Nga Ilir Levonja/
Ky konflikti i hapur tashmë mes Berishës dhe lidershipit të Kosovës duket se i shërben shumë zgjedhjeve të ardhshme lokale. Kjo shfryma e urrejtjes dhe e demaskimit të gjarprinjëve të Kosovës, patriotizmi i madh, vigjilenca etj., do u siguroj demokratëve një fitore plebishitare. Madje aty do nisi edhe kthimi i madh. Ndaj sot të gjithë motorët vlojnë karshi një gjarpri, një mbeturine nga kuzhina serbe. Kësisoj në zgjedhjet e vitit që vjen, llava demokrate do përmbysi platformat e socialistëve që kanë filluar nga përgatitjet që në prill të këtij viti. Njihen tashmë ato platformat politike e formularëve me numrin e pemëve të mbjellura, tarifat e kanilizim gjelbërimit, lejet e ndërtimit dhe efikasiteti i zërave të buxhetit të shpenzuar etj. Kjo si një tentativë për largimin nga rikandidimi i ca gjeneralëve provincialë që po i marrin frymën qyeteve si Elbasani, Durrësi, Vora, Bilishti etj. Kurse demokratët nuk kanë filluar akoma, presin shtatorin. U duhen ca energji nga pushimet për shkak të mos prishjes së axhendës së tyre pavarësisht se firot përshembull në bujqësi janë një humnerë për shkak të atyre mijëra probleme tashmë gangrenë e jona. Kësisoj Berisha ka të drejtë të na mbushi minutazhet e nxehta me histori gjarpërinjsh e ish marrëveshje nga viti 1992 me Bulatoviçin. Gjëra që fare mirë mund t’i përblidhte në një libër kujtimesh etj. Por jo, platformës demokrate i duhet pikërisht një shfrymë kundër gjarpërinjëve të Kosovës. Një shfrymë patriotike karshi kontureve tashmë të shpërbëra të Shqipërisë. Një shfrymë si ajo në 100 vjetorin e pavarësisë në Vlorë, mbi kufijtë nga Presheva deri në Pargë. Se ne patriotizmi na mban gjallë…, na ka sjellur në pushtet menjëherë. Atë të humbjeve të një pas njëshme dhe diskordancave të mëdha të lidershipëve në çështje po kaq të mëdha. Një sherr katrahurë për ta na mbajtur akoma në vitin 1992 dhe jo në problemet imediate siç është privatizimi dhe rënia e demokracisë. Katastrofa me prodhimet bujqësore, kjo për faktin e mos pasjes në kontroll të përdorimit të pesticideve. Por edhe tek pa aftësia e menaxhimit të tregtimit të produkteve. Asnjeherë ata që hartojnë platforma politike paraelektorale nuk e kanë përfilluar a konceptuar bujqësinë si një industri e mundshme në territorin shqiptar. Megjithëse kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh në kultivimin e bimëve narkotike deri në lartësitë e Progonatit e Kurveleshit. Pa përmendur xeherorët që sot vuajnë nga një përvetësim pervers i ca shfrytëzuesve ilegalë të shekujve të kaluar. Apo burimet e tjera natyrore që mund t’i sjellin vendit asete më të mëdha se Thaçi, Berisha, Rama a Haradinaj. Mirëpo ne si gjithmonë, se çdreqin na tërheq në ca kuriozite nga e shkuara e raporteve të nxehta, aq sa vdesim të dimë se ka apo nuk të drejtë gjarpri apo ish sekretari i partisë, Xhepi i letrave apo piktori i halucinacione të nomenklaturës. Shfrymë, urra, burra… sikur në herë të vetme të pyesnin e të krahasoheshim se çfarë pasurie ka Rama, Berisha, Thaçi, Hardinaj karshi nesh? Sikur ata të kishin nga një vilë ekxtra, dhe ne nga një apartament, ta dini se kemi për pjesë liderët më të suksesshëm të të gjitha kohërave. por raporti jonë me ata është 100 ata e ne asnjë, asgjë… Dhe kjo ka shpjegimin, reformat hipokrite të rracës dhe sojit politik shqiptar. Një plagjaturë e nomenklaturës e ndarë sot në ca interesa vetjake me pretendimin e burrit të shtetit.
Kjo është e gjitha një platformë e qartë për një humbje të radhës. Sepse zgjedhjet lokale a politike nuk fitohen me çështje politike dhe me shfrymë gjoja patriotësh. Apo qejf mbetje pasi e drejta kombëtare fillon nga Shqipëria. Nëse do të ishte kështu në bisedimet e detit, qofshin ato të parat apo këto të tanishmet të Ditmirit, duhej të kishte përfaqësues nga shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nuk mund të flasësh me Greqinë, përshembull për kufirin detar, pa Kosovën. Në fund të fundit ishin Isa Boletini dhe Hasan Prishtina ata që tretën jetën dhe mallin për Shqipërinë. Nuk ishte kasta dhe soji i Edi Ramës. Kasta dhe soji i Edi Ramës, shpikën bunkerët, telin me gjemba, etj. Atëherë do kishim të drejtë legjitime t’i çirreshim Thaçit, ta quanim me gjithë mend gjarpër. Po gjithsesi, janë ca devijime tashmë klasike të lidershipit tonë. Nga problemet imediate, ato të ditës, ekonomia e vendit. Dhe jo rastësisht. Dhe kjo është tepër e trishtueshme.