• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Takim me martirët: i Lumi at Çiprijan Nikaj, ofm, martir

November 9, 2021 by s p

Ditën e 11 marsit të vitit 1948, në moshën 47 vjeçare, at Çiprijan Nikaj i doli përpara vdekjes si të ishte duke shkuar për të kremtuar Meshën e shenjtë.

R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë me ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit – Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e dytё 26-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit Atë Çiprijan Nikaj, ofm.

I Lumi Atë Çiprijan Nikaj ishte një françeskan shumë i devotshëm, i përvuajtur, korrekt dhe i heshtur. Admirohej përshpirtëria e tij e ndër fretër ishte shembullor në zbatimin e të gjitha rregullave të jetës françeskane. Sistemi i ri ateist që u imponua duhej ta “çlironte” shoqërinë prej ndikimit të Kishës, si rrjedhojë edhe nga një frat shembullor e njeri i Hyjit si Atë Çiprijani.

Më 15 nëntor 1946 u arrestua në Shkodër, akuzat e sajuara ishin nga më të ndryshmet e që këto të pranoheshin nga i arrestuari shoqëroheshin me lloj torturash çnjerëzore. Vuajtja sigurisht nuk është e këndshme, por fisnikëron fitoren e arritur”. E drejt kësaj fitoreje u bë gati të shkojë Padër Çipriani kur dëgjoi vendimin e Gjykatës: me pushkatim. Ishte data 28 dhjetor 1947, ditë e diel, klimë Krishtlindje. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona:

Që në fillim mund të themi se ‘ëmbëlsia e shpirtit’ e karakterizoi gjithë jetën e martirit Atë Çiprijan Nikaj e sigurisht kjo dukuri zë fill prej familjes së tij shumë mikpritëse dhe të urtë. Ai ishte djali i vetëm mashkull i çiftit Mhill Nikaj e Prenda Ali Marashi. Lindi në Shosh më 17 shtator 1900 e tre më ditë më pas u pagëzua me emrin Dedë. Kur ishte vetëm 5 vjeç bashku me të motrën Luçen, mbetën jetim nga i ati. Që në moshë të vogël mësoi t’u binte veglave muzikore e veçanërisht flautit, aq sa muzikanti i famshëm françeskani Atë Martin Gjoka do ta angazhojë në bandën e tij muzikore.

Është pikërisht në këtë periudhë që ai njihet me fretërit e kuvendit të Gjuhadolit në Shkodër, ndërsa zemra e tij po i hapej dhuratës së thirrjes që Zoti po i bënte. Qartësia e kësaj thirrje do ti bindë etërit françeskanë që ta dërgojnë, kur ishte 16 vjeç, në kuvendin në Maria Lankowitz të Austrisë për periudhën e noviciatit, në përfundim të të cilit do të marrë kushtet e para duke u bërë kështu pjesë e Provincës së Zojës Nunciatë të fretërve minorë të Shqipërisë. Studimet bazë do ti kryejë po në Austri, në Graz. Pas një periudhe qëndrimi në Shqipëri do të largohet përsëri, këtë herë për në Itali, ku do të përfundojë studimet teologjike, në Romë fillimisht e më pas në Pescia afër Pistojës. Pas bërjes së kushteve të përjetshme rregulltare, do të shugurohet meshtar në Romë më 25 korrik 1924. Me kthimin në Shqipëri do të vendoset në Gjuhadol nga ku do të largohet vetëm për të çuar deri në fund kalvarin e tij heroik.

Veprimtaria e tij kryesore që mësimdhënëia, krahas saj do ti besohen edhe shumë detyra të tjera ndër të cilat edhe ajo e zgjedhjes si Ministër Provincial i Fretërve duke hyrë kështu në historinë e deriatëhershme të provincës si ministri provincial më I ri në moshë. Detyra e tij si provincial përkoi me kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Atë Çiprijani do të tregojë zell meshtarak duke iu kundërvënë me forcë ndërhyrjeve politike brenda drejtimit dhe jetës së fretërve e të Provincës. Kjo edhe do të bëjë që ai të shihet me sy jo të mirë nga autoritet fashiste italiane të cilët kërkojnë largimin e tij nga Shqipëria e nga drejtimi i provincës dhe, ironi e fatit, autoritet komuniste shqiptare më vonë një nga akuzat që do t’i bëjnë është pikërisht për bashkëpunim me fashistët. Por Atë Çiprijani ishte i fokusuar në mbarështimin e ungjillit e jo të lojërave politike.

Siç dëshmojnë të gjithë ata që e kanë njohur: ishte shenjt i vërtetë. Me një trup mesatar, lëvizje të shkathëta, ishte një frat shumë i devotshëm, i përvuajtur, korrekt dhe i heshtur. Admirohej përshpirtëria e tij e ndër fretër ishte shembullor në zbatimin e të gjitha rregullave të jetës françeskane. Një nga ato vajza që e pati mësues besimi e rrëfystar, Antoneta Lacaj, thotë se: “[kishte] sy të qeshur. Ishte i dashur…, i bukur. Njeri i shenjtë. Nuk e ngrinte kurrë zërin. Figura e tij morale ishte shumë e lartë”. Ndërsa Prof. Sami Repishti, shok i tij i burgut, thotë: “Ishte një njeri që kishte aftësinë të buzëqeshte edhe në tortura”. Bashkëvëllai i tij, Atë Ambroz Martini, që për një periudhë e pati si Guardian (Epror) në Gjuhadol, dëshmon: “[Atë Çiprijani] Kishte një natyrë të butë dhe ndërgjegje shumë delikate … [por] në çështje të rëndësishme nuk bënte lëshime … Dinte t’i afronte shumë të rinjtë, i mirëpriste, bisedonte dhe qeshej me ta … Për mua, Atë Çiprijani, që atëherë ishte shenjt”. Kur hipën komunistët në pushtet ai ishte me detyrën e guardianit në Gjuhadol. Sistemi i ri ateist që u imponua duhej ta “çlironte” shoqërinë prej ndikimit të Kishës, si rrjedhojë edhe nga një frat shembullor e njeri i Hyjit si Atë Çiprijani.

E më 15 nëntor 1946 u arrestua në Shkodër dhe e mbyllën në seksionin e Sigurimit e më vonë po në kuvendin e Gjuhadolit kthyer ndërkohë në burg. Akuzat e sajuara ishin nga më të ndryshmet e që këto të pranoheshin nga i arrestuari shoqëroheshin me lloj torturash çnjerëzore. Por siç dëshmon bashkëvuajtësi i Atë Çiprijanit, Prof. Repishti, “ai, i cili ishte i torturuar më shumë se unë, përpiqej të më jepte kurajo”. Gjithashtu prof. Repishti tregon: “Kur e kthenin nga torturat (zakonisht pas mesnatës), nuk ishte në gjendje të ecte, e sillnin dy policë të cilët e përplasnin në dhomë ku shpeshherë ishte pa ndjenja. Ishte i lidhur duarsh e këmbësh”, si dhe: “Në atë kohë unë isha i ri e Kisha frikë, por Atë Çipriani më jepte shpresë dhe thoshte: «Edhe kjo do të kalojë». Kjo gjë më jepte forcë të madhe shpirtërore”. Për forcën e madhe shpirtërore të Atë Çiprianit dëshmon edhe bashkëvuejtësja tjetër, Terezina Zorba. Ja si thotë ajo: “e prune të masakruem … çorapet dhe këmisha nuk i shkëputeshin prej trupit për shkak të plagëve, porse kurajon e kishte nelt. Një ditë më thotë: «mos u ban marak se kishat e kompanjelat kan me i prish tana, por nuk ka rëndësi se ato janë gurit e tullash, por duhet të rujm rininë mos të prishet nga vlerat morale e fetare se kishat i bajmë ma t’bukra»”.

Eshtë për tu theksuar se këtë kalvar Atë Çipriani nuk e jetonte si një rastësi, ai jetonte realitetin historik të kohës së tij. Në fakt kohë përpara arrestimit ja si e përcjell këshillën e tij Antoneta Lacaj: “Një herë është shprehur: «Duhet ta mbani fenë, sepse ne shpejt do të na vrasin». Ne e pyetëm: «Pse do t’ju vrasin?». Ai na përgjigji: «Komunistët këtu do të bëjnë siç bënë në Spanjë, do të vrasin të gjithë njerëzit që besojnë në Zot, duke menduar se në këtë mënyrë do ta zhdukin fenë, por feja nuk do të zhduket». E na thoshte: «Aftësia Juaj për ta kuptuar fenë nuk vjen as nga ju as nga unë që jua shpjegoj, por nga Shpirti Shenjt» – dhe vazhdonte – «Ju vajzat e sotme do të jeni nënat e nesërme; kur të jenë vrarë të gjithë meshtarët, ju duhet ta mbani gjallë fenë në Zotin në zemrat e familjarëve tuaj. Komunizmi është i përkohshëm, ndërsa feja është e përjetshme». Akoma më shumë e nxjerr në pah përjetimin nga ana e Atë Çiprianit të kalvarit të burgut si mision, dëshmia e prof. Remishtit. “Padër – i thoja – [ata] janë maskarenj dhe të vrasin”. “Ke të drejtë biri im – m’u përgjigj – ashtu është, por në këtë situatë kam një mision më shumë se të tjerët: duhet të ndez dritën kudo që ajo rrezikon të shuhet.

Vuajtja sigurisht nuk është e këndshme, por fisnikëron fitoren e arritur”. E drejt kësaj fitoreje u bë gati të shkojë Padër Çipriani kur dëgjoi vendimin e Gjykatës: me pushkatim. Ishte data 28 dhjetor 1947, ditë e diel, klimë Krishtlindje. Siç thotë prof. Repishti, që në kohën e atyre ngjarjeve ishte pak më i madh se 20 vjeç, “[Atë Çipriani] mundimet dhe torturat i konsideronte dhuratë prej Zotit. madje përdori zinxhirët si Pali apostull. Kur kthehej prej torturave dhe kalonte para ndonjë të burgosuri thoshte në latinisht: «Si es catholicus, ego te absolvo a peccatis tuis in nomine Patris et Filii et Spiritus Sancti».

Ditën e 11 marsit të vitit 1948, në moshën 47 vjeçare, i doli përpara vdekjes si të ishte duke shkuar për të kremtuar Meshën e shenjtë dhe, rrugës, përgatitej për “flijimin”. Ishte së bashku me të Lumët Franon Gjinin e Mati Prendushin, me Dom Nikoll Dedën dhe me 12 besimtarë të tjerë katolikë e jo-katolikë. Ashtu së bashku shkuan drejt ekzekutimit duke lutur rruzaren me zë të lartë e duke e përfunduar me himnin e falënderimit të Kishës Te Deum laudamus.

Në momentin e ekzekutimit fjalët e tij të fundit qenë: “Rroftë Krishti Mbret, i falim armiqtë tanë. Shqipëria nuk vdes me ne”. Në lidhje me këto çaste të fundit të patër Çiprijanit, prof. Repishti thotë: Jam i bindur se u pushkatua duke buzëqeshur”. Një vit më vonë, patër Andrea Narkaj nga kolegji i Grotaferratës, e përmbledh më së miri bindjen e të gjithëve në lumninë që gëzojnë patër Çiprijani me shokët martirë, në letrën dërguar Ministrit gjeneral të Urdhërit, me fjalë që pa dyshim mund ti bëjmë tonat edhe ne sot: “Për ne këta janë martirë që jetojnë para Hyjit dhe luten për ne. Ata do të mbeten në shpirtin tonë si fare ndriçuese që do të na prijnë gjatë udhës sonë të ripërtëritjes që do të synojë gjithmonë drejt majave dhe arritjeve më të larta”.    

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Çiprijan Nikaj,

meshtar rregulltar i Urdhrit të Fretërve Minorë,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

Filed Under: Histori Tagged With: At Ciprijan Nikaj

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT