• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova medalje post-mortem për Beau Biden

August 1, 2021 by dgreca

-Sot u mbajt  ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden.Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett/

PRISHTINË, 1 Gusht 2021-Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë sot, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u mbajt ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden. Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Philip S. Kosnett.

 ***.   

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e dekorimit post-mortem të Joseph Robinette “Beau” Biden III

I nderuar President Joe Biden dhe e tërë familja Biden!

Mirëmbrëma nga populli më proamerikan në botë

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, 

I nderuar kryeministër Kurti,

I nderuar Ambasador Kosnett,

Të nderuar të pranishëm,

Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pati thënë: “Ju nuk jeni këtu vetëm për ta bërë të mundur jetën.  Ju jeni këtu për t’ia mundësuar botës të jetojë më lirshëm, në një të ardhme më të ndritur, në frymën e shpresës dhe të arritjeve të mëdha. Ju jeni këtu për të pasuruar botën dhe do të varfëroheni nëse e harroni detyrën”.

Me këtë thënie, presidenti Wilson, veprimet e të cilit sollën paqe në të gjithë botën, i referohej shërbimit të individit për vendin e vet. Edhe unë fuqimisht besoj se nuk ka asnjë kauzë më fisnike sesa të shërbesh.

Janë të paktë njerëzit sikur i ndjeri Joseph Robinette “Beau” Biden III (i treti), të cilët e kanë shfaqur aq fuqishëm këtë përkushtim ndaj vendit dhe shërbimit për të, duke shërbyer si kapiten në Gardën Kombëtare të Ushtrisë Delaware, në Irak, pastaj si prokuror në zyrën e prokurorit amerikan në Philadelphia për nëntë vjet, dhe si i zgjedhur dy herë në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në Delaware.

Në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.

Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë.

Sundimi i Ligjit, siç e dini, nuk është vetëm temë e rëndësishme për mua, por diçka së cilës ia kam kushtuar gjithë karrierën time profesionale. Kërkimi i drejtësisë dhe forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm një lëndë abstrakte teorike apo akademike; kjo është një temë kaq e rëndësishme për mua ngaqë besoj se duhet të jetë synim i yni i përhershëm e t’i përcaktojë veprimet tona, meqë ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë. Unë besoj se sundimi i ligjit është parakushti themelor për suksesin tonë si vend.

Krijimi i institucioneve dhe trajnimi i  gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës. Dëshira për ta forcuar më tej sundimin e ligjit u bë jashtëzakonisht e qartë në kutitë e votimit në fillim të këtij viti. Qytetari ynë foli zëshëm, prandaj  është detyra jonë morale dhe politike që, si institucione, të sigurojmë se do të vazhdojmë përpara me reformat në sistemin tonë të drejtësisë. 

Përveç marrëdhënieve personale dhe mirënjohjes për kontributin e jashtëzakonshëm të njerëzve të ndryshëm nga SHBA-ja në tri dekadat e fundit, unike mbetet edhe lidhja dhe dashuria e vërtetë që dy vendet tona kanë për njëra-tjetrën.

Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh sot bota. Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona.

Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh. Institucionet tona dhe, më e rëndësishmja, secili qytetar yni, do t’i mirëpresë ata përherë krahëhapur.

Flamujt amerikanë do të vazhdojnë të valëviten lart dhe me krenari në të gjithë Republikën e Kosovës – kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohjen tonë për mbështetjen që ju na keni dhënë për dhjetëvjetësha të tërë përmes njerëzve si Beau dhe çdo qytetari tjetër të Shteteve të Bashkuara, që ka kontribuar për paqen, sigurinë dhe shtetësinë tonë.

Sa i takon Beau, mund ta themi me përulje se trashëgimia e tij vazhdon të jetojë – veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shtetet e Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën. 

Presidenti Biden njëherë tha se “Beau ishte shpirti im”, është e qartë se puna dhe  angazhimi i Beau vazhdon ta frymëzojë edhe vetë Presidentin Biden. Ai vetëm pak kohë më parë më shkroi: ”Kosova ka një vend të veçantë për familjen Biden, për nder të kohës që djali ynë i ndjerë, Beau Biden, kaloi atje, duke punuar për të siguruar paqe, drejtësi dhe sundim të ligjit për të gjithë njerëzit e Kosovës.”

Ndërsa, gjatë një vizite të mëhershme në Kosovë, në kujtim të djalit të tij, Presidenti Biden tha: “Beau e donte këtë vend, Kosovën. Këtu ai nisi t’i donte njerëzit, kishte një ndjenjë të fortë të lidhjes me ta”.

Siç e dinë shumë mirë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Kosova është një vend i vogël, por me zemër të madhe. Shumë, nëse jo të gjithë, bien në dashuri me vendin tonë, njerëzit tanë dhe traditat tona, kur u jepet mundësia të kalojnë kohë këtu.

Prandaj, në emër të popullit të Kosovës dua t’ju siguroj se, sikur që Kosova zë vend të veçantë në zemrat e familjes Biden, edhe familja Biden dhe populli amerikan zënë vend të veçantë në zemrat tona.

Ashtu si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë. Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviçit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë.

Ndërsa, më vonë, kur Kosova u përball me sfidën e saj më të madhe të pasluftës, kur ne po përgatitnim deklaratën tonë të Pavarësisë, Presidenti Biden tha se ishte “besimi i fortë i Beau-t, të cilin e kishte bartur nga prania e tij këtu, që  në thellësitë e kohëve shumë të vështira që bëri të sigurt se thirrja për pavarësinë e këtij vendi të mirë ishte gjëja e duhur, të cilën duhet ta bëja”.

Kur e vizitoi Kosovën, në vitin 2009, në Kuvend Presidenti Biden foli fjalë që vazhdojnë të bëjnë jehonë gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme për t’i mbrojtur lirinë tonë dhe për ta forcuar pavarësinë  e vendit tonë. Ai tha: “Pavarësia juaj është e pakthyeshme … absolutisht e pakthyeshme”. Punën e Presidentit Biden e frymëzoi djali i tij për aq sa qe gjallë, por jam e sigurt, vazhdon ta frymëzojë edhe sot.

Sot e kësaj dite, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të tregojnë respekt dhe dashuri të thellë për njerëzit tanë. Edhe në kohën më sfiduese për botën, gjatë një pandemie globale, Amerika i ka dhuruar një numër të konsiderueshëm të vaksinave Pfizer Kosovës. Edhe një herë, zoti President, ne jua shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt.

E dashur familje Biden! 

Humbja e një fëmije është tragjedia më e madhe. Por, ta gjesh forcën dhe aftësinë për ta kthyer dhimbjen në motiv për të ndryshuar botën për të mirë, është diçka që duhet të shërbejë si frymëzim për të gjithë ne. Angazhimi i Presidentit Biden ndaj vendit të tij, si dhe puna e tij për ta bërë botën vend më të mirë jetese, është i pakalueshëm.

Para se të shikojmë video-mesazhin e  Presidentit amerikan, do të doja t’i thosha disa fjalë për përshtypjen time për të ndjerin Beau Biden, duke e parafrazuar thënien e njohur se “njerëzit e mirë janë si qirinj, ata digjen për t’u dhënë dritë të tjerëve”.

Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë.

I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës.

Zoti President, 

Si Presidente e Republikës së Kosovës, ju siguroj se puna e Beau-t dhe e kolegëve të tij amerikanë nuk do të shkojnë kurrë kot. Ne do ta bëjmë Kosovën vend me të cilin do të krenohemi, ngase ka potencial të jetë i tillë. Ne do ta bëjmë Kosovën vendin të cilin e meriton populli ynë. Zoti President: ne do t’ju bëjmë krenarë.

Për gjithçka që bëni për njerëzit e këtij vendi të dashur, faleminderit!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Le të pushojë në paqe shpirti i Beau dhe uroj që trashëgimia e tij të na udhëheqë përherë në drejtim të asaj se çfarë është e drejtë dhe për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit tonë me dinjitet dhe nder.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I përjetshëm qoftë kujtimi për Beau Biden!

Faleminderit!

Filed Under: Featured Tagged With: Beau Biden, kosova, medalje Post-mortem

ZËVËNDËS PRESIDENTI JOE BIDEN HUMBË DJALIN 46-VJEÇAR

June 1, 2015 by dgreca

Beau Biden Kishte Shërbyer edhe në Kosovë/
Nga Frank Shkreli/
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Të Shtunën me 30 Maj, vendi ynë humbi një zyrtar publik të përkushtuar- një luftëtar për drejtësi në frontet e luftës si dhe në gjykatat e drejtësisë këtu në Shtetet e Bashkuara.Një bir, baba dhe bashkshort — për Beau Biden, familja e tij zinte vendin e parë. Jeta e tij ishte një jetë që ne të gjithë dëshirojmë të kemi. Të gjithë ata që e njihnin atë janë frymëzuar nga shembulli dhe nga pasioni i tij për tu shërbyer të tjerve çdo ditë të jetës së tij”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Fjala është për vdekjen e parakohshme, në moshën 46 vjeçare, të djalit të madh të Zëvendës Presidentit amerikan Joe Biden, i cili ndërroi jetë pas një beteje prej disa vjetësh me kancerin në tru. Beau Biden kishte diktuar probleme që në 2010, por ishte mjekuar me kimoterapi si dhe kishte bërë operacion për të hequr një tumor. Muajt e fundit ai po mjekohej në Qendrën Mjekësore Ushtarake, Walter Reed pranë Uashingtonit. Beau Biden kishte shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm për shtetin Delaware nga vjen familja Biden dhe në vitin 2001 kishte punuar për një kohë edhe si jurist në Kosovë për të trajnuar gjykatësit dhe prokurorët në Kosovën e pas luftës, shërbim të cilit iu referua edhe Zëvendës Presidenti Biden në njoftimin që ai bëri mbi vdekjen e djalit të tij të dashur.
Duke njoftuar vdekjen e djalit të tij, Nënpresidenti Biden tha se “Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta e të njeriut tonë të dashur Beau, pas një beteje me kancerin në tru, betejë të cilën ai e zhvilloi me të njëjtin dinjitet dhe forcë që ka treguar çdo ditë gjatë jetës së tij. Pikëllimi i mbarë familjes Biden nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ne e dimë se fryma e tij do të jetojë midis nesh — veçanërisht nepërmjet bashkshortes së saj Hallie, dhe dy vajzave të tyre të mrekullueshme, Natalie dhe Hunter. Jeta e Beau-t dallohej nga shërbimi ndaj të tjerëve.Si jurist i ri ai punoi për të vendosur rendin dhe ligjin në Kosovën e prekur rëndë nga lufta. Si major në Gardën Kombëtare të shtetit Delaware ai ka shërbyer në Iraq ku është dekorua me medaljen “Bronze Star”.Si Prokuror i Përgjithshëm i shtetit Delaware, ai luftoi dhe mbrojti të pafuqishmit dhe i kishte caktuar vetes si mision të tij, për të mbrojtur të miturit nga abuzimet.Më shumë se arritjet e tija në fushën profesionale, Beau dallohej si bashkshort, baba, dhe si bir dhe vëlla i përkushtuar ndaj familjes.një veçori kjo të cilën ai e kishte mësuar nga babai i tij, Joe Biden. Ndërshmëria e tij absolute e bënte atë shembull për të gjithë familjen tonë”, thotë ndër të tjera Nën-presidenti Joe Biden në njoftimin mbi vdekjen e djalit të tij Beau dhe përfundon se, “Thjeshtë, Beau Biden ishte njeriu më i mirë që kemi njohur ndonjëherë”.
Dashuria për familjen ështënjë veçori kjo që ai e kishte mësuar nga babai i tij, Joe Biden, i cili kur ishte senator udhëtone çdo ditë katër orë me tren nga Washingtoni në Delaware, vetëm për të qenë çdo mbrëmje me familjen e tij. Përkushtimi, flijimi dhe dashuria e Joe Biden ndaj familjes së tij konsiderohej si legjendare, për mundin që ai ndërmirrte çdo ditë për të shkuar në punë në Senatin amerikan nga shteti Delaware, të cilin ai e përfaqësonte në Kongres.Në lidhje me këtë Z. Biden është shprehur se, “E vërteta është se, arsyeja që kam shkuar në shtëpi çdo natë megjithë largësinë midis Washingtonit dhe Delaware ishte se unë kisha më shumë nevojë për fëmijtë e mi se ata për mua.”
Presidenti Barak Obama, në reagimin e tij mbi vdekjen e Beau Biden, u shpreh se bashkshortja “Michelle dhe unë jemi të pikëlluar sonte. Beau Biden ishte mik i yni.Familja e tij — Hallie, Natalie dhe Hunter — janë miqët tanë.Joe dhe Jill Biden janë ndër miqët tanë më të dashur…Joe është njëri prej njerëzve më të fortë që ne njohim.Ai është ndër më të fortit dhe për të asgjë nuk ka më shumë rëndësi se sa familja.” Presidenti Obama, në deklaratën e tij me këtë rast të hidhur, vlerësoi kontributin e dhënë nga Beau Biden për të ndihmuar dhe për të përmirësuar jetët e të tjerëve, duke thënë në deklaratën e tij se, “Ashtu si edhe babai i tij, Beau ishte njeri tepër i mirë, me një zemër të madhe, një katolik i devotshëm, besnik deri në fund — i cili gjatë jetës së tij kishte ndihmuar në përmirsim të jetës të të gjithë atyre me të cilët kishte ardhur në kontakt — dhe në zemërat e të cilëve ai vazhdon të jetojë”, tha Presidenti Barak Obama në deklaratën e tij mbi vdekjen e djalit të dashur të Zëvëndës Presidentit të tij, Joe Biden duke përfunduar se, “I lutemi të Madhit Zot që të kujdeset për Beau Biden në atë jetë dhe që Ai njëkohësisht të mbështesë dhe të ngushëllojë familjen e tij këtu në tokë”.
Kjo tragjedi bëri që të pakën përkohësisht të pezullohen konfliktet dhe debatet politike në Washington, ndërkohë që politikanët e të gjitha ngjyrave kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes Biden.Kishte shumë reagime dhe shprehje ngushëllimesh për vdekjen e djalit të familjes Biden nga përfaqsues të lartë politikë të dy partive kryesore të Amerikës, përfshirë edhe Kryetarin e shumicës republikane në Senatin Amerikan, Senatorin Mitch McConnell, i cili tha se, “Beau Biden njihej si një zyrtar publik i dedikuar, baba i dashur i dy vajzave dhe bashkshort i devotçëm…Unë e kam njohur Zëvëndës Presidentin Biden për shumë vjetë dhe nuk mund të merret me mend që në jetën e tij të ketë diçka më të rëndësishme se feja dhe amilja e tij. Shpresoj dhe lutem që ai të gjëjë ngushëllim dhe paqë në fenë e tij, ndërkohë që përballet me këtë humbje të tmershme”, thotë krye republikani në Senatin amerikan në ngushëllimin e tij me këtë rast.
Fatkeqsisht, vdekja e parakohshme e Beau Biden nuk është tragjedia e parë në familjen e Zëvëndës Presidentit Jo Biden.Vet Beau Biden, i cili ndërroi jetë të shtunën, ishte plagosur rëndë me vëllain e tij më të vogël në një aksident automobilistik në vitin 1972, ku patën mbetur të vdekur nëna e tyre dhe një motër e mitur.
Edhe shqiptarët e duhet të ndajnë këtë dhimbje të thellë me familjen Biden. Sepse, Joe Biden gjatë periudhës që ka shërbyer si senator dhe tani si Zëvëndës President është dalluar — ndër zyrtarët më të lartë amerikanë — si njëri prej mbështetësve më të fortë të shqiptarëve të Kosovës, të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ndërsa djali i tij që vdiq kishte dhënë edhe ai ndihmën e tij për forcimin e ligjit dhe të rendit në Kosovë menjeherë pas luftës.Gjatë një vizite në Prishtinë në maj të vitit 2009, Zëvëndës Presidenti Biden ka deklaruar para Kuvendit të Kosovës se, “Pavarësia e Kosovës është a pakëthyeshme dhei vetmi opcion për paqën dhe stabilitetin në rajon. Ai i siguroi parlamentarët e Kosovës me atë rast se, “Suksesi i një Kosove të pavarur është një prioritet i administratës sonë”, ka thënë ndër të tjera Joe Biden gjatë vizitës së tij në Kosovë më 2009.
Reagimet dhe ngushëllimet për vdekjen e djalit të Zëvëndës Presidentit Joe Biden qënë të shpejta nga udhëheqsit e Kosovës.Kryeministri Isa Mustafa në një postim në fejsbuk shpreh dhëmbjen e tij të thellë për lajmin e vdekjes së djalit tëZëvëndës Presidentit amerikan. Kryeministri iKosovës kujton një bisedë që ai ka patur me Zëvendës Presidentin Biden gjatë Konferencës për Siguri në Munich, ku siç shkruan Mustafa, Zyrtari i lartë amerikan,“Me krenari më foli për shërbimin e djalit të tij në Kosovë. E ndjeva një lidhje të fortë prindërore por edhe një mburrje, të një burrështetasi të madh se biri i tij i shërben paqës e sigurisë në Kosovë”, u shpreh kreu i qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa,ndërkohë që si Kryeministër i Kosovës, përfundoi ai, “Ishpreh ngushëllimet e thella familjes Biden për humbjen e birit të tyre, por edhe falënderimin dhe kujtimin e paharruar për ushtarin e paqës e të humanizmit”.
Ndërsa Zëvëndës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka postuar ngushëllimet dërguar familjes Biden për humbjen e djalit të tyre duke u shprehur se, “Dhimbjen për humbjen e një miku e bën më të lehtë kujtimi për ‘të dhe krenaria që e kemi pasur mik në ditët kur kemi pasur më së shumti nevojë për miq dhe përkrahje. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Biden për humbjen e të birit, Beau”, shkruan Hashim Thaçi në faqen e tij në fejsbuk.
Beau Biden ka lënë pas bashkshorten dhe dy vajza. Pushoftë në paqë dhe familjen Biden Zoti e forcoftë në këto ditë të vështira!

Filed Under: ESSE Tagged With: Beau Biden, Fran Shkreli, Joe Biden, Kosove

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT