• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OPOZITA FITUESE E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

October 7, 2019 by dgreca

-Nga 95,88% e vendvotimeve nga te cilët janë dërguar në KQZ të dhënat e numërimit të votave, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me 25,79% pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%. Të dy këto parti opozitare kanë folur për mundësinë e koalicionit paszgjedhor.

-Lëvizja Vetëvendosje në mesnatë ka nisë festimet e fitores që e shpalli. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës duke theksuar diferencën e ngushtë ka deklaruar se a do festojë fitoren do presë numërimin e të gjitha votave dhe rezultatin përfundimtar/

-Kosova, 9 palë zgjedhje parlamentare, para, gjatë e pas luftës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Tetor 2019/ Opozita është fituese e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit në Kosovë sipas rezultateve preliminare të numërimit të votave që pasqyrohen në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga 95,88% e vendvotimeve nga te cilët janë dërguar në KQZ të dhënat e numërimit të votave deri në mëngjesin e sotëm, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me 25,79% pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,05%. Të dy këto parti opozitare kanë folur për mundësinë e koalicionit paszgjedhor.

Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit të Qeverisë së dorëhequr, ka dalë e treta me rezultatat e zgjedhjeve me 21,15% dhe në një konferencë shtypi mbrëmjen e djeshme deklaroi se e pranon humbjen dhe do kalojë në opozitë.

Koalicioni i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqte me Qeverinë, sipas votave të numëruara deri tani ka 11,63% ndërsa koalicioni i Nismës Socialdemokrate bashkë me Aleancën Kosova e Re, të dyja pjesë e Qeverisë së dorëhequr,  me 4,92% të votave nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Lëvizja Vetëvendosje në mesnatë ka nisë festimet e fitores që e shpalli. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës duke theksuar diferencën e ngushtë ka deklaruar se a do festojë fitoren do presë numërimin e të gjitha votave dhe rezultatin përfundimtar.

“REVOLUCION!”, është një kryetitull sot në një nga ballinat e shtypit të Kosovës, ku gazeta Zëri thekson se, “Rezultatet preliminare për zgjedhjet e 6 tetorit sollën një rokadë të paparë politike gjatë ditës së djeshme. Duke ndëshkuar partitë, që për vite të tëra ishin në qeverisje, elektorati ia dha besimin Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky i cili asnjëherë nuk ka qeverisur me vendin deri më tash”.

Sipas shifrave më të fundit të  KQZ-së, të cilat do plotësohen orëve  të ardhëshme, përqindja e votuesve që kanë votuar në vendvotimet që kanë dërguar të dhëna është 43,22%.

Të dielen e 6 Tetorit 2019, Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohëshme, në të cilat për 120 vende deputetetësh në Kuvend garonin 1.067 kandidatë, prej tyre 343 femra  dhe 724 meshkuj, nga 25 subjekte politike: 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur, të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar edhe listën përfundimtare të votuesve, e cila përmbante 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote.

Në mëngjesin e 6 Tetorit në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, u hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime.

I gjithë procesi monitorohet nga një numër i madh i vëzhguesëve nga vendi dhe bota, janë mëse 34 mijë e 500 vëzhguesë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

 Kosova, para, gjatë dhe pas lufte ka mbajtur 9 palë zgjedhje parlamentare, 2 palë zgjedhjet e paraluftës e kohës së luftës ishin edhe presidenciale.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Kosova, tani shtet i njohur nga 116 vende të botës anëtare të OKB-së,  edhe në kohë lufte mbajti zgjedhje parlamentare e presidenciale në 22 Mars 1998 dhe në 16 korrik 1998 konstituoi Kuvendin e Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

DEKLARATA, CITUAR NGA GAZETA ZËRI:

Kurti: 6 tetori, entuziazmi i tretë pas çlirimit dhe pavarësisë

Lideri i LVV-së Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e tetorit qe kandidat për kryeministër nga ky subjekt, tha se 6 tetori shënoi fillimin e entuziazmit të tretë për vendin tonë.

“Entuziazmi i parë ishte qershori i ’99-s, entuziazmi i dytë shpallja e pavarësisë dhe i treti është entuziazmi i tetorit 2019. Ne kemi humbur shumë kohë për këto 20 vjet, sa mundësi të shpërdoruara, sa shanset shkuan huq, mirëpo tash erdhi dita. Erdhi dita për ju popull i dashur, pa dallim fshati e qyteti, pa dallim gjinie, të gjithë do të jeni të barabartë para ligjit”, deklaroi mbrëmë Kurti.

Meqë LVV-ja doli subjekti i parë i zgjedhjeve, Kurti tha se Vetëvendosja do t’i mbajë dhe do t’i përmbushë premtimet e dhëna. Gjatë fjalimit të tij lideri i LVV-së ndau një falënderim edhe për kritikët e Vetëvendosjes, meqë sulmet e akuzat e kanë kalitur LVV-në.

“Ne kemi pasur shumë pengesa, kemi pasur shumë vështirësi, por ato na kanë kalitur. Jemi më të fortë se kurrë edhe për të gjitha vështirësitë që na presin. Dua të falënderoj edhe ata që na kanë kritikuar, sepse edhe ata na kanë ndihmuar duke na udhëzuar. Edhe ata që na kanë akuzuar e na kanë sulmuar vetëm na kanë kalitur për këtë fitore të madhe”, ka nënvizuar Kurti.

Osmani: Fituesi s’mund të shpallet pa u numëruar të gjitha votat

Teksa ka folur pas rezultateve preliminare, të cilat e radhitën LDK-në si partinë e dytë, kandidatja për kryeministre nga ky subjekt, Vjosa Osmani, tha se ende nuk mund të flitet për rezultate përfundimtare. Megjithëkëtë ajo pohoi se LDK-ja do t’i pranojë rezultatet, çfarëdo qofshin ato.

“Sot nuk mund të shpallet fituesi, sepse duhet të presim deri në numërimin e votës së fundit. Unë dua t’i falënderoj të gjithë. Besoj se deri nesër pas numërimit edhe të votave me kusht dhe të diasporës do ta kemi një rezultat përfundimtar e pastaj do të dalim të flasim. Ne do ta pranojmë vullnetin e sovranit”, ka deklaruar Osmani.

Ajo më tej ka thënë se LDK-ja vetëm me PDK-në nuk bën koalicion paszgjedhor, ndërkohë me partitë e tjera mund të pranojë të diskutojë.

“Vetëm pasi të numërohet edhe vota e fundit, atëherë mund të flasim për koalicionin. Përveç me PDK-në, me parti të tjera mund të bisedojmë”, ka theksuar nënkryetarja e LDK-së.

Veseli: PDK-ja do të kalojë në opozitë

Pas rezultatit aspak të favorshëm që pranoi dje PDK-ja, ka reaguar kryetari i këtij subjekti, Kadri Veseli, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e tetorit. Teksa pranoi humbjen, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës tha se partia që ai drejton do të kalojë në opozitë tash e tutje.

“Së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. Partia Demokratike e Kosovës do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit”, ka deklaruar Veseli.

Pavarësisht rezultatit të djeshëm Veseli tha se PDK-ja nuk do të ndalet së punuari.

“Anëtarëve dhe aktivistëve të Partisë Demokratike të Kosovës u them ndihuni krenarë me punën tuaj, sepse edhe unë ndihem shumë krenar me ju. Keni bërë një punë të madhe dhe besimi im në ju është i palëkundur. Duhet të besoni dhe të punoni për një Kosovë më të mirë. Ne nuk ndalemi asnjëherë. Ne së bashku do të vazhdojmë”, ka theksuar ai.

Haradinaj: Vendimi për t’ia kthyer vendimmarrjen sovranit ishte i drejtë

Pas publikimit të rezultateve të KQZ-së ka reaguar edhe kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK – PSD, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se gara e drejtë dhe e qetë e ngriti Kosovën e qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike e demokratike. Për këtë, siç ai u shpreh, meritore janë të gjitha partitë politike, pa dallim.

“Uroj që me të njëjtin nivel maturie të mbyllet edhe ky cikël elektoral, duke i hapur rrugë pa vonesa konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të reja demokratike në vend”, ka deklaruar ai.

Haradinaj më tej falënderoi strukturat e elektoratin e koalicionit AAK – PSD.

“Fillimisht dua t’i falënderoj strukturat e Aleancës, aktivistët e mbështetësit e në veçanti secilin votues, që besoi dhe votoi koalicionin AAK – PSD, duke ua shprehur mirënjohjen time të thellë për punën e palodhshme e besimin e palëkundur që na e falën”, shtoi ai.

Ndaj vendimi për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën, sipas Haradinajt u vërtetua që ishte veprim i drejtë.

Nisma nuk e kalon pragun

Sipas rezultateve preliminare koalicioni Nisma – AKR – PD nuk e ka kaluar pragun zgjedhor. Pas rezultateve lideri i Nismës, Famir Limaj, i cili ishte kandidat për kryeministër nga ky koalicion, nuk është deklaruar fare. Ndërkohë para daljes së shifrave të para Limaj u shpreh i bindur se do të marrë rezultate tejet pozitive.

“Të gjithë qytetarëve të Kosovës ua shpreh mirënjohjen time për kontributin e tyre për të pasur një proces të lirë e demokratik. Falënderoj të gjithë votuesit e Nismës. Nisma ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm. Ne tash në bazë të të gjitha raporteve i kemi shtatë deputetë dhe po presim deputetin e tetë”, deklaroi kreu i Nismës pas mbylljes së vendvotimeve.

Me këtë rast Limaj tha se Nisma do të jetë partia vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Opozita-Fituse e zgjedhjeve-Kosove

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT