• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BUJAR NISHANI:JU TREGOJ TE FSHEHTAT E PRESIDENCES

December 28, 2013 by dgreca

Gazetari: Sa ndryshon jeta e një personi që një ditë zgjohet si shtetari ose qytetari numër një i një vendi?

Presidenti Nishani: Ka ndryshime, ka ndryshime se si e organizon  jetën familjare, si e organizon jetën private.

Gazetari: Ju keni qenë ministër. Nuk besoj se ndryshimet janë kaq të mëdha nga një ministër  tek  një President.

Presidenti Nishani: Ka përsëri ndryshim sepse dhe vetë natyra e punës  ka specifikat e saj që ndryshojnë nga të qenurit ministër në te qenurit  Kryetar i Shtetit. Përgjegjësia rritet disa herë më shumë, por dhe angazhimet të cilat ke në raport me institucionet, në raport me partnerët,  kështu që për sa kohë dinamika ndryshon, natyra dhe karakteri i punës kanë specifika të veçanta, padyshim që ka ndryshim.

Gazetari: Dita e një Presidenti është më e ngarkuar, më dinamike se ajo e një ministri apo është më ndryshe?

Presidenti Nishani: Varet nga këndvështrimi dhe nga mënyra e dinamizmit apo nga lloji i dinamizmit. Nëse një ministër ka një dinamizëm aktiv, angazhim operacional të ditës, angazhimet e një Presidenti janë më së shumti në reflektimet e institucionit.

Gazetari: Protokollare?

Presidenti Nishani: Jo vetëm protokollare, por dhe në përmbajten e mënyrës se si Kreu i Shtetit duhet të reagojë, duhet të shfaqet, duhet të veprojë dhe duhet të adresohet.

Gazetari: Ka qenë e vështirë për ju të ambientoheshit me postin e Presidentit në ditët e para? Çfarë ndyshon tek Ju personalisht?

Presidenti Nishani: Mund të themi duke kaluar modestinë, që jo nuk ka pasur përveç pjesës emocionale dhe të vlerësimit të madh që merr një njeri në këto momente, të cilat kalojnë me kohën dhe duan faktorin kohë për tu adaptuar. Çështjet e tjera pastaj nuk kanë pasur ndonjë ndikim të veçantë në sjellje, ndoshta dhe për shkak të eksperiencës që fiton njeriu në dinamikën e të qenurit shtetar për një kohë të gjatë, të paktën 5 vjet si ministër nuk  janë pak.

Gazetari: Prisnit që do bëheshit President?

Presidenti Nishani: Jo asnjëherë nuk e kam pritur.

Gazetari: Si ndodhi realisht, nuk ju kam pyetur me detaje se si ndodhi që ju propozuan për postin e Presidentit? Nga intervistat që kam lexuar në shtyp, Ju kishit dalë atë  paradite me idenë që po nisnit punën tuaj si ministër, pra dolët si ministër dhe u kthyet si President i Republikës. Pak e çuditshme në mënyrën  se si lëvizin gjërat!

Presidenti Nishani: E vërtetë është, por ka dhe një specifikë tjetër që unë po e them për herë të parë. Është shumë interesante, sepse vetëm një natë më përpara unë për shkak të detyrës sime si Ministër i Brendshëm kisha marrë të gjitha masat organizative për të shoqëruar kandidatin Artan Hoxha dhe strukturat e gardës që ishin nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Kishin marrë instruksionet e nevojshme, ishte organizuar lëvizja dhe ceremonia që do kishte në Parlament dhe atë ditë që do të votohej ishim mbledhur në sallën e Kuvendit së bashku me kolegët e mi për të filluar procesin e votimit.

Gazetari: Ju ishit një nga firmëtarët e zotit Hoxha?

Presidenti Nishani: Me sa mbaj mend, jo nuk kam qenë një nga firmëtarët e  zotit Hoxha. Në përgjithësi firmat ishin mbledhur nga grupi parlamentar, nga deputetët e pranishëm, por që natyrisht ne kishim diskutuar në mbledhje grupi një ditë më parë rreth kandidaturës së zotit Hoxha dhe të gjithë kishim dhënë mbështetjen për zotin Hoxha. Në momentet që ne prisnim në sallën e Parlamentit për të nisur votimin në seancën e paradites jam kontaktuar nga Kryeministri i asaj kohe, z. Berisha. Nga dy drejtuesit e partive të kualicionit të asaj kohe z. Berisha dhe z. Meta me është propozuar për pozicionin e Presidentit të Republikës, më pas dhe kryetarët e grupeve të tjera parlamentare që bënin pjesë në mazhorancë më kanë kontaktuar duke më konfirmuar mbështetjen e tyre.

Gazetari: A është e vështirë për një njeri kur e pyesin  ‘A do të bëhesh President’, një gjë që nuk e ke menduar pak momente më përpara?

Presidenti Nishani: Ndoshta do të thoja që nuk është e lehtë, nuk është e lehtë aq më tepër kur nuk ke shumë kohë për të reflektuar, por e  rëndësishme është që ndonjëherë, ndoshta dhe fati  të ndihmon të reflektosh për gjëra kryesore.

Gazetari: A patët kohë të konsultoheshit qoftë dhe me familjen ose me njerëz të afërt për të dhënë një përgjigje?

Presidenti Nishani: Nuk kam pasur kohë, për hir të së vërtetës, natyrisht kam pasur një këmbim mesazhesh shumë të shkurtra me bashkëshorten time, e cila ka qenë një mbështetje e veçantë në gjithë kohën e angazhimit tim si Ministër, por nuk kam pasur kohë për tu konsultuar, aq me tepër që reflektimi ishte vetëm mbi bazën e një, le të themi, parimi më së shumti, atë të gatishmërisë për të shërbyer për një pozicion kaq të lartë në një moment delikat jo vetëm për mazhorancën, por edhe për zhvillimet politike që u krijuan pas dorëheqjes së dy kandidatëve.

Gazetari: Dy kandidatët ishin dorëheqje reale apo ishin thjeshtë kandidatë që u përdorën për të shkuar te kandidatura juaj?

Presidenti Nishani: Në tërë konfirmimin që kam unë dhe bindjen time ka qenë një proces i cili ka ardhur në mënyrë krejt reale dhe të natyrshme. Nuk ka asnjë arsye të vetme e cila t’i bënte ata që të bëheshin pjesë e ndonjë skenari të imagjinuar. Kanë qenë dhe mbeten të dy personalitete shumë të rëndësishme të jetës publike dhe të fushave përkatëse. Ka qenë një angazhim real i politikës në atë kohë per t’i zgjedhur, ka qenë dhe një konfirmim procedural i propozuesve të tyre dhe i mbështetësve të tyre per t’i zgjedhur dhe natyrisht kanë pasur argumentat e tyre bindëse për mënyrën dhe arsyet e tërheqjes.

Gazetari: Në vitin 1997 kur u zgjodh Presidenti i Republikës në një intervistë për emisionin, Presidenti Mejdani atë kohë shprehej gjysmë dhe me shaka, por ishte pjesë e stilit të jetës, ndryshime të stilit tëjetës thoshte, se  për shumë vite si pedagog universiteti kishte një kioskë përballë shtëpisë ku zbriste dhe blinte paketën e tij të cigareve në mëngjes. Mëngjesin e parë që zbrita si President i Republikës vura re që kioska dhe gjithçka rreth e rrotull ishte e rrethuar nga forcat e gardës.

Kur u kthyet në shtëpi atë ditë nga Ministër i Brendshëm në President i Republikës kishte ndryshuar diçka në jetën tuaj?

Presidenti Nishani: Po numri, nëse do të flasim për shtimin e numrit të përfaqësuesve të gardës, ishin shtuar, por kjo nuk më impresionoi. Por ka pasur një rast, po e lidh me këtë fakt që ju përmendni, që në fakt për mua krijoi një ndjesi jo komode, le të themi që Presidenti i Republikës është një qytetar si gjithë të tjerët, Presidenti i Republikës është një njeri që ka familjen tij, ka miqtë e tij, ka shokët, ka bashkëpunëtorët, ka jetën e tij dhe ka nevojë të pijë një kafe, ka nevojë të pijë një gotë verë, ka nevojë të drekojë diku.

Gazetari: Ka dhe kënaqësi që duhet t’i reduktosh ndjeshëm?

Presidenti Nishani: Natyrisht, nuk ishte aspak komode që të shkojë në një restorant për drekë, të shkojë në një kafe me miqtë dhe aty të kishte një numër të konsiderueshëm  përfaqësuesish të gardës që bëjnë detyrën e tyre. Kanë përgjegjësinë e tyre që nuk mund t’i ndërhysh, por që në mënyrë të padrejtë bëhesh jo i këndshëm për frekuentuesit e tjerë të atij vendi.  Pra, në këtë aspekt e kam ndjerë. Le të themi lëvizja nga shtëpia drejt zyrës dhe rikthimi, ku kishte rregulla strikte, autokolona shtohej më shumë se ajo e  Ministrit të Brendshëm. Nuk ndjehesha mirë dhe jam munduar që të rregulloj shumë gjëra në këtë drejtim.

Gazetari: A mund t’ju thoni ju gardës që ‘Më lini të qetë se nuk dua të kem kaq prani, dua të lëviz vetë, dua të kem një jetë pak më private’, apo është e pamundur?

Presidenti Nishani: Mund të them, kam provuar t’i them, por natyrisht nuk më janë përgjigjur.

Gazetari: Sepse ato nuk varen nga ju?

Presidenti Nishani: Jo vetëm që nuk varen, por duhen mirëkuptuar, duan të marin përgjegjësitë e tyre dhe çdokush duhet lënë të bëjë dhe të përmbushë detyrën e tij.

Gazetari: Në momentin që dhatë aprovimin për të qenë kandidati zyrtar dhe më pas u bëtë President, a mendonit se detyra e Presidentit do të ishte më e vështirë se detyra që kishit pasur deri atë ditë?

Presidenti Nishani: Kam menduar shumë gjëra, por mbi të gjitha njëra ka qenë që ende sot mbetet një prioritet i punës dhe i angazhimit, që ka të bëjë me përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e asaj që deklaron Presidenti i Republikës. Gjithmonë si me shaka u them miqve të mi se, kur je ministër dhe bën një deklaratë paksa të nxituar ka kush të korrigjon, është Kryeministri, por nëse bën një deklaratë si President i Republikës, si Kreu i Shtetit e cila jo vetëm që tejkalon pritshmëritë, nuk është e saktë apo mund të krijojë komplikacione, s’ka kush e korrigjon.

Gazetari: Por e dinit, zoti President, që kishit një detyrë akoma më të vështirë në rolin e Presidentit? Të tejkalonit paragjykimin që ju vinit si një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike në postin e Presidentit, pra të kalonit përkatësinë tuaj partiake?

Presidenti Nishani: Në fillim për të qenë i sinqertë me ju dhe me qytetarët në ato momente nuk e mendova aq seriozisht dhe aq thellë. Në fakt, e shijova më pas, e provova më pas, jam përpjekur gjithmonë që të investohem për ta reduktuar dhe minimizuar sa më shumë të jetë e mundur këtë lloj qasje.

Gazetari: Jeni paragjykuar për hir të kësaj gjëje?

Presidenti Nishani: Nga segmente, aktorë dhe individë të ndryshëm, por që kjo nuk ka krijuar problematika dhe shqetësime qoftë tek unë si individ në aspektin personal, qoftë dhe atë institucional.

Gazetari: Zoti President, në momentin që erdhët në postin e Presidentit të Republikës cila ishte gjendja e Presidencës?

Presidenti Nishani: Në ç’kuptim?

Gazetari: Në kuptimin e nivelit dhe mënyrës se si ajo ishte pozicionuar në politikën shqiptare.

Presidenti Nishani: Jam munduar që të qëndroj krejt i ftohtë dhe të mos i hyj brendisë së analizimit të kësaj çështjeje.

Gazetari: Kishim një President që ishte në konflikt me mazhorancën e asaj kohe.

Presidenti Nishani: Po, një element i tillë më ka bërë të reflektoj së pari, jo vetëm për të deklaruar sepse është shumë e thjeshtë të deklarosh, por e rëndësishme është të sillesh në mënyrë të tillë për të qenë vërtetë jashtë palëve. Unë nuk e kam preferuar përcaktimin e Presidentit mbi palët. Më është dukur që është një çështje jo reale në kontekstin e fjalorit, jo të sjelljes.
Ndërsa, për të qëndruar jashtë palëve, një President pavarësish ‘background’-it politik, partiak apo institucional që ka pasur para se të bëhej President, i ka të gjitha mundësitë dhe shanset për të qenë vërtet jashtë palëve.
Kjo ka të bëjë, në radhë të parë, me mënyrën se si ti e gjykon dhe e mendon sjelljen e një Presidenti. Nëse një President nuk bëhet pjesë e mazhorancës që e ka zgjedhur për të dëmtuar kundërshtarin politik të tij, por nga ana tjetër nuk bëhesh dhe pjesë as e opozitës për të dëmtuar mazhorancën që ty të ka nxjerrë, unë mendoj që është një qasje, një qasje ndryshe.

Gazetari: A është e vështirë të jesh i paanshëm në këtë aspekt?

Presidenti Nishani: E vështirë është, padyshim që është e vështirë.

Gazetari: Kam përshtypjen që është gati e pamundur?

Presidenti Nishani: Më shumë është e vështirë të paktën në eksperiencën time për të krijuar perceptimin me të drejtë të mundshëm se sa për tu sjellë në mënyrë të paanshme. Për tu sjellë në mënyrë të paanshme është shumë herë më e thjeshtë se sa të arrish të krijosh perceptimin me të drejtë të mundshëm për këtë çështje.

Gazetari: Cilat kanë qenë momentet më të vështira aktualisht në Presidencë, zoti Nishani, gjatë këtij një viti e gjysmë që ju drejtoni këtë institucion?

Presidenti Nishani: Për hir të së vërtetës nuk është se ka pasur shumë momente të vështira, por mund të them çështjet e përzgjedhjes së gjyqtarëve të gjykatave të larta.

Gazetari: Vazhdojnë të jenë një problem i vështirë?

Presidenti Nishani: Mbeten ende, për shkak dhe asaj që thamë më lartë, të paragjykimit politik që vjen nga palët e interesuara sepse është një relacion midis Presidentit dhe partive politike që, në fund të fundit, janë të përfaqësuar në Parlament edhe për shkak të një kulture që është ngulitur te perceptimi i politikës apo dhe i aktorëve të ndryshëm që duhet të gjendet një konsensus midis interesit. Unë nuk besoj që duhet gjendur një konsensus midis interesit të palëve, por një konsensus midis mënyrës së sjelljes institucionale.

Gazetari: A ishit informuar ju nga ish-Kryeministri i vendit që ai do të jepte dorëheqjen e Kryetarit të Partisë Demokratike një ditë para se ta bënte këtë gjë, gjatë një takimi që keni pasur me të?

Presidenti Nishani: Unë kam pasur një takim ku u diskutua për situatën politike që u krijua pas zgjedhjeve. Nuk kam pasur ndonjë deklaratë, ndonjë njoftim nga ana e ish-Kryetarit për hapa të mëtejshme të tij.

Gazetari: Por ju tha që do të largohej?

Presidenti Nishani: Ajo që unë konstatove ishte një qartësi shumë e dukshme dhe e pastër në kuptimin, qoftë të asaj çka kishte ndodhur, situatës së re, dhe natyrisht të gjithave hapave të tij që duheshin ndërmarrë në mënyrë që shteti të funksiononte normalisht.

Gazetari: A ndjetë ju si institucion dhe si President i Republikës, vështirësitë dhe tranzicionin e pushtetit?

Presidenti Nishani: Jo aspak, përkundrazi. Diferenca e rezultatit, për të folur në mënyrë shumë të hapur, diferenca e rezultatit e thjeshtëzoi.

Më është bërë një pyetje – Nëse rezultati do të kish qenë i ngushtë midis palëve, a do të kish pasur vështirësi? Unë mendoj dhe jam i bindur që përtej debatit politik që mund të kish qenë më i nxehtë dhe më konfliktual midis palëve përsa i takon mënyrës se si do të funksiononte Institucioni i Presidentit në dekretimin e qeverisë së re, mjafton të zbatoje strikte atë çka tregon Kushtetuta e ligjet nuk kishe pse të kishe vështirësi. Kushtetuta thotë qartë që, palët fituese konsultohen me njëra-tjetrën, prodhojnë emrin e kandidatit për Kryeministër, Presidenti i dekreton dhe në fund të fundit janë numrat në Parlament ato të cilat vendosin përfundimisht.

Gazetari: Ka pasur një sërë komentesh dhe debatesh në shtyp në raportet tuaja me mazhorancën e re. Si janë raportet tuaja me Kryeministrin Rama?

Presidenti Nishani: Nuk mund të them që ka pasur raporte intensive. Që gjatë kohës që zoti Rama ishte Kryetar i opozitës ka pasur, le te themi, pickime politike të herë pas hershme, të panevojshme për mendimin tim. Gjithsesi kurrë nuk kam gjykuar që  mund të përfshihem dhe të bëhem pjesë e laborimit të mëtejshëm të këtij lloj relacioni  apo të këtij lloj raporti për faktin se shikoja pozicionin midis Kreut të Shtetit dhe opozitës politike. Pas zgjedhjeve natyrisht kemi pasur disa takime ku kemi konfirmuar qasjet dhe qëndrimin institucional dhe të rëndësisë që merr sjellja e institucionit.

Gazetari: Ka pasur tension në takimet tuaja të mëpasshme, pasi zoti Rama është paraqitur si Kryeministër i vendit?

Presidenti Nishani: Jo, në asnjë takim, përkundrazi kanë qenë takime mjaft korrekte dhe të qarta.

Gazetari: Po me Kreun e Parlamentit dhe me Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Presidenti Nishani: Po i njëjti dimension, asnjë element ndryshe nga ai  dimension që përmenda me zotin Rama.

Gazetari: Zoti President, a u përfshitë Ju në fushatën e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike në favor të njërit apo tjetrit kandidat?

Presidenti Nishani: Natyrisht asnjë njeri nuk mund të mbetet i përjashtuar emocionalisht, por edhe në një lloj gjykimi mbi parimet, por kurrë i përfshirë drejtëpërdrejtë. Së pari, ti nuk ke mekanizmat, së dyti, nuk mund ta ndihmosh në asnjë lloj procesi. Në logjikën e arsyetimit çdo njeri kur ulet në karrigen e tij, në shtëpinë e tij, midis shokëve bën ndjekjen e zhvillimeve, ka qasjen e tij, ka mendimin e tij.
Në fund të fundit Partia Demokratike është një aset i jetës publike dhe politike të vendit, unë kam punuar dhe kam qenë pjesë për vite e vite me radhë. Mund të them që, gara që u zhvillua në Partinë Demokratike ishte midis dy personaliteteve që kishin dhënë kontribute reale ne Partinë Demokratike dhe në qeverisjen e Partisë Demokratike, ishin vizione të reja dhe dinamikë e re që i sillnin Partisë Demokratike. Gjithmonë do të ketë fitues të një gare dhe një jo fitues të një gare, por ishte një vlerë shumë e rëndësishme. Për hir të së vërtetës nuk kish pasur asnjëherë më parë një garë midis dy kandidatëve në Partinë Demokratike për shkak të karakterit dominues dhe të padiskutueshëm të lidershipit Berisha, i cili vinte si themelues dhe natyrisht çdo konkurrues tjetër që, padyshim do të ishte minor në krahasim me atë çka kishte zoti Berisha në Partinë Demokratike. Në rastin konkret, që të dy niseshin nga i njëjti start, kështu që unë besoj që ishte vërtetë një vlerë e rëndësishme.

Gazetari: Një moment tjetër thuajse delikat në Presidencën tuaj ka qenë çështja e ardhjes së armëve Siriane në Shqipëri. A keni qenë Ju në dijeni për procesin e negocimit midis SHBA dhe  qeverisë shqiptare për ardhjen e armëve kimike?

Presidenti Nishani: Jo nuk kam pasur asnjë opinion ose diskutim. Jam informuar ashtu sikurse opinioni publik nga media Franceze, me sa mbaj mend ka qenë e para që e lançoi këtë njoftim ‘Le Monde’.

Gazetari: Nuk u interesuat në momentin që e morët vesh informacionin?

Presidenti Nishani: Në të vërtetë kam tentuar të kërkoj informacion, por nuk kam pasur.

Gazetari: Nga e kërkuat informacionin, nga qeveria?

Presidenti Nishani: Natyrisht, përmes kanaleve të qeverisë. Por që unë besoj që ishte një proces i cili duhet të kishte një përfshirje të aktorëve të rëndësishëm të jetës publike shqiptare.

Gazetari: Po kanalet Amerikane nuk i kontaktuat, nuk ju informuan?

Presidenti Nishani: Jo, nuk mund  t’i kontaktoja kanalet Amerikane, përsa kohë Presidenti i Republikës është Kreu i Shtetit Shqiptar dhe natyrisht duhet t’i marrë informacionet nga strukturat e shtetit. Aq më tepër partnerët vendosën një kanal komunikimi. Përderisa partnerët vendosën një kanal komunikimi, është krejt normale që të mbetet i njëjti kanal komunikimi, përderisa ky kanal komunikimi vendoset me shtetin përkatës, në rastin konkret me vendin tonë. Ai e laburon dhe e zgjeron pastaj mënyrën e diskutimit të aktorëve dhe në tërësi të gjithë planveprimit.

Gazetari: A ishte problem mosmarrja e këtyre armëve kimike dhe krijoi një hije me SHBA-në, ju keni pasur takime të mëvonshme me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë?

Presidenti Nishani: Brenda opinionit shqiptar, të jemi realist, u krijua një lloj ideje, por në fakt unë jam ndjerë jashtëzakonisht mirë kur kam pasur këto takime që ju përmendët. Kam ndjerë të njëjtin relacion respekti, miqësie dhe vlerësimi nga përfaqësuesit e SHBA-së. Unë e kam thënë gjithmonë, Shqipëria dhe Shqiptarët janë me fat që kanë një mik kaq të madh sa janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë vërtetë në krahun tonë, në momentet më kyçe dhe më të rëndësishme të historisë sonë. Nuk kanë qenë thjesht si aktorë, por kanë qenë dhe si kontributor.  Unë besoj që ky është një moment që  pavarësisht problematikave që pati, krijimit të një paniku të ekzagjeruar të panevojshëm në gjykimin tim. Unë besoj që miqësia midis SHBA–së dhe Shqipërisë është e konsoliduar e cila jam i bindur që ashtu siç meriton mirënjohje, meriton dhe angazhime, por që është e konsoliduar dhe afatgjatë.

Gazetari: Do të lerë hije kjo që ndodhi?

Presidenti Nishani: Nuk besoj.

Gazetari: Pra, marrëdhëniet tona do të kenë thuajse të njëjtin normalitet?

Presidenti Nishani: Do të kemi gjithmonë të njëjtën marrëdhënie dhe do të vijë gjithmonë duke u forcuar, padyshim.

Gazetari: Dhe një pyetje tjetër politike për të vijuar më pas. Shqipëria ka rihumbur sërisht statusin e vendit kandidat në BE. A ka paragjykim  ndaj Shqipërisë, një vend i cili mbeti jo vetëm në radhë në vendet e fundit të ish-Jugosllavisë, por dhe më të fundit të fundeve të ish-Jugosllavisë në procesin integrues. Sa është kjo përgjegjësi e jona dhe sa është paragjykimi që vjen nga Europa?

Presidenti Nishani: Unë kam bindjen më të madhe se gjithmonë Shqipëria e ka merituar statusin e vendit kandidat.

Gazetari: Në ç’kuptim e ka merituar?

Presidenti Nishani: Në kuptimin e përpjekjeve që janë bërë për tu adoptuar, për tu përshtatur në të gjitha aspektet, në të gjitha dimensionet me standardet europiane. Natyrisht, përsa i takon atij niveli që ka të bëjë me statusin e vendit kandidat, sepse më pas kemi mjaft procese të tjera, hapja e negociatave, diskutimi, etj. me radhë, dhe së dyti serioziteti dhe mbi të gjitha, ua kam thënë këtë dhe partnerëve tanë europianë sa herë kam pasur rastin që, është shumë e rëndësishme të zbërthejmë pak, cila është arsyeja që shqiptarët kanë një mbështetje kaq të madhe për integrimin evropian. Jam përpjekur ta analizoj dhe kam arritur në një konkluzion i cili është shumë inkurajues. Në radhë të parë, shqiptarët e shikojnë procesin e integrimit të vendit në BE si një mundësi për t’i detyruar institucionet shqiptare për ta sjellë pastaj tërë shoqërinë shqiptare në standardet që kanë institucionet, që kanë vendet në BE. Shqiptarët shikojnë që përmes këtij procesi do të detyrohet Institucioni i Presidentit, qeveria, Kuvendi, gjykatat, të gjithë, të sillen në mënyrë europiane. Që do të thotë, shërbimet e këtij niveli për qytetarët shqiptarë.

Gazetari: Si shpjegohet, zoti President, që i duam po s’na duan?

Presidenti Nishani: Jo, unë nuk besoj që është ashtu, thashë që e kemi merituar dhe për faktin që angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë edhe në nivelin rajonal ç’ka nuk është i parëndësishëm për Europën ka qenë dhe mbetet shumë konstruktiv dhe i rëndësishëm. Nga ana tjetër, unë e kisha parë dhe mendoj se duhet parë si një moment për inkurajimin, vijimin e mëtejshëm të reformave.  Por kjo nuk do të thotë se ne kemi të drejtë të fillojmë të bëjmë paragjykime për të tjerët. Është shumë e rëndësishme që ne të mbetemi të konsoliduar tek gjykimi i asaj çka ne duhet të vijojmë të bëjmë.

Gazetari: Përse ky skepticizëm që vjen nga vendet e rëndësishme të BE-së si Britania, Gjermania apo Franca, pa përmendur Hollandën dhe Danimarkën?

Presidenti Nishani: Vendet që ju përmendët janë vende që kanë shpenzuar shumë para të taksapaguesve të tyre për Europën e Bashkuar dhe për reformën në Shqipëri, për institucione, për trajnime, për infrastrukturën. Janë qindra miliona euro që janë dhënë, që do të thotë se nuk është se mungon interesi. Fakti që kanë rezerva duhet të na bëjë neve të mendojmë më shumë për mënyrën e sjelljes sonë. Nuk ka arsye që ne të përcjellim një frymë konfliktualiteti midis nesh tek partnerët europianë. Qytetaria europiane, qytetaria civile, trendi europian sot është tek bashkëpunimi, është tek dialogu, është tek të qenurit mendje hapur. Sot flitet për respekt të tjetrit pavarësisht çka ai përfaqëson, aq më tepër kur bëhet fjalë për aktorë që kanë përgjegjësi për ta mbjellë këtë lloj ambienti, për ta konsoliduar dhe për ta promovuar më tej.

Gazetari: Po shkëputem nga pjesa politike për të hyrë në një pjesë pak më personale, familjare, por dhe në karrierën tuaj. Si ka ndryshuar jeta juaj që nga momenti që jeni bërë President, banoni në të njëjtin apartament?

Presidenti Nishani: Jo, ne përfundimisht jemi transferuar në rezidencën e Presidentit të Republikës që ka funksionuar si e tillë për disa Presidentë. Ka pasur një rinovim pasi kishte nevojë për një rinovim modest.

Gazetari: Vijon të mbetet ajo godina demode me ato kolltukët e lëkurës së viteve ’80, apo është rinovuar?

Presidenti Nishani: Jo, ka një rinovim, ka një rinovim modest të saj, dhe unë besoj që një ambient i tillë është një ambient pune, pasi Presidenti i Republikës, Institucioni i Presidentit është një institucion që është në funksion 24 orë. Edhe në momentin që Kreu i Shtetit është në shtëpi pranë familjes, i duhet të veprojë si Kreu i Republikës. Pra, në këtë koncept është organizuar rezidenca e Presidentit; në ambientin e punës dhe te banimit dhe në këtë mënyrë eviton dhe shqetësimin te fqinjët, te komshinjtë.

Gazetari: Ku banonit në kohën që u zgjodhët President ?

Presidenti Nishani: Unë banoja në një apartament në fund të rrugës te Komuna e Parisit.

Gazetari: Është një zonë e ngarkuar me trafik?

Presidenti Nishani: Mjaft e ngarkuar me trafik, infrastruktura është rënduar.

Gazetari: Në momentin që ju dilnit me eskortën tuaj ishit i detyruar të bllokonit të gjithë rrugën?

Presidenti Nishani: Për fat të keq po.

Gazetari: Ndërsa këtu këto probleme nuk janë, besoj?

Presidenti Nishani: Janë evituar, sigurisht!

Gazetari: Prej sa kohe jeni vendosur në rezidencë?

Presidenti Nishani: Mos gaboj, rreth 1 muaj e gjysmë.

Gazetari: Fëmijët banojnë me ju?

Presidenti Nishani: Po, fëmijët banojnë me ne sepse janë ende në moshë të vogël. Djali përgjithësisht jeton larg nesh sepse studion larg vendit, ndërsa vajza jeton me ne.

Gazetari: Ndihen mirë në rezidencën e re?

Presidenti Nishani: Në fakt, ata nuk kanë pasur ndonjë preferencë të veçantë, nuk është se konstatojnë se ka ndonjë ndryshim. Por, natyrisht çdokush që rrit standardin e jetesës është një gjë shumë e mirë, nuk ka pse injorohet.

Gazetari: Bashkëshortja juaj ka qenë deri vonë në Ministrinë e Turizmit, përse u largua?

Presidenti Nishani: Së pari, pozicioni i saj, që duhet thënë ishte një sektor dhe një pozicion i krijuar si kërkesë e Organizatës Botërore të Turizmit i financuar në mënyrën e funksionimit dhe trajnimit nga Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Turizmit. Ishte krijuar një ‘network’ funksional midis Ministrisë së Turizmit, Bankës së Shqipërisë, Policisë kufitare dhe Organizatës Botërore të Turizmit.

Gazetari: Për të kalkuluar numrin e turistëve që vinin në Shqipëri?

Presidenti Nishani: Jo vetëm aq, por ishte thelbi i implementimit të strategjisë, që do të thotë, studimit të tregut dhe statistikave. Gjithsesi ky pozicion u shkri. Bashkëshortja ime, pikë së pari, para se të jetë bashkëshortja ime është një qytetare, ka  personalitetin e saj dhe nuk mund të pranojë tensione në komunikim aq me tepër mënyra jocivile të komunikimit. Edhe për shkak të pozicionit që ka si bashkëshortja e Presidentit të Republikës.

Gazetari: Pra ju mendoni  se ka qenë një lloj sulmi politik për shkak se ka qenë bashkëshortja juaj?

Presidenti Nishani: Ka qenë  një shprehje e sjelljes për shkak të ngarkesave që vijnë nga një mentalitet që s’duhet të ekzistojë. Në fakt, unë jam përpjekur mos  jap shkak të konsolidimit të Presidentit të Republikës si një kundërshtar politik, një gjë që nuk është e vërtetë dhe nuk është normale.

Gazetari: Gjë që ka ndodhur, thoni Ju?

Presidenti Nishani: Unë jam i bindur dhe i prirur t’i besoj kësaj arsye që, gjithë ajo sjellje e papranueshme ka qenë si rezultat i këtij mentaliteti.

Gazetari: Kam përshtypjen që pjesa më e madhe e vendeve të botës, zoti President, kanë një pozicion të ‘First Lady’ që nuk punon, nuk ndjek karrierën, por i përkushtohet pozicionit të gruas së parë të vendit. A do ishte mirë që dhe Shqipëria të ndërtonte këtë pozicion për Zonjën e Parë?

Presidenti Nishani: Nuk e di nëse jam unë personi i përshtatshëm për të dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, po për faktin që në legjislacionin tonë dhe në pjesën protokollare e kemi të përcaktuar që bashkëshortja e Presidentit ka statusin protokollar dhe veprimtarisë si Zonja e Parë e vendit që, do të thotë më shumë aktivitete.

 Gazetari: I jep më shumë angazhim ky pozicion?

Presidenti Nishani: Ka ftesa për angazhime të shumta, dhe unë besoj se nëse do ta bësh me përkushtim këtë angazhim, vërtet mund t’i japësh një kontribut shumë pozitiv imazhit të vendit. Unë besoj që është një angazhim që të merr një kohë të gjatë të ditës, por edhe në fundjavë përkushtimi për ta bërë mirë është një kontribut i nevojshëm.

Gazetari: Në momentin që bashkëshortja juaj nuk ndodhet më në punë, do të fillojë më të punojë apo do të merret vetëm me pjesën e saj protokollare?

Presidenti Nishani: Jo, tashmë ka filluar punë si specialiste investimesh pranë Bankës së Shqipërisë.

Gazetari: Pra, nuk ka preferuar që të luajë vetëm rolin e Zonjës së Parë pa një impenjim personal të saj.

Presidenti Nishani: Do të vazhdojë profesionin e saj si një inxhiniere ndërtimi e profilizuar  në  konstruksion. Ajo ka kryer studimet, masterin në ekonomi kryesisht për turizmin, por besoj se dinamika e jetës së përditshme është e domosdoshme për njeriun.

 Gazetari: Sa vite keni që jetoni bashkë zoti President?

 Presidenti Nishani: Kemi që në vitin 1994.

Gazetari: Pothuajse 20 vite, si jeni njohur?

Presidenti Nishani: Krejt rastësisht, kuptohet unë jam lindur dhe rritur në qytetin e Durrësit, një djalosh në atë kohë dhe shpesh herë e shfrytëzonim shumë shëtitjen në Durrës.
Durrësi gjatë verës ka qenë shumë i preferuar, mbetet për pushuesit nga e gjithë Shqipëria. Odeta në pushimet e saj me disa të njohur dhe miqtë tanë të përbashkët dhe aty jemi njohur, natyrisht më pas marrëdhëniet kanë vazhduar.

Gazetari: Mbas vitit 1990?

Presidenti Nishani: Po pas vitit 1990 ka qenë viti 91-92.

Gazetari: Jeni martuar në vitin 1994 dhe jetoni prej 20 vjetësh, si quhet djali dhe vajza juaj?

Presidenti Nishani: Djali Ersiljo, ndërsa vajza Fjona.

Gazetari: Për çfarë studion djali dhe vajza?

Presidenti Nishani: Djali është në vitin e fundit në shkollën e mesme në Vjenë, ndërsa vajza është 14-vjeç dhe mbaron klasën e 9-të.

Gazetari: Çfarë preferencash kanë për profesionet e tyre të ardhshme?

Presidenti Nishani: Djali është më pranë zgjedhjes sepse është dhe i përgatitur të futet në konkurse, në teste të ndryshme, ka pasion shkencën e biologjisë së avancuar e cila përshtatet kryesisht me mjekësinë, por le të mbetet në mendimin e tij.

Gazetari: Ju personalisht çfarë preferoni?

 Presidenti Nishani: Jam përpjekur gjithmonë ta frenoj veten, çdo prind ka tendencën dhe dëshirën për të dhënë një mendim. Më ka pëlqyer gjithmonë ta shikoj tim bir si një aktor të rëndësishëm në drejtësi.

Gazetari: Me të gjitha problemet që kemi ne në drejtësi?

Presidenti Nishani: Drejtësia ka probleme, por unë mendoj se gjithsesi njerëz që të  shërbejnë duhet, por nuk është e thënë të shërbejë vetëm në sistemin gjyqësor ose në sistemin e prokurorisë. Ka pasur dhe ka një pasion të veçantë për politikën shqiptare.

Gazetari: E ndjek?

Presidenti Nishani: E ndjek dhe çuditërisht ka një informacion të thellë dhe të detajuar jo vetëm për politikën në Shqipëri. Por, pasioni i tij po orientohet drejt mjekësisë.

Gazetari: A ndodh me familjen tuaj, siç ndodh me shumicën e familjeve të politikanëve që bashkëshortet dhe fëmijët janë më të vëmendshëm ndaj shtypit, komenteve, më sensibël në raport me vetë personin e angazhuar? Sepse e ndjej këtë nga të gjithë politikanët?

Presidenti Nishani: Interesante, edhe këtu ka të bëjë karakteri dhe individualiteti i një personi, p.sh. djali është shumë i interesuar dhe shumë ndjekës, ndërsa vajza që nuk është dhe shumë e vogël pothuajse nuk ka asnjë interes, është më indiferente. Kështu që unë mbetem në mendimin se individualiteti dhe karakteri i personit orienton sjelljen.

Gazetari: Thatë që jeni lindur dhe rritur në qytetin e Durrësit, me mbiemrin Nishani që i bie të jeni nga zona e Gjirokastrës, ndodheni në Durrës, si, në ç’rrethana?

Presidenti Nishani: Në fakt, origjina e familjes është nga Libohova e Gjirokastrës, mbiemri origjinal i familjes ka qenë Beu. Pas mbarimit të Luftës së II-të botërore ishte e vështirë të mbaje mbiemrin Beu, kështu që lëvizëm nga Gjirokastra dhe u vendosëm në Durrës.

Gazetari: Ka pasur lidhje Doktor Omer Nishani, Presidenti i parë komunist i Shqipërisë?

Presidenti Nishani: Jo nuk kemi asnjë lidhje, përveç se koincidencës së mbiemrit nuk kemi asnjë lidhje.

Gazetari: Pra familja u vendos menjëherë pas Luftës së II-të Botërore?

Presidenti Nishani: Pjesa më e madhe.

Gazetari: Me se merreshin prindërit tuaj?

Presidenti Nishani: Të dy prindërit i kam pasur arsimtar, babai ka shërbyer rreth 40 vjet në gjimnazin e Durrësit, nëna gjithashtu arsimtare po në Durrës derisa ka dalë në pension.

Gazetari: Ju keni lindur në Durrës, në çfarë moshe jeni larguar nga Durrësi?

Presidenti Nishani: Unë jam larguar në moshën 14-vjeçare për shkak të shkollës që unë zgjodha të ndjek, që ishe shkolla ushtarake.

Gazetari: E zgjodhët apo ju dërguan?

Presidenti Nishani: Le të themi se pasioni, dëshira ime dhe kërkesa, se në atë kohë bëhej me kërkesë në këshillin e lagjes. Pasioni im ka qenë për të studiuar për gjuhën Franceze, kisha punuar shumë në shkollë, jashtë shkolle me gjuhën Franceze. Mendova se do ta merrja meqë dhe notën mesatare e kisha 10-të në atë kohë.

Gazetari: Shumë të rinj çuditen kur thua që nuk ma dhanë shkollën, se mendojnë se shkollën në atë kohë mund ta zgjidhje vetë.

Presidenti Nishani: Në atë kohë nuk kishe shanse ta zgjidhje vetë, ishte interesante se për lagjen ku unë banoja ishte vetëm një e drejtë studimi për Frëngjishten. Nuk arrita ta marr unë, por e mori një shok imi i klasës. Pas moshës 14-vjeçare doja të shkoja në një shkollë ku jetohej pranë shoqërisë, larg Durrësit. Dhe një element që lidhet me një histori të hershme familjare, më propozuan shkollën ushtarake. Vëllai i nënës sime ka qenë një nga skënderbegasit e viteve ’59. Ka qenë kampion i boksit në shkollën e skënderbegasit dhe në moshën 19-vjeçare ai humbet jetën në ring, në një ndeshje në Shkodër. Kështu që në kujtim të tij dhe një dëshirë nga të afërmit për të rinovuar kujtimin,vizionin e tij.

 Gazetari: Familja juaj ka pasur ndonjë problem me komunizmin?

Presidenti Nishani: Nga babi ka pasur disa probleme, ndërsa nga pjesa e nënës jo.

Gazetari: Personalisht a kishit ju lidhje me ushtrinë, a afektoheshit nga uniforma? Një i ri i rritur në Durrës mund të afektohet nga uniforma e marinarëve, por jo të ushtarakëve..?

Presidenti Nishani: Jo kurrë, gjithmonë kisha përgatitur veten si një njeri që flet gjuhën Frënge, që dëgjon muzikë Frënge, lexon romane frëngjisht, pra, kjo ishte bota që unë lundroja në atë kohë.

Gazetari: Pra ju nga gjuha Frënge shkuat në shkollën Skënderbeg si oficer, si ishte të largoheshe nga shtëpia në moshë 14-vjeçare për të jetuar në një komunitet të tillë shumë të disiplinuar?

Presidenti Nishani: Shumë e vështirë, por tashmë ajo kohë ka kaluar përvec faktit që njeriu ndjen një lloj nostalgjie për moshën e rinisë që nuk mund ta shijonte siç presupozohet ose ta kalosh nga atë kohë, them se kam përfituar shumë.

 Gazetari: Çfarë keni përfituar?

 Presidenti Nishani: Në karakter, në tip, në mënyrë të të menduarit, në mënyrë të të sjellurit, në mënyrë të qëndresës.

 Gazetari: Ishte e vështirë shkolla Skënderbeg në vetvete?

 Presidenti Nishani: Ka qenë e vështirë sepse ti limitoheshe, kufizoheshe nga mjaft gjëra.

Gazetari: Si ishte jeta e një 14-vjetari që i duhet të jetojë në konvikte, kishit orare fikse, strikte?

Presidenti Nishani: Po kishte, duhet të flije në orën 10:00, duhet të zgjoheshe në orën 6:00 dhe duhet të haje çdo vakt ushqimi i cili haheshe me komandë. Që në momentin që merrje komandën, ti duhet të hajde dhe kur merrje urdhrin për tu çuar, ti duhet të kishe mbaruar. Natyrisht dhe aktiviteti i ditës ishte një aktivitet me ngarkesë të konsiderueshme fizike dhe çdo gjë ishte e programuar.

Gazetari: A kishit ju besim në një karrierë tuajën ushtarake?

Presidenti Nishani: Po kam pasur, kam pasur edhe për faktin që degën që unë zgjodha për të studiuar në shkollën e lartë në Akademi, kishte të bënte me atë që u quajt Fakulteti i gjithanshëm në atë kohë që ishte pjesë e karrierës, pra e linjës së komandimit ku përfshiheshin të gjitha degët bashkë.

 Gazetari: Çfarë specialiteti kishit në shkollën e mesme, apo shkolla e mesme ishte e përgjithshme?

Presidenti Nishani: Shkolla e mesme ishte tërësisht si një gjimnaz.

Gazetari: Në shkollën e lartë për çfarë u specializuat?

Presidenti Nishani: Këtë që thashë, pra të komanduesit të gjithanshëm, që ti në një karrierë normale mbërrije deri në drejtues brigade, në komandues divizioni, në karrierën më maksimale të mundshme.

Gazetari: Kam përshtypjen se ushtria e kohës se komunizmit jetonte paksa me atë sindromën e tartareve të Dino Buxatit, të një armiku imagjinar, që nuk shfaqej kurrë në territorin shqiptar. Kishim ndërtuar bunkerë, ishim rrethuar  me tela me gjemba po i cili as nuk u shfaq por as që kishte ndërmend të shfaqej. Kur unë bëja stërvitjen ushtarake në fund të viteve ‘80, mbaj mend një oficer që hynte gjithmonë në orën 2 të natës në kapanon dhe bërtiste  ‘NATO dhe Traktati i Varshavës po sulmon Shqipërinë, çohuni të mbrojmë atdheun’. Në kohën që ne çoheshim dhe ecnim disa orë na njoftohej se NATO dhe Traktati i Varshavës ishin shkatërruar.

Gjithë kjo situatë absurde a perceptohej?

Presidenti Nishani: Kjo solli dhe degradimin me seriozitetin me të cilën trajtoheshin pastaj kurikulat dhe mënyra e sjelljes që nga pedagogët deri te studentët, derisa mbërritëm në atë nivel që ishte krejt e pa interesuar.

Gazetari: Ishte një ushtri serioze ajo që komunizmi ngriti?

Presidenti Nishani: Absolutisht. Në fakt, njerëzit që shkonin dhe e studionin ishin njerëzit që e merrnin me seriozitetin më të madh, sepse niseshin nga parimi për t’i shërbyer vendit. Së pari ideologjia, së dyti mentaliteti i kurikulës që ju e përmendët, së treti interesi i mëpasshëm solli degradimin në tërësi.

 Gazetari: Çfarë informacioni kishim ne zoti Nishani, një vend krejtësisht i izoluar në një kohë që ushtria dhe armët kishin pësuar sofistikime të jashtëzakonshme?

Presidenti Nishani: Absolutisht ishte krejt i largët, tema e diplomës që unë kam përgatitur, sepse ne ishim nga brezat e pakët që filluam të përgatisim diploma, ishte drejtimi i një batalioni mitraljer në rajonin e Korçës, nga Dardha deri në qafën e Kazanit për tu mbrojtur nga një sulm i përbashkët Greko-Italian-Amerikan. Pra, ti ishe i detyruar që të thoje se si do ta mbroje qafën e Kazanit dhe në fakt ishin momente dhe vite që erdhi në degradim dhe u kthye në qesharake, humbi dhe interesi pastaj për të reaguar dhe për t’i hyrë gjërave thellë.

 Gazetari: Brenda ushtrisë kishte një zë ose një rrymë mendimi që kjo gjë po ndodhte, apo as nuk mendohej?

 Presidenti Nishani: Unë nuk e kam konstatuar, por në ndryshimet që ndodhën në vitet ‘90 edhe gjatë kohës kur studentët u ngritën në Tiranë.

 Gazetari: Ju ishit student në kohën e protestave?

Presidenti Nishani: Unë kam qenë pedagog.

Gazetari: Në cilin vit filluat pedagog?

 Presidenti Nishani: Në vitin ’88, në kohën që mbarova shkollën.

Gazetari: Me rezultate të larta?

Presidenti Nishani: Ju e dini traditën kur mbaroje me rezultate të larta, në vitin ‘88 në kohën që mbarova shkollën.

Gazetari: Me rezultate te larta?

Presidenti Nishani: Ju e dini traditën që, nëse ti mbaroje me rezultate të larta preferenca ishte të qëndroje pedagog.

Gazetari: Çfarë lënde jepnit?

Presidenti Nishani:  Taktikën e këmbësorisë.

Gazetari: Ju keni qenë pedagog në kohën kur filloi të rrënohej regjimi komunist ku bashkë me të të binin kolonat mbështetëse që ishte ushtria. A keni marrë pjesë ju në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar në ngjarjet e vitit 1991?

Presidenti Nishani: Menjëherë në ato lëvizje u ravizuan dy qëndrime në dy grupe. Kishte një grup mazhoritar që nuk pranonin ndryshimet, ishte dhe një grup më i vogël. Jam ndjerë mirë që kam qenë pjesë e këtij grupi.

Gazetari: Çfarë ndodhi pas rrëzimit të Enver Hoxhës në Tiranë?

Presidenti Nishani: Kishte një grup studentësh dhe pedagogësh, studentë të nxitur nga disa  pedagogë që ishin njerëz më të ngarkuar ideologjikisht të cilët krijonin situata  jo reale.

Gazetari: Çfarë po ndodhte, kishte njerëz që kërkonin rikthimin e monumentit, a ishte një lloj grushti shteti ndaj komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura, që ishte dhe Presidenti i vendit?

Presidenti Nishani: Kishte reagime që vinin nga grupe të ndryshme krejtësisht jashtë imagjinatës dhe jashtë realitetit, ata të cilët mendonin se mund të rikthenin atë që kishte nisur të rrënohej. Në fakt, ka pasur një qëndresë të një grupi studentësh, kanë qenë studentë që unë i kisha si pedagogë.

Gazetari: Ka pasur reagim të brendshëm?

Presidenti Nishani: Patjetër që ka pasur reagim të brendshëm, madje dhe nëpërmjet forcës së tyre. Unë kam qenë përkrahje dhe organizator i një reagimi të tillë çka për kushtoi dhe largimin nga puna si pedagog në vitin 1997.

Gazetari: Në momentin që ndodhi ky reagim i brendshëm në Shkollën e Bashkuar i cili u nda në dy grupe, në një mazhoritar dhe në një më të vogël dhe ku përfaqësues të Partisë Demokratike, z. Ceka dhe z. Abdi Baleta mbërritën për të negociuar në Shkollën e Bashkuar, çfarë po ndodhte realisht atje?

Presidenti Nishani: Në ato momente unë nuk kam qenë, sepse pjesën më të madhe unë e kaloja jashtë shkollës me kontakte të ndryshme, kryesisht me pedagogë të Universitetit të Tiranës të cilët në një farë mënyre na jepnin informacion dhe inkurajim rreth asaj që po ndodhte.
Vërtet pati një reagim të një mase të madhe, por pjesa më e madhe e atyre që reaguan nuk kanë qenë studentë të shkollës, por ishin të ardhur nga shkolla e Zall-herrit, që në atë kohë përgatiste oficerë rezervistë dhe nga disa trupa të policisë të cilët ishin sjellë në territorin e Shkollës së Bashkuar.

Gazetari: Ishin sjellë për tu kundërvënë ndaj studentëve që ishin vënë në protesta?

Presidenti Nishani: Jo ishin sjellë për të krijuar një bërthamë të konsoliduar të reagimit të kundërt të atyre gjërave që po ndodhnin.

Gazetari: A pati ndonjë tentativë brenda Shkollës së Bashkuar për të rekrutuar studentët, që të përdoreshin kundër studentëve të Universitetit të Tiranës që ishin ngritur në protesta?

Presidenti Nishani: Personalisht nuk kam konstatuar, mund të ketë pasur. Ka pasur një nisje të studentëve për tu kundërvënë. Mbaj mend, te pjesa e unazës te Brryli, studentët të cilët ishin drejtpërdrejtë studentët e mi që studionin në degën e zbulimit  kanë detyruar makinat të ndalojnë dhe një pjesë të tyre i kanë detyruar të largohen, dhe kthimi pastaj i studentëve u bë i menjëhershëm se rezultoi se nuk donin të përplaseshin me studentët.

Gazetari: Si vazhdoi karriera juaj e mëpasme?

Presidenti Nishani: Natyrisht pas ndryshime të ‘92-shit, me krijimin e qeverisë së re në atë kohë të Partisë Demokratike jam ftuar të shkoj në prill të vitit 1993 në Ministrinë e Mbrojtjes pasi u hap për herë të parë Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë që nuk ekzistonte më parë. Pikërisht edhe për shkak të qëndrimeve të mia personale pasi në atë kohë qëndrimet ishin publike. Kisha njohje të mirë të gjuhës angleze, por në atë kohë afroheshin njerëz që ishin pro zhvillimeve demokratike për të filluar punë me marrëdhëniet me jashtë. Më pas kam punuar për disa vite në Ministrinë e Jashtme. Kam mbuluar kryesisht marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n në periudhën 1994-1995. Më pas jam larguar për një periudhë jo shumë të gjatë kohe për një Master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes. Pasi jam kthyer, jam ftuar nga ministri i kohës, i ndjeri Safet Zhulali për të qenë Nëndrejtor i kabinetit dhe drejtues i Protokollit të Ministrisë së Mbrojtjes.

 Gazetari: Pra vijonit gjithmonë një karrierë ushtarake?

Presidenti Nishani: Në ndërrimin e qeverisë në 1997, menjëherë në fillim të shtatorit, patëm një qeveri të përkohshme në atë kohë, pas zgjedhjeve u krijua qeveria. Për hir të së vërtetës, në atë kohë në drejtim të Shtabit të Përgjithshëm erdhën ish-drejtuesit e Shkollës së Bashkuar të viteve ’90, dhe natyrisht njohjet tona ishin shumë të drejtpërdrejta. Aktiviteti ynë njihej si i njërës palë dhe i tjetrës, por që mu komunikua menjëherë largimi nga puna. Dola në rezervë. Dhe ajo çka ishte më lënduese, ishte që në atë kohë për shkak të mungesës së strehimit, një pjesë e drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, familjarë, jetonin në disa apartamente që jetonin te ish-hoteli i ushtarakëve, që është pranë Ministrisë së Jashtme dhe më është kërkuar që brenda dy ditësh unë të liroja apartamentin. Unë jetoja më bashkëshorten dhe djalin që në atë kohë ishte 2 vjeç e pak dhe më është dashur që brenda dy ditësh të gjej një shtëpi tjetër me qera dhe të largohem.

 Gazetari: Pra ju larguan nga puna dhe njëkohësisht edhe nga banesa? Përpara se të vijojmë më tej, si ishin vitet e punës me Safet Zhulalin?

Presidenti Nishani: Shumë dinamike. Për ta bërë bisedën edhe më të hapur dhe më të drejtpërdrejtë, po tregoj një detaj se si ishte. Ishte një mbrëmje e zakonshme që unë u ktheva në shtëpi pas punës. Ishte ora 22.00 e mbrëmjes. Bie telefoni. Ngre telefonin dhe më thotë: Jam ministri? Ku je? I them: “Sapo erdha ne shtëpi”. Dhe ish-ministri ndjesë pastë më pyet “Ministri është larguar nga puna që kanë ikur vartësit? Jam kthyer sërish në punë atë natë. Ky ishte tempi i punës i përditshëm nga mëngjesi deri pas mesnatë.

 Gazetari: Në këtë kohë filloi edhe intensifikimi i marrëdhënieve me partnerët?

Presidenti Nishani: Shumë, shumë marrëdhënie të intensifikuara sidomos pas bërjes pjesë të Shqipërisë në iniciativën e partneritet për paqe ka pasur një dinamikë shumë të madhe të këtyre aktiviteteve.

Gazetari: Ju keni ndjekur ngjarjet e vitit 1997 nga selia e Ministrisë së Brendshme. Çfarë ndodhi realisht me ushtrinë shqiptare ato ditë zoti Nishani?

Presidenti Nishani: Ka qenë në fakt një situatë e cila precipitoi reagimin antishtet.

 Gazetari: Mundej ushtria ti mbronte depot e saj?

Presidenti Nishani: Pa diskutim që mundej, por kjo nuk mund të bëhej në ditët e fundit. Duhet të ishte punuar shumë më përpara. Duhej të ishte punuar në disa dimensione dhe nuk mund të jetë ushtria, forca e armatosur, brezi i cili duhet përballur me qytetarët. Shteti duhet të ketë disa breza, disa fasho, të cilat mund të përballojnë raste të tilla krizash, por ajo është tashmë një histori shumë e gjatë. Unë besoj që kërkon analizë.

 Gazetari: Ishin ditë të vështira?

Presidenti Nishani: Po ishin ditë shumë të vështira, unë në pozicionin që mbuloja në atë kohë kam pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta edhe me ish-Presidentin Moisiu, ishte Zv/ministër dhe çështja e drejtorisë së marrëdhënieve me jashtë me Zv/ministrin  kishte lidhje drejtpërsëdrejti dhe kemi mbajtur lidhje për t’i sqaruar për situatat.

Gazetari: A ishte një goditje për ushtrinë shqiptare ajo që ndodhi në ’97?

 Presidenti Nishani: Po shumë e madhe. Po shumë e madhe dhe fatkeqe.

 Gazetari: Në ç’kuptim fatkeqe?

 Presidenti Nishani: Krijoi perceptimet dhe bindjet se edhe në një shtet demokratik ushtria mund të sulmohet, ky është instrument i sigurisë kryesore të një vendi.

Gazetari: Në një nga komentet që kam lexuar më pas thuhej se, të paktën dy momente të rëndësishme kur ushtria duhet të funksiononte, pavarësisht shumë të ndryshme si momente, nuk funksionoi, në 7 prill të vitit 1939 dhe ’97. Në një rast kur duhet të mbronte vendin nga një agresion i huaj dhe në një rast që duhet të mbronte depot e saj të armëve nga sulmet e brendshme?

Presidenti Nishani: Unë mbetem i bindur se depot e repartit ushtarak duhen mbrojtur me rregulla ushtarake, por ngjarjet e ’97-tës patën një precipitim të tillë ku u përfshi politika, ekonomia, antishteti, antiligji, u përfshinë shumë gjëra së bashku.

Gazetari: Pra, ishte një zgjidhje politike dhe jo ushtarake?

 Presidenti Nishani: Pa diskutim.

 Gazetari: Zoti Nishani, kur u lidhët me Partinë Demokratike dhe si u angazhuat me të?

Presidenti Nishani: I kam pasur kontaktet që në fillim të krijimit të saj. Mbaj mend në atë kohë sapo ishte krijuar Partia Demokratike. Kam kontaktuar te disa ambiente që kishte Partia Demokratike, pastaj kam kontaktuar me të ndjerin Azem Hajdari te Shkolla e Kuqe, ku i kam kërkuar të angazhohesha, jo vetëm unë por edhe pjesa e angazhuar në ushtri. Më pas, kam kërkuar të anëtarësohem në Partine Demokratike që në vitin 1991 përsa kohë ishte e lejuar që një pjesë e ushtarakëve ishin në parti. Kam marrë pjesë në mënyrë aktive në fushatën e Ridvan Peshkëpisë. Ka qenë një fakt interesant në atë kohë, Ridvan Peshkepia shpërndau disa shënime të tij për të cilën unë mora përsipër shpërndarjen në shkollë. Kjo çështje u bë shumë e madhe, vinin dhe më kontrollonin se ku i kisha fshehur CV-të e Ridvan Peshkëpisë.

Më pas dhe angazhimi në punë duke qenë se ligji i depolitizimit të ndalonte anëtarësimin në partitë politike, u shkëputa nga stukturat e saj për tu rikthyer në 1998.

 Gazetari: Pasi u larguat nga puna me çfarë u morët?

Presidenti Nishani: Jam marrë me disa prona të mijat, kam punuar në aktivitete të ndryshme, kam punuar në një bar kafene të një mikut tim, si administrator i pjesshëm. Jam marrë me administrimin e pronave të familjes, kryesisht të bashkëshortes sime. Kemi pasur një biznes të vogël në Durrës, më pas në 2001 jam shkëputur pasi u zgjodha Sekretar i degës Tiranë, isha i angazhuar me kohë të plotë në PD.

Gazetari: Në vitin  2005 u zgjodhët për herë të parë deputet në zonën e kombinatit, ishte i vështirë për ju kandidimi?

Presidenti Nishani: Ka qenë një përballje shumë e vështirë në perceptim por dhe shumë dinamika sepse nga Partia Socialiste ishte ish-Minitri i Brendshëm, zoti Igli Toska, ndërsa nga LSI–ja ishte një nga figurat e saj dhe me mjaft eksperiencë, zonja Monika Kryemadhi.

Gazetari: Menduat se do të fitonit kur hytë në atë zonë?

Presidenti Nishani: Patjetër, madje në asnjë moment nuk kam menduar se s’do të fitoja, sepse unë e shtriva fushatën te kontakti me njerëzit. Takoja njerëz të cilët më thonin kemi votuar tradicionalisht për të majtën, por vota këtë radhë shkon për ju si kandidat. Ishte një fushatë që niste në 7 të mëngjesit dhe mbaronte në 2 të natës.

Gazetari: Ka qenë fushata më e vështirë e juaja?

Presidenti Nishani: Le të themi që po, më e vështira.

Gazetari: Cilat kanë qenë marrëdhëniet e tua me ish-kreun e Partisë Demokratike, zotin Berisha, kur e keni njohur?

Presidenti Nishani: Zotin Berisha për herë të parë e kam takuar në vitin 1998 kur ju bashkangjita trupës elektorale të Partisë Demokratike. Unë banoja në atë kohë në rrugën Bardhyl dhe në atë kohë u angazhova thellësisht. Më pas kontaktet më të shumta i kam pasur kur unë u zgjodha Sekretar i Përgjithshëm. E pata këtë propozim nga vetë zoti Berisha, të cilën unë e pranova me shumë kënaqësi. Që nga ai moment kam kontakte sepse zoti Berisha ka një gjë interesante,  mban dhe i ruan kontaktet e shkurtra por të shpeshta në të gjitha nivelet e bashkëpunëtorëve.

Gazetari: Po më pas, raportet tuaja me të si kanë qenë? Ka shumë komente që raportet me Berishën kanë qenë të vështira me punëtorët vartës.

Presidenti Nishani: Mund t’ju them një rast që deri para pak kohësh dukeshe e pabesueshme. Ministri i Brendshëm ka një dozë komunikimi dhe qasje nga ana e Kryeministrit, më dinamik dhe më të madh se ministrat e tjerë për shkak të natyrës së punës. Kam qenë për 5 vjet Ministër i Brendshëm, në dy qeveri të ndryshme të drejtuara nga zoti Berisha. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë ndërhyrje për të vepruar apo për të mos vepruar në mënyrë të caktuar. Ka qenë shumë serioz në komunikime, komunikonte gjatë dhe me detaje dhe me elementë për çfarë ishte tema e diskutimit. Kërkonte të zbatohej me çdo kusht ajo çka parashikonte ligji, ndoshta shpesh dhe dinamika krijonte situatë që mund të bëje propozime për të avancuar në mënyrën e veprimtarisë operacionale të instrumentit, siç ishte policia apo të çështjeve që lidheshim me pushtetin lokal.

Gazetari: Cili ka qenë momenti juaj më i vështirë më Berishën?

Presidenti Nishani: Momenti më i vështirë ka qenë te prodhimi i kartave të identitetit, që ishin të domosdoshme për liberalizimin e vendit. Na ndodhi një moment që kërkoheshin të dhënat nga Parlamenti për ecurinë e procesit dhe u prodhuan CD për të dhënë informacion se sa ishin prodhuar, se sa ishin kërkuar, e kështu me radhë. Ndodhi një gabim teknik, në regjistrimin e CD-ve të të dhënave, u përzien të dhënat të atyre që kishin aplikuar me të atyre që kishin marrë. Na ndodhi një çrregullim i madh, tjetër informacion i kishim raportuar qeverisë dhe Kryeministrit dhe kur unë verifikoj informacionin një ditë më pas më dilte një informacion krejt tjetër. Natyrisht më duhej t’ja raportoja këtë ndryshim, u vendos në një pozicion shumë të vështirë se kishte të bënte me seriozitetin e qeverisë, por kishte të bënte dhe me ecurinë e një procesi shumë të rëndësishëm siç ishin zgjedhjet. Atëherë me ndihmën e OSBE-së u arrit të zgjidhej ky problem. Kanë qenë 48 orë të një ferri të vërtetë, të një situate psikologjike shumë të rëndë .

Gazetari: Dhe në karrierën si ministër, Ministër i Brendshëm më pas Ministër i Drejtësisë, cili ka qenë momenti më i vështirë?

Presidenti Nishani: Jo, në karrierë ka qenë momenti kur janë vrarë katër policët në Durrës, në gusht të vitit 2009. Ishte moment i vështirë, së pari, për ngjarjen, për aktin, humbën jetën 4 punonjës policie që shkuan për detyrë. Së dyti, për faktin se për herë të parë gjatë viteve të punës isha përgatitur të shkoja një javë me pushime me familjen. Ditën e shtunë kishim prerë bileta për tu nisur me pushime me familjen, për herë të parë pas shumë vitesh. Dhe së treti pasi e gjithë ngjarja kishte ndodhur në një proces ku Ministri ishte përjashtuar tërësisht nga informacioni.

Gazetari: Ministri nuk dinte gjë?

Presidenti Nishani: Ministri nuk dinte asgjë për këtë informacion. E kam marrë vesh në momentin që ndodhi ngjarja përmes titrave të medias.

Gazetari: Pra e morët vesh nga media dhe jo nga strukturat e policisë?

Presidenti Nishani: Nga mediat u mor vesh ngjarja. Por organizimi, planifikimi dhe realizimi i ngjarjes u bë tërësisht jashtë miratimit dhe informimit të Ministrit të Brendshëm.

Gazetari: Zoti Nishani, aktualisht keni raporte personale me zotin Berisha?

Presidenti Nishani: Padyshim që kam.

Gazetari: Intensive?

Presidenti Nishani: Jo intensive, por mbajmë raporte, kontakte të shkëmbimit të një mendimi, të një kafe. Për hir të së vërtetës jo intensive.

Gazetari: Po nëse një ditë karriera juaj si President i Republikës do të mbyllet do të riktheheni sërish në partinë nga keni dalë?

Presidenti Nishani: Unë kam deklaruar që në ditët e para të zgjedhjes sime që nuk shkon që një President Republike të kthehet në një parti politike. Natyrisht që ka objektivat e tij një njeri në politikë. Nuk është se e shikoj veten në moshën e pensionit, por që mendoj që ka sot hapësira dhe mundësi për ti shërbyer vendit jo vetëm brenda partive politike.

Gazetari: Mandati juaj limitohet te ky që përfundon në vitin 2017 apo do tentoni një mandat të dytë Z. Nishani?

Presidenti Nishani: Patjetër që objektivi i parë është të tentoj mandatin e dytë.

Gazetari: Keni pasur një problem shëndetësor gjatë viteve që punonit si ministër i Brendshëm që ju ka vazhduar. A ndiheni më mirë tani?

Presidenti Nishani: Patjetër. Është një proces në përmirësim. Është një proces i cili ka nevojë për kohën.

Gazetari: Ka qenë më i gjatë se çe prisnit?

Presidenti Nishani: Jo ka qenë aq i gjatë sa çu parashikua që në fillim. Por, nëse nuk do e kisha ndërmarrë atë ndërhyrje do të kishte qenë një rrezik real për jetën.

Gazetari: Dhe aktualisht, fizikisht si ushtroheni?

Presidenti Nishani: Unë bëj ushtrime palestre rregullisht, bëj not, ecje rregullisht. Natyrisht jo në ambiente shumë publike.

Gazetari: Dhe kur mendoni se mund ta kapërceni përfundimisht zoti President?

Presidenti Nishani: Unë besoj që edhe në këto momente ka një ngarkesë që vjen kur je në aktivitet publik, që vjen për shkak të vetë emocionit që jep vetë ngarkesa apo prezenca e njerëzve ndërsa në jetën e përditshme jam krejt normal.

Gazetari: Dhe pyetja e fundit. Ku e kaloni Vitin e Ri dhe me kë?

Presidenti Nishani: Gjithmonë në shtëpi. Gjithmonë me familjen. Dhe këtë vit në shtëpi me familjen.

Gazetari: Në rezidencën e rinovuar?

Presidenti Nishani: Po. Dhe e kemi bërë zakon që kemi ftuar fëmijë nga Shtëpia e Fëmijës, për të festuar së bashku.

*Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për emisionin ‘Opinion’ të gazetarit Blendi Fevziu

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Blendi Fevziu, Interviste, presidenti Nishani

PRESIDENTI NISHANI: NUK DO TË PRES 7 DITË PËR TË DEKRETUAR QEVERINË

September 7, 2013 by dgreca

Intervista e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, dhënë gazetarit të televizionit “Klan”, Blendi Fevziu/

Gazetari: Të nderuar teleshikues, mirëmbrëma! Po ju flas nga një studio e improvizuar në Presidencën e Shqipërisë, në  selinë  e Presidentit të Republikës, në një intervistë të lajmëruar gjatë gjithë javës së kaluar, një intervistë e fokusuar te zhvillimet politike që la pas sezoni i kaluar dhe që pritet të fillojnë në këtë sezon të ri politik. Është një intervistë me Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani. Thashë, sikurse e keni ndjekur, e lajmëruar ditët e fundit është një intervistë premierë e emisionit “Opinion”, që do të vijojë me përditshmërinë e tij katër herë në javë prej datës 12 shtator.
Zoti President, mirëmbrëma dhe faleminderit që pranuat ftesën!

Presidenti Nishani: Kënaqësia është e imja dhe ju uroj suksese në këtë sezon të ri!

Gazetari: Faleminderit! Shpresoj që edhe ju të keni pasur pushime pak a shumë normale. Nuk e di nëse presidentët pushojnë apo jo zakonisht?!

Presidenti Nishani: Pushimi është i nevojshëm për të gjithë për të qenë i përgatitur për çdo sezon pune në mënyrën më dinamike të mundshme.

Gazetari: Keni pushuar këtu apo jashtë?

Presidenti Nishani: Unë, në përgjithësi, pushoj në Shqipëri. Më pëlqejnë vendet e bukura të Shqipërisë, më pëlqen bregdeti, mali e gjithçka.

Gazetari: Thonë se Shqipëria është e bukur ashtu si e ka krijuar Zoti aty ku s’ka vënë dorë njeriu, por aty ku kanë vënë dorë njerëzit, mjedisi është shumë problematik.

Presidenti Nishani: Jo në çdo rast kjo është e vërtetë.

Gazetari: Jo në çdo rast kjo është e vërtetë?! Ju keni pushuar në selinë e Presidentit në Jug apo ….?

Presidenti Nishani: Unë kam qenë në Jug, në Veri, kam qenë në Vermosh, ku pashë një bukuri të veçantë të Shqipërisë. Ishte një vend turistik për t’u admiruar. Kam qenë në Libohovë, në Dhërmi.

Gazetari: Paskeni bërë, pak a shumë, pushime aktive; në lëvizje. Në Vermosh ishit për herë të parë?

Presidenti Nishani: Isha për herë të parë dhe jam mrekulluar.

Gazetari: Ç’do me thënë, jeni mrekulluar?

Presidenti Nishani: Së pari, nga natyra, nga bukuria e vendit, nga mikpritja e njerëzve, por edhe nga disa elementë të tjerë etnografikë, siç ishin kostumet popullore, për të cilët kisha dëgjuar shumë, por nuk i kisha parë aq afër.

Gazetari: Kemi parasysh se kur flasim për turizmin në Shqipëri apo Shqipërinë turistike, kemi parasysh segmentin nga Vlora në Jug, në Sarandë dhe deri diku Durrësin. Pjesën tjetër të Shqipërisë nuk e konsiderojmë turistike.

Presidenti Nishani: Për fat të keq. Çdo vend i Shqipërisë, çdo cep i saj, nga Vermoshi e deri Jug, është i bukur.

Gazetari: Kishte turistë në Vermosh?

Presidenti Nishani: Po, kishte. Ata ishin të vendosur atje edhe me tenda e çadra dhe me mjetet e tyre që lëviznin përgjatë Alpeve, përgjatë maleve të asaj zone.

Gazetari: Përveç pushimeve, ka qenë aktive vera juaj, zoti President?

Presidenti Nishani: Pothuajse, ka qenë aktive çdo ditë. Edhe ditët që kanë qenë jashtë zyrës, që mund të konsiderosh ditë pushimi, kanë qenë të lidhura me zhvillimet e politikës, me zhvillimet në vend me aktivitetet e detyrat e Presidentit të Republikës, çdo ditë pa dyshim.

Gazetari: Zoti Nishani, Ju jeni Presidenti i dytë, sepse paraardhësit kanë dhënë dorëheqjen, që do të tranzitoni pushtetin; pra, do të jeni në detyrën e Presidentit në kalimin e pushtetit nga njëra forcë politike drejt një force tjetër. Duket pak e vështirë në fillim. A jeni i përgatitur Ju për këtë kalim politik?

Presidenti Nishani: Ky është normaliteti i një demokracie të konsoliduar, i një demokracie që funksionon.

Gazetari: A kanë qenë krejt demokratike këto zgjedhje dhe a ka qenë demokratike gjithë situata para dhe pas zgjedhore?

Presidenti Nishani: Unë besoj se po. Ka qenë situatë para dhe pas zgjedhore nga më të mirat e hasura ndonjëherë. Këtë e bazoj jo vetëm në gjykimin tim; ka qenë një fushatë që në mënyrë të përsëritur unë e kam përcjellë edhe tek opinioni vendas dhe te partnerët, e mbështetur tërësisht në vizionin dhe në platformat qeverisëse, kryesisht e fokusuar te çështjet e ekonomisë , si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. Procesi zgjedhor, pa dyshim, ka qenë një proces i mirë. Natyrisht, që unë besoj se pas daljes së raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë, duhet të merren hapa të tjerë për ta përmirësuar akoma më shumë në të ardhmen. Ne kemi nevojë për përsosmëri gjithmonë.

Gazetari: Kishit shqetësim se mund të ndodhte ndonjë problem me zgjedhjet?

Presidenti Nishani: Në mënyrë institucionale, unë nuk kam pasur informacione, identifikime apo indicie që mund të kishte probleme me zgjedhjet; por gjithsesi, shqetësimet shpesh herë shfaqeshin nga aktorë dhe faktorë të ndryshëm të shoqërisë. Për një gjë jam shumë i kënaqur, që në të gjitha rastet kur hamendësohej për shqetësime, për  përplasje sociale që mund të vinin si pasojë e zgjedhjeve, të gjithë dështuan dhe nuk rezultuan të vërteta.

Gazetari: Zoti President, a mund të konsiderohet Shqipëria në një normalitet demokratik pas dy palë rrotacionesh në kushte normale?

Presidenti Nishani: Besoj se po.

Gazetari: Sot e tutje ne mund të quhemi një vend që i kemi përmbushur standardet?

Presidenti Nishani: Unë besoj se i gjithë procesi, ashtu si ju iu adresuat para pak çastesh, fushata zgjedhore, angazhimi i qytetarëve ditën e zgjedhjeve, funksionimi i administratës zgjedhore, me përjashtim të rastit të  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që ndenji i paplotësuar, veçanërisht mënyra e sjelljes së klasës politike pas daljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ka qenë tregues i një pjekurie dhe maturie politike të Shqipërisë dhe institucioneve të saj.

Gazetari: Çfarë ka nevojë të përmirësojë Shqipëria nga zgjedhjet, zoti President?

Presidenti Nishani: Ndoshta do të ishte më mirë që ne të prisnim raportin e institucioneve të specializuara për këtë, por gjithmonë unë e them se gjithnjë kemi mjaft probleme për t’i përmirësuar. Asnjëherë nuk mund të themi që kemi arritur gjithçka.

Gazetari: Duket se e gjithë vëmendja aktuale është e përqendruar tek mazhoranca e re dhe dekretimi që ju do t’i bëni asaj. Ndërkohë,  para kësaj, hasim një veprim paraprak, Kryeministri në detyrë, zoti Berisha ka deklaruar sot në mbledhjen e qeverisë se do t’ju paraqesë Juve dorëheqjen? A do t’ia pranonit menjëherë dorëheqjen Kryeministrit? A ka nevojë Kryeministri që t’ju paraqesë Juve dorëheqjen?

Presidenti Nishani: Natyrisht, procedura e parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj, do të ishte mirë të respektohej; kështu që çdo hap që ka të bëjë me një kalim normal të pushtetit, është një hap pozitiv dhe mund të aplikohet në Shqipëri.

Gazetari: Zoti President, edhe në postin Tuaj si Kreu i Shtetit, por edhe si  një figurë politike e këtyre viteve në Shqipëri, si do ta gjykonit vendimin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Kryeministrit në detyrë për t’u tërhequr nga udhëheqja e Partisë Demokratike pas një karriere 23-vjeçare në politikën shqiptare?

Presidenti Nishani: Është plotësisht një e drejtë personale dhe individuale e gjykimit politik dhe njerëzor të zotit Berisha. Kjo mbetet një çështje që do të reflektohet, pa dyshim, në historinë politike.

Gazetari: Si do ta gjykonit Ju angazhimin e tij dhe kontributin 23-vjeçar në politikë?

Presidenti Nishani: Unë besoj se është shumë shpejt të bësh analiza të tilla, aq më tepër nga pozicioni i Presidentit të Republikës, por jam i bindur që kontributet janë gjithmonë të rëndësishme për t’u vlerësuar e për t’u parë me syrin kritik; njëkohësisht, për të parë se çfarë kanë sjellë si rezultat këto kontribute dhe këto angazhime të personaliteteve kaq të rëndësishme që janë në krye të punëve të vendit për një kohë të gjatë.

Gazetari: Zoti President, pritet që kuvendi të mblidhet ditën e hënë, datë 9 shtator dhe Ju të ushtroni funksionet Tuaja si Kreu i Shtetit. Pyetja ime e parë dhe e drejtpërdrejtë është: Kur do ta dekretoni Kryeministrin e Ri të Shqipërisë? Kryeministri, ndërkohë po bën disa mbledhje paralele kabineti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, pavarësisht se janë jozyrtare.

Presidenti Nishani: Unë nuk kam dekretuar ende asnjë qeveri të re, por siç jeni të njoftuar, unë kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit në datën 9 shtator…

Gazetari: Që është brenda limiteve ligjore.

Presidenti Nishani: Po, brenda limiteve ligjore. Në datën 7 shtator është dita e fundit e Kuvendit që mbylli sesionin parlamentar dhe, natyrisht, e gjykova të arsyeshme që pas ditës së diel, datë 8 shtator, 9 shtatori të ishte data më e përshtatshme që Kuvendi i Ri të mblidhej, të kryente detyrimet e para të tij të zgjedhjes së Kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë; menjëherë, pas kësaj date, unë pres që koalicioni fitues të sjellë propozimin zyrtar…

Gazetari: Pas verifikimit të mandateve.

Presidenti Nishani: Pas verifikimit të mandateve për të emëruar Kryeministrin e Ri. Me të ardhur propozimi zyrtar nga koalicioni fitues, natyrisht, që Presidenti i Republikës, do të dekretojë emërimin e Kryeministri të Ri.

Gazetari: Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Ju keni 7 ditë kohë për ta dekretuar Kryeministrin e Ri, zoti Nishani. Do ta shpenzoni komplet këtë periudhë kohore apo mendoni se mund të kryhet më shpejt?

Presidenti Nishani: Unë mendoj se nuk ka nevojë për asnjë lloj sforcimi të pamotivuar të konsumimit të kohës, koha është gjithnjë në dispozicion të funksionit dhe detyrës që kryen. Në çastin që funksioni, detyra dhe përgjegjësia janë të qarta për t’u ushtruar, ato duhet të ushtrohen në çastin më të parë të mundshëm.

Gazetari: Që do të thotë se Ju do ta dekretoni në çastin më të parë të mundshëm Kryeministrin e Ri?

Presidenti Nishani: Pa diskutim.

Gazetari: Zoti Nishani, ndërkohë, pas dekretimit të Kryeministrit të Ri, ai duhet të paraqesë listën e ministrave për t’u dekretuar sërish nga Presidenti i Republikës, më pas për t’u betuar në Kuvend dhe për të filluar funksionin e tyre ose për të marrë detyrën. Keni sërish 10 ditë kohë. Ju jeni njohur me listën e ministrave, nuk është si rastet e tjera që dekretimi i Kryeministrit ka çuar më pas në bërjen publike të listës së ministrave. A keni Ju, si President i Republikës, pakënaqësi, hezitime dhe paragjykime për ndonjë nga ministrat e deklaruar të mazhorancës së majtë?

Presidenti Nishani: Ushtrimi i detyrave kushtetuese nuk lidhet me pakënaqësitë apo hezitimet personale, përveçse me detyrimet kushtetuese dhe kriteret ligjore.

Gazetari: A keni Ju pakënaqësi në kuptimin e dekretimit të ndonjërit prej emrave që janë deklaruar nga mazhoranca e majtë si ministra të mundshëm?

Presidenti Nishani: Unë ende nuk e kam marrë zyrtarisht propozimin.

Gazetari: Ju e dini shumë se kush janë ministrat e qeverisë së re.

Presidenti Nishani: Pa diskutim. Jam njohur përmes mediave, sepse kanë qenë deklarata zyrtare të përfaqësuesve të mazhorancës së re qeverisëse për emrat, por natyrisht Presidenti i Republikës duhet të reflektojë tek opinioni publik një qëndrim strikt ndaj procedurës dhe ligjit. Kjo nuk do të thotë që ne mund të bëjmë të paqenin; gjithsesi, janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës.

Gazetari: Ç’do me thënë: “Janë institucionet ato që e ndihmojnë Presidentin e Republikës”?

Presidenti Nishani: Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga mazhoranca konkrete.

Gazetari: Në momentin që Ju do të keni zyrtarisht listën e ministrave do t’u kërkoni institucioneve të tjera kompetente të hetojnë për secilin prej këtyre emrave? Që do të thotë: A do t’i kërkoni Ju Shërbimit Informativ Shtetëror apo strukturave të tjera të specializuara që të verifikojnë dhe të hetojnë përputhshmërinë e këtyre personave me postin?

Presidenti Nishani: Jo. Presidenti i Republikës duhet t’i ndjekë të gjitha hapat ligjorë dhe kushtetues që e lidhin atë me një detyrë kaq të rëndësishme, sa ç’është dekretimi i një qeverie të re.

Gazetari: Dekretimi do të bëhet ministër për ministër, zoti President?

Presidenti Nishani: Dekretet janë me emra.

Gazetari: Që do të thotë se mund të refuzoni për të dekretuar ndonjë emër të caktuar për arsye të informacioneve që Ju mund të merrni apo për mendimet që keni për një figurë?

Presidenti Nishani: Nëse do të ketë arsye kushtetuese, po.

Gazetari: Vetëm nëse ka raste të arsyeve kushtetuese dhe jo ato që lidhen me opinionin Tuaj?

Presidenti Nishani: Natyrisht, opinioni i Presidenti të Republikës nuk është një opinion që mund të ndikojë në vendimet apo përmbushjet e detyrave kushtetuese.

Gazetari: Cilat quhen arsyet kushtetuese, zoti President?

Presidenti Nishani: Natyrisht, ato që bien ndesh me ligjin, që kanë të bëjnë me karakterin e mospajtueshmërisë të funksionit të detyrës së ministrit. Ato janë qartësisht të përcaktuara në Kushtetutë.

Gazetari: Në qoftë se nga një shërbim i specializuar do të vinte informacioni se dikush prej ministrave mund të ketë pasur lidhje me ish-shërbimet sekrete të kohës së regjimit komunist etj., a do të refuzonit Ju ta dekretonit?

Presidenti Nishani: Nuk mund të paragjykoj asnjë hap të Presidentit të Republikës në këtë çast, por natyrisht, Kreu i Shtetit, do të jetë një respektues strikt i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit, pa diskutim, se kjo është detyra dhe përgjegjësia e tij.

Gazetari: Zoti President, ndërkohë, mbeten 10 ditë kohë nga çasti i marrjes së propozimit të emrave të ministrave deri në dekretimin e tyre, a do të ndiqni për dekretimin e qeverisë të njëjtën rrugë të shpejtë si në dekretimin e Kryeministrit?

Presidenti Nishani: Pa diskutim që do të ndjek një rrugë normale; nuk ka asnjë arsye për të krijuar pengesa artificiale apo tejkalime artificiale të kohës.

Gazetari: Kryeministri që pritet të hyjë në zyrë, por që ende nuk ka hyrë, Zoti Rama, ka paralajmëruar vizita zyrtare në Kosovë, Bruksel dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A mendoni se dekretimi do të kryhet brenda kësaj kohe për t’i mundësuar atij t’i realizojë këto vizita?

Presidenti Nishani: Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve është një element i rëndësishëm për funksionimin e tyre, për imazhin e vendit, por edhe për përmbushjen e detyrave të gjithsecilit.

Gazetari: Zoti President, a keni apo keni pasur Ju vështirësi komunikimi me përfaqësuesit e së majtës gjatë kësaj periudhe që keni qenë në krye të shtetit?

Presidenti Nishani: Natyrisht, nëse mund t’i quajmë vështirësi deklaratat politike, por që te puna e Presidentit të republikës nuk kanë ndikuar. Ato mbeten për t’u gjykuar nga opinioni publik. Për mua është e rëndësishme që çdo institucion të ruajë, në radhë të parë, integritetin e tij institucional, kushtetues, por edhe individual.

Gazetari: Zoti President, ndërkohë, si mendoni se duhet kryer kalimi i pushtetit nga një mazhorancë e djathtë, që e ka ushtruar këtë pushtet për 8 vjet, në një mazhorancë të majtë, që ka marrë një numër prej 83 mandatesh aktualisht?

Presidenti Nishani: Me gjithë problemet që ekzistojnë ende, unë besoj se kemi një administratë civile të konsoliduar.

Gazetari: E cila ndihet e kërcënuar më shumë se çdokush tjetër në këtë vend.

Presidenti Nishani:  Unë do të kërkoja që ajo të mos ndihej e kërcënuar. Është e respektuar maksimalisht nga ligji dhe procedura, por edhe nga politika, me që politika vjen në krye të punëve, edhe në udhëheqje të institucioneve. Unë desha të kthehem te pyetja juaj që kjo administratë civile e konsoliduar, pa dyshim, që e ndihmon kalimin e pushtetit në mënyrë normale. Unë besoj se që nga viti 2005, për hir të së vërtetës, kemi krijuar një traditë të kalimit të pushtetit.

Gazetari: Të kalimit normal të pushtetit, se kalim ka pasur gjithnjë.

Presidenti Nishani: Po, të kalimit normal; kështu që unë do të vlerësoja shumë çdo akt të anëtarëve të kabinetit që largohen nga detyra për të paraqitur një ecuri të të gjitha punëve që ata kanë bërë tek anëtarët e rinj të kabinetit që do të vijnë. Natyrisht, pjesa procedurale është pjesë e dinjitetit të institucioneve të shtetit shqiptar.

Gazetari: Çfarë rol do të luani Ju, si President i Republikës, në këtë kalim të pushtetit nga e djathta drejt së majtës?

Presidenti Nishani: Asgjë më shumë se ç’përcakton Kushtetuta. Nuk mund të dalë Presidenti i Republikës jashtë tagrit të tij Kushtetues: Përgjegjësi shumë të madhe në përmbushjen e detyrimeve të tij kushtetuese, që fillojnë me thirrjen e Kuvendit, me dekretimin e Kryeministrit, të qeverisë, betimin e ministrave dhe paralelisht me këta inkurajimin e institucioneve të pavarura për të përmbushur detyrat e tyre me të njëjtin temp, ritëm dhe përgjegjësi si në çdo kohë normale të qeverisjes.

Gazetari: Pa dyshim, që çdo mazhorancë që vjen ushtron presion ndaj këtyre institucioneve të pavarura ose tenton zëvendësimin e krerëve të tyre me përfaqësues që janë më pranë saj; nuk po them direkt të saj. a do të jeni Ju garant se nuk do të ketë ndryshime thelbësore në këto institucione të pavarura?

Presidenti Nishani: Presidenti i Republikës do të jetë garant i Kushtetutës, do të jetë garant i ligjshmërisë, do të jetë garant dhe i integritetit individual të personave, të cilët kanë marrë përsipër një përgjegjësi për të drejtuar institucione të tilla kushtetuese. Të tria këto së bashku përbëjnë, së pari, detyrën që ka Presidenti i Republikës ndaj vendit, detyrën e tij ndaj shtetit si Kreu i Shtetit, por edhe ndaj imazhit të vendit.

Gazetari: A do të refuzonit Ju që të firmosnit në një rast të mundshëm, apo të refuzonit presionet që mund të keni për zëvendësimin  e Kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, të Kreut të Prokurorisë së Përgjithshme ose institucione të tjera të pavarura, që natyrisht, kësaj mazhorance që vjen do t’i leverdiste t’i kishte të vetat?

Presidenti Nishani: Asnjë presion nuk do të gjejnë te Presidenti i Republikës, por mjedis bashkëpunues.

Gazetari: Atëherë, për çfarë do të bashkëpunojë Presidenti i Republikës me këtë mazhorancë të re që po vjen?

Presidenti Nishani: Për shumë gjëra: Presidenti i Republikës është drejtuesi i një prej institucioneve më të rëndësishme kushtetuese të vendit; Presidenti i Republikës është Kreu i Shtetit Shqiptar; Presidenti i Republikës do të përcjellë apo paraqesë në mënyrë zyrtare politikën e jashtme të shtetit shqiptar që miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe zbatohet nga qeveria, por është zëri i Presidentit të Republikës që, në bazë të Kushtetutës, që e paraqet këtë politikë të jashtme të shtetit; Presidenti i Republikës është një aktor i rëndësishëm në përbërjen e institucioneve të larta të vendit, siç janë: Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Natyrisht, këtë e bën në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin. Një qeveri është produkt i një mazhorance parlamentare. Por edhe në ndërmarrjen e reformave të tilla të rëndësishme ku do të spikasin, pa dyshim, ato që lidhen me integrimin evropian të vendit.

Gazetari: Zoti President, e majta-pjesa kryesore e së majtës, ajo që përfaqësohet nga Partia Socialiste, ka votuar kundër jush në Kuvend, pra, nuk ka votuar pro jush; vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim ju ka votuar Juve për të qenë President i Republikës. Ndërkohë, ka pasur disa deklarata nga përfaqësues të së majtës, të niveleve të ndryshme, kundër jush gjatë këtij viti që Ju po ushtroni detyrën. A mendoni që këto do të krijojnë një klimë paragjykimi dhe do ta bëjnë më të vështirë bashkëpunimin Tuaj me këtë mazhorancë të re?

Presidenti Nishani: Kjo mbetet pikërisht në sjelljen politike të mazhorancës së re, nuk është çështje e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës është zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Presidenti i Republikës i ka të përcaktuara qartazi detyrat, të drejtat dhe detyrimet e tij në Kushtetutën e vendit. Nëse Presidenti i Republikës do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, pa dyshim, mban përgjegjësinë e tij institucionale dhe ligjore, por unë besoj se mazhoranca e re do të ofrojë atë vizion dhe atë koncept funksionimi institucionesh që ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë Presidenti i Republikës, që është: Bashkëpunimi, mbi të gjitha, mirëbesimi midis institucioneve. Kjo është në bazën e themelit të punës së vetë institucionit në mënyrë individuale, por edhe në mënyrë bashkëpunuese dhe në mënyrë kolektive, pasi vërtet institucionet kanë pozicionet e tyre të veçanta, por në fund të fundit, të gjitha janë produkt i shoqërisë, janë në shërbim të shtetit shqiptar dhe duhet të funksionojnë në harmoni dhe në formën e një mekanizmi që komplementon njëri-tjetrin në përmbushjen e të gjitha detyrave që ata kanë.

Gazetari: Një nga akuzat që Ju është bërë nga e majta, zoti President, është fakti se në drejtimin e Institucionit të Presidentit të Republikës keni ndjekur ose përkrahur një linjë që shkon paralel ose në favor të Partisë Demokratike që ju ka zgjedhur, së cilës i keni përkitur deri ditën që jeni betuar si President i Republikës. A është e vërtetë kjo? A i keni dhënë Ju ngjyrim blu Presidencës së Republikës në një farë mënyre?

Presidenti Nishani: Kjo mbetet për t’u gjykuar ftohtë dhe, më mirë se kushdo, nga opinioni publik. Unë e kam shprehur edhe herë të tjera që nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë lloj kompleksi që unë kam ardhur politikisht nga Partia Demokratike. Ka qenë zgjedhja ime, me vullnet të plotë, anëtarësia në Partinë Demokratike dhe angazhimi politik brenda kësaj partie politike; ashtu siç është zgjedhja me vullnet të plotë e çdo anëtari të Partisë Socialiste apo të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët janë pjesë e atyre partive politike. Nuk mundet askush të thotë se një njeri është i zhveshur nga emocionet politike, por aftësia e individit që merr përgjegjësi të tilla në drejtimin e vendit, të institucioneve të vendit, aq më tepër në institucionin më të lartë kushtetues të vendit, që është Institucioni i Presidentit të Republikës, ka të bëjë pikërisht me menaxhimin e ndjesive të tua individuale dhe mbi mbizotërimin në çdo çast të përgjegjësisë kushtetuese të detyrës që ke për të ushtruar dhe, natyrisht, të korrektesës në zbatimin dhe detyrimin e detyrave të tua kushtetuese.

Në betejën politike midis palëve politike ka rezultuar që edhe Presidenti i Republikës nuk ka qenë i shmangur nga targeti i zhargonit apo…

Gazetari: Nga targeti i luftës politike apo në shërbim të luftës politike?

Presidenti Nishani: Nga targeti i luftës politike, sepse në të gjitha rastet në një sens normal të gjykimit, Presidenti i Republikës, gjykohet nga mekanizma të caktuar që është Gjykata Kushtetuese dhe pastaj në kuptimin e përgjithshëm, është opinioni publik. Nëse Presidenti i Republikës përmbush një detyrë të tij, kjo nuk do të thotë automatikisht se i ka shërbyer njërës forcë politike apo forcës tjetër. Të qenit jo konfliktual i Presidentit të Republikës, besoj se është një nga përgjegjësitë e Presidentit të Republikës.

Gazetari: Dhe detyrim.

Presidenti Nishani: Dhe detyrim. Kur them përgjegjësi, padyshim që është dhe detyrim.

Gazetari: Ndërkohë, një nga pjesët më të komentueshme, zoti President, ishte nxjerrja nga plani i shpërndarjes që ju i bëtë Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, menjëherë, pasi qeveria vendosi ta kalonte atë si seli të re të Partisë Demokratike. A ishte kjo firmosje një vënie në shërbim të Partisë Demokratike dhe përse e firmosët menjëherë pas vendimit të qeverisë këtë?

Presidenti Nishani: Së pari, do të bëja të njëjtën gjë edhe po t’i jepej për seli Partisë Socialiste.

Gazetari: Po Ju  e vendosët pas vendimit të qeverisë. Mund ta kishit nxjerrë Ju nga plani i shpërndarjes dhe pastaj qeveria ta kalonte si seli?

Presidenti Nishani: Për të mos hyrë dhe sqaruar veprimet e qeverisë, megjithëse …

Gazetari: Ju e kërkuat, zoti President, apo mendoni se ishte i panevojshëm?

Presidenti Nishani: Ja ta sqaroj: Vendimi i qeverisë është bërë zyrtar pas dekretit të Presidentit të Republikës; mund të ketë pasur diskutime në qeveri, kjo është çështje tjetër, e ka pasqyruar qeveria, por akti zyrtar i vendimmarrjes, mesa unë jam informuar, është bërë pasi Presidenti i Republikës ka dekretuar nxjerrjen jashtë planit të përhapjes së objektit. Presidenti i Republikës ka ushtruar ….

Gazetari: U nxor jashtë planit të përhapjes sepse realisht nuk duhej, apo për t’i bërë një dhuratë Partisë Demokratike? Pra, si pasojë e një vendimi të qeverisë politik apo nuk ka rëndësi, të cilën Presidenti e aprovon?

Presidenti Nishani: Këtë do ta shikojmë në dy dimensione. Së pari, në aspektin formal dhe në aspektin përmbajtësor. Në aspektin formal është një e drejtë dhe detyrë ekskluzive e Presidentit të Republikës nxjerrja e këtyre objekteve jashtë planit të përhapjes. Natyrisht propozimi ka ardhur nga ministria e linjës që është Ministria e Mbrojtjes.

Gazetari: Por e pa firmosur nga Shefi i Shtabit të Ushtrisë zoti President.

Presidenti Nishani: Natyrisht, në hartimin e një dokumenti, e një propozimi ku marrin pjesë shumë aktorë nuk është e domosdoshme që të gjithë të bien dakord. Ligji ia lë tërësisht në dorë Presidentit të Republikës vendimmarrjen përfundimtare. Por, natyrisht që Presidenti i Republikës kërkon informacionet e detajuara. Informacionet zyrtare që kanë ardhur tek Presidenti i Republikës, tregojnë që ky ishte një objekt i cili në radhë të parë nuk ishte një objekt që përdorej për pjesën operacionale të ushtrisë, që do të thotë, që nuk ishte një poligon, nuk ishte një depo armatimi, që natyrisht në raste të tilla ishte e domosdoshme që të mbeteshin, në gjykimin tim, pjesë e forcave të armatosura. Ishte një objekt i cili deri në atë kohë ishte vënë në dispozicion për tu përdorur nga disa ente civile brenda forcave të armatosura, për më tepër që këto ente civile tashmë u ishte vënë në dispozicion me një investim të vlerësueshëm të qeverisë një ambient shumë më komod, një ambient shumë më modern dhe padyshim e humbiste rolin që kishte pasur deri në ato momente dhe përderisa kishte një propozim të Ministrisë së Mbrojtjes për të mos e përdorur më. Isha informuar nga debatet që ishin në shtyp që do t’i adresohej një partie politike dhe kjo parti politike ishte partia më e madhe që dilte në opozitë dhe unë besoj për të gjithë këtë dimension dhe vlerat civile të sjelljes institucionale besoj që kemi kryer një akt dhe një veprim krejt korrekt dhe normal.

Gazetari: Zoti President, përderisa kjo godinë i kishte humbur funksionet e saj, përse nuk doli nga plani i shpërndarjes një muaj, dy muaj, tre muaj, pesë muaj përpara dhe a mendoni që në planin e shpërndarjes mund të ketë të tjera objekte që i kanë humbur funksionet e tyre dhe mund të ishin hequr të gjitha së bashku në një listë?

Presidenti Nishani: Në çdo kohë që do t’i vijnë propozimet Presidentit të Republikës, unë do t’i gjykoj në këtë sens që gjykova dhe rastin, që e gjykova pasi erdhi propozimi përkatës.

Gazetari: A mendoni që keni gabuar në këtë moment?

Presidenti Nishani: Unë sapo e thashë që kemi kryer një akt normal dhe korrekt.

Gazetari: A i kërkuat shpjegime Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë se, përse ai nuk pranoi të firmoste një propozim të tillë?

Presidenti Nishani: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk është vartësi i Presidentit të Republikës.

Gazetari: Duhet të konsultoheshit me të zoti President?

Presidenti Nishani: Nëse do të ishte një objekt i veprimtarisë operacionale të ushtrisë, pa diskutim.

Gazetari: Ndërkohë që pati mjaft komente që nënvizonin faktin që veprimi që u ndërmor dhe lirimi i selisë së Partisë Demokratike ishte për arsye të interesave pronësore, po e quaj, që ka familja juaj, konkretisht gruaja juaj. Si është ekzaktësisht kjo çështje?

Presidenti Nishani: Padyshim që ishte një insinuatë e padenjë …

Gazetari: Çdo të thotë insinuatë e padenjë?

Presidenti Nishani: Insinuatë e padenjë do të thotë një nismë e intrigave të kafeneve të Tiranës, me një synim të padenjë gjithashtu për të njollosur dhe për të përfolur integritetin e Presidentit të Republikës krejt pa baza, krejt pa fakte. Së pari, prona mbi të cilin është ngritur objekti ku ka qenë deri më tash selia e Partisë Demokratike nuk ka asnjë lloj lidhje me pronësinë e familjes sime.

Gazetari: Nuk ishte bashkëshortja juaj pronare e një pjese të truallit ku është ngritur Partia Demokratike?

Presidenti Nishani: Absolutisht! Nuk ka asnjë lloj lidhje, është një pronë krejt e shtetit dhe nuk ka asnjë lloj pronësie private dhe besoj se akti më i fundit që iu kthye bashkisë së Tiranës e ka vërtetuar këtë gjë.

Gazetari: A kishte pronësi diku aty rrotull bashkëshortja juaj, kam përshtypjen se u përmendën disa zona?

Presidenti Nishani: Natyrisht u përmendën disa zona dhe prandaj thashë që ishte një insinuatë e padenjë dhe një intrigë e një niveli kafenesh duke përdorur vërtetë një pronë ku familja e bashkëshortes sime zotëron pronësi që nga viti ‘93-’94, ku sot njihet si ‘Shtëpia e Toptanësve’, ku sot është objekti me emrin ‘Sarajet’, por që është larg godinës së Partisë Demokratike, por le te themi pronës, sipërfaqes ku është ngritur Partia Demokratike. Dhe insinuata tjetër që ishte në vijimësi të tërë kësaj ideje për të njollosur imazhin e Presidentit të Republikës, kishte të bënte me interesa të shfrytëzimit të pronës për ndërtim etj. në një kohë që ajo pronë në fakt nëse flasim për interesa individuale e penalizon drejtpërdrejti familjen që ka pronën mbi të sepse është një pronë që nuk mund të zhvillohet në asnjë rast për faktin që është monument kulture i kategorisë së parë dhe që të prishet duhet leje e veçantë nga Ministria e Kulturës në radhë të parë, nga qeveria, nga Instituti i Kulturës dhe fakti që unë kam qenë disa vite në pozicione shumë të rëndësishme vendimmarrëse; Ministër i Brendshëm, Ministër i Drejtësisë, prej një viti President i Republikës dhe as është bërë tentativa më e vogël për të abuzuar me ligjin dhe për ta hequr atë objekt nga lista e monumenteve të kulturës me idenë për ta shfrytëzuar më vonë. Pra, pavarësisht se kemi mbetur mjaft korrekt me këtë pasuri, me këtë objekt dhe në tërësi me ligjin, vijnë dhe akuza të tilla por gjithsesi unë besoj se opinioni publik shqiptar është aq i pjekur që gjithçka e vendos në vendin që i takon.

Gazetari: Ju thatë që ishin intriga të kafeneve dhe atyre që quhen ambiente informale të Tiranës, por ndërkohë deklarata janë bërë nga deputetë të Parlamentit aktual dhe atij të rikonfirmuar, të parlamentit të ri të opozitës në drejtimin tuaj.

Presidenti Nishani: Pikërisht kjo ishte dhe keqardhja ime për të cilën unë iu drejtova publikisht dhe opinionit me një qëndrim zyrtar si President i Republikës pasi nëse në mënyrë të përsëritur tentova të anashkaloja pjesën e intrigës dhe të thashethemnajës, në momente të caktuara Presidenti i Republikës duhet të qartësojë dhe opinionin publik në mënyrë zyrtare.

Gazetari: Zoti President,  a e dinit ju që një pjesë e kësaj godine që i takon planit të shpërndarjes, që i takonte ushtrisë shqiptare kishte pronësi private?

Presidenti Nishani: Jo nuk kam pasur informacion të tillë, por edhe në rastin që do t’i kthehej pronarëve do të bëhej vetëm pas firmosje nga Presidenti i Republikës.

Gazetari: Vetëm pas daljes nga plani i shpërndarjes.

Presidenti Nishani: Po.

Gazetari: A mendoni që përmes këtij gjesti ju i keni bërë një favor Partisë Demokratike së cilën i keni përkitur zoti President?

Presidenti Nishani: Gjithsecili le ta gjykojë nga këndvështrimi i tij. Unë kam kryer një akt të mbështetur tërësisht në të drejtën time kushtetuese i cili nuk e dëmton aspak ushtrinë shqiptare dhe nëse ndihmon një parti kryesore të opozitës prapë është një akt civil qytetar.

Gazetari: Megjithatë mund të ndihmonte jo thjesht një parti opozitare, por mund të ndihmonte shtetin shqiptar për tu bërë një universitet, një godinë shtetërore, të cilat i mungojnë shtetit dhe shumë gjëra të tjera.

Presidenti Nishani: Partitë politike dhe aq më tepër parti me kontribute të tilla siç është Partia Demokratike, siç është Partia Socialiste, të cilat janë asete publike të vendit, mbeten të rëndësishme për një shoqëri.

Gazetari: Në qoftë se në muajt në vijim Partia Socialiste do tu kërkonte një gjë të ngjashme për të vetë ose për Lëvizjen Socialiste për Integrim, do të ishit i gatshëm të ribënit të njëjtën procedurë?

Presidenti Nishani: Nuk mund të veprojë me dy standarde Presidenti i Republikës.

Gazetari: Pra, nëse do t’ju vinte një propozim, do të ishit i gatshëm të firmosni për një gjë që varet nga ju?

Presidenti Nishani: Me të njëjtën logjikë dhe procedurë që kanë kaluar dhe akte të tjera të Presidentit.

Publicitet

Gazetari: Zoti President, po diskutonim pak për zhvillimet politike të mbylljes dhe fillimit të sezonit të ri, por ndërkohë ka pasur disa zhvillime dhe brenda Partisë Demokratike të cilës ju i keni përkitur dikur, por që mbi të gjithë është një prej institucioneve të rëndësishme politike në këtë vend. Si i shihni zhvillimet brenda Partisë Demokratike pas largimit të Berishës?

Presidenti Nishani: Është një çështje që i takon tërësisht Partisë Demokratike. Unë vetëm një dëshirë kam që, Partia Demokratike të vazhdojë kontributin e saj tashmë në pozicionin e opozitës shqiptare sepse ashtu siç i kontribuon partia, apo koalicioni, partive që janë në qeverisje vendit, me ushtrimin e detyrave të tyre, me ushtrimin e përgjegjësive, me punët që bëjnë, ashtu dhe opozita i kontribuon vendit me oponencën, me konsensusin, me qëndrimet e saj gjithmonë në përmirësim të çdo hapi, të çdo reforme që ndërmerret në vend. Çështjet e tjera të organizimit, të lidershipit janë tërësisht çështje që u takojnë ekskluzivisht anëtarëve të asaj partie politike. Edhe Partisë Demokratike si çdo parti tjetër politike të vendit që ka kontribute pozitive i uroj gjithmonë suksese në përmbushjen e misionit të saj. Është një mision që është i domosdoshëm dhe i nevojshëm për çdo shoqëri.

Gazetari: Zoti President, ditën që Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryeministri ende në detyrë i vendit dha dorëheqjen, ai pati një takim me ju një ditë më  parë, në mos gaboj. A ju informoi ju Berisha që do të jepte dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike?

Presidenti Nishani: Jo nuk ka pasur një bisedë të tillë informuese….

Gazetari: Për çfarë ishte biseda dhe ku fokusohej?

Presidenti Nishani: Ka qenë natyrisht për procesin, problematikat e procesit që ishin hasur dhe natyrisht për të gjithë vijimësinë e hapave të tjerë që i takonin dy institucioneve për të bashkëpunuar.

Gazetari: A kishte Kryeministri pakënaqësi për mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet?

Presidenti Nishani: Natyrisht problematikat shqetësimet që u ndeshën janë bërë prezente dhe nga Kryeministri Berisha. Është krejt normale që midis dy institucioneve të paraqiten këto problematika, këto shqetësime dhe që mbeten pjesë e diskutimeve dhe pjesë e angazhimeve të kohës që vjen.

Gazetari: Ndërkohë, zoti President, ju pritët menjëherë dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht sot dhe Kryetar i Partisë Demokratike, zotin Basha. Përse e pritët zotin Basha atë ditë?

Presidenti Nishani: Takimi brenda ditës ka qenë një koiçidencë sepse takimi me zotin Basha ishte parashikuar disa ditë përpara.

Gazetari: Kishte apo nuk kishte lidhje me dorëheqjen e Berishës kandidimi i Bashës për kreun e Partisë Demokratike?

Presidenti Nishani: Absolutisht! Nuk mund të ketë lidhje me Institucionin e Presidentit të Republikës.

Gazetari: Megjithatë a keni influencuar direkt apo indirekt në garën midis Bashës dhe Olldashit në Partinë Demokratike, qoftë dhe përmes ndikimit që mund të keni në strukturat e Partisë Demokratike pjesë e të cilave keni qenë?

Presidenti Nishani: Unë jam larguar prej një viti nga strukturat e Partisë Demokratike. Së dyti, unë e konsideroj një pozicion shumë serioz dhe të rëndësishëm pozicionin e Presidentit të Republikës.

Gazetari: Presidenti i Republikës ka emocionet e veta, ka bindjet e veta, nuk mund të jetë kaq steril.

Presidenti Nishani: Këtë e thashë dhe më herët të bisedës sonë që, natyrisht nuk është steril, ka emocionet e tij, por aftësia është pikërisht tek menaxhimi i emocioneve dhe unë besoj që kjo është përpjekja që duhet të bëjë çdo individ që vjen në pozicione kaq të rëndësishme, të menaxhojë dhe të orientojë të gjitha emocionet e tij.

Gazetari: Pra, jeni përfshirë apo nuk jeni përfshirë në garën e brendshme të Partisë Demokratike?

Presidenti Nishani: Nuk mund të përfshihesha dhe  nuk kisha asnjë arsye përse të përfshihesha.

Gazetari: Ndjekur nga jashtë, si një njeri që ka milituar në atë parti, a mendoni që ardhja e Bashës ishte një zgjidhje e mirë për Partinë Demokratike?

Presidenti Nishani: Gara ishte një moment shumë i rëndësishëm dhe shumë i mirë dhe unë besoj që, meqë po ma kërkoni dhe në gjykimin tim si qytetar i këtij vendi, besoj se ishte një vlerë e shtuar ajo garë dhe njerëzit që garuan janë njerëz me kontribute në Partinë Demokratike.

Gazetari: A mendoni se partia Demokratike do të ketë mundësinë dhe aftësinë të zhvillojë një opozitë të nevojshme për vendin në Parlament?

Presidenti Nishani: Së pari, ja uroj sepse është në të mirë të vendit, është në të mirë të zhvillimit, është në të mirë të demokracisë. Mbetet për tu parë.

Gazetari: Zoti President, zakonisht në Sesionin e Përhershëm të OKB-së që zhvillohet në shtator Presidenti merr pjesë çdo vit ose një vit po e një vit jo. Pse këtë vit ju jeni tërhequr nga pjesëmarrja dhe keni lejuar shkuarjen e Kryeministrit? Ka qenë një raport mesh jush dhe Ramës, pra një marrëveshje midis jush dhe Ramës apo ka qenë një vendim i juaji jashtë kësaj?

Presidenti Nishani: Jo nuk ka pasur asnjë marrëveshje, për hir të së vërtetës, sepse vendimi im për të mos marrë pjesë ka qenë përpara zgjedhjeve parlamentare për shkak të procedurave duhet të organizohej vizita përpara zgjedhjeve parlamentare.

Gazetari: Ka qenë diku rreth maj-qershor.

Presidenti Nishani: Në fund të majit. Unë e kam gjykuar si serioze dhe korrekte që pas zgjedhjeve parlamentare kushdo që do të ishte kryeministër i vendit, qoftë vazhdimi, qoftë kryeministri i ri, duhet të shkonte në këtë aktivitet për të prezantuar qeverinë dhe platformën e qeverisë që do të vinte. Është në dinjitetin e shtetit, është në dinjitetin e vendit, për më tepër që unë kisha qenë një vit më parë kështu që nuk ka asnjë lloj vendi për marrëveshje të veçanta. Unë besoj që është një qëndrim korrekt dhe normal.

Gazetari: Ndërkohë ju sërish do të shkoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe s’jeni dhe jeni, duket pak si paradoksale.

Presidenti Nishani: Unë do të jem për shkak se pata dhe kam një ftesë nga ish-Presidenti Clinton. Për koiçidencë aktiviteti i fondacionit të zotit Clinton zhvillohet në të njëjtën kohë me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Gazetari: Dhe shfrytëzon pjesëmarrjen në asamble të drejtuesve politikë.

Presidenti Nishani: Por përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë rast në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të jetë Kryeministri i ri i vendit. Ndërsa aktivitetet e mia do të fokusohen në; agjendën që ka fondacioni i zotit Clinton, disa takime me komunitetin shqiptar në Boston dhe në Detroit për të cilën, për shkak të agjendës, unë vitin e kaluar nuk pata mundësi t’i realizoja.

Gazetari: Pra, do të vizitoni dhe komunitetet shqiptare në Boston dhe Detroit veç takimit të Fondacionit Clinton. Nuk ka lidhje me sesionin e Asamblesë së OKB-së?

Presidenti Nishani: Jo nuk ka lidhje.

Gazetari: Zoti President, Kryeministri i ardhshëm, pra ai që po vjen në detyrë pritet të organizojë një ceremoni për zgjedhjen e tij. A do të marrë pjesë Presidenti në ceremoninë e organizuar nga Kryeministri i ri?

Presidenti Nishani: Gjithçka në përputhje me kushtetutshmërinë e funksioneve të Presidentit dhe me  protokollin që detyron kreun e shtetit. Kreu i shteti lëviz, vepron mbi bazën e një protokolli të caktuar shtetëror.

Gazetari: Zoti President, si i vlerësoni raportet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Presidenti Nishani: Janë marrëdhënie të shkëlqyera. Shtetet e Bashkuara janë partneri më i madh strategjik i Shqipërisë. Janë vendi i cili i ka qëndruar pranë Shqipërisë që nga momenti i krijimit të shtetit të parë shqiptar. Është vendi që ka aq shumë kontribute në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Është një vend i cili e ka mbështetur Shqipërinë dhe kombin shqiptar në tërësi në rrugën drejt konsolidimit dhe prosperitetit kombëtar të tij, kështu që marrëdhëniet janë marrëdhënie të prioritetit të parë.

Gazetari: Megjithatë zoti President, ka pasur deklarata të hapura pakënaqësie të maxhorancës ende në detyrë ndaj Ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, zotit Aleksandër Arvizu. Kujtoj këtu deklaratën e Kryetares ende në detyrë të Parlamentit, zonjës Topalli që është rimarr nga shtypi, por dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike.

Presidenti Nishani: Natyrisht marrëdhëniet e Presidentit të Republikës janë marrëdhënie institucionale me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me shtetin amerikan, me përfaqësuesit e tyre, me popullin amerikan dhe mund t’ju them që, në Shqipëri ekziston nga të gjitha krahët, nga të gjitha këndet një miqësi e madhe, një partneritet i ngushtë me SHBA dhe kjo është e pandryshuar dhe e palëvizshme.

Gazetari: Marrëdhëniet tuaja me Ambasadorin Arvizu?

Presidenti Nishani: Shumë të mira dhe korrekte.

Gazetari: Çdo të thotë shumë të mira dhe korrekte?

Presidenti Nishani: Shumë të mira dhe korrekte në marrëdhëniet që kemi komunikuar në rastet kur ka pasur mesazhe nga qeveria e SHBA-ve për Presidentin e Republikës, ashtu siç dhe kemi bashkëpunuar për të gjitha momentet kur është dashur angazhimi i Presidentit të Republikës.

Gazetari: A kanë qenë të angazhuara SHBA-të drejt një rotacioni të pushtetit në Shqipëri?

Presidenti Nishani: Jo. Nuk mund të përfshihet asnjë shtet pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi ne me SHBA-të. Nuk është as në politikën e qeverisë së SHBA-ve, por edhe të traditës për tu përfshirë në rotacionin apo në tranzitimin e pushtetit. Rrotacioni, tranzitimi i pushtetit është tërësisht produkt i qytetarëve shqiptarë, i shoqërisë shqiptare, i demokracisë shqiptare.

Gazetari: Zoti Nishani, duket se problemi më i madh i SHBA-ve për momentin, por edhe të disa vendeve të tjera evropiane,  me pjesëmarrje apo mospjesëmarrje, është zgjidhja e problemit të Sirisë. Cili do të jetë pozicioni i Shqipërisë në rastin e një ndërhyrje amerikane në Siri?

Presidenti Nishani: Një nga elementet dhe vlerat e rëndësishme të Shqipërisë si shtet ka të bëjë me një qëndrim të njehsuar, flas pas viteve ’90 me sistemin pluralist dhe demokratik në Shqipëri, një qëndrim i njehsuar i mazhorancës dhe opozitës në lidhje me politikën e jashtme dhe unë besoj se ky është një aset i cili jo vetëm duhet ruajtur, por dhe duhet konsoliduar sepse në radhë të parë i shërben kontributit që i kërkohet Shqipërisë në lidhje me politikën e jashtme veçanërisht atë rajonale, por në rastin konkret të Sirisë ka një deklaratë mjaft të qartë të qeverisë shqiptare, të Kryeministrit të vendit, të Ministrisë së Jashtme. Ka një deklaratë tërësisht në përputhje me këtë të Kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Rama i cili është propozuar tashmë jo zyrtarisht por publikisht nga mazhoranca e re për të qenë Kryeministri i ardhshëm. Ka qëndrime gjithashtu tërësisht të njëjta në prononcime publike të zotit Meta i cili është propozuar për të qenë Kryetar i Parlamentit. Shqipëria e konsideron regjimin e Assadit, regjim kriminal. Aktet ndaj popullsisë civile si akte kriminale. Përdorimin e armëve kimike të papranueshme. Shqipëria është dhe do të mbetet e gatshme përkrah SHBA-ve të gjithë aleatëve të tjerë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Gazetari: Mbështetje morale apo dhe mbështetjes përmes vënies në dispozicion të bazave dhe territorit shqiptar për një sulm të mundshëm?

Presidenti Nishani: Hapi i parë është përkrahja politike pa diskutim. Por, natyrisht Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe çdo lehtësi aeroportuale apo lehtësi tjetër që do të kërkohet nga Shqipëria është një detyrim dhe përmbushja e detyrave në kuadrin e Aleancës së Atlantikut Verior, por edhe në raportin bilateral me SHBA, Shqipëria është tërësisht e gatshme të vendosë cdo lehtësi për përmbushjen e misioneve që i shërbejnë paqes, lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Gazetari: Zoti President, si do të jenë raportet tuaja me Parlamentin e ardhshëm dhe me Kryetarin e Parlamentit? Çfarë raportesh keni ju me zotin Meta?

Presidenti Nishani:  Raporte mjaft korrekte, raporte institucionale, raporte të respektit reciprok. Unë besoj që Presidenti përveç bashkëpunimit me të gjithë aktorët e tjerë, duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Parlamentin shqiptar. Padyshim që Kryetari i Kuvendit është një detyrim, por është në përfaqësim të këtij institucioni dhe me grupet parlamentare të parlamentit të ardhshëm, Presidenti i Republikës duhet të jetë shumë i hapur për të komunikuar në vijimësi, në mënyrë të rregullt, për të shkëmbyer pikëpamjet dhe për të bashkëpunuar në të gjitha hapat që jo vetëm pse Kushtetuta ia kërkon, por edhe për të krijuar një ambient i një komunikimi të përhershëm institucional në shërbim të klimës së përgjithshme pozitive.

Gazetari: Çfarë keni biseduar ju me zotin Meta gjatë takimit të korrikut?

Presidenti Nishani: Kam uruar zotin Meta për rezultatin që arriti në zgjedhjet e fundit dhe kemi shkëmbyer, dhe kemi ndarë opinionin e përbashkët për rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi midis institucioneve kaq të rëndësishme të vendit.

Gazetari: Ndërkohë ju keni takuar disa ditë para Metës, ndoshta një ditë nuk mund të jem i saktë, dhe Kryetarin e opozitës dhe Kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë, zotin Rama. Cila ka qenë biseda me zotin Rama? Ku konsistonte ajo?

Presidenti Nishani: Ka qenë një takim pozitiv. Gjithsesi, në po atë linjë dhe të takimit me zotin Meta, ndamë gjithashtu të njëjtën pikëpamje që bashkëpunimi midis institucioneve është një nevojë, është një domosdoshmëri, është një aset i kulturës politike, i kulturës institucionale, por dhe i etikës dhe i modelit civil të sjelljes së institucioneve dhe të drejtuesve të institucioneve. Në fund të fundit është një shërbim që i bëhet vendit dhe imazhit në tërësi të shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare sot është një shoqëri e emancipuar dhe kërkon me domosdoshmëri që këtë emancipim që ka shoqëria shqiptare apo le të themi elita e saj të reflektohet në radhë të parë në drejtuesit e institucioneve të tilla që janë të përfshira në procesin e vendimmarrjes.

Gazetari: A keni ju rezerva personale ndaj zotit Rama?

Presidenti Nishani: Rezervat personale asnjëherë nuk mund të ndikojnë në sjelljen institucionale dhe natyrisht në sjelljen institucionale unë nuk i kthehem retrospektivës. Rezervat personale nuk kanë vlerë.

Gazetari: A keni paragjykime ju ndaj kësaj mazhorance të re?

Presidenti Nishani: Asnjë paragjykim. Përkundrazi, e kam uruar dhe e uroj këtë mazhorancë për rezultatin që mori në zgjedhje dhe uroj gjithashtu në përmbushjen e të gjitha detyrave të saj sepse përmbushja e detyrave dhe i angazhimeve prej saj është e mirë për çdo qytetar të vendit tim.

Gazetari: Në rast se marrëdhëniet mes jush do të tensionohen dhe ju keni sulme nga kjo mazhorancë, do të përgjigjeni si President i Republikës?

Presidenti Nishani: Presidenti i Republikës nga ana e tij nuk do te jetë asnjëherë iniciues i konflikteve. Së pari, nuk është në natyrën time, nuk është në bindjet e mia, nuk është në parimet e mia, nuk është në kulturën dhe etikën time gjenerimi i sjelljeve konfliktuale për më tepër që përtej formatit individual jep një dimension shumë më të rëndësishëm pozicioni institucional, ndaj Presidentit të Republikës nuk mund të jetë kurrë një njeri i cili të prodhojë konflikte apo të sjellë elementë të cilët gjenerojnë konflikt më pas.

Presidenti i Republikës ka agjendën e tij. Presidenti i Republikës do të mbrojë dinjitetin dhe integritetin e institucionit, por edhe në tërësi do të jetë një zë shumë i fuqishëm në lidhje me të drejtat e qytetarëve, me të drejtat dhe liritë e institucioneve dhe me përmbushjen në fund të fundit të këtyre detyrave nga çdo institucion tjetër në raport gjithmonë me qytetarin.

Gazetari: Cilat janë pistat kryesore që kjo mazhorancë e re do ndjekë për të cilat mendohet që kanë qenë në rrugë në mbarë dhe përgjatë 8 viteve të kaluara?

Presidenti Nishani: Nuk do të dëshiroja realisht të merrja përsipër orientuesin apo përcaktuesin e platformës dhe të qeverisjes së mazhorancës së ardhshme. Ka një sëre sfidash shumë të mëdha; pa diskutim çështjet që lidhen me ekonominë, punësimin, me infrastrukturën, me shëndetësinë, arsimin dhe ajo e integrimit evropian. Pra, unë besoj që pak a shumë dhe në opinionin publik janë të qarta piketat. Janë sfida për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë do të uroja që kjo rrugë të merrej dhe të përçohej në rrugë racionale, në rrugë efiçente dhe me sa më shumë rezultate.

Gazetari: Zoti President, duket se rizgjedhja e Presidentit, zgjedhjet e ardhshme të Presidentit  përkojnë me mandatin e këtij Parlamenti që fillon punën ditën e hënë. A do të tentoni ju të kërkoni një mandat të ri me këtë mazhorancë e cila ka refuzuar t’ju votonte në 2012-ën?

Presidenti Nishani: Deri në atë ditë është një rrugë e gjatë, por i vetmi preokupim i imi është të mbyll me dinjitet këtë mandat që unë kam marrë.

Gazetari: Pyetja ime ishte, a do të diktohen veprimet dhe mendimet tuaja nga zgjedhjet presidenciale 2017?

Presidenti Nishani: Kjo pyetje është e një dimensioni tjetër. Aspak. Nuk ka asnjë objektiv timin të lidhur me çka do të ndodhë me zgjedhjet e Presidentit të ardhshëm pas katër vitesh apo me zgjedhjet parlamentare pas 4 viteve, por me ecjen, me përmbushjen e detyrave, me bashkëpunimin dhe krijimin e një klime institucionale, civile, qytetare dhe normale për institucionet shqiptare.

Gazetari: Sipas Kushtetutës, Presidentin do ta zgjedhë ky Parlament apo Parlamenti i ri një vjen pas 2017-tës?

Presidenti Nishani: Kjo është një çështje kurioziteti. Megjithatë për kuriozitet, është ky Parlament i cili do të zgjedhë dhe Presidentin e ardhshëm pas katër vitesh.

Gazetari: Në maj ose fund të qershorit.

Presidenti Nishani: Varet nga agjenda e Parlamentit.

Publicitet

Gazetari: Zoti President, ju thatë pak ma parë se një nga pikat më të rëndësishme ose pistat më të rëndësishme që kjo mazhoranca duhet të ndjekë është problemi i integrimit të vendit. Në fakt, pyetjet e mia do të fokusohen në dy-tre pyetje që lidhen me këtë.

A do të luajë një rol pozitiv zgjedhja dhe tranzicioni normal në rrugën integruese të Shqipërisë dhe a ka sinjale Brukseli në këtë drejtim?

Presidenti Nishani: Unë besoj që po. Ka pasur në vijimësi mesazhe që zgjedhjet janë një element i rëndësishëm i pjekurisë dhe maturisë jo vetëm të shoqërisë, por dhe të klasës politike. Fakti që patëm një proces të tillë si ky që sapo kaluam besoj që i kanë shërbyer pozitivisht dhe objektivit që ka Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat. Unë besoj që tashmë edhe pas plotësimit të atij kriteri aq shumë të mbajtur në tryezë, të votimit të tre ligjeve, apo të dy ligjeve dhe të aktit të rregullores së Parlamentit, tashmë nuk ka më asnjë pengesë formale le të themi.

Gazetari: A ka shanse Shqipëria për marrjen e statusit në dhjetor?

Presidenti Nishani: Unë besoj se ka shanse, por ajo që do të marr përsipër ka të bëjë me faktin që Presidenti i Republikës do të bashkëpunojë ngushtë edhe me institucione të tjera, por dhe si Institucion i Kreut të Shtetit në mënyrë për të afruar dhe për ta bërë sa më të mundshëm në kontaktet me partnerët tanë marrjen e këtij statusi për Shqipërinë. Unë prej kohësh e kam deklaruar dhe e kam besuar fort se Shqipëria dhe Shqiptarët e meritojnë prej kohësh këtë status jo vetëm për faktin e të qenit një pjesë reale të Europës, jo vetëm për faktin e ndërmarrjes të një sërë reformash shumë të rëndësishme përgjatë një periudhë të gjatë kohe, jo vetëm për faktin e arritjeve që ka pasur Shqipëria në kontekstin e legjislacionit, në kontekstin e institucioneve, por edhe për shkak të asaj çka besojnë shqiptarët. Unë jam i prirur ta përsëris dhe do të përsëris vazhdimisht se është shumë e rëndësishme t’ja tregojmë edhe Brukselit, por t’ja tregojmë edhe vendeve të tjera të BE- së, cili është qëllimi kryesor i shqiptarëve për procesin e integrimit. Ajo që unë kam parë dhe që më ka kënaqur vërtetë dhe që ja kam përcjellë edhe partnerëve tanë ka të bëjë me faktin që, synimi dhe angazhimi i shqiptarëve në këtë proces nuk ka të bëjë thjesht me një përfitim të një çasti, të një momenti të caktuar, të një përfitimi të një fondi financiar, apo të mentaliteteve të tilla. Ka të bëjë pikërisht me atë që shqiptarët kërkojnë që në Shqipëri përgjatë këtij procesi dhe përmes këtij procesi të arrijmë dhe të implementojmë standardet evropiane.

Gazetari: Cilat janë vendet që janë skeptike për integrimin e Shqipërisë, vendet evropiane. Kam parasysh që mbas statusit vjen hapja e negociatave dhe këtu deklarimi i secilit vend, vendimmarrja e secilit vend është shumë e rëndësishme.

Presidenti Nishani: Nuk ka pasur një diskutim konkret për Shqipërinë ende në Këshillin Europian. Ajo që pritej nuk u realizua për shkak të moskalimit të tre ligjeve në sezonin e kaluar.

Gazetari: A ka një skepticizëm që vjen nga Gjermania, Franca dhe Hollanda?

Presidenti Nishani: Unë nuk besoj. Unë kam pasur një takim të shkëlqyer në Tiranë me Ministrin e Jashtëm gjerman, zotin Westerwelle dhe aq më tepër një takim të shkëlqyer me presidentin gjerman në Berlin ku gjeta një dashamirësi dhe një qëndrim shumë të mirë pro Shqipërisë për të marrë statusin natyrisht e lidhur me reformat që i kërkoheshin Shqipërisë.

Gazetari: A ka një paragjykim ndaj Shqipërisë nga disa vende anëtare të BE-së? A ka një lloj shqiptaro-fobie ndaj nesh?

Presidenti Nishani: Në mënyrë institucionale nuk ka pasur dhe nuk kam ndeshur, por individë dhe grupe të caktuara e kanë shfaqur një shqiptaro-fobi, kjo është evidente. Unë jam i bindur që ato nuk mund të ndikojnë në vendimmarrjet e institucioneve të tilla të rëndësishme sic është Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe qeveritë e vendeve të BE-së.

Gazetari: Ky opinion shqiptaro-fobi është shprehur dhe në formë institucionale apo vetëm në formë opinioni?

Presidenti Nishani: Nuk ka pasur në formë institucionale.

Gazetari: Deri tani nuk ka pasur asnjë paragjykim në këtë drejtim?

Presidenti Nishani: Nuk ka pasur. Në mënyrë institucionale nuk ka pasur.

Gazetari: Ndërkohë që Kryeministri që pritet të hyjë në detyrë është shprehur që sot e tutje raportet me Kosovën do të marrin një dimension të ri dhe do të ndryshojnë krejtësisht në sensin pozitiv. Çfarë prisni ju në raportet midis Shqipërisë dhe Kosovës?

Presidenti Nishani: Unë e thashë dhe pak më parë dhe gjykoj se është mjaft e rëndësishme dhe unë ju falënderoj dhe për pyetjen që ju adresoni. Përsa i takon çështjes së politikës së jashtme, ka qenë vërtetë një vlerë e madhe që nuk ka pasur divergjenca apo qëndrime të ndryshme midis opozitës apo mazhorancës asnjëherë, pavarësisht se cila parti apo koalicion ka qenë mazhorancë dhe cila ka qenë në opozitë. Ndaj çdo debat që mund të nisë në lidhje me orientime të ndryshme apo me diferenca të ndryshme në politikën e jashtme nuk do të jetë pozitiv. Unë shpresoj që nuk do të ketë ndonjë ndryshim të qëndrimit dhe të sjelljes së shtetit shqiptar në politikën e jashtme, me Kosovën aq më tepër.

Gazetari: A kemi bërë aq sa duhet në raportet mes nesh?

Presidenti Nishani: Unë besoj që kemi shumë për të bërë veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike dhe kërkohet një strategji e përbashkët me Kosovën në marrëdhëniet ekonomike. Zhvillimet që kemi pasur deri më tash me Kosovën sidomos që kanë të bëjnë me komunikimin kanë qenë të paimagjinueshme.

Gazetari: Besoj që të vetmen gjë konkrete kemi ekipin kombëtar të futbollit.

Presidenti Nishani: Ajo është një pararendës i asaj çka ne duhet të kthejmë në ndjesi pozitive.

Gazetari: Përpara se t’ju falënderoj për intervistën, po insistoj dhe një herë në dy-tre pika që i hapa në fillim.

Gazetari: Kur pritet të dekretoni Kryeministrin e ri, zoti President?

Presidenti Nishani: Unë besoj që me të ardhur propozimi nga mazhoranca e re qeverisëse…

Gazetari: Që do të thotë brenda datës 10, të nesërmen e mbledhjes së Parlamentit?

Presidenti Nishani: Besoj që brenda datës 10 mund të dekretohet Kryeministri i ardhshëm.

Gazetari: Edhe kur do të dekretohet qeveria e re?

Presidenti Nishani: Ajo pastaj ka të bëjë me raport me korespondecën midis Kryeministrit të emëruar nga Presidenti dhe Presidentit të vendit.

Gazetari: Sapo Kryeministri të sjellë emrat e ministrave?

Presidenti Nishani: Natyrisht me t’i sjellë dhe me të drejtën kushtetuese që ka Presidenti i Republikës….

Gazetari: Ju keni të drejtën kushtetuese 10 ditore, për shembull.

Presidenti Nishani:  E përsëris edhe një herë, koha duhet shfrytëzuar në mënyrë racionale dhe asnjë herë për të krijuar pengesa të panevojshme artificiale.

Gazetari: Sa kohë do t’ju duhet institucioneve të specializuar të ‘check’-ojnë dhe të sjellin një përgjigje për emrat e qeverisë së re?

Presidenti Nishani: Unë besoj që institucionet tona janë efiçente.

Gazetari: A do të kërkoni një verifikim dhe të Kryeministrit nga këto institucione?

Presidenti Nishani: Unë besoj që, tashmë disa personalitete që janë aktivë në politikë dhe në drejtim të institucioneve kanë qenë ndërkohë të verifikuara.

Gazetari: Kur mendoni që qeveria e re mund të hyjë në zyra, zoti President?

Presidenti Nishani: Le t’ia lëmë kohës, por unë besoj pa vonesa të panevojshme.

Gazetari: Ju falënderoj sot për këtë intervistë.

Presidenti Nishani: Edhe unë ju uroj, siç ju thashë në fillim, sezon të mbarë ju dhe gjithë kolegëve tuaj!

Gazetari: Faleminderit zoti President!

 

Filed Under: Featured Tagged With: Blendi Fevziu, Interviste, presidenti Nishani, Qeveria Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT