UASHINGTON, 13 tetor /ATSH/ – Kualifikimi i Shqipërisë ka bërë jehonë edhe përtej Atlantikut, teksa CNN i ka kushtuar një hapësirë të veçantë duke thurur elozhe për kuqezinjtë e drejtuar nga De Biasi, pasi siguruan për herë të parë kualifikimin në kampionatin Europian të Francës.
CNN hap artikullin kushtuar Shqipërisë me titull “Ëndrra e madhe e Shqipërisë bëhet realitet, me pak ndihmë nga Kryeministri”. Rrjeti prestigjoz thekson pritjen që Kryeministri u bëri djemve të kombëtares në aeroport pas mbërritjes nga Armenia, ndërsa udhëtoi bashkë me ta me autobus në drejtim të Kryeministrisë. Shqipëria i mirëpriti heronjtë e tij me një atmosferë të jashtëzakonshme shkruan në vazhdim.
Ndërsa kryeministri Rama për CNN shprehet se “Pas ndeshjes me Serbinë ekipi ishte i dërrmuar psikologjikisht, por fitorja në Armeni mbylli gjithçka me një fund të lumtur që solli kualifikimin për herë të parë në një Europian. Kjo është një arritje e mahnitshme dhe fantastike për vendin tonë. Unë shpresoj se kualifikimi i Shqipërisë në finalet e kampionatit evropian do të pasohet nga integrimi në Bashkimin Evropian” tha kreu i qeverisë ndër të tjera.
Ndërsa kapiteni Lorik Cana zbuloi: “Kurrë nuk e kisha imagjinuar një gjë të tillë. Telefonova babanë pas ndeshjes dhe ai ishte me lot në sy. Ne jemi të lumtur për popullin, e di që kemi shumë probleme, por ky sukses e largon për pak momente vëmendjen” përfundoi ai.