• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POETI MAGJIK I DRITËS SHQIPTARE

December 29, 2012 by dgreca

(Neki Lulaj, Balada e heshtjes, Amanda Edit, Bukuresht 2012)/

Nga Baki Ymeri/

Neki Lulaj është poeti i lirisë, skulptor fjalësh dhe mjeshtër i artit, i ngarkuar me një gamë meditimesh filozofike, ëndërrime, fluturime, përjetime të ëmbla e të dhimbshme, dhe, siç thekson kritika letrare, vargu i tij ka një përmbajtje të lartë artistike dhe një ndjeshmëri të thellë ku reflektohet realiteti i shqiptarizmit në Kosovë dhe Diasporë. Libër i mirë është ai që na e kultivon shpirtin duke na pajisur me një spektër mendimesh e ndjenjash të bukura. Frymëzimi buron nga syri magjik, nga gjaku i bekuar i dashurisë dhe zëri i zemrës. Në këtë vëllim defilojnë emocioni, dhembja dhe ballafaqimi me realitetin. Poeti shëmbëllen me ushtarin, me famullitarin apo me flamurtarin e batalionit.

Lirika e Neki Lulajt është një forcë e gjallë e vitalitetit shqiptar, një album meditimesh me tingujt e gjallë të shqiptarizmit në diasporë. Ai dëshmon se e ka përvetësuar teknikën e artit, teorinë e letërsisë dhe historinë, duke e ndjerë gjuhën shqipe si një xeherore të florinjtë për të krijuar vlera të reja. Poeti është mbret që e kupton letërsinë si një ansambël meditimesh sociale, patriotike, erotike dhe filozofike, që ta përkujton Kantin e dikurshëm, i cili e kundronte kulturën si një gjeometri ku zotëronte teoria si një metaforë e bukur e kohës, e hapsirës dhe mjeteve tjera për rrumbullakësimin e jetës, një kushtrim i bekuar që të fton ta dinamizosh jetën duke rendur në hap me të dhe me evoluimin e saj.

Po qe se Bukureshti mbetet një emër i dashur i letrave tona përmes botimit të veprave të para të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit dhe Asdrenit, shpresojmë se nuk e bezdisim lexuesin po qe se shtojmë se vargut të tyre nuk u prijnë vetëm autorët tanë të rikënduar në gjuhën e një vendi ku njeriu lind poet, por edhe libri më i ri i Neki Lulajt (Balada e heshtjes), i pesti me rradhë që e sheh dritën e botimit në vigjilje të 100 vjetorit të Pavarësisë, në këtë vatër të zjarrtë të kulturës shqiptare dhe universale. Vëllimi i tij shtrihet tipografikisht në një hapsirë prej 135 faqesh, duke qenë i strukturuar në kapitujt: Valët e përjetësisë, Shtegtim dashurie dhe Kohë e krisur. Po japim në vazhdim parathënien briliante të kësaj vepre vlerash autentike, që janë duke e zgjuar edhe kurreshtjen e kritikës sonë letrare.

POEZI E VARGËZUAR NËPËR VALËT E KOHËS E TË PËRJETËSISË

Emri i krijuesit Neki Lulaj është bërë tashmë i njohur në analet e poezisë, sidomos të asaj që shkruhet nga penat e shkrimtarëve tanë që jetojnë dhe krijojnë në mërgim. Kjo letërsi, e cila tashmë quhet e diasporës, e sidomos poezia, ka arritur t’i kultivojë shumë emra, sepse jo vetëm që janë të njohur, por e kanë trasuar edhe vizionin e tyre poetik dhe krijues. Pa mëdyshje në mesin e tyre patjetër bën pjesë edhe krijuesi dhe poeti i njohur Neki Lulaj. Ky poet me këtë përmbledhje poezish vjen me një formë të talentuar e të formuar me stilin e vet të ligjërimit poetik në vargje.

Burimi i frymëzimit poetik

Neki Lulaj në përmbledhjen e tij më të re ka hulumtuar, por edhe i ka gjetur burimet e gurrat e frymëzimeve ku i shijon të gjitha nuancat dhe vargjet për t’i shprehur e paraqitur motivet, tematikën dhe format e tjera të shprehjes në poezi. Shpesh duke ngarendur nëpër gurrat e frymëzimeve në këto burime, ai arrin ta ngjizë, ta determinojë, ta skalitë dhe ta stilizojë afshin e shprehjes artistike, duke e veshur me elemente të shumta të figurave dhe tropeve poetike. Dhe kështu kjo poetikë duket e suksesshme, duket e kapshme në një anë, por edhe e thellë në vertikalen e shprehjes lirike, duke shkuar kah modernizimi dhe refleksioni, në anën tjetër. Ky marshim nuk është i njëtrajtshëm, nuk është madje as statik, por ai kalon nëpër disa shtresa dhe stade të niveleve të veta. Atëherë poezia e Neki Lulajt merr të tjera dimensione edhe pse nuk zbret asnjëherë në prehrin e moskuptimit, izolimit, hermetizmit e as të ndonjë deklarimi të skajshëm real për hir të angazhimit të tepruar. Andaj lirika e këtij poeti është sferë e një frymëzimi që paraqitet si reagim shpirtëror dhe ndijesor ndaj jetës dhe botës përreth, që ka shkallët, nivelet, por edhe shtyllat e lartësimit.

Reagimi shpirtëror, por edhe frymëzues i këtij poeti ndalet kryekëput në tri kulmet e trekëndëshit poetik: atdheut, lirisë dhe dashurisë që janë gurrat më të pashtershme të vargjeve të poezisë së poetit. Dhe kjo nuk është e veçanta, madje as e veçuara, sepse autori depërton me penën e frymëzimit edhe nëpër katetet dhe hipotenuzën kryesore të këtij trekëndëshi që është jeta, sakrifica, problematika, mërgimi dhe krajatat e tjera, të cilat bëjnë jetë në simbiozë duke i dhënë e marrë njëra tjetrës atë që i nevojitet, atë që e kanë të domosdoshme, atë që e kanë kusht për të marshuar nëpër rrugët jetësore. Të gjitha këto paraqiten nëpërmes vargjeve dhe fjalës që shprehet: Me mungesa elementare/ E lakmuam kohën/ E degët i latuam/ Me kmesë.

Lakmia depërton nëpër rrudhat e kohës që është duke ardhur e duke shkuar, e cila për popullin ishte mungesë elementare. Sakrifica për të depërtuar nëpër këto rrudha është e madhe sepse për ta trasuar atë duhej bërë që “E degët ia latuam/ Me kmesë”. Kjo shtresë, që autori e quan mungesë, plotësohet me idealin e plotë të konceptit më të gjerë poetik që është atdheu. Ky nocion nuk është paraqitur në mënyrë patetike e as retorike me përmasa epike, por me ato gjeografike, duke u sendërtuar me qelizat e ndërtimit të indit të organizmit të plot artistik me kuptimin e nocionit shqiptaria. Dhe e gjithë kjo bëhet shpesh me vargje të shprehjes se një ligjërimi të lehtë, të ndjeshëm dhe tepër frymëzues lirik. Në vargjet e lirikës së atdhedashurisë, poeti Neki Lulaj, i këndon zgjimit për sakrificë, luftës, qëndresës, lirisë, vetëdijes dhe identitetit kombëtar. Lirikat e tilla nuk mëtojnë të jenë dominuese, por ato janë shtyllë e dashurisë së atdheut, dashurisë së shqiptarit për të, dashurisë së prindit për fëmijën dhe e fëmijës ndaj prindit, por edhe e dashurisë së njeriut për njeriun dhe dashurisë erotike. Kjo lirikë tashmë është një shpirtëzim, i cili ka gamën më të shtrirë në tërë poetikën lirike të kësaj përmbledhjeje.

Atdhedashuria kërkon sakrifica, heronj, trima, dëshmorë, luftëtarë dhe strategë të paepur. Për të gjithë këta, pena e poetit ngjyhet shpesh edhe në gjakun dhe veprën e tyre të paharruar kurrë. Kështu duke shkruar vargje për Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Isa Boletinin e shumë të tjera, ai sendërton mesazhin e fitoreve të njohura dhe të ndritura në historinë tonë. Të gjithë këta heronj dhe ngjarje janë mbëltuar nëpër ngrehinat e kohëve që kanë shënuar data të rëndësishme në truallin e tokës sonë amtare. Andaj poeti shkruan se trungu nuk e ndjeu shtrëngatën, sepse: “Me fanatizëm e ruajtëm/ Testamentin e fshehur/ Formulën e Pagëzimit/ Mesharin e Buzukut/ Mendimin e Barletit/ Filozofinë e Bogdanit/ Fjalorin e Bardhit/ Mençurinë e Nobelit/ Veprat e Kadaresë/ Me vlera mondiale”

Kjo është modernia dhe bashkëkohorja, që atdheun e poetit e bën të madh, të njohur, të dashur dhe tepër interesant për të gjithë popujt e botës. Dhe me këto virtyte, por edhe me të tjera, poeti ndihet krenar që është shqiptar edhe atje kudo që gjendet në paralelet dhe meridianët e Globit të Tokës. Kjo integrohet mirë me motivin e lirisë sepse ai përshkon lirikën e këtij poeti, e cila është si frymë e lëvizjes për identitet e qenie kombëtare. Gjaku i derdhur për liri është një frymëmarrje nëpër kohë dhe hapësirë që mëton të skalitë qenien shqiptare në fletët e historisë sonë edhe në atë të përbotshme. Por liria i ka rrënjët në gjak, andaj është e shtrenjtë dhe nuk dhurohet, por fitohet. Disa prej vargjeve të poezive për lirinë janë edhe përkushtime për heronjtë, trimat, dëshmorët dhe luftëtarët: Oso Kuka, Isa Boletini, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Hasan Prishtina, Sali Çeku, Ilir Konushevci, Tahir Desku, por edhe për shkrimtarë dhe poetë që luftuan me penë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Teki Dërvishi, Ali Podrimja, e të tjerë, sikurse edhe Lezha, Prekazi, Kosharja, Drenica, Duboviku, që janë arena ku liria korri fitoren e paguar shtrenjtë.

Metafora, dashuria dhe erotika e saj

Poeti Neki Lulaj në këtë përmbledhje poezish kultivon edhe vargje me tematikë lirike erotike, duke e kultivuar bukur dhe me afsh edhe lojën e dashurisë. Këtë temë, ky autor, nuk e tepron, madje as që e neglizhon me gjera të tepruara, por atë e ngërthen me tematikën dhe motivet e tjera. Dhe kështu lirika erotike edhe pse e pakët ndërthuret mirë dhe suksesshme me atdhedashurinë, sepse luftëtarët, trimat, ushtarët, por edhe krijuesit e mendimtarët janë edhe dashnorë të mëdhenj edhe të lirisë së femrës, por edhe të bukurisë së saj. Këtu erotika shprehet si ndjenjë e cila krijon drejtpeshimin jetësor duke u shndërruar në dramë shpirtërore që ka ndjenja edhe të mallit e të dashurisë për femrën. Përveç kësaj në erotikën e dashurisë të bashkëdyzuar me dashurinë ndaj njeriut e sidomos me dashurinë ndaj atdheut, shihet edhe miqësia, kujtimi, ëndrra për të bukurën e të dashurën, për gruan e femrën në përgjithësi, sepse ajo kalon nëpër kohë duke u bërë masë e saj, që përkon me ndjenjën dhe afërsinë.

Poezia si krijim është një dritë shpirtërore e vezulluese, e cila gjithmonë shfaq e reflekton diçka të re për të shndritur botën e vet të brendshme. Këtë e bën mirë kur depërton edhe në botën intime dhe ndijesore tek lexuesit, sepse atëherë bëhet ushqim i dashur për të. Poeti Neki Lulaj e identifikon vargun e vet lirik me tonalitetin e veglave më të ndjeshme muzikore si më okarinën, harfën, çiftelinë, fyellin, e pse jo edhe me lahutën, kitarën, pianon e të tjera. Këtyre toneve ua shton melankolinë, pse jo edhe bukurinë edhe buzëqeshjën, ofshamën lirike, cicërimën, përkëdheljen mahnitëse, duke u shndërruar në estetikën e mallit dhe shprehjes. Ndonjëherë disa vargje shprehin edhe ndonjë pikëllim që janë bërë flijim, e pse jo, edhe zhgënjim.

Andaj mund të thuhet se lirika e Neki Lulajt është një grishje e ndjeshmërisë për temat, motivet për të cilat thurë vargje, në një anë, por ajo është edhe një stil i ligjërimit me ritëm të natyrshëm e krejt spontan e pa sforcime, në anën tjetër. Gërshëtimi i këtyre dy kulmeve të shprehjes tematike kanë strukturimin në simbolizmin e tij që përkon edhe me anën e nënteksit, i cili duhet hulumtuar në vertikalen e tij. Nga këtu buron edhe kondensimi i vargut me shprehje të pasura figurative. Metafora qëndron në mesin e këtij figuracioni e gërshetuar edhe me simbolin, krahasimin, si dhe me disa shprehjeve idiomatike. Me këtë vëllim poetik, poeti Neki Lulaj, shënoi një ngritje të re në analet e poetikes së vet. (Halil Haxhosaj)

BOX

Nuk do ta teprojmë nëse poezinë e Lulajt do ta quajmë oazë e mrekullueshme që përflaket e nuk digjet nga flaka e shpirtit dhe fashitet me magjinë e fjalës, kur fjalët kremtojnë rrënjët e gjuhës dhe gjenezës. Poeti Neki Lulaj është i lirë në mendim dhe veprim,dhe nuk ka se si të mos kënaqët lexuesi, kur vargjet e tij të shëndërrojnë në etje dhe kureshtje,dhe si i tillë din ta mbushë një zbrazëti në shpirt. Ka gjasa se një lirikë e këtillë, për gjeneratat reja do të bëhët një shkëndijë nxitëse e një studimi të plotë dhe të rëndësishëm. (Dedë Preqi)

Neki Lulaj u lind (më 13 janar të vitit 1955) në universin e fshatit shqiptar, në Bërliq të Pejës. Është njëri nga poetët më të frymëzuar të diasporës sonë. Shkollimin fillestar e finalizoi me sukses të shkëlqyeshëm, në shkollën fillore katërklasëshe “Liria” në Prapaqan. Gjatë kësaj kohe pati fat ta kishte mësues Ramiz Popovcin, i cili kishte mësuar një vit më parë me martirin e shqiptarizmit, Jusuf Gërvalla. Gjimnazin „Vëllezërit Frashëri” e kreu në Deçan, duke udhëtuar nga 15 km. në ditë në këmbë, së bashku me patriotin e famshëm, Komandantin e Kosharës, Sali Çekaj dhe Qazim Lulajn. Pas përfundimit të gjimnazit u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe), ndërsa në vitin e tretë, pa u shkëputur nga ndjekja e ligjëratave, u regjistrua edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike„Bajram Curri”, në Gjakovë (Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe), të cilën e përfundoi me sukses, falë përkrahjes profesionale të poetit dhe profesorit të ndjerë, Din Mehmeti. Me shkrime ka filluar të merret qysh në moshë të njomë, duke botuar në gazeta, revista dhe media elektronike, poezi dhe shkrime publicistike me karakter patriotik.

Aktualisht jeton dhe vepron në Gjermani, ku punon si mësimdhënës në një shkollë gjermane me fëmijë shqiptarë, dhe është mësimdhënës i rregullt edhe në një shkollë gjermane. Gjatë studimeve universitare ka bashkëpunuar me disa media të shtypura: Bota e re, Pionieri, Zëri i rinisë, Rilindja, kurse më vonë edhe me revistën Albania. Bashkëpunon rregullisht me gazetën kombëtare „Bota sot”, me artikuj të ndryshëm kushtuar aktiviteteve të shqiptarëve në diasporë. Është i martuar me Fetaneten (teknike e mjeksisë) dhe baba i katër fëmijëve të florinjtë (Adriatiku, Albiana, Iliriana, Armendi), si dhe gjysh i Leartit të vogël. Neki Lulaj është anëtar aktiv i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, koautor (së bashku me Hasan Qyqallën) i antologjisë “Trinomi i lirisë”, prezent në antologjitë “Kështjella e ëndrrave”dhe “Shpirti dashurisë”. Bibliografi lirike: „Dardania ime” (Albanezul, Bukuresht, 2011), „Në kështjellën e përjetësisë” (Amanda Edit, Bukuresht, 2011), “Zjarri i shpirtit” (Amanda Edit, Bukuresht, 2012), “Bukuri e bekuar” (Amanda Edit, Bukuresht 2012), “Balada e heshtjes” (Amanda Edit, Bukuresht 2012). Për librat e tij janë qëndisur disa recensione të favorshme, në të cilat zotëron realizmi mbi botën sentimentale të një mërgimtari të inspiruar, që shkruan me kuptim dhe qartësi, për dashurinë dhe atdhedashurinë e zemrave tona

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Baki Ymeri, Neli Lulaj, per poetin

Gjuha shqipe është një xeherore e artë për shpëtimin e kombit

December 24, 2012 by dgreca

(Intervistë me idealistin e Bukureshtit)/

 Të jesh shkrimtar i mirë don të thotë të jesh fabrikë mendimesh për furnizimin e popullit me dritën e diturisë. Gjuha amtare është një vlerë absolute. Të shkruash sot në toskërishte apo gegërishte, është njësoj sikur ta ndash gruan nga burri, duke i dhënë secilit nga një shtrat të veçantë. Gazetari është qeni më besnik për mbrojtjen e demokracisë, kurse gjuha shqipe është e vetmja pasuri e gjallë që na ka mbetur. Rumunëve u ka mbetur poezia dhe gocat e bukura, kurse neve na kanë mbetur dëshmorët dhe shqipja si një xeherore e artë për shpëtimin e kombit.

Ramiz Dërmaku

Titulli paraprak i këtij shkrimi (Intervistë me bujkun e Bukureshtit, siç e preferonte B. Y.), dikujt mund t’i dukej qesharak, por neve jo, sepse të jesh bujk, bari, katundar apo malësor, nuk është turp. Turp është të jesh bari i fjalëve që s’din t’i kullosë si duhet fjalët, apo bujk që në vend të farës së mirë e hedh farën e keqe. Para nesh kemi një vlerë të veçantë, kombëtare e ndërkombëtare, një krijues profesionist që i ka tejkaluar kufinjtë e arave të tij e të fshatit të tij, duke u bërë i njohur dhe admiruar, deri tejmatanë brigjeve të Amerikës, Skandinavisë dhe Australisë. Ka momente kur protagonist i kësaj bisede ka humbur disa miq, por ata janë të paktë, më të paktë se gishtërinjtë e dorës, njërin duke e dekoruar me epitetin Ujk. Ujku dhe bujku. Ujku është një kafshë politike apo konfesionale që i ngatërron gjërat, që tenton ta hedhë bujkun e Bukureshtit në gjyq pse e paska kritikuar librin e keq të gruas së një përkthyesi të mirë, ndërsa bujku është një lavërtar i mirë që kultivon arat, duke mbjellur farën e mirësisë dhe duke vjelur fryte e fjalë të ëmbla për të ushqyer gjuhën shqipe dhe shpirtin shqiptar.
Gazetari është qeni më besnik për mbrojtjen e demokracisë
Ramiz Dërmaku: Kush është Baki Ymeri?
Baki Ymeri: Një poet i famshëm theksonte se jam një pikë gjaku që flet. Unë s’desha të flas me këtë rast, për hirë të modestisë, sepse kam folur më parë në kuadrin e disa intervistave dhe nuk dua t’i përsëris ato që i kam thënë më parë, ndaj mo ma zeni për të madhe po qe se këtë bisedë e dekorojmë edhe me pak humor! Pse? Sepse shkrimtari po qe se e braktis humorin, duhet ta thejë penën. Siqeriteti i ekzagjeruar është i dëmshëm (?), siç është e dëmshme një jetë banale dhe pa shkëlqim.
R. D.: Pse u larguat nga Vendlindja dhe kur?
B. Y.: Po ju pse u larguat nga vendlindja dhe kur? Po ju pyes unë juve pse u larguat ju nga Kosova, apo pse u larguan nga Shqipëria Naum Veqilharxhi, Nikolla Naço, Viktor Eftimiu, Asdreni etj. Disa u larguan për të shpëtuar nga kthetrat e invazionit osman, disa tjerë nga zullumi komunist, disa për arësye politike, ekonomike, apo, madje, për të shpëtuar nga ahmarrja. Unë nuk u largova nga vendlindja, por erdha në vendlindjen e mamasë sime të ndjerë. Të them se isha i ndjekur për motive politike në kohën e Titos, mos po e teproj! Apo të them se e braktisa përkohësisht një fshat me tradita anadollake për të kaluar jetën në gjirin e bukurosheve të Bukureshtit, poashtu e teproj dhe bëhem qesharak, sidomos para bashkëfshatarëve të mi që digjen përkulturë, për komb e atdhe.
R. D.: Çfarë është gjuha amtare?
B. Y.: Gjuha amtare është një vlerë absolute. Gjuha shqipe është e vetmja pasuri e gjallë që na ka mbetur. Rumunëve u ka mbetur poezia dhe gocat e bukura, kurse neve na ka mbetur shqipja si një xeherore e artë për shpëtimin e kombit. Nga të gjitha objektivat e propozuara, idealizmi qëndron mbi gjithëçka. Po qe se unë e braktisa vendlindjen përkohësisht për kultivimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare në gjirin e sivëllezërve tanë rumunë, nuk bëhem as qesharak dhe as cinik.
R.D.: Ju jeni një ambasador i shkëlyqer i Gjuhës dhe Kulturës shqiptare në Bukuresht. Disa ju kanë quajtur Bubullima e Bukureshtit, ndërsa unë po ju quaj Shqiponja e Kosovës dhe e tërë kombit shqiptar. Ju jeni një rilindës i njohur i kulturës dhe mërgatës shqiptare. Cili është roli i shkollës shqipe në diasporë në njohjen e një gjuhe letrare te brezat më të rinj?
B. Y.: Faleminderit për komplimente! Roli dhe rëndësia e gjuhës letrare është tejet e madhe, sepse kultivimi dhe njohja e saj na shpëton nga asimilimi, ndaj këtë pyetje preferoj t’ia bëni motrës sonë në Gjermani, Miradije Gashi (arsimtare), dhe vëllajt tonë në Suedi, Sadulla Zendeli Daja (botues fjaloresh). Ajo që desha të them në këtë kontekst ka të bëjë me kontributin modest, simbolik por tejet të rëndësishëm që është duke e dhënë Ministria e Diasporës (falë ministrit Ibrahim Makolli dhe stafit të tij), për ta mbajtur gjallë dritën e diturisë në shkollat shqipe të diasporës shqiptare. Si konkretizohet kjo? Kjo konkretizohet me furnizimin e shkollave shqipe me literaturë përkatëse, duke shpresuar se bëjnë apo do të bëjnë diç edhe për sponsorizimin e arsimtarëve tanë në mërgim.
R. D.: Sa mirë e njohin shkrimtarët e sotëm gjuhën shqipe?
B. Y.: Situata ka qenë e atillë në Kosovë që disa krijues nuk kanë patur kohë dhe paqë që të frekuentojnë ligjëratat në katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Kosovës, ndaj duhet t’i kuptojmë dhe ta pranojmë të vërtetën se disa e njohin fare mirë, kurse disa tjerë më pak. Respekti ynë, edhe ndaj njërës, edhe ndaj tjetrës pale, është i madh, sepse të jesh shkrimtar i mirë don të thotë të jesh fabrikë mendimesh për furnizimin e popullit me dritën e diturisë. E lansova edhe unë një mendim të përngutshem dhe të (pa)pjekur për shkrimtarin dhe misionin e tij, sa për të thënë diç, duke i dhënë shansin lexuesit për të qeshur, për të qarë apo për ta demantuar një mendim të këtillë.
R. D.: Si e mendoni ju zgjidhjen e harmonizimit të gjuhës sonë në trojet shqipfolëse dhe cili është mendimi juaj për realizimin në praktikë të një gjuhe standarte në të gjithë trojet shqiptare?
B. Y.: Fati i gjuhës standarde është vendosur në Tiranë, para 40 vitesh, në bashkëveprim me gjuhëtarët tanë edhe nga Kosova. Gjuha standarde ekziston si një monument i gjallë në të gjitha trojet shqiptare, kurse zbatimi i saj në praktikë varet prej nesh, po qe se i zëvendësojmë krahinarizmat me gjuhën letrare, jo vetëm në Parlament, institucione, shkolla, shoqata, letërkëmbim apo internet, por edhe në gjirin familiar. Çdo respect ndaj do bijve të shqipes që e kultivojnë gjuhën amtare edhe në diasporë (Vitore Leka, Artan Fili, Kozeta Zylo, botuesit e Zemrës Shqiptare, Eduard Dilo, Neki Lulaj, Hasan Qyqalla, Ilia M. Dilo, Liman Zogaj, Xhevat Muqaku, Sadik Krasniqi etj.) Numri i tyre është i madh ndaj le të mos preken të tejrët për ekonomizimin e hapsirës tipografike lidhur me këtë subject!
R. D.: A Ju ka goditur kush dhe a e ka goditur globalizimi gjuhën shqipe?
B. Y.: Askush nuk guxon ta godasë poetin, sepse të jesh poet don të thotë të jesh mbret. Nuk e kam ndërmend më të qortohem me askend, sepse nuk kam kohë për t’u pajtuar. Sa i përket gjuhës, varet kush dhe si e kupton këtë pyetje. Në çik e ka goditur me sintagma si “Ok”, “on line” etj. Globalizmi ka anët negative kur dikush bënë orvatje të komunikosh vetëm rusisht apo serbokroatisht (si dikurë), apo anglisht (si sot), dhe anët pozitive kur gjermanët, anglezët, amerikanët e të tjerët, krijojnë admirim edhe ndaj gjuhës sate, duke të ofruar kushte për afirmim dhe admirim.
R. D.: Ju jeni kritik, eseist, historian i letërsisë, publicist , përkthyes, dhe poet.
B. Y.: Një këngë labe thot: Po more po, e jo more jo! Për ata që flasin për vetëveten, shqiptarët e Kosovës e kanë një fjalë: “T’u ritë men(d)ja!” Më mirë është të jesh bari, bujk apo shkrimtar, se sa kafshë politike që nuk merr masa për identifikimin dhe arrestimin e korbave të kombit që na i vranë bijtë më të mirë të Kosovës kreshnike, siç ishin Ahmet Krasniqi etj.
R. D.: Keni filluar të merreni me letërsinë si kritik apo si poet?
B. Y.: Fillimisht si poet, pastaj si përkthyhes dhe në fund si autor reçensionesh e parathëniesh, ngase kritikët e mirëfilltë janë të paktë dhe të mirënjohur, siç ishin Rugova, Qosja, Hyni Hoxha etj. në kohën e tyre, apo siç janë sot Sabri Hamiti, Sali Bashota, Ramadan Musliu, Basri Çapriqi, Prend Buzhala, Nexhat Rexha, Halil Haxhosaj, Namik Selmani etj.
R. D.: E doni më shumë poezinë, studimin e letërsisë apo njësoj edhe poezinë, edhe studimin e saj?
B. Y.: Të gjitha nga pakë, dhe jo vetëm nga pakë, por edhe nga shumë. Më mirë pak e për merak, se sa shumë e për lumë! Më mirë është të jesh poet apo kritik letrar se sa kafshë konfesionale që ia zhvat 30 milionë euro buxhetit të Prishtinës për ngritjen e një xhamie, për t-ia prishur qetësinë qendrës universitare me zërin e telallit islamik. Kush s’e do poezinë dhe femrën, nuk është patriot.
R. D.: Ku keni kontribuar më shumë në letërsinë shqipe: me poezinë apo me studimin e kësaj letërsie?
B. Y.: As me njërën dhe as me tjetrën, por me përkthimin e vlerave letrare shqiptare në gjuhën rumune. Po i rikthehem sintagmës “kafshë konfesionale”. Më mirë ishte të ngresh një fabrikë për inkuadrimin e njerëzve të pa punë, se sa të ngresh një xhami në një vend të mbushur me rreth një mijë faltore islamike.
R. D.: A zhvillohet sot letërsia shqipe në trojet etnike e diasporë natyrshëm, si një letërsi kombëtare, si një e tërë, apo ende vërehen në të disa dallime, të cilat ishin kushtëzuara nga ndarjet që kishin sjellë kufijtë politikë të 1912-it?
B. Y.: Si gazetar, po e shoh se keni bërë një kërcim të madh kohëve të fundit, sa i përket përvetësimit të gjuhës letrare, madje pse jo, edhe formulimit të pyetjeve për intervistë. Shqipen letrare e keni njohur edhe më parë, por po shoh se ka kodra e kodra mes jush dhe disa krijuesve që i përsërisin të njëjtat sintagma apo të njëjtin mendim 2-3 herë brenda një fjalie apo periudhe. Dallime ka patur si pasojë e kufinjve të mbyllur apo artificialë, por tani këto ndasi janë duke u shembur, sepse pas dimrit vjen pranvera, dhe pas ndarjes vjen bashkimi.
R. D.: A mund të themi se sot i kemi tejkaluar plotësisht të gjitha shabllonet e realizmit socialist? A i smadhojnë apo i fshehin studiuesit e letërsisë shqipe pasojat që pashmangshëm ka lënë teoria e realizmit socialist në këtë letërsi në të dy anët e kufirit?
B. Y.: Për fat të mirë, disa krijues i kanë tejkaluar, dhe për fat të keq, një numër i parëndësishëm ende vërtitet në kotaret e shablonit respektiv. Sa i përket pyetjes së dytë, vlen të potencojmë se ekzistojnë dy kategori studiuesish. Derisa njëra palë merret me smadhime e fshehje, pala tjetër (më e mençura), merret me kultivimin e një letërsie dhe kritike të mirëfilltë që e ka qitur në harresë realizmin socialist.
R. D.: E ka zënë poezia shqipe ritmin e zhvillimit të poezisë europiane apo ende mbetet pas saj për sa u përket përvojave aktuale dhe moderne krijuese?
B. Y.: Po na mahnitni me pyetje të këtilla që i përkasin një kalibri të lartë, e jo një gazetari të rëndomtë siç jeni jua apo ne! Poezia shqipe, sidomos ajo që krijohej dhe krijohet në Kosovë, shkon paralelisht me ritmin e poezisë europiane, kurse ajo që krijohej në Shqipëri, si pasojë e sistemit, ishte larg rrjedhave moderne krijuese të Perëndimit. Tani punët kanë marrë nga e mbara edhe në Mini-Albani.
R. D.: Ju jeni marrë edhe me përkthime dhe keni vizituar shumë biblioteka të Bukureshtit. Çka ju shtyri dhe si e vlerësoni punën e gazetarit?
B. Y.: Çka më shtyri? Nevoja për afirmimin e vlerave tona në gjuhë të huaja, dhe kjo don të thotë shumë, sepse vetëm brenda 7 vitesh autorët rumunë kanë botuar 7 përmbledhje me vështrime kritike kushtuar shkrimtarëve shqiptarë që i kemi rikënduar në gjuhën rumune, dhe ato janë vepra voluminoze si “Me shpirtin në buzë” (dy vëllime) të Marius Qelarut, “Kosova letrare” (dy vëllime) të Monika Mureshanit, “Dardania e zemrave tona” të Mihai Antoneskut dhe “Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë”. Përndryshe, në Bukuresht i kemi edhe disa krijues tjerë që merren me afirmimin e letërsisë shqipe, si Luan Topçiu, Kopi&Ardian Kyçyku dhe Marius Dobrescu. Sa i përket pyetjes së dytë, vlen të theksojmë se gazetari është qeni më besnik për mbrojtjen e demokracisë.
R. D.: A janë aktuale betejat intelektuale për lirinë e krijimtarisë dhe për përvojat moderne në letërsinë shqipe sot?
B. Y.: Liria e krijimtarisë është një e drejtë legjitime e çdo krijuesi. Ku ta di unë, ka po nuk ka beteja intelektuale për një liri të këtillë. Gazetarit të mirëfilltë nuk i ka hije të shkruajë për një ngjarje pa qenë në vendin e ngjarjes, dhe as mua të flas për beteja respektive pa jetuar në Prishtinë apo Tiranë. Ajo që di unë ndërlidhet me krijimtarinë e veteranëve të gazetarisë shqiptare të Bukureshtit, apo të titanëve të lirikës sonë gjatë kohës së Mbretërisë, Asdreni, Lasgushi, Kuteli etj. E përmendëm Mbretërinë sa për sy e faqe, sepse pot ë ishte mbreti mbret, Shqipëria sot do të ishte e bashkuar dhe jo e ndarë në pesë shtete e vilajete.
R. D.: Ç’do të thotë për Ju të jesh intelektual, gazetar, analist, shkrimtar modern, poet modern, përkthyes modern,eseist, etj?
B. Y.: Nuk më pëlqejnë lavdëratat, sepse këto epitete përmenden edhe më lart. Të jesh poet modern apo klasik, don të thotë të krijosh familje, fëmijë, inkuadrim, rrogë, automobil, para në bankë, pension dhe një jetë normale. Kurse ne në vend të një jete normale çojmë një jetë të çuditshme, duke përkthyer, shkruar e botuar, duke redaktuar, afirmuar dhe komunikuar, gjë që na mjafton, siç i mjaftonte edhe Adrenit në kohën e tij një jetë e këtillë.

R. D.: Çka do të thotë për Ju të shkruash sot në gjuhën dialektore?
B. Y.: Është një pyetje e lehtë që kërkon një përgjigje të rëndë, ndaj marr guximin mos t’i përgjigjem, sepse po qe se përgjigjem do të më rihidhërohen ca “miq” që e kultivojnë gegërishten në vend të gjuhës së unjësuar letrare. Është e drejtë e tyre, siç është e drejtë jona të themi se bashkimi i madh këmbëtar krijohet edhe përmes bashkimit të dialekteve, dhe një bashkim i këtillë në plan gjuhësor ka filluar të krijohet që nga viti 1972 e këndej. Të shkruash sot në toskërishte apo gegërishte është njësoj sikur ta ndash gruan nga burri, duke i dhënë secilit nga një shtrat të veçantë.
R. D.: Ju, më sa dimë, nuk jeni anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Mendoni se duke pasur parasysh krijimtarinë tuaj poetike, në radhë të parë si cilësi, por edhe si vëllim, mendoni se ndaj jush është bërë padrejtësi?
B. Y.: Për një anëtarësim të tillë duhet të jesh shkencëtar dhe artist, kurse mua më mjafton fakti që jam anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, dhe, sa për t’u vetëlavdëruar një çik, Anëtar i Nderi i lidhjes shqiptare, jo vetëm me lexuesit e Zemrës Shqiptare, por edhe me ata të Botës sot, Gazeta Kritika etj. Për momentin i përmenda vetëm tre gazeta të famshme që i shfletoj rregullisht, sepse kanë sens për seleksionim dhe botim vlerash të mirëfillta letrare, politike dhe publicistike.
R. D.: Gushti i këtij viti ishte përvjetori i 63-të i datëlindjes suaj. A mund të tregoni për lexuesin e revistës sonë disa nga planet e afërta dhe të largëta të krijimtarisë suaj?
B. Y: Nuk janë me rëndësi vitet, sa janë me rëndësi shpirti, ndërgjegja, idealiymi dhe vullneti për punë. Projektet janë të panumërta. Kam grumbulluar material dokumentar për disa libra me rëndësi të madhe për kulturën dhe historinë tonë. Kam trashëguar një turmë vlerash dokumentare nga arkivi i babait dhe nga arkive tjera; kam zbuluar, gjetur e blerë vlera të vjetra, gazeta, revista, dokumente, letra e fotografi të vjetra për disa vëllime kushtuar shqiptarëve të këtij vendi dhe diasporës shqiptare, por, meqë mungon financimi institucional, për momentin jam duke e siguruar ekzistencën me përkthime letrare, dhe për këtë iu jam mirënjohës atyre që na angazhojnë dhe ndihmojnë. Ju falënderojmë edhe Juve dhe Ju urojmë nga zemra: Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri!

R. D.: Përse i duam Krishtlindjet?

B. Y.: I duam Krishtlindjet sepse e ndjemë veten më afër nënës, babait dhe Zotit.

R. D.: Gëzuar qofshi edhe Ju, dhe Ju lumtë e Ju priftë e mbara!

 

***

Baki Ymeri është i njohur si atdhetar, intelektual, poet, përkthyes, eseist, publicist dhe botues. U lind në Shipkovicë të Tetovës më 1 gusht të vitit 1949, duke qenë produkt i një familjeje të thjeshtë dhe atdhetare, e zhirritur për liri dhe mbarësi sociale dhe patriotike. Ka kryer Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969/73). Babai i tij ishte një patriot i lindur e i devotshëm, i cili tek djali i tij trashëgoi patriotizmin, krenarinë e të qenit shqiptar dhe ndjenjën e humanizmit. Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973), ku i vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1973/74) dhe në Bukuresht (1975). Në ndërkohë përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, si pasojë e së cilës shpifet, ndiqet, arrestohet në Pançevë (8 dhjetor 1975) dhe pas 6 muaj hetimesh e anketimesh, dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë (qershor 1976). Arsyetimi i procesit të montuar politik ishte: “Bashkim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste”.

I apasionuar pas publicistikës, karakterizohet nga këmbëngulja për hulumitime historike dhe politike, duke evidentuar vlerat më të mira të atdheut e të njeriut. Ngjarjet e përjetuara, poezia, proza, përkthimet dhe dashuria, janë pasione të kahershme e të përhershme të tij. Organizon në Bukuresht tryezën e miqësisë së Kosovës me krijuesit rumunë dhe aktivitete tjera me taban kombëtar, letrar e artistik. Ndërkohë shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare. Atdhetari, intelektuali dhe poeti Baki Ymeri është një figurë e respektuar dhe e admiruar, që rrezaton intelektualitet, atdhetarizëm, mençuri, urtësi, tolerancë dhe unitet, si në mërgatë poashtu edhe trojet tona etnike. Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit, polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar, merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, afirmon diasporën shqiptare, bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit, vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare, afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, të gjitha aktivitetet i kryen vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash.

Gjatë viteve të fundit ka përkthyer dhe botuar mbi 50 poetë nga Kosova në gjuhën rumune (Ali Podrimja, Sali Bashota, Miradije Ramiqi, Basri Çapriqi, Ibrahim Kadriu, Sabile Keçmezi-Basha, Ibrahim Berisha, Halil Haxhosaj, Nexhat Rexha, Lulzim Basha, Sabit Rrustemi, Adem Zaplluzha, Dedë Preqi, Edi Shukriu, Engjëll Koliqi, Brahim Avdyli, Skënder Zogaj, Fatmir F. Salihu, Ramadan Mehmeti, Vezir Ukaj, Remzi Limani, Liman Zogaj, Mazllum Saneja, Sarë Gjergji, Hysen Këqiku, Albina Idrizi, Pal Sokoli, Hamdi Tasholli, Jeton Kelmendi, Skënder Sherifi etj.). Pason ta përkthejë Idriz Ulajn, Ali M. Lajçin etj. Për kontributin e tij në fushë të internacionalizimit të kauzës kombëtare, si dhe për merita letrare, u nderua me shumë mirënjohje, si nga komuniteti shqiptar poashtu edhe ai rumun. Gjithashtu është pjesëmarrës në shumë lista, website dhe forume bashkëatdhetarësh në internet, ku jep kontributin e tij me shkrime publicistike, opinion, reçensione përkthime letrare dhe reportazhe kushtuar diasporës shqiptare. Baki Ymeri është veprimtar i shquar i diasporës shqiptare dhe bashkautor i disa monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të Danubit: Shqiptarët e Rumanisë (1994), Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani (2004). Ai është njëherësh njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujshe mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë Drita, anëtar i disa shoqatave shkrimtarësh, prezent në disa antologji poetike, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan (ABI): Njeriu i Vitit 2001.

Bakiu jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, duke botuar dhe shpërndarë revistat Shqiptari dhe Kosova. Në fushë Ky veteran i mërgatës sonë bashkëvepron me Ambasadën e Shqipërisë dhe diplomatë rumunë e miq të Shqipërisë në Bukuresht, organizon lansime librash të krijuesve shqiptarë dhe rumunë që i ka përkthyer, bashkëvepron me komunitetin shqiptar dhe dashamirët e Shqipërisë. Ja vetëm 3 nga 300 letrat e nënshkruara nga dashamirët e tij: “Baki Ymeri duhet të ndihmohet ngase është në rrjedhë të çështjes kombëtare. Puna e tij është e çmuar dhe si e tillë duhet të vlerësohet, prandaj çdo ndihmë ndaj zotit Baki është ndihmë ndaj çështjes sonë. (Ali Podrimja). “Baki Ymeri është zjarri i shqiptarizmit në diasporë”. (Sali Bashota). Bakiu është një penë e ngrohtë dhe e pastër shqiptare. (Agim Shehu). (Ramiz Dërmaku, Gjermani, 20.12.2012)

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Baki Ymeri, Ramiz Dermaku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS
  • Vatra Chicago, shans historik në përpjekjet për çështjen kombëtare
  • U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË CHICAGO
  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT