Aktorja e shquar e skenës shqiptare, Besa Imami, e cila gdhëndi me dinjitet personalitetin e femrës shqiptare, është nderuar nga Gjakova, vendlindja e saj, me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.
Artistja e Merituar, Margarita Xhepa do ta quante një propozim të vonuar duke shtuar se Besa Imami i ka dhënë shumë artit në Shqipëri. Ceremonia për dhënien këtij çmimi u zhvillua në ambientet e Teatrit të Gjakovës, në një sallë te tejmbushur nga miq, artëdashës si dhe familjarë të aktores së njohur Besa Imami.
Propozimi i Zenepe Lukës, Drejtoreshës së Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, për vlerësimin e figurës së aktores Imami, me mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Fondacionit, si dhe Drejtorisë Komunale të Kulturës në Gjakovë, ka marrë edhe miratimin e kryetares së Komunës së Gjakovës, zonjës Mimoza Kusari Lila.
Migena Arllati, poetja, shkrimtarja dhe njëkohësisht albanologia e njohur e qëndrës së Albanologjisë së qytetit të Gjakovës, në ceremoninë e hapjes u shpreh se “këto dy ditë në Gjakovë, kryesia e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” krijoi edhe degën e saj në këtë qytet dhe duke u munduar të gjejmë sa më shumë fije të përbashkëta si shqiptar që jemi, midis dy anëve të kufirit, nuk kishte se si të harronim emrin e Besa Imamit, gjakovares sonë, e cila është larguar që në fëmijëri me familjen”.
Ajo u shpreh se “Drejtoria Komunale e Kulturës si dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e nderojnë sot emrin e aktores së madhe Besa Imamit, me një mirënjohje të veçantë dhe në pamundësi të pranisë së saj në këtë event, i pranishëm këtu sot është i biri i saj, gazetari i mirënjohur, zoti Artur Zheji, i cili nuk është këtu vetëm për të tërhequr çmimin, por edhe për të na sjellë në skenë, pak nga ajo Besa jonë gjakovare”.
Në skenën e teatrit gjakovar është ngjitur i shoqëruar mes duartrokitjesh të shumta, djali i Besa Imamit, Artur Zheji, i cili pasi u shpreh se po përjetonte një ndjesi të veçantë në qytetin e lindjes së nënës së tij, rrëfeu për të pranishmit se “jam rritur në një familje, e cila kishte marrë me vete Kosovën në emigracion, dhe ku flitej rreptësisht dialekti i Gjakovës” .
“Kur flitej për Gjakovën nënkuptohej e gjithë Kosova, dhe jam edukuar që në fëmijëri me një dashuri, mall e nostalgji për Kosovën, dhe kjo e fundit falë meritës së gjyshes (nënës së Besa Imamit) dhe nënës sime Besa Imamit. Edhe unë sot ndihem i rikthyer në qytetim tim të lindjes, edhe pse nuk kam lindur këtu, por jam 50 % gjakovar shprehet Zheji.
Jo vetëm marrja e këtij çmimi në mungesë fizike të nënës së tij, por edhe një tjetër arsye thotë z.Zheji ishte vizita e tij së bashku me familjen në vendlindjen e Besa Imamit. “Erdha në vendlindjen e nënës sime, për të vendosur edhe ato ura të pashlyeshme midis një vendi të ndarë artificialisht përgjysmë siç është Kosova me Shqipërinë”, është shprehur z.Zheji ndërsa falënderoi Fondacionin si dhe Kryetaren e Komunës së Gjakovës për dhëninë e këtij titulli, artiste e meritur për Besa Imamin.
Gjithashtu, edhe një ndër mikeshat e saj më të mira, Artistja e Merituar, Margarita Xhepa, anëtare e fondacionit Nermin Vlora Falaschi, e lartësoi figurën e akores së shquar Besa Imami, duke theksuar se “..dhe që kur është ngjitur në Teatër për herë të parë, midis aktorëve të mëdhenj, ajo tregoi që ishte po aq e madhe midis tyre, nëpërmjet interpretimit si dhe rrezatimit që ajo kishte si në skenën teatrit ashtu edhe në kinematografi”.
“Ajo është një aktore e shquar”, vijoi Xhepa duke shtuar se “i dha shumë artit në Shqipëri. Edhe pse ky ishte një propozim i vonuar, unë dua të falenderoj Fondacionin i cili gëzon e nderon sot këtë grua, nënë e aktore të shkëlqyer, që gjithmonë të mbetet e pa harruar si të gjithë artistët shqiptarë”. Ndërkohë që pas zonjës Xhepa, në mungesë të kryetares së Komunës Gjakovë, zonjës Mimoza Kusari Lila, Drejtori i Kulturës së komunës, z.Meriton Ferizi, pasi shprehu keqardhjen e zonjës Lila, që nuk mund të ishte e pranishme në dhënien çmimit që ajo vetë e nënshkroi, i dorëzoi Artur Zhejit edhe çmimin për Artisten e Merituar, me motivacionin “Besa Imami, aktore e madhe e skenës shqiptare, figurë të cilën e lartëson mbi 100 role në teatër dhe kinematografi, ku gdhëndi me dinjitet personalitetin e femrës shqiptare”.
Besa Imami ka lindur në 8 Gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937 familja e saj do të shpërngulet në Tiranë.
Që prej shtatorit të vitit 1946 e deri në 1 Shtator të vitit 1988, Artistja e Merituar, Besa Imami i ka dhënë publikut mbi 90-të role. Këtu mund të përmendim : rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani” e Selman Vaqarrit , rolin e Nënë Zyrasë tek “Bashkë me agimin” e Bashkim Kozelit, rolin e Prendës tek “Cuca e Maleve” e Kolë Jakovës, rolin e Klara Gaberit tek “Procesi i Lajpcigut-Gjergj Dimitrovi”, rolin e Rushës tek “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës, rolin e Lajes tek “Lulet e Shegës”, rolin e Nënës tek “Monserati”, rolin e Gjinervës tek “Rrënjët e thella” etj. Rikthehet përsëri në skenë në vitin 2004 për të interpretuar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulahës në roline malësores. Në kinematografi ajo do të bëhet e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skëndërbeu” të realizuar në vitin 1953.
Më pas do të vijonin role të tjera si roli i Martës në filmin “Brazdat” në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Nënës së Gurgenit në filmin “Balada e Kurbinit” në vitin 1989 etj.
Roli i saj më i fundit është ai i gruas myslimane në filmin “Eduart” në vitin 2006. Roli i saj më i fundit është ai i Gruas myslimane në filmin “Eduart”. Ajo gjithashtu ka interpretuar edhe në operën “Kavaleria Rustikane” të Pietro Maskanjit të vënë në skenë nga Teatri i Operës dhe i Baletit.
Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”.//k.musabelliu.