• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përmbyllet Shkolla e Diasporës në Prizren

June 26, 2018 by dgreca

Ka përfunduar edicioni i parë i Shkollës së Diasporës në Kosovë, i cili ka përfshirë rreth 730 përfitues direkt dhe ka krijuar mundësi punësimi sezonal për rreth 30 persona/1 shkolla7

Më datë 25 qershor, 2018 në Prizren është mbajtur ceremonia përmbyllëse e Shkollës së Diasporës në Kosovë (SHDK), e cila kishte për qëllim prezantimin e rezultateve, arritjeve dhe sfidave të këtij programi gjatë implementimit të edicionit të parë.

Ceremonia përmbyllëse e Shkolls së Diasporës në Kosovë ka sjell për herë të parë në prani të më shumë se 70 pjesëmarrësve në Kino Lumbardh, filmin dokumentar Ndryshimtarët, film ky i realizuar në kuadër të Shkollës së Diasporës në Kosovë. SHDK për herë të parë ka mbledhur profesionistë të rinj nga Diaspora, Kosova dhe Rajoni në një model unik dhe multidiciplinar në adresim të sfidave lokale deri te ofrimi i zgjidhjeve kreative. Qëllimi kryesor i këtij programi inovativ është që të krijohen iniciativa të cilat bazohen në nevojat lokale të komunitetit, dhe të ofrohen zgjidhje sa më efektive për komunitetin. Idea bazë e këtij programi ka qenë dhe vazhdon të mbetet që kjo iniciativë të shërbejë si model për të avancuar më mirë bashkëpunimin që projektet dhe idetë e ardhshme të shfrytëzojnë potencialin e diasporës, investimet dhe nismat e mundshme me partnerët vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.

Gjatë implemenetimit të këtij programi i cili ka filluar në tetor të vitit 2018, sipas rezultateve të prezantuara janë përfshirë rreth 730 përfitues direkt në aktivitetet e ndryshme, janë realizuar rreth 26 ngjarje duke përfshirë: trajnime, punëtori, marsh vetëdijësues, konferenca dhe fokus grupe, janë mbajtur rreth 24 takime virtuale punuese mes pjesëmarrësve të diasporës, rajonit dhe Kosovës, si dhe mbi 200 takime koordinuese mes organizatës Germin, bashkëpunëtorëve institucional, iniciativave fituese, mediave dhe shoqërisë civile. Gjithashtu janë krijuar mundësi për punësim dhe internship sezonal për rreth 30 të rinj.

Programi është implementuar nga Germin dhe është mbështetetur financiarisht nga programi Youth, Emlpyment and Skills-YES, në kuadër të Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – GIZ.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: e diasporës, ne Kosove, Përmbyllet Shkolla

Diaspora për Shqipërinë- NJË FORCË POLITIKE E DIASPORËS – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS

August 9, 2016 by dgreca

NGA NDUE LAZRI/ President i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI)/

NGA ETMOND GURI/ President i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG)/

Në një kohë kur në Shqipëri ekzistojnë 83 parti politike, nuk është e lehtë që t’ u flasësh shqiptarëve për nevojën e krijimit të një force të re politike, se me siguri reagimi i tyre i parë do jetë minimumi shtrembërimi i turinjve i shoqëruar me ndonjë sharje popullore nga ato me ngjyrime pikante. Dhe kjo, sepse partitë ekzistuese në Shqipëri, për 26 vjet që nga përmbysja e regjimit të egër komunist, me politikën e tyre të mbrapshtë e kanë zhgënjyer aspiratën e popullit për një demokraci të vërtetë, për një mirëqenie larg katandisjes në varfëri ekstreme në të kaluarën, për një integrim real të Shqipërisë në familjen europiane. Në 26 vjet në Shqipëri ka sunduar e sundon një klasë politike pa vizione europiane,  pa një program të qartë ekonomik për zhvillimin e vendit. Partitë apo koalicionet që janë ndërruar në pushtet gjatë këtyre viteve kanë menduar vetëm për pasurimin e paskrupullt të kastës së re shqiptare, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet që nga korrupsioni i hapur e deri tek krimi, duke e polarizuar shoqërinë shqiptare në klasën e hajdutëve miliarderë dhe në shumicën e varfër, së cilës i mungon edhe buka e gojës. Kjo kastë e pangopur, e pashpirt dhe kriminale, në vend që ta çojë Shqipërinë drejt Europës, ndjek një politikë orientale, duke u bërë servile e sulltanit të ri të Turqisë, Erdoganit.

Pas 26 vjet të vendosjes së të ashtuquajturës demokraci, u nevojitën presioni dhe ndërhyrja energjike e SHBA dhe Europës që parlamenti shqiptar të votojë reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin e parlamentit e të politikës nga elementët e korruptuar e kriminelë. Imagjinoni se për çfarë demokracie bëhet fjalë në vendin tonë. Një demokraci ku luhet hapur me votën e popullit, ku manipulohen rezultatet e zgjedhjeve, ku vidhet vota e emigrantëve, ku blihen votat e qytetarëve për një copë bukë, duke shfytëzuar kushtet e mizerjes në të cilën e kanë katandisur popullin, ku me qëllim nuk vihet sistemi elektronik i numërimit të votave për t’i lënë vend spekullimit e manipulimeve. Ka vite që flitet për miratimin e të drejtës së votës së emigrantëve në vendet ku jetojnë e punojnë, partitë premtojnë, qeveria bën vizita-maskaradë tek emigrantët me premtime boshe, por ato nuk do ta miratojnë kurrë këtë ligj,sepse do të thotë të firmosin fundin e tyre. Emigrantët nuk shiten për një copë bukë, sepse janë ata që me të ardhurat e tyre dërguar apo shpenzuar në Shqipëri garantojnë një pjesë të mirë të buxhetit shqiptar. Ndaj politikanët e sotëm shqiptarë i tremben kësaj force të madhe që janë emigrantët në Itali, Greqi, Gjermani, Austri, Francë, vendet nordike e përtej oqeanit nga Amerika deri në Australi. Bashkimi i kësaj force mund të shkaktojë tërmet politik në Shqipëri. Tashmë qytetarët shqiptarë e kanë humbur shpresën dhe besimin tek partitë politike në Shqipëri dhe i kanë sytë tek Europa, tek Amerika dhe tek diaspora. Kjo diasporë sot më shumë se kurrë duhet të jetë dhe të paraqitet e bashkuar për të marrë në dorë fatet e vendit dhe të kombit. E për ta bërë këtë ajo duhet të ketë një forcë të saj politike.

Kjo frymë bashkimi ka filluar si një imperativ urgjent i kohës. Deri edhe arbëreshët po bashkohen në vetvete. Këto ditë 11 kryetarë bashkish të zonave ku ka arbëreshë janë bashkuar për të krijuar Arbërinë e Madhe në territoret ku ata jetojnë e punojnë, duke e parë këtë bashkim si një forcë e  mundësi për një prosperitet më të madh ekonomik e kulturor brenda shtetit italian.

Shembull të mirë bashkimi e bashkëpunimi po japin dy federata mjaft aktive të emigrantëve në Itali e Greqi, Federata FNAI dhe ajo FSHSHG. Aktivitetet e organizuara bashkërisht midis tyre janë një hap i mirë e premtues dhe tregojnë se shqiptarët në emigracion dinë dhe mund të bashkohen e jo të mbeten të përçarë siç i ka njohur përherë historia.

Në Itali e Greqi është pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, mbi 1 milion e 300 mijë. Ndaj këto Federata mund të bëhen promotore të krijimit të një force të tillë politike, pa e humbur rolin e tyre për të cilin janë krijuar si organizime me karakter shoqëror e kulturor. Më vonë do të jetë ajo forcë politike që nga brenda parlamentit shqiptar do luftojë për mbrojtjen me ligj dhe realizimin e objektivave të këtyre federatave mbi të drejtat e emigrantëve.

Në diasporë ka plot elementë të përgatitur për një gjë të tillë, intelektualë e veprimtarë shoqërorë të kualifikuar, të pakorruptueshëm, patriotë të vërtetë. Ka sipërmarrës të fuqishëm ekonomikisht që mund të bëhen mbështetje ekonomike e një lëvizjeje të tillë, që nesër ajo forcë nga brenda parlamentit të garantojë e mbrojë me ligj edhe investimet e tyre në Shqipëri. Ka të rinj e të reja shumë të përgatitur, që kanë mbaruar universitete e mbrojtur mastera e tituj shkencorë në specialitete të ndryshme në universitetet më të mira të Europës dhe të botës e kanë dalë me rezultate të shkëlqyera duke treguar kualitetin e lartë të rinisë shqiptare. Sot pjesa më e madhe e trurit të kualifikuar shqiptar ndodhet jashtë atdheut. Këta të rinj e të reja dhe intelektualët e vërtetë duhet të jenë baza e shëndoshë formuese, por edhe drejtuese e kësaj force të re politike, duke e bërë atë një forcë moderne, me vizion europian të një demokracie të vërtetë  të parametrave më të përparuar. Kësisoj kjo forcë do të dijë t’ i flasë elektoratit dhe popullit të vet me një gjuhë të kulturuar e intelektuale,  me gjuhë institucionesh europiane e jo me gjuhë rrugaçësh siç flitet sot në parlamentin shqiptar, duke përdorur si mjet kryesor forcën e argumentit e të mendimit largpamës e jo ulërimat, çjerrjet nëpër rrugë, thyerjet e xhamave apo veprime të tjera destruktive deri tek vrasjet e njerëzve në një protestë të lirë e paqësore. Populli shqiptar është mërzitur dhe neveritur nga skena të tilla primitive e kërkon një forcë që të ndryshojë katërcipërisht klimën politike në vend, duke larguar nga parlamenti, politika e institucionet shtetërore e administrative të të gjitha niveleve dallkaukët, të korruptuarit, kriminelët, militantët injorantë që dinë vetëm të bërtasin e të mos zgjidhin asnjë punë.

Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e vet objektiva të qarta, të lexueshme e të kuptueshme nga populli, të realizueshme me transparencë dhe të kontrollueshme nga elektorati. Ajo duhet t’ i japë fund praktikës së të kthyerit të politikës në profesion të atyre që kanë dështuar në profesionet e tyre dhe kanë hyrë në politikë për përfitime personale e familjare, duke mos i lëshuar kolltuqet për 26 vjet me radhë. Ata janë shndërruar në diktatorë të rinj dhe nuk janë asgjë më shumë se imitatorë e pasardhës të pushtetit diktatorial që sundoi në Shqipëri për 50 vjet.

Kjo forcë politike duhet të ketë në programin e saj hartimin e ligjeve të tilla që çojnë në zhvillime të rëndësishme e të vërteta demokratike , si zgjedhja e deputetëve dhe e Presidentit të Republikës nga populli, të zgjedhurit , që nga Presidenti, deputetët dhe administratorët e të gjitha niveleve të mos kenë më shumë se dy mandate, deputetëve që ndërrojne parti t’u hiqet menjëherë mandati, të dëbohen nga parlamenti e në vend të tyre të zgjidhet dikush tjetër. Vitet e punës në parlament të njihen si vite të zakonshme për vjetërsinë në punë, me kontribute të paguara nga vetë parlamentarët dhe pa përfitime të tjera ekonomike pas largimit nga parlamenti, të ardhurat e burimet e fitimeve mujore nga pagesat apo aktivitetet private të politikanëve të publikohen gjithnjë online dhe të jenë të lexueshme edhe nga qytetarët më të thjeshtë. Kjo forcë politike duhet të këmbëngulë për krijimin e Ministrisë së Diasporës, duke eliminuar përfundimisht talljen e deritanishme të shtetit me emigrantët me një drejtori diaspore që nuk ka luajtur asnjë rol , si dhe të verë në efiçencë të plotë ambasadat e konsullatat që ato të jenë në çdo kohë pranë kërkesave e nevojave të emigrantëve e të pastrohen nga elementët e paaftë, të emëruar me nepotizëm apo për militantizëm.

Një nga shtyllat themelore të demokracisë është ndarja reale dhe e bazuar në ligje e pushteteve, duke siguruar pavarësinë nga njëri-tjetri, për ta bërë shtetin sa më të thjeshtë, aktiv e veprues në dobi të shtetasve të vet. Për realitetin shqiptar është plagë e rëndë dhe e turpshme gjendja e pushtetit gjyqësor, të uzurpuar nga njerëz të emëruar nga politika e servilë të politikës, nga gjyqtarë të dalë nga kurset 6-mujore, ku ligjin e bën paraja dhe jo drejtësia e kulluar etj

Kjo forcë politike duhet të sjellë këndvështrime e horizonte të reja edhe në aspektin ekonomik, duke bërë projekte investimesh në infrastrukturë e sidomos në zhvillimin e turizmit detar e malor, çka do ta bënte Shqipërinë një vend me bukuri akoma më të mëdha e me një begati ekonomike për popullin e të gjitha zonave, bregdetare e malore.

Janë të gjitha pika të prekshme që interesojnë jo vetëm emigrantët, por edhe realitetin e sotëm shqiptar.

Një forcë e tillë politike, alternative e të gjitha partive  ekzistente në Shqipëri, do sillte frymë të re demokratike europiane, ndryshim të spektrit politik në vend, zgjim të shpresës së elektoratit e të popullit për përmbysjen e politikës së korrupsionit e të krimit dhe sjelljen e epokës së ndërtimit të një Shqipërie të re, të denjë për të hyrë si e barabartë në familjen europiane.

Koha nuk pret. Është momenti të zgjohemi të gjithë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.

 

 

 

 

Filed Under: Mergata Tagged With: – DOMOSDOSHMËRI E KOHËS, e diasporës, Etmond Guri, Ndue Lazri, NJË FORCË POLITIKE

Kosovë-50 mijë numra të Valës për regjistrimin e diasporës

June 21, 2016 by dgreca

Bashkëngjitje fushatës së Ministrisë së Diasporës, “…Ti je pjesë e atdheut”/

  PRISHTINË, 21 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Diasporës, Valon Murati, drejtori i Telekomit të Kosovë , Agron Mustafa dhe Kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, në një takim pune u dakorduan që edhe këtë vit, kompania më e madhe publike në Kosovë, PTK/Vala, ti bashkëngjitet fushatës së Ministrisë së Diasporës, “ti je pjesë e atdheut”.
 Në kuadër të kësaj fushate qëllimi i së cilës është ndërgjegjësimi i bashkatdhetarëve tanë me procesin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës, Vala ka rezervuar edhe 50 mijë numra të rinj që do të shpërndahen për të gjithë ata bashkatdhetarë që regjistrohen në pikat e regjistrimit. SIM kartela e dhuruar do të ketë minuta, SMS dhe internet falas, ndërsa validiteti i saj do të jetë 13 muaj.
 Po ashtu, risi e këtij viti është që bashkatdhetarët të cilët kanë përfituar nga oferta e vitit të kaluar, kartelat e tyre do të rimbushen automatikisht nga Vala me 500 MB, 30 min për bisedë dhe 100 SMS, si dhe validiteti i tyre do të zgjatet edhe për 13 muaj të tjerë.
 “Bashkëpunimi me Post Telekomin e Kosovës nuk është ndalur asnjëherë, andaj edhe sivjet shënojmë vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm nisur vitin e kaluar që rezultoi me rreth 230 mijë bashkatdhetarë të regjistruar vetëm gjatë muajve të verës. Sivjet presim që kjo fushatë të jetë akoma më e suksesshme”, tha ministri Murati, duke përsëritur edhe njëherë thirrjen që bashkatdhetarët tanë të regjistrohen në numër sa më të madh.
 Drejtori i Telekomit, Agron Mustafa, potencoi se ky është një vazhdim i bashkëpunimit të vitit të kaluar.
“Vala është pjesë e atdheut, prandaj edhe kemi vendosur që të vazhdojmë bashkëpunimin me Ministrinë e Diasporës edhe këtë vit. Sim kartelat që janë shpërndarë vitin e kaluar kanë validitet 13 muaj ndërsa Vala tashmë ka rezervuar edhe 50 mijë numra të rinj për të gjithë ata bashkatdhetarë që do të regjistrohen këtë vit, e ku përfshihen edhe minuta, SMS dhe internet falas”, theksoi Mustafa.
 Drejtori i Postës, Hoxha nga ana tjetër njoftoi se të gjitha pikat e Postës janë vënë në dispozicion të fushatës “ti je pjesë e atdheut” dhe aty do të shpërndahen formularët e regjistrimit dhe numrat, duke filluar që nga fillimi i muajit të ardhshëm.

Filed Under: Mergata Tagged With: e diasporës, Kosovë-50 mijë numra, të Valës për regjistrimin

MIRËNJOHJE PËR KONTRIBUTET E DIASPORËS

October 2, 2015 by dgreca

*IPESHKËVI I KOSOVËS, IMZOT DOD GJERGJI NDANË MIRËNJOHJE PËR KONTRIBUTET E DIASPORËS PËR FONDET E KATEDRALES “NËNË TEREZA”

*Informon për DIELLIN z. Marjan Cubi, kryetar i Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës “Zoja e Shkodrës” dhe Kryetar i Këshillit për mbledhjen e Fondeve./

* Me Mirënjohje është vlerësuar Federata VATRA, zv/ Kryetari Agim Rexhaj, Marjan Cubi, anëtarët e Këshillit dhe vatranët Rrustem Gecaj, Besim Malota, Ibrahim Kolari, Sejdi Hysenaj, Hajdar Bajraktari, Zef Balaj, Sergio Bitiçi, Sabit Bitiçi, Beqir Sina  Mhill Gjuraj, Fran Marku, Mehill Velaj, Lek Perlleshi, Pashk Maksuti, Simon Simolacaj, Anton Raja, Elmi Berisha, Simon Qafa, Gjok Deçkaj,Leka Gojçaj dhe Editori i Diellit, Dalip Greca.

***

Kontributi i shqiptaro-Amerikanëve të Trishtetshit, NY, NJ dhe CT për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë është i konsiderueshëm. E gjithë diaspora shqiptare meriton vlerësim sepse ka mbajtë peshën kryesore në fushatë, por shqiptaro-amerikanët e trishtetshit, kryesojnë.Ipeshkëvi i Ipeshkëvisë së Kosovës, Imzot Dod Gjergji, u ka akorduar mirënjohje shumë prej kontributorëve.

Në informacionin që i përcolli Gazetës”Dielli” z. Marjan Cubi, tregon se fushata, që i kaloi një milion e gjysëm dollarë, e nderon komunitetin shqiptar në Nju Jork me rrethina sepse është kontributi më i madh në Botën Shqiptare.

  1. Cubi veçon në mënyrë të veçantë punën e lavdërueshme që bëri Këshilli i Nju Jork-ut me rrethe.

Ndër Mirënjohjet e dërguara nga Imzot Dod Gjergji, veçojmë: Dom  Pjetër Popaj-  Kryetar i nderit,  Marjan Cubi – Kryetar i Këshillit, Lekë Përlleshi-Sekretar, Mark Shkreli – Arkatar  1 ,  Pashk Maksuti-Arkatar 2 , Agim Rexhaj, Sergio Bitiçi,Fran Marku, Gjergj Paloka, Ibrahim Kolari, Cin Gjonaj, Kol  P.  Cacaj, Lekë Vataj, Lek Gojani,  Lule Gjokaj, Marjan Marku, Mark Gjoku Ulaj, Martin Rrasi, Mhill Gjuraj, Mihill Velaj,  Palush Marku, Beqir Sina, Dalip Greca, Vehbi Bajrami, Fran Çotaj, Palok Rudaj, Zef Rudaj dhe Nik Kajtazi.

Kryetari i Këshillit për mbledhjen fondeve, z. Cubi, në listën e atyre që kanë kontribuar me shuma më shumë se 20. 000 dollarë, veçon: Xhim Xhema, Leka Gojçaj, Gjekë Gjonlekaj, Hajdar Bajraktari, Joseph Dioguardi, Noc Simolacaj,

Simon Simolacaj, Pashko Stanaj, Gjon Lleshaj, Mark Përlleshi , Hil Përlleshi,  Rrustem Gecaj, Zef Balaj, Pal Nikollaj,  Ansambleisti i NY z. Mark Gjonaj, dhe Federata Panshqiptare e Amerikës” Vatra”.Për të gjithë këta kontributorë Ipeshkëvia e Kosovës ka dërguar Mirënjohje të firmosura nga Ipeshkëvi Dod Gjergji.

Mirënjohje u janë akorduar edhe kontributorëve përmes Turneut të golfit si: Anton Raja, Gloria Raja, Elmi Berisha, Ismer Mjeku, Simon Qafa, Lon Gjoni, Sabit Bitiçi, Sejdi  Bitiçi,Martin Shkreli, Martin Pjetri, Besim Malota  dhe   Nazar Mehmeti nga Texasi.

Bie në sy vlerësimi i veçantë që është bërë për VATRËN dhe Vatranët.

Një Mirënjohje e veçantë i është dërguar Federatës Vatra, dhe vatranëve: Zv/Kryetarit Agim  Rexhaj, arkëtarit Marjan Cubi, anëtarëve të Këshillit dhe mbështetësve të Vatrës: Rrustem Gecaj,Ibrahim Kolari, Besim Malota, Sejdi Hysenaj, Hajdar Bajraktari, Zef Balaj, Sergio Bitiçi, Sabit Bitiçi, Beqir Sina  Mhill Gjuraj, Fran Marku, Mehill Velaj, Lek Perlleshi, Pashk Maksuti, Simon Simolacaj, Anton Raja, Elmi Berisha, Simon Qafa, Gjok Deçkaj,Leka Gojçaj dhe Editorit të Diellit, Dalip Greca.

 

 

Filed Under: Vatra Tagged With: e diasporës, Imzot Dode Gjergji, Marjan Cubi, Mirenjohje, PËR KONTRIBUTET

Mehmet Agë Rashkoci, figurë e ndritur atdhetare e diasporës shqiptare në Amerikë

June 8, 2014 by dgreca

Konsullata e Republikës së Kosovës në New York, Familja Jahjaga dhe komuniteti shqiptar nderuan atdhetarin Mehmet Aga Rashkoci/
Nga Dalip Greca/
Të shtunën, me 7 Qershor, u bënë homazhe nga Konsullata e Kosovës dhe komuniteti shqiptar në nderim të figurës atdhetare të Mehmet Aga Rashkoci.Eshtrat e të ndjerit atdhetar prehen në varrezat publike që ndodhen në Nju Xhersi, në Rosemount Memorial Park.
Përvec familjes të djalit të ndjerit, e përfaqësuar nga nipërit Dervish dhe Ismet Jahjaga, kishin ardhë edhe veprimtari dhe biznesmeni Rrustem Gecaj, dr. Hasan Admeaj- anëtarët të Këshillit të Vatrës; Avni Gecaj, Besim Sejdiu,Bajram Dreshaj, miq që kanë njohë atdhetarin Mehmet Agë Rashkoci- si Rexhep dhe Muharrem Ahmetaj, Musli Mulosmanaj, Xhemë Avdyli, e bashkatdhetarë të tjerë.
Konsullata e Kosova përfaqësohej nga Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosvës në Nju Jork, ambasador Bekim Sejdiu dhe konsulli i sapoardhur Ylber Kryeziu.
Përvec Gazetës Dielli, media e pranishëm për faqësohej,TV 21-Halil Mula, TV ALB-Bajram Dreshaj , TV Kultura Shqiptare dhe Bota Sot-Beqir Sina.
Vendosën lule në varrin e atdhetarit familjarët dhe një kurorë në emër të Konsullatës së Republikës së Kosovës, Konsulli i përgjidhëshëm Bekim Sejdiu dhe Dervish Jahjaga.
Duke vendosur kurorën me lule pranë patriotit Mehmet Agaa Rashkocit, ambasador Bekim Sejdiu tha se :” ne sot duke bërë homazhe tek varri i Mehmet Agë Rashkocit këtij atedhetari të paepur të cështjes kombëtare, nderojmë të gjithë ata nacionalistë që iu përkushtuan cështjes Kombëtare. Mehmet Agë Rashkoci është një prej figurave më të ndritura të veprimtarisë atedhetare të diasporës tone dhe e meriton nderimin që i bëjmë ne si konsullatë përfaqësuese të shtetit të Kosovës. Cdo shqiptar që ka luftuar për cështjen Kombëtare, për lirinë e atdheut tonë, e meriton nderimin. Ne kemi nderuar tre vëllezërit Bytyci, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke respektuar dëshmorët dhe luftëtarët e Kosovës, Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, dhe do të nderojmë edhe në të ardhmen figurat e ndritura që kanë kontribu për liri.”
Rexhep Ahmetaj i Hasit, ka ardhë në këtë ceremoni nderuese së bashku me vëllanë Muharremin dhe nipin. Ai e ka të vështirë që t’u qëndrojë kujtimeve të bajraktarit Mehmet Aga Rashkocit, të cilin e pat njohur nga afër. Duke vlerësuar figurën e tij atdhetare, Rexhepi tha për gazetarët e pranishëm në ceremoni:”Ishte burrë i rrallë Mehmet Aga. Burrë që ndante drejtësinë. Nuk mburrej me të shkuarën e tij trimërore, por ne që ia dinim historitë, ndjeheshim mirë të qëndronim pranë tij dhe e respektonim. Kishte luftuar kundër shkjaut e kundër komunizmit. Pat qëndruar kacak maleve derisa mori rrugën e kurbetit nga Kosova në Greqi e më pas në Amerikë. Sllavët ia mbytën tri vajza në burgun e Gjakovës, por ai nuk u përul. Bajraktarin Mehmet Aga Rashhkoci e treti malli për familjen, për Kosovën, por s’mund të shkonte atje. Kosova e tij dashur për të cilën kishte luftuar ndër breza, ishte “mollë e ndalueme” për atdhetarin.”
-Ne, tregon Rexhep Ahmetaj, u përpoqëm që t’ia lehtësonim vuajtjet Mehmet Agës. Në fund të jetës u diagnostikua me kanser.Iu gejndëm tek koka. Doktor Koprencka, një mjek shqiptar që e deshte shumë Mehmet Agën, i tha një kolegu të vet hebrej” Bëj të pamundurën për ta shpëtuar këtë njeri. Ju hebrejtë ia keni borxh se ai dhe familaj e tij kanë shpëtuar gjatë kohës së gjermanëve shumë hebrenj. Shpëtojeni, jo, si larje borxhi, por ne shqiptarët e kemi ikonë për kombin tonë këtë luftëtar të lirisë Mehmet Agën.
. ..E kam takuar dhe vetë doktorin hebre, thotë Rexhepi. E njihja sepse ai jetonte në ndërtesën ku unë punoja në Manhattan. Më gjeti një herë tek koka e Mehmet Agës.
-Po ti, këtu?-më pyeti.
– Është miku im më i mirë, – i thashë dhe u hoqa mënjanë për ta pyetur:
– A ka shpresa?
– Fatkeqsisht jo, m’u përgjigj. Pas operacionit kanseri ka shpërthyer në të gjithë trupin, poi a tret kockat.
U trishtova dhe fillova të dridhesha.
-Po ai, a e di se ka kanser?-e pyeta doktorin.
– Ia kam thënë para operacionit, u përgjigj doktori.
-Mos…po ai është fetar i madh. Beson shumë në Zot.
…U ndava me mjekun dhe shkova prapë tek koka e Mehmet Agës për t’i shërbye dhe për t’i dhënë kurajë-,vazhdon rrëfimin Rexhepi.
– Mos u lodh kot Rexhep se e di se c’kam dhe i kam ditët e numëruara, më tha me zë gati në të shuar Mehmet Aga.
Cfarë t’i thosha?!
U përpoqa me sa munda t’ia largoja mendjen nga sëmundja:-“ Ti beson në Zot, Mehmet Aga. Vetëm Ai e di, mjekët njerëz janë edhe gabojnë.”
Ai mbylli sytë dhe lëshojë një pshertimë të thellë…
I qëndruam pranë derisa mbylli sytë. Dita e varrimit të tij më kujtohet si sot, tregon Ahmetaj. Ishte mbushur plot kjo lëndinë këtu ku jemi sot. Shumë pjesmarërs kishte atë ditë. Ne burrat kemi qa si fëmija. Na u dhimb shumë-, e mbyll rrëfimin e tij Rexhep Ahmetaj i Hasit.
Edhe Musli Mulosmanaj e ka njohur dhe i ka qëndruar pranë Mehmet Agës. Duke folur në ceremoninë e nderimit, ai tha se burra si Mehmet Aga i Rashkocit vijnë rrallë.Mehmet Aga ishte nacionalist i përkushtuar për Komb. Bashkë me të në mal kundër shkijeve ishte edhe Can Mulosmanaj. Edhe ai prehet këtu pranë. Mehmet Agën e kemi respektua dhe i kemi qëndruar pranë derisa e kemi përcjellë për këtu në varreza. Mbaj mend se lajmin e hidhur unë ia kam dhënë nga shtëpia ime me telefon djalit të tij, babës së Dervish Jahjagës. Dua ta përgëzoj Konsullatën e Kosovës që i nderon atdhetarët që kanë luftuar për Komb. Nuk ndodh kështu me diplomatët e Shqipërisë. Edhe pse janë këtu eshtrat e shumë nacionalistëve të shquar që kanë luftuar për cështjen Kombëtare, diplomatët e Tiranës nuk kanë shprehur asnjë vlerësim për ta. Nuk kanë shkuar të vendosin qoftë edhe një tufë lule tek varret, thotë atdhetari veteran Musli Mulosmanaj.
Në emër të familjes të Mehmet Agë Rashkocit, ka falenderuar nipi i të ndjerit, botuesi i gazetës “Bota Sot’ në SHBA, Dervish Jahjaga. Në fjalën e tij, Jahjaga tha: “Kam nderin që në emër të familjes Jahjaga, t’Ju falenderoj nga zemra, për pjesmarrjen tuaj në këtë takim përkujtimor të gjyshit tim dhe mikut personal të disave prej jush që jeni këtu sot për ta nderuar.”
Unë , tha Jahjaga,ndjehem shumë krenar për gjyshin, Mehmet Agë Rashkocin, për figurën e tij prej atdhetari të rrallë, të nderuar e të respektuar prej jush, sa jeni këtu dhe për shumë e shumë të tjerë që nuk patën mundësi të vinin.
Duke iu drejtuar organizatorit të kësaj veprimtarie, Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës, Jahjaga tha: “Zoti Ambasador Sejdiu,
Mua nuk më takon të flas shumë, vecanërisht për shkak se ai ishte gjyshi im.
Ju, z. Ambasador, e keni nderuar dhe po e nderoni veten tuaj në radhë të parë, si dhe shtetin e Kosovës, që e përfaqësoni, për kujdesin që po tregoni për figurat atdhetare, si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria, në vlerësimin e këtyre njerëzve që morën botën në sy, për të shpëtuar nga armiku shekullor, por që s’pushuan kurrë së vepruari për lirinë e Atdheut tonë, Kosovës së pushtuar nga sllavët, ndërsa Shqipërinë, të shtypur nga regjimin komunist. “
***
Mehmet Aga Rashkoci lindi në në Rashkoc të Gjakovës me 5 Maj 1906 dhe ndërroi jetë në Nju Jork me 3 korrik 1972. Mehmet Aga, sic e thërrisnin bashkadhetarët tanë shquhej për cilësi burrërore dhe atdhetarizëm. Ai ishte përfaqësues tipik i një familje atdhetare, që Kombin e kishte të shënjtë.
Sic u shpreh Ambasador Bekim Sejdiu, Mehmet Agë Rashkoci përbën figurën e një atedhetari të paepur të cështjes kombëtare. Mehmet Agë Rashkoci është një prej figurave më të ndritura të veprimtarisë atedhetare të diasporës tonë.
Për të parën herë ky nacionalist u nderua nga komuniteti shqiptar në shtator 2011, ku presidentja e Kosovës shkoi pranë varrit dhe bëri homazhe, duke vlerësuar me këtë rast të gjithë nacionalistët shqiptarë.Ajo u shoqërua atë kohë , përvec këshilltarëve të saj, edhe nga ish ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu, pjestarë të familjes Jahjaga në SHBA, botuesi i Bota Sot në SHBA dhe nip i Mehmet Agës, Dervish Jahjaga me familje dhe vëllezër si dhe veprimtarë të komunitetit: Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj, Jonuz Ndreu, Musli Mulosmanaj, Sabit Bytyci, Zef Balaj, dr. Hasan Ademaj,Bajram Dreshaj e të tjerë. Këtë veprimtari e ndoqi dhe e pasqyroi Gazeta Dielli dhe Bota Sot.
***
I pyetur nga gazetarët para organizmit të veprimtarisë nderuse, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, ambasador Bekim Sejdiu, për qëllimin e organizimit të homazheve, u përgjigj:
Ne si Konsullatë e Përgjithshme e Republikës së Kosovës përkulemi me respekt para figurave të shquara të diasporës shqiptare në SHBA, të cilët nuk jetojnë më, të cilët kanë dhënë kontribut të cmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke nderuar këto figura të njohura të diasporës tonë, ne përkujtojmë dhe shprehim mirënjohjen tonë për përpjekjet titanike të shqiptarëve të Amerikës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për kombin tonë.
Kësaj here, tha ambasador Sejdiu, ne bëjmë homazhe tek varri i Mehmet Agë Rashkocit – një atedhetari të paepur të cështjes kombëtare. Mehmet Agë Rashkoci është një prej figurave më të ndritura të veprimtarisë atedhetare të diasporës tonë.
Sic e dini,shtoi Konsulli i përgjithshëm, ambassador Sejdiu, ne para disa muajsh nderuam tre vëllezërit Bytyqi-dëshmor të UCK-s.Në të ardhmen do nderojmë me homazhe të tilla edhe personalitete të tjera të njohura të diasporës tonë. Pavarësisht kohërave kur kanë vepruar, vendeve ku kanë jetuar ose pikëpamjeve politike që kanë përqafuar, e përbashkëta e këtyre figurave ka qenë përkushtimi i pashterrur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Jeta, veprimtaria dhe sakrifica e Mehmet Agë Rashkocit dhe shumë atedhetarëve të tjerë në SHBA do mbeten të skalitura në themelet e shtetit të Kosovës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: atdhetare, dalip greca, e diasporës, figurë e ndritur, Mehmet Agë Rashkoci, shqiptare në Amerikë

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT