Një ekspozitë e suksesshme e artistëve nga Kosova në Bukuresht/
Nga Baki Ymeri/
Aleksi nga Vlora, Luan Topçiu nga Poradeci (ministër-këshilltar i ambasadës sonë në Bukuresht, një thesar i pashtershëm i kulturës artistike dhe letrare shqiptare), Ambasadori Sami Shiba, miku i madh i shqiptarëve, Zoti Gjergj Bukura, dhe Xhemajl Mustafa nga Sllatina e Vitisë, na ftuan më 25 janar për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës së fotografive me titull “Mos më shiko me përbuzje”, e realizuar nga fotografi Artan Korenica në bashkëveprim me producentet Blerta Bashollin dhe Armond Morinën, në Muzeun e Fshatarit Rumun në Bukuresht, në një godinë të vjetër impozante që gjendet përballë selisë së Qeverisë. Në sallë një numër impresionues pjesëmarrësish dhe massmedia rumune, pjestarë të komunitetit shqiptar dhe dashamirë të mëdhenj të Shqipërisë.
Ekspozita respektive përfshin gjithsejt 40 fotografi të komuniteteve rome, egjiptiane dhe ashkali nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Fotografi Artan Korenica filloi realizimin e projektit qysh një vit më parë, i inspiruar nga ngjarje të vërteta të diskriminimit të komuniteteve të lartëpërmendura. Ai ndjeu obligim që përmes punës së tij artistike të bëjë një hap të vogël kundër diskriminimit të njerëzve. Ekspozita qëndroi e hapur prej 25 janar 2013 deri më 1 shkurt 2013, e prezantuar në massmedian dhe televizionin e Bukureshtit. Përveç shoqatave të pavarura, kulturore, tregtare e turistike, shpresojmë se Ministritë e Republikës së Kosovës do të ndërlidhen drejtëpërsëdrejti me autoritetet rumune, që në ardhmëri të organizohen edhe ekspozita tjera, lansime librash dhe afirmimi i kulturës shqiptare në Rumani dhe i asaj rumune në Kosovë.
Zonja Blerta Basholli shprehu dëshirën dhe shpresën që shteti rumun ta njohë Kosovën. Shtypi i Bukureshtit i dha një publicitet të denjë kësaj ekspozite, duke e cilësuar si një eveniment të shkëlqyer, ku artisti ka arritur të kapë të gjitha përrallat që ëndërronte të na i rrëfejë përmes fotografive. Artan Korenica u lind në Gjakovë (1978), filloi të punojë si fotograf qysh ne shkollen e mesme, dhe pasi u vendos në Prishtinë (2000), u pregadit profesionalisht në fushë të fotografisë, duke realizuar disa filme, reportazhe dhe videoklipe, kohëve të fundit duke vepruar në linjën Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën a hapjes, Zonja Blerta Basholli theksoi me fjalë të tjera faktin se takimet e këtilla që reflektojnë art, kulturë dhe miqësi, janë të domosdoshme për ta njohur njëri-tjetrin, para takimeve ndërshtetërore dhe njohjes zyrtare të Kosovës. Këtë manifestim e nderoi edhe prezenca e liderit historik të komunitetit shqiptar të këtij vendi, Dr. Xhelku Maksuti, si dhe përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare që kanë respekt ndaj gjithë shqiptarëve, ngado që janë.
Vlen të përmendet fakti se British Council në Prishtinë, Ambasada e Norvegjisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë përkrahur projektin dhe hapjen e kësaj ekspozite në Rumani, Në kuadër të kësaj përkrahjeje, ekspozita respektive do të hapet edhe në dy vende të tjera, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, përkatësisht në Greqi dhe Bosnjë. Realizimi i projektit “Mos më shiko me perbuzje”, fillimisht eshte mundesuar nga SOROS ne Kosove, Departamenti i Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe Fondacionet per Shoqeri te Hapur – Me kontributin e Programit per kulture dhe art te Budapestit.
Me këtë rast u shpërndanë ekzemplarë të revistave Shqiptari dhe Kosova, të botuara përmes përkrahjes së Ministrive të Diasporës dhe asaj të Kulturës, që funksionojnë pranë Qeverisë së Kosovës. Kontribut të veçantë për mikpritjen e mysafirëve tanë, përveç sponsorëve dhe diplomatëve tanë, dha edhe Xhemal Mustafa me origjinë nga Kosova, që banon në zonën Bëneasa, atje ku dikurë delnin në piknik boboshtarët dhe drenovarët me Asdrenin në ballë, pronar i një kafeneje impozante me fotografi të Gjergj Kastriotit dhe Nënës Terezë, bashkëshortja e të cilit është femra e parë rumune që ka vizituar kompleksin e Adem Jasharit në Kosovë.