Basha: Qeveria teknike kusht i patejkalueshëm. Fton LSI-në/
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, artikuloi një kusht të ri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët kur tha se do të punojë për një qeveri teknike që garanton zgjedhjeve të lira e të ndershme. E meqë qeveria teknike kërkon një mbështetje të gjerë partish ftesta e parë për një gjë të tillë nga Kryetari i opozitës i drejtohet LSI, partisë së dytë në qeveri me të cilën PD ka ndarë së fundmi disa momente të frytshme bashkëpunimi siç ishte reforma në drejtësi dhe arritja e konsensusit. Basha e cilëson të tejkaluar momentin politik të kësaj reforme dhe thotë se tashmë ka një proces teknik duke hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes në një krizë të re politike.
Tirane- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka një kusht të patejkaluashëm për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Qeveria teknike sipas tij rruga e vetme qe garanton zgjedhje me standarte.
Lulzim Basha: Me asnjë çmim nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Dua të përsëris kushtin se për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe mbetet qeveria teknike
Beteja për zgjedhje të lira nuk pret tha Basha, ndaj sipas tij qeveria teknike duhet të arrihet një orë e më parë. Por si mendon se mund te arrihet qeveria teknike.
Lulzim Basha: Ka një rrugë bashkëpunimi politik mes palëve. Unë nuk e mbyll këtë shteg po kërkoj kontributin e çdo force politike për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që përfshijnë qeverinë teknike. Por nëse kjo qeverisje, siç pres nuk reflekton mbi këto dy kushte themelore dhe qeverisjen teknike rruga tjetër është ajo e detyrimit me presion popullor
Kryetari i opozitës, tha se koalicioni për zgjedhjet të lira e të ndershme tejkalon opozitën dhe po zgjerohet çdo ditë. Basha ftoi për të bashkëpunuar mbi këtë qëllim Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila aktualisht është në koalicionin qeveritar edhe pse më herët kryetari i saj ka artikuluar mundësinë e një qeverie teknike në kushtet e mungesës së konsesusit për reformën në drejtësi. Dhe kjo ftesë vjen vetëm një ditë pas takimit që ai pati me kryetarin e LSI Ilir Meta.
Lulzim Basha: Sapo thashë kërkoj bashkëpunimin e çdo force politike, LSI dhe PS të cilët nuk duhet të nisen nga premisa e frikës së votës së lirë por nga përgjegjësia për ti dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mirëpres kontributin e çdo force politike, sic mirëprisja kontributin për të arritur konsensusin e 21 korrikut. Reforma zgjedhore është shans për Edi Ramën dhe Ilir Metën. Një gjë është e sigurtë ne nuk do rrimë duarkryq”
Por a është i gatshëm ti besojë Ilir Metës ?
Lulzim Basha:Ne jemi gati ti besojmë vetëm qytetarëve shqiptarë, as Ilir Metës as Edi Ramës.
Në bashkëbisedimin me gazetarët në selinë e PD-së Basha shtoi: “Kushdo që kërkon alibi për të rindezur konfliktin politik do të zhgënjehet thellë e do të përballet që nga dita e sotme me arsyet pse kërkon të rishpikë një luftë politike”
Kryetari i opozitës në këtë fillim gusht, piku i pushimeve verore thirri ne bashkebisedim gazetarët, për të njoftuar se opozita do të jetë në punë pa pushime. Edhe pse minorancë numërash ne Parlment, Basha tha Partia Demokratike në vitin e fundit ka qënë promotore e reformave të rëndësishme duke permendur ketu dekriminalizmin dhe drejtësinë.
***
META:Nuk është opsion. Situata u tejkalua/
Kreu i Kuvendit Ilir Meta i ka mbyllur shtigjet për krijimin e një qeverie teknike dhe sqaroi se ku ndryshon opsioni i tij për një gjë të tillë me atë të kreut të opozitës tani.
Meta: “Qeveria teknike për të cilën flet zoti Basha është diçka tjetër. Nuk ekziston një opsion i tillë. Në rast se ka një keqkuptim për propozimin tim në një situatë të ndryshme disa ditë para 21 korrikut, ajo ishte thjesht me qëllimin për të bërë çdo gjë për të miratuar reformën”.
Kryeparlamentari ka konfirmuar qëndrueshmërinë e koalicionit, duke garantuar se shumica i ka 84 votat për miratimin e ligjeve që bëjnë të zbatueshëm reformën. Por Meta, erdhi me një propozim surprizë, kur shtoi numrin e ligjeve për diskutim, sikurse edhe seancat plenare.
Kryeparlamentari iu përgjigj në distancë edhe zërave që vijnë nga radhët e PS për të rishikuar koalcionin pasi reforma në drejtësi dëshmoi problem brenda aleancës.
Kreu i Kuvendit rrëzoi mundësinë që me Rexhep Meidanin një ditë më parë të kishte diskutuar për një qeverë teknike, dhe se ish presidenti në rast të këtij skenari mund të ishte kryeministër. Dreka me Mejdanin dhe ish deputetin e PS, Koço Kokëdhima, kryeparlamentari tha se ishte miqësore.
Ilir Meta i përcolli këto mesazhe për politiken nga vendi ku bën masazhe dhe për ta konfirmuar këtë u shfaq përkrah fizioterapistit.
Meta doli në një deklaratë për median rreth orës 16:00 ndërsa dy orë pasi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një bashkëbisedim me gazetarët artikuloi një kusht të ri kur tha se do të punojë për një qeveri teknike që garanton zgjedhjeve të lira e të ndershme. E meqë qeveria teknike kërkon një mbështetje të gjerë partish ftesta e parë për një gjë të tillë nga Kryetari i opozitës iu drejtua LSI, partisë së dytë në qeveri me të cilën PD ka ndarë së fundmi disa momente të frytshme bashkëpunimi siç ishte reforma në drejtësi dhe arritja e konsensusit. Ndërkohë Rama përmes një postimi në fb i kujtoi Bashës se ai mund të vendosë kushte vetëm brenda PD-së
Intervista e plote që Meta dha për gazetarët
Pyetje: Sa i takon drekës me ish presidentin Meidani Meta kërkoi mos politizimin e saj.
Meta: Më vjen keq për këtë konferencë të pazakontë shtypi, por në respektin tuaj që në këtë kulm vape keni pritur këtu për dy orë, keni pritur dhe dje për disa orë por nuk komunikuam dot dhe duke qenë i shqetësuar se përsëri nesër apo në ditë të tjera mund të ketë ndonjë sms që Meta vajti tek Grandi dhe Koço është trek Grandi që ka shtëpinë këtu tek Grandi dhe rri vazhdimisht këtu tek Grandi apo politikanë të tjerë që vinë këtu për arsye dhe të vendodhjes së Grandit duhet tu sqaroj se unë kam qenë për dy orë me Arjanin.Dhe rri vazhdimisht këtu. Arjani është miku im por njëkohësisht dhe trajneri dhe masazhatori im për një kohë shumë të gjatë dhe më ndihmon të çliroj trupin dhe mendjen nga toksinat në mënyrë që përpiqem të kontribuoj pozitivisht për të detoksikuar dhe politikën shqiptare aq sa të mundem.
Pyetje: Do sillni dhe zotin Rama këtu?
Meta: Ushtrimi më i mirë këtu është biçikleta në ujë, për të gjithë.Është ushtrim i jashtëzakonshëm.Në një kohë shumë të shkurtër, duke fituar kohën fiton dhe veti të jashtëzakonshme, jo vetëm harxhim kalorish por dhe masazh, relaks dhe shumë elementë të tjerë, edhe performancë trupore. Të gjitha këto janë falë Arjanit, unë do vij vazhdimisht. Nuk mendoj se është e nevojshme që ju të vini vazhdimisht këtu për arsye se ju thashë kush është arsyeja kryesore pse unë vi tek holel Grandi. Nuk kam qenë as në katin e parë, as në katin e dytë, as për kafe dhe as për drekë dhe mendoj që është pozitive që ju të mos keqinformoheni më.Jam gati për çdo pyetje politike dhe pse kisha vendosur të mos flisja.
Pyetje: E takuat zotin Meidani, ishte apo nuk ishte zoti Kokëdhima?
Meta: Kam patur një drekë me Profesor Meidanin dje, zoti Kokëdhima ka qëlluar rastësisht për arsye se ju thashë që zoti Koço ka shtëpinë ngjitur me hiotelin dhe rri vazhdimisht te hoteli.Ka ndjenjur një pjesë të kohës me ne pastaj ka vazhduar, ne kemi vazhduar drekën tonë.
Pyetje: E takuat zotin Meidani, ishte apo nuk ishte zoti Kokëdhima?
Meta: Kam patur një drekë me Profesor Meidanin dje, zoti Kokëdhima ka qëlluar rastësisht për arsye se ju thashë që zoti Koço ka shtëpinë ngjitur me hiotelin dhe rri vazhdimisht te hoteli. Ka ndjenjur një pjesë të kohës me ne pastaj ka vazhduar, ne kemi vazhduar drekën tonë.
Pyetje: Temperaturat si në gusht kanë qenë edhe në korrik të larta, duket se të tilla kanë qenë dhe në politikë, me diskutime për reformën në drejtësi, por nuk kanë munguar dhe zërat mes grupeve parlamentare për çështje që i përkasin koalicionit. Deri ku është toksikuar pjesa e koalicionit nga diskutimet dhe debatet sipas jush?
Meta: Mendoj se çështja e koalicionit nuk duhet të përzihet me çështjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi ka përmasa të tjera, koalicioni ka programin e tij, detyrimet reciproke dhe vazhdon punën e tij kështuqë nuk mendoj se ka ndonjë arsye për ti trazuar këto dy çështje të ndryshme.
Pyetje: Koalicioni vazhdon në të njëjtën linjë?
Meta: Koalicioni sipas vlerësimit tim duhet të vazhdojë të bëjë maksimumin që të përmbushë detyrimet e tij programore, qeverisëse dhe morale ndaj qytetarëve shqiptarë, të gjithëve sepse ky koalicion qeveris të gjithë shqiptarët, por në mënyrë të veçantë ndaj atyre që e kanë përkrahur dhe votuar si detyrim moral për të mos i zhgënjyer.
Pyetje: A është zoti Meidani kandidat për Kryeministër të ri të qeverisë teknike?
Meta: Mendoj se kjo është një pyetje pa vend sepse nuk ekziston një opsion i tillë. Në rast se ka një keqkuptim për propozimin tim në një situatë të ndryshme disa ditë para 21 korrikut, ajo ishte thjesht me qëllimin për të bërë çdo gjë për të miratuar reformën.
Pyetje: Për reformën në drejtësi sot është mbledhur Komisioni.I qëndroni gatishmërisë që keni shprehur gjatë javës së shkuar për të arritur të gjitha proçeset dhe afatet edhe të diskutuara dhe vendosura nga ndërkombëtarët për ta plotësuar reformën në drejtësi?
Meta: Ne do bëjmë çdo gjë për të përmbushur të gjitha afatet, në mënyrë të veçantë që deri me 30 gusht të mund të votojmë tre ligjet më kryesore të kërkuara, duke filluar me atë të vetingut dhe kemi rënë dakort dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe përfaqësues të opozitës, padyshim dhe me zotin Xhafa si kryetar i një komisioni që përfaqëson shumicën që të ecim në këtë drejtim.
Sot është bërë një seancë ku opozita ka paraqitur të gjitha pikëpamjet dhe propozimet e saj që do të shqyrtohen dhe nga partnerët tanë që na asistojnë dhe për këtë ligj kaq të rëndësishëm dhe për reformën.Ndërkohë do të gjendet një moment i dytë që përsëri në Komision opozita të paraqesë për dy ligjet e tjera më prioritare përsëri mendimet e saj dhe sa më shpejt ne të jemi në gjendje të planifikojmë një seancë të suksesshme plenare për ligjin e vetingut ose të treja sëbashku, ose dy seanca të njëpasnjëshme.Jam shumë dakort me qëndrimin e zotit Basha që ky proçes duhet parë si një proçes ligjor, jo si proçes politik.
Debatet politike ishin tek çështjet e ndryshimeve kushtetuese si çështje shumë parimore. Ky është një proçes që duhet të ecë në linjën e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të rekomandimeve të Venecias. Është e vërtetë që mazhoranca i ka 84 vota dhe mund ti votonte në çdo moment. Por mendoj që dhe linja e konsensusit duhet ndjekur. Jo vetëm kaq, është e rëndësishme që të mos bëjmë veprime të nxituara të cilat mund të çojnë një nga këto ligje në Gjykatën Kushtetuese apo në Komisionin e Venecias dhe mund të na kthente mbrapa procesin. Duhet të bëjmë gjithçka në mënyrë konstruktive të gjithë, në mënyrë që të arrijmë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian në nëntor për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE.
Pyetje: Ju e përjashtoni kategorikisht një qeveri teknike. Në këtë mënyrë ju i mbeteni besnik deri në fund mazhorancës, nuk do të ketë ndryshim qeverie deri në zgjedhjet e ardhshme?
Meta: Unë kam folur për një qeveri teknike që mund të garantonte klimën e besimit për të miratuar një reformë, ku shikoja se një nga shqetësimet e opozitës ishte shqetësimi se mos qeveria do të përdorë pushtetin ekzekutiv për të ndikuar tek reforma në drejtësi. Kjo situatë është një situatë e kapërcyer, reforma u realizua me konsensus, pretendimet e opozitës në përgjithësi për rekomandimin 88 u dakordësuan. Qeveria teknike për të cilën flet zoti Basha është diçka tjetër, ndërsa ajo që unë mund të them është se angazhimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë maksimal në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të qetë dhe të sigurtë se vota e tyre do të jetë e barabartë dhe njësoj e rëndësishme.
Pyetje: Meqë opozita ka vendosur si kusht se nuk do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me qeverinë Rama, sa do ta ndikojë koalicionin një qëndrim i tillë?
Meta: Jemi në momentin për tu përqëndruar tek ecuria e reformës në drejtësi, është reformë shumë e madhe, është një punë akoma më e madhe që na pret ërpara. Të bashkëpunojmë ngushtë dhe me OSBE-ODIHR dhe për reformën zgjedhore dhe për plotësimin e standarteve më të mira për zgjedhjet e ardhshme.
Pyetje:Vlahutin është hetuar për fshehje pasurie, ndërsa këtu ka qenë negociatore?
Meta: Nuk kam asnjë njohuri dhe asnjë koment.
Pyetje: Po me zotin Meidani çfarë diskutuat, nëse nuk diskutuat për qeverinë teknike?
Meta: Ka qenë një drekë e planifikuar prej kohësh dhe kemi pasur shkëmbime shumë miqësore, kështu që nuk e kuptoj pse duhet politizuar qoftë një drekë apo kafe.