Ku e hodhi stuhia Odisenë?/
Nga Nelson ÇABEJ/
Pozita gjeografike në Ballkanin perëndimor i bëri ilirët që në një numër rastesh të shërbenin si medium përmes të cilit bota perëndimore u njoh me botën e lashtë greke. Kështu, sipas arkeologut gjerman Wolfgang Helbig (1839–1915) emri etnik grekë (graeci) u përhap në botën perëndimore nëpërmjet iliro-epirotëve, të cilët ishin në kontakt me një fis të vogël të Greqisë së lashtë, të quajtur graikoi (γραικοί) dhe e përdorën emrin e atij fisi për të treguar tërë bashkësinë e fiseve të lashta që kishin të njëjtën gjuhë, prejardhje dhe kulturë. Helenisti i madh Paul Kretschmer, mendonte se kjo ndodhi në një epokë prehistorike, para se ndër ata vetë të gjente përhapje emri “helenë”1, që ishte gjithashtu emëri i një fisi të lashtë grek.
Përhapja e emrit “grekë” qysh në lashtësi ndër romakët lidhet me emigrimin e fiseve iliro-epirote, të njohur me emrin e përgjithshëm “mesapë” në Siujdhesën Apenine, nën presionin e dyndjes egjeane ose dorike rreth shekullit XII ose XI, p.e.s. Përmes romakëve, më vonë, ky emër u përhap në tërë kryetruallin (kontinentin) Europian.
Me sa duket, përmes ilirëve, te romakët kaloi edhe emri Ulisses, që është forma latine e Odisesë. Por, lind pyetja “Si shqiptonte heroi emrin e tij Odiseus apo Ulisses? Odiseus apo Oliseus?”. Latinët e shkruanin emrin e tij Ulixes dhe Olixes dhe jo Odyseus sepse ata nuk e morën këtë emër nga eposi jonian por nëpërmjet mesapëve, fiseve iliro-epirote që emigruan nga Iliria jugore në Italinë e jugut. Kretschmer-i mendon se l- e Ulixes ka dalë “nga një burim joepik”. Në Athinë, Beoti dhe në Korinth emri i heroit në një sërë mbishkrimesh del si Olysseus (Όλυσσεύς), Olyteus (Όλυττεύς), Olyseus (Όλυσεύς) dhe jo Odyseus (Όδυσσεύς). Këto të krijojnë përshtypjen, shkruan ai, se Odysseus (Όδυσσεύς) i përket vetëm eposit jonik të Homerit dhe ka dalë nga origjinali Olysseus (Όλυσσεύς) nëpërmjet etimologjizimit popullor të fjales greqishte të lashtë odissestai (όδύσσεσϑαι) që do të thotë “të zëmërohesh”. Kretschmer-i ka argumentuar se shndërrimi i anasjelltë d>l është i pamundur sepse nuk është karakteristik për greqishten2.
Kretschmer-i, ashtu si Helbigu dhe Vilamovici, beson se edhe saga e Odisesë është një sagë epirote3 dhe ka treguar se në dialektin epirot të ilirishtes njihet mundësia e shndërrimit d à l (siç ka ndodhur me emrat e lashtë ilirë të njerëzve, Dasimos à Lasimos4). Këtu duhet kujtuar edhe se të shumtën e herëve d e ilirishtes ka dhënë dh në shqipe e kjo vihet re ende sot në disa nëndialekte në jug (Gjirokastër) e në veri (Shkodër) të Shqipërisë ku dh alternohet me ll (p.sh., radhë à rallë dhe dhogë à llogë, etj.).
Në eposin homerik ilirët nuk kanë luajtur vetëm rolin e ndërmjetësit për përhapjen dhe njohjen në perëndim të fqinjëve të tyre grekë. Fqinjësia e lashtë me grekët ka bërë që ilirët, me sa duket, mund të kenë qënë edhe subjekte të atij eposi, siç është vënë në dukje edhe nga Engjëll Sedaj, kurse qytetet e tyre – kanë qënë sheshe veprimi të heroit të munduar e të papërkulur, Odisesë.
Pa u ndalur në pikëpamjen e shprehur nga një numër studjuesish rreth prejardhjes epirote të vetë heroit, natyra meditative dhe gjakftohtësia e të cilit sipas Karl Shuhardit (Carl Schuchhardt (1859-1943), bën kontrast të theksuar me botën heroike të Akilit, Agamemnonit, etj.5, do të ndalem këtu vetëm në një vrojtim tjetër të Kretschmer-it.
Homeri tregon se Odisea shkoi në Skeria (Σχερία) ku banonin phajakët (Φαίακες) [këtu është ë rëndësishme të mbahet mënd se Φ (phi) në greqishten e lashtë shqiptohej ph (si në anglishten uphill, p.sh.), e jo f, siç u shqiptua ajo më vonë në greqishten bizantine dhe greqishten e sotme). Te “Odisea” lexojmë se heroi:
”…në ditën e njëzetë arriti në Skeria, në tokën pjellore të pheakasve.”6
Është e vërtetë se në kohën e tij historiani grek Straboni (64/63 p.e.s.-24) shkruante: “…ai la Kersikratin, një komandant i fisit të Heraklidëve që të zbresë me një pjesë të ekspeditës në atë që tani quhet Korkira, por më parë quhej Skeria; Kersikrati, megjithatë, i nxori liburnët që ishin zotër të ujdhesës dhe krijoi aty një koloni”7. Nga ky njoftim i Strabonit del se, ashtu siç dihet mirë, banorët e Korfuzit në kohën e luftës së Trojës kanë qenë ilirë të fisit iliro-verior të liburnëve8 (Kiepert, H. (1881). A Manual of Ancient Geography. Macmillan and Co. London, p. 174) dhe kolonizimi grek i Korfuzit, nisi nga mesi i shekulli VIII, pikërisht në vitin 733 p.e.s. nga kolonë dorianë të qytet-shtetit të lashtë grek, Korinthit8, kurse ngjarjet që përshkruhen në “Odisea” kishin ndoshur 4-5 shekuj para atij kolonizimi, kur Korfuzi ishte ende një ujdhesë ilire, që do të nënkuptonte se Odisea zbriti në një ujdhesë ilire.
Deri sot, përgjithësisht, Phaiaka e Odisesë është identifikuar me Korfuzin, por, vëren Kretschmeri, fakti që në epos tregohet se Phaiake ndodhej në Skeria (Σχερία), që në greqishten e lashtë do të thotë terë ose kontinent, dhe është sinonim i fjalës Epir (Ήπειρος), të bën të mendosh se Phaiake mund të ndodhej në Epir. Sepse është e pabesueshme që grekët e lashtë të mos e dinin se Korfuzi ishte ujdhesë. Duhet mbajtur mënd edhe se në Korfuz nuk gjënden gjurmë të vëndemrit të lashtë Phaiake (Φαίακε).
Këto na bëjnë që ta kthejmë vëmëndjen nga një historian më i vjetër i lashtësisë greke, Hekateu (rreth 550 p.e.s.-rreth 476 p.e.s.), i cili na njofton se në Epir gjëndej një vëndbanim ose qytet me po këtë emër, Baiake (Βαιάκη). Hekateu e lokalizon Baiake-n në Epir. Sot pranohet përgjithësisht se vëndbanimi i lashtë me emrin Baiake ka qënë në Epir9.
Edhe Stefan Bizantini jep një fakt me vlerë për identifikimin dhe lokalizimin e qytetit të lashtë. Ai njofton se Baiake (Βαιάκη) ndodhej në territorin e fisit të kaonëve10, njoftim që na i ngushton zonën e kërkimit nga pika më jugore e Republikës së Shqipërisë në krahun perëndimor të lumit Vjosa deri në gjirin e Vlorës. Faktet e mësipërme përbëjnë arsye të mjaftueshme për t’i kërkuar gjurmët e vëndemrit të lashtë Phaiake brenda këtyre kufijve në Shqipërinë e jugut.
Duke shqyrtuar toponiminë e sotme të kësaj zone, menjëherë të tërheq vëmëndjen emri fshatit të sotëm Bajkaj, në afërsi të Delvinës. Hipoteza ime duket se konfirmohet jo vetëm nga përputhja gjuhësore e habitshme e emrit të qytetit të lashtë Baiake me emrin e fshatit Bajkaj të Delvinës, por edhe nga fakti që ky fshat është ngritur mbi themelet e një vendbanimi prehelenistik. Arkeologët shqiptarë kanë zbuluar aty një vendbanim prehistorik të epokës së bronxit, d.m.th. që ekzistonte të paktën qysh prej kohës kur mendohet të jenë zhvilluar lufta e Trojës dhe ngjarjet e eposit homerik, nga fundi i mijëvjeçarit II p.e.s. Më tej akoma, fshati Bajkaj jo vetëm që në atë kohë ishte më pranë detit, por ka pranë edhe një lumë që na kujton lumin ku Nausikaa me shërbëtorët e saj shkoi me karrocë për të larë “te rrymat e bukura të lumit”11.
Duhet mbajtur mënd se forma Φαίακες, që del në eposin homerik shqiptohej sic shkruhet Phaiake (sepse φ në greqishten e lashtë shqiptohej ph dhe jo f). Ne nuk dimë se kur ndodhi shndërrimi i aspirates indoevropiane bh në bashkëtingelloren e thjeshtë b në ilirishte (në greqishten e lashtë ajo dha ph). Në qoftë se kjo nuk kishte ndodhur ende në kohën e luftës së Trojës, atëhere, në përputhje me rregullat e fonologjisë së lashtë ilire, vendbanimi në atë kohë mund të jetë quajtur Bhaiake. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin që ndërsa poeti e quante Phaiake, më vonë Hekateu (rreth 550 BC – rreth 476 BC), një historian që jetoi disa shekuj më vonë, e shkruante emrin e vendbanimit të lashtë – Baiake (në këtë kohë processi i shndërrimit të bh indoevropiane në b në ilirishte mund të kishte përfunduar). Forma Baiake që del te Hekateu është e beuseshme sepse, si historian, ai do të kujdesej më shumë për shqiptimin e drejtë të vëndemrit.
Mund të përfytyrohet se forma prehistorike e toponimit ka qenë *Bhaiake, nga e cila, sipas regullave të fometikës iliro-shqiptare, ka dalë forma historike ilire Baiake që jepet nga Hekateu.
Evolucioni i formës së lashtë dëshmuar Baiake deri në formën e sotme të toponimit shqiptar Bajkaj, është plotësisht i mundshëm për të mos thënë i pashmangshëm:
Bhaiake à Baiake à Bajke à Bajkaj (me prapashtesën karakteristike –aj të shqipes).
Kështu, në bazë të hipotezës se Phaiake (Φαίακες) është forma prehistorike (në shekujt XII-XI p.e.s.) homerike e vendbanimit iliro-epirot Baiake (Βαιάκη), të dëshmuar nga Hekateu ne shekullin VI p.e.s. dhe Stefan Bizantini (sipas tij) në fjalorin e tij gjeografik në shekullin VI10 ne arrijmë në përfundimin paraprak se Baiake ndodhej po aty ku gjëndet sot fshati Bajkaj, në afërsi të Delvinës.
Kështu, të dyja format (Phaiake dhe Baiake) që dalin në burimet e lashta greke do të mund të evoluonin në formën e sotme Bajkaj, në përputhje të plotë me regullat e fonetikës historike të shqipes, si vazhduese e drejtpërdrejtë e ilirishtes.
Nga sa më sipër, mund te arrihet në përfundimet paraprake se:
Së pari, qyteti Phaiake (Φαίακες,), që del në eposin homerik, ndodhej në kontinent (Σχερία), d.mth. në Epir e jo në ujdhesën e Korfuzit.
Se dyti, kudo që të ndodhej Phaiake/Baiake, në Epir apo në Korfuz, Homeri na tregon se Odisea zbriti në një teritor jo grek sepse, dihet me siguri që Korfuzi në kohën e luftës së Trojës ende banohej nga ilirë veriorë (liburnët) e jo nga grekë, të cilët, sipas historianëve grekë të lashtë, e kolonizuan ujdhesën e Korfuzit disa shekuj pas luftës së Trojës.
Së treti, se, në dritën e fakteve të mësipërme, teza Kretschmerit, Wilamowitz-it etj. se saga e Odisesë është një sagë epirote meriton të rishqyrtohet.
Referencat
1. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenboeck and Ruprecht, Göttingen, f. 280.
2. Kretschmer, P. (1986). Po aty, f. 280-81.
3. Kretschmer, P. (1896). Po aty, f. 281.
4. Kretschmer, P. (1896). Po aty, f. 282.
5. Schuchardt, C. (1935). Alteuropa: Kulturen, Rassen, Völker. 3. Aufl., W. de Gruyter, Berlin.
6. Homer, Odyssey, Libri V, 34-35: “ἤματί κ᾽ εἰκοστῷ Σχερίην ἐρίβωλον ἵκοιτο,
Φαιήκων ἐς γαῖαν,.
7. Strabo Geography, 6, 2: “τοῦ τῶν Ἡρακλειδῶν γένους Χερσικράτη συνοικιοῦντα τὴν νῦν Κέρκυραν καλουμένην, πρότερον δὲ Σχερίαν. ἐκεῖνον μὲν οὖν ἐκβαλόντα Λιβυρνοὺς κατέχοντας οἰκίσαι τὴν νῆσον”.
8. Kiepert, H. (1881). A Manual of Ancient Geography. Macmillan and Co. London, f.. 174.
9. An Inventory of Archaic and Classical Poleis: An Investigation Conducted by The Copenhagen Polis Centre for the Danish National Research Foundation by Mogens Herman Hansen, 2005, f. 339.
10. Stephani Byzantii ethnicorum quae supersunt. Red A. Meineke, 1849, Berlin.
11. Homer, Oddysey 6, 85: “ποταμοῖο ῥόον περικαλλέ”.