• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ATI” OSE POEZIA E MBIJETESËS

September 30, 2020 by dgreca

Shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku flet nga Rumania në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet librin e tij të fundit “Ati”. Në rastin e “Atit”, drama është vetë jeta. Krejt qënia e Atit, ndonëse endet mes një bote tejet të prekshme e madje të rëndomtë, bart një poezi të epërme, që nuk bëhet për art a zbavitje, por për mbijetesë. Me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.


“ATI”APO HISTORIA E NJE BABAI SHQIPTAR

Ngaqë në kohën e sotme lexohet pak, autori ndihet shpesh si ndonjëri nga ata mashtruesit tek “Rrobat e reja të mbretit”. Ndaj edhe jam i detyruar të them dy fjalë për ngjarjen. Një baba shqiptar, i varfër dhe i trajtuar si shumë “askushë” të tjerë, befas blindon derën, i thyen këmbën djalit të vetëm, Adriatikut, dhe e mbyll në shtëpi, duke i dhënë të përkthejë në anglisht, sipas porosive të një urdhëri të fshehtë, “Kanunin”e Lek Dukagjinit. Ndërkaq, Ati lyen flokët, vishet dhe sillet si i biri, duke ua bërë të njohur sa më shumë vetëve rrugët ku do të endet çdo ditë, kafenetë a dyqanet, ku do të ndalet, orët kur do të ndodhet në një vend a në tjetrin.Vazhdimi mund t’i japë secilit lexues një “çelës” të vetin për zbërthimin e kësaj tragjedie që, në trajta të ndryshme, vijon të rrënojëkudo fate familjesh e farefisesh.

ATI, ME EMRIN ZEF, Ç’DO TË THOTË KY PERSONAZH PËR LEXUESIT?

Është një baba shqiptar plot halle nga ata që, sipas ligjeve të jetës, duhet të mbyllen pas vdekjes, dhe me gëzime që mjaftojnë për ta mbajtur shpirtin gjallë. Vetëm se, në rastin e Atit, tragjedia që synon të shmangë mund t’ia pakësojë vdekjes fuqinë për të mbyllur halle. Ati bën çmos të shpëtojë mbiemrin dhe vijimësinë e farefisit nga rrjedh. Librin e kam shkruar në vitin 2003. Për të davaritur çdo hije dyshimi mbi ndonjë blasfemi të tërthortë, po shënoj se Zefi nuk është Jozefi apo Josifi i Dhjatës së Re. Nëse ndërkohë nuk e kanë vrarë, – Zot na ruaj! – në vend të të birit, ose nuk ka vdekur nga pleqëria, Ati vazhdon tëendet nëpër Tiranë, duke pritur ta vrasin. Nuk dua t’i fryj përtej caqeve rolin dhe ndikimin e letërsisë, por duhet të dëshmoj se, mes rreshtave të librit ka disa “kode” që, po të jenë zbërthyer si duhet nga pjesëmarrësit në ngjarje, mund t’ia kenë ndërruar mendjen gjakësit, ose të paktën ta kenë stepur të mendohet edhe një herë. Se mrekullitë janë të mundshme gjer edhe kur thjesht i ëndërrojmë në frymë fëminie. Ky libër më ka shtyrë të dëshiroj me gjithë shpirt që të bëhet sa më i njohur, kurrsesi jo për shitje e bujë, por thjesht se ndoshta shpëton, ose zgjat të paktën një jetë. 

SI SHKRIHET NË ROMAN INSTIKTI I MBROJTJES SË PASARDHËSIT?

Ngjarja zgjon mendime dhe ndjenja që s’para i lakmojnë shpesh bashkëkohësit, ose që dynden vetëm të tjetërsuara. Duke zëvendësuar të birin në jetën e përditshme, Ati, në fakt, i “merr” jetën dhe ngulmon t’ia heqë familjes / farefisit fatin që, për shkak të përsëritjes së gjërave brez pas brezi, duket më i drejti dhe i pashmangshëm. I “merr jetën” të birit dhe nxjerr jetën e vet në “mejdan”, që t’ia ndërpresin pikërisht për të zgjatur jetën e fisit. 

CILA ËSHTË DRAMA DHE CILI ËSHTË TENSIONI I BRËNDSHËM I PERSONAZHIT KRYESOR? 

Në rastin e Atit, drama është vetë jeta. Mund të duket e stisur, por kjo jetë e tij është plot dritë dhe vë në lëvizje një përfytyrim që do t’ia kishte zili çdo artist. Krejt qënia e Atit, ndonëse endet mes një bote tejet të prekshme e madje të rëndomtë, bart një poezi të epërme, që nuk bëhet për art a zbavitje, por për mbijetesë. 

SHËNDËRRIMI I NJERIUT, SI AKT I VIJIMËSISË

Njeriu që gjithë jetën ka qenë degdisur në skaj të vëmendjes, trajtuar gati nga të gjithë si numër pa kuptim, magjeps e shtang kur niset të shpëtojë emrin. Veç të tjerash, për shembull, Ati sajon edhe ekzistencën e një urdhëri të fshehtë, shumëshekullor, me anëtarë në mbarë rruzullin, dhe i cili ndoshta duhet themeluar vërtet. Në prag pleqërie, Ati bindet se, më bukur e më me kuptim se aq, s’ka si të jetojë. Hyn i vetëdijshëm në një vdekje për gjakmarrje, vdekje që shkruan poezi çast pas çasti në lëkurën e tij, pa ia shtrenjtuar, por as pa ia ulur çmimin lëkurës së tij prej “askushi”. Nuk ka ku gjen as poezi, as  vdekje më të bukur. Nga një pikëpamje, ata që kërcënojnë t’i marrin gjakun ia shndërrojnë krejt ujin e trupit në gjak. Ndoshta edhe është mirënjohës për sprovën e tmerrshme që përballon dhe lutet ta ketë jetën sa më të gjatë jo siç dëshiron vetiu çdo vdekatar,  por që të mos jetojë jashtë Bukurisë. 

IRMA, NËNA, MBART NJË PESHË JO TË VOGËL NË NGJARJE

Pa fjalë të tepërta e lotsjellëse, Irma është një nga mishërimet e nënës shqiptare.  Zoti jep jetën perms saj, ndërsa ajo rron, me një lumturi të papërshkueshme nga të tjerët apo nga letërsia, për fëmijën që ka lindur dhe për burrin me të cilin ka ngjizur fëmijën. Duket e përulur, sepse qëndron prorelart, në tjetër qiell metaforik. Kam përshtypjen se  ajo mbërrin një dekikë para të shoqit, ose ka qenë gjithmonë në Bukurinë që përmenda. 

MISTIKA DHE BEFASIA NË NJË KOHË TË ÇMENDUR QË ÇMEND EDHE NJERËZIT

“Koha e çmendur” është hapësira e pafajshme ku jemi mësuar të mbledhim, si në plehëra,  mëkatet, pamundësitë dhe lëkundjet tona. Çmenduria nuk është ves. E madje nuk është as  krejt sëmundje, përderisa vetë poezia (mbase për ta çmësyshur) shpesh “çmohet”  si përmasë apo degë e çmendurisë. Koha është shuma e veprimeve dhe e mendimeve të atyre që janë “bashkëkohës” me të. Besoj se më e saktë do të ishte “Kohë jo njerëzore”, në mos po “çnjerëzore”. Kjo nën kupton ngutjen e njerëzve për ta fshehur dhimbsurinë,  mirëkuptimin, mëshirën, ndarjen vllazërisht të dashurisë ndaj vetes me të tjerët, dhe empatinë, aq sa ato të fiken përfundimisht. Në mjegullën që buron nga çdo vetëngujim i  tillë, apo edhe “vetëvrasje”, njerëzit, të cilëve hallet iu duken të padrejtë, ëndërrojnë e  mezi presin të bëhen si të tjerët (ata padrejtësisht fatlumët), dhe anasjelltas. Për fat të keq,  harrohet e vërteta se zhdukja e halleve i heq shpirtit luftën e domosdoshme dhe e kërcënon me zbrazëti, ose me fikje. Sa për mistikën, – lidhur edhe me “kodet” e tekstit e të nëntekstit, – aspak rastësisht “ati” gjendet në jo pak fjalë të librit dhe të kësaj bisede: f-ati, Adri-ati-k, g-ati/shmëri, k-ati, zgj-ati, fsh-ati, pall-ati, ati-j, ç-atitë, arr-ati-a, shtr-ati, emp-ati-a e të tjera. 

KUSH ËSHTË ARDIAN KYÇYKU

Ardian Kyçyku njihet me pseudonimin letrar: Ardian-ChristianKyçyku / Kuciuk), ka lindur në Pogradec më 23 gusht 1969,  është autor i mbi 50 librave origjinalë shkruar në gjuhët shqip e rumanisht. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Doktor i shkencave filologjike, doktorant në teologji, profesor universiteti dhe rektor. Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus. Fitoi çmimin Kombëtar të Letërsisë “Penda e Argjendtë” për tregim (2012); Qytetar Nderi i Pogradecit (2014); Akademia Kult – Çmimi “Libri artistik i vitit /   Shkrimtari i vitit” (2015 dhe 2018); Çmimi II “Katarina Josip” për Dramë Origjinale Shqipe  (2016); Çmimi i Madh – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Trèscourt (2017); Ambasador i Kombit, Tiranë 2019.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ardian-Christian Kyçyku, ATI, Poezia e mbijeteses

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT