Në 4 Korrik të vitit 1979 në Kuçovë (Qyteti Stalin) ndodhi një ngjarje e bujshme, e dhimbshme, që tronditi mbarë opinionin.
Në sallën e Kinemasë së qytetit, banorët ishin mbledhur, sipas njoftimit, për një mbledhje.
Në mënyrën më të pabesë, më të paturpshme, gjatë mbledhjes, arrestohet qytetari Zef Lekaj, artist kompozitor, poet, me akuzën: “Agjitacion, propagandë kundër pushtetit popullor”
Kam patur fatin e mirë ta shoh dhe ta dëgjoj nga afër kompozitorin dhe poetin e talentuar Zef Lekaj, në referencat e tij për krijimet muzikore, për krijuesit, talentet e rinj…
Kam patur fatin e mirë gjithashtu, të njoh nga afër, djalin e tij, muzikantin e talentuar, si edhe vetë ati i tij, Sokol Lekaj, të më shoqëronte në fizarmonikë, ndërsa unë këndoja.
Edhe pse në ato vite të largëta, kur unë në atë kohë isha në moshën time të adoleshencës edhe pse kanë kaluar shumë vite, ende i ruaj në kujtesën time, bisedën e ngrohtë, zërin e njeriut të artit Zef Lekaj. Burrë i urtë, kolos në pamje, i qeshur, shumë miqësor me të gjithë, njeri i ndershëm, i respektuar nga të gjithë, bashkëshort, baba shembullor.
Artisti i talentuar dhe fatkeq, artisti, që në kulmin e krijimtarisë së tij muzikore, jo vetëm u dënua nga komunistët dhe partia që ata i shërbenin, por edhe u diskreditua pa të drejtë. (Me paturpësinë, me poshtërsinë më të madhe, Artisti Zef Lekaj arrestohet në mbledhjen e këshillit të lagjes…)
Sa herë e kishim dëgjuar zërin e prezantuesve në koncertet e ndryshme, në festivalet e rretheve dhe ato kombëtare të muzikës sonë popullore, kur përmendnin titullin e këngës dhe: “Teksti dhe muzika Zef Lekaj, këndon…”
Ndërmjet krijimeve të shumta të këngëve për fëmijë, të muzikës së lehtë dhe asaj popullore, sot, edhe pse kanë kaluar shumë vite, të gjithëve na kujtohet kënga “Qingji i vogël”, prodhim i të talentuarit Zef Lekaj.
Qyteti Kuçovë (Qyteti Stalin i djeshëm) pati fatin e madh të kishte në gjirin e tij një artist të talentuar të lindur për art, për të bërë art, Zef Lekaj-n.
Partia dhe komunistët bashkë, në mesin e viteve 70-të dënuan, burrgosën në atë kohë Zef Lekaj-n, viktimën e pafajshme të radhës të Artit Shqiptar, e bashkë me Zefin u dënua edhe vetë qyteti Kuçovë, u dënua edhe njëherë Kultura dhe Arti Shqiptar.
Ishte fati i keq i Artistit Zef Lekaj dhe familjes së tij të binte viktimë e pafajshme çmendurisë së shfrenuar komuniste shqiptare.
Për vitet që Zefi dhe familja e tij jetuan në Kuçovë dhe që i dhanë shumë artit dhe kulturës së atij qyteti, meritojnë nderim dhe respekt…
Ndjesë pastë shpirti i i artistit Zef Leka.
I dënoftë Zoti ata që shkatëruan jetën dhe familjen e tij me pa të drejtë.
Mendova të bashkbisedoj në formën e një interviste me djalin e tij, zoti Leon Lekaj.
*Të gjitha fotot e bashkangjitur janë të patjetërsueshme dhe ndalohet përdorimi i tyre pa lejen e zotit Leon Lekaj.
* * *
BASHKBISEDIM ME ZOTIN LEON LEKAJ
” “…Xhipsi udhëtonte drejt Degës së Punëve të Brendshme të Kuçovës dhe njeriu që më kishte venë prangat pyeti plot ironi:
– Hej o mendjemadh si të duket kjo punë? Ndoshta s’e ke ditur se kjo mendjemadhësi të ka prurë në këtë derë? Ti nuk më përshëndesje kurrë kur më takoje në rrugë…”
* * *
– Zoti Leon! Ju jeni një nga fëmijët e artistit Zef Lekaj. Meqenëse jeni njëkohësisht edhe autori i monografisë për të, (Një artist nën pentagrame të kryqëzuara) mund të flisni, ju lutem, pak më gjerë për fëmijërinë dhe për formimin e tij si artist?
– Është një pyetje e shkurtër por që kërkon një volum të madh. Ka tre emra, të cilët, sipas meje, ndërruan rrjedhën e jetës së tij si artist. Dom Ndre Mjeda, që e regjistroi atë në Kolegjën Saveriane, shkollë për të cilën studiuesin amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia e deri në ditët e sotme do të shprehej:
“…dhjetë vjet para Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës në qytetin e Shkodrës kishte edhe një qendër me ndikim për arsim të lartë, kolegji i shën Françesk Saverit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë…”
At Kornolo në pianist dhe pedagog i shkëlqyer. Prej tij Zefi do të mësonte muzikën gregoriane, si dhe fratel Buiati, një ish violinist i Scala-s së Milanos, prej të cilit im atë mësoi solfezh, harmoni, kontrapunkt dhe fugë Gjatë këtyre viteve, ai qëndroi gjatë mes një dileme përzgjedhjeje, kur në ditarin e tij të viteve të rinisë pyet se me kë do të bashkëudhëtojë “…Danten, Shekspirin, Petrarkën, Manxonin, Mjedën, apo me Bet’hovenin, Moxartin, Verdin…” dhe përgjigjet: “…edhe tingujt edhe vargjet më pëlqejnë” .
– Si e gjetën Zef Lekën vitet e çlirimit?
– Si të robëruar! Im atë nuk besoi asnjëherë në komunizmin, edhe pse vinte nga një shtresë e varfër. Në vitin 1946, ai merr pjesë në kryengritjen e Postrribës, si e para lëvizje antikomuniste në Europën Lindore, e cila u dekonspirua, u tradhtua dhe më mbrapa pasojat dihen.
Vëllai i tij Gjoni, dënohet fillimisht si pjesëtar i kryengritjes dhe në këto kushte im atë arratiset përtej kufijve, në Mal të Zi. Aty detyrohet për trembëdhjetë muaj të flejë i fshehur në një varr, sepse në atë kohë Hoxha dhe Tito, kalonin periudhën e mjaltit dhe prej kësaj kohe ai përndiqej në të dyja anët e kufirit.
– Si i kujton vitet e tua të hershme në një familje me një baba artist e muzikant?
– Jo fort të lehta. Im atë punonte në atë kohë tek klubi i rinisë “Heronjtë e Vigut”, i cili ishte ngjitur me Kishën Franceskane. Ishte koha kur çdo lëvizje e intelektualëve përgjohej, sepse po përgatitej dora e hekurt e diktaturës, për të shfarosur çdo lloj besimi, dhe për ta çuar kështu në nivelin e zotit besimin ndaj diktatorit. Edhe pse të vegjël, ne e ndjenim atë lloj shtypjeje, sepse im atë na pyeste shpesh: – J’u pa kush kur hytë në kishë?
Më pas kur ne u transferuam në Kuçovë, lufta e klasave na rrinte mbi kokë. Imagjinoni, për të marrë një të drejtë studimi, sime motre iu desh të endej fushave të fshatrave përreth, në çmendurinë e asaj që quhej stazh.
Ndërsa dëshira ime për shkollë të lartë u anashkalua për shkak se nuk shihej me sy të mirë që të kishte nga dy të tillë për familje. Ç’kohë e poshtër!
Të vështira për nënën time, e cila përtej të qenurit nënë e pesë fëmijëve të artistit, ishte edhe një bashkëshorte dhe bashkë udhëtare ideale e tim ati.
– Ati juaj ishte besimtar?
– Sigurisht! Themeli i edukatës së tij qe i mbështetur gjithmonë në besimin tek Zoti. Në atë kohë im atë pati lidhjen e tij serioze me një vajzë nga familje myslimane (Fatbardha Jaho) por kjo nuk e pengoi që martesën e tij ta celebronte në kishë katolike. (1952) Edhe mënyra se si ai mbërriti të krijonte një familje të madhe, me shumë fëmijë,(pesë) ndërkohë që miqtë e tij artisë mjaftoheshin me një e me dy, çon ujë tek ai fakt. Mos i bëj kujt, atë çka nuk do të doje të ta bënin ty, është një prej devizave që e udhëhoqi atë në jetë. Ndërkohë gjatë gjithë jetës ai punoi me ndershmëri edhe pse kjo lloj ndershmërie prej njerëzve të pandershëm iu shndërrua atij në një kurth, pikërisht në vitet e fundit të jetës së tij.
– Përse familja juaj u transferua për të jetuar në Kuçovë?
– Rreshtohen disa arsye, të cilat e detyruan tim atë të largohej nga vendlindja. E para, kishte të bënte me të shkuarën e tij. Im atë që kthyer në Shqipëri, pas një amnistie, që pushteti i atëhershëm kishte shpallur për pjesëmarrësit e kryengritjes së Postribës. Një amnisti, nuk mjaftonte që komunistët të flinin të qetë. Im atë përgjohej. Ai e ndjeu këtë gjë deri në ditën që iu vunë prangat.
Arsyeja e dytë kishte të bënte me anën ekonomike. Në Kuçovë i propozuan rrogë më të lartë si dhe edhe një vend pune për bashkëshorten e tij.
Mendoj se arsyeja e tretë ishte se në vendin e ri të punës, ai do ti kishte më të lira duart, që të vinte në vend ato çka kishte ëndërruar gjatë viteve.
Pa e menduar se do të binte nga shiu në breshër, ai lë Shkodrën, jo pa dhimbje dhe i bindet një propozimi të ardhur nga Bashkimet Profesionale të asaj kohe, për tu emëruar shef i muzikës në Kuçovë (ish Qyteti Stalin).
– Gjatë qëndrimit në Kuçovë, në vitet 70-të, babai juaj Zef Lekaj pati një shpërthim në krijimtarinë e tij. Ku qëndronte sekreti i këtij suksesi?
– Mendoj se thelbi i sekretit të suksesit të tij në ato vite, qëndronte tek e shkuara. Qysh në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ai mbërriti të drejtonte korin e shkollës, për të cilin duhet thënë se kishte kërkesa mjaft të larta. Vite të larta përvoje, të cilat e çuan të sigurt e të pa lëkundur drejt suksesit jo vetëm personal të tij, por edhe si ansambël artistik, të cilin ai e drejtonte.
Një arsye tjetër, po kaq i rëndësishme ishte bashkëpunimi i tij me diletantët. Kishte një marrëdhënie të shkëlqyer midis të dyja palëve. Do të thosha pa asnjë hezitim se im atë adhurohej prej tyre dhe njëkohësisht, ai i respektonte ata. Edhe në ditët e tij më të errëta, ata do të gjenin një skutë të fshehtë që ta përshëndesnin fshehtas mjeshtrin. Në atë kohë kjo vlente shumë.
– Me një karrierë të pasur në krijimtarinë e tij muzikore, babai juaj në ato vite u vlerësua disa herë me çmime të ndryshme. Mund të përmendim disa suksese të tij?
– Im atë njihet në publikun e gjërë si autori i këngës Qingji i vogël, por ajo këngë është vetëm njëra pjesë e suksesit të tij. Unë do të doja të rendisja disa këngë, të cilat fatkeqësisht, edhe pse duhej të ishin në fondin e ndaluar të arshivës, u zhdukën me një urdhër nga lart. Sidoqoftë më duhet të bëj të njohur publikisht se im atë është autori i tekstit të njërës prej këngëve më të njohura në Shqipëri “Kur perëndon dielli” 1958 “Thuaje mos e zgjat” tekst e muzikë (fituesja e çmimit të dytë të Festivalit të Parë të muzikës së lehtë të zhvilluar në Shqipëri në Shkodër 1962), Lumja unë për ty, një arie e mrekullueshme, kënduar mrekullisht prej Luçie Milotit dhe Pjetër Gjergjit.
Gjatë kësaj kohe që ju përmendni ka shkruar edhe shumë këngë të tjera si; “Jemi naftëtarë” kënduar nga trio Mula, Tukiçi, Gjoni, ”Sot ke festë i shtrenjti Atdhe” këndur nga Ramiz Kovaçi në Radio Tirana, Mirëmëngjesi Naftëtarë” me tekst të Pal Nikollës, ”E lirë buçet kjo këngë“ e kënduar në anketën e Radio Tiranës Dhjetor-1965 – janar 1966 ”Ardiana”, një këngë plot ndjenjë me temën e dashurisë, fituese e Çmimit të Parë në Festivalin e naftëtarëve, ”Shokët po na presin” dhe “Fluturim të mbarë” kënduar nga Frosina Vasili, Përpara naftëtarë – kompleks për burra çmimi i parë, ”Nënave Shqiptare” 1973 “Baballarët” me tekst të Dritëro Agollit kënduar nga Ruzhdi Karaj, këngë, të cilat kanë marrë vlerësime kombëtare dhe lokale nëpër festivalet e fëmijë, e shumë të tjera, për të mbërritur tek vlerësimi maksimal që i bëhet në prill të vitit 1969 ansamblit të Pallati të Kulturës së Kuçovës të drejtuar prej tij me “Flamurin e festivalit” duke lënë në vendet pas emra të shquar të ansambleve të asaj kohe.
– Në kulmin e suksesit të tij krijues muzikor, në fundin e viteve 70-të, ndodhi një ngjarje e dhimbshme që do ndryshonte komplet jetën e të gjithë familjes suaj. Si e gjykoni sot arrestimin e atit tuaj?
– Sigurisht, si një lëvizje të vonuar të regjimit të atëhershëm. Kujtoj se deri në vitin 1979 të gjithë bashkëmoshatarët e shkollës së tij kishin pasur fate të hidhura. Ose qenë pushkatuar, ose qenë arratisur, ose qenë dënuar. Ishte një strategji më e rreptë se ajo, që sigurimi i shtetit ndoqi me shkollën e Harry Fultz. Im atë qe “i fundmi i mohikanëve”. Qe një lëvizje që shokoi një qytet të gjithë, një shoqëri të tërë. Unë do t’iu bie vetëm një pjesë nga ditari i tij se si e përshkruan atë ditë. “…Xhipsi udhëtonte drejt Degës së Punëve të Brendshme të Kuçovës dhe njeriu që më kishte venë prangat pyeti plot ironi:
– Hej o mendjemadh si të duket kjo punë? Ndoshta s’e ke ditur se kjo mendjemadhësi të ka prurë në këtë derë? Ti nuk më përshëndesje kurrë kur më takoje në rrugë.
– Më falni, – i thashë, – unë nuk ju njoh, kush jeni ju?
– Si ka mundësi të mos njihni operativin e zonës? – më tha dhe pastaj shtoi, – s’prish punë, mirë që më njohe tani se kush jam.
Dhe me mendjemadhësi, si një triumfues, hyri në degën e punëve të brendshme.
Mbas një ore më dërguan në burgun e Beratit.
Ç’faj paskam bërë, që nuk kam njohur operativin e Zonës?!”
Gjithçka ndodhi vetëm tre ditë përpara daljes së tij në pension. Besoj se do të ishte e kotë të komentohej ky fakt.
– Ju kujtohet, shprehte pakënaqësi babai juaj në familje kundër regjimit politik të asaj kohe?
– Po! Rregullisht im atë nuk ishte prej atyre që ngopeshin me lugën boshe të propagandës komuniste. Duke qenë njohës i shkëlqyer i gjuhës italiane, mbante lidhje të rregullta me atë çfarë ndodhte në botë. Madje, kujtoj që një ditë e patën thirrur në komitetin e partisë, sepse kishte dhënë lajmin e pushtimit të Çekosllovakisë, më parë se këtë gjë ta bënte propaganda zyrtare. Mua, ndoshta më shumë se vëllezërve dhe motrave të mia, më ka takuar të debatoj. Por sot e them me bindje të plotë. Pak kush si ai, dinte ti vinte pikat mbi “i-në” komuniste.
– Dihet tashmë, se, arrestime me akuza të tilla, kishin pasoja të rënda për familjarët. Ç’ ndodhi me familjen tuaj pas arrestimit të babait?
– Ç’ndodhi? Na duhet ta quajmë veten fatlum, që kishte shumë pak kohë që ishte hequr vendimi i internimit, por edhe ashtu, ishim pothuajse të internuar, të izoluar të vetmuar. E para që provoi kamxhikun e diktaturës, qe ime më. Nga ekonomiste e çuan pastruese me tre turne. E pasoi ime motër, të cilën edhe pse studente e shkëlqyer, e përjashtuan nga universiteti, për të përfunduar tek unë, që sapo prisja një emërim si mësues muzike, më “dhuruan” një emërim të ri; punëtor në guroren e Urës Vajgurore.
– Pas viteve 90-të, pra, kur komunizmi filloi të bjerë në Shqipëri, kush ishte fati i familjes së artistit Zef Lekaj?
– Ishte i njëjti fat, i cili qe miku i njerëzve të ndershëm si ai. Me iniciativën e tij, si edhe me ndihmën e mikut të tij Gjosho Vasija, ai rikthehet në vendlindjen e tij. Deri në vitin 1992 ai mundi ta sistemojë familjen e tij tashmë të madhe në Shkodër. Të rraskapitur prej persekutimit politik dhe atij ekonomik, e cila ishte praktikë e sistemit komunist, të gjithë ne, fëmijët e tij, mbërritëm në qytetin e lindjes, me duart në xhepa, por të dehur prej lirisë dhe me etje për dije e kulturë. Por kaq nuk mjaftonte. Asnjë prej fëmijë të tij dhe aq më pak ai vetë, nuk dinin të çirreshin e të bërtisnin, për padrejtësitë që iu bëri sistemi komunist. Kështu na u desh të paguanim faturën e ndershmërisë me harresë.
– Cili është raporti i letërsisë dhe muzikës tek Zef Lekaj.
– Po të ndjekësh me vëmendje këngët e tim ati, do të shohësh se pjesa më e madhe e teksteve janë të tijat. Hidhini një sy këngës “Kur perëndon dielli” Është e shkruar në vitin 1958, me porosi të autorit të muzikës Leonard Deda, dhe më gjeni (tej modestisë kjo) një tekst të ngjashëm me të në ato vite. Si njohës i mirë i muzikës dhe letërsisë, ai dinte si pak kush që një tekst të muzikohet, kërkon ritëm, kërkon muzikalitet, kërkon përshtatje. Janë dy arte që ndërthuren vetëm kur i njeh mirë.
– Është dëmshpërblyer ai dhe familja juaj për vuajtjet e viteve të burgut politik?
– Ai vetë nuk gëzoi asgjë. Deri më tash, tej propagandës që bën partia që është në pushtet, kemi marrë vetëm, një këst prej tetë milion lekësh (të vjetra) në kohën kur qeverisnin demokratët.
– A ka ndonjë vlerësim babai juaj në vitet e demokracisë?
– Në vitin 1995 Zef Lekaj dekorohet nga presidenti i republikës me titullin ”Pishtar i Demokracise”. Me rastin e 75 vjetorit të lindjes (postmortum), me 16 tetor 1999 Bashkia e Shkodrës e nderoi me titullin; ”Krenaria e Qytetit”, ndërsa mbas pesë viteve Bashkia e Kuçovës i dha titullin “Qytetar Nderi”.
*Per me shume fotografi svigni ne facebook(dielli vatra)