DR. ARIAN STAROVA*
Që prej 19 majit, kur Sekretari i Shtetit Blinken vendosi që Presidentit Berisha t’i hiqet mundësia për të marrë vizë hyrjeje për në SHBA, debati politik publik në lidhje me të ka vazhduar i dendur dhe i ashpër, duke mos dhënë asnjë shenjë fashitjeje. Ai ka vazhduar sa në median e shkruar dhe atë audiovizive, aq edhe në rrjetet sociale. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, madje është shumë mirë.
Natyrisht, unë e kam ndjekur me shumë vëmendje këtë debat, përderisa merrem me politikë, por edhe për shkak të kryerjes së studimeve në shkencat politike.
Ajo çka më mërzit dhe dëshpëron (shpeshherë deri në zhgënjim) është logjika e të arsyetuarit e shumë artikullshkruesve, ose shkruesve të rrjeteve sociale, të cilët janë bërë pjesë e këtij debati. [Sa pak qenkan tridhjetë vjet demokraci për kultivimin e mendjeve të hapura e joparagjykuese! Sa vjet të tjera të vështira do të duhet të kalojnë për të shënuar suksese edhe në fushën e mendjes! Megjithatë, si optimist i pazbutshëm, besoj se embrionet e një mendjeje të re tashmë ekzistojnë dhe po përhapen me shpejtësi ndër brezin e ri, para së gjithave dhe këtë e shohim si kudo edhe në media].
Kështu pra, të nderuar lexues, kam vërejtur ndër të tjera se një pjesë e autorëve të shkrimeve që mbështetin vendimin “Blinken” e quajnë çdo qëndrim tjetër, i cili është kritik, ose kundërshtues i tij, si të gabuar dhe shumë të gabuar. Pra, sipas logjikës së tyre, vendimi “Blinken” është i pakritikueshëm, thjesht sepse lidhet me SHBA-në. Dhe përsëri, sipas logjikës së tyre, SHBA nuk gabon asnjëherë. Pra, sipas kësaj logjike, ajo çka thuhet ose bëhet nga një aktor i rëndësishëm shtetëror është gjithnjë e pagabueshme.
Edhe po të lemë mënjanë faktin që një pjesë e këtyre shkruesve nuk e bëjnë këtë gjë me mendjen e vet (por si detyrë të urdhëruar nga “bosi politik”), përsëri mbetet varfëria e skajshme e logjikës së përdorur. Në kohën e sotme, një nga aftësitë kryesore që synohet t’u mësohet studentëve të shoqërive demokratike (dhe një prej kritereve vlerësues të arsimit modern) është aftësia për të qenë kritik, sepse asgjë e kësaj bote nuk është e përsosur dhe e pakritikueshme. Edhe vetë shoqëria pluraliste demokratike mbështetet mbi një themel të tillë, mbi larminë e mendimeve që ndryshojnë prej njeri-tjetrit dhe e kundërshtojnë njeri-tjetrin.
Shkruesit në fjalë shkojnë edhe më tej, i cilësojnë të gjithë kritikët si kundëramerikanë, duke bërë arsyetimin tjetër logjik të pasaktë, duke e shndërruar kritikën për diçka të veçantë të një objekti në kritikë për të gjithë atë objekt. Pa dashur, këta i “hedhin dru edhe një zjarri” ku “gatuhet” një konflikt i rremë ndërmjet pro-amerikanëve dhe kundër-amerikanëve në Shqipëri. Para së gjithash, kjo është qesharake të mendohet për shqiptarët, por në kushtet e ripërtëritjes së vrullshme të konkurrencës gjeopolitike, ky “zjarr” mund t’u shërbejë aktorëve gjeopolitikë që kërkojnë të ushtrojnë ndikim në Shqipëri.
Kam vërejtur edhe diçka tjetër në shkrimet që mbështetin vendimin “Blinken” apo shkrimet kundër-Berishë. Ata kritikojnë kundërpërgjigjen e Presidentit Berisha nëpërmjet institucioneve të drejtësisë dhe çdo gjë tjetër që ai thotë dhe bën kundër këtij vendimi. Si është e mundur që këta njerëz nuk e kuptojnë se njeriu ka dinjitet dhe duhet të gëzojë lirinë për të mbrojtur të vërtetën e tij?
Le të vijmë tani në thelbin e problemit.
Po e marrim të nënkuptuar idenë se Departamenti i Shtetit ka burime të afta dhe të shumta informacioni, që i shërbejnë si themel për të marrë një vendim. Pra, në rastin tonë, edhe për vendimin “Blinken” mbi Presidentin Berisha. Po e pranojmë (në dobi të analizës) edhe rregullin sipas të cilit këto burime informacioni nuk bëhen publike.
Atëherë pyetja shtrohet: si do ta kërkojë njeriu ta gjejë dhe ta mbrojë të vërtetën e tij, nëse e ndjen se ajo është shtrembëruar? A duhet të nënkuptojë kjo (siç thonë shkruesit arsyetimcekët) se Presidenti Berisha nuk ka asgjë se çfarë të bëjë, porse vetëm duhet të heshtë? Kjo ide mund të jetë pranuar në raste të tjera, por Presidenti Berisha është një politikan me personalitet të fuqishëm, ndryshme prej shumë të tjerëve dhe as nuk i shkon ndërmend të heshtë kur bëhet fjalë për të vërtetën. Prandaj ai, në vend që të heshtë (meqë Departamenti i Shtetit nuk gabon) dhe të “kafshojë gjuhën” duke pranuar një vlerësim negativ të cilin nuk e meriton, është duke bërë këtë çka po bën tani duke e futur veten në një “betejë” të vështirë, por jo me SHBA-në, por për të vërtetën.
Tani, po përpiqem ta analizoj duke hyrë më drejtpërdrejt në thelbin e debatit, duke shtruar përsëri disa pyetje, fillimisht.
E përse nuk mund të kritikohet edhe vendimi “Blinken”?! Cila është e keqja e kësaj kritike?! Në fund të fundit, çdo kritikë e argumentuar a nuk ndihmon për saktësimin dhe përmirësimin e gjërave?! A nuk duhet që një mendje e hapur t’u përmbahet vetëm fakteve dhe arsyetimeve të saktë, pavarësisht nëse ato mund të vijnë në kundërshtim me një autoritet çfarëdo?! A nuk na paska mjaftuar ne shqiptarëve e gjithë koha nën komunizëm kur partia jepte udhëzime për gjithçka si në kushtet e një kalifati komunist të përfytyruar, ku e vërteta vinte vetëm prej mendjes së elitës së lartë komuniste dhe drejtonte të gjitha anët e jetës shoqërore deri edhe vetë shkencën, që për nga natyra e saj, nuk pranon asnjë autoritet tjetër përveç së vërtetës?!
Pyetja fare konkrete që vjen tani është: a mund të ketë gabuar Departamenti i Shtetit për rastin e Presidentit Berisha?
Parimisht, po, kurse për rastin në fjalë (për Presidentin Berisha) nuk e dimë, sepse nuk kemi parë asnjë provë, ose fakt. Nëse do të shikonim provat, do të shpreheshim më saktë, por këmbëngulja e vetë Presidentit Berisha parakupton se është gabuar. Si mund të ketë ndodhur kjo gjë? Përsëri dhe të paktën për mua, pa fakte asgjë nuk mund të thuhet.
Diçka megjithatë është krejtësisht e qartë. Vendimi “Blinken” është mbështetur në informacione që parakuptohen si të sakta, kurse Presidenti Berisha ka vënë në dyshim pikërisht saktësinë e informacionit përkatës. Rrjedhimisht, nëse bëhet fjalë për dy shoqëri demokratike, atëherë sqarimi i informacioneve mbi të cilat është mbështetur ai vendim do të duhej të ishte detyrim moral kundrejt publikut shqiptar, i cili në shumicë dërrmuese e vështron SHBA-në si “Earthly God”.
Duam nuk duam, tani në fund vjen edhe një pyetje tjetër: nëse rrethanat e përcaktimit të një politikani të rëndësishëm si “i pazgjedhshëm për të marrë vizë hyrjeje amerikane” (si Presidenti Berisha) qenkan të tilla (edhe të diskutueshme), atëherë përse vazhdon kjo praktikë e Departamentit të Shtetit, e vlerësimit moral të politikanëve të caktuar, pa dhënë shpjegime? Ndoshta, kjo praktikë mund të ishte shumë e dobishme nëse vinte pas kryerjes së proceseve përkatëse të drejtësisë ligjore. Megjithatë, ashtu siç është tani, kjo praktikë edhe nëse mund të ketë ndonjë dobi, çmimi shoqëror i saj duket tepër i lartë, i paguar me imazh publik të SHBA-së. [Këtu nënkuptoj se është diçka e mirënjohur se të paktën 40% e shqiptarëve e vlerësojnë lart Presidentin Berisha dhe mbi të gjitha, si të pakorruptueshëm].
Po e mbyll këtë shkrim duke përsëritur çka kam thënë edhe më parë në një bisedë televizive: “Do të guxoja me shumë modesti t’i këshilloj Departamentit të Shtetit ta rishikojë, ose heqë këtë praktikë të padobishme dhe jodemokratike të përcaktimit si ‘të pazgjedhshëm për marrje vize amerikane’ të individëve të caktuar. Një praktikë e tillë e dëmton imazhin e SHBA-së, por ndikon për keq edhe në mendësinë e shumë shqiptarëve. Ne shqiptarët kemi përvojë prej së kaluarës sonë nën rrëgjimin totalitar se të vërtetat e detyruara në kushte padije nuk zënë asnjëherë rrënjë në mendjet e njerëzve, madje më shumë dëmtojnë.
Dhe ndërkohë që debati mbi vendimin “Blinken” vazhdon, shumë dhe më shumë shqiptarët po vazhdojnë të habiten me heshtjen amerikane mbi “bëmat superkorruptive” të qeverisë së “kryerilindasit” Rama.
Pra, siç e shikoni, unë jam kritik, por assesi nuk jam kundëramerikan dhe dëshiroj shumë t’i shërbej idealit të demokracisë amerikane!
*President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë