Kryetari i opozitës njoftoi arritjen e një zgjidhjeje për rolin e ekspertëve ndërkombëtarë: Do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja do të jetë në duart e palës shqiptare…
Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi sot se pas ndërhyrjeve të Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn është arritur mirëkuptimi dhe për aspektet e mbetura pezull për Reformën në Drejtësi. “Eshtë rënë dakort se roli i Misionit Ndërkombëtar do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja do të jetë në duart e palës shqiptare dhe kjo do mishërohet në kushtetutë. Nuk do përjashtohet asnjë qytetar nga konkurrimi mbi bazën e hamendësimeve por vetëm i provave”, deklaroi zoti Basha duke shtuar se “PD është e gatshme që nesër të bashkojë votat për draftin kushtetues”. Kreu i opozitës foli për “një betejë që ja vlejti”, pasi tani siç u shpreh ai “drafti mishëron e reflekton plotësisht rekomandimet e Venecias dhe është i bazuar në propozimin e zonjës Nuland”.