-Ministri Shala uron Federatën e Atletikës të Kosovës/
Prishtinë, 16 tetor 2015/ Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, uron Federatën e Atletikës të Kosovës (FAK), me rastin e pranimit me të drejta të plota si anëtare në Asociacionin Evropian të Atletikës (EAA).
Ministri Shala përgëzon drejtuesit e kësaj federate dhe atletët e Kosovës për këtë të arritur të jashtëzakonshme, duke u shprehur se ky është lajm i rëndësishëm për sportin e atletikës por edhe për fazën finale të procesit të ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës. Shala u shpreh se përmes anëtarësimit me të drejta të plota, atletëve të Kosovës përpos që u është mundësuar pjesëmarrja në garat ndërkombëtare, ata pritet të bëhen të njohur në botë, si dhe është një nxitje për zhvillimin e mëtutjeshëm të atletikës në Kosovë.
Ministri Shala, tha se MKRS-ja po punon që të krijojë lehtësira për funksionimin e federatave dhe po punon në përmirësimin e infrastrukturës sporteve në vend, kur tashmë pritet të përfundojë faza e investimeve në shtigjet e atletikës në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, ku atletët do të kenë mundësinë të zhvillojë përgatitjet e tyre. Shala, nënvizoi se investimet e MKRS-së bëhen në mënyrë që të krijohen kushte sa më të volitshme për ngritjen cilësore të sportit tonë dhe njohjen e tij sa më të gjerë në botë./b.j/