• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË 35 VJETORIN E VDEKJES, NJË ELEGJI DHE NJË KARTELË PËR POETIN ÇAM BILAL XHAFERRI

October 15, 2021 by s p

nga Visar Zhiti 

Në SHBA, në Chicago, 35 vjet më parë u shua shkrimtari çam Bilal Xhaferri, i arratisur nga Shqipëria, kur atje sundonte diktatura më e egër në perandorisë komuniste.. 

Një elegji dhe një kartelë, të shkruara nga Visar Zhiti, kemi zgjedhur sot për të kujtuar dhe nderuar Poetin……

ELEGJI E JUGUT 

PËR KTHIMIN E BIRIT TË VDEKUR 

Bilal Xhaferrit 

Ç’anije zije 

ç’avion malli 

do të çajë OqeanQiellin e ëndrrës 

për të sjellë vdekjen tënde në Atdhe? 

Ndërsa funerali i dallgëve dhe i reve 

s’mbaron e s’mbaron. Mbi një flatër 

të bardhë varet një ylber i këputur… 

si frerët e një kali, 

e dëgjon? Pegasi 

rend me arkivolin tënd mbi shpinë, 

ndali duke ngulur potkonjtë 

në baltë. 

Ku është shtëpia jote? E dogjën të huajt, 

tanët dogjën këngën tënde. Truall 

i zhuritur 

me kufomat e ullinjve të jetës, – 

të pushkatuar përreth, 

varret bosh- i përzunë të vdekurit, 

po a mund të hedhim në çdo gropë dhëmbjeje 

nga një eshtër tënden, 

sa për shenjë; këtu 

fillon Epiri dhe mbaron në shpirt… 

Fantazma e Çamërisë kapërceu 

Gurin e Fatit, 

më gjunjë të ra. A do ta ngjallin dot 

fjalët e gjuhës së përlotur Ballin tend? 

Ku-do të prekin gishtat e përgjakur të erës 

kufirin si brinjët. 

Ç’ helm t’i mavijosi porositë prej mishi? 

E deshe Fisin sa vdekjen s’ia dhe, e mërgove larg, 

por tufa e ujqërve vazhdimisht shqyen me dhëmbë 

atë blegërimë jetime 

që mardh mbi borën ballkanike. 

Befas u bërë fëmijë përsëri 

dhe jot motër t’u bë mëmë e vogël. 

Kush po tregon me zërin tënd për udhët 

që shtrove me zi-ftin e brengave? Dhe tërhiqeshe 

për t’u mbrojtur në kështjellat e Skënderbeut 

që i ringrite 

dhe si me magji u shndërruan në qiellgërvishtëse 

në Kontinentin e Ri, 

arratia është e vjetër, si zjarri 

që të ndoqi nga pas, jo vetëm ai i frymëzimit, 

por dhe i atij që të dogji shkrimet. Medet! 

E fundmja gjë në botën moderne 

nuk është morgu, jo, 

as lavdia, e ftohtë po aq. E ç’mbetet nga dashuria? 

Si dikur…

Buzëqeshjen jote- trëndafil Jugu 

ka çelur në një përkrenare ilire, 

me pakëz dhé tragjedish brenda.  

________________________________________ 

Nxjerrë nga “Vepra, Bilal Xhaferri”, Vol. V, Tiranë, 2010

Kartela Bilal Xhaferri

(1935 – 1986)

Me baba të pushkatuar, çami i përndjekur Bilal Xhaferri, i kishte të gjitha rrugët e së ardhmes të mbyllura. Ai dhe një jetë të zakonshme si jetët e tjera në diktaturë nuk mund ta bënte dot, jo më të lejohej të bëhej shkrimtar,

Është punëtor krahu. Në shkollë të lartë as që bëhet fjalë se mund të shkojë, madje as në gjimnaz. Megjithate në mynxyrën e tij do të ketë një lloj shprese si dritë vobektë, Është talenti i tij.

Dërgon tregimet e para për botim. Pëlqehet menjëherë. Por bashkë me famën, do t’i vinte shpejt dhe rënia. Rënie brenda rënies, pikërisht atje mes shkrimtarëve…

Dhe s’i mbetet gjë tjetër, veçse të arratiset. Shkon në SHBA… vdes në Çikago në rrethana të dyshimta, ku thuhet se mund ta jetë asgjësuar dhe nga kanale të fshehta, ndonjë agjent në shërbim të regjimit Stalinist shqiptar.

…lindi në fshatin Ninat afër Konispolit në 1935, babai i tij, Xhaferr Hoxha, i lidhur me Ballin Kombëtar, dënohet nga fitimtarët si antikomunist, e vrasin në 1945, në vitin e parë të lirisë,,, e ç’liri zeza do të tundnin

kokat nënat çame.

Bilal u rrit në internim bashkë me motrën, emrin e të atit e bëri mbiemër, të mos e njihnin, mbas shkollës 7–vjeçare, bëri një vit shkollë për gjeometër, por jo, mjaft, kaq… Dhe nisi punën herët, punëtor krahu,

shtronte rrugët, ku ta çonin. Andej nga Veriu, afër Rrëshenit, gjeti një mecenate shpirtërore, shkrimtaren e dalë nga burgu, Musine Kokalari.

Edhe kjo miqësi do të përndiqej, janë raportet në dosjet deri dhe të ministrit të Punëve të Brendshme K. A.

Boton poezitë e para, tregimet e para, ndjeshmeria ishte e madhe por dhe befasia, ngjante me mahnitjen. Dhe u lejua të dale libri i tij me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”. Në vitin 1967 u bë gati libri tjetër, ai me poezi “Lirishta e kuqe”. Ai i donte vargjet e tij: Krejt të lira/ si hapësira,/ si era,/ si drita./ Me vargjet si vargmalet/ që shtrihen nga veriu në jug/ dhe nga jugu në veri,/ me vargje të mbirë nga balta jote,/ Shqipëri.

Dhe dorëzoi në konkursin e shpallur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti– Skënderbeu romanin “Krastakraus”. Dhe një konflikt i beftë i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, dalja kundë romanit të bujshëm “Dasma” të Ismail Kadaresë, bënë që atë ta përzënë. Autoritete të Realizmit Socialist, Fadil Paçrami, deri dhe anëtari i Byrosë Politike të Partisë në pushtet, Rita Marko, e kritikuan rëndë.

Dhe e hodhën sërisht në humnerë. Vepra iu ndalua. Libri i tij me poezi, që priste shpërndarjen, u dërgua në fabrikën e Letrës ne Lushnjë, për t’u ricikluar në letër të bardhë si harrimi, autorin e riçuan në internim.

“Poet i nëmur” do ta quante shkrimtari Sabri Hamiti. Meqënëse vendlindja e tij ishte fare në Jug, në kufi, ai gjeti rastin fatlum dhe u arratis për në Greqi. Pa Çamërinë e tij dhe këndoi i dëshpëruar.

Një vit më pas fluturoi përtej oqeanit, në kontinentin e ri, në SHBA.

Punon në Boston në gazetën “Dielli”. Dërgon për botim në Prishtinë romanin për Skënderbeun, në fakt për Shqipërinë mesjatare, tani me titullin “Ra Berati”, por nuk i dhanë përgjigje.

Shkon në Çikago në vitin 1974, ku dhe themelon gazetën “Krahu I Shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, ku krahas historisë së fisit, do të shkruante dhe për diktatura e lënë në atdhe, për krimet e regjimit.

Vend i vogël,/ kohë e vogël,/ racion i vogël. / Errësirë e madhe,/ frikë e madhe,/ mjerim i madh./ Dhe rrugëve të Atdheut/ Si kukuvajkë nën hënë/Leh dhe ulërin/“Gazi 69”

Makina e arrestimeve. Vinte pa i rënë sirenës. Kur ikte, mbase po.

Ndërkaq nuk kishte ende seriana të makinave te ndihmës së shpejtë, epidemia ideologjike sundonte vdekshmërisht. Dhe andej nga u arratis, ku iku, edhe pse nuk nuk mbërrinte dot “Gazi 69”, do t’i ndaheshin djajtë e kuq, jo ata vetë, por tentakulat e fshehta të regjimit do të kërkonin kokën e tij.

Në kokë e mori goditjen dhe në spital mbaroi në rrethana të dyshimtanë vitin 1986 .

Pas rënies së diktaturës, edhe pas kthimit të eshtrave të Bilal Xhaferrit ne Atdhe, për t’u prehur në vendlindjen e tij, u botua dhe vepra e plotë në pesë vëllime e Bilal Xhaferrit.

Ndërkaq dhe i vdekur ai s’është lënë i qetë. Herë pas here përfliten dhe dyshime në arratisjen e tij si i dërguar… aq sa duket sikur duan të vazhdohet ai konflikti i lënë në mes dikur, në Tiranën e kuqe për “Dasmën”, por tani i përmbysur, ende pa titull.

Gjithsesi Bilal Xhaferrit i janë dhënë medaljet e larta “Martir i demokracisë” dhe “Nderi i Kombit”, iu vu dhe busti para shtëpisë së tij muze në Sarandë.

______________________________________________________

Nxjerrë nga libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”.të Visar Zhitit, Tiranë 2020…

*   *   *

Si poet e shkrimtar Bilal Xhaferri mbart fatin muhaxhir të fisit të tij çam, të përndjekur, të goditur gjithandej, të shpërndarë:nëpër Shqipëri e Ballkan, në Europë e deri në SHBA, ata qendruan me heshtje dinjitoze. Bilal Xhaferri i dha zë dhimbjes çame duke u bërë një nga zërat më tronditës, por dhe më të bukur në letrat shqipe. Edhe pse e këputën ashtu si dhe jetën e tij.  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bilal Xhaferii, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT