• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BOTA MES DOZËS SË TRETË TË VAKSINËS DHE VALËS SË KATËRT TË PANDEMISË

August 9, 2021 by s p

Blerta Muço, Doktorante në Fakultetin e Mjekësisë Würzburg, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë aktualisht në Gjermani, tendencën e rritjes së numrit të infektimeve në pjesën më të madhe të botës, frikën e një vale të katërt në vjeshtë, efektet në shëndetin mendor të pandemisë, kërcënimin e botës nga variant Delta dhe variantet e tjera, situatën në Kosovë, Shqipëri dhe trojet shqipfolëse. Me Blerta Muçon bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol Paja.

GJERMANIA PO KALON NJË FAZË DELIKATE TË PANDEMISË COVID-19

Gjermania po kalon në një fazë delikate të pandemisë COVID-19. Gjatë muajit të fundit, ka pasur rritje të dukshme të numrit të infeksioneve të reja. Por, vihet re një diskrepancë e vlerës së incidencës në shtetet e ndryshme federale. Bavaria, Bundesland-i ku unë jetoj dhe punoj, shënon aktualisht një prej vlerave më të ulta të numrit të infeksioneve të reja në mbarë Gjermaninë. Bundesland-e të tjera si p.sh. Hamburg, Berlin e kanë kaluar pragun e më shumë se 30 infeksione të reja të regjistruara për 100,000 banorë në 7 ditët e fundit. Në të njëjtën kohë, numri i pacientëve të kujdesit intensiv po rritet pas një periudhe të gjatë relaksimi. Vlen të theksohet se në të gjitha shtetet federale, virusi kryesisht po qarkullon në grupmoshat nën moshën 35 vjeç (15-34 vjeç). Mosha mesatare e vdekjeve dhe hospitalizimeve me Coronavirus nuk ka qenë kurrë aq e ulët sa në këtë moment. Kjo shpjegohet kryesisht me faktin që fushata e vaksinimit për individët mbi 60 vjeç nisi më herët. Aktualisht nuk ekziston mungesë e vaksinave dhe çdo individ mbi 12 vjeç mund të vaksinohet vullnetarisht. Vendosja e një vaksinimi të detyruar është përjashtuar, por së fundmi po ndiqen politika stimuluese për të nxitur qytetarët ti drejtohen qëndrave të vaksinimit.

FRIKA E NJË VALE TË KATËRT TË PANDEMISË NË VJESHTË

Është e vështirë të parashikosh fundin kur momentalisht flasim për tendenca të rritjes së numrit të infektimeve në pjesën më të madhe të botës. Por, duhet theksuar se sa më e lartë kuota e të vaksinuarve, aq më e zbutur mund të jetë rrjedha e një vale të katërt në vjeshtë. Ndryshe nga viti i kaluar, virusi gjen një popullatë më të përgatitur. Për më tepër, pjesë të mëdha të grupeve të rrezikut tashmë janë të armatosur kundër patogjenit përmes një vaksinimi të përfunduar. Instituti Robert-Koch, agjensia kërkimore përgjegjëse për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, parashikon se infeksionet e reja tani do të ndodhin kryesisht midis atyre që ende nuk janë vaksinuar.

MBROJTJA PËRMES VAKSINËS DHE KOHËZGJATJA E SAJ  

Në bazë të studimeve më të fundit shkencore, vaksinimi kundër koronës zvogëlon dukshëm rrezikun e infektimit dhe ul numrin e kurseve të rënda të infeksioneve që përfundojnë në hospitalizime dhe humbje jete. Vaksinat e miratuara deri më tani kanë qenë shumë efektive në testet klinike. Aktualisht 62.2% e popullsisë gjermane janë vaksinuar, ku 8.1% janë ende në pritje të dozës së dytë. Objektivi kryesor është arritja e një kuotë vaksinimi prej 85 – 95%. Ende nuk ka një vendim zyrtar, por po diskutohet për një dozë të tretë përforcuese duke filluar nga shtatori, veçanërisht për grupet më të rrezikuara. Një dozë e tretë e vaksinës, 6 muaj pas vaksinimit të dytë, përforcon edhe mbrojtjen kundër të ashtëquajturve “Variants of Concern”, si psh varianti Delta.

PANDEMIA COVID-19 DHE EFEKTET NË SHËNDETIN MENDOR

Që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 150 milionë njerëz janë infektuar me COVID-19 dhe më shumë se 3 milionë kanë vdekur prej tij. Por a jemi në gjendje të deshifrojmë kostot e problemeve të spektrit mendor? Jeta e përditshme e shumë njerëzve ka ndryshuar ndjeshëm për shkak të mbylljes së plotë të jetës shoqërore me pak ose aspak mundësi të tjera socializimi apo argëtimi. Kjo mund të shkaktojë stres, gjendje ankthi, depresione dhe pasiguri tek njerëzit me një sëmundje mendore ekzistuese, si dhe tek njerëzit pa histori të mëparshme. Reduktimi i kontakteve sociale dhe vet-karantina po bëhen vatër e rrezikshme e rritjes së dhunës dhe abuzimeve në familje. Prandaj një sfidë, për nga rëndesia e barazvlefshme me atë të vaksinimit të popullatës, është puna paralele e qendrave sociale dhe të luftës kundër dhunës në familje.

KËRCËNIMI I BOTËS NGA VARIANTI  DELTA DHE VARIANTET E TJERA

Viruset ndryshojnë vazhdimisht përmes mutacionit dhe shfaqja e varianteve të reja të një virusi është e pritshme. Ndonjëherë variantet e reja shfaqen dhe zhduken. Herë të tjera, variantet e reja bëhen përcaktuese të dinamikës së pandemisë. “Variants of Concern”, pjesë e të cilit është dhe varianti Delta, karakterizohen nga një virulencë më e lartë dhe kështu përhapen më shpejt dhe në mënyrë më efektive. Aktualisht, varianti Delta po luan një faktor dominant, duke shkaktuar 84% të infektimeve të reja në Gjermani. Njerëzit të cilët nuk janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 janë më të rrezikuar ndaj varianteve të reja. Delta mund të mos jetë varianti i fundit i virusit me rrezik të lartë. Mënyra më e mirë për të ngadalësuar shfaqjen e varianteve të reja është të zvogëloni përhapjen e infeksionit duke marrë masa për të mbrojtur veten, përfshirë marrjen e një vaksine COVID-19 kur është e disponueshme.Vaksinat e autorizuara të COVID-19 mbrojnë kundër Delta dhe varianteve të tjera të njohura.

SITUATA NË KOSOVË, SHQIPËRI DHE TROJET SHQIPFOLËSE

Që prej fillimit të pandemisë, kontributi im aktiv ka qënë në Gjermani prandaj e kam të veshtirë të flas me fakte nga përvoja personale për trevat shqipfolëse. Megjithatë, lidhjet me Tiranën i mbaj të forta përmes prindërve. Në këtë stad të pandemisë është shumë e rendësishme nxitja e politikave pro vaksinimit, si p.sh. duke hapur qendra vaksinimi në zonat më të populluara apo duke avantazhuar të vaksinuarit në evente publike. Derisa të paktën 80% e popullsisë të ketë mbrojtje imune përmes vaksinimit ose shërimit, relaksimi i mëtejshëm i masave do të çojë sërish në rritjen e numrit të rasteve. Prandaj është e rëndësishme që hapja e mëtejshme të realizohet me kujdes e me hapa të vegjël. Përvoja ka treguar se edhe masat e thjeshta të tilla si distanca, higjiena, mbajtja e maskës dhe ajrosja mund të mbrojnë kundër infeksionit.

DOKTORATURË NË FUSHËN E ONKOLOGJISË

Prej më shumë se 2 vitesh, paralelisht me studimet e mjekësisë, jam e angazhuar me kërkime shkencore për të mbrojtur PhD/Doktoraturën në fushën e onkologjisë. Një projekt ky sa ambicioz, aq edhe impenjativ. Subjekti i studimit janë ndryshimet në biologjinë e tumorit të kancerit të gjirit para dhe pas menopauzës. Analiza retrospektive e mbi 5000 rasteve të pacientëve na mundëson vendosjen e një korelacioni midis nënllojeve gjenetike të kancerit të gjirit me statusin menopausal. Këtë vit botuam në disa prej revistave dhe portaleve më prestigjoze në botën e mjekësisë, artikullin me titull “Toksicitetet e hershme dhe të vonshme dhe çrregullimet përkatëse socio-mjekësore pas trajtimit onkologjik të kancerittë gjirit-Implikimet dhe Vlerësimi i Kërkesës së Rehabilitimit”. Artikulli është lehtësisht i aksesueshëm në rrjet në gjuhën gjermane dhe angleze. Ndërkohë, vazhdoj të punoj intensivisht për publikime të tjera shkencore.

KUSH ËSHTË BLERTA MUÇO?

Menjëherë pas përfundimit të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, në sektorin dygjuhësh shqiptaro-gjerman me rezultate të shkëlqyera dhe mbrojtjen e gjuhës gjermane, fillova studimet e mjekësisë në Universitetin Julius-Maximilians-Universität Würzburg në Gjermani. Vendimi për tu larguar nga Shqipëria me studime në moshën 18 vjeçare, nuk ishte i lehtë, por sot pranë përfundimit të studimeve me vlerësimet maksimale nga pedagogët, i jam mirënjohëse më shumë se kurrë familjes sime për mbështetjen e pakushtëzuar. Gjatë studimeve kam kryer praktika të shumta në disa spitale si: spitali universitar i Würzburg, spitali universitar i Goethe-Universität Frankfurt, Juliusspital. Gjatë vitit të 6 të studimeve, i cili në Gjermani njihet si viti i praktikës, pata fatin që përmes bursës Erasmus, të punoja në fushën e kirurgjisë për Radboud Universitair Medisch Centrum në qytetin Nijmegen, Hollandë. Momentalisht po punoj për departmentin e kardiologjisë në Spitalin Universitar të Würzburg. Paralelisht me studimet e mjekësisë dhe punimet për doktoraturën, punoj si asistent-pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë dhe ndihmës mjeke në Spitalin Universitar të Würzburg. Me përfundimin e studimeve këtë fundvit, nis një rrugëtim i ri për mua, ai i specializimit në klinikë. Mjekësia është padyshim ëndrra ime e fëmijërisë. Por me përfundimin e studimeve, bashkë me ëndrrën timen po realizoj një pasion të madh të babait tim, i cili duke jetuar në periudhën e errët të komunizmit e pati të pamundur të zgjedhë degën e studimeve, pavarësisht rezultateve të shkëlqyera. Babush, kjo është për ty! Por jo gjithmonë ka qënë mjekësia kryefjala e jetës sime. Fëmijëria ime është e mbushur me shumë nota muzike. Kam studiuar për 9 vite piano në shkollën e muzikës “Servete Maçi” duke fituar disa here çmime të para në Shqipëri e rajon e duke luajtur në koncerte të panumërta. Për gjatë viteve të studimit parauniversitar në Tiranë, jam shpërblyer me burse për rezultatet e shkëlqyera nga Bashkia Tiranë. Kjo intervistë për mua ka një vlerë sentimentale të veçantë, pasi unë jam mbesa e të ndjerit Musa Hajro, themelues i organizatës pararendëse të Vatrës, të njohur si “Koshere”. Si e tillë, gazeta Dielli ka qënë për familjen time një shkëndijë e shpirtit përgjatë viteve të errë ta të izolimit komunist. Ftesa për këtë intervistë, për vet kontekstin familjar më ka emocionuar, por dhe ngarkuar me përgjegjësi për të çuar përpara misionin tim në shkencë e mjekësi. I ndjeri Musa Hajro, ishte presidenti i parë i Qendrës Shqiptare të New York-ut, qëllimi i të cilës ishte promovimi i kulturës dhe gjuhës shqipe përtej Atlantikut. Edhe pse larg atdheut, Musa Hajro nuk i rreshti kurrë përpjekjet për të mbajtur gjallë lidhjet me rrënjët dhe vlerat shqiptare. Ai ka qënë një nga financuesit kryesorë të krijimit të shkollës së parë shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndër atdhetarët e shquar të kohës që vazhdimisht ka dhuruar ndihma për trevat shqiptare. Sot, pothuaj një shekull më vonë, jam shumë e lumtur dhe krenare me historinë e familjes sime që në çdo kohë ka investuar në kulturë e shkencë, pa i harruar kurrë rrënjët.

Filed Under: Featured Tagged With: Blerta Muco, COVID-19, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT