• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një strategji shpresuese

August 18, 2013 by dgreca

Ne Foto: Lazer Shantoja ishte i pari qe u mor me esperantisten ne Shqiperi. Lazër Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892 (ose me 7 korrik 1891[1]), në një familje tradicionalisht të shquar për patriotizëm, intelektualizëm dhe kontribut në fushën e albanologjisë[2]. Nacionalist e demokrat, orator, poet lirik, eseist, përkthyes, i mbiquajtur “famullitari i pianofortit”, Shantoja do kujtohet sidomos si përkthyesi i veprave të mëdha të Gëtes, Shilerit dhe Hajnes. Shkrimet e Shantojës mbetën të shpërndara ndër gazeta e revista, por u përmblodhen e u botuan në 2005 nën kujdesin e botimeve françeskane në “Vepra, Lazër Shantoja”.Wikipedia/

Nga Bardhyl Selimi*/

Ndonëse lëvizja esperantiste në Shqipëri zë fill të paktën që në vitin 1907, me priftin katolik Lazër Shantoja, pushkatuar nga komunistët më 1945, ajo është zhvilluar më shpejt pas vitit 1990.

Atëhere u lejuan të ashtuquajturat organizata jo qeveritare, ndër të cilat Lidhja Esperantiste Shqiptare u njoh nga Ministria e Kulturës në maj 1991 dhe ishte ndër të parat. Pasoi një veprimtari e gjallë për të propaganduar, dhënë mësim, botuar, përkthyer, komunikuar me botën e jashtëme. Atëhere ishin aktivë shumë anëtarë në disa qytete kryesore. Pas vitit 1997 në arritëm të regjistrojmë pranë Shkollës së Lartë për Turizëm dhe Kulturë në Bydgoszcz, Poloni disa dhjetara studentë nga të cilët të paktën 30 morën diplomën bakalaur dhe dy masterin. Në këtët shkollë esperanto ishte gjuhë bazë në mësim.

Por Ministria e Arsimit ende nuk i ka njohur diplomat e tyre, të firmosura nga profesorët e AIS, thjesht për faktin që AIS është njohur ligjërisht në një gjykatë të San Marinos dhe jo nga Ministria e Arsimit e atij shteti të vockël !?

Që prej tre vitesh shqiptarët mund të lëvizin lirisht nëpër zonën Shëngen. Kjo arritje pozitive e shqiptarëve, në mënyrë paradoksale, ndikoi negativisht në rekrutimin e anëtarëve të rinj të Lëvizjes për esperanton, sepse me sa duket të rinjtë tanë e përdornin esperanton për të lëvizur lirisht jashtë vendit. Por edhe Ministria e Arsimit si dhe politika qeveritare gjuhësore duke favorizuar anglishten, ka lënë mënjanë gjuhët e tjera të huaja dhe nuk ka favorizuar futjen e esperantos në shkolla dhe universitete. Është për t’u përmëndur që qeveria e dikurshme shqiptare, pak pas pavarësimit të vendit, në vitin 1922 mbështeti propozimin për futjen e esperantos në shkollat fillore.

Sot shtohet edhe mplakja e anëtarëve tanë dhe tërheqja nga veprimtaria e një pjese të tyre. Aq më tepër që shteti na kërkoi ta regjistronim shoqatën në gjykatë gjë që kërkonte shumë para.

Në këto kushte, e mirëpritëm propozimin e z. Tomasz Chmielik nga Swidnik, Poloni për të përkthyer në esperanto disa vepra të letërsisë shqipe. Ai vetë kish përkthyer nëpërmjet gjuhëve të tjera disa romane të autorëve të njohur shqiptarë, si Ismail Kadare dhe Fatos Kongoli, po ashtu poezi të autorëve të tjerë në Shqipëri e Kosovë.

Para dy vitesh, doli romani “Lëkura e Qenit” e Fatos Kongolit, i cili është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Paraqitja e librit u bë në prill 2012 në sallën e Akademisë në praninë e profesorëve, politikanëve, gazetarëve dhe pati një jehonë të madhe brenda vendit. Një grup esperantistësh polakë u intervistuan në TV dhe ligjëruan para studentëve të universitetit të Tiranës.

Para pak kohësh, dolën dy vepra të tjera, novelat “Parrullat me gurë” të Ylljet Aliçkës dhe vëllimi me popezi i Luljeta Lleshanakut.

Janë gati për botim romani “I Humburi” i Fatos Kongolit, një vëllim me poezi i Eqrem Bashës. Deri në fund të vitit do dalë edhe një vëllim me poezi i Sali Bashotës dhe eventualisht romani “Funerali i Pafund” i Visar Zhitit,

Katër romane të Ismail Kadaresë presin nënshkrimin e marrëveshjes me agjentët tregtarë të tij jashtë vendit sepse gjithçka bëhet vullnetarisht dhe falë parave që mbledhim ndër miqtë. Autorë të tjerë nuk kanë kërkuar para nga ne.

Duhet të theksojmë që një ndihmë të madhe kanë dhënë me kontrollin gjuhësor zotërinjtë Istvan Ertl dhe Josip Pleadin, ky i fundit ka bërë pa pagesë edhe faqosjen.

Komisioni Evropian i UEA është rigjallëruar sepse edhe në kontinentin e vjetër ka lëvizje të dobëta, ndër to edhe në Shqipëri. Mbase ky fakt mundësoi edhe pranimin formal të shoqatës sonë si anëtrja e 71-të e UEA që më 26 korrik 2013. Me këtë rast vizitoi vendin tonë zonja Tatjana Loskutova nga Ivanovo e Rusisë, e cila mbajti një ligjëratë para dhjetëra të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku kishin ngritur edhe një stendë me shumë kopje të librave në esperanto nga fondi i asaj b iblioteke (ndër to edhe librin e shkruar në origjinal në esperanto nga Cuk Simoni “Skëndërbeu- heroi i Shqipërisë” botuar në Tiranë më 1929), përkthime nga esperanto më shqip etj

Shpresojmë që edhe nëpërmjet përkthimit në esperanto të shkrimtarëve të njohur shqiptarë ne do ta tërheqeim opinionin brenda vendit dhe do t’i bindim institucionet arsimore për nevojën e futjes së esperantos në shkollat tona.

*Bardhyl Selimi, Sekretar i Shoqatës Esperantiste Shqiptare

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bardhyl Selimi, esprantja, Lazer Shantoja

Një jetë interesante

June 15, 2013 by dgreca

Këto ditë doli nga shtypi libri i z. Kopi Kycyku me titull “Astrit Leka, vite të stuhishme”./

Shkruan: Bardhyl Selimi/

Personazhi kryesor i librit jeton ende, është 88 vjeç, ai i përket brezit të paraluftës, të luftës, të komunizmit dhe postkomunizmit.Për fat, unë e kam njohur atë që 40 vjet. Por me hollësi për jetën e tij tepër interesante kam mësuar vetëm vitet e fundit, kur për të po shkruheshin dy libra, një nga z. Kopi Kycyky dhe një nga z. Adem Demaçi.Në shtyp kanë dalë një sërë artikujsh dhe intervistash për të që, nganjëherë kanë ngjallur reagime të forta te disa enveristë.Përse?

Siç thashë në fillim, Astriti ka hyrë në lëvizjen nacional çlirimtare shumë i ri, pasi braktisi studimet e mesme në Itali. Ndonëse me prejardhje nga një familje e pasur e Borshit të Sarandës, ideali i lirisë dhe i të ardhmes të begatë të vendit e popullit e shtyu edhe Astritin, sikurse mijëra të tjerë, në luftën çlirimtare.

Në bazë të dokumenteve, Astriti figuron në Qarkorët e parë të Rinisë Komuniste. Ai ka qenë edhe në grupin koordinator të rinisë për bashkërendimin e veprimeve luftarake kundër armikut të përbashkët, fashistave italianë, të dy formacioneve kryesore politike të kohës së luftës, Ballit Kombëtar dhe Fronti Nacional Çlirimtar. Në këtë komitet të rëndësishëm, që nuk përmëndet asnjëherë nga historiografia komuniste, bënin pjesë, nga pala nacional – çlirimtare Nako Spiru, Niko Opari, Astrit Leka, Hatixhe Deliu Çitaku, Jovan Antoni, kurse nga pala e Ballit, Nexhat Peshkëpia, Halim Begeja, Xhemal Alimehmeti, etj.

Në pranverë 1943, K.Q. i Rinisë Komuniste ngarkoi me mision në rrethe: Ramiz Alinë në Berat, Astrit Lekën në Elbasan, Manush Alimanin në Shkodër dhe Siri Kodrën në Dumre; më vonë Prokop Murrën në Peshkopi dhe Muamer Spahiun në Tiranë. Nga të rinjtë bashkënxënës të Astritit, që ishin lidhur me Luftën Nacional Çlirimtare, ranë 11 dëshmorë (Manush Alimani, Siri Kodra,Vildan Luarasi, Bahri Shaqiri, Thoma Kuqali, Bedri Karapici, Gjergj Frashëri etj)

Në qarkun e Elbasanit Astrit Leka mori pjesë në luftimet kundër italianëve si përgjegjës i rinisë së batalionit “Çermenika” dhe më pas u ngarkua nga Shtabi i Përgjithshëm për shoqërimin e dy misioneve britanike, me porosi të Enver Hoxhës, duke zevëndësuar Koço Tashkon.

Por ajo që e ka shquar Astrit Lekën më shumë, ka qenë pjesëmarrja aktive me shumë sukses në njisitet guerile. Duke filluar me aksionin mbarëkombëtar të 24 korrikut 1942 për prerjen e telave të telefonit. Ky qe një aksion i koordinuar, madje në rang Evrope, me porosi të Kominternit, që donte të testonte deri ku shkonte direktiva e tij. Me një guxim të pashembullt, ai ka arritur që të realizohen aksione të tilla me përmasa shumë të gjera, sikurse ka qenë sigurimi i ushqimeve dhe i veshmbathjeve për brigadat partizane. Dhjetëra kamionë me ushqime kanë ardhur legalisht nga qytetet e Kosovës pasi ishin siguruar dokumentet përkatëse nga Ministria e Ekonomisë nën presionin e Astritit; nga Banka e Durrësit që shërbente edhe si magazinë e madhe sheqeri, leshi dhe artikujsh të tjerë, nga furra e nozullimit në Tiranë.

Secili aksion më vete do të përbënte një material të mjaftueshëm për një ose disa filma ose vepra artistike të tjera. (Siç ishte psh drama e Ndrekë Lucës “Një firmë me revole”, ku Astriti i merr, me revolver në krye, ministrit të ekonomisë një autorizim në të bardhë me firmë për të bërë të mundur qarkullimin lirisht në tërë Kosovën, ku emri Astrit ndryshohet në Petrit. Kjo dramë fitoi çmimin ekonkursit letrar të 40 vjetorit të PPSh, më 1981. (Ndërkohë Astriti punonte me kazëm me dënim pa të drejtë)

Por Astriti nuk kishte hyrë në luftë për qëllime personale pushteti dhe privilegjesh. Sikurse shumica e ish partizanëve, ai ëndërronte një shoqëri të lirë demokratike, një atdhe të bashkuar dhe të përparuar.

Këto synime nuk mund të mos binin në sy të komisarëve politikë, që sytë i kishin kah “vëllezërit jugosllavë dhe sovjetikë”. Prandaj, që gjatë Luftës Astriti ka qenë në shenjestër për “t’u likuiduar” ndonëse meritat e tij të mëdha njiheshin nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Pikërisht ky fakt i fundit, bëri që ai të shpëtonte nga pushkatimi, pas arrestimit me 1945 në Korçë, (Nako Spiru, presidenti i Rinisë Shqiptare u bë garant për të). Të tjerë, pa njohje të tilla të larta dhe pa asnjë faj u pushkatuan sepse pushteti donte të mbillte terror.

 

Megjithatë, kjo ndikoi që ai të mos gjente një punë të qendrueshme në zyrat e pushtetit që, atëkohë, kish nëvojë shumë të madhe për njerëz me kualifikimin e Astritit. Po të shfletosh dokumentet, shikon se sa shumë herë Astriti emërohet, pushohet, sërish emërohet, sërish pushohet, pa motivacion. Qysh kur përfundoi gjimnazin pas Lufte, me çmimin e Ministrisë së Arsimit për maturantët më të shquar që ndërprenë shkollën për të vijuar luftën e për të marrë maturën pas saj, nuk i dhanë bursë për shkollë të lartë siç u dhanë shumë të tjerëve, më pak të aftë se ai.

Por vullneti i Astritit qe i madh. Ai studio vetë dhe mandej me korrespondencë në tri degë të arsimit të lartë, duke fituar diploma për Histori- Gjeografi dhe Gjuhë –Letërsi. Nga 600 studentë atëhere, u diplomuan vetëm tre, (Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani, Astrit Leka, ky me dy diploma). Por sërish atë e pushonin…

Për një periudhë, Astriti  punoi për Historinë e Shqipërisë nën drejtimin e Aleks Budës, duke u emëruar bashkëpunëtor shkencor me vendim qeverie i Institutit të Shkencave më 1954 (bashkë me Luan Omarin, Arben Putën, Bujar Hoxhën, Kristo Frashërin, Zija Shkodrën etj). Aty e ngarkuan, para Kongresit I të Partisë, për një studim për lëvizjen fshatare të Haxhi Qamilit. Lëvizjen e Haxhi Qamilit Astriti pas një studimi objektiv, e vlerësoi, sikurse ajo qe në të vërtetë, si antishqiptare, ndërsa figurën e Hasan Prishtinës, më vonë, (1954) të përdhosur nga filojugosllavët, si atdhetare të pashembullt.

Sigurisht, në Institut atë nuk mund ta linin gjatë, vijuan peripecitë e jetës.

Një fushë e rëndësishme e veprimtarisë së tij u bë ajo e gjuhëve të huaja, latine dhe sllave, të cilat nisi t’i japë mësim privatisht dhe të hartojë edhe gramatika të tyre për shqiptarët. Në këto gjuhë nuk mungoi edhe Esperanto!

Më vonë Astriti mori pjesë në hartimin e fjalorëve terminologjikë, ku dha ndihmesë për botanikën, sado që autoritetet nuk ia përmëndnin emrin si autor. Astriti ndërmori një projekt të madh:” hartimin e fjalorit enciklopedk shqiptar” duke afruar rreth vetes rreth 70 bashkëpunëtorë, por edhe këtu puna e tij u minua nga të tjerë, të lidhur me pushtetin e lartë, që e nxorën atë fjalor shumë vite më pas. Një atlas gjeografik i vendit, gjithashtu, doli nga dora e Astritit dhe u përdor në shkollat e vendit.

Pasi nisi punën si mësues në shkollën ekonomike e më pas në gjimnazet e Tiranës, si merceolog dhe si mësues i frëngjishtes, ngriti kabinete model dhe organizoi seminare metodike në shkallë rrethi dhe vendi.

Në vitin 1967, kur duke imituar “Revolucionin Kulturor Kinez” edhe në Shqipëri nisi një fushatë e egër kundër intelektualëve, Astritin e pushojnë nga puna si mësues duke u cilësuar si “armik” dhe e dërgojnë të punojë me kazëm. Mund të kish përfunduar më keq, sikurse sërish të mos ishte i njohur nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Nisi kështu një periudhë tjetër e vështirë për të që vazhdoi, pas disa vitesh, me një punë private si mësimdhënës dhe përkthyes i disa gjuhëve.

Maji i vitit 1990 e gjen Astritin me familjen sërish në Perëndim, në Gjermani, SHBA, Zvicër ku ai nis jetën e emigrantit politik. Falë aftësive të tij intelektuale, arrin të integrohet në shoqërinë e atyshme duke fituar respektin e autoriteteve shkencore dhe politike vendase. Domethënëse lidhur me këtë është edhe ky fakt: Rektori I universitetit të Friburgut  prof Meir i shkruan Astruitit se «  Njohuritë tuaja, aktivitetet tuaja si dhe personaliteti juaj bëjnë që Universiteti ynë do të jetë i nderuar t’ju ketë  si  personel të tij ». Ndërsa Prof. H. Usprung, sekretar shteti i Zvicrës që drejtonte kërkimet shkencore të këtij vendi, i njohur në takime ndërkombëtare  kërkoi që të vija emrin e tij si referencë në letrat që do t’i dërgoja autoriteteve zvicerane.”

Astrit LekaThemelon një shoqatë jo fitimprurëse “Solidest”, në ndihmë të vendeve të Lindjes me mbështetjen e OJQ të rëndësishjme zvicerane dhe ndërkombëtare dhe ndërmerr një fushatë për sensibilizimin e opinionit zviceran e më gjerë për vlerat e kulturës kombëtare të shqiptarëve, ndër të tjera për ngritjen e monumenteve të heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, në Gjenevë e gjetkë.

Aktivizohet në shoqatën evropiane dhe botërore të veteranëve të luftës, me gjithë kundërshtimin e shoqatës enveriste shqiptare, ku jep një ndihmesë të shquar.

Në kuadër të saj, ndikon fuqishëm në opinionin politik euroatlantik për njohjen e UÇK si, jo terroriste por çlirimtare, dhe gjatë Luftës në Kosovë e ngre zërin për mos braktisjen e teritoreve shqiptare nga refugjatët nga Kosova, për vendosjen e tyre në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Pas luftës, arrin që organizatat e UÇK e Kosovës, e Maqedonisë dhe e veteranëve shqiptarë të Kroacisë, të njihen nga organizata botërore dhe evropiane e veteranëve të Luftës.

Njëkohësisht ndihmon në realizimin e projektit të Konferencës së Gjenevës, mbështetur nga ministrja e jashtëm e Mishelin Kalmire, për paqtimin e Izraelit me palestinezët, për mosprodhimin dhe heqjen nga përdorimi minave antinjeri etj.

Ndër projektet e viteve të fundit, janë edhe ai për Memorialin e Vetëflijimit të shqiptarëve në shekuj për mbrojtjen e trojeve atdhetare, që do ngrihet në Borsh si dhe të memorialit të Pirros së Epirit shqiptar në Ascoli Satriano, Itali.

Porosia e përhershme e Astritit për shqiptarët ka qenë dhe është atdhedashuria, si çelës për të arritur objektivat tona kombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Leka, Bardhyl Selimi, liber ni ri

HITLERI DHE STALINI I PERNDIQNIN FOLESIT E ESPERANTOS

January 23, 2013 by dgreca

Komunikimi të drejtë!/

Nga Bardhyl SELIMI/

Esperanto-folësit do ndërmarrin një fushatë gjatë vitit 2013 për një drejtësi gjuhësore në bazë të parrullës “Komunikim të drejtë”, në lidhje me Kongresin e 98-të Universal të Esperantos, që do mbahet në Qendrën prestigjioze Harpa, në Rejkjavik, Islandë, me rreth 1000 pjesëmarrës nga më shumë se 50 vende. Kongresi do ketë temë të njëjtë.Pas një periudhe të shkurtër 125 vjeçare Esperanto është tashmë ndër 100 gjuhët më të përdorura nga 6800 gjuhë që fliten në botë. Ajo është gjuha e 29-të e përdorur në Vikipedi, përpara suedishtes, japonishtes dhe latinishtes. Esperanto përdoret si gjuhë e përzgjedhur nga Google, Skype, Firefox, Ubuntu dhe Facebook, Google Translate. Programi i përkthimeve i Google, kohët e fundit e ka shtuar këtë gjuhë në listën e tij prestigjioze prej 64 gjuhësh. Edhe telefonat e sotëm me ekran të prekshëm janë në gjendje ta përdorin Esperanton. Gjithnjë e më shumë njerëz e flasin Esperanton tani më shumë se islandishten, sipas librit të fakteve të botës që boton CIA e SHBA.

Esperanto jepet mësim zyrtarisht në 150 universitete dhe institucione të tjera të arsimit të lartë dhe në 600 shkolla fillore dhe të mesme në 28 vende. Ajo ka një letërsi të pasur që përfshin 50 000 tituj, me botime të reja që dalin çdo javë. Përveç radioemisioneve të shkurtëra nga shumë vende ka edhe një radiostacion 24 orësh me emrin Mozaiku” dhe një televizion rrjetor në Kinë.

Përparimi i Esperantos ka qenë frenuar nga paragjykimet dhe mungesa e dijenisë, injorimi i fakteve për këtë temë. Adolf Hitleri dhe Josif Stalini i kanë përndjekur folësit e Esperantos. Të dy ata u zhdukën, por Esperanto mbeti, u rrit, u zhvillua dhe përdoret sot gjallërisht për komunikimin ndërpopullor midis mijëra e mijëra njerëzve nga më shumë se 100 vende të botës.

UEA (Organizata Botërore e Esperantos) ka partneritet këshillimor me UNESKO-n, mban lidhje zyrtare me Kombet e Bashkuara dhe me Këshillin e Evropës. Esperanto mundëson në komunikimin ndëretnik një mirëkuptim asnjanës, një nivel të drejtë diskutimesh, duke mbrojtur kështu të drejtën për ekzistencë të gjuhëve pakicë dhe vendore, duke i trajtuar ato mbi një bazë të barabartë dhe duke respektuar ndryshimësinë kulturore dhe gjuhësore të folësve të tyre.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bardhyl Selimi, Esperanto

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT