Konsullata e Republikës së Kosovës në New York, Familja Jahjaga dhe komuniteti shqiptar nderuan atdhetarin Mehmet Aga Rashkoci/
Nga Dalip Greca/
Të shtunën, me 7 Qershor, u bënë homazhe nga Konsullata e Kosovës dhe komuniteti shqiptar në nderim të figurës atdhetare të Mehmet Aga Rashkoci.Eshtrat e të ndjerit atdhetar prehen në varrezat publike që ndodhen në Nju Xhersi, në Rosemount Memorial Park.
Përvec familjes të djalit të ndjerit, e përfaqësuar nga nipërit Dervish dhe Ismet Jahjaga, kishin ardhë edhe veprimtari dhe biznesmeni Rrustem Gecaj, dr. Hasan Admeaj- anëtarët të Këshillit të Vatrës; Avni Gecaj, Besim Sejdiu,Bajram Dreshaj, miq që kanë njohë atdhetarin Mehmet Agë Rashkoci- si Rexhep dhe Muharrem Ahmetaj, Musli Mulosmanaj, Xhemë Avdyli, e bashkatdhetarë të tjerë.
Konsullata e Kosova përfaqësohej nga Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosvës në Nju Jork, ambasador Bekim Sejdiu dhe konsulli i sapoardhur Ylber Kryeziu.
Përvec Gazetës Dielli, media e pranishëm për faqësohej,TV 21-Halil Mula, TV ALB-Bajram Dreshaj , TV Kultura Shqiptare dhe Bota Sot-Beqir Sina.
Vendosën lule në varrin e atdhetarit familjarët dhe një kurorë në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës, Konsulli i përgjidhëshëm Bekim Sejdiu dhe Dervish Jahjaga.
Duke vendosur kurorën me lule pranë patriotit Mehmet Agaa Rashkocit, ambasador Bekim Sejdiu tha se :” ne sot duke bërë homazhe tek varri i Mehmet Agë Rashkocit këtij atedhetari të paepur të cështjes kombëtare, nderojmë të gjithë ata nacionalistë që iu përkushtuan cështjes Kombëtare. Mehmet Agë Rashkoci është një prej figurave më të ndritura të veprimtarisë atedhetare të diasporës tone dhe e meriton nderimin që i bëjmë ne si konsullatë përfaqësuese të shtetit të Kosovës. Cdo shqiptar që ka luftuar për cështjen Kombëtare, për lirinë e atdheut tonë, e meriton nderimin. Ne kemi nderuar tre vëllezërit Bytyci, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke respektuar dëshmorët dhe luftëtarët e Kosovës, Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, dhe do të nderojmë edhe në të ardhmen figurat e ndritura që kanë kontribu për liri.”
Rexhep Ahmetaj i Hasit, ka ardhë në këtë ceremoni nderuese së bashku me vëllanë Muharremin dhe nipin. Ai e ka të vështirë që t’u qëndrojë kujtimeve të bajraktarit Mehmet Aga Rashkocit, të cilin e pat njohur nga afër. Duke vlerësuar figurën e tij atdhetare, Rexhepi tha për gazetarët e pranishëm në ceremoni:”Ishte burrë i rrallë Mehmet Aga. Burrë që ndante drejtësinë. Nuk mburrej me të shkuarën e tij trimërore, por ne që ia dinim historitë, ndjeheshim mirë të qëndronim pranë tij dhe e respektonim. Kishte luftuar kundër shkjaut e kundër komunizmit. Pat qëndruar kacak maleve derisa mori rrugën e kurbetit nga Kosova në Greqi e më pas në Amerikë. Sllavët ia mbytën tri vajza në burgun e Gjakovës, por ai nuk u përul. Bajraktarin Mehmet Aga Rashhkoci e treti malli për familjen, për Kosovën, por s’mund të shkonte atje. Kosova e tij dashur për të cilën kishte luftuar ndër breza, ishte “mollë e ndalueme” për atdhetarin.”
-Ne, tregon Rexhep Ahmetaj, u përpoqëm që t’ia lehtësonim vuajtjet Mehmet Agës. Në fund të jetës u diagnostikua me kanser.Iu gejndëm tek koka. Doktor Koprencka, një mjek shqiptar që e deshte shumë Mehmet Agën, i tha një kolegu të vet hebrej” Bëj të pamundurën për ta shpëtuar këtë njeri. Ju hebrejtë ia keni borxh se ai dhe familaj e tij kanë shpëtuar gjatë kohës së gjermanëve shumë hebrenj. Shpëtojeni, jo, si larje borxhi, por ne shqiptarët e kemi ikonë për kombin tonë këtë luftëtar të lirisë Mehmet Agën.
. ..E kam takuar dhe vetë doktorin hebre, thotë Rexhepi. E njihja sepse ai jetonte në ndërtesën ku unë punoja në Manhattan. Më gjeti një herë tek koka e Mehmet Agës.
-Po ti, këtu?-më pyeti.
– Është miku im më i mirë, – i thashë dhe u hoqa mënjanë për ta pyetur:
– A ka shpresa?
– Fatkeqsisht jo, m’u përgjigj. Pas operacionit kanseri ka shpërthyer në të gjithë trupin, poi a tret kockat.
U trishtova dhe fillova të dridhesha.
-Po ai, a e di se ka kanser?-e pyeta doktorin.
– Ia kam thënë para operacionit, u përgjigj doktori.
-Mos…po ai është fetar i madh. Beson shumë në Zot.
…U ndava me mjekun dhe shkova prapë tek koka e Mehmet Agës për t’i shërbye dhe për t’i dhënë kurajë-,vazhdon rrëfimin Rexhepi.
– Mos u lodh kot Rexhep se e di se c’kam dhe i kam ditët e numëruara, më tha me zë gati në të shuar Mehmet Aga.
Cfarë t’i thosha?!
U përpoqa me sa munda t’ia largoja mendjen nga sëmundja:-“ Ti beson në Zot, Mehmet Aga. Vetëm Ai e di, mjekët njerëz janë edhe gabojnë.”
Ai mbylli sytë dhe lëshojë një pshertimë të thellë…
I qëndruam pranë derisa mbylli sytë. Dita e varrimit të tij më kujtohet si sot, tregon Ahmetaj. Ishte mbushur plot kjo lëndinë këtu ku jemi sot. Shumë pjesmarërs kishte atë ditë. Ne burrat kemi qa si fëmija. Na u dhimb shumë-, e mbyll rrëfimin e tij Rexhep Ahmetaj i Hasit.
Edhe Musli Mulosmanaj e ka njohur dhe i ka qëndruar pranë Mehmet Agës. Duke folur në ceremoninë e nderimit, ai tha se burra si Mehmet Aga i Rashkocit vijnë rrallë.Mehmet Aga ishte nacionalist i përkushtuar për Komb. Bashkë me të në mal kundër shkijeve ishte edhe Can Mulosmanaj. Edhe ai prehet këtu pranë. Mehmet Agën e kemi respektua dhe i kemi qëndruar pranë derisa e kemi përcjellë për këtu në varreza. Mbaj mend se lajmin e hidhur unë ia kam dhënë nga shtëpia ime me telefon djalit të tij, babës së Dervish Jahjagës. Dua ta përgëzoj Konsullatën e Kosovës që i nderon atdhetarët që kanë luftuar për Komb. Nuk ndodh kështu me diplomatët e Shqipërisë. Edhe pse janë këtu eshtrat e shumë nacionalistëve të shquar që kanë luftuar për cështjen Kombëtare, diplomatët e Tiranës nuk kanë shprehur asnjë vlerësim për ta. Nuk kanë shkuar të vendosin qoftë edhe një tufë lule tek varret, thotë atdhetari veteran Musli Mulosmanaj.
Në emër të familjes të Mehmet Agë Rashkocit, ka falenderuar nipi i të ndjerit, botuesi i gazetës “Bota Sot’ në SHBA, Dervish Jahjaga. Në fjalën e tij, Jahjaga tha: “Kam nderin që në emër të familjes Jahjaga, t’Ju falenderoj nga zemra, për pjesmarrjen tuaj në këtë takim përkujtimor të gjyshit tim dhe mikut personal të disave prej jush që jeni këtu sot për ta nderuar.”
Unë , tha Jahjaga,ndjehem shumë krenar për gjyshin, Mehmet Agë Rashkocin, për figurën e tij prej atdhetari të rrallë, të nderuar e të respektuar prej jush, sa jeni këtu dhe për shumë e shumë të tjerë që nuk patën mundësi të vinin.
Duke iu drejtuar organizatorit të kësaj veprimtarie, Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës, Jahjaga tha: “Zoti Ambasador Sejdiu,
Mua nuk më takon të flas shumë, vecanërisht për shkak se ai ishte gjyshi im.
Ju, z. Ambasador, e keni nderuar dhe po e nderoni veten tuaj në radhë të parë, si dhe shtetin e Kosovës, që e përfaqësoni, për kujdesin që po tregoni për figurat atdhetare, si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria, në vlerësimin e këtyre njerëzve që morën botën në sy, për të shpëtuar nga armiku shekullor, por që s’pushuan kurrë së vepruari për lirinë e Atdheut tonë, Kosovës së pushtuar nga sllavët, ndërsa Shqipërinë, të shtypur nga regjimin komunist. “
***
Mehmet Aga Rashkoci lindi në në Rashkoc të Gjakovës me 5 Maj 1906 dhe ndërroi jetë në Nju Jork me 3 korrik 1972. Mehmet Aga, sic e thërrisnin bashkadhetarët tanë shquhej për cilësi burrërore dhe atdhetarizëm. Ai ishte përfaqësues tipik i një familje atdhetare, që Kombin e kishte të shënjtë.
Sic u shpreh Ambasador Bekim Sejdiu, Mehmet Agë Rashkoci përbën figurën e një atedhetari të paepur të cështjes kombëtare. Mehmet Agë Rashkoci është një prej figurave më të ndritura të veprimtarisë atedhetare të diasporës tonë.
Për të parën herë ky nacionalist u nderua nga komuniteti shqiptar në shtator 2011, ku presidentja e Kosovës shkoi pranë varrit dhe bëri homazhe, duke vlerësuar me këtë rast të gjithë nacionalistët shqiptarë.Ajo u shoqërua atë kohë , përvec këshilltarëve të saj, edhe nga ish ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu, pjestarë të familjes Jahjaga në SHBA, botuesi i Bota Sot në SHBA dhe nip i Mehmet Agës, Dervish Jahjaga me familje dhe vëllezër si dhe veprimtarë të komunitetit: Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj, Jonuz Ndreu, Musli Mulosmanaj, Sabit Bytyci, Zef Balaj, dr. Hasan Ademaj,Bajram Dreshaj e të tjerë. Këtë veprimtari e ndoqi dhe e pasqyroi Gazeta Dielli dhe Bota Sot.
***
I pyetur nga gazetarët para organizmit të veprimtarisë nderuse, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, ambasador Bekim Sejdiu, për qëllimin e organizimit të homazheve, u përgjigj:
Ne si Konsullatë e Përgjithshme e Republikës së Kosovës përkulemi me respekt para figurave të shquara të diasporës shqiptare në SHBA, të cilët nuk jetojnë më, të cilët kanë dhënë kontribut të cmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke nderuar këto figura të njohura të diasporës tonë, ne përkujtojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë për përpjekjet titanike të shqiptarëve të Amerikës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për kombin tonë.
Kësaj here, tha ambasador Sejdiu, ne bëjmë homazhe tek varri i Mehmet Agë Rashkocit – një atedhetari të paepur të cështjes kombëtare. Mehmet Agë Rashkoci është një prej figurave më të ndritura të veprimtarisë atedhetare të diasporës tonë.
Sic e dini,shtoi Konsulli i përgjithshëm, ambassador Sejdiu, ne para disa muajsh nderuam tre vëllezërit Bytyqi-dëshmor të UCK-s.Në të ardhmen do nderojmë me homazhe të tilla edhe personalitete të tjera të njohura të diasporës tonë. Pavarësisht kohërave kur kanë vepruar, vendeve ku kanë jetuar ose pikëpamjeve politike që kanë përqafuar, e përbashkëta e këtyre figurave ka qenë përkushtimi i pashterrur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Jeta, veprimtaria dhe sakrifica e Mehmet Agë Rashkocit dhe shumë atedhetarëve të tjerë në SHBA do mbeten të skalitura në themelet e shtetit të Kosovës.