NGA AVZI MUSTAFA/
Siç dihet, Perandoria Osmane zhvillonte një politikë asimiluese e shkombëtarizuese, sidomos ndaj popullit shqiptar, duke mbrojtur parimin fetar mbi atë kombëtar, kështu që kombin shqiptar nuk e njihte. Prandaj, kur ishin në pyetje kultura dhe arsimi i këtij populli, ajo aspak nuk brengosej që populli ishte katandisur në injorancën më të madhe arsimore e kulturore, por edhe në gjendjen më të mjeruar ekonomiko-sociale.
Prandaj iluministët shqiptarë jashtë atdheut kishin marrë mbi supet veta të themelojnë, klube e shoqëri dhe gazeta e revista me synime të qarta politike për të drejtuar popullin shqiptar nga vetvetja. Në këtë kohë paraqiteshin statute, thirrje, procesverbale, artikuj shtypi e relacione të ndryshme dërguar konsujve, që kundërshtonin planet ekspansioniste të shteteve fqinje, duke dëshmuar se shqiptarët janë një popull i veçantë dhe nuk kanë të bëjnë as me osmanët, e as me grekët, e as me sllavët. Për zgjimin kombëtar dhe ngritjen e ndërgjegjes te shqiptarët s’ kishte rrugë tjetër, përveç arsimit dhe edukimit kombëtar. “Me anë të arsimit të popullit në gjuhën shqipe në frymë patriotike, Rilindësit synonin ta përshpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndjenjën etnike dhe aftësimin e tij në jetën shtetërore të pavarur” (IPS: Historia e arsimit shqiptar,f. 60).
Dhjetë vjet më vonë pas botimit të “Abetares” së Sami Frashërit, shtypi i kohës do të shkruajë: “kleri është një armik po aq i madh se qeveria osmane, se fetë janë bërë mollë sherri dhe gjakësore, se besimet e ndryshme, hoxhallarët çallmëdhenj, priftërinjtë mjekërgjatë dhe pashallarët e fëlliqur janë ata që na pengojnë, se nga fanatizmi e priftëria e hoxhallarëve jemi përndarë e copëtuar” (Shqipëria nr. 8, qershor, 1897).
Një prej tyre, më i zëshmi e më aktivi, i cili me tërë qenien fizike e intelektuale u angazhua që Shqiptarët të mos shkëputen nga Perandoria Osmane ishte edhe Arif Hiqmeti nga fshati Llojan i Kumanovës.
Perandoria Osmane kishte rekrutuar njerëz nga të gjitha shtresat, e sidomos njerëz të administratës, hoxhallarë, oficerë si dhe studentë nga trungu shqiptar për të bërë propagandë që të angazhoheshin në mënyrat më të ndryshme që shqiptarët të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë.
Arif Hiqmeti lindi diku rreth viteve ’70 të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Mësimet e para i mori te hoxha i fshatit dhe ne medresenë e Kumanovës. Familja e tij merrej me tregti. I ati Arifin e dërgoi për shkollim në Stamboll. Qysh i ri ky ishte i zgjuar dhe shumë komunikativ. Familja e tij kishte plot miq turq me pozita të larta shtetërore, të cilët Arifit ia mundësuan që ai në Stamboll të regjistrohet në një shkollë shtetërore-administrative ku mësonin fëmijët e njerëzve të pasur. Kjo shkollë mbahet mend për zbatimin e metodës së “Lehanesë”, metodë e spiunimit për ata që nuk e flasin gjuhën e dovletit, ku Arifi ishte i angazhuar që të ndjek nxënësit e viseve tona e sidomos shqiptarët. Pas mbarimit të kësaj shkolle ai regjistrohet në Fakultetin e Mylekijes (Shtetëror) në degën Juridike në drejtimin e të Drejtës Pronësore, që kurrë nuk e ushtroi profesionin, sepse ai merrte rrogë nga Stambolli si agjent turk kundër shqiptarëve.
Shumë shpejt ai do të punojë si agjent personal i Ministrit të Punëve të Brendshme të Perandorisë Osmane, Hilmi Pasha. Nga një dokument i Vjenës me nr. VJ. 13-8-809 me nr. 156. Fk. 411-412 gjatë një operacioni sekret thuhet se “… erdhi një i ri prej Kumanove i quajtur Arif Neziri, student me studime të kryera në Stamboll; ai flet disa gjuhë, njeh të gjitha personalitet e shquara të qeverisë turke në Stamboll”.
Arifi një kohë e mbante mbiemrin Neziri, por ai kur hyri në shërbimet sekrete te Perandorisë do ta ndërrojë mbiemrin nga Neziri në Hiqmeti, që do të thotë se ai tani është njeri i hyqymetit Osmano-turk dhe me këtë mbiemër do të veprojë gjatë gjithë jetës si faqezi, renegat, i poshtër, i pamoralshëm, intrigant, i pashpirt, organizator mitingjesh kundër shqiptarëve, provokues i ngjarjeve dhe i njerëzve të ndryshëm, bashkëpunues i qeverive të ndryshme, si Serbe, Bullgare, Ruse.
Arif Hiqmeti skajshmërisht mbronte përkatësinë fetare e mohonte përkatësinë kombëtare, aq sa nuk njihte kombin shqiptar. Kur bëhet fjalë për kulturën dhe arsimin e këtij populli, ai aspak nuk brengosej që populli ishte katandisur me shekuj në injorancën më të madhe arsimore e kulturore.
Arih Hiqmeti me mish e me shpirt përkrahte e bënte projekte antishqiptare dhe e bënin nevrik patriotët shqiptarë jashtë atdheut, që kishin themeluar klube e shoqëri, gazeta e revista me synime të qarta politike për të drejtuar popullin shqiptar nga vetvetja. Në këtë kohë botoheshin statute, thirrje, procesverbale, artikuj shtypi, relacione të ndryshme, që ishin në kundërshtim me planet ekspansioniste të shteteve fqinje dhe shumë sosh u dërgoheshin konsujve, për t’i njoftuar se shqiptarët janë popull autokton dhe i veçantë, se nuk kanë asgjë të përbashkët as me osmanët, e as me grekët, e as me sllavët.
Për zgjimin kombëtar dhe ngritjen e vetëdijes te shqiptarët s’kishte rrugë tjetër, përveç arsimit dhe edukimit kombëtar. “Me anë të arsimit të popullit në gjuhën shqipe në frymë patriotike, Rilindësit synonin ta shpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndenjën etnike dhe aftësimin e tij në jetën shtetërore të pavarur” (IPS: Historia e arsimit shqiptar, f. 60).
Ashtu siç deklaroheshin xhonturqit se janë për “demokraci, liri dhe përparim”, Arif Hiqmeti bashkë me ta në thelb ishin armiqtë më të egër, nacionalistë e shovinistë të përbetuar që me veprimet e tyre kërkonin dhe punonin në çdo mënyrë ta ruanin tërësinë e Perandorisë Osmane, tani më që ishte kalbur në palcë.
Arif Hiqmetin, meqë kishte miqësi me Ministrin e Punëve të Brendshme të Perandorisë Osmane dhe si njohës i gjuhës shqipe e dërgojnë në Vilajetin e Kosovës pas Kryengritjes së shqiptarëve në Malësinë e Gjakovës. Arifi si njeri i besueshëm, kishte për detyrë të sjellë dekrete për disa kryengritës që të kthehen kah Perandoria, duke u ofruar edhe poste qeveritare. Nga një dokument i Vjenës që mban datën e 17 majit 1904, nr. i protokollit 86. FK. 210-213 do të mësojmë se nga valiu i Kosovës, Shaqir Pasha në Shkup janë ftuar Sulejman agë Batusha, i shoqëruar nga kajmekami i Gjakovës, Mustafë agë Mitrovica me dy djemtë e tij si dhe Selim agë Curri.
Pastaj, Shaqir Pasha do të bëhet bashkë me Arifin dhe do bëjnë disa vizita në Tetovë, Gostivar, në Restelicë, 25 kilometra larg Prizrenit dhe pastaj depërtuan shumë thellë deri te Sanxhaku i Dibrës , gjegjësisht në rajonin e Lumës për të parë e dëgjuar më shumë për Ramadan Zaskokun (dok. Vj. 13-8-807).
Në bazë dokumentacionit, pas një kohe relativisht të shkurtër, gjendja përsëri përkeqësohet, ku thuhej se “tani lëvizja është shtrirë deri në Kiljeshe (Kalis), ku Ramadan Zaskoku me 500 vetë të armatosur po bisedojnë me Dibrën kufitare” (dok. nr. 46. Fk.151-158). Atëherë Arif Hiqmeti vjen në skenë me mbështetjen e Shaqir Pashës dhe komandantit Ahmet Pasha. Arif Hiqmeti si agjitator hyn në revoltën e Pejës, ku siç thuhej në dokument “ krekoset se për të nuk ekziston asnjë burg dhe në të vërtetë kur e arrestuan këtu përpara nja katërmbëdhjetë ditëve, u lirua menjëherë prej mytesarifit, duke vajtur mandej në Lumë” (dok. Vj.13-8-899 nr. 156.F.k. 411-412 vti 1904).
Arif Hiqmeti sillej vërdallë në të gjitha vendbanimet ku shihej se ka revoltë të madhe ndaj politikës Osmane, por atë e gjejmë edhe në Stamboll për të marrë direktiva të ndryshme. Kjo shihet shumë qartë veçmas atëherë kur mori hov që shqiptarët të përdornin germat e bazës latine, sepse kjo sipas atyre është e vetmja armë përçarëse e shqiptarëve. Xhonturqit ndërruan taktikën, duke luajtur në kartën e alfabetit turko-arab, duke u arsyetuar se ky alfabet është i Kuranit e i fesë islame e çdo tjetër alfabet është kundër fesë e Kuranit.
Në Stamboll vepronte një klub me emrin “Mahfel”, por kur çështja e alfabeti shqip po merrte rrugën e zgjedhjes së drejtë, tani këtë klub e vërshuan agjentët e xhonturqve, sidomos të rekrutuarit nga viset e Rumelisë. Më i zëshmi ndër ta ishte pikërisht Arif Hiqmeti, i cili me ndihën e bashkëpunëtorëve arriti që të behej edhe kryetar i klubit. Këta agjentë të përbetuar e reaksionarë përdorën të gjitha armët më të forta reaksionare për të penguar gjuhën e shkollën shqipe.
Arif Hiqmeti përveç propagandës publike me gojë e me shkrim, ai herë pas here vepronte drejtpërsëdrejti, duke hyrë shtëpi më shtëpi e në shumë xhami e teqe, duke propaganduar idenë se Perandoria duhet të jetë e plotë, të mbisundojë edhe më tej, se ajo do të mundësojë që secilit që pranon “Baba Dovletin” do të shpërblehet. Ai premtonte në çdo vend se do të hap xhamia, imarete, bujtina e internate për fëmijët që do të mësojnë gjuhën turke e më pastaj do të dërgohen në Stamboll për studime e punësime në administratë. Arif Hiqmeti në arat e llojanasve deshi të hapte një jetimore-shkollë pa pagesë për fëmijët që do të mësojnë turqishten e alfabetin arabo-turk, që më vonë t’i rekrutojë për nevojat e Perandorisë. Sipas mbamendjes që është përcjellë brez pas brezi thuhet se Arifi “qytykët” ( vulat)’ i ka mbajtur në qafë, që të binden njerëzit se bën punë për ta.
Siç dihet, Kongresi i Alfabetit la në përdorim dy alfabete me bazë latine. Lënia e mundësisë së përdorimit të dy alfabeteve për shkrimin e shqipes nga Kongresi i Manastirit ishte vendim i matur e largpamës, sepse mbylli shtegun e përçarjeve brendashqiptare. Por, për një kohe të shkurtër, alfabeti që e kemi sot u përhap në të gjitha letrat shqipe, si alfabet i njësuar gjithëshqiptar. Nga ana tjetër, me zgjedhjen e variantit latin të shkrimit të shqipes iu dha një grusht i fortë përpjekjeve të disa qarqeve të huaja për ndikim kulturor, e më pas për nënshtrimin dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve. Këtë vendim që alfabeti “të lihej në pëlqimin e vetë popullsisë të çdo krahine” nga qarqet antishqiptare, përfshirë edhe Hiqmetin, u interpretua gabimisht e me prapavijë se mund të përdorej edhe alfabeti arabo-turk.
Arif Hiqmeti turr e vrap vjen deri te myftiu i Manastirit, që atë kohë këtë detyrë e ushtronte Rexhep Voka, dhe se ky ka aftësi të veçanta për të shpikur një abetare me shkronja arabo-turke. Por kjo edhe iu realizua. Abetarja u shtyp dhe filloi të shpërndahet tek popullata, por më kot, sepse kjo abetare nuk u përfill nga shqiptarët.
Në gazetën “Dielli”, nr. 46, dt. 11.2.1910 është botuar një shkrim ku i bëhet një lutje Arif Hiqmetit dhe Rexhep Vokës, “të na shkruaj fjalët “mot” dhe “bukë” me shkronjat turqishte dhe le t’i mbajë për vetën e tyre”.
Hiqmeti kontaktoi edhe me Abdylaqim Doganin, i cili përgatit një abetare me shkronja arabo-turke që nuk arriti të dal në dritë në kohën kur xhonturqit donin ta përhapnin.
Pasi dështoi përhapja e alfabetit arabo-turk ndër shqiptarët, Arif Hiqmeti vjen në Shkup që të organizojë një miting. Ai dhe bashkëmendimtarët e tij shfrytëzonin vetëm atë pjesë të vendimeve të Kongresit të Manastirit që u pëlqenin dhe ishte në interesin e tyre, përkatësisht lidhur me alfabetin e shkrimit të shqipes “që ky të lihej në pëlqimin e vetë popullsisë së çdo krahine”.
Në muajin shkurt, gjegjësisht me 6 shkurt të vitit 1910, agjenti i xhonturqve dhe më vonë edhe i serbëve, Arif Hiqmeti (nga Llojani i Kumanovës), me ndihmën e Valiut të Kosovës dhe të klerit musliman, para xhamisë së Sulltan Muratit pas faljes se namazit, organizoi dhe mbajti në Shkup një miting kundër alfabetit të Manastirit.
Mllefi i akumuluar i merimangave turke në Shkup, nëpërmjet të një shoqërie që mbante emrin “Shoqata për të shkruar gjuhën shqipe me germa osmane”, organizuan një mbledhje, të cilën e quajtën “Kongres” e për të cilin dihet shumë pak dihet, për arsye se nuk bëri jehonë në masat e gjëra, sepse ky ishte vetëm një mendim ose kërkesë e një deputeti nga Shkupi Seid Efendisë, duke trumbetuar se myslimanëve me Kur’an u është ndaluar të shkruajnë nga e majta në të djathtë. (shih: Avzi Mustafa.,Studime dhe artikuj,2012 f. 28
Shqiptarët e Shkupit, pasi i dëgjuan këto marifetllëqe, u prononcuan me një artikull “Nga një zemër shqiptare”. Në të thuhej: “Dje u mbajt këtu një kongres prej ca nga të parët e vendit, të cilët vendosën ta përdorin alfabetin me shkronja arapçe për shkollat e Shqipërisë… Atë alfabet që vendosën të përdorin këta zotrërinj, le ta mbajnë për vetën e tyre, asnjeri s’e njeh, as do ta njohë, s’e di, as do ta dijë. Shqipërija e tërë ngrihet në këmbë për me thanë: Turp i math për këta njerëz! ( Po themi njerëz për mos me thënë ndryshe!)”.(Po aty.f.12
Manovrat e xhonturqve nuk kishin të ndalur për përçarjen e shqiptarëve. Ata dërguan emisarin Arif Hiqmetin për të nxitur klerikët fanatikë, hoxhallarë e myftinj, agjentë të veshur si dervishë, administrator, por edhe priftërinj ortodoksë, për mallkim e gjuhës e të shkronjave shqipe, që kështu shqiptarët të heqin dorë. Megjithatë emisarët nuk gjetën përkrahje nga shqiptarët. Në një dokument që gjendet në Arkivin e Maqedonisë (dokumenti mban nr. 74 të 17 frorit (shkurtit) 1910) kuptojmë se “Turqit e rinj janë angazhuar që të organizojnë një protestë kundër shkronjave latine të arnautve. Nga shumë qytete kjo protestë nuk ishte mirëpritur, kurse sukses ka pasur vetëm në Ohër, atje janë mbledhur 3000 frymë”. (Arkivi i Maqedonisë, dokum. I.19.173/207-208).(A.M)
Meqenëse çështja e alfabeti u zgjidh një herë e përgjithmonë dhe se ai vuri edhe murin ndarës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Arifi nuk u ndal, por ndërroi flamurin dhe hyri në agjenturën serbe. Në një artikulli të gazetës “Populli” të datës 2 maj 1914, të titulluar: “Arif Hiqmetoviç” shkruan se: “Çanaklëpirësi ynë s’lodhet duke u endur dhe vetë sa nga Matja, sa nga Golloborda. Ka gjetur disa interesxhinj dhe ka ngreh nja dy a tri krahina, bie fjala, si në Gjoricë e gjetkë, ku xhandarëve iu jep (i paguan) nga 4 lira rrogë. Çudi pra, ku i gjen këto të holla?” Paratë sigurisht ishin vënë në dispozicion nga fondi i fshehtë i Prefekturës së Ohrit.
Më 29 maj 1914, Kryeministri Pashiç e kishte urdhëruar Prefektin e Ohrit, Çirkoviç ta porosiste Arif Hiqmetin që të hynte në lidhje me krerët e rebelëve të Shqipërisë së Mesme në rrethin e Durrësit dhe të kërkonte prej tyre që të mos përziheshin në Mat dhe Malësi të Dibrës; pasi, sipas tij, ata kishin njëfarë “autonomie”.
Më 23 qershor të vitit 1914 në rrugën Gostivar-Mavrovë, pranë fshatit Zhirovnicë, një plumb i patriotëve dibranë e goditi në kokë, duke e rrëzuar nga kali me tru të dalë jashtë kafkës. Organet e fshehta serbe për vdekjen e këtij armiku të përbetuar ndaj shqiptarëve lajmëruan pas tri ditësh. Kryeministri serb Pashiç e komunikoi vdekjen e bashkëpunëtorit të përbetuar të tij, Arif Hiqmetit, si aksident, për shkak të rënies nga kali. Më 8 korrik 1914, gazeta “Populli” e Vlorës shkroi: “Prej një lajmi të sigurt nga Shkupi marrim vesh se Arif Hiqmeti është rrëzuar nga kali, vendosur në spital të Shkupit, ku mjekët i bënë një operacion dhe pas dy ditëve vdiq. Tradhtarit iu gjetën 29.000 franga në xhep.”
Arif Hiqmeti ishte njëri ndër më të besueshmit e Perandorisë Osmane e pastaj të Mbretërisë Serbe, i cili e helmonte popullin duke e shtyrë drejt fanatizmit fetar e antikombëtar si dhe me moral të dobët, duke u vënë në shërbim të të huajve dhe nxitës i gjakderdhjes dhe luftës vëllavrasëse.
Këtë artikull do ta përfundoj me fjalët e Át Gjergj Fishtës –shkruar te “Gomari i Babatasit” që këtë tradhtar të kombit e konsideron si njërin ndër tradhtarët më të mëdhenj të kombit.
“E po ‘imênd – t’ngjatët Zoti jetën! –
Esad Pasha a thue ndër Fretën
ka xânë shkollë?… Arif Hiqmeti
a ndër Fretën apo n’jeti
ai kjé rritë?… Haxhi Qamilinë prapaskenë nga Esat pashë Toptani e shumë të tjerë.”