NJË PORT DASHURIE/
– në nderim të Nënë Terezës/
nga Giuseppina Scalise*/
U përmbys anija bashkë me atdheun/
Dhe u bë arkëmort/
Deti-varr./
U nisën drejt bregut të ëndrrave/
E gjetën humnerat e thella, të turbullta/
E të frikshme si ndërgjegjia e përbindshave./
Do të doja t’i jepja fillimin kësaj punës time, pikërisht duke cituar mikun tonë poet, Visar Zhiti, që na dëshmon me bagazhin dhe përvojën vetjake të vuajtjes, të drejtpërdrejtë mbi lëkurën e tij se çdo të thotë të kesh ëndrra, të ndjesh dëshirën për ndryshim, por duke qenë njëkohësisht i pafuqishëm e i penalizuar me dhunë, mësojmë nga historia se ëndrrat nuk përkojnë me vullnetin e kujt njeh vetëm gjuhen e tiranisë.
Vargjet e mësipërm, të shkëputur nga triptiku “VETEVRASJA E ATDHEUT”, pjesa “Deti” është një pamje e dhëmbshme, e terrtë, e dëshpëruar, e cila prezantohet në sytë tanë: ëndrra në mëshirë të fatit, një Atdhe, i cili duket sikur nuk ekziston, sepse dhunshmëria e njerëzve e ka vrarë. Dhe deti, ky element që historikisht lidhet aq shumë me eksodin dhe ne po përkujtojmë arritjen e anijes “Vlora” në Bari para 20 vjetësh, metaforikisht mbart dhe imazhin e shenjtë të Nënë Terezës dhe unë do të ndal në mënyrë më të detajuar.
Deti në poezi shihet si djep i vdekjes, plazhi i fundit i jetës dhe i dëshperimit, por, në zanafillë, rrugë shpëtimi, burim shprese, udhëtim drejt një jete të re.
Në një det varr, anija përmbyset bashkë me atdheun, duke u shndërruar në arkivol. Por nga deti-varr ende mund të shpëtosh, nëse shpresa ringjallet, edhe nëse qëllimet janë horizontet e largëta, që nuk na përkasin, që flasin gjuhë të tjera dhe ndoshta nuk do të na presin krahëhapur.
Por një tjetër simbol i rëndësishëm shfaqet metaforikisht dhe historikisht: ANIJA.
Anija është mjeti nëpërmjet të cilit ëndrra mund të rimarrë udhëtimin, nga brigjet e shkretimit, drejt atyre të shpresës. Një anije e fortë, guximtare, e aftë të mbajë shumë burra, gra, fëmijë në një udhëtim sigurisht të rëndë, të vështirë, shpesh i dëshpëruar, poshtërues, por që na bën të shohim para, aty ku toka ka domethënien e pranverës.
Në Bari, më 8 gusht 2011, anija e madhe me emrin që e përsëritim herë pas here në debate, “VLORA”, një anije e vlerësuar “heroinë” e njerëzimi, gati sikur të kishte një karakter të sajin, një karakter të formuar nga e forca e guximi, i kujt? I atyre që e drejtuan deri këtu, në qytetin tonë, 20 vite më parë. Nga kjo anije kemi parë të dalin jetë njerëzish pa fund në kërkim të një jete më dinjitoze. Njerëz që kanë pasur guximin të provojnë një rrugë tjetër, jo një arratisje, por një rrugë të fuqishme shprese për të krijuar një lloj dimensioni të ri të të jetuarit; një dimension sërish të konsoliduar për të ridhënë, në të ardhmen, një stimul rilindjeje për të njëjtin atdhe, nga i cili u larguan.
Dhe gjithmonë njerëzit kanë nevojë për forcë dhe guxim për të jetuar, për të ëndërruar, për të provuar të zbarkojnë përherë në brigje më të mira, më të kthjellët.
Me 26 gusht 1910 u lind në Shkup, në Maqedoni, nga prindër shqiptarë, Anjeza Gonxhe Bojaxhiu, gruaja e cila do të zgjidhte t’ja kushtonte jetën e vet njerëzve – nevojtarë dashurie, atyre që jetojnë në dëshpërimin total të mizerjes dhe sëmundjeve. Kjo grua, Nënë Tereza, zgjedh të bëhet anija e njerëzve, një anije e ngarë nga dora e Jezusit, ndonjëhere edhe pa e kuptuar, drejt një dashurie të pafund, për të vetmin lehtesim të fundit midis të fundeve, për kë ka nevojë vetëm për një përkëdhelje për t’u ndjerë i dashur nga jeta.
Rikthehet simboli imazh i anijes. Nga një anije metaforike që humbet ngarkesën njerëzore në një det vdekjeje, në dëshpërimin më të thellë, në një anije të vërtetë, deri në vendndodhjen e dëshiruar; në një anije tjetër akoma simbolike, metaforike, por jo më pak e rëndësishme: zemra e Nënë Terezës, që bëhet mbajtësja e dhimbjeve të kujt vuan, për të dhuruar pak lehtësim ose per t’i tragetuar jetën drejt Zotit, deri në frymën e fundit.
Nga prirja e saj më e thellë, mbas një udhëtimi midis më të varfërve të të varfërve, Nënë Tereza do të thoshte: “atë natë hapa sytë mbi vuajtjen dhe kuptova thelbin e thirrjes time […] Ndjeja që Zoti më kërkonte të hiqja dorë nga jeta ime e qetë në kongregazionin fetar, ku ndodhesha, për të dalë në rrugë e për t’u shërbyer të varfërve. Ishte një urdhër. Jo një sugjerim, ftesë a propozim […]”
Ka nga ata që kanë parë në veprat e Nënë Terezës diçka të paqartë, të jo mirë menaxhuar. Shumë e akuzuan këtë grua që të mos i ketë kuruar vërtet të varfërit e saj të sëmurë, në betejën kundrejt vuajtjes fizike. Madje, dikush e akuzonte që impononte pagëzimin kristian kundrejt përkatësisë fetare qe kishte ai që po vdiste. Kësaj akuze ajo i përgjigjej me një thjeshtësi çarmatosëse, gati fëminore, ashtu siç besonte pa kushte në atë që bënte: “U ofroj atyre vetëm një biletë speciale për Shën Pjetrin”.
Një biletë… Ja, gjithçka na riçon te udhëtimi. Deti. Për Nënë Terezën vepra e saj është vetëm “një pikë ujë në oqean, por nëqoftëse ajo nuk do të ishte, oqeani do të kishte një pikë më pak”.
Prej sa pikash dashurie mund të përbëhet deti i shpresave dhe për sa gjestesh të vogla, që madje ndonjëherë kalojnë pa u vënë re ose dhe keqkuptohen, ka nevojë kush vuan, kush jeton në dëshpërimin më të errët për shkak të varfërisë më të skajshme a në një sëmundje të pashërueshme ose edhe pse nuk ndihet më përkatës i një atdheu, sepse një dorë e dhunshme i ka grisur flamurin, i ka ofenduar dinjitetin. Por është dikush që rifutet në lojë për të na ndihmuar e të arnojë të grisurat, për të na bërë të kuptojmë se me dhunën, me propagandën politike, që mbyt dhe tingujt e poezisë e bëhen dënime, tortura plot, nuk arrin asgjë, përveçse mizerjen, më të zezën, më të turpshmen.
Në anijen e madhe të Nënë Terezës mund të hipi kush të dojë, të çfardo lloj feje dhe kujtdo gjuhe; nuk ka politikë apo propaganda që të mund të ndalë. Eshtë vetëm Krishti, Nostromi i madh i njerëzimit.
Kur fitoi çmimin “Nobel” për paqen në 1979, pyetjes që i bënë se kush e meritonte në të vërtetë atë çmim, Nënë Tereza u përgjigj: “Me siguri jo unë, por për shëmbull ai njeriu që në çastin e vdekjes më tha – kam jetuar si një mi llagëmi tërë jetën, tani vdes me dashuri si një engjëll -.”
Ja kush ishte Nënë Tereza, një grua, e cila hiqte dorë nga darka e përgatitur për të në nderim të gjithë të varfërve në bote, që janë të fajshëm vetëm nga që janë të fundit nga të fundit, vdesin urie, ndërsa pjesa tjetër e botës ngopet me vuajtjet e të tjerëve.
E kur e pyetën: “Nëqoftëse një ditë nuk do të kishte më të varfër, ju, misionaret e Karitasit, çfarë do të bënit? ”, ajo u përgjigj në mënyrë çarmatosëse: “Do të ishim të papuna! Aq më mirë”.
Dashuria ishte për të i vetmi shpirt i jetës, e vetmja mënyrë shprehjeje, asnjëherë fanatike, asnjëherë e pandjeshme kundrejt pyetësorëve të një shpirti tjetër, që ndodhte të mos e kuptonte mekanizmin e vërtetë që e drejtonte.
Në vitet e fundit të jetës së saj, Nënë Tereza rrefehej se ndihej në errësirë, pa zërin e Krishtit, e vetmuar; dhe njëkohësisht arsyetonte: “Jam vetëm një laps në duart e Zotit”. Lapsi është vetëm një instrument që nuk e njeh projektin që po vizaton, por lëviz sipas vullnetit të artistit deri në mbarimin e një vepre të caktuar. Ishte e njëjta errësirë me atë të Krishtit, që vetëm dashuria mundi t’i largonte, duke i lënë të udhëhiqen në besim të plotë tek Zoti.
Atëhere “thirrja në thirrje” e saj, si ajo vetë përcaktonte zgjedhjen e të jetuarit si murgeshë, jo më brenda një manastiri, por në rrugë, kudo, mes atyre që s’kishte të bënte fare, tek të fundit e më të fundmëve, i ridha forcën për të ecur deri në vdekje, deri në 5 shtatorin e vitit 1997, por dhe më pas lëshonte dritë, në lumturimin e nga fort i dashuri Papa Gjon Pali II, më 19 tetor 2003.
Në konteksin tonë të sotëm, kujtojmë në mënyrë figurative dhe emblematike jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Me dashurinë krijoi qendra të bamirësisë në të gjithë botën, duke mirëpritur të sëmurë, fëmijë që mund ta shihnin me shpresën e jetës në sy, të tjerë, jo vetëm për një jetë toksore, por edhe për një jetë qiellore. Nënë Tereza është deti, ai det që e mbarti në profecinë e saj të dashurisë, ajo pikë shërbimi me të cilat përbëhet oqeani i pamasë. Ajo pikë, që kur bie, krijon përreth vetes rrathë koncentrike, një vazhdimësi jehuese e mrekullisë së dashurisë, qe do të shumohet në mijëra pika të tjera.
Nënë Tereza përsëriste shpesh me vete dhe me motrat e saj: “Jemi të vëzhguar në këtë botë”. Zgjedhja e saj të jetonte në rrugë është një lutje që merr jetë nëpërmjet veprave dhe gjesteve; është akoma më e fortë nga lutja meditative dhe e shqiptuar midis mureve të një kuvendi ose të një kishe.
Jeta e Nënë Terezës është një lutje e habitshme, nisi nga Shqipëria, më pas një periudhë rishtare në Irlandë dhe shpalosen në misionin e saj deri në Indi, ku kupton nevojën që duhej te bëhej e dobishme për më të varfërit e të varfërve. Fillon me pritjet në një kasolle te Slum-i në Motijhil, por së shpejti, falë ndihmës së vullnetarëve, arrin të tranferohet në një shtëpi, ku mund të priste më shumë njerëz. Më 1950 Nënë Tereza themeloi Kongregacionin e Misionareve të Mëshirës dhe dy vjet më vonë lindi Shtëpia Kalighat për ata që ishin duke vdekur, e para në numrin e gjerë të shtëpive të bamirësisë që, falë rritjes së Urdhërit të saj, do të hapeshin në vende të ndryshme të botës, mes të cilëve dhe Italia.
Vëmendja e saj përqëndrohet në vazhdim mbi lebrën dhe instituon shtëpi, madje dhe fshat, SHANTI NAGAR, për pritjen dhe kurimin e të sëmurëve lebrozë, të cilëve përveç mikëpritjes, u jepet mundësia të punojnë dhe të rifuten në botën qytetare.
Figura e Nënë Terezës na vjen nga Shqipëria, por hapet me vrull në të gjithë botën, aq sa ajo shihet si kozmopolite. Dhe ky duhet të jetë një mësim i madh: të mos shohim kombësinë e atij që hyn në shtëpinë tonë, por ta shohim në sy, përballë, sepse sytë flasin një gjuhë të vetme.
Nënë Tereza ishte anije që shndërrohet në det dhe e anasjellta, e tillë është vepra e saj e tani na kthehet në një port pritës dashurie, një pafundësi nodale, det, anije port si në një përqafim të vetëm.
Përktheu nga italishtja- Atjon V. Zhiti/
___________________________________
*Giuseppina Scalise është poete dhe pedagoge, jeton në Bari, në Itali. Ky studim, që e ruan ende aktualitetin, është lexuar në qytetin e saj me rastin e 20 vjetorit të zbarkimit të refugjatëve shqiptarë me anijen “Vlora”. Ishin dëshira e autores botimi në shqip si dhe emri i përkthyesit, i nxënësit Atjon Zhiti.