• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BJELLORUSIA, SANKSIONET MUND TË KENË PASOJA TË PAPARASHIKUESHME

June 5, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Evropa nxjerr lakuriq të gjitha plasat e kundërshtitë e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për të përballuar kryetarët e shteteve totalitarë të Vendeve të mëdha: Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan. Alexander Lukashenko, nga ana e tij, do të paraqiste, në teori, një problem të një rendi më të ulët. Bjellorusia është një vend relativisht i vogël, popullsia e saj është m’e pakët se ajo e Belgjikës, e PPi nuk arrin as atë të Luxemburgut. Ndërmjet burrave të fuqishëm që shfaqen në kufijtë evropianë, Lukashenko është, me gjasë, më pak i zgjuari, gjë që nuk e bën më pak të rrezikshëm.

Megjithatë, për Bashkimin evropian do të jetë tmerrësisht e vështirë për të gjetur kundërveprimin më të përshtatëshëm për t’i u kundërvënë veprimit shkandullor të banditizmit ajror, veç nëse BE do të vendoste më së fundi, gjë shumë e pazakontë, të përpunonte një plan të tijin strategjik. Për të bërë këtë do të duhej të fillonte duke pyetur veten se cilët janë synimet tona: duam një ndërrim regjimi? Duam të ndalojmë një bashkim politik ndërmjet Rusisë e Bjellorusisë? Apo dëshirojmë thjesht për të dërguar një mesazh se ulja e një aeroplani përfaqëson një dhunim të papranueshëm për sigurinë e Bashkimit evropian? Që të tre janë synime të ligjëshme. Por për t’I sendërtuar do të duheshin mjete të ndryshme.

    Nuk arrij të shpjegoj ndalimin e fluturimeve, mbasi Lukashenko sigurisht nuk do të përsërisë trimërinë e tij. Ndalimi i fluturimeve dëmton më shumë politikanët e opozitës se sa Lukashenkon dhe rrethin e tij. Lukashenko i lejon ende zhvendosjet me rrugë ajrore. Rrugët për Poloninë e afërt dhe Lituaninë janë mbyllur për shkak të pandemisë. Shpagimi i Rusisë, në ndalimin e fluturimeve evropiane që anashkalojnë Bjellorusinë, na bën të kuptojmë se Rusia e Bjellorusia veprojnë si aleatë strategjikë. Takimi që u mbajt të shtunën e kaluar, ndërmjet Vladimir Putinit dhe Lukashenkos, e ka përforcuar atë lidhje. Dy Vendet ecin me të njëjtin hap.

Këllilli evropian i ka kërkuar përfaqësuesit të lartë të përpilojë një listë të sanksioneve. Flitet për të shtrirë sanksionet tregëtare tashmë në fuqi, ashtu sikurse për të futur një përgjigje më dëmprurëse, duke e nxjerrë jashtë Bjellorusinë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave. Sa për mua, kam frikë se të dy këto veprime nuk do të bëjnë tjetër gjë, veçse të shtyjnë Bjellorusinë në krahët e Putinit, nëse nuk do të shoqërohen nga sanksione të reja për vetë Rusinë. Si fillim, Rusia përfaqëson partnerin kryesor ekonomik të Bjellorusisë, me 50 përqind të shkëmbimeve tregtare, ndërsa Bashkimi evropian mezi arrin në 18 përqind. Një embargo tregtare nuk është e mjaftueshme për të shkaktuar një ndryshim të regjimit, por mjafton e tepron për t’a shtyrë Lukashenkon dhe Putinin të shpejtojnë projektin e tyre të bashkimit politik të shestuar së fundi. Nëse sanksionet ekonomike janë zbuluar një instrument diplomatik i efektëshëm kundër Iranit, nuk është e thënë aspak që të kenë të njëjtin përfundim me Bjellorusinë. Lukashenko nuk do të jetë një shqiponjë zgjuarsie, por din shumë mirë kujt t’i drejtohet kur është në telashe. I goditur nga sanksionet ekonomike të Bashkimit evropian, mundësia e tij e hershme është të rrjeshtohet me Putinin e të forcojë lidhjet me Kinën.

Një përfundim i këtillë do të ishte rrënues për Bashkimin evropian. Javë më parë kam analizuar rrezikun gjeopolitik të përfaqësuar nga Suwalki Gap, një rryp toke 60 kilometra gjatësi e që ndan territorin rus të Kaliningradit, Köningsbergun e vjetër nga Bjellorusia. Harta e jonë vë në dukje se ai  sqep toke që qëndron ndërmjet kufijve polak e lituan do të përfundonte së ndari dy Rusitë në hamendësimin e një bashkimi politik me Bjellorusinë. Nëse Evropa do të   adoptonte një kundërveprim të tepruar kundrejt ngacmimeve të Lukashenkos, Suwalki Gap do të mund të kthehej në shkëndinë e një kundërshtie gjeopolitike. Kjo, natyrisht nuk është në interesin e Evropës.

Për të shmangur një fatkeqësi të këtillë Evropa ka nevojë për një strategji më të përgjithëshme. Gjermania mund t’i dërgonte një sinjal Rusisë në lidhje me projektin Nord Stream 2, kur kjo të vendoste të ndërhynte në çështjet bjelloruse. Por nëse gazsjellësi nuk do të preket, Putini do të shfrytëzojë në dobi të vet çdo hapësirë ushtrimi gjeopolitik. Megjithatë dyshoj seriozisht se do t’ishte i gatshëm të flijonte rastin për të nënështruar gjithë Bashkimin evropian ndaj furnizimeve energjitike ruse me qëllim të mbronte një diktator të shikuar mjaft keq në një Vend kufitar. Marrëdhëniet e Rusisë me Bjellorusinë nuk janë asgjë kundrejt atyre që e lidhin me krahinat ukrainase të gjuhës ruse.

Është pikërisht këtu që strategjia evropiane për të frenuar Lukashenkon, me shumë gjasë është e paracaktuar të dështojë. Veprimet e Anxhela Merkelit nuk janë të përputhëshme me bisedat e saj. Synimi kryesor i politikës së jashtëme gjermane nuk është aspak integrimi evropian, por afrimi me Rusinë dhe marrëveshja me Kinën.

Prandaj ravijëzohet një skenar i ankthshëm: Evropa miraton sanksionet dhe shtyn Lukashenkon n’orbitën e Putinit, edhe se vazhdon të tregëtojë me Rusinë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. 

Politika e jashtëme dhe e sigurisë e administratës Biden zbulohet shumë më strategjike se ajo evropiane, por ndruhem se amerikanët janë shumë të përqëndruar mbi Kinën, qejfpaprishur kundrejt Rusisë dhe skajshmërisht pohenikë në lidhje me Gjermaninë. Nuk është e vështirë të përfytyrohet një skenar në të cilin i vetmi fitimtar i kësaj galaktike do të jetë pkërisht Putini.

“Corriere della Sera”, 1 qershor 2021     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Bjellorusia, Eugjen Merlika, Sanksionet

KËSHTU DUHEJ TË RRËZOHESHIN DIKTATORËT!

August 20, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI-

Në Bjellorusi vazhdojnë protestat dhe demonstratat kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko dhe pretendimeve të tija se ai ka fituar zgjedhjet që u mbajtën në atë vend më 9 gusht. Protestuesit dhe vërejtësit e huaj thonë se zgjedhjet u mbajtën në një atmosferë manipulimesh dhe frikësimesh, ndërkohë që shtojnë se forcat e sigurimit dhe të policisë përdorën forcën dhe dhunën kundër demonstruesve paqësorë.  Shtetet e Bashkuara (të cilat nuk kanë ambasador në Minsk ç’prej vititi 2008) dhe Bashkimi Evropian, i cilësuan zgjedhjet e 9 gushtit si jo të lira dhe aspak të drejta – zgjedhje të cilat, Lukashenko pretendon se i fitoi me mbi 80% të votave.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare thonë se regjimi i Lukashenkos ka arrestuar mijëra protetsues ndërsa po shtohen gjithnjë protestat kundër regjimit të tij.  Siç e kanë zakon gjithmonë diktatorët kur u ngushtohen punët — edhe Lukashenko, me këtë rast, ngarkoi me faj për protestat kundër tij, influencat e jashtme, provokues nga Evropa dhe nga opozita ruse.  Kështu raportojnë burime që citojnë diktatorin bjellorus, Lukashenko, i cili për 26 vjet rresht e mban atë karrigë — jo me votën e lirë të popullit bjellorus — por me manipulime të zgjedhjeve dhe i mbështetur nga regjimi i tij diktatorial, i cili konsiderohet si i fundit i tillë në Evropë.

Por kësaj radhe, diktatori Lukashenko u përball me një kundërshtare, në të vërtetë me një mësuese e pa përvojë në politike, e quajtur Svetlana Tikhanovska, e cila u fut në garë për president, pothuaj në minutën e fundit, por që siç duket megjithë fushatën e shkurtër, ajo siguroi mbështetje të gjërë në popull.  Zyrtarisht, thuhet se Tikhanovska fitoi vetëm rreth 10% të votës, gjë që bindi mbështetësit e saj, brenda vendit si edhe ndërkombëtarët, se diçka nuk ishte në rregull me zgjedhjet e 9 gushtit në Bjellorusi.  Se, sipas tyre ato ishin manipuluar tmerësisht, në favor të diktatorit Lukashenko, i cili për më shumë se një çerek shekulli qeverisë Bjellorusinë me një dorë të fortë.  Kandidatja e opozitës, Zonja Tikhanovska, për arsye sigurimi dhe për arsye të kërcënimeve që iu benë, u largua nga Atdheu dhe kërkoi strehim në Lituaninë fqinje.  Ajo kërkon dialog dhe që autoritetet t’i japin fund dhunës kundër protestuesve paqësorë, të cilët nuk kërkojnë asgjë tjetër, veçse këmbëngulin në zgjedhje të lira dhe të drejta, të mbikqyrura nga ndërkombëtarët.

Ndërkaq, në këtë atmosferë tensionesh, Lukashenko, ka dhënë urdhër që tu jepet fund protestave kundër tij në kryeqytetin e vendit, Minsk, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të marrë pushtetin me forcë.  Në këtë ndërkohë, Bashkimi Evropian ka vendosur të imponojë sanksione ekonomike kundër regjimit brutal të Lukashenkos.  Mediat citojnë Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel të ketë thënë se Bashkimi Evropian nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi.

Populli i Bjellorusisë me këto protesta masive duket se ka shijuar frymën e lirisë dhe si përfundim, i janë shtuar edhe shpresat për mundësinë e ndryshimeve politike në vend.  Kandidatja opozitare për president, mësuesja 37-vjeçare Svetlana Tikhanovska në një video mesazh nga Lituania, “për çfarë po ndodhë mu në mes të Evropës”, citohet të ketë thenë se Presidenti Lukashenko, ka “humbur gjithë legjitimitetin e tij në sytë e popullit e të botës”, dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mbështesë, “zgjimin e Bjellorusisë”.

Jam i sigurt se komuniteti ndërkombëtar do të ofrojë të ndërtmjetësojë midis regjimit të Lukashenkos dhe opozitës së udhëhequr nga Svetlana Tikhanosvka, ndërkohë që Lukashenko është shprehur se Presidenti i Rusisë Putin i ka premtuar ndihmë për regjimin e tij, në rast të një ndërhyrjeje nga jashtë, sipas tij.

Kandidatja e opozitës bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya dhe Presidenti-Diktator Aleksanër Lukashenko– dy alternativa krejtësisht të ndryshme për të ardhmen e Bjellorusisë

Nuk jam i bindur se me ndërmjetësimin e tyre, ndërkombëtarët mund të sjellin ndonjë zgjidhje pozitive të pranueshme nga palët, të gjëndjes së tensionuar në Bjellorusi, si përfundim i zgjedhjeve jo të lira dhe të manipuluara nga regjimi i Lukashenkos, me 9 gusht në atë vend.  Ironia që duket si tallje e rastit është se njëri prej këtyre “ndërkombëtarëve” është Kryeministri i Shqipërisë — vendi kryesues aktual i OSBE-së për vitin 2020 — Edi Rama i cili ofroi ndërmjetësim, ndërkohë që pak më parë ishte shprehur kundër “ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në punët tona”, jemi vend sovran, ka thenë Z. Rama, me 22 vjet në pushtet. Referencë kjo ndaj diplomatëve ndërkombëtarë në Tiranë, siç duket në radhë të parë ndaj ndonjë deklarate të ambasadores amerikane në Shqipëri.  Ka mundësi që edhe Lukashenko, me 26 vjet në pushtet, të përgjigjet me të njëjtën shprehje ndaj çdo propozimi për ndërmjetësim ndërkombëtar – përfshir Kryeministrin Rama — midis tij dhe opozitës bjelloruse.  Nuk mund të thuhet se Shqipëria dhe Kryeministri Rama  janë një shembull i mirë për ndërmjetsim për zgjedhje të lira (shiko zgjedhjet vendore 2019 në Shqipëri)—as për ndërmjetsim midis palëve politike në konflikt, si përfundim i manipulimit të zgjedhjeve në Bjellorusi (kur merr parasysh konfliktet midis partive politike në Tiranë).  Që të jesh ndërmjetës duhet të kesh kredibilitet! 

Analisti Veton Surroi, në një analizë botuar sot në Koha.net shkruan se “Shqipëria e mori kryesimin e OSBE-së dhe po e kalon lojën duke ikur nga topi”, dhe përfundon anlizën e tij duke thenë se, “Ndoshta, çuditërisht, ky shans që po humbet shtyn që Shqipëria të kuptojë se ka nevojë për pikën e vet të kthesës.”  Ekzaktërisht, një vit më parë, në një shkrim timin paralajmërues në lidhje me kryesinë e Shqipërisë të OSBE-së, kam shprehur dyshimet – duke marrë parasysh vet situatën e brendëshme politike në vend – nëse, vërtetë, Shqipëria ka, sidomos, besueshmërinë e nevojshme në nivel ndërkombëtar dhe aftësitë diplomatike, si kryetare e OSBE-së, për të ndërmjetësuar situata krizash si kjo aktuale në Bjellorusi.https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-shqiperia-ne-nje-pozite-te-veshtire-diplomatike-a-eshte-ne-rrezik-kryesia-e-shqiperise-ne-osbe-per-vitin-2020/

Është e qartë se bjellorusët, të zhgënyjer nga manipulimi i votave në favor të diktatorit Lukashenko dhe të shokuar prej dhunës së përdorur nga regjimi i tij brutal kundër protestuesve paqësorë bjellorusë, njerëzit në atë vend — ndoshta për herë të parë—e kanë humbur frikën nga regjimi diktatorial.  Nuk kanë më frikë as nga regjimi brutal i një diktatori, i llojit Lukashenko.  Kjo mund të jetë gjëja më e mirë afatgjatë për zgjedhje të lira dhe për të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në Bjellorusi.  Humbja e frikës nga diktatura, nga një popull i shtypur për dekada, është mënyra më efikase për t’i dhënë fund njëherë e mirë një diktature kudo qoftë, dhe një regjimi autoritar si ai i Lukashenkos dhe për të vendosur, përfundimisht, vullnetin e lirë të popullit.  

Duket se shumica e bjellorusëve, më në fund, e duan lirinë dhe janë gati të sakrifikojnë për ‘të dhe kanë si objektiv të përbashkët rrëzimin e regjimit diktatorial të Lukashenkos.  Janë këta dy element të nevojshëm për të luftuar diktaturat e cilës do rrymë qofshin.  Vetëm kështu rrëzohen diktaturat: gatishmëria për të sakrifikuar për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe duke dashur seriozisht lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut, pa dallim.  Por, nga shumica edhe duhet pasur një vizion të përbashkët për të ardhmen e vendit, ndryshe nga regjimi aktual.  Asnjë diktator nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në fuqi, nëqoftse shumica e njerëzve vërtetë besojnë, e çmojnë dhe e duan lirinë dhe janë të gatsëshëm të sakrifikojnë duke e mbrojtur atë përballë kërcënimeve të diktatorit.  Madje as me ndihmën e fuqive të jashtme ndërkombëtare mbështetse të diktatorit nuk mund të fitohet përballë vullnetit të masës së popullit.

Protestat e qindëra mijëra bjellorusëve që filluan para një jave në Minsk më kujtuan protestat anti-komuniste në fund të 1980-ave në Evropën Lindore, veçanërisht protestat masive në Pragë dhe në Bukuresht.

                                                                                        Minsk, 2020

                  Pragë 1989                                                  Bukuresht, 1989

Megjithëse është një kohë tjetër, edhe Bjellorusia sot me këto protesta masive, mund të krahasohet deri diku me ngjarjet në Evropën komuniste të vitit 1989, sidomos për  nga dinamikat shoqërore dhe politike që vihen në lëvizje kundër regjimeve autoritare, në raste të tilla dhe nga protesta të tilla masive, si ajo në Minsk javën që kaloi.  Mjafton një proces, i cili ve në veprim një lëvizje që përfshinë masa të gjëra të shoqërisë, të mjaftueshme për të rrëzuar një tiran nga pushteti, një autoritar shpeshherë brutal – si Lukashenko.  Nëqoftse ka një krahasim midis suksesit të protestave anti-komuniste të Evropës lindore të 1989-ës dhe protestave sot në Bjellorusi, ai është se duket që– njerëzit vërtetë e kanë humbur frikën dhe mendojnë se — ia vlen të protestohet kundër diktaturës,  megjith rreziqet që një një situatë e tillë mund të sjellë – por edhe të shtyrë nga besimi se një protestë e tillë mund të sjellë ndryshimin e nevojshëm për vendin e tyre. Filozofi, autori dhe gazetari francez, Albert Camus në Librin e tij “Kryengritsi” (The Rebel) ka pyetur: “Kush është kryengritës”? Duke iu përgjigjur pyetjes së vet ai ka thenë se, “kryengritës është ai i cili thotë Jo”.  Është pra kjo pika, kur zhduket frika tek njerëzit dhe kur i mbarë vendi i thotë Jo diktaturës. Është atëherë kur bien tiranët.  Kështu, pra rrëzohen diktaturat.  Shumica e popullit të Bjellorusisë i ka thënë Jo, Lukashenkos por mbetet për tu parë nëse, si përfundim, ai do të heq dorë nga pushteti pa gjakderdhje.

Filed Under: Featured Tagged With: Bjellorusia, Frank shkreli, Keshtu duhej, Rrezimi i diktatoreve

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT