• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atdheu ynë Shqiperia

November 28, 2015 by dgreca

Nga Anton CEFA/

 Atdheu është toka jonë, trojet tona, trojet e dheut, trojet e shpirtit, trojet e gjakut, trojet e frymës, trojet e gëzimit, trojet e dhimbjes; të dhimbjes nga dashuria, të dhimbjes nga vuajtja, të dhimbjes nga dhimbja.

I kemi dhënë dy emra, emrat e prindit: atdhe dhe mëmëdhe, dheu i  babait, dheu i mëmës, prindit që na lindi, prindit që na rriti.

E kemi quajtur Shqiperi, në emër të shpendit mbretëror. Shqiperi e madhe, Shqiperi e vogël, Shqiperi e malit, Shqiperi e fushës, Shqiperi e pasur, Shqiperi  e varfër, Shqiperi  e mendjes, Shqiperi e zemrës.

“Shqiperi, moj nëna ime,

Më ke rritur me thërrime.

Shqiperi, të qofsha falë,

Të kam nënë e më ke djalë.”

Shqiperi, ky dhe i shtrenjtë, kjo lëndë e shenjtë, ky det i hapët, ky qiell i kaltër.

Shqiperi,  ti shpirti im; Shqiperi, ti zemra ime; Shqiperi, ti jeta ime; Shqiperi, ti varri im.

Shqiperia ime, Shqiperia yte, Shqiperia jonë, tokë e larë me gjak, e mbruajtur me djersë. Pjellë e një historie të shqetësuar, hapësirë e copëtuar nga mëria, e nëpërkëmbur nga  smira, e yshtur nga urrejtja.

Shqipëri, ti kështjellë e heroizmit mitik, muranë lavdie shekullore.

Historia të dha dy data: atë të 28 Nëntorit 1443, dhe atë të 28 Nëntorit 1912, datën e Heroit të Shpatës e të Lirisë, datën e Burrit  të Shtetit e të Pavarësisë.

Shqiperi, jemi bijtë e tu  të patjetërsueshëm, bijtë e dashurisë, bijtë e kënaqësisë, bijtë e vuajtjes, , bijtë e dhimbjes, bijtë e lavdisë, bijtë e krenarisë.

“Na jem’ bijt e nji fisi t’permendun

N’dorë qi i shndriste si rrfeja çeliku

Qi e qestisë veç tu’ u dridhun anmiku

Qi t’tanë bota kah besa e nderon.”

 

Jemi popull i lashtë, i lidhur ngusht me tokën tonë jo prej shekujsh, po prej mija vitesh.

Kur jemi afër, të shohim me sy, të prekim me dorë, të puthim me buzë; kur jemi larg, të shohim me mall, të prekim me afsh, të ndjejmë me dhimbje.

Shqiperi  të duam, ti je shpirtësuar në qenien  tonë, në dheun e zemrës sonë, në qiellin e shpirtit tonë. Te ky shpirtësim, na vegon drita e misionit tonë, misionit të dëshirës, dëshirës së vullnetit, vullnetit të veprimit, veprimit të flijimit. Flijim, kjo dritëz e kaltër ndriçimi qiellor!

*   *   *

 Reflekse të 28-ës

Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksionesh.

Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën na përflak, një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet, një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë, një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.

U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skënderbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet.

Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi.

Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi.

Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona shkëlqeu në Prishtinë.

Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe refleksione tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja të gjysmëhënës, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist.

Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë  të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij.

E kush nuk shpirtësohet në vetëdijësimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra!

E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !

E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha !

E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksioni të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen!

Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion .

Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në  zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se

“Zoti vetë e tha me gojë,

që kombe shuhen përmbi dhe,

por Shqipëria do të rrojë;

Për të, për të luftojmë ne.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Atheu ynë, shqiperia

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT