Nga Hajro Çini M.A./
Pas një përpjekje titanike për të mbuluar fytyrën e vërtetë, qytetari Bamir Topi kaloi haptazi në fushën që i përkiste prej kohësh. Jo se kjo nuk dihej. Aktiviteti i tij edhe pse tinzar dhe i kamufluar nuk linte rast për ekuivok, por të paktën ai pati sot kurajon civile të shprehet, për herë të parë, sinqerisht, se kujt spektri politik i përket. Shpresoj se akti i tij do të çlirojë nga dilema edhe ata pak pasues që realisht i përkasin shtresë së persekutuar, ish pronarëve apo të djathtëve të tjerë, që e kanë besuar deri tani.
Viktor Hygoi ka krijuar një personazh shumë të çuditshëm tek vepra e tij madhore “Njeriu që Qesh”, Barkilfedron. Ky personazh cinik, tinzar, i pabesë, i paskrupullt, i ulët, etj. etj. ka një karateristikë specifike. Ai urrente të gjithë ata njerëz që i kanë bërë atij ndere. Mosmirënjohja dhe urrejtja për bëmirësin e bëjnë Barkilfedron ndyrësisht të famshën në llojin e vet. Mishërimi më i plotë real i këtij personazhi është edhe qytetari Topi.
Pasi u përkëdhel, u mbulua, u paraqit pikërisht ai që nuk ishte, ai u katapultua në postin më të lartë të republikës, prej ku, ai nuk la gur pa lëvizur për të dëmtuar atë parti që e ngriti në atë post. Me një tinzarllëk të pështirë.
“Bamiri nuk është injorant apo mëndje-shkurtër – këtë ta keni të sigurtë – por është një kalkulues shumë i zhdërvjellët i situatave politike. Ai hypi shkallët e PD duke luajtur me imazhin e “burrit mirë” në PD. Të përshëndeste, tregonte interes kur flisje me të, bënte “çmos” për të ndihmuar, po sic thoshte Bamiri: “këta nuk të hapin rruge” dhe normalisht nuk të mbaronte punë….. por për ironi të realitetit, Bamirit “iu hapnin rrugët në PD” – për veten e tij. Hmmmm!!! “ – Shkruan një demokrat i shquar.
Pse u kujtua në këtë moment qytetari Topi të tregohet kaq i sinqertë në qëndrimet e tija politike?! Ka disa arsye:
Së pari edhe pse u fry si gjel deti, edhe pse mori rreth 30,000 vota të zhgënjyerish, edhe pse PS u investua fuqishëm në Tiranë ti jepte vota shtesë, ai dhe askush nga partiçka e tij, e formuar në mënyrë ilegale dhe në shkelje të kushtetutës, në presidencë, nuk arriti ta nxjerrë atë antar parlamenti. Ai e di tani se pas një konsumi 8 vjeçar të pushtetit të PD-së ky ishte kulmi që ai mund të arrinte.
Pas këtij momenti, pas riorganizmit total dhe të plotë të PD-së, pas daljes së narkozës propagandistike të socialistëve si dhe një realiteti të hidhur që do të pasojë, figura e Topit në krahun e djathtë vetëm se do të zhvleftësohet, rrëgjohet, venitet dhe neveritet. Ky është momenti që Topi mund të paraqesë potencialet maksimale që do ti reduktohen çdo ditë. Pragmatizmi e detyron që ta luajë fort kartën që të marrë maksimumin e mundshëm.
Së dyti, pasi dështoi në uzurpimin e PD-së, pasi nuk arriti të mbante me çdo kusht presidencën për një mandate të dytë, pasi e pa se nuk kishte asnjë vlerë elektorale ai, me të drejtë mendon, se ka një shans, edhe pse të vogël, që të katapultohet në krye të PS-së. Heqja e maskës e bën shumë interesante lojën në kampin e majtë. Atje ka pasur gjithnjë luftë bërrylash. Viktimë e kësaj lufte u bë edhe kryetari historik socialist, që nuk e pranojnë më as edhe në seli. Në këtë betejë të ashpër deri sot ka pasur të lojtarë të fuqishëm, Meta dhe Rama. Së fundi u shtua edhe Topi. Krahasuar me dy të parët, llogjikisht Topi ka disa avantazhe. Ndryshe nga Rama që ka qënë kritik i hershëm i komunizmit, me kulminacion librin “Refleksione” apo kur kërkonte vrasjen e të gjithë komunistëve, Topi nuk ka bërë ndonjëherë luftë kundër komunizmit, përkundrazi. Ndryshe nga Meta që ka bërë aleancë me Dr. Berishën, që për të majtën ishte një krim, Topi nga presidenca, pikërisht në këtë kohë i bënte luftën më të ashpër PD-së. Ndryshe nga Meta që është realisht prointegrim, Topit i nxinte fytyra në presidencë, sa herë që Shqipëria kishte progress në këtë fushë. Këto qëndrime i japin dorë të fortë Topit në krahun e majtë. Bile jo vetëm kaq. I gjithë aktiviteti i Topit në Presidencë dhe më pas i japin kredit të fortë atij në krahun e majtë, më konkretisht:
Propozoi në më shumë se 90 % të rasteve kriminelë, ish prokurorë, ish gjykatës të komunizmit për në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e lartë;
Propozoi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të bijën e Sudes së Durrësit, një farë Ina Rama;
Dekoroi kriminelin Skënder Breca; (Vrasësin e Partiotit Xhelal Koprencka);
Dekoroi gjykatësen që kishte dënuar me varje poetin shpirtlirë Anzi Nela
Nuk dekretoi ligjin e lustracionit;
Kur në të drejtën e tij ligjore, po aspak profesionale, aspak konsekuente votoi për Edi Ramën;
E shumë e shumë të tjera. Topi nuk ka se çfarë të humbë më, prandaj doli haptaz. Ndoshta sinqeriteti, edhe pse jo në natyrën e tij, do të mund të bëjë disa pasues. Por siç është paradoks shpesh loja poltike në Shqipëri, shanset e Topit varen shumë nga lëvizjet e Metës. Këtij të fundit i intereson një Top deri kur ai erodon Ramën. Çdo lëvizje që redukton Ramën para elektoratit socialist është e mirëpritur për Metën. Por ky është caku, më tej Meta nuk mund ta tolerojë Topin, sepse edhe pse jo me kreditet e Topit në favor të së majtës, mënçuria, urtësia, pragmatizmi, vullneti dhe klasi i Metës, shumë më i lartë se ai i Topit, nuk lënë shumë rast për enthuziazëm. Meta është praktikisht afër objektivit të tij për tu bërë udhëheqësi absolute i së majtës.