• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAJDAR BLLOSHMI, DELEGATI I KUVENDIT KOMBËTAR TË VLORËS, QË SHPALLI PAVARËSINË E SHQIPËRISË  

November 14, 2023 by s p

– Hajdar Blloshmi, përfaqësuesi i trevave të Librazhdit në Kuvendin e Vlorës të vitit 1912-

Shkruar nga Avni ALCANI

      Në tetor të vitit 1912 filloi Lufta e Parë Ballkanike. Shtetet e reja ballkanike, të cilat e kishin fituar pavarësinë e tyre nga Turqia gjatë shek. të 19-të, si Bullgaria, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi, ndërmorën një ofensivë ushtarake kundër Perandorisë Osmane, me qëllim largimin e Turqisë nga Ballkani. Shtetet ballkanike kishin planifikuar që të ndanin dhe copëtonin Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ushtria serbe përparoi shumë shpejt në drejtim të veriut të Shqipërisë, pasi synonte të arrinte daljen e saj në detin Adriatik. Në të njëjtën kohë edhe ushtria greke kishte pushtuar disa territore të Shqipërisë së Jugut dhe synonte që ta vendoste kufirin deri në lumin Shkumbin. Në këto kushte fuqitë e mëdha, siç ishin Rusia, Franca, Austro-Hungaria, Italia etj., vunë në lëvizje diplomacitë e tyre për të vendosur hegjemoninë në Ballkan. Rusia mbështeste shtetet sllave dhe Greqinë, të cilat i nxiste që të pushtonin territoret shqiptare, por ato i kundërshtonte Itali, e cila synonte të zbarkonte në brigjet e Adriatikut dhe të pushtonte një pjesë të Shqipërisë së Jugut, si Vlorën, Tepelenën dhe Gjirokastrën me rrethinat. Në këtë kohë ndërhyri edhe diplomacia austro-hungareze, e cila u vu përballë dy rrymave të mëdha politike: pansllavizmit dhe imperializmit italian. Perandoria Austro-Hungareze kishte interesa strategjike ndaj Shqipërisë, për shkak të pozicionit gjeografik, pasi brigjet e saj ndodheshin rreth 70 km larg brigjeve italiane, rivalit të saj kryesor në Ballkan. Por edhe Italia fqinje gjithashtu nuk dëshironte një ndikim rus në ballkan. 

      Krijimi i një shteti të ri shqiptar do të vendoste një kordon dhe një pengesë të influencës ruse në Ballkan, ndaj Monarkia Austro-Hungareze ishte e interesuar për pavarësinë e Shqipërisë. Kancelaria austro-hungareze kërkoi bashkëpunim me Italinë, lidhur me problemin shqiptar. Ministri i jashtëm austriak, konti Berchtold, i dërgoi një telegram homologut italian, markezit San Giuliano, për krijimin e një Shqipërie autonome. Roma zyrtare, pas një hezitimi, e mbështeti propozimin e austro-hungarezëve dhe më 26 nëntor 1912 Giuliano e njoftoi Berchtold-in për miratimin e propozimit të një autonomie për Shqipërinë. Në këto kushte autoritetet shtetërore austro-hungareze vendosën menjëherë kontaktet me elitën e patriotëve shqiptarë dhe e shtuan ndikimin e tyre mbi ta.

      Patriotët shqiptarë ishin të alarmuar nga rrezikun e shpërbërjes dhe i coptimit të trojeve shqiptare nga shovinistët fqinjë, ndaj lajmet e përhapura se fuqitë e Adriatikut kishin vendosur për t’i dhënë një autonomi Shqipërisë ishin inkurajuese dhe shpresëdhënëse për shqiptarët. Ata i mirëpritën kontaktet me autoritetet e qeverisë austro-hungareze. Iniciativën për çuarjen më tej të çështjes së pavarësisë së Shqipërisë e morën në dorë Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët u larguan nga Stambolli dhe shkuan në Rumani (Konstancë). Në mbrëmjen e 5 nëntorit 1912, ata u takuan me ambasadorin e Austro-Hungarisë në Rumani, Karl Emil Pirnz zu Furstenberg, i cili u dha zemër për “hapat e mëtejshëm në aksionin politik të shqiptarëve”. Më 9 nëntor Ismail Qemali u takua me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Austro-Hungarisë, gjeneralin Bllasius Schemua dhe pas atij takimi I. Qemali dërgoi në Shqipëri telegramin e shumënjohur: “Arrij me anijen e parë. E ardhmja e Shqipërisë është siguruar” (L. Dushku: Lufta e parë ballkanike…, Shkup-Prishtinë 2017, faqe 120).

      Ende pa mbërritur në Shqipëri, Ismail Qemali u bëri thirrje parisë shqiptare dhe i ftoi ata me atë të telegrameve për t’u mbledhur në një Kuvend në qytetin e Vlorës, me qëllim për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Patriotët librazhdas dhe ata të kazasë së Starovës zgjodhën Hajdar Blloshmin si delegat dhe përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Vlorës. Hajdar Blloshmi në vitin 1912 punonte mësues në qytetin e Durrësit dhe ishte drejtor i gjimnazit të atij qyteti. Përfaqësuesit e fshatrave të Kazasë së Starovës (Pogradec), Bërzeshtës, Qukësit, Stranikut, Kotodeshit, Dardhës, Vehçanit etj. i dërguan një telegram Hajdar Blloshmit në Durrës, të cilët e njoftonin se e kishin zgjedhur përfaqësuesin e tyre dhe delegat në Kuvendin e Vlorës, që do të shpallte Shqipërinë shtet të pavarur. Në telegram shkruhej: “Elbasan, Vjeshta e Tretë 1328-1912. Hajdar bej Blloshmit drejtorit të gjymnazit të Durrësit. Durrës. Meqenëse kazaja e Starovës asht Shqipnië edhe në këtë kaza nuk ka element tjetër veç shqiptarit, ju zgjodhëm përfaqësues me vota të përbashkëta të gjithë popullit të kazasë së Starovës për me u ndodhë vetë, – ose me vumë zavendës ata zotënij qi ti shofin me udhë atje-në Kongrest, qi do të bahet, për me çfaqun qenjen tonë kombëtare, për me sigurue kufijtë tonë politik dhe për me shpëtue Shqipniën. Të merrni pjesë në bisedimet, ashtu dhe në veprimet që do të bahen përanë Shtetesh Mbëdha. Merruni vesht me të shpejtë me Ismail Qemal Benë dhe pa humbë asnji minutë shkoni në Vlonë. Lutemi na lajmoni nisjen tuaj. Kryetari Bashkiës Arsllan Bej Minarolli, Hysrev Bej Starova, Qerim Bej Starova, Hasan Bej Starova, Jashar Bej Starova. Nga kat. Bërzeshtë: Selim Blloshmi, Hysein Leka, Hasan Blloshmi, Ismail Leka, Shaban Blloshmi. Nga Veliçani i Mokrës: Hysein Ago, Hasan Bej. Nga kat. Qukës: Salih Kopaçe, Salih Kushta. Nga kat. Debrovë: Ibrahim Ago. Nga kat. Stranik: Jashar Ago. Nga kat. Kotodesh: Adem Ago. Nga kat. Dardhë: Elmaz Duka. Nga kat. Vehçan: Qazim Polisi (Lef Nosi: Dokumente historike (1912-1918), Tiranë 2007, faqe 79). 

      Por Hajdar Blloshmi nuk mbërriti në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912, për shkak se ushtria serbe kishte pushtuar gati të gjitha qytetet e Shqipërisë së Mesme, duke përfshirë dhe Durrësin, duke bërë që bërzeshtanaku të humbiste shansin e tij historik, për të qenë firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë. Ai mbërriti në Vlorë pas disa ditësh dhe pikërisht më datën 2 dhjetor 1912. Mbërritja e tij në Vlorë u dha me anë të një lajmërimi. Më tej ai i vijoi normalisht punimet, deri në përfundimin e Kuvendit.

      Pas këtij momenti historik kariera dhe rrjedha e jetës së Hajdar Blloshmit dhe e familjes së tij do të ndryshonin përgjithmonë. Hajdari dhe djemtë e tij do t’i kushtoheshin politikës dhe çështjes kombëtare, e cila do t’u jepte atyre për disa vite shkëlqimin dhe, më pas, me ardhjen e komunizmit në pushtet, rënien e tyre fatale.

      Hajar Blloshmi ka lindur në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit. Shkollën elementare e kreu në qytetin e Ohrit, ku mësonin të gjithë fëmijët e krahinave të Starovës dhe të Qukës-Bërzeshtës. Më tej vijoi Gjimnazin Perandorak franko-turk të Gallata Sarajit dhe studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Stambollit. Sipas studiuesit Astrit Bishqemi, Hajdari “Mori arsim e kulturë të gjërë, përvetësoi disa gjuhë të tuaja, si turqisht, persisht, greqisht, frëngjisht e spanjisht“ (A. Bishqemi: Hajdar Blloshmi, patrioti që iu mohua gjithçka dhe iu gropos emri dhe vepra. Gazeta “Metropol“, datë 28 qershor 2010). Pas përfundimit të shkollës ai emërohet Sekretar në Ministrinë e Drejtësisë. Ka shërbyer si këshilltar dhe përkthyes. Në Stamboll krijoi lidhje me patriotët më me emër shqiptarë, si me vëllezërit Frashëri, Ismail Qemalin, Halit Bërzeshtën etj. U emërua profesor i gjuhës frënge në Robert College të Stambollit. Faik Konica, shkrimtari dhe mendimtari i shquar i Rilindjes Kombëtare, ka shkruar se “Z. Hajdar Blloshmi është një Shqiptar mjaft i ditur dhe atdhetar i njohur; ka shërbyer si profesor i gjuhës frëngjishte në Rober Kollege të Stambollit. Këshillat e tij, pra, s‘janë të një njeriu të zakonëshme, po të një atdhetari plak me edukatë të mirë dhe të pjekur” (Gazeta “Dielli“  (SHBA), datë 04 Mars 1922).

      Për shkak të pikpanjeve të tij atdhetare, të cilat i shprehte hapur kudo e me këdo, Porta e Lartë e largoi nga puna dhe nga Stambolli. Kthehet në Shqipëri dhe fillimisht shërben si mësues në fshatin e tij të lindjes, në Bërzeshtë, por dhe në qytetet Pogradec, Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Poeti Lasgush Poradeci shkruan se: “Hajdar Blloshmi (më 1913, më Mars) mbante konferenca, i mësonte edhe shqip edhe frëngjisht njerëzinë, sepse nuk kishte shkollë ashtu, që i-u bënte publikisht” (L. Poradeci: “Shkolla shqipe e Poradecit”, Tiranë 2002, faqe 65). 

      Me hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit emërohet mësues i kësaj shkolle së bashku me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Simon Shuteriqin etj. Hajdari jepte gjuhën frënge dhe hodhi bazat metotologjike për mësimin e kësaj gjuhe në Normale. Hajdar Blloshmi ka qenë mësuesi i parë i gjuhës frënge në Shqipëri (K. Dervishi 2002: H. Blloshmi figurë e nacionalizmit shqiptar, gazeta “Elbasani“, nëntor 2002;).

      Nga viti 1924 e deri në vitin 1934 Hajdar Blloshmi ka qenë antar i Dhomës së Deputetëve (deputet në Parlament) i disa legjistaturave. 

      Hajdari kishte katër djem: Selaudinin, Hakiun, Shefqetin dhe Xhevdetin. Në vitin 1919 Selaudin Blloshmi mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si delegat i Korçës, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare dhe intergritetin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë, të cilën donin ta coptonin shtetet fshqinjë (“Gazeta e Korçës”, Nr. 11, datë 17 dhjetor 1929). Gjatë qëndrimit të tij në Paris Selaudin Blloshmi rastësisht zbuloi një telegram që Nën-drejtori i policisë së Korçës, Oliver, i dërgonte Klubit Ushtarak të Parisit se kishte marrë urdhër për të ikur nga Korça dhe do t’i bënte dorëzimin e qytetit të Korçës qeverisë greke. Selaudini i alarmuar e denoncoi telegramin pranë komandës së policisë dhe njoftoi menjëherë Kryeministrin e Qeverisë shqiptare në Tiranë, z. Pandeli Evangjeli. “Selaudin Blloshmi, – shkruan Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij, – i alarmuar lajmëron Pandeli Evangjelin dhe shokët e tij. Këta pa humbur kohë kërkojnë një audiencë te presidenti Uillson” (S. Vllamasi: Ballafaqime politike në Shqipëri (Botim i dytë), Tiranë 2000, faqe 38). Presidenti Uillson, shkruan Vllamasi, ndërhyri energjikisht pranë qeverisë së Venizellosit që të hiqte dorë nga veprimi djallëzor i grekëve për të pushtuar Korçën. “Ishte një nga kohët më kritike për Korçën. – shkruante për këtë ngjarje patrioti Mihal Grameno. – Me të ikur ushtëria Franceze Korça u bashkua me Tiranën: edhe qetësia e plotë mbretërojti nënë mprojtjen e trimit Selahudin” (M. Grameno: “Gazeta e Korçës”, Nr. 11 (941), datë 17 dhjetor 1929). Djali i dytë i Hajdarit, Haki Blloshmi (1904-1944), ka qenë një ndër studentët e parë shqiptarë të Universitetit të njohur të Havardit në Boston (Sh.B.A.). Në vitin 1922 Hajdar Blloshmi i dërgoi një letër djalit të tij, e cila u bë publike në gazetën “Dielli” me titullin: “Ati të birt” nga Faik Konica,  i cili në atë kohë ishte drejtori i gazetës “Dielli” të Bostonit. 

      Gjatë Luftës së Dytë Botërore, tre djemtë e Hajdarit, Hakiu, Shefqeti dhe Xhevdeti, u aktivizuan me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar. Hakiu ishte komandanti i çetës, kurse Shefqeti antar i saj. Më 4 mars të vitit 1944 forcat partizane të Brigadës I S. i sulmuan në befasi forcat e komanduara nga Haki Blloshmi, të cilat ishin vendosur në fshatin Dunicë të Mokrës. Pas një beteje të ashpër e të përgjakshme u vranë disa nga ballistët. Partizanët u bënë thirrje kundërshtarëve që të dorëzoheshin, duke iu premtuar se do të liheshin të lirë për të shkuar në shtëpitë e tyre. Rreth  13  ballistë u dorëzuan, por partizanët i lidhën menjëherë me litarë. Ata i bënë presion Haki Blloshmit që të dorëzohej vullnetarisht, ndryshe do t’i pushkatonin bashkëluftëtarët e tij. Ndërmjet robërve ishte edhe vëllai i Hakiut, Shefqet Blloshmi. Hakiu pranoi, por me kusht që luftëtarët e tij të liroheshin. Pas kapjes së Hakiut, partizanët i pushkatuan të gjithë ballistët e zënë robër. Xhevdet Blloshmi, vëllai i Hakiut dhe Shefqetit, në shenjë hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve të tij, kreu një masakër të tmerrshme, duke vrarë me dhjetra fshatarë të pafajshëm të Dunicës (S. Bejko: Vilson Blloshmi, Vepra I, 2008, faqe 19).

      Në mars të vitit 1944 komunistët i shkatërrojnë Hajdar Blloshmit varrin, si dhe shtëpinë që nga themeli, për të mos lënë asnjë kujtim dhe asnjë shenjë të ekzistencës së tij. 

C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\1. A Alcani e02af5d8-2013-4cd1-82de-885efb814e04 (6).jpg

                          Avni Alcani                                                           Hajdar Blloshmi

Shkolla Normale Elbasan 1909. Në foto: Hajdar Blloshmi (në rreth) ulur mes Aleksandër Xhuvanit, Luigj Gurakuqit dhe Ibrahim Dalliut.

Filed Under: Kulture Tagged With: Avni ALCANI

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT