Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Shtypi dhe mediat e shumta të Tiranës vendosin në fokus të tyre dizinformacionin. Kjo sindromë, ky morbus duhet të shërohet me çdo kusht. Ti e kupton se noton total në dizinformacion, kur kërkon që ta krahasosh të njëjtin lajm në gazeta apo televizione të ndryshme. Dhe përfundimi është se do të mbetesh me gojë hapur, pasi do të konstatosh se nga lajmi, që ka kaluar në guzhinat e redaksive, ku kryeshefi është pronari apo oligarku i tranzicionit, nuk ka mbetur më asnjë shenjë.
Abuzimi me lajmin në Tiranë është i frikshëm, në kuptimin se si keqpërdoret ai. Është e kuptueshme që çdo gazetë apo televizion të ketë politikën e vet redaksionale, të zgjedhë prej lajmit, të nënvizojë dhe ta kthejë në kryetitull atë që i shkon për shtat, por pa guxuar t’i ndryshojë as edhe një presje.
Kulmi i rrezikut është se politikat redaksionale të gazetave apo televizioneve nuk përputhen dhe nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me interesat kombëtare të vendit. Si ndodh rëndom në një demokraci Perëndimore, ku duke anuar majtas apo djathtas, kritikat janë në shërbim të zgjidhjeve më të mira për vendin dhe në të mirë të opinionit publik. Në Tiranë shtypi dhe mediat kanë politika imponuese, pra diktojnë atë që duan ata, kë duan ata, si duan ata për interesa të tyre dhe assesi të vendit. Diçka që rrezikon integritetin e vendit.
Abuzimi me lajmin në Shqipëri është profesional që nga era e diktaturës dhe kryhet mjerisht nga ata që duhet të jenë zëdhënësit, besnikët dhe përcjellësit e tij, por që kanë dalë totalisht nga roli. Sepse opinionistët e Tiranës janë binjakëzuar dhe trinjakëzuar me politikën dhe oligarkët, pra ia kanë shitur shpirtin djallit.
Lajmin në Shqipëri e veshin, e zhveshin, i bëjnë make up, e përçudnonjë, e zbukurojnë, e lajlulosin, e lenë pa frymë, pa organe, pa asgjë, e kalojnë në gijotinë dhe pastaj e krijojnë sipas gustove dhe shijeve të tyre. Dhe kur vjen puna tek gustot, atëhere ata krekosen e dalin me maksimën latine që thotë « De gustibus non est disputandum », se gustot dhe shijet nuk vihen në diskutim. Dhe kur ke parasysh shijet e pronarëve dhe botuesve të Tiranës, asnjëri prej tyre nuk është as vegjetarian apo vegan, të gjithë janë carnivorë, mishëngrënës. Kështu bëjnë edhe me lajmin, ia rrjepin mishin, deri palcën.
Ju duket makabre, kjo që po ju them. Mos do të më thoni: uff, çfarë sensi antinjerëzor keni kur përshkruani këtë fenomen; zonjë kujdes se keni shkelur etikën profesionale me këtë gjuhë të helmatisur! Por kështu është e vërteta, e hidhur, e helmatisur, pelin, të cilën gazetarët e Tiranës, shërbëtorët e aq shumë zotërinjve e kthejnë me kokë përmbys.
Lajmin nuk mund ta transformojë askush, qoftë ky kush të dojë, qoftë ky të ketë lidhje me kë të dojë, qoftë me kryeministrin apo me liderin e opozitës, apo qoftë i punësuar nga pronarë me lidhje me qeverinë apo me grupet e interesit pranë opozitës, lajmi është kokëfortë, është ky që është dhe si i tillë duhet respektuar.
Në Tiranë lajmi masakrohet. Sikur të mos mjaftonte censura. Të gjithë opinionistët që dalin nëpër ekranët e televizioneve të Tiranës me flokë të sapolyera dhe krehura nga parukieret më në modë të metropolit ballkanas, me kostume shik firmato dhe me këpucë me çmim sa pensionet e dhjetë shqiptarëve, unë i përfytyroj gjithnjë me zinxhirë me dryna, sepse burgosin lajmin. Pastaj kur duan të hiqen elokuentë, për të evidentuar gradat e tyre shkencore, atëhere janë zero me xhufkë, sepse gënjejnë, pasi flasin dhe llapin sikur të kenë adn të përbashkët me të pronarëve. Ndërsa me publikun nuk kanë asnjë lidhje dhe publiku i njeh ata si zëdhënës të politikës dhe oligarkisë tranzicioniste, sepse me urdhërin e tyre lajmi përçundohet, transformohet sipas interesave të partive, partiakëve, oligarkëve, pra lajmi zhvishet nga të qëni lajm dhe kthehet në agjitpropagandë, diçka e ngjashme me kohën e diktaturës.
Këta faqezinj shkelin të drejtën e opinionit për informim sepse lajmi është e drejtë dhe pronë e opinionit publik. Jo vetëm në rang kombëtar dhe rang vendi, por në rang global. Ne e shohim në çdo sekondë se ndodh diçka, kudo që të ndodhë, opinioni informohet menjëherë, ne e marrim lajmin menjëherë dhe gazetarët pastaj bëjnë updated, përditësimin, për ta saktësuar, për t’i shkuar tek e vërteta që është vetë lajmi.
Në Tiranë ndodh e kundërta, në Tiranë gazetarët marrin rroga marramendëse, pushtojnë hapësirat që duhet të jenë pronë legjitime e opinionit publik, për ta çorientuar opinionin publik, për ta larguar nga e vërteta, nga lajmi, për t’ia bërë mendjen dhallë, çorap si thotë populli. Me këtë strategji gazetarët orintohen nga politika, nga botuesit dhe pronarët, të cilët midis tyre kanë lidhje të forta interesi ekzistencial, sepse mbijetojnë falë abuzimit, falë shkeljeve të ligjit të konkurencës, tregut të lirë, i cili vendos kufij dhe nuk lejon të abuzosh as me të drejtat dhe as me pushtetet. Këto të drejta sanksionohen në kushtetutën e një vendi demokratik, ku shteti i së drejtës përjashton çdo lloj abuzimi dhe ku fjala e lirë, e vërteta dhe lajmi janë sovrane. Nëse shkelet sovraniteti i lajmit dhe i të vërtetës, si veprohet në Shqipëri, është shkelur edhe sovraniteti i shtetit, qytetarit dhe opinionit publik.