-Policia e Kosovës arreston njëmbëdhjetë persona të dyshuar për kalim të paautorizuar të vijës kufitare, pasi ka ndaluar dy automjete të dyshuara me targa të Serbisë/
PRISHTINË, 8 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/Policia e Kosovës, zyrtarët kufitarë, sot rreth orës 13:00, përmes rrugëve operativo-hetimore kanë siguruar informacione se në lagjen e quajtur Sekiraqa në fshatin Metergof të Podujevës, pritet të hyjnë në mënyrë të paligjshme disa shtetasë serbë dhe rusë.
Policia Kufitare ka ndërmarrë masat e nevojshme policore duke angazhuar ekipe patrulluese të kufirit, të cilat si rezultat i punës rreth orës 13:45 në lokacionin e cekur, saktësisht tek tabela paralajmëruese e KFOR-it e cila tregon afërsinë e kufirit, kanë ndaluar dy automjete të dyshuara me targa të Serbisë.
Gjatë kontrollit të dy automjeteve “Mercedes” kombi ngjyrë e bardhë, janë ndaluar gjithsejtë njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror.
Personat e dyshuar, 6 rusë e 5 serbë, së bashku me automjetet janë dërguar në stacion të Policisë Kufitare për intervistim dhe procedim të mëtejmë, sipas procedurave të parapara ligjore.
Lidhur me rastin janë njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit, Oda e Avokatëve të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse ruse në Republikën e Kosovës. /b.j/