-Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur/
*Fjalimi i kryetarit demokrat në protestën e 27 janarit/
Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë.
Kështu e përshkroi Migjeni zgjimin e një populli për të parë dramën e tij.
Një vit më parë, mijëra e mijëra shqiptarë u mblodhëm në këtë shesh për të ndalur të keqen.
Mijëra të tjerë na panë nga larg, duke shpresuar se e keqja nuk ishte e vërtetë.
Sot, ne që jemi këtu shumë më shumë se me 18 shkurt por edhe ata që qëndruan larg, e shohim qartë se e keqja është e vërtetë!
E keqja nuk ikën po nuk u luftua.
E keqja nuk ikën po nuk u bashkuam të gjithë kundër saj.
Dhe ja ku jemi bashkuar sot, në një plebishit popullor nga më madhështorët që ka njohur historia e demokracisë.
Mirë se keni ardhur zonja dhe zotërinj në këtë orë të madhe dhe vendimtare të bashkimit popullor kundër së keqes.
Mirë se keni ardhur në këtë shesh të historisë dhe së ardhmes, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, studentë dhe pedagogë, profesionistë, intelektualë dhe të papunë, të përndjekur dhe pronarë, fermerë dhe sipërmarrës, naftëtarë, minatorë, ambjentalistë, prindër dhe femijë, nga Jugu në Veri, anembanë Shqipërisë!
Jemi bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim:
Për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës!
Për të shpallur solemnisht se nuk e pranojmë më këtë bandë që i shërben vetëm interesat plackitëse të një grushti njerëzish të pasuruar duke vjedhur shqiptarët dhe duke e shndërruar vendin në çerdhe të krimit të organizuar dhe drogës.
Cdo e keqe, nga varfëria tek falimentimi, nga pasiguria tek depresioni, nga papunësia tek eksodi, nga taksat e larta tek çmimet e papërballueshme, nga shpërfillja tek arroganca, të gjitha, burojnë nga një e keqe e madhe: zgjedhjet e blera, qeveria e paligjshme.
Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta.
Sa më shumë ta lemë, aq më keq do të jetë për vendin, për të gjithë shqiptarët.
Ndaj sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e qeverisë së paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme.
Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste. Ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të moshura, nëna e baballarë, deshmoni këtu me praninë tuaj fundin fundin e raporteve politike të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit.
Me këtë protestë, me këtë demostrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë. Shqipëria prej sot ka një raport të ri të forcave politike, një raport të ri mes qytetarit dhe pushtetit.
Sot vdes 25 qershori. Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarit.
Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria i ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës.
Deri dje e dinin vetëm disa.
Sot e dinë të gjithë shqiptarët.
Sot e e ka pare gjithë bota.
Sot kemi zgjedhur të mos vuajmë më thellë e më thellë.
Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë, ta largojmë.
Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama ik.
At Zef Pllumi na mësoi se i mjerë është ai popull që nuk ia del me i zotnue bijtë e vet të këqij.
Shqipëria ka patur bijtë e saj të këqij, por edhe mes tyre pak kanë qenë ata që vunë në jetë projekte kaq antikombëtare për pushtetin e tyre.
Kjo po ndodh sot.
Në Shqipëri po zbatohet një projekt antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë.
Për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur.
Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë.
Vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave.
Vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës.
Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës.
Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.
Vetëm në Afganistan ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës.
Kjo bandë po e realizon projektin e saj për pushtet absolut duke kërkuar të arrijë:
1. Përqëndrimin në pak duar të pushtetit politik dhe ekonomik të vendit;
2. Eksodin e shqiptarëve, zbrazjen dhe shkretimin e Shqipërisë;
3. Izolimin ekonomik dhe politik të vendit, që askush mos ta konkurrojë apo rrezikojë pushtetin e tij.
Hidhni vështrimin dhe shikoni si po shpaloset kudo ky projekt:
Pasuritë publike dhe fondet publike i rrëmbejnë oligarkët, me PPP, me koncesion, me korrupsion.
Shëndetësia, arsimi, nafta, bregdeti, parqet çdo gjë që duhet t’u shërbente shqiptarëve po grabitet nga oligarkët e Ramës.
E gjithë toka e Shqipërisë iu vu në dizpozicion drogës, dhe i gjithë shteti u vu në shërbim të trafikut të drogës, e gjithë policia u kthye në organizatë kriminale.
Me paratë e drogës u blenë zgjedhjet.
Me paratë e drogës tani po blihet ekonomia,
Investitorët e huaj u injoruan, u mbajtën larg.
Ata që ishin në Shqipëri u rrahën dhe u përzunë që oligarkët qe ulen nate per nate ne sofrën e Ramës dhe kriminelët të mos kishin konkurencë.
Qeveria e dëbimit të qytetarëve i nxori tepër shqiptarët në vendin e tyre si asnjeherë tjetër.
Qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite. Ky është dëbim. Nuk është lëvizje e lirë.
Shqipëria kështu vdes.
Ne nuk mund të pranojmë këtë.
Integrimi në Europë u sabotua, sepse futja në Europë është rrezik për pushtetin politik dhe kriminal të kësaj bande.
Njerëzit e thjeshtë u shpërfillën, u përçmuan, u trajtuan me arrogance dhe u dhunuan.
Për t’i frikësuar,
Për t’i bërë të pafuqishëm,
për tjua ulur kokën
Mbi ta po rëndojnë taksat e rritura, çmimet që nuk ndalen dhe dënimet e gjobat e zyrtarëve të shtetit që sillen si plackitës.
Mbi shqiptarët sundon papunësia, sundon varfëria.
Mbi shqiptarët rëndon padrejtësia, standarti i dyfishtë i Ramës që dënon të varfrin dhe të dobtin, mbron të kriminelin dhe hajdutin.
Kujtojmë sot 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjes që Edi Rama e arrestoi dhe u çoi në vetëvrasje për një cigare hashash. Për Saimir Tahirin dhe Habilajt që janë kapur me miliona nga trafiku I drogës, Edi Rama ka ngritur shtetin në këmbë që ti mbrojë.
Melita Çenga, infermiere nga Shkodra, Brunilda Meka nga Korça u hoqën nga puna dhe shkuan drejt vetëvrasjes se nuk mbanin dot familjen. Resmije Alla 35 vjeç humbi jetën sepse donte që fëmija e saj azmatik të kishte dritë se nuk kishte mundësi të paguante. Qindra pacientë presin më kot ilacet e premtuara por që nuk vijnë. Sepse Edi Rama i paguan vetëm Vilma Nushit 20 mijë euro në ditë nga taksat e shqiptarëve.
Qamil Zela, i burgosur, i vetëvarur për një borxh prej 3 mijë e 200 lekësh ndaj OSHE-se Arif Doda, Klajdi Muça, Llazar Nasi, Gjovalin Gjini, e dhjetëra të tjerë, i ka çuar Edi Rama drejt vetëvrasjes për faturën e energjisë, por Besos dhe miqve të tij ju fal Miliona euro. Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.
Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve.
Për njerëzit e thjeshtë qeveria Edi rama sot ka vetëm dy zgjedhje: eksod ose nënshtrim.
Ose të marrin rrugët e botës
Ose t’i nënshtrohen një bande mizore plaçkitëse, e maskuar me rrobat e babagjyshit të Vitit të Ri, që i grabit, i varfëron, i tall dhe i dhunon.
Në vend të pushtetit të njerëzve, narkokryeministri i do njerëzit janë skllevër të pushtetit.
Skllevër të oligarkëve.
Skllevër të krimit.
Skllevër të mashtrimit
Skllevër të varfërisë.
Ne jemi sot këtu për ta ndalur këtë të keqe.
Që ekonomia e Shqipërisë të mos mbetet në duart e oligarkëve grabitqarë dhe të kriminelëve.
Që qeveria mos të jetë një vegël në shërbimin e tyre.
Që Fatkeqësia dhe mjerimi i një brezi mos t’i kalohet brezave që vijnë.
Që Shqipëria mos të shkretohet nga braktisja.
Në të shkuarën tonë ne jemi gënjyer shpesh nga e keqja.
Në të shkuarën tonë ne e kemi duruar dhe toleruar gjatë të keqen.
Derisa e keqja na ka rrënuar.
Në të shkuarën ne kemi besuar lehtë.
Jemi gënjyer lehtë.
Dhe nuk kemi menduar gjatë.
Sot në ditën botërore të Holokaustit është e udhës të kujtojmë thënien ogurzezë të Hitlerit: Sa fat i mirë për qeveritë kur njerëzit nuk mendojnë!
Mafia në pushtet shpenzon çdo muaj miliona euro për të gënjyer, për të mashtruar, për të keqinformuar, për të shplarë mendjet e njerëzve.
Mafia në pushtet ka ngritur makinerinë më të madhe të propagandës që ka patur ndonjëherë Shqipëria.
Mafia në pushtet shet çdo ditë të zezën për të të bardhë dhe sulmon këdo që e sheh të zezën.
Propagandë me para droge që tu mbushë mendjen shqiptarëve se policia bëhet duke veshur kriminelët me uniforma firmato policie.
Se avionët e drogës janë mushkonja dhe kanabisi që shikonin kudo imagjinatë dhe jo realitet.
Se trafikantët dhe përdhunuesit janë deputetë dhe kryebashkiakë që punojnë dhe sakrifikojnë për Shqipërinë.
Se gjelbërim është të zësh parqet me kulla betoni dhe të mbjellësh bar në tarracë.
Se oligarkët grabitqarë janë bamirës që punojnë për Shqipërinë.
Mafia në pushtet paguan cdo ditë ushtrinë e mercenarëve që i shërbejnë për t’i llustruar faqen e saj të zezë.
Mercenarë të pacipë që politikanin në shërbim të krimit e shesin për njeri që po lufton krimin!
Mercenarët që sot propagandojnë se të gjithë janë njësoj,
se droga ka qenë gjithmonë këtu
se krimi ka qënë gjithmonë mes nesh,
se të gjithë paskan faj njësoj.
Por shqiptarët tani shohin qartë. Shqiptarët tani mendojnë dhe gjykojnë vetë.
Shqiptarët po e mposhtin frikën, po e mposhtin propagandën, po shpërfillin mercenarët.
Shqiptarët e kanë kuptuar se drejtësia nuk është një copë letër dhe fjalë në ajër, por ndëshkim i vërtet për peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit.
Shqiptarët e kuptojnë se në Shqipëri nuk luftohet krimi, kur kokat e drogës dhe të organizatave kriminale bredhin të lirë dhe kur paratë e drogës nuk i pengon askush të hyjnë në ekonomi.
Shqiptarët e dinë se ekonomia është e shkatërruar kur ata nuk gjejnë punë.
Shqiptarët e dinë se shëndetësia është e shkatërruar kur të sëmurët nuk kanë ilace.
Shqiptarët e dinë se po varferohen; e dinë se nuk paguajnë dot dritat, ujin dhe ushqimin e fëmijëve të tyre.
Shqiptarët e dinë se në BE nuk integrohesh duke integruar rrjetet e drogës dhe të krimit por duke integruar ligjet, ekonominë, dijet.
Shqiptarët e dinë se në Europë do të futen, kur të fusin kriminelët në burg.
Shqiptarët e dinë se nuk ka as drejtësi, as siguri, as punësim, as të ardhme me banditët në qeveri.
Nga ky shesh zëri ynë është i qartë:
Ne duam drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë.
Ne e duam Saimir Tahirin para drejtësisë, pa imuniteti, i duam ministrat dhe politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin në burg.
I duam kriminelët e drogës, të trafikut të qenieve njerëzore, të gjobvënies dhe shantazheve në burg.
Sepse duam një qeveri të lirë nga krimi dhe nga oligarkia.
Ne duam mundësi për të punuar dhe ndërtuar.
Ne duam mundësi për sipërmarrjen.
Ne duam të çmontojmë monopolet dhe oligarkinë.
Ne duam një ekonomi që prodhon mirëqenie për të gjithë. Një shoqëri me dinjitet për të gjithë.
Ne duam një shoqëri europiane dhe një Shqipëri në Europë.
Ne e duam Europën, sepse ne duam vlerat e Europës:
Ne duam drejtësinë që ka Europa, duam lirinë dhe dinjitetin që ka Europa, duam qeverisjen e Europës.
Nuk e kërkojmë Europën duke kërcënuar, nuk e kërkojmë Europën duke shantazhuar:
Ne e kërkojmë Europën sepse jemi të aftë, plot besim dhe të jetojmë dhe punojmë me nder dhe me mund si të gjithë europianët.
Prandaj ne kemi vendosur të qëndrojmë ndaj të keqes dhe të luftojmë për të mirën.
Sot jam para jush,
Jo për të kërkuar pushtet për vete, por shtet të drejtë për të gjithë.
Jo për tu bërë vetë kryeministër, por që kushdo që të jetë kryeministër, shqiptarët të jenë mirë.
Vitet e fundit kanë qenë një përpjekje e madhe për mua dhe demokratët: me arritje dhe me zhgënjime.
Por një gjë ka qenë e pandryshuar:
Ne kemi zgjedhur gjithmonë të jemi në anën e njerëzve dhe të interesit të tyre.
Ne kemi zgjedhur të jemi me Dritan Zaganin, kur të tjerët e quanin tradhtar dhe mbrojnë sot e kësaj dite Saimir Tahirin.
Ne kemi zgjedhur të denoncojmë dhe të luftojmë kriminelët në Qeveri, Bashki e Kuvend, kur ky që i solli, bën biznes dhe qeveris me ta.
Ne kemi zgjedhur të luftojmë kundër drogës, kur të tjerët paguhen me paratë e drogës për të na sulmuar, dhe për të blerë pushtet e pasuri.
Ne nuk jemi lëkundur asnjëherë në zgjedhjen tonë.
Nuk do lëkundemi as tani.
Ne demokratët do të luftojmë për atë që kam luftuar këto katër vjet: një shoqëri europiane, një shoqëri të denjë, ku sundon drejtësia, arsyeja dhe mirëqenia për të gjithë.
Por kjo nuk është vetëm beteja jonë, vetem e opozites. Kjo nuk është vetëm beteja ime. Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve.
Prandaj jemi bashkë këtu dhe në të gjithë Shqipërinë.
Bashkë do të sjellim drejtësinë, integrimin dhe përparimin e vendit tonë.
Për ata që pyesin: Cfarë strategjie keni? Unë ju them sot: strategjia jonë është përballja, është rezistenca, është beteja totale me gjithë sa kemi në dorë, në shpirt, në zemër dhe me gjithë fuqinë që na jep Zoti i madh KUNDËR kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë, ka marrë peng njerëzit dhe të ardhmen tonë, ka gllabëruar liritë dhe të drejtat tona! Kjo është strategjia.
Për ata që pyesin cfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJË FJALË: FITORE! FITORE FITORE — me cdo kusht dhe sado sfiduese dhe e mundimshme të jetë rruga drejt saj!
Sepse pa fitoren e kësaj kauze, nuk ka të ardhme. Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë, nuk ka të ardhme për popullin shqiptar, nuk ka të ardhme për Shqipërinë!
Le të bashkohemi në këtë betejë ka kthuim, në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë. Ne jemi Shqipëria, ne jemi shqiptarët e ndershëm.
***
Kryemadhi: Jemi 100 mijë në shesh, do i vëmë çizmen Edi Ramës. Nuk ka ambasador që e shpëton
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi në fjalimin e saj se në shesh janë 100 mijë protestues, që po vrasin frikën.
“Ne sot, të gjithë këtu, nga e gjithë Shqipëria jemi kundër një politikani që është i vetëm.
Ky njeri, që urren vendin e tij. Ky njeriu që urren familjen e tij. Ky njeri që nuk do flamurin tonë, por tallet me të, ky njeri duhet të ikë sa më parë. Ky njeri, që sot është vetëm, sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë të jesh vetëm, i mbytur në zullumin e tij.
Nuk ka drejtësi, ambasadorë, që ta shpëtojë, sepse i ka të gjithë kundër.
Sot në këtë bulevard, ku ka mbi 100 mijë protestues, i dha shpresë Shqipërisë.
Sot frika iku nga mendja jonë, sot frikë nuk kanë shqiptarët, sot frikë ka Edi Rama,” tha Kryemadhi.
“Sot dua t’u them me dorën në zemër, më shumë se kurrë kjo protestë ka një rëndësi të veçantë: për të gjithë ata që nuk besojnë tek opozita, kjo protestë u dha zemër të gjithë atyre njerëzve, atyre burrave e grave që kanë bërë gati plaçkat për t’u larguar, u jep shpresë të rinjve se e ardhmja e tyre është në Shqipëri”.
“Sot jemi të gjithë këtu për një Shqipëri, për Shqipërinë e bukur dhe të begatë, për Shqipërinë që do i vëjë çizmen Edi Ramës, pasi ky njeriu e dhunoi më shumë se çdokush tjetër. Këtij njeriu ka ardhur koha t’i themi ndal. Ju ftoj që nga ky moment të mos ndaloni”, tha Kryemadhi.
Mediu: Të marrim në dorë atë që na ka dhënë Zoti!
Shehi: Qeveria i ka mbledhur kaq shumë njerëz
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha në tubimin e protestës se varfëria është i vetmi simbol i Rilindjes. Ai bëri thirrje për t’u ngritur kundër krimit e korrupsionit.
“Ka vetëm një rrugë: të marrim në dorë fatin tonë. Jemi këtu që t’i kthejmë përgjigje edhe atyre që na thonë se nuk duhet të protestojmë se kështu nuk na pranon Europa. Ne e duam Europën këtu.
Sot kemi mbyllur çdo rrugë të së ardhmes sonë për shkak të kësaj qeverie,” tha Mediu.
Ai bëri thirrje që të ndalet largimi masiv i shqiptarëve.
Mediu tha se në shesh janë biznesmenë, pronarë tokash, të përndjekur dhe qindra e mijëra qytetarë e fshatarë, që nuk pranojnë varfërinë dhe burgosjen.
“Jemi njerëz që besojmë te liria dhe Zoti. Prandaj atë që na ka dhënë Zoti, ta marrim në dorë. Prandaj ka vetëm një zgjidhje: të marrim fatin tonë në dorë”.
Kurse kryetari i LZHK, Dashamir Shehi tha se “ne jemi këtu për të treguar se nuk e durojmë dot dhunën dhe propagandën e një grushti njerëzish”.
“Jemi këtu për t’u thënë gjithë botës, që komuniteti më i madh këtu jemi ne”.
“Qeveria i ka mbledhur kaq shumë njerëz këtu, i ka mbledhur ajo, jo ne, i ka mbledhur pakënaqësia”.
“Shqipëria ka qenë edhe pa bukë, por nuk kanë ikur kështu. Shqipëria nuk po ikën se ka mbetur pa bukë, por ka mbetur pa shpresë,” tha Shehi.
“Ne do i themi ndal kësaj pune duke dalë këtu, ndryshe herën tjetër nuk do jemi kaq shumë, se nuk do ketë më njerëz, se do ikin të gjithë. Prandaj do rezistojmë sot sa kohë kemi forca të mjaftueshme për t’iu kundërvënë kësaj të keqe”.
Ndoka: Rama po bën biznes me të përndjekurit! Çika: Po riinstalohet diktatura
Kryetari i Partisë Demokristian, Nard Ndoka tha se “ne jemi të gjithë bashkë, të majtë dhe të djathtë, kundër një personi”.
“Ne i bëjmë thirrje Edi Ramës që të largohet sa më shpejt, të shpëtojë Shqipërinë nga kjo zgjedhë”.
“Katër vjet në qeveri jo vetëm nuk e mbajti premtimin për të hapur 300 mijë vende pune, por largoi 300 mijë njerëz nga Shqipëria”.
“Ai po bën biznes me të përndjekurit, duke ngritur pika turistike, por të ardhurat nuk shkojnë për ta”.
“Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku qeveria është një klub miqsh,” tha Ndoka.
Ai shtoi se Edi Rama po përdor simbolin e Skënderbeut për të fshehur problemet e vërteta të vendit, ndërsa shtoi se Rama dhe një miku i tij kanë shkruar kundër simbolit kombëtar.
Kurse Nebil Çika, kreu i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë antikomunistë, tha në protestën e opozitës se antikomunistët shqiptarë janë sot në shesh bashkë me mijëra shqiptarë të ndershëm.
“Sot protestojmë kundër një qeverie që po instalon diktaturën në Shqipëri.
Ky vend është në diktaturë për shkak se po instalohen ish-sigurimsat e shtetit dhe ish-blloku komunist. Po kapin edhe drejtësinë me ish-sigurimsa, dhe gjykatës dhe prokurorë të kohës së diktaturës”, tha Çika.
Sipas tij, ne jemi shumë në këtë shesh sepse kemi arsye shumë të mëdha për të protestuar kundër kësaj qeverie diktatoriale.
Aktivisti i PS: Banda e Rilindjes e bën Ramën të dobët
Në protestën e opozitës ka folur edhe një aktivist i Partisë Socialiste.Ai quhet Agim Kaca dhe tha se ka vetëm një gjykatë të pastër në vend.
“Jemi mbledhur në këtë bulevard për të protestuar kundër qeverisë së Edi Ramës, e përfaqësuar nga banda e Rilindjes. Por të gjithë ata, e bëjnë Edi Ramën të lig dhe të dobët.
Unë sot si qytetar i zakonshëm i këtij vendi, i bëj një pyetje Edi Ramës: A është e vërtetë që ke sjellë kriminelë në parlament? A është e vërtetë që e ke veshur krimin me pushtet?
Prandaj duhet të jemi gjithmonë të bashkuar. Sot Shqipëria ka nevojë për reformë në drejtësi, por jo të gjitha gjykatat janë të korruptuara, është një gjykatë që nuk korruptohet, që nuk e frikëson askush. Ajo është e pastër si bora e malit. Kjo gjykata është populli shqiptar. Kjo gjykatë jeni ju, që do e përzini Edi Ramën nga pushteti.
Ndaj sot i bëj thirrje Lulzim Bashës që me vendimin e kësaj gjykate, të pastrojë kryeministrinë nga krimi, të luftojë për mirëqenien e të gjithë shqiptarëve,” tha Kaca.