• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-AKP fiton kontestin gjyqësor 10 milionësh

June 19, 2018 by dgreca

-Agjencia Kosovare e Privatizimit fiton procesin gjyqësor ballë kompanisë ESBI nga Irlanda/1 AKP

PRISHTINË, 19 Qershor 2018-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Agjencia Kosovare e Privatizimit bëri të ditur sot se e ka fituar në të dy shkallët procesin gjyqësor që është zhvilluar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me kompaninë ESBI nga Republika e Irlandës.
Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka lëshuar Aktgjykimin, me të cilën ka refuzuar ankesën e paditësit ESBI Consultants Limited nga Republika e Irlandës, me çka ka vërtetuar Aktgjykimin e lëshuar nga Kolegji i Specializuar i po kësaj Gjykate që e ka refuzuar si të pabazuar padinë e ESBI-së.

ESBI Consultants Limited, kompani e regjistruar në Irlandë, ishte e angazhuar në menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës në vitet 2004-2006 përmes një kontrate të lidhur me ish-Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, që tash është Agjenci Kosovare e Privatizimit.

Në 26 qershor 2008 ESBI kishte ushtruar padi ndaj ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit për, siç thuhej në padi, mospërmbushje të detyrimeve ndaj saj për angazhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Vlera e kontestit ka qenë 4,945,128.83 euro, ndërsa duke llogaritur pretendimet e ankuesit në interes (kamatë) nga viti 2006 e deri më tani, në vlerë totale i bie afër 10 milionë euro.Përgjatë një procesi të gjatë gjyqësor, Agjencia Kosovare e Privatizimit në të dy shkallët e Dhomës së Posaçme e ka fituar kontestin gjyqësor duke e kursyer kështu Buxhetin e Kosovës për rreth 10 milionë euro nga dënimet potenciale.Ky është edhe një rast i fituar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në betejat ligjore në mbrojtje të interesave të ndërmarrjeve të Kosovës.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 10 milion, AKP Kosove, Behlul Jashari

Kosova 92.93 % shqiptarë-emrat, lindjet…

June 19, 2018 by dgreca

-Kosova në statistika, nëpër vite: Emrat e fëmijëve më të shpeshtë dhe numri i lindjeve e i banorëve/

1 Newborgh-Regjistrimi i popullsisë së Kosovës ende nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/

 -Para më shumë se gjysëm shekulli, në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale shqiptare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 18 Qershor 2018/ Në Kosovë, sipas publikimit të sotëm të Agjencisë së Statistikave, emrat më të shpeshtë, të rekordit, për fëmijtë e lindur në vitin 2017, për vajza ishte Sara me 148 pagëzime dhe Jara me 141, ndërsa për djemtë Ajan me 246 dhe Noar me  226 pagëzime.Ngjashëm ishte në vitin 2016, kur në Kosovë, emrat më të shpeshtë për vajza ishin Alea me 169 pagëzime dhe Sara me 134, ndërsa për djemtë Ajan me 218 dhe Noar me 195 pagëzime.

Edhe për fëmijtë e lindur në vitin 2015, emri më i shpeshtë për vajza ishte Alea me 223 pagëzime, e pastaj ishte Erina me 146, ndërsa për djemtë Diar me 214 dhe Ajan me 205 pagëzime.Dy emrat më të shpeshtë për vajzat ishin të njëjtit edhe në vitin 2014, por nën një ishte Erina me 199 pagëzime e nën dy Alea me 182.

Në 2015-ën emri për vajzat Alea rikthehet në vendin e parë ku ishte edhe në 2013-ën me 154 pagëzime, e që pasohej nga Tuana me 118.Për djemtë edhe në 2014-tën emri më i shpeshtë ishte  Diar me 215 pagëzime, e pas tij Amar me 180. Edhe në 2013-tën për djemtë emërat e njejtë Diar me 122 dhe Amar me 117 pagëzime ishin më të shpeshtit.

Sipas Statistikave të Lindjeve në Kosovë për vitin 2017, të publikuara sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar lindje të gjalla në vend ishin 23 402, kurse jashtë vendit 6 712.

Binjakë u lindën 654 foshnje, ndërsa trenjakë e më shumë  u lindën 21 foshnje.

Për krahasim, në vitin 2016 lindje të gjalla në vend ishin 23 416,  kurse jashtë vendit 6 915.

Binjakë u lindën 722 foshnje, ndërsa trenjakë e më shumë u lindën 30 foshnje.

***

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.

Në reportazhin futuristik me titull “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në kohë të rënda okupimi para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998, personazhja nga jugu i trojeve ku flitet shqip në udhëtimin drejt veriut të kufirit shqiptar – “Mollës së kuqe”, që nga Janina kishte mbërritur me tren në qyterin e Gjakovës, “tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: ‘Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova’”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, emrat, Lindjet, popullsia e Kosoves

KOSOVË-SHQIPËRI, BASHKË NË KULTURË

June 18, 2018 by dgreca

-Viti i pestë i Kalendarit Kulturor Kosovë-Shqipëri. Ministri i Kulturës i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nënshkruan sot Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi/

 3 dy ministrat

-Koncepti i Kalendarit të Përbashkët Kulturor është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRIZREN, 18 Qershor 2018/ Kosova dhe Shqipëria nënshkruan sot në Prizren Protokollin e Bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.

Ministri i Kulturës i Kosovës Kujtim Gashi dhe ministrja e Kulturës e Shqipërsë Mirela Kumbaro-Furxhi e nënshkruan Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor në një ceremoni  në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Është për mua viti i pestë që si Ministre e Kulturës e Shqipërisë nënshkruaj këtë Kalendar”, tha Kumbaro në ceremoni.

Kalendari i sivjetmë i përbashkët kulturor do të realizojë aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit, ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve. Në fushën e teatrove do të mbahet festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Në fushën e filmit do të jepen premierat e pesë filmave. Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë. Këto aktivitete do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.

Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për të dy vendet. “Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimin e kalendarit vjetor kulturor e kemi ideuar në lokacion të veçantë në shtëpinë tonë të përbashkët. Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ministri.

Ministri Gashi ka pohuar se të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.

“Mendoj që ky është një moment që dy institucionet tona janë në krye të organizimeve pa e prekë pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Besoj që ky vit është më i veçantë sepse jemi ndalë në aktivitetet specifike”, tha Gashi duke shprehur edhe vlerësim për punën e ministres shqiptare Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Në anën tjetër, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, tha se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativë.

“Është për mua viti i pestë si Ministre e Kulturës të nënshkruaj këtë kalendar, por duke pranuar siç e tha edhe ministri që është një formalizim i një aktiviteti e një bashkëpunimi që merita në radhë të parë i shkon institucioneve të kulturës”, theksoi ministrja.

Ajo pati vlerësim për institucionet e kulturës dhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës.

“Ne kemi njohur gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës me të cilën duam ta kemi një bashkëpunim por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur në Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë, e kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet te krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”, vlerësoi Kumbaro.

Që të dy ministrat thanë se koncepti i Kalendarit të Përbashkët Kulturor është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë

“Koncepti i Kalendarit të Përbashkët Kulturor është një koncept që është një skenë e hapur me Maqedoninë, me Malin e Zi, padyshim edhe me Greqinë por jo vetëm”, tha në fund ministrja shqiptare.

Në 11 janar 2014, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, menjëherë pas mbledhjes së parë historike të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.

Në mbledhjen janë shqyrtuar, mes tjerash, Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor.

Rreth një muaj më pas, në 14 shkurt 2014, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, organizuar në bashkëpunim me Fototekën Kombëtare Marubi në Shkodër. Kjo ekspozitë, që sjellte në Prishtinë rreth 250 fotografi,  shënonte edhe fillimin e zbatimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë – Shqipëri dhe të festimeve zyrtare për 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Një ditë para hapjes së ekspozitës në Prishtinë, ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi,  dhe ministri i atëhershëm i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi nënshkruan në Tiranë Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, me të cilin edhe u themelua Kalendari i Përbashkët Kulturor.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bashke ne Kulture, Behlul Jashari, Shqiperi Kosove

Kosova, 10 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së pavarësisë

June 15, 2018 by dgreca

-Amendamentimi i  Kushtetutës në 2012-tën për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndryshimet e ardhshme priten për Ushtrinë/1 Sejdiu

Kushtetuta-Kosove-1 (1)-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/1 Newborn

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 15 Qershor 2018/ Para 10 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Më parë akti më i lartë  juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.

1 festa e Kushtet

Dita e Kushtetutës, 9 prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar shefi i UNMIK-ut.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda dhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 10 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Ndryshimet e ardhshme kushtetuese pritet të jenë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën  në mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990, shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator 1991 u organizua edhe edhe referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992. Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Prej vitit 2001 deri para 10 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti  Hashim Thaçi.

Dhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur shënohet në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohet 19 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Filed Under: Featured Tagged With: 10 vjet, Behlul Jashari, Dita e Kushtetutës, Kosove

NATO-KOSOVË, SIGURI-LIRI, U FESTUA 12 QERSHORI

June 13, 2018 by dgreca

Speciale/ DIELLI/
-Në Kosovë festohet 12 Qershori-Dita e Paqes e Lirisë, e hyrjes së NATO-s  para 19 viteve, në 1999/1 aeroplani
-Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit, dhe prej aty raportoja lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën/
1 Nato makina
– Lapidar në qendër të kryeqytetit, Prishtinës, në Sheshin Nënë Tereza, për ushtarët e NATO-KFOR, të rënë në shërbim në Kosovë/rugova_klinton_aeroport-2–Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002: Kam vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin/
NATO-12-qershor-1999-Behlul-Jashari-Kosove

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 12 Qershor 2018/ Në Kosovë para 19 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve dhe Radio Televizionin e Shqipërisë nga kolona e tankeve të para të focës më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa  duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…

Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hersëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave serbe.

Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë:  “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”

Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”

Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet e para të shqiptarëve në Kosovë për NATO-n. Një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të pa armatosur.

Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepalit dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin mbi të të helikopterëve, fillimisht më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githnjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej.

Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishin në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i  një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”,  “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën tradicionale të Kosovës, Rilindja.

Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi.

Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës.

 Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.

Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga urie në mungesë të bukës. Vajza tregonte se quhet Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katër të tetëvjeçares. Një e afërm e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…

Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen.

 Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s. Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota. Paramilitarët serbë të Arkanit i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…

Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…

Breshëritë e armëve vazhdonin edhe gjatë gjithë natës dhe plumbat qorr binin mbi kulim e shtëpisë së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.

Në mëngjesin e 13 Qershorit qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi po shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Ishin djegur edhe selia e Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.

Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…

Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe Rilindja në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.

Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.

Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…

Kështu ishte 19 vite më parë…

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  poashtu para 10 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Një lapidar për ushtarët e NATO-s, të rënë pas  hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë në 12 Qershor 1999, i ngritur në Sheshin Nëna Terezë të Prishtinës u përurua sot në mesditë në një ceremoni ku ishin drejtues shtetërorë dhe politikë të Kosovës, përfaqësues nga NATO-ja, ish-komandantë të KFOR-it, familjarë të të rënëve, përfaqësues të shteteve të tyre dhe të ftuar të tjerë.

Kosova edhe me këtë lapidar shpreh mirënjohjen e përjetëshme për  ushtarët e Aleancës së NATO dhe  nderon sakrificën e tyre gjatë misionit paqeruajtës. Ndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, sot në Prishtinë është pritur në takim nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

VITI 2002-MESAZHI I PRESIDENTIT RUGOVA: 12 QERSHORI ËSHTË NJË NGA DITËT MË TË MËDHA NË HISTORINË E KOSOVËS

 Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në mesazhin e urimit në vitin 2002 bënte të ditur se kishte vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin:Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s që vlerësohet si ditë e çlirimit të Kosovës, u ka drejtuar sot një mesazh qytetarëve të Kosovës. Në këtë mesazh thuhet:

– Qyetarë të nderuar të Kosovës,
Me rastin e 12 Qershorit – Ditës së hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e lirisë së Kosovës, ju shpreh urimet e mia të përzemërta.
Dita e 12 Qershorit është një nga ditët më të mëdha në historinë e Kosovës – të Dardanisë antike. Sot, pas tri vjetësh, do pranuar se Kosova e lirë ka pasur një progres të madh në të gjitha segmentet e jetës, falë miqve tanë dhe popullit të gjallë e dinamik të Kosovës.

Prandaj, njohja formale e Pavarësisë së Kosovës shtrohet si detyrë e drejtpërdrejtë në të cilën po punojmë intensivisht.

Me këtë rast urime të ngrohta u shprehim ushtarëve dhe Komandantit të KFOR-it, gjeneralit Valenten.
Poashtu, urime të përzemërta i shprehim kryeadministratorit të Kosovës, zotit Mihael Steiner dhe OSBE-së.

Urime të sinqerta u shprehim përfaqësuesve diplomatikë në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.Në këtë ditë gëzimi të lirisë së Kosovës përshëndesim presidentin Bush, kryeministrin Bler, presidentin Shirak, kancelarin Shrëder dhe kryeministrin Berluskoni.Përshëndetje të madhe i dërgojmë Papa Gjon Pali II për kujdesin e tij për Kosovën.
Zonja dhe zotërinj,

Dëshiroj t’ju njoftoj se sot kam vendosur të kërkoj nga Kuvendi i Kosovës që ditën e 12 Qershorit ta shpallë Ditë të Lirisë së Kosovës, që do të festohet në të gjithë vendin.

Gëzuar Dita e Lirisë.
Zoti e bekoftë Kosovën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, NATO-Kosove, speciale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT