Në kujtim të Pjetër Arbnorit/
Nga Anton CEFA/
Miratimi i ligjit për lirinë e shtypit në Shqipëri u desh të shkonte deri në prag të vetëflijimit. A nuk është Shqipëria vendi i pragjeve më të skjashme ? Pragu i diktaturës, pragu i vëtëvrasjes së demokracisë, pragu i varfërisë, i krimit, i korrpsionit, i çmendurisë, . . . pragje të pafund.
Pjetër Arbnori, i rritur në periudhën e diktaturës, që sundoi përgjakshëm për afër 50 vitesh, dhe një nga armiqtë më të vendosur të saj – i njihte mirë bëmat e frotës së majtë që erdhi në pushtet në vitin 1997. Ai e dinte shumë mirë, se e kishte provuar në lëkurën e vet dhe në lëkurën e popullit të vet se cilat ishin “liritë”, që jepnin komunistët, liritë që shpalleshin me bujë nëpër kushtetuta, miratoheshin me eufori e unanimitet nëpër kuvendet “popullore”, dhe pastaj . . . , i mjeri ai që guxonte të ngrinte zërin për të drejtën më të vogël, sepse mbi të binte me gjithë peshën e vet “korraca” e diktaturës së hetuesve, prokurorëve, gjykatësve, që vepronin me divocionin më të përkushtuar mbi bazën e atyre ligjeve të shtetit më demokratik në botë.
A nuk është parlamenti ynë i sotëm, i mbushur me të tillë hetues, prokurorë e gjykatës me kostume e frazeologji demokratike dhe, pa tjetër, edhe me diploma marksiste – leniniste (që u japin atyre atributin e ndritur të meritologjisë), por me ndjenja e ideale të çoroditura enveriste ?
Ai, Pjetër Arbnori, që kishte hedhur trakte kundër diktaturës në periudhën më të hershme e më të egër të saj, ai që kishte shkyer gazetat e murit e afishet e tjera, që kur ishte nxënës i viteve të para të gjimnazit në Shkodër, ai që kishte formuar një parti social – demokrate të modelit euro – perëndimor për të luftuar për vendosjen e demokracisë, ai që kishte vuajtur me stoicizëm për më se 28 vjet në burgjet e tmerrshme komuniste, por që nuk ishte përkulur, përkundrazi i ishte vënë ballë për ballë dhe i kishte sfiduar të gjitha torturat dhe “marifetet” kriminale të diktaturës për ta thyer, ai që kishte shkruar një dozinë me romane, trgime e ese për ta demaskuar atë, ai që kishte bërë greva urie në qelitë e famshme të burgut të Burrelit, ku një dorë e panjohur të burgosuri kishte shkruar vargun dantesk: “Lasciate ogni speranza, o voi che entrate !”, “O ju që hini mbrendë, keni mbarue!” përkthyer aq bukur në shqip : “O ju që hyni mbrendë keni mbarue!”; ai, Pjetër Arbnori, një nga Mandelat e Shqipërisë, vendosi edhe një herë të sakrifikohej për hir të një qellimi e të një ideali të lartë e fisnik, për hir të lirisë së shtypit, të përdorimit demokratik të medias shtetërore, duke u futur në grevë urie.
“Vendim i skajshëm” – u fol e u përfol andej e këndej nga gazetarët e atyre që jetuan ndër kolltuqet ministrore e kryeministrore të regjimit të kuq. Dhe e futën ndër thonjëza Mandelën e Europës me një nëntekst të ngërdheshur e të çoroditur ironik : “Për atdheun ai gjithmonë ka pasur vendime të skajshme.”
Këmbëngulja e tij për t’ia arritur qellimit, protesta e fuqishme e forcave demokratike dhe e gjithë popullit, ngritja e zërave autoritare botërore, bënë që valanga komuniste e ashtuquajtura pozitë të tërhiqej. Me sugjerimet e presidentit Mejdani, u nënshkrua një marrëveshje nga përfqësuesit e grupeve parlamentare të PS-s dhe PD-s për saktësimin në amendamentin përkatës të ndarjes kohore midis pozitës dhe opozitës parlamentare në edicionin e lajmeve të RTSH-s.
Arbnori e ndërpreu grevën e urisë, duke e quajtur qellimin e saj të arrirë. “Kompromisi është e vetmja rrugë e suksesshme për ndërtimin e demokracisë’ – deklaroi ai me optimizëm, duke dalë mbas njëzetë ditësh nga greva e urisë, më shumë i vdekur se i gjallë.