-Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka vizituar Demokracinë në Veprim, e cila për këtë ditë të zgjedhjeve lokale ka rekrutuar mbi 2 500 vëzhgues në të gjitha komunat dhe vendvotimet në Kosovë/
Ne Foto:Ambasadori Amerikan Greg Delawie, ka vizituar Demokracinë në Veprim/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI, i akreditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve/
PRISHTINË, 22 Tetor 2017/ Atmosferë e një dite të mirë zgjedhjesh lokale dhe e ecjes në zhvillimin demokratik të Kosovës është sot në votimet për kryetarët dhe asamblesitët e komunave.Nga ora 7:00 deri në 19:00, në gjithë Kosovën do të jenë të hapura 899 qendra votimi me 2.505 vendvotime, ndërsa numri i votuesve të regjistruar është 1.890.952.
Në këto zgjedhje lokale, të gjashtat në liri e të tretat në pavarësi, garojnë 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti, 30 iniciativa qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 1 koalicion.
“Sot është dita e fjalës tuaj, prandaj, shfrytëzojeni duke votuar për komunën tuaj”, është mesazhi drejtuar qytetarëve i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, i cili thekson se janë ndërmarrë të gjitha masat për një proces fer, demokratik dhe për të shprehur lirshëm vullnetin.
“Për komunën tënde. Voto” është sllogani i Zgjedhjeve Lokale 2017 në Kosovë, të cilat po monitorohen nga mëse 33.200 vëzhgues të akredituar, rreth 100 të misionit të dërguar nga Bashkimi Evropian.Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka vizituar Demokracinë në Veprim, e cila për këtë ditë të zgjedhjeve lokale ka rekrutuar mbi 2 500 vëzhgues në të gjitha komunat dhe vendvotimet në Kosovë.Votohet në të gjitha 38 komunat e Kosovës, prej të cilave 27 janë me shumicë shqiptare, e në 11 komunitetat pakicë e bëjnë shumicën – në 10 serbët e në 1 turqit.Misioni i OSBE-së në Kosovë ka dërguar 220 përfaqësues në komunat veriore me shumicë serbe, të cilët u ofrojnë këshilla teknike komisioneve komunale të zgjedhjeve lokale.KQZ ka hapur zyrtarisht Qendrën Mediale, e cila është një hapësirë e veçantë për mediat e akredituara në Ditën e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit dhe pas saj, e ku do mbahen edhe konferenca për shtyp, nga të cilat dhe për zhvillimet e rezultatet e zgjedhjeve do raportojë Gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, me korrespondentin në Kosovë.







-Presidenti Amerikan Bill Clinton në qershor 2002: “Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”/
PRISHTINË, 19 Tetor 2017/ Para 14 vitesh, më 19 tetor 2003, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Vatikan, mori pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënë Terezën.Presidenti historik Rugova, pas kthimit nga pjesëmarrja në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, e vlerësoi këtë akt si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.”Po kthehem nga Roma, ku ishim në ditën e beatifikimit të Nënës Tereze, që është një ditë e madhe për Kosovën, për popullin shqiptar.Mund të themi se është një ditë historike dhe një ditë e madhe për gjithë botën, sepse ajo është Nënë shqiptare dhe poashtu Nënë e gjithë botës”, theksoi Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave në Aeroportin e Prishtinës, në 22 tetor 2003.Gjithashtu Presidentti Rugova shprehu kënaqësinë që në ceremoninë e lumturimit të Nënës Tereze morën pjesë me mijëra shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe nga bota.
Me këtë rast, Presidenti Rugova falenderonte Papa Gjon Pali II për lumturimin e Nënës Tereze dhe organizimin e ceremonisë madhështore që hapi rrugën për shenjtërimin e Nënës Tereze.Në 17 tetor 2003, para ceremonisë së lumturimit, Vatikani publikoi një biografi të Nënës Tereze. Teksti fillonte pikërisht me një deklarim të Nënë Tërezes në vitin 1995, ku ajo theksonte prejardhjen dhe besimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”.



