• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Fajtorët” e shkrimtarit Besnik Mustafaj

January 11, 2023 by s p

Arben Çejku/

Besnik Mustafaj është një shkrimtar me kohë të plotë dhe, nga ky këndvështrim, ai, realisht mund të konsiderohet si një intelektual bashkëkohor, që “punon shkrimtar”. Të “punosh shkrimtar”, nuk është një profesion i lehtë, sidomos sot, kur punët e shkrimtarëve sfidohen nga koha moderne në të cilën jetojmë. Koha për të shkruar (shkrimtari) dhe koha për të lexuar (lexuesi), janë vënë në sprovë dhe secili prej tyre është në një tranzicion modern të përkufizimit të vlerës së kohës dhe vlerës së produktit.

Le të rikujtojmë për një moment, se sa shumë kohë kishte në dispozicion një shkrimtar dhe një lexues në shekullin XIX apo XX. Në disa raste, letërsia dhe krijimet më të mira të saj, ishin një lloj kablli që mbante “lidhur” mijëra lexues anë e mbanë botës, siç ndodh sot me platformat digjitale. Sot ka një kombinim të artit me teknologjinë. P.sh, përveç botimeve klasike (në letër) kemi edhe “botime” digjitale, që lexohen në smartphone apo paisje të tjera elektronike. Dalngadalë, edhe vetë shkrimtarët, po kalojnë nga shkrimtaria në letër, tek shkrimtaria elektronike (krijimtari direkt në kompjuter) pa lënë gjurmët e bojës së stilografit në letra. Besniku, fjala vjen, shkruan bukur me stilografin e tij – vijues i modelit të shkrimarëve klasikë të shekullit të kaluar. Krijimi tradicional, me “penë e bojë” i duket më i gjallë, më shpirtëror, më emocional. Shkrimi direkt në kompjuter, i duket më i ftohtë, më robotik, më pak emocional. Pra, e gjitha kjo, në pak fjalë, tregon se sa sfiduese është koha sot, në raport me shkrimtarinë dhe mjeshtrit e fjalës artistike, siç është Besnik Mustafaj dhe bashkëkohësit e tij.

Në këtë kontekst, rrjedhin edhe shumë pyetje para nesh; Ku do të jetë pas 50 vitesh marrëdhënia mes një shkrimtari dhe lexuesit? A do kemi të njëjtën marrëdhënie që kemi sot? A kemi ne, të njëjtën marëdhënie mes tyre, siç ishte para 50 apo 100 viteve?

Ars longa vita brevis, (jeta është e shkurtër, arti i gjatë (dmth vepra jeton) është shprehja e vjetër latine që merr kuptim në stilin e krijimtarisë së Mustafajt dhe shkrimtarëve tanë më të mire të këtyre viteve. E, pikërisht përballë sfidës së kohës, mjeshtrit e artit, koncentrohen gjithnjë e më shumë tek cilësia e veprës së tyre. Sepse vetëm veprat me cilësi e sfidojnë kohën dhe rrojnë më shumë se shkrimtari! Njëri prej tyre, Besnik Mustafaj, gjithnjë e më shumë, po sjell vepra cilësore, të cilat nuk janë asnjëherë “humbje kohe” për ne lexuesit. Jo vetëm kaq, por këto vepra janë një ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm për shoqërinë tonë, e cila vijon të sfidohet çdo ditë nga një tranzicion socio-politik i pashembullt. Plagët e së kaluarës dhe paqartësitë për të ardhmen, shpesh herë kthehen në një makth psikologjik, që prodhojnë sjellje sociale anormale dhe mungesë shprese.

Triptiku me novela “Fajtori”, i shkrimtarit Besnik Mustafaj (botuar nga “Onufri” në nëntor 2022), është një tjetër arritje dhe sukses letrar për autorin dhe letërsinë tonë. Para këtyre tri novelave (Fajtori, O Tempora dhe Fabika për prodhim armiqsh) pata rastin të lexoj në dorëshkrim novelën “Conarium”, që është botuar nën titullin “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”.

“Conarium”, është një tekst modern i pa hasur më parë në letërsinë tonë dhe vlerësimet për të mund të bëhen më të sakta e më të plota nga këndvështrimi i teorisë së letërsisë dhe shkencës së analizës së tekstit letrar. Kjo novelë, e shkruar në stilin e monologut kafkian, duke përcjellë tek lexuesi betejën për të dalë nga korniza (izolimi i pandemisë së Covid-19), është në fakt një pasthirrmë civile dhe intelektuale për më shumë liri në ditët e sotme. Në qendër të dramacitetit, pra, është Liria, ky insitucion i shenjtë human e publik që po deformohet dhe keqpërdoret sot për interesat e një grushti autokratësh. Besoj se, në një të ardhme të afërt, kësaj arritjeje cilësore të letërsisë sonë, do t’i jepet vlerësimi dhe vendi që meriton.

Ne kemi qenë një nga popujt më të izoluar të Europës dhe botës, mbyllur në kështjellën absurde, ku u aplikua një sistem shoqëror dhe politik sui generis, një diktaturë komuniste e pa ngjashme me askënd tjetër. “Njeriu ynë i ri”, që ishte destinacioni final i makinerisë së propagandës komuniste, dora – dorës u krijua si pasojë e “reformave” radikale që u bënë brenda sistemit, siç ishin ato kundër pronës private, kundër liberalizmit, kundër lirisë së besimit politik e fetar, kundër bashkëpunimit me botën e lirë, pro izolimit ekstrem, pro kolektivizimit, pro revolucionit kulturor dhe eksperimenteve të tjera ideologjike. Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, jo pak prej nesh e kanë patur të vështirë ta përkthejnë këtë realitet në gjuhën e botës së lirë.

Absurdi i një realiteti 50-vjeçar, është i pabesueshëm dhe i papranueshëm tashmë edhe për brezin tonë të ri, që ka lindur dhe po rritet në liri. Për to, është gati e pamundur të besohet saga e rrëfimeve nga brezi i njerëzve që jetuan dhe vuajtën nën komunizëm. Kjo vështirësi “përkthimi”, kthehet në sfidë kur atë synon ta përcjellësh artistikisht tek bota që na rrethon apo tek e ardhmja. E kaluara jonë është psherëtima e një vuajtjeje të madhe, që edhe sot luftojmë t’i vëmë emrin që duhet dhe gjithësesi hasim pafund vështirësi. Historia na mëson se tragjeditë dhe krimet që harrohen, rrezikojnë të përsëriten! Filozofia na mëson se karakteret e deformuara shoqërore, mund të kthehen në normë sociale për kohët që vijnë.

Ndaj dhe misioni i intelektualëve dhe shkrimtarëve, si Besnik Mustafaj, është që t’i tregojnë të sotmes për të shkuarën, me qëllim që ajo të mos përsëritet në të ardhmen. Kryefjala e këtij misioni është LIRIA. Por, liria politike, nuk mund të jetë kurrë e plotë, pa lirinë individuale. Këtë mesazh mund ta nxjerrim duke lexuar triptikun letrar, “Fajtori”.

“Fajtorët” e shkrimtarit Besnik Mustafaj, në fakt, janë personazhet e tri novelave, të përmbledhura në botimin “Fajtori”. Gati të gjithë personazhet, edhe ato dytësore, mbartin me vete pjesën e fajit. Në fakt, këto tri novela, jo rastësisht janë botuar së bashku; – ato janë një trilogji për lirinë individuale dhe një homazh për viktimat e një regjimi që vrau liritë individuale! Me pak përpjekje, shkrimtari mund të na i kishte sjellë këto tri novela edhe si tre kapituj të një romani modern. Por, sigurisht, ky nuk ka qenë qëllimi i tij, sepse po të ishte, jam i sigurtë që do ta realizonte pa ndonjë sforco të madhe. Për më tepër që, pas tekstit të “Conarium”, asgjë tjetër nuk është e vështirë për Besnik Mustafajn!

Tri novelat, na japin mundësinë që, nga tre këndvështrime të ndryshme, të shohim në qendër të këtij trekëndshi fajtorin e vërtetë – Fantazmën e Diktaturës dhe veglat e saj. “Fajtorët” e Besnikut, në përgjithësi, janë pikërisht viktimat e këtij sistemi “revolucionar”, që jo rrallë “ha” edhe bijtë e tij, siç ndodhi me Heroin e Popullit Abdi Golemi, tek novela “Fabrika për prodhim armiqsh”.

Në të tria novelat ka elementë të përbashkët, siç është p.sh, drama individuale dhe ndërgjegjja e plagosur, si produkt i një mekanizmi të ngjashëm shpirt-vrasës, plagët e ngjashme shpirtërore që la pas një rrebesh ndëshkimesh politike, pamundësia për t’u arratisur përfundimisht nga rrjeta e së kaluarës, mungesa e një mekanizmi perfekt për rehabilitimin e viktimave të së kaluarës, deformimet shpirtërore dhe dhunimet e lirisë individuale nga mekanizmat e sistemit shtypës.

Të tri novelat janë pjesë e një sage dramatike, e cila ka rrënjët në të njëjtin sistem shtypës dhe denigrues. Dy personazhet kryesore tek “Fajtori” (Hamza Sinani) dhe tek “O Tempora” (Zenel Meça), dramën e tyre e kanë tek periudha post-diktaturë dhe tek pamundësia (secili për arsye të veçanta) për të mos u shkëputur nga e kaluara e tyre. Deformimi i karakterit të tyre është rrjedhojë e mekanizmit shtypës dhe deformues të sistemit, i cili i ekspozon ato si personazhe gati-gati groteske në epokën e re të lirive politike. Liria politike (ndryshimi i sistemit) nuk i ka ndihmuar “fajtorët” e Besnikut, të jenë konfident aq sa të ushtrojnë plotësisht lirinë individuale, shkëputjen e plotë nga e kaluara.

A jemi ne sot individë të lirë, në kuptimin e plotë të fjalës? A jemi të mjaftueshëm me liritë politike, apo si qënie shoqërore, duhet të investohemi për çdo ditë për të patur liritë tona individuale? Sa “ndërgjegje të vrara” ka ende sot mes nesh, që kanë nevojë për rehabilitim social? Ku mbaron kufiri i fajit dhe ku nis kufiri i rehabilitimit? Këto dhe shumë pyetje të tjera psikologjike dhe social-politike, kërkojnë të marrin përgjigje në triptikun “Fajtori” të Besnik Mustafajt.

“Fajtori” dhe “O Tempora”, për mendimin tim kanë shumë të përbashkëta mes tyre, ndërkohë që novela e tretë, “Fabrika për prodhim aqrmiqsh”, është një novelë që ka përmasat e një romani dramatik.

Një tipar dallues në krijimtarinë e Mustafajt është gdhendja mjeshtrore e karaktereve të personazheve deri në detajet më të holla të sjelljes së tyre psiko-emocionale. “Kamera” vëzhguese e Besnikut, i monitoron personazhet e tij së brendshmi dhe së jashtmi, aq sa atyre ndonjëherë më shumë u “flet” përshkrimi, sesa fjala. Edhe kur Mustafaj duket se gdhend pa mëshirë detaje specifike të sjelljes apo paraqitjes së personazheve të tij, atë e bën nga përkujdesja ekstreme, që asgjë të mos mbetet në hije dhe e paqartë.

I pajisur me një kulturë të lakmueshme historike, me eksperiencën e një gazetari dhe një politikani në shërbim të institucioneve shtetërore, shkrimtari Mustafaj nuk e ka të vështirë të udhëtojë në skenën e historisë së shkuar apo të ditëve të sotme për të sjellë para nesh figura, personazhe e karaktere të fushave të ndryshme, të cilat në thelb i shërbejnë shkrimtarit për të përcjellë mesazhet e tij politike dhe kulturore. Ai nuk shkruan për personazhet e tij, por për ne lexuesit e sotëm dhe ata që do të vijnë nesër!

Arben Çejku

Filed Under: Kulture Tagged With: Arben Cejku

SHQIPTARËT PËRFITUESIT MË TË MËDHENJ NË RAJON NGA HAPJA E KUFIJVE, TREGJEVE DHE INTEGRIMI

August 6, 2021 by s p

Arben Çejku, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë, Ish-Ambasador, në një rrëfim për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol Paja, shprehet se Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën, ta inkurajojë dhe ndihmojë me çdo formë që të jenë krah për krah në çdo hap diplomatik në rajon. Qeveria aktuale e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar mbrojtjen e tregjeve kosovare nga “agresioni” i produkteve serbe. Shqipëria duhet të luajë rolin e saj në rajonin e Ballkanit, si vend anëtar në NATO dhe kandidat për në BE dhe ka përgjegjësinë e mbrojtjes së interesave shqiptare kudo në rajon.

  1. Çfarë fiton realisht Shqipëria dhe çfarë humbet Kosova nga Mini-Shengeni Ballkanik?
  • Nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, si vijim i konceptit “mini-Shengeni ballkanik”, synon të zhvendosë marrëdhëniet bilaterale në një rrafsh bashkëpunimi multilateral duke synuar arritjen e disa treguesve konkret në dobi të qytetarëve. Rajonit tonë, edhe më parë nuk i kanë munguar nismat apo formatet e tilla të bashkëpunimit, pavarësisht emërtesave që kanë pasur. Programet e mbështetjes së Bashkimit Europian për Ballkanin si IPA, ERASMUS, CEFTA etj apo së fundi Procesi i Berlinit (2014), në thelb synojnë forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit tonë. Mbi të gjitha, vetë mbështetja e Brukselit për Ballkanin Perëndimor, nxit europianizimin e këtyre marrëdhënieve. Mirëpo, janë një seri faktorësh lokal që kanë penguar realizimin e disa marrëveshjeve të nënshkruara më parë. Unë mendoj se kjo nismë, sido që ta quajmë, qoftë “mini-Shengen”, qoftë “Open Balkan”, apo “SEFTA”, siç e ka propozuar Albin Kurti, nuk është ende një garanci ekskluzive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes shteteve të rajonit tonë. Duhet ende shume pune dhe vullnet politik nga qeveritë tona. Unë besoj se është shumë e dobishme të mbështeten nisma dhe procese, që synojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Nga liria e lëvizjes, nga liria e tregjeve dhe investimeve reciproke, ka përfitim për secilin. Ne jemi vende që kemi provuar se çfarë kostoje kishte izolimi dhe luftrat ndër-etnike. Nga hapja e kufijve, tregjeve dhe nga integrimi shqiptarët janë ndër përfituesit më të mëdhenj në rajon. Pozita e tyre gjeostrategjike dhe resurset ekonomike e shoqërore që ato kanë i bëjnë konkurrent të denjë në tregun e hapsirës ballkanike. Lëvizja e lirë dhe e lehtësuar nga aspekti administrativ, i ka ndihmuar shumë qytetarët shqiptarë të Shqipërisë, të cilët lëvizin pa pashaporta në disa vende të rajonit tonë dhe anasjelltas. Kjo duhet të përfshijë patjetër edhe qytetarët e Kosovës, pavarësisht nëse e njeh apo nuk e njeh Serbia Kosovën. Për mendimin tim, pa përfshirjen e plotë të Kosovës në këtë proces, çdo nismë rajonale do të dështojë. Nga ana tjetër, vetë Kosova, siç e kam theksuar, duhet të jetë më proaktive në çdo përpjekje që synon çlirimin e Ballkanit nga e kaluara dhe të mos paragjykojë marrëveshje, ku vetë ajo mund dhe duhet të jetë pjesëmarrëse.

2. Shqipëria merr pjesë në Mini-Shengenin Ballkanik, në një forum kaq të rëndësishëm, pa Kosovën, si e komentoni?

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator 2020, tek aneksi “Normalizimi ekonomik”, në mes të tjerave thuhet se “të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini- Shengenit” të inicuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore…”. Me mospjesëmarrjen e saj, Kosova ka treguar injorim të zbatimit të këtij traktati, vlefshmërinë e të cilit e ka rikonfirmuar presidenca Biden. Unë nuk kam dijeni për natyrën e bisedimeve që janë bërë mes palëve për organizimin e takimit të fundit në Shkup, por theksoj se Kosova duhet të tregojë seriozitet në plotësimin e detyrimeve të saj ndërkombëtare. Qëndrimi i paqartë i qeverisë Kurti në raport me zbatimin e këtij traktati (që u shoqërua me njohjen e Kosovës nga Izraeli) nuk tregon seriozitet dhe lidership. Në vijim do të thoja se Kosova është shtet Sovran dhe i pavarur, prandaj vendimet e saj nuk duhet të diktohen as nga paternalizimi i Tiranës e as nga presionet serbe. Kosova ka vendin e saj në çdo nismë rajonale dhe vetëizolimi apo refuzimi për të ecur përkrah fqinjëve nuk sjell kurrfarë dobie. Natyrisht, Shqipërisë i takon të punojë më shumë me Serbinë, që për disa çështje që përfshijnë nismat rajonale të tipit “Open Balkan”, të kondicionojë pjesëmarrjen e saj me përfshirjen e Kosovës. Por nëse Kosova, për shkak të vendimeve të liderëve të saj zgjedh të refuzojë pjesëmarrjen, atëherë askush nuk mund ta detyrojë të jetë pjesë e tryezës ballkanike. Kosova ka institucionet e saj dhe përfaqësuesit e zgjedhur dhe janë ata që përcaktojnë se çfarë është më mirë për Kosovën dhe çfarë jo. Kjo do të thotë se secili politikan përgjigjet para institucioneve të shtetit të tij. Shqipëria duhet të mbështesë Kosovën, ta inkurajojë dhe ndihmojë me çdo formë që të jenë krah për krah në çdo hap diplomatik në rajon. Personalisht mendoj se qeveria aktuale e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar mbrojtjen e tregjeve kosovare nga “agresioni” i produkteve serbe, të cilat thithin miliarda euro nga xhepat e qytetarëve, para se të përdorë retorikë politike dhe antagoniste ndaj nismave që kërkojnë hapje të tregjeve dhe kufijve rajonal. 

3. A duhet Shqipëria të ndërtojë marrëdhënie politike dhe ekonomike me Serbinë, duke lënë jashtë dhe aq më keq, duke antagonizuar Kosovën?

  • Shqipëria duhet të luajë rolin e saj në rajonin e Ballkanit, si vend anëtar në NATO dhe kandidat për në BE. Po ashtu, ajo ka edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së interesave shqiptare kudo në rajon, duke respektuar shtetet fqinje dhe duke bashkëpunuar ngushtesisht me to. Serbia, pavarësisht se nuk është një shtet fqinj me Shqipërinë, vitet e fundit ka shtuar përpjekjet për intensifikim të marrëdhënieve shumëplanëshe me Tiranën. Vihet re tendenca e saj që në këtë marrëdhënie të injorohet satë jetë e mundur faktori Kosovë. Mirëpo duhet të jetë Shqipëria ajo që marrëdhëniet e saj me Serbinë t’i konsiderojë të rëndësishme, aq saato nuk cënojnë interesat e Kosovës. Po ashtu, këto marrëdhënie, kurrë nuk duhet të kapërcejnë dhe lënë në hije liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqipëria duhet të ushqejë marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshi edhe Serbinë, por gjithnjë duke patur si prioritet interesat e shqiptarëve kudo që jetojnë. Pavarësisht propagandës politike që bëhet kohëve të fundit, unë nuk besoj se Shqipëria po “antagonizon” Kosovën në ndonjë segment të marrëdhënieve të saj rajonale. Përkundrazi, shpreh besimin tim se Shqipëria është aty ku janë interesat e Kosovës dhe, pavarësisht “antagonizmave” politike mes liderëve të caktuar këtej apo andej kufirit, shteti shqiptar në tërësinë e vet është dhe duhet te jetë me interesat kombëtare. Për më tepër që, në shumicën e marrëdhënieve rajonale, Shqipëria ka mirëkuptimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, SHBA-BE, që janë edhe partner të Kosovës. 

4. Replikat Rama – Kurti, dy kryeministra shqiptarë të shkëmbejnë kritika publikisht, në vend që të merren vesh privatisht dhe të ruajnë imazhin e unitetit në publik; a i dëmton shtetet tona në sytë e perëndimit dhe të fqinjëve?

  • Jo vetëm unë, por çdo shqiptar shpreh dëshpërim sa here kur shikon se mes udhëheqësve tanë në Kosovë e Shqipëri ka replika të pahijshme dhe më keq akoma, qëndrime inatçore që nuk reflektojnë aspak marrëdhënien mes nesh. Zoti Rama dhe Kurti kanë patur marrëdhënie shumë të mira vite më parë, por kohët e fundit, mes tyre ka mungesë urash të komunikimit e bashkëpunimit. Duhet që faktorë të tjerë shqiptar, të ndikojnë në afrimin mes tyre dhe jo në thellimin e përçarjes, duke krijuar kësisoj dy kampe; një pro-Kurti e një pro-Rama! Ne jemi e duhet të mbetemi deri në fund promotorrë të interesit tonë kombëtar, dhe jo ushtarë të njërit apo tjetrit politikan. Politikanët shkojnë e vijnë, por kombi ynë dhe sfidat e tij mbeten ndër shekuj! Secili nga ne duhet të shohë përtej hundës së tij, përtej interesit të tij personal e partiak dhe të shtrijë dorën pajtimit e bashkëpunimit. Inatet dhe egot personale të liderëve të caktuar nuk duhen ushqyer me retorika boshe dhe lajka. Kryeministri Rama, gjithësesi, duhet të ekspolorojë më shumë mundësi për të bashkëpunuar me Kurtin, sepse kështu ai bashkëpunon me Kryeministrin e Kosovës. Inatet dhe përshtypjet personale t’i ruaj për Albinin e jo për qeverinë Kurti. Nga ana tjetër, zoti Kurti duhet të kuptojë seriozisht se shteti i Kosovës ka rrënjë të thella dhe në ngritjen e tij kanë dhënë kontribut shumë njerëz e shumë breza dhe nuk do të sjellë asnjë dobi për të dhe të ardhmen e tij politike, tendenca për të anashkaluar apo fshirë realitete që janë gurthemel të Kosovës! Kjo vlen edhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo vlen edhe për marrëdhëniet me Tiranën zyrtare. Personalizimi i marrëdhënieve institucionale, nuk është në dobi të fuqizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Shqipërisë e anasjelltas.
  • 5. Mini-Shengeni a është produkt i autoritarizmit dhe etjes për protagonizëm i Ramës, Vuçiq e Zaev?
  • Unë nuk mendoj se nisma e mini-Shengenit apo “Open Ballkan” është rrjedhojë dhe produkt i autoritarizmit. Autoritarizmin në qeverisjen e vendeve tona e ndjejmë në raportet që kanë këto qeveri me qytetarët e tyre. Protagonizmi i kryeministrave është i pashmangshëm, kurse autoritarizmi duhet luftuar kudo që shfaqet. Sidomos veprimet arbitrare, anti-ligjore dhe keq-qeverisja janë pjesë e autoritarizmit në qeverisje, pavarësisht retorikës që secili person përdor për t’i mbuluar ato. Ne kemi nevojë për qeverisje të mirë, për respektim të ligjit, për drejtësi dhe shance të barabarta, për transparencë dhe gjithëpërfshirje në vendimarrje.
  • 6.Mini-Shengeni Ballkanik a është një përpjekje e Ballkanit për të “shantazhuar” Perëndimin?
  • Pavarësisht retorikës që liderët e Ballkanit përdorin herë pas here, në formën e “presionit” apo “shantazhit” ndaj Brukselit, unë e di që ata e bëjnë këtë për të justifikuar dështimet e tyre në zbatimin e reformave të kërkuara. Asnjë lloj retorike nuk mund ta mbulojë diellin e dështimeve tona, prandaj duhet që të punojmë më shumë në shtëpinë tonë pa akuzuar fqinjin. Ne kemi nevojë për t’u integruar në BE dhe jo BE për t’u ballkanizuar.
  • 7. Shqipëria e ndarë nga Kosova a humbet peshë në politikën rajonale?
  • Pavarësisht disa problemeve që janë aktualisht në marrëdhëniet ndër-shtetërore, Kosova dhe Shqipëria nuk janë të ndara nga mbrojtja dhe promovimi i interesit kombëtar. Shqipëria e Kosova kanë qenë, janë dhe do të jenë së bashku krah për krah në forcimin e faktorit shqiptar në rajon. Në marrëdhëniet mes vëllezërve mund të ndodhë që të ketë keqkuptime, por vëllezërit mbeten gjithmonë vëllezër.

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Cejku, Mini Shengeni Ballkanik, shqiperia

Ambasadori Arben Çejku promovon në Shkup e Prishtinë romanin”Dymbëdhjetë”

December 13, 2013 by dgreca

SHKUP – PRISHTINE : Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku promovoi romanin e tij “Dymbëdhjetë” në Panairin e Librit në Tiranë, kështu të paktën njoftoi axhenisa prestigjoze e lajmeve në gjuhën shqip në Maqedoni Illyria News Agency INA.  Kjo axhensi në raportimin e saj thotë se “Ky botim i shtëpisë “Pegi” sjell te lexuesi një histori të cilën secilit prej nesh i duket se mund ta “prekë” vetëm me një zgjatje dore, por që njëherësh e ka të pamundur ta besojë.

Ndërsa duke folur për përmbajtjen e librit “Dymbëdhjetë”, të autorit Arben Çejku, Ina shton se” E vërteta është që njerëz të ndryshëm ndërveprojnë në këtë histori nëpërmjet “komunikimit” që kanë bërë me personazhin kryesor, Lek Drini në “Facebook”.
Ai e “ringjall” Lekën përmes “Facebook”-ut dhe për çdo ditë e ushqen jetën virtuale të vëllait duke gërryer botën reale të vetes dhe të miqve, duke përfshirë edhe familjen e tij.
Sa më i gjallë e i përditshëm bëhet Leka, aq më ndjeshëm transformohet dhe vuan vëllai i tij. Por në lojë tashmë kanë hyrë edhe të tjerë.
Vallen e heq Eda, një vajzë e pafajshme dhe bukuroshe, e cila pasi njihet me “princin” e saj, përjeton një sërë të papriturash befasuese.” Janë këto disa përshkrime nga libri i diplomatit shqiptar, i cili mbylli mandatin e tij diplomatik në Maqedoni ka njoftuar në lajmet e saj INA.

Sakaq, edhe portali  Kurir Shqip ka shkruar se “‘Dymbëdhjetë’ sjell te lexuesi një histori të cilën secilit prej nesh i duket se mund ta ‘prekë’ vetëm me një zgjatje dore, por që njëherësh e ka të pamundur ta besojë, .

Ky protal thotë se legjenda shqiptare tregon sesi Konstandini u ngrit nga varri që të përmbushte amanetin e së ëmës për t’i sjellë Doruntinën, kur atë ta merrte malli. Është pikërisht malli ai që nxit vëllain e Lekës për të nisur një aventurë, që për pak do t’i kushtojë shtrenjtë.

Ai e ‘ringjall’ Lekën përmes ‘Facebook’-ut dhe për çdo ditë e ushqen jetën virtuale të vëllait duke gërryer botën reale të vetes dhe të miqve, duke përfshirë edhe familjen e tij. Sa më i gjallë e i përditshëm bëhet Leka, aq më ndjeshëm transformohet dhe vuan vëllai i tij. Por në lojë tashmë kanë hyrë edhe të tjerë. Vallen e heq Eda, një vajzë e pafajshme dhe bukuroshe, e cila pasi njihet me ‘princin’ e saj, përjeton një sërë të papriturash befasuese ka shkruar në faqen e saj të internetit Kurir Shqip.

Edhe autori i këtij libri diplomati shqiptar Arben Çejku i ka shpërnadr faleminderimet e tij në mes Prishtinë dhe Shkupit, dy kryeqytetet ku ai shërbeu për afro një dekadë si Ambasdor i R. Shqipërisë.

Kështu ka shkruar në rrejtin social face book autori i librit “‘Dymbëdhjetë’ zoti Arben Çejku: “Falenderoj edhe një herë të gjithë miqtë në Shkup e Prishtinë, ata që morën pjesë në promovimin e romanit tim, veçanërisht Rektorin e UEJL-se, Prof. Dr. Zamir Dika, studiuesin e letërsisë Prof. Fatmir Sulejmani etj për fjalët e mira që thanë në Shkup më datë 12.12.2013 si edhe Akademikun Ali Aliu, shkrimtarin dhe botuesin Nazmi Rrahmani, redaktoren e librit, Alda Bardhyli për vleresimet që bënë edhe RTK, Bibliotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë, Librarinë e Çarshisë në Shkup dhe gjithë miqtë që u angazhuan dhe më ndihmuan, natyrishtë edhe median shqiptare në Shkup e Prishtinë. Faleminderit të gjithëve nga zemra!” është shprehur nëpërmjet facbukut të tij ish- ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë dhe Shkup zoti Arben Çejku.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arben Cejku, dymbedhjete, ne Shkup-Prishtine, promovon, romanin

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT