadin e sinkretizmit.
Në “The Ethical Structure of Kanun…”, studiuesi Kazuhiko Yamamoto MD, PhD – profesor në Institutin e Shkencës së Shëndetit në Universitetin Kyushu – e ka hulumtuar Kanunin tonë në hapësirën e tij etike, duke e trajtuar këtë si rregullator të funksionit të rendit shoqëror. Ai është i pari studiues nga kontinenti aziatik që ka bërë objekt studimi të drejtën zakonore shqiptare dhe i pari që, duke e shqyrtuar në rrafsh krahasues me traditën mitologjike japoneze dhe me strukturën etike të shoqërisë homerike, të pasqyruar tek “Iliada” dhe “Odisea” dhe tek tragjeditë greke të Eskilit e të Sofokliut, e ka trajtuar atë si sistem vlerash etike të një shoqërie pagane transhendentale. Veç kësaj, duke polemizuar me hipotezat e mëparshme për problemin e zanafillës së etikës në shoqërinë njerëzore, e ka cilësuar atë si fazën fillestare të organizimit shoqëror.
Kjo vepër me vlera të veçanta për kulturën tonë popullore shpirtërore përbëhet nga katër studime: “Struktura etike e Kanunit: a përbën ajo formën fillestare të shoqërisë njerëzore?”, “Struktura e shoqërisë homerike: vështrim përqasës mes strukturës etike të shoqërisë homerike dhe asaj kanunore shqiptare”, “Struktura etike e tragjedive të Eskilit dhe Sofokliut”, “Studim mbi konceptet etike të shkrimtarit ultranacionalist japonez, Jukio Mishima”.
Strukturën etike të shoqërisë kanunore, Yamamoto e ka shqyrtuar si sistem vlerash, karakteritik për një shoqëri pagane, në shtratin kulturor të së cilës lind e zhvillohet një shoqëri pa autoritet shtetëror, me etikë dhe rend shoqëror të vetin.
Si çdo shoqëri pagane, shpjegon Yamamoto, edhe shoqëria kanunore karakterizohet nga animizmi, në rastin konkret nga shenjtërimi i normave etike, veshja e tyre me forca të mbinatyrshme, dhe nga adhurimi i paraardhësve. Siç e kanë trajtuar edhe Levy Bruhl dhe Frazer, të cilëve u referohet autori, shoqëritë pagane janë entitete transhendentale, që përfshijnë jetën dhe vdekjen, të gjallët dhe të vdekurit. Kështu, për Yamamoton, familjet, vëllaznitë dhe fiset në të drejtën zakonore të popullit tonë janë bashkësi pagane, pra bashkësi të njerëzve të gjallë dhe paraardhësve të tyre, d. m. th. , të vdekurve.
Sistemi i vlerave të Kanunit, simbas Yamamotos, përbëhet nga betimi, besa, nderi, miku-zot, ushqimi, gjaku, hakmarrja. Duke u vështruar në shtratin e një kulture pagane, në krahasim me trajtimet e deritashme, është pasuruar hapësira kuptimore e këtyre normave; duke u trajtuar ato si norma fetare, të shenjtëruara, që kanë forca hyjnore dhe është rritur numri i tyre, siç është rasti i ushqimit, që është trajtuar më vete i shkëputur nga miku dhe mikpritja.
Në këtë sistem vlerash, hakmarrja është trajtuar si akt drejtësie, si “sanksioni më i rëndësishëm për të rivendosur dhe mbajtur rendin shoqëror në një shoqëri pa autoritet shtetëror”. Dhe është e tillë sepse “njerëzit e konsiderojnë atë si një forcë të shenjtë, të ushtruar nga perënditë.”1).
Trajtim i hakmarrjes si akt drejtësie, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit shoqëror, nuk është i ri në studimet tona të së drejtës kanunore. Që në parathënien e botimit të parë të Kanunit, Fishta, duke dashur të argumentojë këtë fakt si dhe faktin tjetër që populli ynë, edhe pse e ka këtë zakon, nuk është barbar, – akuzë që i bënin armiqtë për ta diskredituar dhe t’i mohuar aftësitë vetëqeverisëse, – ka shkruar: “Shqyptari tue vra gjaksin e vet nuk ban tjetër veçse me çue në vend nji ligj, qi ai e mban për të drejtë. Prandej, për me folë mbas pikpamjes psihologjike, veprimi i tij asht nji veprim i ligjshëm e nuk mund të quhet uhamarrme – vendetta. 2). Dhe më poshtë: “Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve (rrethanave, A. Ç.) të jashtme e prej t’metave t’organizimit shoqnuer t’nji kombi…” 3).
Një trajtim i tillë është edhe më i hershëm: në Konferencën e Paqes në Paris, në fund të Luftës së Parë Botërore, kur luftohej për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë, nëpër gojë të Imzot Bumçit, kryetar i delegacionit tonë, u tha ndër të tjera se “gjakmarrja nuk përcakton barbarinë e popullit tonë, por është rrjedhojë e kushteve të veçanta objektive. 4).
Të këtij mendimi janë pothuajse të gjithë albanologët që janë marrë me këtë problem. Po përmendim: Emil Khan, C. Becker, J. Ecurcart, F. Bianconi, G. Siebertz, L. Lamouche, E. Jock, H. A. Bernatnik, R. Lane, E. Durham, I. Sullioti, J. Godard 5), G. Valentini, F. Cordignano, B. Palaj, E. Koliqi, etj.
Autorja amerikane Rose Ëilder Lane, në librin “Peaks of Shala”, një përmbledhje e shënimeve të udhëtimeve të saj në malësitë tona të Veriut dhe të Shqipërisë së Mesme, në vitin 1921, na e ka dëshmuar këtë trajtim ashtu siç ia ka shpieguar asaj në mënyrë të saktë Ipeshkvi i Pultit. Ja si shkruan ajo: “Gjakmarrja është e keqe, shumë e keqe, por është e vetmja mënyrë që imponon ligjet, të cilat janë përgjithësisht të admirueshme. – thotë prelati – Gjakmarrja nuk është një gjë jashtë ligji, siç mendojnë shumë të huaj, dhe nuk ka të bëjë aspak me konflikte e urrejtje personale. Ajo është një formë dënimi kapital, ashtu si e ka çdo vend dhe që rregullohet prej ligjeve shumë strikte” 6).
Autori tjetër amerikan, Ian Ëhitaken, në studimin e tij “Tribal Structure and National Politics in Albania, 1910-1950”, e ka quajtur gjakmarrjen “një mekanizëm publik i kontrollit shoqëror” 7).
Për të mos lejuar keqinterpretime që vërehen aty-këtu në shtyp, sigurisht nga ata që nuk e njohin mirë problemin, theksojmë këtu që për një rend shoqëror siç qe shoqëria kanunore, gjakmarrja është thjesht akt drejtësie i domosdoshëm për ruajtjen dhe funksionimin e shoqërisë; por për shoqëritë e sotme ku ekziston shteti dhe funksionon rendi gjjyqësor, gjakmarrja është një akt i shëmtuar, i egër dhe barbar.
Yamamoto e konsideron hakmarrjen si koncept kyç, i cili, i lidhur me konceptin e gjakut, na çon drejt koncepteve tjera që ndërtojnë strukturën etike të Kanunit dhe që siguron funksionimin e saj si rregullues juridik. “Koncepti i hakmarjes – shkruan ai – është elemnti themelor, i cili fuqimisht mund të nxjerrë në dritë strukturën etike të Kanunit”. 8).
Koncepti i gjakut lidhet me konceptin e mikut. Duke gjetur ngjashmëri mes konceptit kanunor të mikut dhe traditës së mikpritjes shqiptare me atë të japonezëve të vjetër, simbas teorisë marebito (miku-zot), të folkloristit japonez Orikuchi, Yamamoto i ka dhënë mikut artribute perëndie dhe e ka quatur miku-zot. Kush e fyen këtë dhe shkel rregullat e mikpritjes, fyen perënditë, të cilët zemërohen dhe hakmerren. E vetmja mënyrë për ta shmangur zemërimin e perëndive është ndëshkimi i fyesit ose shkelësit të kanunit të mikpritjes, ndëshkim që mund të realizohet vetëm nëpërmjet gjakmarrjes.
Edhe ndonjë studiues tjetër i ka veshur gjakmarrjes rrobe shenjtërie: Syrja Popovci ka shkruar: “Gjakmarrja kishte edhe elemente sakrale, pse konsiderohej që krimi i kryer gjoja cënon perëndinë, prandaj marrja e gjakut ishte një dënim i detyrueshëm.” 9). Vërtet, në traditën shqiptare miku ka një pozitë të veçantë. Më së miri, ndër të tjera, kjo na dëshmohet nga fakti që, simbas Kanunit, mund të falet gjaku i babait, i djalit të vetëm, por kurrë nuk mund të falet gjaku i mikut.
Me konceptin e mikut është e lidhur ngusht mikpritja që i bëhet atij, nga përbërësit e së cilës në këtë studim vlerësohet në mënyrë të veçantë ushqimi, që trajtohet si koncept më vete në sistemin e vlerave dhe luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e këtij sistemi. “Ushqimi përmban fuqi shpirtërore apo magjike” 10). Duke i ofruar ushqimin mikut-zot, mikpritësi shenjtërohet.
Atributet e veta hyjnore miku-zot mund t’i kalojë ndër të tjerë, nëpërmjet fjalës së tij, që gjithashtu ka forcë mistike. Fjala e mikut-zot përmban në vetvete një shpirt, që në mitologjinë japoneze quhet Kotodoma dhe që Yamamoto e ka krahasuar me Orën e mitologjisë sonë. Fjalët e shqiptuara nga miku-zot, urimet e tij, sjellin mbarësi tek mikpritësi dhe, po kështu, edhe fjalët e urimet e këtij të fundit tek të tjerët.
Edhe konceptet e tjera të Kanunit, betimi, besa, nderi, sikurse miku-zot, lidhen nëpërmjet hakmarrjes me konceptin e gjakut, gjakmarrjen; çka do të thotë që nëse shkelen këto norma, meqë ato janë të hyjnueshme, zemërohen perënditë dhe për të shmangur zemërimin e tyre, për t’i qetësuar ata, duhet të merret haku tek dhunuesi, pra, të të jetësohet gjakmarrja.
Trajtimi i hakmarrjes si koncept kyç i jep strukturës etike vlerën e një sistemi, d. m. th. të një rregulli simbas të cilit janë vendosur dhe veprojnë pjesët e një tërësie me lidhje e marrëdhënie të caktuara ndërmjet tyre, që përcaktojnë ndërtimin e brendshëm të gjithë tërësisë. Në hullinë studimore të këtij studiuesi, sistemi i vlerave gëzon një logjikë të brendshme mendjembushëse.
Një konkluzion tjetër i rëndësishëm i Yamamotos, që ai e arriti pasi shqyrtoi në mënyrë kritike teoritë e Hobesit, Rusoit, Niçes dhe Zherardit mbi origjinën e rendit shoqëror, lidhet me origjinën e etikës dhe të rendit shoqëror në një shoqëri pa pushtet shtetëror. Në shtratin e një kulture pagane – shpjegon Yamamoto – lind e zhvillohet një shoqëri pa pushtet shtetëror me etikë dhe rend shoqëror të vetin. Etika e kësaj shoqërie ka të njëjtën strukturë si Kanuni shqiptar me sistemin e vlerave që përmendëm, i cili e konsideron hakmarrjen si akt të drejtë. Ky sistem përcaktohet nga kushti shoqëror i mosekzistimit të ndonjë pushteti gjyqësor.
Hipotezat e tij mbi strukturën etike dhe origjinën e rendit shoqëror, Yamamoto i sqaroi më tej, duke krahasuar sistemin e vlerave etike të Kanunit shqiptar me ato të shoqërisë homerike, pasqyruar në “Iliadën” dhe “Odisenë” dhe i gjeti ato të njëjta. Kodin etik të shoqërisë homerike, Yamamoto e studion në këndvështrimin e një shoqërie pa autoritet shtetëror, siç e pati studiuar edhe Platoni, të cilit i referohet. Po në këtë prizëm, ai studioi strukturën etike në tragjeditë e Eskilit e të Sofokliut, e cila, megjithëse i përket kohës kur kishte lindur pushteti shtetëror në formën e qytetit shtet-Polis, është pothuajse e njëjtë me atë të veprave homerike; gjë që e ka bërë të qartë Yamamoto në studimin e tij.
Studimi krahasimtar i Kanunit me veprat homerike dhe me tragjeditë e Eskilit e të Sofokliut merr një rëndësi të veçantë për shkencat albanologjike, në përgjithësi, dhe jo vetëm për çështjen e strukturës etike kanunore. Ai ka të bëjë me lashtësinë e gjuhës e të kulturës sonë popullore, me shtrirjen hapësinore e marrëdhëniet demografike, gjuhësore, kulturore, etj. të popullit tonë me grekët e vjetër a me popullsitë parahelenike, me një përcaktim më të mirë të rolit që ka luajtur kultura jonë në trevat ku kanë jetuar që në kohërat parahistorike të parët tonë dhe me probleme të tjera.
Nuk di ndonjë studiues tjetër të ketë bërë objekt të gjerë studimi të drejtën tonë zakonore në plan krahasues me atë të veprave homerike, siç e bëri Yamamoto. Margaret Hasluck, në vitin 1933, ka botuar në nr. 203 të revistës “Man” artikullin: “Bride-price in Albania: a Homeric parallel” (“Çmimi i nuses në Shqipëri: një paralele homerike”) 11). Ismail Kadare, në vitin 1988, ka botuar veprën “Eskili-ky humbës i madh”, ku ka folur për ndonjë ngjashmëri të etikës kanunore me etikën e tragjedive të Eskilit, në mënyrë të veçantë për gjakmarrjen.
Në ndonjë rast bile, është kritikuar një qëndrim i tillë krahasues. Njohësi dhe mësuesi në gjimnaze tona në atdhe i gjuhës greke të vjetër dhe latine, Frano Alkaj, pati përkthyer dy këngë të “Iliadës”, këngën XXII – “Vrasja e Hektorit” (1938) dhe këngën XXIV – “Varrimi i Hektorit” (1941). Në përkthimin e “Vrasjes së Hektorit” pati përdorur termin kanunor ndore :
“Hektor, o anmik i amshuem, mos m’ fol për ndore!
Se paqë s’ ka vu jo kurr luani e robi e as ujku me qingja…” (citim simbas kujtesës).
Mbaj mend që një kritik – më vjen keq që nuk e kujtoj emrin dhe revistën ku qe botuar shkrimi– e pati kritikuar ashpër përkthyesin e talentuar për përdorim të këtij termi, që simbas tij nuk kishte të bënte fare me etikën homerike. 12).
Është për t’u vënë në dukje se Yamamoto, për të ardhur tek përfundimet e tij, siç duket, i ka shfrytëzuar veprat e Homerit dhe të tragjedianëve grekë të lashtësisë në mënyrë shterruese, duke na dhënë të gjitha rastet që ai ka hasur dhe, për më tepër, duke bërë edhe klasifikime të rasteve të shqyrtuara. Yamamoto jo vetëm e b
Studimi në rrafsh krahasimtar i Kanunit, i kulturës së lashtë japoneze dhe i veprave homerike e çoi Yamamoton në përfundimin e rëndësishëm që shoqëritë pa autoritet shtetëror janë bashkësi fisnore transhedentalee fetare midis të gjallëve dhe të vdekurve, 13) dhe që kanë kodin e tyre të sjelljes, atë sistem vlerash që çekëm më lart dhe që funksinon, asht siç e përshkruam.
Hipotezat e Yamamotos shkojnë më tej: meqë baza mbi të cilën ngrihen shoqëritë pa pushtet shtetëror janë ndryshimet kulturore të tyre dhe identitetet që lidhen me to, nëse këto ndryshime humbasin, edhe pushteti shtetëror do të dobësohet, ai do të shkojë bile drejt zhdukjes, si rrjedhim i faktit të globalizimit dhe homogjenizimit të botës për shkak të marrjes së të njëjtit informacion përmes internetit, televizionit dhe shtypit. Duke humbur origjinalitetin e kulturës dhe identitetit të tyre, njerëzit do të fillojnë të shfaqin ndjenja të ngjashme, mënyra të ngjashme të menduari dhe modele të ngjashme sjelljeje. Kjo gjë mund të bjerë humbjen e bazamentit të një shoqërie me pushtet shtetëror dhe krijimin e një rendi të ri shoqëror, ku mund të mbizotërojë sistemi i vlerave të një shoqërie pa pushtet shtetëror. 14).
“Prandaj, mendoj – shkruan Yamamoto – që etika e një shoqërie të tillë pa autoritet shtetëror, e përfaqësuar nga Kanuni, nuk përbën thjesht një sistem vlerash që i përket vetëm së shkuarës, por edhe një sistem që ka lidhje edhe me të ardhmen e botës njerëzore.” 15).
Këtë vepër rëndësore për kulturën tonë dhe jo vetëm për të, e përktheu dhe e botoi me shpenzimet e veta dr. Selahedin A. Velaj, i cili ua kushtoi “të gjithë albanologëve të huaj që kanë punuar pa kursim për të ndriçuar kulturën shqiptare.” 16).
Referencat dhe sqarime :
1- Kazuhiko Yamamoto “The Ethical Structure of Kanun and Cultural Implications – Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore”, f. 180.
2-Shtjefen Gjeçovi O. F. M. “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, ribotim i shoqërisë botuese “Kuvendi”, “Parathane” nga At Gjergj Fishta, f. XXXI).
3-Po aty, f. XXXII.
4-Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: “E drejta zakonore shqiptare 1 – Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Tiranë 1999, përgatitur dhe pajisur me shënime nga Koço Nova, f. 189.
5-Po aty, f. 189.
6-Rose Ëilder Lane: “Peaks of Shala”, p. 29. (Meqë autorja nuk e jep emrin e ipeshkvit, po shënojmë këtu që ipeshkëv i Pultit në vitin 1921 ka qenë Atë Bernardin Shllaku).
7-Ian Ëhitaker: “Tribal Structure and National Politics in Albania, 1910-1950”, në botimin “History and Social Anthropology” – Tavistock Publications, London, NeË York. Sydney, Toronto, Ëellington, 1968, p. 265 and 272.
8-Kazuhiko Yamamoto, vepër e cituar, f. 155.
9-Syrja Popovci: “Gjakmarrja ndër shqiptarët dhe historiku i saj”, “Përparimi, nr. 11 / 9 / 1, f. 916. Cituar simbas: “E drejta zakonore shqiptare 1”, f. 916.
10-Kazuhiko Yamamoto, vepër e cituar, f. 160.
11-Cituar simbas Ian Ëhitaker “Tribal Structure and National Politics in Albania, 1910-1950”, në botimin “7 History and Anthropology”, Tavistock Publications, 1968, p. 290.
12-Në një përkthim anglisht, këto vargje janë dhënë kështu: “Hector, Stop! / You unforgivable, you don’t talk to me of pacts / There are no bindin oaths betëeen men and lions / – ëolves and lambs can enjoy no meeting of the minds…(Homer: The Iliad, translated by Robert Fagles, copyright 1990, Penguin books, p.550).
13-Yamamoto, po aty, f. 170
14- Hipotezën e zhdukjes së shtetit e ka parashtruar edhe F. Engels në veprën “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit” (1884), me argumentin që shteti si fenomen historik do të shuhet, kur të zhduken klasat dhe dallimet klasore, kur të jetë ndërtuar shoqëria komuniste në shkallë botërore.
15-Yamamoto, po aty, f. 181-182.
16-Pjesën e parë të kësaj vepre: “The Ethical Structure of the Kanun – Is it the Original Form of Ethics in Human Society?” (Struktura etike e Kanunit – A është forma origjinale e etikës në shoqërinë njerëzore?” e ka përkthyer, pajisur me shënime me vlera dhe botuar Romeo Gurakuqi, në vitin 2001.
* Kumtesë e mbajtur në promovimin e librit në fjale, New York, 9 tetor 2005.
At Shtjefen Gjeçovi – dëshmues i fazës arketipale të psikologjisë etnike të popullit tonë
Nga Anton Çefa/
At Gjeçovi lavroi në disa fusha të dijes e të artit, por kur na përmendet në kujtesë emri i tij, si një lapidar shkëqimtar na përfytyrohet Kanuni, vepra monumentale e kulturës sonë popullore. Merita e tij në kodifikimin e Kanunit qëndron në faktin se ai ka rregjistruar jo vetëm ligjet e së drejtës zakonore, por edhe “ligjet” e etikës; duke na vijëzuar një hise të dorës së parë të psikës sonë etnike, strukturën morale të shoqërisë kanunore, e cila në të njëjtën kohë është struktura më e hershme e etikës morale të popullit tonë. Tek ajo pasqyrohet gjithashtu qenia dhe qenësia e një ideali të fisëm etik. Duke na dhënë kodin e hershëm juridik dhe ngjizur me të kodin etik të frymëzuar nga ideali etik, Gjeçovi na paraqiti para botës jo vetëm si një popull i lashtë e fisnik, po edhe i qytetëruar. Në primitivizmin e vet jetësor, populli ynë vuri ligje për të rregulluar jetën e vet shoqërore, dhe një populli që krijon ligje dhe që ushqen një ideal etik është vërtet i qytetëruar.
(Marr leje të bëj një “ndërkllapa”. Atë që bëri Gjeçovi në fushën e së drejtës zakonore, e bënë më vonë në fushën e artit folklorik mbledhësit dhe botuesit e parë të këngëve të kreshnikëve, At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, të cilët i “kodifikuan” ato, duke i dhënë formën e plotë të një eposi. Ky monument i dytë madhor dhe madhështor i kulturës sonë popullore mbas Kanunit pasqyroi në fushën e artit psikologjinë etnike të popullit tonë, atë psikologji që kishte pasqyruar Gjeçovi tek Kanuni.)
“Ligjësia” psikologjike në veprën e Gjeçovit është fryma, shpirti, virtyti, ndërsa kanunësia e së drejtës është lënda, trupi, ligji. Nga virtyti lind ligji, virtyti është fryma që i jep jetë ligjit. Ligji pasqyron karakterin, virtyti e dëshmon atë. Kështu, nga Gjeçovi ne mësojmë përbërës me vlerë të psikologjisë sonë etnike drejtpërdrejt dhe tërthorazi; drejtpërdrejt nëpërmjet parashtrimit të tij të lëndës dhe tërthorazi nëpërmjet ligjeve kanunore.
Ndryshimi mes ligjit kanunor dhe normës morale qëndron në pasojat e tyre. Pasojë e shkeljes së ligjeve të së drejtës është gjyqi, dënimi; ndërsa shkelja e “ligjeve” të virtytit, mosrespektimi i tyre nuk ka gjyq, ndëshkim, por ka thjesht dënimin moral: turpin. Gjeçovi në KLD e ka sqaruar këtë çështje, duke e cilësuar shkeljen e virtyteve si shnjerëzim ose duke folur për “të falmen”, kur thotë: “Je i lirë me mbajtë burrninë tande, je i lirë me u shburrnue”.
Për ta sqaruar më mirë këtë çështje, po marrim si shembull besën, ku duket i qartë dallimi mes ligjit kanunor dhe normës morale. Gjuhësisht, leksema besë është një fjalë homonimike; ajo emërton dy dukuri krejt të ndryshme nga njëra-tjetra: besën si zakon i së drejtës kanunore dhe besën si normë morale.
Si normë e së drejtës, “besa asht një vade (periudhë kohe) lirije e sigurimi qi shpija e të vramit i ep dorërasit të tij, tuj mos i ndjekë për gjak perkohsisht e mje (deri) në vade të caktueme” . Ndërsa si virtyt ajo është thjesht mbajtja e fjalës së dhënë.
Besa si doke kanunore nuk funksionon vetëm, ajo kërkon të shoqërohet me benë. “Beja asht nji sjellje besimtare, per mjet së cillës nieri, tue dashtë me dalë së keq prej nji zhgarkimi të dhunshem, do të përkasë me dorë nji shej besimi, tuj e grishë emnin e Perendis në dishmi të së vertetës.”. Ndërsa si fjalë e dhënë, ajo është e vetëmjaftueshme; nuk ka nevojë për benë e as për ndonjë kusht tjetër. Me fjalë të tjera, për ngrënien e fjalës së dhënë nuk fajësohet e ndiqet tjetri penalisht. Pasojat janë vetëm shpirtërore: turpi a koria, a në mënyrë metaforike: faqja e zezë.
*
Përballë Çabejt, Konicës, Anton Harapit, që kanë bërë objekt të veçantë studimi psikologjinë etnike të popullit tonë; Barletit, Bardhit, Bogdanit dhe pothuajse të gjithë shkrimtarëve e publicistëve të Rilindjes dhe të Pavarësisë, dhe mjaft të huajve, prej të cilëve po përmend Valentinin, Cordignano-n, studiuesin dhe përkthyesin në anglisht të Kanunit, Leonard Fox, studiuesin japonez Kazuhiko Yamamoto, studiuesin amerikan George Fred Williams, e ndonjë tjetër që kanë dhënë mendime në këtë lëmë studimore, Gjeçovi zë një vend të veçantë, si dëshmues i strukturës etike të popullit tonë në fazën e saj arketipale, në një hapësirë të gjerë kuptimore, dhe duke u bërë kështu refernca e parë dhe më e rëndësishme për këtë fushë shkencore.
Kjo strukturë etike arketipale përfshin virtyte të tilla si burrëria, nderi, besa, ndorja, falja, mikpritja, dhe, për rreth kësaj bërthame, një varg tiparesh humane të tjera si ndjenjat e ngrohta e të pastra familjare, kulti i prindërve dhe, përgjithësisht, i të parëve, bujaria, nderimi i veçantë për të vdekurit, dashuria e pakufishme për vendin, ndjenja e mosnënshtrimit ndaj të huajit, armikut, një dëshirë e etshme për të jetuar të lirë, gatishmëria deri në vetmohim për t’i mbrojtur trojet dhe lirinë prej të huajve, karakteri luftarak, trimëria, heroizmi, nderimi dhe një ndjenjë e veçantë për armën, qëndresa në sprova të vështira përballë armikut, krenaria kombëtare, individualizmi, konservatorizmi, që profilizojnë identitetin shpirtëror të popullit tonë.
Natyrën arketipale të strukturës sonë etike e kanë vëvë në dukje edhe shumë studiues të huaj. Leonard Fox ka shkruar: “Shumica e ligjeve të pasqyruara në Kanunin e Lekë Dukagjinit janë në fakt arketipe legale, që janë ruajtur nga periudha ekstremisht arkaike të qytetërimit njerëzor”. Ai e ka vlerësuar Kanunin si “shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, karakter që mishëron një moral të pakompromis të bazuar në drejtësi, nder, dhe respekt për veten dhe për të tjerët”. Ndërsa studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto, i pari studiues nga kontinenti aziatik që ka bërë objekt studimi të drejtën zakonore shqiptare dhe i pari që, duke e shqyrtuar në rrafsh krahasues me traditën mitologjike japoneze dhe me strukturën etike të shoqërisë homerike, të pasqyruar tek “Iliada” dhe “Odisea” dhe tek tragjeditë e Eskilit e të Sofokliut, e ka trajtuar atë si sistem vlerash etike të një shoqërie pagane transhendentale dhe, duke polemizuar me hipotezat e mëparshme për problemin e zanafillës së etikës në shoqërinë njerëzore, e ka cilësuar atë si fazën fillestare të organizimit shoqëror të një shoqërie ku mungon shteti.
Lashtësinë e sistemit të vlerave etike të Kanunit tonë, natyrën e tyre arketipale, Yamamoto e ka çuar deri në pragun zanafillor. Mbasi ka kritikuar teoritë e Hobbes-it, Rusoit, Niçes dhe Gerardit për origjinën e rendit shoqëror, dhe, lidhur me të, për stadin më të hershëm të psikologjisë njerëzore, ai ka shtruar hipotezën që struktura etike shqiptare e pasqyruar në Kanunin e Lekë Dukagjinit përbën fazën e parë të etikës njerëzore.
*
Ku qëndron vlera aktuale e trajtimit të strukturës etiko-morale arketipale të shoqërisë së hershme shqiptare nga Gjeçovi? Ndërsa kanunësia e së drejtës ndryshon me ndryshimin e rrethanave shoqërore, kështu që sot nuk mund të bëhet fjalë për zbatimin e së drejtës kanunore, gjë që perëndoi që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, psika e pasqyruar tek kanuni dhe sidomos ajo hise e saj që ne e quajmë strukturë etike është më e qëndrueshme, më konservative. Sado e dobësuar nga rrethanat historike të pavolitshme, ajo është ruajtur në vetëdijen dhe nënvetëdijen tonë.
Historikisht ka qenë kjo traditë që e ka mbrojtur shqiptarin nga tëhuajsimi, ky synim i përgjithmonshëm dhe kjo përpjekje e vazhdueshme e pushtuesve të huaj, dhe do të jetë sot e kësaj dite fondi shpirtëror me të cilin do t’i rezistojmë rreziqeve që paraqesin tendencat globaliste të kohës së sotme.
Në mënyrë të veçantë, në periudhën e regjimit komunist, me imponimin e ideologjisë komuniste, kjo trashëgimi e vyer u sulmua nga diktatura me të gjitha format e mundshme, jo vetëm me plane e programe të planifikueme, pleniume e kongrese të bujshme, por edhe me dhunë. Siç ka shkruar Sami Repishti: “Pushkatohej ai që shtëpinë e konsideronte të Zotit dhe të mikut, burgosej e vritej ai që ruante nderin më shumë se jetën,torturohej mizorisht ai që burrnisht nuk pranonte me shpifë për shokun ose të panjohurin, internohej shqiptari që mbajti besën e dhënë ose bashkëshorti, sidomos gruaja, që nuk tradhëtonte burrin.”
Është në natyrën e shqiptarit që ta ndjejë veten më të lirë, më të plotësuar, më të realizuar, në gjirin e këtij tradicionalizmi instinktiv e njëheri gjallërues që priret gjithnjë nga e reja, drejt një perspektive premtuese të së ardhmes.
Sot e kësaj dite, është kjo traditë sa e fisme aq origjinale që na jep mundësinë të paraqitemi denjësisht para popujve të tjerë. “Pohimi ‘Jam shqiptar!’, ka shkruar Koliqi, mbetet pa veshtrim kur nuk mbështetet themelisht në pasuni të dokeve jetike. Po nuk lidhem krenín e emnit shqiptar me besë, nderë, burrní, mikpritje, d.m.th. me trashigim stërgjyshuer, sa për vetina tjera, cilado qofshin, na radhitemi në bisht të kombeve t’Europës. Në qe se në historín e qytetnimit europjan kemi shkrue ndonji kapitull, ndoshta të shkurtë e të zbetë, por që dishka vlen, kjo i detyrohet atyne vetive gojdhanore.”
Problemi i njohjes, i ripërtritjes dhe i kultivimit të vlerave pozitive të traditës dhe i shmangies së tipareve negative është faktor i nevojshëm dhe i domosdoshëm në zhvillimet e jetës shpirtërore dhe po aq një mjet i rëndësishëm në strukturimin e jetës politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore, artistike, etj., të një populli. Njohja e substancës etike përbën një vlerë imperative. Njohja e kodit etik popullor dhe, në rastin tone, ripërtritja e tij është parakusht për ndërtimin e një filozofie të jetës kombëtare, të një edukate kombëtare të breznive të reja dhe, po ashtu, një parakusht për t’i vënë themele të sigurta ligjshmërisë shtetërore.
Në rrethanat tona të sotme, është e nevojshme dhe e domosdoshme të synojmë dhe të përpiqemi për një ripërtritje shpirtërore të popullit, në funksion të vetëdijësimit të tij lidhur me detyrat për ndërtimin e një jete qytetare të qëllimshme të frymëzuar nga idealet e larta atdhetare e shoqërore, dhe sidomos të një demokracie të shëndoshë, të cilën klasa politike nuk ka arritur dhe nuk ka dashur ta vërë në jetë. Pa këtë ripërtritje, pa këtë vetëdijësim, nuk mund të bëhet fjalë për një integrim në qytetërimin perëndimor, për t’i bërë tonat ato vlera të shëndosha që e karakterizojnë atë dhe që konsistojnë në ndërgjegjësimin e çdo qytetari për përgjegjësinë ndaj vetes, shoqërisë dhe atdheut, për çdo gjë që ndodh me të dhe rreth vetes së tij.
Është detyrë e ditës që në gjithë veprimtarinë tonë shoqërore e kombëtare të shkëlqejë gjithnjë ideali etik i etnosit tonë i mbrujtur ndër shekuj. Sepse ideali etik është atributi shpirtëror qenësor, njësia që e ushqen dhe i jep formën e njëmendtë idealit kombëtar; ai nuk është thjesht jehonë e një realiteti të dikurshëm, e një të kaluare historike, por, dhe kjo është kryesore, ai është e duhet të jetë një synim i dorës së parë për të ardhmen, një ideal që duhet të vezullojë gjithnjë mbi hapësirën shpirtërore shqiptare dhe, sidomos, mbi atë ngastër të saj të shenjtë që ne e quajmë shkurt ndërgjegje kombëtare dhe që është aspiratë dhe njëheri krenari, vetëmohim dhe njëheri heroizëm për secilin prej nesh. Kur misionari aktiv i Foreign Office-s, Edmund Spencer, që vizitoi Shqipërinë në vitin 1847, shprehej:“Shqiptarët tregojnë çdo virtyt social që dallon banorët e vendeve më të qytetëruara” ose kur F. S. Douglas që, si shoqërues i lordit anglez Frederik North, vizitoi Ali Pashë Tepelenën , më 1811, shkruante: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh”, ata sigurisht kishin parasysh ndërtesën fisnike shpirtërore të popullit tonë dhe, në vijë të parë, atë ideal që i jep dritë asaj ndërtese, idealin e lartë etik të popullit tonë, si faktor parësor për ekzistencën e një kombi, njëmendësinë shpirtërore që përbën njësinë e matjes, etalonin që formëson dhe përcakton dimensionet e një kombi. Një popull që e humb atë shkon drejt shkombëtarizimit; dhe, në ditët tona, e përpin globalizmi ndërkombëtar. “Shpirti dhe gjenia kombëtare, ka shkruar Noli, janë ato që e ndajnë (dallojnë) një komb nga tjetri, dhe këto duhen mësuar dhe lëruar, në qoftë se një komb s’do vdesë. Orën që i humbi, është i vdekur”, sepse “pas vdekjes morale, vjen vdekja fizike.” Prandaj, problemi i strukturës morale etnike, i idealit etik që e përshkon atë, si përbërës i qenësishëm i një ndërgjegjeje të shëndoshë kombëtare, është i lidhur ngusht me fatet e popullit dhe të atdheut.
Duhet të pranojmë që populli ynë sot po përjeton një krizë të thellë morale tepër të rrezikshme për të sotmen dhe sidomos për të radhmen. Nuk mund të çlirohemi prej saj, nëse nuk përpiqemi të përtrijmë atë çka ka mbetur prej tharmeve shpirtërore të së kaluares, të ripërtrijmë ato çka janë venitur apo shuar krejt dhe të hedhim sytë drejt së ardhmes, duke u përpjekur për fisnikërimin e njeriu tonë.
Megjithëse edhe në këtë periudhë që po futet në histori me etiketën e një tranzicioni deshtak drejt një demokracie të vërtetë, shoqëria shqiptare nuk arriti të jetësojë një ripërtëritje aq të dëshiruar të traditave të vyera shpirtërore, populli ynë, që i ka bërë ballë përpjekjeve shekullore asimiluese të të huajve shumë më të fuqishëm se ai; ky popull që ka ruajtur gjuhë e zakone, ky popull që ka plazmuar një individualitet etnik original, duke u kapur me xhelozi pas traditave, ky popull është i aftë për një zgjim shpirtëror të tillë që, duke bërë të veten atë çka të mirë na ofron qytetërimi perëndimor, i filtruar gjithnjë në filtrën e psikës sonë, të ripërtërijë atë substancë etike të fisme të trashëguar prej të parëve dhe të dëshmuar nga Gjeçovi. Është pikërisht kjo traditë e qenësishme shpirtërore kushti ekzistencial i mbijetesës dhe i afirmimit tonë me dinjitet në gjirin e kombeve të tjera.
“Ne kujtim te Rozit – Antoni”
*Vlera shpirtërore të një këndi të bekuar me emrin Dardhë/
* Dy fjalë rreth veprës kujtimore të Rozi Theoharit “Potpuri dardhare – Kujtimet e mia nga fëmijëria dhe jeta e shkollës”.*/
NGA ANTON ÇEFA/
Duke përshkruar ngjarjet e jetës së saj, shkrimtarja dhe veprimtarja e njohur e bashkësisë shqiptaro-amerikane, Rozi Theohari, synon të nxjerrë në pah vlerat e çmuara humane, shoqërore dhe atdhetare të dardharëve, bashkëfshatarëve të saj, “ato vlera që përbëjnë magjinë e papërsëritshme të atij këndi të bekuar në prehër të Moravës”.
Varganin e pafund të ngjarjeve që i diktojnë kujtimet, ajo e quan në mënyrë figurative “potpuri”, titull që dikton një ngarkesë të gjerë kuptimore dhe figurative. Kujtimet e ngjarjeve të së kaluares, dhe sidomos të fëmijërisë e të rinisë, edhe kur janë të dhimbshme, më së shumti mbështillen me një tis të kaltër nostalgjie, me tonalitete melodish të përmallshme, duke përbërë në larushmërinë e tyre vërtet një potpuri.
Lindjen e saj, në mënyrë mjeshtërore, Rozi e ka dhënë nëpërmjet kujtimeve të pasura të 3“më 9 prill 1939, u lind motra jonë e vogël Rozi”, shkruan Kiçoja. Një atmosferë e ngrohtë dashurie e priti krahëhapur vajzukën e bukur me sytë e zez.
Autorja përshkruan me imtësi periudhat e jetës së saj që nga foshnjëria e deri në moshën madhore, rritjen e formimin e sajë fizik, psikologjik, moral, arsimor, letrar, politik, etj., nën ndikimin e ngjarjeve dhe rrethanave historike të kohës. Jepen të dhëna me interes të madh shkencor etnografik, folklorik, gjeografik, gjuhësor, kulturor,
Që nga mosha e njomë atë e karakterizon një dashuri e madhe për dijen, për librin, për shkollën. “Do të ulesha në bankën e klasës me shoqet e mia. . . .Dhe kjo më bënte të lumtur”, shkruan ajo kur mësuesi pranon ta marrë në shkollë në moshën 6-vjeçare. Dhe kur shkon ditën e parë: “Rrija në cep të oborrit dhe nuk ia ndaja sytë ndërtesës së shkollës, që, për mua, ishte një tempull.”Lexon vazhdimisht dhe shkruan, mban shënime për çdo gjë. “U ula në pezulin e dritares dhe shkrova në murin anësor të saj: Gusht 1947. Sot doli nga burgu xhaxho Nikoja i Laços dhe jemi të gjithë të gëzuar. Rozi Çeku.”
Shkruan për ngjarjet familjare, për ndodhitë e ndryshme në fshat, për dardharët, për jetën e tyre. Në mënyrë të veçantë për ngjarjet historike. “Ne ishim fëmijë të luftës” titullohet një kapitull.
Me ngjyrimet e foshnjërisë, të pasura me penelata naiviteti, janë dhënë kujtimet e ushtarëve italianë, që në fillim përpiqeshin të silleshin mirë me popullin, por që u egërsuan dhe filluan raprezaljet mbas humbjes së luftës për pushtimin e Greqisë dhe, sidomos, kur të rinjtë e fshatit filluan të organizoheshin dhe të ndihmonin në mënyrat më të ndryshme luftën antifashiste të popullit tonë. Në fillim, duke mbledhur armë e municione të hedhura e të mbetura nga fronti i luftës italo-greke dhe duke ua dërguar forcave partizane dhe më pas duke u bashkuar me njësitet partizane. Dardha u shkel dy herësh nga grekët dhe nga gjermanët, por ajo qe gjithnjë një bazë e rëndësishme prtizane. “Pothuajse të gjithë të rinjtë e fshatit tonë mbi moshën 15 vjeç dolën partizanë”, shkruan Rozi.
Që në fillim të luftës për çlirim u duk mleksja e saj me ideologjinë komuniste, e cila errdhi duke u shtuar nga viti në vit. “Nuk ishte thjesht një kohë lufte”, por edhe një “periudhë revolucionare me aktivitete që drejtoheshin nga komunistët dhe që herë-herë kishin nuanca të një terrori të papërligjur e të një lufte civile. Tituj si ai i këngës ‘Hakmarrje, Rini!, ishin njëkohësisht edhe parrulla të ditës.”, kujton ajo dhe i konkretizon me shembuj, kur përshkruan arrestimin, torturat e rrahjen deri në vdekje të mësuesit të nderuar e patriot, të dashur e të respektuar prej gjithë fshatit, Taqo Kere; arrestimin e aktorit të teatrit partizan Vaso Peci dhe nënës së tij, anëtar të familjes së Sotir Pecit, me akuzën se gjoja kishin vjedhur ushqimet e partizanëve, dhe i torturuan për vdekje. Nënës ia zbulonin barkun dhe e godisnin me purteka deri sa lëkura i bëhej mavi dhe asaj i binte të fikët. Vason e nxorën natën ta pushkatonin. Vetëm me protestat e grave të fshatit dhe me urdhërin e Maço Çomos, dhëndër Dardhe, u detyruan t’i lironin si të pafajshëm. Edhe një mësuese tjetër, Sotiria Zengon, me pretekstin se ishte regjistruar në zyrën e fashos, gjë që ishte detyrim pë të gjithë mësuesit, e torturuan mizorisht dhe deshën ta pushkatonin. Krimet e partizanëve nuk kishin kufi. Drejtuesit e batalionit “Fuat Babani” hapën gjyqe dhe dënuan me pushkatim kryeplakun e fshatit dhe anëtarët e pleqësisë, ndër ta edhe Xhaxho Kostën, si anëtar i pleqësisë, dhe mbasi i rrahën për vdekje deshën t’i pushkatonin.
Rrahja, tortura, dhunimi nuk kanë qenë karakteristikë e shpirtit shqiptar, ato ua dhanë hua miqtë jugosllavë që derjtonin luftën partizane.
Një ngjarje e rëndë tragjike për familjen Çeku dhe për gjithë fshatin qe vrasja në pabesi e Koli Çekut, xhaxhait të Rozit, dëshmori i parë dardhar. Koli mbante lidhje të fshehta me çetën e Devollit. Që në fillim, ai ishte inkuadruar në organizatën e rinisë dhe bënte propagandë ndër ushtarët italianë të lëkundur e të mërzitur nga lufta që të bashkoheshin me forcat partizane, dhe i dërgonte ata në mal, tek forcat partizane; ai ishte anëtar i njësitit gueril, dhe merrte pjesë aktivisht nnë aksionet e njësitit të Devollit.
Përshkruhet me nota të theksuara realiste gjendja e keqe ekonomike dhe zija e bukës në vitet e para pas Çlirimit, krahas demagogjisë së kuqe pro propagandës jugosllave, më vonë, asaj ruse.
* * *
Hapësira e të dhënave të potpurive nuk kufizohet vetëm në hullitë historike, ajo shtrihet e gjerë, e pasur dhe e larmishmme në zagnat etnografikke e folklorike. Jepen njohuri të hollësishme për veshjet, sidomos ato të grave dhe vajzave. Disa pjesë të tyre si p. sh. dylbenka e bardhë dhe e zezë, shamitë prej basme të vajzave, xibuni, etj., trajtohen në mënyrrë intime.
Një pasuri e lakmueshme zakonesh, ceremonish, ritesh, festash tradicionale përshkruhen me hollësi, gjithnjë të shoqëruara me tekstet e këngëve përkatëse. Po përmend: zakonet e fejesës, të dasmës, të vdekjes; ceremonitë e piknikëve, karnavaleve, veroreve, nata e kashçareve, llazoret, rusicat, nëna e diellit, mallkimi i gjeraqit, etj.
Po aq të pasura janë këngët e veçanta për rastet e ngjarjet e ndryshme të jetës si ninullat, këngët që nënat e reja ua këndonin fëmijëve gjashtëmuajshe e deri në një vit. Një mori e pafunnd këngësh e lojërash të fëmijëve e sidomos të vajzukeve, këngët e dashurisë, këngët e mumurizës, të kurbetit, këngët atdhetare si ato kundër pushtuesve të huaj italiannë, etj.
Në fund të librit është dhënë nje fjalorth që përfshin disa fjalë e shprehje origjinale të përdoruara në Dardhë, dhe që pasqyrojnë pak a shumë tiparet gjuhësore të së folmes karakteristike të këtij fshati, të mbledhura nga autorja, që përbëjnë një ndihmesë më vlerë në fushën e gjuhësisë dhe të dialektologjisë.
Dardha, në krahasim me fshatrat e tjerë të Devollit, paraqitet më e civilizuar. Arsimimi aty pati rrënjë relativisht të hershme. Shkolla u hap në vitin 1768. Autorja e dëshmon edhe me faktin që në lidhjet martesore respektohet dëshira dhe dashuria e të rinjve, çka ishte pasqyruar edhe në këngën popullore: “Do të loz, do të kërcej, / një djalkë do të gënjej, / babait nuk do t’i rrëfej . . .”
Dardha njihet jo vetëm për bujq e punëtorë të zellshëm, po edhe për mjaft intelektualë që me veprimtarinë e tyre ndihmuan në zhvillimin e fshatit dhe patën ndikim edhe në fshatrat për rreth. Vëllezërit Balli, Sotiri, Ligori dhe Fani, u shquan për poliprofesionalizmin e tyre, ata ndërtuan në fshat një fabrikë me kapacitet të madh dhe me dy funksione. Duke shfrytëzuar energjinë e rënies së ujit nga lartësia e komanduar, me të njëjtën elikë dhe burim energjie, ditën punonte si fabrikë për punimin e drurit, kurse natën si hidrocentral për t’i dhënë dritë fshatit. Vangjel Marku drejtoi ndërtimin e 30 hidrocentraleve nëpër fshatrat e Shqipërisë. Përmendim si shkëncëtar të njohur Spiro Kondën, mbrojtësin e origjinës pellazge të popullit dhe të gjuhës sonë. Edhe në fushën e arteve, sidomos të letërsisë, nuk munguan dardharët. Njihen shkrimtarët e talentuar Sotir Andoni dhe Teodor Laço, të cilët fatkeqësisht ia falën talentin e tyre realizmit socialist.
* * *
Që në moshën 10-vjeçare, moshë e hershme për një gjë të tillë, Rozi është në gjendje të kuptojë veten dhe të mendojë e të marrë vendime për të ardhmen e saj, duke krijuar kështu idealin e vet të jetës: “Në këtë moshë krijova një koncept për veten, se si dëshiroja të dukesha para të tjerëve. Kujt t’i ngjaja? Kjo quhet “vetja ideale” ose “ego ideale”, si një qëllim i largët, që u krijua nga personi që admiroja e kjo ishte Ditka” motra më e madhe se ajo. Kjo qe “modeli” i dytë që imitonte, pas shëmbëlltyrës së mamasë. Ditka ishte punëtore, e gatshme për çdo sakrificë, nxënëse e shkëlqyer, këngëtare dhe aktore teatri, e dashur dhe e shoqërueshme; me një fjalë: një ideal për t’u imituar. “Ditka ishte ideali im që kishte më shumë cilësi pozitive dhë më pak ose aspak cilësi negative.”
Një personalitet tjetër që ndikoi mbi formimin e Rozit qe Xhaxho Kosta. Ky kishte qëndruar për një kohë të gjatë në Rumani, ku ishte marrë me veprimtari patriotike. Edhe kur u kthye në Dardhë, ai vazhdoi veprimtarinë atdhetare. Dardharët e zgjodhën njëzëri kryeplak. Grekomanët e kishin qëlluar me armë. Edhe gjatë lufës partizanët deshën ta vrisnin. Xhaxhi Kosta ishte armik i komunizmit. “Komunistët gënjenin kur luftën kundër fashizmit e quajtën luftë për demokraci”, thontte ai. “Ai përmendte emra njerëzish të nderuar, disa miq të tij, që pas luftës ishin pushkatuar ose dënuar me burgim të përjetshëm; thonte se teatrot e kinematë ishin shndërruar në salla gjyqesh. . . Xhaxhait i kishin shtetëzuar dyqanin, ashtu siç ishte shtetëzuar gjithë prona private anëkend Shqipërisë. Ai lexonte përditë gazetat “Zëri i popullit” dhe “Bashkimi” e nuk besonte asnjë fjalë që thuhej aty. Xhaxho Kosta e kishte zakon të thoshte: ‘Pas Luftës së Dytë Botërore kishim një çlirim pa liri’, tregon Rozi.
“Xhaxho Kosta, ky personazh i jetës sime, edhe kur kishte ikur nga kjo botë, në përfytyrimin tim më ka marrë për dore e më ka shetitur në çdo rrethanë, në çdo rrugicë të errët apo me dritë të jetës. E kështu vazhdon edhe sot.”
Nga moria e madhe e shoqeve dhe e shokëve të shkollës, në kujtimet e saj, Rozi ka veçuar Vaçe Zelen, të cilën e ka pasur shoqe klase në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë, dhe në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Në “Potpuritë”, Vaçja është e vetmja shoqe që gëzon një kapitull të veçantë.
Na vijëzohet në “Potpuritë” një personalitet i shquar me një inteligjencë të jashtëzakonshme, me një vullnet të papërkulur, me një botë shpirtërore tejet të pasur, ku shkëlqen një dashuri e respekt i veçantë për njerëzit, me bindje dhe një sentiment fetar të devotshëm, me talentin e penës letrare dhe të zërit të bukur të këngëtares. Mjerisht, diktatura me çmenduritë e veprimeve të saj, kur nuk ka mundur t’i thyej personalitetet, është përpjekur t’i dyzojë. Kështu, Rozi, gjatë pushimeve verore detyrohet të demaskojë besimet fetare; jashtë bindjeve të saj politike, detyrohet të bëjë propagandë për kolektivizimin e bujqësisë.
Me inteligjencën, aftësitë dhe vullnetin e saj, ajo i është imponuar rrethanave të disfavorshme, dhe i ka detyruar ato t’i shërbenin asaj. Atë nuk e theu fakti që nuk iu dha mundësia të vazhdojë studimet e larta jashtë shtetit, dhe as fakti që nuk iu plotësua dëshira për t’u regjistruar në Fakultetin e Gjuhës dhe të Letërsisë, ajo e filloi me shumë qejf Institutin e Lartë Ekonomik. Në shkollën e mesme në Korçë, nuk e pranuan në organizatën e rinisë, për arsye të babait “kapitalist”, ndërsa në Institutin Ekonomik, ajo jo vetëm qe pranuar në këtë organizatë, por falë rezultateve të shkëlqyeshme dhe një sjelljeje për t’u admiruar, qe zgjedhur edhe në organet drejtuese të Institutit dhe më vonë të Universitetit.
Më vjen mbarë t’i përfundoj këto shënime me theksimin e një predispozicioni shpirtëror nostalgjie e përkushtimi thuajse hyjnor të Rozit për fëmijërinë e sajë. “Jam një vajzë e thjeshtë dardhare tetëmbëdhjetë-vjeçare . . . A ka halle rinia? Kur trupi, fytyra, shqisat, ndjenjat janë një baraspeshë? . . . Po, por kjo baraspeshë prishet nganjëherë, sepse brenda meje është ajo vajza e vogël që mblidhte lule, flutura, zhuzhakë e xixëllonja e të gjitha këto veprime i bëntë duke kënduar e bërtitur: “O shkëndi, o Shën Mëri . . .” E kjo vogëlushe nuk më lë rehat, më lë pa ngrënë, më tërheq vëmendjen nga leximi e ndonjëherë më zgjon natën nga gjumi . . .”
“Potpuritë” përfundojnë me një “Epilog”, dhe ky epilog mbaron kështu: “Mbasdite e vakët tetori. E vetme . . . vendos pllakën e nokturneve të Shopenit në radio-gramafon. Pjesa e fundit: ‘Lento con gran espressione’ . . . Tinguj delikatë pianoje, që të marrin për dore e të çojnë larg . . . larg . . . ndoshta diku . . . në univers . . . Tinguj që ‘flasin’ për dhëmbje, pasione sublime, nuanca të hoveve shpirtërore . . .. , nga kemi ardhur e ku shkojmë! . . . Tingujt tani përshpejtojnë ritmin e ndiej se si qenia ime shkrihet e gjymtyrët e shpërndara lundrojnë mes resh të bardha aty lart në qiell, ku të rrëmben spiralja e kohës . . . Përfshirë në vorbullën e një potpurie ngjarjesh . . . Sakaq kujtohem se kam harruar aty poshtë një vajzë të vogël. Zbres, e kërkoj dhe e gjej duke bredhur mes lulesh . . . , duke qeshur e duke thithur ajrin e kristaltë të Dardhës sime . . . E marr për dore, ajo më bindet e më sheh nga poshtë ballukeve të zeza me dy sy që xixëllojnë si shpuzë.
Ne ecim drejt një botë të panjohur . . . Dikur . . . diku do të trokasim në një portë. . .”
Parandjenjë e realitet: shpirti i Rozit vërtet trokiti në derën e Parajsës !
Gjithë këtë vëllim vepre prej 500 faqesh, Rozi ia kushton nipit të saj 12-vjeçar Jan Sommer “me gjysmën e gjakut shqiptar, i lindur e i rritur mes kulturës gjermane, me dëshirën që ta mësojë e ta dijë shqipen dhe origjinën e gjyshës shqiptare”.
*(Botuar në Shtëpinë botuese EMAL, Tiranë, 2014)
- « Previous Page
- 1
- …
- 19
- 20
- 21
- 22
- 23
- …
- 26
- Next Page »