Quhet Elona Zhana, prej shumë vitesh jeton në Belgjikë dhe tashmë ka vendosur të kandidojë në zgjedhje për tu bërë pjesë e parlamentit rajonal belg . Ajo është një vajzë e thjeshtë, bujare, ambicioze e përkushtuar pas punës. Elona gëzon një respekt në të gjithë komunitetin shqiptar që jeton në Bruksel e rrethinat e tij.
Në mesazhin e saj për kandidimin, drejtuar mbështetësve dhe miqve të saj Elona Zhana shkruante: “ Pas një reflektimi relativisht të gjatë dhe pas konsultimit me miqtë, të afërmit, mentorët dhe përkrahësit e mi, mora vendimin të angazhohem politikisht në Belgjikë. Në zgjedhjet rajonale të datës 25 maj 2014, do të jem kandidate për deputete në Parlamentin Rajonal të Brukselit, në radhët e partisë CDH (Centre démocrate humaniste)”– (Qendra e demokracisë humaniste), është Parti e qendrës së djathtë, anëtare të PPE (Partive Popullore Europiane)
Kush është Elona Zhana?
Me origjinë nga Bajram Curri, Tropojë, Elona Zhana jeton në Bruksel që prej vitit 2001. Është diplomuar për Marrëdhënie me Publikun dhe Administrim e Menaxhim të Punës në ULB – Université libre de Buxelles (Universiteti i Lirë i Brukselit). Është “grua e plotpërmbushur”, siç shprehet vetë dhe nënë e lumtur e një vajze dymbëdhjetëvjeçare.
Elona njihet nga bashkësia shqiptare për angazhimet e saj në fusha të ndryshme. Ajo është e apasionuar pas shkencave të komunikimit dhe kulturës. Elona zotëron disa gjuhë të huaja. Ajo është kryeredaktore e gazetës “Albania” ne Belgjikë, por gjithashtu njihet si botuese, përkthyese, shkrimtare.
Elona dhe ideja për të hyrë në polikë
“Lidhjet e mia me politikën nuk datojnë nga dje as nga sot, por shumë më herët. Realisht jo vetëm studimet, por edhe praktikat e mija profesionale i kam realizuar në fushën politike apo fushat e lidhura me të. Ndërsa hapi për të kandiduar në këto zgjedhje erdhi si shprehje e nevojës për një ndyshim në realitetin e përditshëm”, thotë Elona Zhana për “Koha Jonë”.
Elona thekson se ajo ka vendosur t`i hyjë garës zgjedhore për të dhënë kontributin e saj në Bruksel, por edhe për të ndikuar në planin e avancimit dhe zhvillimit të çështjes së shqiptarëve si në diasporë dhe në vendlindje.
Ajo shton se ka zgjedhur një forcë politike e cila mbron edhe interesat e komuniteteve të veçanta. “Unë jam pjesë e të Partisë CDH (Qendra e Demokracisë Humaniste) e cila përfaqëson të gjithë qytetarët, të gjitha programet dhe ofertat për rininë, aspektet sociale, politike dhe ekonomike, kulturën dhe sportin. Unë jam anëtare e kësaj partie pasi që dua të tregoj se shqiptarët jemi me vlera dhe tradita Evropiane dhe perëndimore, dimë të bëjmë edhe politikë dhe të interesohemi edhe për të tjerët. Idetë e mija kanë të bëjnë me një mentalitet të ri, i cili duhet të aplikohet edhe tek shqiptarët, e ky mentalitet është prosperimi dhe avancimi i çështjeve të rinisë, kulturës, sportit, aspekteve sociale dhe politike, pa dallime fetare, racore e etnike. Por njëkohësisht dua të tregoj dhe të lartësoj edhe çështjen tonë shqiptare, ta ndihmoj e ta mbështes atë në forma të ndryshme. Të jem shembull se si duhet që një shqiptare të përfaqësojë një institucion këtu në qendrën e politikës dhe integrimit në Bruksel”.
Jam e bindur që nësë ne arrijmë të përfaqësohemi në parlamentin e Brukselit, do të jetë një hap gjigand në përmirsimin e imazhit por edhe një investim direkt në mirëqënien e përbashkët të komunitetit.
Elona Zhana është autore e shumë artikujve, sidomos në shtypin e diasporës shqiptare të Belgjikës.
Nga Sonia Memoci