SHKRUAN: RAMIZ LUSHAJ/
1.
Lideri Sali Berisha duke qënë Sali Berishë dhe për të qëndruar Sali Berishë kreu edhe aktin e dorëheqjes së tij si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë më 26 qershor 2013, tre ditë pas humbjes së kësaj force politike të djathtë në ma të fundmen elektoriadë parlamentare. Ky akt ishte një nga vendimet ma të zgjuara dhe ma të dhimbshme të karierës politike të Sali Berishës të nisur qyshse më 20 maj 1990 me intervistën ndikimtare si (r)evolucion të botuar në gazetën “Drita” të Tiranës.
Sali Berisha po vetlargohej nga drejtimi me sakrifica e sfida i partisë së parë opozitare postkomuniste, i partisë me fytyrë, frymë e veprimtarim perëndimor euro-atlantik drejt Uashingtonit e Brukselit, i partisë të aderuar në EPP, EDU, CDIU.
Sali Berisha i prini si flamurtar misionar politik e kombëtar kësaj partie në përmbysjen e regjimit komunist prej Dhjetorit ’90, në përballjen me rebelimin komunist më ’97, duke e çue në katër fitore mandatore në qeverisjen e Shqipërisë më 1992, 1996, 2005, 2009; ndërtoi sistemin demokratik bazuar në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, shtetin ligjor, pronën private dhe ekonominë e lirë të tregut dhe lartngriti zhvillimin ekonomik në shtetin ma diktatorial e ma të prapambetur të Europës.
Sali Berisha po vetlargohej nga kreu i PD që e çoi Shqipërinë dinjitare në integrimet euro-atlantike: antarësimin në KiE, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në BE, antarësimin në NATO, Lëvizjen e Lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësira gjeopolitike të zonës “Shengen”, në prag marrjen finale të statusit të vendit kandidat në BE, etj.
Sali Berisha si lider i dimensioneve të larta e i trashëgimisë së madhe kombëtare e demokratike mirëditi ta lexojnë me dinjitet, mençuri e guxim, me përulësi ndërgjegjësore mësimin e Sovranit në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Sali Berisha nuk fitoi në 31 marsin 1991 të akullnajës komuniste bolshevike të Enveriadës, por triumfoi më 22 mars 1992, në pranverën e demokracisë shqiptare euro-atlantike. Sali Berisha humbi në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 29 qershor 1997 në kohën gjak e flakë të rebelimit dhe në ato të 24 qershorit 2001 me modelin e shpikur e të shpifur të “dushkut”, por i fitoi dy mandate rradhazi më 3 korrik 2005 dhe më 28 qershor 2009.
Partia e as Statuti i saj nuk po ia kërkonin dorëheqjen liderit të saj. As vet Sali Berisha nuk ndjente lodhje fizike e intelektuale prej moshës 69 vjeçare. Kjo nuk kishte të bënte as me plotësime afatesh kohore të tij në udhëheqje të PD.
Sali Berisha, edhe sot po të ishte në krye të PD formati i tij politik do t’i bante nder kësaj partie. Mirëpo, e bani zgjedhjen e tij: duke u larguar nga kreu i PD, për çka do të mbetet edhe ma i nderuar për kohën e sotme, për angazhimet e tij të tanishme e të pritshme.
Në epokën e sotme dixhitale shqiptare, lideri historik Sali Berisha, shenjoi për herë të parë një rekord të pazakontë. Ka ma shumë fansa në fejsbukun e tij se sa ka votues krejt Partia Demokratike në elektoriadën 2013. Një kuotë të tillë krahasimore nuk e kanë kap asnjë nga liderët e partive lidere: as Edi Rama, as Hashim Thaçi, as Ilir Meta, as Ali Ahmeti, as Isa Mustafa. Dihet se të gjithë fansat e Berishës nuk janë antarësi e PD dhe as vetëm nga Shqipëria Londineze, ndonëse flitet se fejsbuki ka mbi 1.4 milionë përdorues vetëm në Republikën e Shqipërisë. Mirëpo dritëron edhe fakti tjetër. Kryeministri e kryetari i PD, Sali Berisha, pikërisht në syçelje të 23 qershorit 2013 kishte 575 mijë fansa në fejsbuk, ndërsa tashti, megjithëse katër muaj në opozitë, numëron 733 mijë miq. Një rritje me mbi 158 mijë fansa ma shumë.
Pra, Sali Berisha edhe pas humbjes së thellë elektorale, edhe pas ikjes nga posti i kryeministrit, edhe pas dorëheqjes si kryetar i Partisë Demokratike, ka mbetë prapë Sali Berisha, me miq, autoritet e veprimtari në rritje.
2.
Nëse Sali Berisha do të vazhdonte të qëndronte në krye të Partisë Demokratike edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, atëherë Shqipëria Londineze e Natyrale nuk do të kishte institucionin e trefishtë “Berisha”, si ish-president, si ish-kryeministër, si ish kryetar i PD.
Astenjiherë në historinë politike të shtetit modern shqiptar nuk gjendet një rast i ngjashëm si ky i Sali Berishës, që të jetë njëherash edhe një nga themeltarët e PD më 12 dhjetor 1990 dhe kryetar i saj pothuaj në tri dekada, President i Republikës në dy mandate, kryeministër i Shqipërisë në dy mandate, deputet i Parlamentit të Shqipërisë prej 31 marsit 1991, etj.
Nësë Sali Berisha do ta rihumbte këtë të drejte ligjore të statusit të trefishtë “Berisha” duke qëndruar kryetar i PD-së, kjo do të ishte edhe një humbje e madhe për demokracinë shqiptare, po ma së parit për vet Partinë Demokratike në opozitë.
Realisht, tani, pas elektoriadës parlamentare të fundit, këto tri institucione sëbashku formojnë si një të vetëm Institucionin “Berisha”, që na ka munguar prej kohësh, që nuk duhet shpërdoruar në ecje, lartësim e ndikim kombëtar, politik, shoqëror. Patjetër, ky institucion i ri duhet lartësuar nga vet lideri Sali Berisha dhe nga faktorë politik e diplomatik në hapësirat mbarëshqiptare e në botën euro-atlantike.
3.
Pas 24 korrikut 1997 Shqipërisë i mungoi institucioni “Berisha” i ish Presidentit të Republikës, pasi kreu i shtetit Sali Berisha u rikthye kryetar “de jure” i PD, pasi prej saj Presidenti Berisha nuk kishte hequr dorë astenjëherë, sepse ishte ma shumë se antar Kryesie legjitim i saj.
Pothuaj njësoj edhe presidenti i fundit, Bamir Topi, e hupi të drejtën e ngritjes së institucionit “Topi” si ish president, pasi e krijoi dhe po e formaton partinë kurrizthyer FRD (Fryma e Re Demokratike), që sapo filloi patinazh politik majtas. Kuptohet: Topi e ka të drejtë ligjore mbajtjen e këtij statusi, por ia ka zbeh panfund e ia ka tkurr krejtësisht funksioni i tij si lider partiak, veçanarisht luhamat sa djathtas, sa majtas. Presidentët Rexhep Meidani e Alfred Moisiu, pas përfundimit të mandatit të tyre presidencial, e ngritën ligjërisht institucionin e ish Presidentit të Republikës. Të dy, veçanarisht Moisiu, nuk u banë pjesë aktive politike e partive që i propozuan për këtë detyrë të lartë, të dy ishin të pranishëm e risor në masmedia, në qëndrime të ndryshme kombëtare e politike, me botime memorialistike, etj.
Të tre presidentët e pas daljes së ligjit për Statusin e ish Presidentit të Republikës, Meidani, Moisiu e Topi, nuk i patën kontributet e atributet e sotme të Sali Berishës. Në prill të vitit 1992 Sali Berisha u parazgjodh ma herët e me një votë plebishitare President i Republikës, sikur të ishte krye enkas ndonjë referendum, biles i atillë që vështirë të përseritet në historinë politike shqiptare për shumë kohë. Sali Berisha shkonte President i Republikës nga posti i lartë i të parës parti politike opozitare poskomuniste, ndërsa këta tre presidentë ishin zgjedh nga partitë e tyre në poste dy apo tretësore apo të paangazhuar në forume partiake. Sali Berisha gjatë kryerjes së mandateve të tij presidenciale pati kompetenca të mëdha e të shumta, çka presidentëve pasardhës iu hoqën apo zbehën shumica e tyre, pasi Fatos Nano ua mori ato ligjërisht për të rritë fuqinë e tij si kryeministër i Shqipërisë. Sali Berisha i pati dy mandate presidenciale, ku në të dytin u detyrue nga rebelimi ideologjik, politik e ushtarak, për me dhanë dorëheqje më 24 korrik 1997, ndërsa tre presidentëve pasardhës iu mundësia vetëm një mandat presidencial plotor. Gjithashtu, pavarësisht dëshirës politike të ndonjërit, asnjani nga këta ish presidentë nuk mundi të zgjidhej kryetar i partive të cilat ua dhanë mandatin presidencial.
Tufalakimi i të gjitha këtyne atributeve të ish presidentit Berisha dhe kontributet e tij të mapasme i japin fuqi të derisotme Sali Berishës për ta mbajt ende në kambë e dinjitar edhe statusin si ish President i Republikës.
Pas dorëheqjes si President i Republikës statusi si ish presidentit i ndihmoi edhe personalisht Sali Berishës në kryerjen e detyrave si kryetar i Partisë Demokratike dhe në imunitetin diplomatik e politik të tij gjatë qëndrimit në opozitën e vështirë të viteve 1997-2005, po pati ndikimet e veta diplomatike edhe gjatë dy mandateve të tij kryeministrore 2005-2013.
Tani e në ardhmëri, kur Sali Berisha nuk ka funksionin e kryministrit e të liderit partiak, statusi i ish Presidentit të Republikës i shërben ma së shumti Shqipërisë Londineze e Kombit Shqiptar, Partisë Demokratike dhe të djathtës në opozitën e sotme tejet të vështirë. Kjo mvaret shumë edhe nga ndërgjegjia politike e vullneti politik i vet Sali Berishës.
4.
Nëse kryeministri Sali Berisha edhe pas humbjes të 23 qershorit 2013 do të mbante postin e lart politik të kryetarit të PD-së, atëherë pas 15 shtatorit 2015, ditëlargimit të Berishës nga detyra ekzekutive e kryeministrit, nuk do të kishim institucionin legjitim “Berisha” të ish-kryeministrit.
Në historinë e shtetit shqiptar Sali Berisha rekordon si i vetmi rast kur një kryetar partie zgjidhet dy herë President i Republikës (1992-1996, 1996-1997) dhe njëherash, ma pas, edhe kryeministër në dy mandate (2005-2009, 2009-2013).
Asnjë kryeministër, përveç Fatos Nanos, nuk mundi të ngrejnë institucionin e ish kryeministrit, të kenë status institucional si ish kryeministër. Kjo jo dhe aq për pamundësitë e tyre. Aleksandër Meksi, pas dy mandateve jo të plota kryeministrore (1992-1997), iu përkushtue biznesit privat dhe kur iu ba ftesë e iu mbush mendja të hynte në garë politike për deputet në Parlamentin e Shqipërisë në elektoriadën 2005 ai kishte humbë elektoratin e tij të dikurshëm. Bashkim Fino, kryeministri 4 mujor i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar nuk luajti në asnjë legjislaturë e mapasme nga deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pandeli Majko, dy herë kryeministër (shtator 1998-tetor 1999 dhe shkurt-korrik 2002) gëzoi vetëm statusin moral si ish kryeministër, pasi u angazhue si ministër i Mbrojtjes (korrik 2002-shtator 2005) kur e majta qeverisëse mbeti në opozitë. Ilir Meta, kryeministër në dy mandate (nëntor 1999-shtator 2001 dhe shtator 2001-shkurt 2002) nuk arriti të ngrejnë institucionin e ish kryeministrit, pasi u zgjodh zv/kryeministër e ministër i Jashtëm (2002-2003) në Qeverinë e rradhës “Nano”, po statusi moral i këtij institucioni i ndihmatoi atij politikisht e publikisht kur dha dorëheqje nga detyra ekzekutive e partiake në PS dhe për ma tepër dhuntive e aftësive të tij politike e prijëtare iu dha fuqi shtytëse e ringritëse kur formoi Lëvizjen Socialiste për Integrim (shtator 2004). Askush si dhe sa Ilir Meta, dy herë kryeministër e tre herë zv/kryeministër, nuk është ma afër një mandati kryeministror në këtë koalicion të majtë qeverisës apo në ndonjë koalicion tjetër të detyruar apo të provokuar prej tij apo të tjerëve. Mjeshtri politik Fatos Nano, pas dorëheqjes si kryetar i PS më 3 korrik 2005 dhe si kryeministër më 1 shtator 2005, e mbajti si domosdoshmëri të tij politike e jetësore institucionin e ish kryeministrit duke aktkrye deri edhe akrobaci politike të (pa)kushtueshme në karierën e tij, si për thyerje bojkoti më 2007, duel politik, ideologjik e diplomatik me Edi Ramën e Ilir Metën, përballje politike me Sali Berishën, përpjekjet e dyhershme për t’u zgjedh President i Republikës, etj.
Pas 15 shtatorit 2013 Sali Berisha e ngriti menjëherë institucionin e ish kryeministrit, sipas statusit ligjor, duke e kthyer në një institucion tepër aktiv, falë energjive e ambicieve të tij, në saje të përkushtimit e kohës dixhitale, në ecje me të njëjtat valë të kërkesave aktuale të lidershipit euro-atlantik, duke u përballë me realitete politike, kombëtare, sociale, etj. pothuajse çdo ditë e shpeshtas edhe disa herë në ditë. Ma së forti si opozitë e Qeverisë Rama-Meta.
Askush ma tepër e ma mirë se vet Sali Berisha nuk e ka në dorë këtë institucion për t’ia ruajt ngjyrat kombëtare, për të mos e futur në labirinthe politike të ditës, për të përcjellë prognoza ardhmërie, kulturë qytetare, realitete perspektive, etj. Ky institucion mund të ketë për shembullim modelin amerikan, ndoshta edhe me asistencë të derës politike të Bushëve; të dimensionojë struktura e drejtime të punës, të aplikojë e jetësojë projekte kombëtare, të ngrejnë një fondacion sipas praktikave të presidentëve euro-atlantik, etj.
Ky institucion “Berisha”, institucioni i tij si ish president dhe ish kryeministër i Shqipërisë, me “seli’ (zyra) tek kulla e lart “ABA Center” në Tiranë, formon një trekandësh të baraslarguar me Presidencën dhe me Kryeministrinë. Kjo nuk është risi dhe as rastësi. Ky institucioni i tanishëm “Berisha” është këndi i tretë i karierës së tij politike, por jo i fundmi. Nesër, Sali Berisha mund të jenë “këndi 1”- ai i Presidencës, si dikur në fillimet e karierës së tij politike në pozitë. Nuk i dihet politikës shqiptare e ndikimeve ndërkombëtare. Ndoshta, Sali Berisha, rikthehet edhe tek “këndi 2” – ai i Kryeministrit drejt të cilit po ecin edhe Lulzim Basha, edhe Ilir Meta, po ndoshta do të mbetet deri në fund të mandatit 4-vjeçar edhe kryeministri aktual, Edi Rama, që ka nxanë rranjë thellë e po lëshon degë të forta çdo ditë, po betonon klanin e tij politik të prejkohshëm.
5.
Prapë po e ricekim: Dorëheqja e Sali Berishës përban një nder të dyfishtë: edhe për Partinë Demokratike, edhe për vet Sali Berishën – liderin e saj të derisotëm.
Sa ma shumë t’i lëshojë hapësira liderit të ri e ekipit të tij kryesues aq ma shumë e ma mirë do të ecin ky lidership pasardhës. Aq ma shpejt do të ringrihet kjo parti historike, aq ma e shpejtë do të jetë edhe fitorja e saj e pritshme, krejtësisht e mundshme. Sali Berisha nuk është pengesë reale e PD në këtë etapë të re të saj, pavarësisht çka flasin kundërshtarët e tij politik nga llogoret apo gropat e veta. Çështja qëndron kështu: lidershipi i PD të mos ngjajë as në vizion politik e publik si një shqiponjë me dy koka, siç është tek e majta dyshja qeverisëse Rama-Meta. Ndoshta, kjo parti euro-atlantike, mund të ketë në simbolikën e vet joemblematike elefantin e Partisë Republikane Amerikane, pasi elefanti është një nga katër kafshët ma të zgjuara të tokës, ujit e qiellit. Në këtë rast flasim në kuptimin që një “elefant politik” po ikën nga lidershipi i PD dhe tjetri “elefant politik” po vjen drejt lartësimit si lidership i PD. Në simbolikë, ky krahasim, duhet parë edhe kësisoj: PD duhet të ketë ecjen e elefantit me hap të qëndrueshëm e qëndrestar. Nuk ka nevojë që ta marrin me turravrap lidershipi i PD teksa është duke ecë ngadalë e ngultas, drejtë e qartë si elefanti politik në rrugën e rikthimit të saj në pushtet.
Në Partinë Demokratike vetëm Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 dhe kryetar i Komisionit Nismëtar të PD (përndryshe: kryetari i parë i PD) e mbajti deri edhe pas vdekjes së tij martire për Demokracinë e Kombin statusin e atributin e tij edhe si ish themeltar e kryetar i PD. Kjo u duk qartë edhe në rivarrimin e tij në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit më 12 shtator 2013. Një tagër të tillë, këtë atribut e status si “ish kryetar i PD”, mund ta mbajnë vetëm Sali Berisha, lideri “de jure” e “de facto” i derisotëm i kësaj partie të djathtë. Dhe kjo iu mundësua vetëm tani pas dorëhehqjes së tij nga kreu i PD.
Gjithkush duhet ta mirëkuptojnë faktin politik e moral se sa të vështirë e ka lidershipi i sotëm Lulzim Basha që në partinë e dy figurave të tilla historike si Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari dhe legjenda e gjallë Sali Berisha të ngrihet menjëherë si lidership i ri në realitete kohore e në vizionin e PD-së e të Shqiptarisë. Përveç kësaj, Lulzim Basha rrugën në PD e ka ma të hapur se Azem Hajdari dhe ma të vështirë se Sali Berisha. Përndryshe, Lulzim Basha e ka profilin e formatin e tij në PD e jashtë saj deri në kancelari euro-atlantike, e ka frymën e imazhin e tij në PD e jashtë saj, e ka historikun e vet në PD nga gjimnazist pjesmarrës në mitinge e protesta të PD në vitet 1990-1991, nga vëzhgues i PD në zgjedhjet e marsit 1992, antar e zëdhenës i saj më 2005, ma i votuari në Këshillin Kombëtar të PD, lideri i saj me mbi 80 për qind të votave të antarësisë, etj. Çështja shtrohet: Lulzim Basha, kryepolitikan i shek. XXI për të PD e aleancën e të djathtës shqiptare, i treti lider faktik në krye të PD, a do të mbetet i treti kryelider i saj edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2015, edhe në dekadën e tretë të këtij shekulli të ri?
Tani ma shumë se kurrë dhe ma mirë se asnjëherë, një lider i përmasave mbarëkombëtare dhe i dimensioneve euro-atlantike si Sali Berisha mundet ta kthejnë në institucion statusin e tij si ish kryetar i PD. Këtë po e kryen në përditmëri. Kjo është një vlerë e madhe për Partinë Demokratike.
Kjo duhet vlerësue nga lidershipi aktual i PD, veçanarisht nga disa figura të saj të promovuara si pjesë e legjislativit dhe ekzekutivit shqiptar ndër vite. Përndryshe, do të ngjasë si me LDK-në e liderit Ibrahim Rugova në Kosovë, veçse me një ndryshim: në gjallje të vet Sali Berisha do të jetë e bëhet garant i fortë.
6.
Sali Berisha, ky mal politik, ky thesar i PD-së, po shkon drejt largimit përditësor nga kreu i PD-së pa i marrë pjesë kurrkujt, pa i ba hije askujt. Përkundrazi: në malin politik Sali Berisha kanë lisnue e po lisnojnë figura të sotme politike të Partisë Demokratike, me përjashtim të veçantë pjesor si rasti e fenomeni Lulzim Basha që është listue e lisnue si një figurë euro-atlantike e politikës shqiptare qyshse në kohën kur ishte në Kosovë, në struktura të OKB si UNMIK-u apo në grupin themeltar të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës. Merreni me mend: pas një mali politik të madh si Sali Berisha, sa të vështirë e ka Lulzim Basha të lartësojnë shpejt malin e tij politik në formësim e në rritje politike në ringritjen e PD, në riardhjen në pushtet.
Me Sali Berishën po ngjet si me malet: sa më shumë që na largohen si vizion aq ma madhështor na duken përballë. E pse po ngjet kjo dukuri politike reale?
Lideri Sali Berisha po ecë drejt një starti e stadi të ri politik: po kthehet në Simbol i PD. Kjo është koha ma ideale që PD të ketë një lartësi të tillë, një simbol të tillë.
Kjo ndihet tepër e nevojshme në këtë kohë të riardhjes në pushtet të PS, kur kjo po e rinxjerr në skenë simbolin e saj: Enver Hoxhën. Kjo duket në teori e në praktikë: në struktura të partisë, qeverisë, etj. sepse partia e etërve bolshevikë po bahet e bijëve të tyre socialistë.
Sali Berisha po shkëputet gradualisht nga roli organizativ e ekzekutiv në PD. Edhe po të dojnë vet nuk mund të largohet aq shpejt pasi syri e mendja e figurave politike të PD e antarësisë së saj nuk mund të mësohen me largimin e tij. Gjithashtu, vlerësimi e mirënjohja nga figura politike e nga antarësia e thjeshtë e PD e ofrojnë vazhdimisht në vizion, kujtesë, shembëllime.
Të mësuarit e PD me Sali Berishën si simbol i saj merr kohë. Kjo ka arsyet e veta. Sali Berisha nuk është i keqpërdorur si simbol si Fatos Nano të cilin etërit e 8 nëntorit ’41 e deshën për imazh politik të pluralizmit e tranzicionit, donin ta kthenin në simbol për kohor, por e flakën me kërcenime jete në vapën e korrikut 2005, dhe, pas dorëheqjes si kryeministër, iku në Vjenë për t’i hapë dritëudhë politike Edi Ramës, të përzgjedhurit si lidership i së majtës. Sot, ndryshe nga Lulzim Basha në PD apo Edi Rama në PS, Ilir Meta është i vetmi politikan që e ka partinë si “hipotekë”politike të tij. Ky e themeloi me autoritetin e tij, e drejton me fuqinë e tij, po nuk mund të jetë simbol i kësaj partie, pasi ende është lider politik, ekzekutiv e organizativ i saj. Sali Berisha në gjallje të vet arriti të bahet simbol i partisë së tij.
PD e ka shembëllimin me simbolet tek partitë e së djathtës historike, si tek Partia Levizja e Legalitetit dhe tek Balli Kombëtar. Ka tre breza që PLL (OKL) i mban si simbole të saj Mbretin Zog, Mbretin Leka I, Familjen Mbretërore Shqiptare. Ka rreth shtatë dekada që prej vitit 1949, Partia e Ballit Kombëtar e mban si Simbol të saj Mit’hat Bej Frashërin, ish kryetarin e saj, djalin e Abdyl Frashërit. Përndryshe, nistue edhe nga ky fakt, duhet të theksojmë se një nga dobësitë e obligimet e liderit Sali Berisha është e mbetet edhe promovimi politik i pasardhësve të tij dybreznor, ndërkohë që fjala vjen, vajza e tij, gjimnaziste, Argita Berisha (Malltezi), vlerësohet në shtypin e kohës (Zëri i Rinisë) qyshse më 30 qershor 1990 si “një e re me ambicie, njohuri e pasione të mëdha”, ishte ndër të parat e në vitet e para të PD, etj. Nuk flasim për katapultime të tyre, por iu duhet hapur rruga atyre, sepse ka shembuj në Parlament, si tek LSI, si çifti politik emblematik Meta-Kryemadhi.
7.
Lideri Sali Berisha përban rastin e vetëm në politikën shqiptare postkomuniste që edhe kohë pas largimit nga detyra e lartë e Presidentit të Republikës të jetë i zgjedhur deputet në Parlamentin e Shqipërisë. As Alia, as Meidani, as Moisiu, as Topi, astenjani nga këta ish-presidentë, për arsye të ndryshme nuk ia mbrrinë të zgjidhen deputetë.
Sali Berisha sivjet e ka thye një tjetër rekord: deputeti ma i vjetër në moshë në Parlamentin e shtatorit 2013. Po ka energjinë dhe vitalitetin e brezit 40-50 vjeçar të liderëve të partive të sotme parlamentare.
Rekordi tjetër i Sali Berishës. Vet i pesti, me Gramoz Ruçin, Kastriot Islamin, Namik Doklen e Ilir Metën janë deputetët ma jetëgjatë të Parlamentit Shqiptar, të zgjedhur në ma shumë legjislatura. Berisha, nga marsi i vitit 1991 ka pasë vetëm një shkëputje rikthyese, kur u zgjodh President i Republikës (9 prill 1992-24 korrik 1997).
I katërti rekord i Sali Berishës si ish kryeministër. Në historinë e parlamentit të dekadave të fundit të demokracisë, sëbashku me ish kryeministrat Bashkim Fino, Pandeli Majko e Ilir Meta, kanë mbijetuar mirë e aktiv në jetën parlamentare deri në legjislaturën e fundit. Ndonjëri prej tyre si Ilir Meta u lartangrit në kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Këto katër rekorde të vetme apo të përbashkta të Sali Berishës dhe përballjet e tij të forta në Parlament ndikojnë në opinionin politik e publik. Ndaj, nisur edhe nga ky fakt, e majta në pushtet edhe me vetdashje e djallëzi akuzon për bashkëkryetarësi në drejtimin e Partisë Demokratike, ndërsa tek qytetarë e simpatizantë të PD nganjëherë ka edhe keqkuptime, të cilat do të kapërcehen me kalimin e kohës.
8.
Dorëheqja pa lamtumirë e Sali Berishës nga kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë ishte vullnet i lirë politik, kulturë politike e afirmuar prej kohësh në karierën e tij politike e qytetare. Sali Berisha dha dorëheqje si mjek po mbeti profesor doktor i shkencave mjekësore. Dha dorëheqje si kryetar i PD në pozitë dhe u ba President i Republikës. Dha dorëheqje nga posti i shenjtë i Presidentit dhe u rikthye tek PD, tek partia ku ishte një nga themeltarët historik e prijtarët ma të guximshëm, ma të suksesshëm të tranziocionit të tejzgjatur shqiptar, të demokracisë së re shqiptare. Dha dorëheqje si kryetar i PD e si kryeministër i Shqipërisë, po mbeti e po mbetet ish-President, ish-Kryeministër, ish-kryetar i PD. Një institucion i trefishtë. I pazëvendsueshëm, duan apo s’duan politikanë të ’41-shit, të ’91-shit, të 2013-tës.
Sali Berisha, ky lider epokal, e lexoi në çdo gjuhë e në çdo fjalë humbjen e thellë të 23 qershorit 2013. Po rrallëkush në forume drejtuese të PD po e (ri)lexon kryefund, fjalëpasfjale, dorëheqjen e Sali Berishës të 26 qershorit 2013, e cila do t’iu kujtesoj e përkthej shumë realitete në dimensione kohore nga e shkuara, në të sotmen e drejt të nesërmes. Fjalathaniet e dorëheqjes së Sali Berishës nuk janë as si Bibël e as si Kuran, po aktdorëheqjen e Sali Berishës asnjë klan apo flamë brenda apo jashtë PD-së e sistemit të sotëm demokratik shqiptar e euro-atlantik nuk mund ta bajnë “kurban”. Akti e teksti i dorëheqjes së Sali Berishës nuk kanë nevojë për intrigime po për integrime, nuk lypin konspektime po reflektime, nuk duhen si citate, po për hapa politik, nuk ka nevojë për nostalgji e apelime figurash, po për ringritje të PD e lidershipit të saj prijtar Lulzim Basha me ekipin e tij në formësim e formatim afatgjatë.
Diçka duhet kuptue ma qartë: Sali Berisha ishte e mbetet i fuqishëm përderisa ishte themeltar e prijëtar i PD, e cila i dha fuqi Sali Berishës të bahet kryetar i saj, President i Republikës, Kryeministër i Shqipërisë, të ketë sot një institucion të trefishtë: “Institucioni Sali Berisha”. Erdhi një kohë, kjo e fundmja, kur Sali Berisha po e mbante me fuqinë e tij Partinë Demokratike. Dhe shumë herë ia doli mbarë, po jo vazhdimisht e tepër gjatë, sepse shpeshtas PD nuk po i jepte fuqinë e duhur Sali Berishës dhe as Qeverisë “Berisha 2”, si në elektoriadën e 23 qershorit 2013.
Timonierit Sali Berisha nuk iu mbyt me fundosje titanike anija politike PD në detin e pastër e të pistë të politikës së sotme shqiptare. Sali Berishën asnjë dallgë e politikës nuk e tejhodhi përtej anijes së tij, nuk e përcolli në brigje përtej politikës së sotme e të nesërme. Ai është në PD me profilin e formatin e tij të madh, me trashëgiminë e tij të vyer. Ai është ende në Kryesinë e PD-së. Ai do të jetë në Këshillin e saj Kombëtar të viteve në vazhdim edhe si ish kryetar i PD-së. Ai është deputet i PD në Parlamentin Shqiptar. Sali Berisha nuk po ikën nga kjo anije e PD për t’u rikthye me nëndetëse në krye të saj.
Sali Berisha tashma është Simbol i Partisë Demokratike; tashma ka institucionin e tij të trefishtë: ish president, ish kryeminister, ish kryetar i PD; tashma është deputet “senator” i Parlamentit Shqiptar, ma i vjetri në këtë legjislaturë, ma aktivi në të gjitha legjislaturat e tij.
Historia e dekadave të fundit na dëshmon se Parta Demokratike e Dhjetorit ’90 nuk është parti e një dite dhe as e një viti, qoftë ky edhe viti 1997 i rebelimit të armatosur, qoftë ky edhe viti 2013 i mashtrimit elektoral ajzberig e i politikës eksplozive të së majtës.
PD me kryetar të ri Lulzim Bashën ka një historik që të ban krenar, ka figura e simbole politike si Sali Berisha e Azem Hajdari që i bajnë nder; ka një trashëgimi që e ban të fortë, ka potenciale e vlera njerëzore që i japin jetë, ka parime të larta, ide të pashterrshme, projekte të mëdha që të japin shpresë e udhë, të bajnë me krahë dinjitar.
Tani Partia Demokratike ka një lidership të ri: Lulzim Bashën, një figurë emblematike kombëtare-shqiptare dhe euro-atlantike, që premton e veprimtaron për një fillim të ri të kësaj partie që bani epokë. Lideri i ri Lulzim Basha tani në përditmëri po e kthen PD në një mazhorancë morale dhe së shpejti edhe në një mazhorancë zyrtare.
Sidoqoftë, Partia Demokratike me Lidershipin e Ri, në këtë Fillim të Ri, duhet të ruajnë ngjyrat e saj politike e kombëtare, rrënjët e saj politike e kombëtare, lidershipin e saj të derisotëm politik e kombëtar.