Festime madhështore në Toronto me një meshë të udhëhequr nga Kardinali i Torontos Thomas Collins për nder të shenjtërimit të Nënë Terezës. Të pranishëm shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kanada shkëlqesia e Tij z. Ermal Muça, Kryetarja e nderit e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze Dr. Ruki Kondaj dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze Toronto, z. Ramazan Këllezi./
Nga Ajet Nuro/
Data 4 shtator 2016 do të ngelet e gëdhendur në kujtesën e shqiptarëve si dita e shenjtërimit të njërës prej tyre, shqiptares më të njohur dhe më të respektuar në botë, bamirëses së madhe Nënës Terezë. Shqiptarët kudo në botë u mblodhën për të festuar këtë ngjarje që ndoshta nuk do të përsëritet më në të gjallë të tyre siç ishte rasti i shenjtërimit të një shqiptareje. Edhe në Kanada, shqiptarët e shprehën respektin për këtë figurë të madhe por dhe krenarinë për bijën dhe motrën e tyre që tashmë i përketë gjithë botës me aktivitete nga më të ndryshmet.